SHERADIN BERISHA: NDARJA ADMINISTRATIVE DHE REGJISTRIMI I POPULLSISË NË QARKUN E PRIZRENIT NË VITIN 1919 (Pjesa e parë)

Pashtriku.org, 08. 12. 2013 – (Hyrje) – Pas pushtimit të Kosovës dhe të viseve tjera etnike shqiptare nga Serbia (tetor-nëntor1912), komanda supreme serbe, sipas vendimit të qeverisë së saj: nr.18714, datë 5 nëntor 1912, me shpejtësi ndërtoi një administratë ushtarake, duke e ndarë vendin në 10 qarqe, në dhjetra rrethe dhe në qindra komuna të vogla. Që në fillim të vitit 1913 qeveria e Nikolla Pashiqit, Kosovën e kishte copëzuar në këto, qarqe, rrethe e komuna:
1. Qarku i Tetovës – kishte 4 rrethe dhe 59 komuna me 300 fshatra;
2. Qarku i Shkupit – kishte 3 rrethe dhe 61 komuna me 249 fshatra;
3. Qarku i Kumanovës – kishte 5 rrethe dhe 60 komuna me 409 fshatra;
4. Qarku i Kavadarit – kishte 3 rrethe dhe 52 komuna me 227 fshatra;
5. Qarku i Dibrës – kishte 3 rrethe (këtu është llogaritur edhe rrethi i Peshkopisë) dhe 35 komuna me 202 fshatra;
6. Qarku i Manastirit – kishte 6 rrethe dhe 116 komuna me 584 fshatra;
7. Qarku i Plevles – kishte 3 rrethe dhe 27 komuna me 122 fshatra;
8. Qarku i Novi Pazarit (Pazarit të Ri) – kishte 3 rrethe dhe 54 komuna me 571 fshatra;
9. Qarku i Prishtinës – kishte 5 rrethe (Prishtina, Gjilani, Vuçiterrna, Llapi dhe Ferizaji) dhe 72 komuna me 628 fshatra;
10. Qarku i Prizrenit – kishte 8 rrethe dhe këto rrethe ishin:
I. Rrethi i Prizrenit, i ndarë në 20 komuna me 67 fshatra;
II. Rrethi i Gjakovës, i ndarë në 16 komuna me 59 fshatra;
III. Rrethi i Gorës (Vranisht), i ndarë në 19 komuna me 54 fshatra;
IV. Rrethi i Drinit/Krasniqes (Vaspas), i ndarë në 13 komuna me 57 fshatra;
V. Rrethi Metohisë (Istok), i ndarë në 11 komuna me 73 fshatra;
VI. Rrethi i Podrimes (Rahovec), i ndarë në 13 komuna me 83 fshatra;
VII. Rrethi i Lumës (Bicaj), i ndarë në 15 komuna me 32 fshatra dhe
VIII. Rrethi i Podgorës (Suharekë), i ndarë në 10 komuna me 38 fshatra.

– Ushtria pushtuese serbe në Prizren –

* * *
Sipas një vendimi të Komandës së armatës së III’të serbe, më 12 nëntor 1912 edhe vet qyteti i Prizrenit u nda në disa qendra – lagje,
si:
1. Kuarti i mahallës së Terzinjve me lagjet: Myderrizi, Hoqa, Haxhi Kasemi, Sozi, Begzade dhe Ilaz Kuka;
2. Kuarti Arad me lagjet: Ajdi Begu, Varoshi, Sinan Pasha dhe Mahmut Pasha;
3. Kuarti Sveti Petki me lagjet: Buda Hoqa, Ahmet Begu, Çoraga (Liman Çogaxhi), Mahmuti, Haxhi Ramadani, Atiku (Xhuma Xhami) dhe Xhediti;
4. Kuarti Levishke me lagjet: Saraqhane, Katibi, Sinani, Dragodani, Kurilla, Mehmed Pasha dhe Muhaxhiri. 1
Kryeshef i qarkut të Prizrenit fillimisht u caktua Sreten V. Kojiqi, të cilin më vonë do ta zavendësojnë Gjorgje Matiqi dhe Kataniqi, që të tre antishqiptarë të dëshmuar.
I
Dihet mirëfilli se gjatë luftës së parë Botërore (1915-1918), Kosova dhe viset tjera shqiptare u pushtuan nga forcat e bllokut Qëndror: Bullgaria dhe Austro-Hungaria, ndërsa ushtria serbe (pas kapitullimit në nëntor 1915), nga brigjet shqiptare, u largua me ndihmën e Francës dhe të Rusisë për në Greqi. Ndonëse forcat e bllokut të Antantës: Francës, Anglisë, Italisë…, ku bënin pjesë edhe divizionet e ushtrisë serbe, ishin përqëndruar në Selanik, më 15 shtator 1918 ato hapën Frontin e ashtuquajtur të Selanikut, kundër ushtrisë bullgare dhe asaj austro-hungareze. Aleanca ushtarake e Antantës gjatë marshimit në drejtim të veriut, mposhti ushtrinë bullgare, duke e detyruar të kapitulloi më 29 shtator 1918. Në këto operacione pushtuese, njësitë ushtarake franceze ishin të parat, që në fillim të tetorit 1918 u futën në Kosovë dhe përgatitën terenin për rikthimin e ushtrisë serbe në tokat shqiptare. Qeveria serbe kishte për qëllim, që krahas depërtimit të ushtrisë franceze, të organizonte edhe pushtetin e përkohshëm serbë nëpër qendrat më të mëdha të Kosovës e më gjerë. 2 Dhe këtë e bëri me lehtësi falë ndihmës së ushtrisë franceze.
Ndërkohë, sipas marrëveshjes me aleatët e vet, ushtria serbe dislokoi trupat e saj në tërë teritorin e ripushtuar. Më 01. XI. 1918 komanda e Armatës së III’të serbe me seli në Shkup, me një vendim të veçantë, territoret shqiptare i ndau në tri zona ushtarake:
1. në zonën e Manastirit,
2. të Vardarit dhe
3. në atë të Kosovës.
Ndërkaq zona e Kosovës, me qendër në Prishtinë, ndahet në tri qarqe – (zona) ushtarake:
1. Qarku i regjimentit të Prizrenit, me shtab në këtë qytet dhe përfshinte këto rrethe: rrethin e Gorës, Sharrit, Gjakovës, Podrimës, Podgorës, Lumës dhe të Hasit.
2. Qarku i Regjimentit të Prishtinës, me shtab në Prishtinë dhe përfshinte rrethet administrative: të Llapit me një pjesë të Graçanicës, rrethit të Gjilanit dhe atë të Nerodimes me qendër në Ferizaj.
3. Qarku i Regjimentit të Novi Pazarit (Pazarit të Ri), përfshinte rrethet administrative: të Sjenicës, Dezhevës, Novi Pazarit (Pazarit të Ri), Shtavicës, Tutinit, Mitrovicës, Vuçiterrnës, Drencës-Llaushë, Istokut, Rozhajës dhe të Pejës. 3
Kjo ndarje mbetet në fuqi deri në vitin 1920, kur Mbretëria Serbe – Kroate – Sllovene (SKS) do të ndahet në krahina.
* * *
Pas dislokimit të plotë të trupave ushtarke serbe në trevat e ripushtuara shqiptare, komanda supreme serbe me ndihmën e Ministrisë së Punëve të Brendshme, fillon konstituimin e pushtetit ushtarako-policor në çdo vendbanim. Fillimisht trevat shqiptare ndahen në qarqe, rrethe dhe komuna të vogla, përafërsisht sipas ndarjes që ishte bërë në vitin 1913. Kosova me këtë rast ndahet në tri qarqe, si në:
1. Qarkun e Kosovës me katër rrethe;
2. Qarkun e Zveçanit me tri rrethe dhe në
3. Qarkun e Prizrenit me gjashtë rrethe.
Pushtuesit serb, ndërtimin e pushtetit në qarqe dhe njësi më të vogla administrative e arsyetonin, me: konfiguracionin e vështirë malor të terenit, me gjerësinë e teritorit, me mungesën e lidhjeve të komunikacionit, me mosnënshtrimin e popullsisë shqiptare etj. Për të vënë nën kontrollë të plotë gjithë hapësirën shqiptare, Qeveria serbe në krye të qarqeve emroi oficerë më aktivë dhe më energjik, në luftimin e rezistencës shqiptare.
II
Për të argumentuar ndarjen administrative dhe vënjen e pushtetit ushtarak serb në Kosovë, shembulli më ilustrativ është qarku i Prizrenit. Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, ndonëse forcat franceze të dislokuara në Prizren u larguan për në jug të Shqipërisë (Gjirokastër, Korçë etj), komanda e përgjithshme e ushtrisë serbe më 1 nëntor 1918, urdhëroi Batalionin e II të Regjimentit të parë të saj, që të dislokohet në Prizren.
Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë meqë kishte caktuar Gjorgje Matiqin për ndërtimin e pushtetit policor në Kosovë, ky antishqiptar i njohur që nga viti 1913, për kryeshef në Qarkun e Prizrenit emroi Petar Kostiqin ish-drejtor i gjimnazit, i cili më vonë do të zavendësohet nga D. O Dorontiqi. Ndërkaq gjithë kryetarët dhe shefat e policisë së rretheve i emroi serb, si:
1. Për rrethin e Sharrit, kryetar emruan Cvetko Bllagojeviqin (tregtar nga Prizreni), shef të policisë Toma Jovanoviqin;
2. Për rrethin e Podrimes, kryetar Predrag Gjurgjeviqin (mësues), shef të policisë, Risto Kuzmanoviqin;
3. Për rrethin e Podgorës, kryetar Ranko Trifunoviqin, shef të policisë, Milorad Protiqin;
4. Për rrethin e Gorës, kryetar Spaso Lekiqin (ish-gjykatës), shef të policisë, Branisllav Popoviqin;
5. Ndërkaq për vendosjen e pushtetit në rrethin e Lumës dhe të Hasit ishin angazhuar Shani Llausha dhe Sadik Efendiu (ish-naçallnikë të këtyre rretheve gjatë viteve 1914-1915) por megjithatë shef në rrethin e Lumës ndërkohë do të emrohet Stojan Dajiqi, kurse për shefa të policisë në rrethin e Lumës u emruan, Milorad Petroviqi, ndërsa për rrethin e Hasit: Mihajllo Koviq (ish-oficer në Divizionin e Vardarit). 4
Sipas vendimit të MPB-s serbe, datë 10 nëntor 1918, më 13 nëntor, shefi i Qarkut të Prizrenit P.Kostiq do ta konstituoi edhe administratën e pushtetit civil në Prizren.
Dhe, për kryetar emron Rista Skakaleviqin, ndërsa për anëtarë:
1. Cvetko Bllagojeviqin – tregtar;
2. Ratko Zhoriqin – tregtar;
3. Risto Gjunkoviqin (kryeplak);
4. Jovan Gjorgjeviqin;
5. Shaqir Çavdërbashën;
6. Ramiz Korën – rentier;
7. Petar Kostiqin – sekretar i mitropolisë në pension;
8. Musa Shehzaden – rentier;
9. Vasilje Desiqin – kryetar i gjyqit të shkallës së parë në Prizren;
10. Trifun Dimitrijeviqin – profesor në pension; dhe
11. disa tregtarë e zejtarë. 5

– Prizreni në vitin 1920 –

* * *
Në Qarkun e Prizrenit, menjëherë pas ndarjes administrativo – territoriale dhe vendosjes së pushtetit qëndror, autoritetet serbe bëjnë regjistrimin e popullsisë. Sipas një dokumenti, që deri më sot ka qenë pakë i njohur në histori, regjistrimi i popullsisë në Qarkun e Prizrenit, për herë të parë është bërë në fillim të shkurtit 1919. Në këtë dokument, që mbanë numrin K.P.br.742 dhe datën, 2 shkurt 1919, të nënshkruar nga naçallniku i Qarkut të Prizrenit M.O.Dorontiqi, evidentohet regjistrimi i popullsisë sipas rretheve, komunave dhe fshatrave, me të dhënat: numrin e banorëve, të shtëpive, të familjeve dhe përkatësinë e tyre fetare. Origjinali i këtij dokumenti ruhet në arkivin e fondit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë në Beograd-nr. 65, fasc. 28. dok. 189.
Edhe ky dokument, dëshmon se Qarku i Prizrenit ishte i ndarë në gjashtë rrethe, si në:
1. Rrethin e Sharrit – me seli në Prizren;
2. Rrethin e Podgorës – me seli në Suharekë;
3. Rrethin e Podrimës – me seli në Rahovec;
4. Rrethin e Gorës – me seli në Vranishtë;
5. Rrethin e Lumes – me seli në Bicaj dhe
6. Rrethin e Hasit – me seli në Krumë.
III
Struktura e përgjithshme, e regjistrimit të popullsisë në Qarkun e Prizrenit, sipas këtij dokumenti dukej kështu:
A) RRETHI I SHARRIT – ka pasur gjithsej 16 komuna si: komunën e Sredskës, Gornje Sellos, Verbiçanës, Lubinjës, Lokvicës, Lybeçevës, Hoqës së Qytetit, Zhurit, Vermicës, Vlashnjës, Manastiricës, Serbicës së Epërme, Korishës, Lubizhdës, Sevcit dhe Novakës.
1. Komuna e Sredskës, përfshinte fshatin Sredskë me 144 familje ortodokse (Serbe) (1031 banorë) dhe fshatin Pllanjan 6 me 45 familje ortodokse (275 banorë) dhe 57 familje myslimane (345 banorë) .
2. Komuna e Gornjesellos, përfshinte fshatrat: Gornjeselle dhe Mushnikovë. Gornjesella kishte 97 familje ortodokse (478 banorë) dhe 19 myslimane (78 banorë). Fshati Mushnikovë kishte 73 familje ortodokse (420 banorë) dhe 37 myslimane (203 banorë). 7
3. Komuna e Verbiçanës, përfshinte fshatrat: Verbiçanë, Novoselle dhe Gernçar. Fshati Verbiçan kishte 32 familje ortodokse (100%) me 176 banorë; Novosella 39 familje myslimane me 226 banorë. Të dhënat e fshatit Gernçar mungojnë! (8)
4. Komuna e Lubinjës, përfshinte fshatrat: Lubinja e Poshtme, (9) Lubinja e Epërme dhe Drajçiqi. Lubinja e Poshtme kishte 89 familje me 562 banorë, të gjithë myslimanë; Lubinja e Epërme 83 familje me 470 banorë, poashtu të gjithë myslimanë dhe Drajçiqi 44 familje ortodokse me 334 banorë dhe 7 familje myslimane me 40 banorë.
5. Komuna e Lokvicës, përfshinte: Llokvicën, Zhivinjanin, Jabllanicën dhe Reçanin. Llokvica kishte 49 familje ortodokse me 290 banorë dhe 31 familje myslimane me 145 banorë; Zhivinjani kishte 11 familje myslimane me 70 banorë; Jabllanica 97 familje myslimane me 712 banorë; Reçani 50 familje myslimane me 381 banorë. (10)
6. Komuna e Lybeçevës, (11) përfshinte fshatrat: Lybeçevë, Leskovec, Lez dhe Kushnin, me populllatë etnikisht shqiptare. Lybeçeva kishte 113 familje me 637 banorë; Leskoveci 68 familje me 419 banorë; Lezi 17 familje me 124 banorë dhe Kushnini gjithashtu kishte 17 familje me 112 banorë.
7. Komuna e Hoqës së Qytetit, (12) përfshinte fshatrat: Hoqë e Qytetit, Billushë, Jeshkovë dhe Poslisht, të banuar me 100% shqiptarë. Hoqa e Qytetit kishte 86 familje (shtëpi) me 565 banorë; Billusha kishte 104 familje (shtëpi) me 574 banorë; Jeshkova 22 familje me 143 banorë dhe Poslishti kishte 11 familje me 85 banorë.
8. Komuna e Zhurit (13) përfshinte vetëm fshatin Zhur, i cili sipas këtij regjistrimi kishte 251 familje (shtëpi) shqiptare me 1304 banorë.
9. Komuna e Vërmicës, (14) përfshinte fshatrat: Vërmicë, Shkozë dhe Dobrusht, poashtu të banuar 100% me shqiptarë. Vërmica kishte 68 shtëpi me 350 banorë; Shkoza 25 shtëpi me 146 banorë dhe Dobrushti kishte 25 shtëpi me 69 banorë. (15)
10. Komuna e Vlashnjes, (16) përfshinte fshatrat: Vlashnje, Nashec, Atmaxhë dhe Grazhdanik. Vlashnja kishte 37 shtëpi shqiptare me 310 banorë; Nasheci kishte 3 shtëpi, 1 shtëpi ortodokse sebe me 12 anëtarë dhe 2 familje shqiptare me 13 anëtarë, Atmaxha kishte 28 familje shqiptare me 155 anëtarë dhe Grazhdaniku kishte 18 shtëpi (familje) katolike shqiptare me180 anëtarë.
11. Komuna e Manastiricës, përfshinte fshatrat: Manastiricë, Struzhe dhe Nerbegosht. Manastirica kishte 48 familje me 330 banorë myslimanë; Struzhja 60 familje shqiptare me 319 banorë dhe Nerbegoshti kishte 75 familje me 444 banorë myslimanë. (17)
12. Komuna e Sërbicës së Epërme, përfshinte: Sërbicën e Epërme, Sërbicën e Poshtme, Piranën dhe Trepetincën. Serbica e Epërme kishte 74 familje, prej tyre 7 familje ishin serbe me 42 banorë, 2 familje katolike shqiptare me 18 anëtarë dhe 5 familje myslimane me 58 anëtarë; Sërbica e Poshtme kishte 21 familje, prej tyre 5 familje serbe me 20 anëtarë dhe 16 familje myslimane me 88 anëtarë; Pirana kishte 62 shtëpi, prej tyre 1 familje katolike shqiptare me 5 anëtarë dhe 61 familje të tjera gjithashtu shqiptare (të konfesionit myslimanë) me 138 banorë, ndërsa Trepetinca kishte 7 familje katolike shqiptare me 61 banorë.
13. Komuna e Korishës, përfshinte fshatrat: Korishë, Lutogllavë dhe Kabash. Korisha kishte 58 familje me 497 banorë. Prej tyre 2 familje ishin ortodokse (serbe) me 14 anëtarë, 1 familje katolike shqiptare me 3 anëtarë dhe 55 familje tjera shqiptare me 480 anëtarë; Lutogllava kishte 10 familje me 92 banorë. Prej tyre ishin: 3 familje ortodokse (serbe) me 45 anëtarë, 5 familje katolike shqiptare me 39 anëtarë dhe 2 familje shqiptare me fe myslimane, me 8 anetarë dhe Kabashi kishte 64 familje shqiptare (me fe myslimane) me 508 banorë.
14. Komuna e Lubizhdës, përfshinte fshatrat: Lubizhdë, Dojnicë, dhe Skorrobisht. Lubizhda kishte 48 shtëpi-familje, prej tyre 29 familje ortodokse (serbe) me 262 anëtarë dhe 19 familje shqiptare të fes myslimane me 195 anëtarë. Fshati Dojnicë kishte 19 familje ortodokse (serbe) me 169 banorë, kurse fshati Skorrobisht kishte 93 familje myslimane me 552 anëtarë.
15. Komuna e Sevcit, përfshinte fshatrat: Jazhnicë dhe Sevc. Jazhnica kishte 80 familje ortodokse (s) me 440 banorë, kurse Sevci 130 familje ortodokse (s) me 976 banorë.
16 Komuna e Novakës, përfshinte fshatrat: Novakë, Gilancë, Caparc, Smaq, Velezhë dhe Shpenadi. Novaka kishte 31 familje, ku prej tyre 27 ishin ortodokse (s) me 130 anëtarë dhe 4 katolike shqiptare me 25 anëtarë; Gilanca kishte 22 familje, prej tyre 20 ishin katolike shqiptare me 111 banorë dhe 2 familje ortodokse (s) me 12 anëtarë; Caparci kishte 19 familje shqiptare, 10 familje të fes myslimane me 55 anëtarë dhe 9 katolike me 49 anëtarë. Smaqi kishte 21 familje, prej tyre 12 familje shqiptare – katolike me 85 anëtarë dhe 9 familje ortodokse (s) me 89 anëtarë; Velezha kishte 17 familje shqiptare me 128 banorë, dhe prej tyre 13 familje ishin katolike me 91 anëtarë dhe 4 familje të fes myslimane me 37 anëtarë dhe Shpenadia kishte 16 familje shqiptare, 12 katolike me 108 anëtarë dhe 4 të fes myslimane me 37 anëtarë.
Rrethi i Sharrit me 16 komunat e tij (sipas këtij regjistrimi) ka pasur gjithsejt 2894 shtëpi me 17. 874 banorë. (18)
Një rëndësi të veçantë për Qarkun e Prizrenit kishte vet qyteti i Prizrenit, i cili ishte komunë në vete. Prizreni deri në shkurt 1919 kishte gjithsej 1.810 familje (shtëpi) me 16.100 banorë. Prej tyre 1.500 (59, 28%) familje shqiptare (myslimanë) me 11. 475 (71, 27%) banorë; 150 (5, 92%) familje katolike shqiptare me 600 (3, 72%) banorë; 80 (31, 62%) familje ortodokse (serbe e gogë) me 3. 725 (23, 13%) banorë dhe 80 (3, 16%) familje rome me 300 (1, 86%) banorë. Numri i banorëve të Prizrenit në periudhën 1910 – 1920 ka ndryshuar në mënyrë drastike. Zvoglimi i popullsisë është bërë për shkak shpërnguljes me dhunë nga pushtuesit serbë. Derisa në vitin 1910 Prizreni kishte 30. 283 banorë, 3 vjet më vonë (1913) ky numër do të zvogëlohet në 18. 174, ndërsa në vitin 1919 do t´i ketë 16. 100 banorë, ndërkaq sipas regjistrimit të popullsisë në vitin 1921 Prizreni ka pasur vetëm 16. 414 banorë. (19)
IV
B) RRETHI I PODGORËS,
– me qendër në Suharekë kishte 10 komuna, e ato ishin: Komuna e Dvoranit, Duhlës, Leshanit, Movlanit, Mushtishtit, Semetishtit, Sallagrazhdës, Sopisë, Studençanit dhe e Suharekës. Ky rreth kishte 38 fshatra.
1. Komuna e Dvoranit, përfshinte fshatrat: Vraniq, Dvoran, Maçitevë dhe Popvlan. Vraniqi kishte 59 shtëpi shqiptare me 522 banorë; Dvorani kishte 24 shtëpi ortodokse (S) me 262 banorë; Maçiteva 45 shtëpi shqiptare me 237 banorë dhe Popvlani kishte 13 shtëpi ortodokse me 166 banorë.
2. Komuna e Duhlës, përfshinte: Bllacën, Grejçevcin, Dragaqinën, Duhlën dhe Çadrakun. Bllaca kishte 107 shtëpi-familje shqiptare me 619 banorë; Grejçevci 46 shtëpi shqiptare me 336 banorë; Dragaqina 8 shtëpi shqiptare me 59 banorë; Duhla kishte 41 shtëpi, prej tyre 36 shqiptare me 273 (89, 81%) banorë dhe 6 shtëpi ortodokse (s) me 31 (10, 19%) banorë dhe Çadraku kishte 20 shtëpi shqiptare me 179 banorë.
3. Komuna e Leshanit, përfshinte: Leshanin, Nepërbishtin dhe Tërnen. Leshani kishte 64 shtëpi me 417 banorë. Prej tyre 50 shtëpi ishin shqiptare me 287 (68, 82%) banorë dhe 14 të tjera serbe me 130 (31, 17%) banorë; Nëperbishti kishte 20 shtëpi shqiptare me 195 banorë, ndërsa Tërna 19 shtëpi shqiptare 184 banorë.
4. Komuna e Movlanit, përfshinte fshatrat: Budakovë me lagjen Buzhalë, Vërshevcin, Krushicën, Movlanin, Papazin dhe Staraviqinën. Budakova me Buzhalë kishte 89 shtëpi shqiptare me 633 banorë; Vërshevci 9 shtëpi shqiptare me 71 banorë; Krushica 30 shtëpi shqiptare me 174 banorë; Movlani 28 shtëpi me 207 banorë. Prej tyre 16 shtëpi serbe, me 108 (52,17%) banorë dhe 12 shtëpi shqiptare me 99 (47,82%) banorë; Papazi kishte 11 shtëpi shqiptare me 67 banorë dhe Staraviqina kishte 9 shtëpi shqiptare me 52 banorë.
5. Komuna e Mushtishtit, përfshinte Dellovcin dhe Mushtishtin. Dellovci kishte 46 shtëpi-familje me 386 banorë. Prej tyre 28 shtëpi ishin ortodokse (s) me 208 (54, 88%) banorë dhe 18 shtëpi shqiptare me 178 (46, 11%) banorë. Ndërkaq Mushtishti kishte 192 shtëpi me 1444 banorë, ku prej tyre 101 shtëpi ishin ortodokse (s.) me 710 (49, 16%) banorë dhe 91 shtëpi shqiptare me 734 (50, 83%) banorë.
6. Komuna e Semetishtit, përfshinte fshatrat: Kosterc, Kravoseri, Nishor me lagjen Breshancë, Semetishtin dhe Tumiqinën. Kosterci kishte 19 familje shqiptare me 110 banorë; Kravoseria 45 familje me 276 banorë; Nishori me Breshancë 85 shtëpi me 46 banorë; Semetishti 41 shtëpi me 358 banorë dhe Tumiqina kishte 35 shtëpi me 159 banorë.
7. Komuna e Sallagrazhdës, përfshinte fshatrat Grejkovc, Gjinovc dhe Sellograzhdë. Grejkovci kishte 59 shtëpi shqiptare me 531 banorë; Gjinovci 34 shtëpi me 353 banorë dhe vetë Sallagrazhda kishte 29 shtëpi me 294 banorë dhe prej tyre 11 shtëpi shqiptare të fes myslimane me 106 (36, 05%) banorë, 10 shtëpi katolike shqiptare me 96 (32, 65%) banorë dhe 8 shtëpi ortodokse (s) me 92 (31, 29%) banorë.
8. Komuna e Sopisë, përfshinte fshatrat: Bukosh, Savrovë me lagjen Dubravë dhe Sopinë. Bukoshi kishte 24 shtëpi shqiptare me 242 banorë; Savrova me Dubravën 28 shtëpi shqiptare me 226 banorë dhe Sopia kishte 65 shtëpi me 478 banorë, prej tyre 56 ishin shqiptare me 399 (86, 47%) banorë dhe 9 shtëpi ortodokse (s.) me 79 (16, 52%) banorë.
9. Komuna e Studençanit, përfshinte fshatrat: Dobërdelan, Rashtan dhe Studençan. Dobërdelani kishte 32 shtëpi shqiptare me 311 banorë; Reshtani 23 shtëpi shqiptare me 110 banorë dhe Studençani 114 shtëpi shqiptare me 800 banorë.
10. Komuna e Suharekës, përfshinte fshatrat: Peçan, Reçan, Sllapuzhan dhe Suharekën. Peçani kishte 90 shtëpi shqiptare me 648 banorë; Reçani 29 shtëpi me 244 banorë, ku prej tyre 23 ishin shqiptare me 198 (81, 14%) banorë dhe 6 ortodokse (s.) me 46 (18, 85%) banorë. Sllapuzhani kishte 29 shtëpi shqiptare me 203 banorë dhe Suhareka kishte 109 familje me 804 banorë. Prej tyre 94 familje shqiptare (m.) me 722 (89, 80%) banorë, 1 familje shqiptare katolike me 3 (0, 37%) banorë dhe 14 familje ortodokse (s.) me 79 (9, 82%) banorë. Komuna e Suharekës (sipas këtij regjistrimi) ka pasur 257 shtëpi me 1899 banorë, ndërsa përgjithësisht.
Rrethi i Podgorës kishte 1. 771 shtëpi me 14. 014 banorë. (21)

( VIJON… )

…………………………………………………………….

SHERADIN BERISHA: NDARJA ADMINISTRATIVE DHE REGJISTRIMI

I POPULLSISË NË QARKUN E PRIZRENIT NË VITIN 1919 (Pjesa e dytë)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=2187

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura