BJESHKA E GJALLICËS

BJESHKA E GJALLICËS

Nga Sheradin Berisha, Pashtriku 9 dhjetor 2022

Gjallica është mali më i lartë në rrethin e Kukësit me lartësi prej 2489 m mbi nivelin e detit. Ngrihet në lindje të qytetit të Kukësit, mes Malit të Koritnikut dhe atij të Kolesjanit. Lumi Lumë ka gërryer një kanion të thellë mes Malit të Koritnikut dhe Gjallicës, duke formuar Grykën e Vanave. Në jug, Gjallica ndahet nga Mali i Kolesjanit nga një përrua që ka formuar një kanion të thellë.

Pjesa kulmore formon një kreshtë të mprehtë, që bie pingul mbi Grykën e Vanave, kurse shpatet janë mjaft të pjerrëta duke formuar rrëpira të dukshme tektonike në gëlqerorët e pjesës së poshtme të tyre. Është i përbërë gati tërësisht prej shkëmbinjësh gëlqeror.

Sipas etimologjisë popullore vendase emri Gjallica lidhet me fjalët shqipe: gjallë, gjallesë, gjallërim, jetë etj.

Gjallica në gjysmën e I të shekullit XVII u quajt Mali i Galijes. Malësorët e Tropojës e përmendin me emrin Galica. Në Has e quajnë Galliçja, Goranët e quajnë Gallaiç dhe Gallaçec, ndërsa në fjalorin Enciklopedik Shqipëtar quhet Gjallica e Lumës.

Bimësia e Gjalicës është e rrallë. Në anën veri – perëndimore rriten: ahu (i cili është i përhapur në lartësinë mbi 1500 – 1800m mbi nivelin e detit) dhe pisha. Shpatet lindore kanë kullota të pasura alpine. Në malin e Gjalicës takohen disa prej bimëve endemike që gjenden në rrethin e Kukësit si: vjollca shqiptare, zambaku shqiptar (Lilium albanicum Griseb) i zbuluar nga biologu i shquar, Besnik Hallaçi, tashmë i ndjerë. Bimë barishtore qepore e familjes zambakore), lari (i vetmi halor që i rrëzon gjethet) hormoqi, hartina, bredhi i bardhe, plepi i egër etj.

Në zonën përreth Gjalicës shtrihen 12 fshatra që përfshihen në komunat:

1. Shtiqën – Shtiqni, Gjalica, Muje, Kodër-Luma, Krenza.

2. Bicaj – Canajt, Mustafajt, Osmanajt, Nanga, Tërshena.

3. Topojan – Brekija, Nimça.

4. Zapod – Lojmja.

5. Qyteti Kukës – Gostili.

Për Gjallicën bëhet një festë e madhe. Festa e Gjalicës përkujtohet në të gjithë fshatrat e Rrafshës së Lumës e më së shumti i dedikohet fshatit Shtiqën. Festohet të enjten më të afërt pararendëse apo pasuese, të datës 6 gusht të çdo viti, që në kalendarin tradicional popullor shënon mesin e verës.  Banorët e Shtiqnit e organizojnë të enjten e parë të gushtit. Këtë ditë, ata që do të bëjnë faljet për nder të majës së Gjalicës duhet të arrijnë atje pa lindur dielli.

Meqë Gjallica është e mbuluar kryesisht me pyje ahu dhe pishe, aktualisht janë shumë të dëmtuara nga një sërë faktorësh. Gjatë viteve të regjimit komunist, pyjet e Gjallicës u shfrytëzuan për lëndë drusore. Dëmin më të madh për pyjet që rriteshin në shpatin perëndimor të Gjallicës e shkaktoi Uzina e Bakrit në Rexhepaj, tymi i së cilës shkatërroi të gjithë bimësinë deri në lartësinë rreth 1000m mbi nivelin e detit.

Vala e dytë e shkatërrimit të pyjeve të Gjallicës ishin vitet 1990 e në vazhdim, ku banorët e zonës prenë pa kriter këto pyje, dhe zjarret e shumta dogjën pjesën më të madhe të tyre vitet e fundit. Tashmë vetëm 1/3 e pyjeve të mëparshëm gjenden në shpatet e Gjallicës. Megjithatë, Gjallica ka ende një faunë të pasur ku përfshihet ujku, dhelpra, derri i egër, baldosa, kaprolli, dhia e egër, ariu etj.

Pas mbylljes së Uzinës së Bakrit në vitin 1991, bimësia në zonën e shkretuar filloi të rritej, megjithëse me ritme shumë të ngadalta, për shkak të helmimit të tokës me metale të rënda.

———-

Burimet:

1. Gjalica Dodona e Dardanëve – Nazif Dokle, Shtypshkronja “GEER”;

2. Qarku i Kukësit – Nasip Meça dhe Maxhun Dida.

3. Mali i Gjalicës, Wikipedia,

4. Mali i Gjallicës,

5. Gjallica…

https://www.youtube.com/watch?v=KK7Su9a7HA0

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura