PROF.ASOC.DR.SABIT SYLA: DOKUMENTE ARKIVORE SHQIPTARE PËR DEMONSTRATAT E VITIT 1981 NË KOSOVË (5)

Prishtinë 30 mars 2021:
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË
MINISTRIA E MBROJTJES POPULLORE
DREJTORIA E ZBULIMIT
Tiranë, më 8. 5. 1981
INFORMACION MBI GJENDJEN NË KOSOVË

1) Komandanti i Korpusit 52 në Prishtinë, lidhur me propozimet e bëra për forcimin e gatishmërisë luftarake, u jep reparteve e njësive udhëzimet e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave dhe Komandës së Armatës 2-të në Nish.
Më poshtë japim tekstin e plotë origjinal të udhëzimeve:
Komanda e Korpusit 52
Telegram ditor 20-183
04.05.1981
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UPJ dhe komandanti i Z2U (Armatës) u njohën me propozimet tuaja lidhur me forcimin e gatishmërisë luftarake dhe urdhërojnë:
1. Aprovohen masat tuaja të deritanishme për gatishmërinë e përforcuar dhe ruajtjen e objekteve, në radhë të parë të depove të armatimit, të municionit dhe të eksplozivit. Kjo mbetet edhe për të ardhmen një nga detyrat tuaja më të rëndësishme.
2. Stërvitjet t’i zhvilloni sipas planit tuaj dhe programit të stërvitjes të njësive tuaja vartëse dhe të atyre që ju janë dhënë në përforcim. Në këto raste të keni parasysh që njësit të jenë sa më kompakte. Për këtë, stërvitjet të zhvillohen me efektiva të mëdha (kompani-batalion).
3. Lëvizjet e njësive – patrullimi me qëllim demonstrim force të mos kryhet pa aprovim të veçantë të Sekretariatit të Përgjithshëm të Mbrojtjes (Shtabit të Përgjithshëm të UPJ). Kjo vlen edhe për ç‘vendosjen eventuale të çdo njësie.
4. Të zotërohet situata në terren, të bëhet gjithmonë vlerësimi politiko-sigurues i situatës të vlerësohet se çfarë do të ndodhi ditën e nesërme dhe për periudhën e ardhshme dhe të propozoni masa për aktivitetin e reparteve.
Njësitë duhet jenë vazhdimisht të gatshme për ndërhyrje të shpejtë, por vetëm me miratim të komandantit të Korpusit.
5. Informacionet që na dërgoni, duhet të jenë sa më objektive. Nuk ka asnjë arsye që t’i zvogëloni ose t’i zmadhoni gjërat.

Komandanti
Gjeneral – Major
Anton Lukeziç d.v
Në bisedat e kryera në linjën radiorele Prishtinë-Nish, ndërmjet të tjerave thuhet se “Prishtina është plot me policë nga gjithë Jugosllavia. Tani këtu tek ne është qetësi por nuk kalon ndonjë makinë qe nuk ka targën e Prishtinës, menjëherë mblidhen fëmijët 15-18 vjeç dhe qëllojnë me gurë. Kështu edhe mua më goditen në kokë. Është muaji i tretë që nuk ka dalje të lirë në qytet e jo më me leje në shtëpi. Policë civilë gjenden në çdo hap. Kam hall se mos më mbajnë si rezervist, mbasi ata të tjerët i kanë mbajtur 8-15 ditë”.
Nga një bisedë midis dy nënkolonelëve (nga Nishi dhe Prishtina) del se në zyrën e gjeneral majorit Anton Lukeziç (komandanti i K52 Prishtinë) është gjetur një bombë 900 gramë.
Sipas një të dhëne të datës 27. 04. 1981, e cila kërkon verifikim të mëtejshëm, del se një pjesë e forcave të dërguara në Mitrovicë në kohën e demonstratave, janë dislokuar në Gjakovë. Mobilizimi i ushtarëve të rinj është kryer, ndërsa çmobilizimi është shtyrë për një kohë të papërcaktuar.
DREJTORI I DREJTORISË SE ZBULIMIT
MEHMET MUSAJ
***
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË
MINISTRIA E MBROJTJES POPULLORE
SHTABI I PËRGJITHSHËM
DREJTORIA E ZBULIMIT
Tiranë, më 21. 5. 1981
INFORMACION MBI GJENDJEN NË KOSOVË
Japim një radiogram origjinal të zbërthyer nga reparti i sulmit.
Komanda 211 e Br. T
11. 5.1981
Seksioni i Mbrojtjes
Komandës së Korpusit 52
Personalisht komandantit gjeneral LUKEZIÇ

Më datën 11.05.1981, shefi i Shtabit të Mbrojtjes Territoriale i bëri të njohur komandantit të Brigadës urdhrin e gjeneral Fadil Quranollit se, deri më 20. 05. 1981, materialet, armatimi dhe teknika luftarake të kalojnë nga depot e armatimit në Podujevë për në magazinën “Marshall Tito” në Prishtinë.
Shefi i Shtabit të Mbrojtjes Territoriale theksoi se për këto lëvizje duhet të njoftohet Këshilli i Mbrojtjes Popullore të komunës së Podujevës. Për sa sipër komandanti i brigadës kërkoi që t’i jepej urdhri me shkrim. Por shefi i Shtabit të Mbrojtjes Territoriale i bëri të ditur atij se urdhri i mësipërm është i transmetuar me telefon personalisht nga gjeneral Quranolli. Mbasi erdhi komandanti i Mbrojtjes Territoriale, ranë dakord që, kur të fillojë lëvizja e kolonës, të njoftohet edhe Këshilli i Mbrojtjes Popullore të komunës. U propozua që transporti të kryhet me kamionë “Kosova -Trans” dhe të sigurohet nga efektivi i një toge të Br. 211T.
Komandanti i brigadës dhe komandanti i Mbrojtjes Territoriale ranë dakord që:
– Shefi i Shtabit të Mbrojtjes Territoriale të bëjë llogaritë për sasinë e kamionëve që do të nevojiten për transportimin dhe për tërheqjen e teknikes. Për këtë qëllim do të angazhohen njerëz dhe mjete nga efektivi i brigadës. Brigada do të sigurojë edhe karburantin.
– Shefi i Shtabit të Mbrojtjes Territoriale do të bëjë plumbosjen e vulosjen e materialeve.
– Ngarkimi i teknikës dhe i armatimit do të kryhet me ushtarë natën. Krahas sigurimit optimal, do të transportohet njëherësh për në kazermën “Marshall Tito” në Prishtinë.
Shënim: Nga përmbajtja e radiogramit rezulton:
– Vërtetohet se Br. 211T është e dislokuar në rajonin e Podujevës (Kjo njësi erdhi në përforcim nga Nishi me fillimin e demonstratave);
– garnizoni i Prishtinës përforcohet me armatime e municione nga depot në Podujevë, që mbahen nën ruajtje nga Br. 211T.
DREJTORI I DREJTORISË SË ZBULIMIT
MEHMET MUSAJ

– FUND –

© Pashtriku.org

______________________________

PROF.ASOC.DR.SABIT SYLA: DOKUMENTE ARKIVORE SHQIPTARE PËR DEMONSTRATAT E VITIT 1981 NË KOSOVË (1)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=11062
***
PROF.ASOC.DR.SABIT SYLA: DOKUMENTE ARKIVORE SHQIPTARE PËR DEMONSTRATAT E VITIT 1981 NË KOSOVË (2)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=11069
***
PROF.ASOC.DR.SABIT SYLA: DOKUMENTE ARKIVORE SHQIPTARE PËR DEMONSTRATAT E VITIT 1981 NË KOSOVË (3)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=11078
***
PROF.ASOC.DR.SABIT SYLA: DOKUMENTE ARKIVORE SHQIPTARE PËR DEMONSTRATAT E VITIT 1981 NË KOSOVË (4)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=11080
***
PROF.ASOC.DR.SABIT SYLA: DOKUMENTE ARKIVORE SHQIPTARE PËR DEMONSTRATAT E VITIT 1981 NË KOSOVË (5)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=11086

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura