PROF.Asoc.DR.SABIT SYLA: QËNDRIMI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NDAJ DEMONSTRATAVE NË KOSOVË MË 1981 (I)

Prishtinë, 22 mars 2021:
Vështrim i shkurtër mbi zhvillimin e demonstratave në Kosovë
Demonstratat e vitit 1981 përbëjnë një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së popullit shqiptar. Pas vitit 1968 dhe miratimit të Kushtetutës federative të vitit 1974 shqiptarët e Kosovës u orientuan të ngrinin e të konsolidonin institucionet autonome politike, ekonomike e kulturore. Ndërkohë ndryshimet kushtetuese dhe proceset politike ishin të përkohshme. Me gjithë zhvillimet, statusi i Kosovës krahasuar me republikat e tjera të Jugosllavisë ishte përsëri i ulët, gjë që linte të pambyllur hendekun ndërmjet Kosovës dhe njësive të tjera federative. Shqetësimi dhe përpjekjet e shqiptarëve të Kosovës për prosperitet, dora dorës po fokusoheshin në një pikë si të pavarësoheshin nga Serbia e të arrinin statusin e Republikës.

Shqiptarët që kërkonin statusin e Republikës së Kosovës e punonin për realizimin e tij arrestoheshin e burgoseshin. Sipas burimeve të ndryshme arkivore shqiptare dhe jugosllave në vitet 1974-1981 ishin arrestuar për veprimtari nacionaliste më shumë së 600 shqiptarë. Pa kaluar as një vit nga Kushtetuta e vitit 1974, Kryesia e RS të Serbisë organizoi një komision për të kundërshtuar zgjidhjet kushtetuese të vitit 1974 lidhur me statusin e krahinave dhe raportin e tyre me Serbinë. Në Federatën jugosllave Kosova mbeti rajoni më i prapambetur në të gjithë treguesit ekonomik. Në vitin 1979 kapaciteti prodhues për banorë në Kosovë ishte 7,2 herë nën nivelin federativ dhe 16 herë nën atë të Sllovenisë.
Në vitin 1980 të ardhurat kombëtare për banor në Kosovë përbënin 28,1% të mesatares jugosllave. Politika ekonomike e udhëheqjes jugosllave ishte e ndryshme me praktikën që ndiqej në njësitë e tjera federative. Ajo mbeti në thelb një politikë kolonialiste. Në anën tjetër, aspirata e shqiptarëve të Kosovës për jetë të pavarur bëhej gjithnjë e më imponuese. Pakënaqësia ndaj pushtetit nacionalist serb përfshiu të gjitha shtresat e popullsisë së Kosovës. Vëlimet politike në Kosovë ishin shfaqur herë pas here.
Demonstratat e vitit 1981 që shpërthyen në pranverë të vitit 1981 ishin rrjedhojë e këtij procesi. Fillimisht shpërthyen si protesta sociale, në mbrëmjen e 11 marsit në qendrën e studentëve në Prishtinë. Vala e parë e protestave u spraps e pakënaqësia ndër studentët rritej çdo ditë. Më 26 mars studentët nga qendra studentore u derdhën në rrugët e Prishtinës. Me ta u bashkuan edhe nxënësit e shkollave të mesme, punëtor madje edhe fshatar.
Parullat e datës 11 mars kishin qene:
– “Duam bukë, duam kushte”, e më 26 mars e 1 prill parullat evoluan në:
– “Poshtë borgjezia”,
– “Rroftë klasa punëtore”,
– “Rroftë vëllazërimi i popullit shqiptar”,
– “Bashkim i të gjitha viseve shqiptare”,
– “Jemi shqiptarë e jo jugosllavë”,
– “Mjaftë me shfrytëzimin e Trepçës”,
– “Trepça punon, Beogradi ndërton”.
Në këtë larmi kërkesash qëndronte një themel – Kosova Republikë.

Numri i demonstruesve arriti në mijëra veta, pasi në datat 1-2 prill demonstrata shpërthyen edhe në qendra tjera të Kosovës. Ndërkohë, studentët vazhduan të manifestonin në rrugët e Prishtines, ndaj tyre u përdorën armët e zjarrit. Pati të vrarë e të plagosur dhe shumë demonstrues u burgosën.
Komiteti Krahinor i Kosovës demonstratat e 11 marsit i vlerësoi si revolta me karakter social, ndërsa më vonë si në Kosovë dhe në Federatë këto demonstrata u quajtën si “irredentiste” e “kundërrevolucionare”. Nga federata sinjali ishte i qartë duhej të fillonte procesi i diferencimit politik. Universiteti i Prishtinës u etiketua si kështjellë e nacionizmit shqiptar. Diferencimi politik ishte i egër, mbi 300 intelektualë të shquar u izoluan. Demonstratat e mars-prillit 1981 u mbytën me dhunë dhe patën kosto shumë të lartë. Përdorimi i tankeve i armëve të zjarrit kundër demonstruesve që kërkuan Republikën e Kosovës zbuluan para botës se fasada demokratike e Jugosllavisë ishte e rreme.
Demonstratat e vitit 1981, jo vetëm që e tronditën pushtetin jugosllavë, por nuk i lanë indiferent, as shtetet e vendeve të Evropës perëndimore, lindore, shtetet skandinave, aziatike, afrikane e SHBA-të. Ndikimi, roli dhe përmasat e pranverës së vitit 1981 në Kosovë, në aspektin ndërkombëtar të ballafaqojnë më shumë se me një demonstratë, me një vend (siç është Kosova), me shumë se me një shtet siç qe Jugosllavia, më shumë se me një kontinent. Sepse, ngjarjet reflektuan në formë zingjirore. Të tilla ishin rrethanat politike, ekonomike, diplomatike, historike dhe gjeopolitike të asaj kohe në Ballkan dhe Evropë. Jo vetëm shtetet e Evropës Perëndimore, lindore, skandinave, etj., por edhe dy superfuqitë e kohës: SHBA dhe BRSS, nuk kanë qëndruar indiferent sa i përket ngjarjeve të vitit 1981.
Shtetet e ndryshme evropiane dhe botërore, me qëndrime herë të njëjta e të përafërta, herë të ndryshme, madje edhe kontradiktore shfaqën varësisht kontekstit dhe rrethanave ekonomike, politike, ideologjike, strategjike e varësisht prej pozicionimeve dhe interesave të ndryshme. Qëndrimet ishin të ndryshme te “bllokut perëndimor”, nga ato të bllokut lindor. Kjo për shkaqe ideologjike, strategjike, ekonomike dhe të sferave të ndryshme të interesit. Ndryshojnë edhe për shkaqe të dallimeve konceptuale për shtetin, për rregullimin shtetëror, për konceptet politike, ekonomike etj.
Mbi këtë bazë edhe kontradiktat mes Lindjes e Perëndimit, mes SHBA dhe BS dalin aq shpejt dhe aq rrufeshëm në sipërfaqe për ngjarjet e zhvilluara në Kosovë. Të ndryshme ishin qëndrimet e shteteve të Perëndimit nga ato të Lindjes, të shteteve Skandinave nga ato të vendeve aziatiko-afrikane e qëndrimet e SHBA me ato të BS.
***
Në veçanti, Demonstratat e Marsit dhe Prillit të vitit 1981, patën jehonë sidomos në Republikën Popullore të Shqipërisë, e cila jo vetëm që vlerësoi kërkesat e demonstruesve, por dënoi pa mëdyshje dhe me vendosmëri qëndrimin e autoriteteve jugosllave ndaj tyre. Kjo, u prit me zemërim në qarqet jugosllave, e cila akuzoi Shqipërinë se qëndronte prapa demonstratave në Kosovë, që jetonin nën pushtimin e RSFJ-së. Në Jugosllavi edhe mendohej se Shqipëria do të heshte, duke pasur në konsideratë rrethanat konkrete të zhvillimit të atyre ngjarjeve, që kishin të bënin me vendin dhe rolin e Jugosllavisë në marrëdhëniet me Shqipërinë, mbetjen e saj pa aleat të madh pas prishjes së marrëdhënieve me Kinën etj. Megjithatë, ngjarjet rrodhën ndryshe. Byroja Politike e Komitetit Qendror dhe Qeveria e Republikës së Shqipërisë mbajtën qëndrim shumë kritikë ndaj Jugosllavisë dhe në veçanti ndaj politikës serbe.
Qendrimi i Shtetit shqiptar
Shqipëria ndoqi me vëmendje të veçantë demonstratat e zhvilluara në Kosovë me 1981, duke ushtruar rolin e saj kombëtar dhe ndërkombëtar. Çështja e Kosovës u shtrua në organet udhëheqëse shtetërore dhe u morën një sërë masash për ndjekjen dhe pasqyrimin e ngjarjeve të zhvilluara. Pas Demonstratës së 11 marsit të Studentëve të Universitetit të Prishtinës, Tirana i kërkoi Ambasadës së saj në Beograd që të informonte se çfarë kishte ndodhur në Prishtinë.
Më 16 mars, u njoftuan përfaqësitë diplomatike për demonstratën dhe u udhëzuan që të jenë të kujdesshëm të mos prononcohen dhe të mos merrnin në mbrojtje asnjë grup.
Më 17 mars u diskutua çështja në Ministrinë e Jashtme, duke analizuar edhe mjaft dukuri të mëparshme, sidomos ato gjatë shkurtit dhe fillimit të marsit (greva e 8 shkurtit e 40 punëtoreve në Obiliq, parullat “Rroftë PPSH”, të shkruara në korridoret e konvikteve të vajzave në Universitetin e Prishtinës), etj [1].
Me 21 dhe 23 mars në gazetën “Bashkimi” [2], u shkruan dy artikuj, si: “Luftë e armatosur heroike e ushtrisë së lidhjes shqiptare të Prizrenit”[3], dhe “Forca e patriotizmit shqiptar” [4]. Po më 23 mars u informuan të gjitha përfaqësitë diplomatike për përmbajtjen e këtyre dy artikujve. Po ashtu më 23 mars u udhëzua Ambasada në Beograd që të analizojë të gjitha të dhënat për ngjarjet e 11-12 marsit në Universitetin e Prishtinës dhe të dërgojë një material me mendimet e saj.
Më 28 mars u informuan përfaqësitë diplomatike për demonstratat e 25 marsit, duke i porositur për kujdes, sipas udhëzimit të mëparshëm dhe duke kërkuar prej tyre që të informonin menjëherë dhe për çdo gjë që lidhej me ato ngjarje.
Më 31 mars u bë përsëri një analizë tjetër bazuar në të dhënat që kishin deri atëherë edhe për demonstratat e 25 marsit në Prizren dhe 26 marsit në Prishtinë dhe në mjaft komuna të tjera, duke bërë edhe krahasimin me demonstratat e vitit 1968 dhe midis qëndrimeve jugosllave të asaj kohe me ato të 1981-shit [5].
Me 4 prill, ambasadori shqiptar në Beograd, Sokrat Plaka, u udhëzua nga Ministria e Punëve të Jashtme, për qëndrimin që duhej të mbante lidhur me zhvillimin e ngjarjeve në Kosovë. Sipas udhëzimit, ambasadori shqiptar duhej të kërkonte menjëherë takim me zëvendëssekretarin federativ të Punëve të Jashtme e ndër të tjera t’i theksonte: “Konstatoj se marrëdhëniet midis dy vendeve tona zhvillohen normalisht në frymën e politikës së fqinjësisë së mirë… Shqipëria nuk ka ndërhyrë e nuk ndërhynë në punët e brendshme të Jugosllavisë… Nga organet e ndryshme të shtypit unë kam mësuar për ngjarjet në Kosovë, si për demonstratat ashtu edhe për masat e marra… Ju e kini të qartë qëndrimin tonë, Shqipëria as ka ndërhyrë as ka pasur dhe as ka asnjë lidhje me ngjarjet që po ndodhin në Kosovë… Ne nuk ndërhyjmë në punët tuaja, por unë mendoj se do të ishte edhe në të mirën e Kosovës dhe të Jugosllavisë Federative që të mos ndiqet rruga e goditjeve dhe e masave represive… kërkesat e drejta, që rrjedhin nga kushtetuta e RFS të Jugosllavisë, e që janë të ligjshme t’u njihen shqiptarëve që jetojnë në Jugosllavi” [6].
Po ashtu më 4 prill u udhëzuan diplomatët shqiptarë që të mos mbyllnin gojën për Kosovën, por të flasin edhe ata për sa kanë mësuar nga shtypi, të theksojnë se Shqipëria nuk ka gisht në ngjarje dhe të përgënjeshtrojnë pohimet e njërit apo tjetrit për këtë, të vlerësojnë se ngjarjet në Kosove janë rezultat i gjendjes së keqe dhe i mohimit të drejtave që jep kushtetuta, duke kërkuar që ata t’i zgjidhin kërkesat e kosovarëve, sipas kushtetutës dhe të mos krijojnë vështirësi, etj[7].
Më 5 prill, u thirr mbledhja e Byrosë Politike u diskutua mbi ngjarjet e ditëve të fundit në Kosovë dhe masat që duheshin ndërmarrë. Në Byro për këtë çështje të gjithë qenë dakord për të shkruar një artikull në gazetën “Zëri i Popullit”, për të dënuar dhunën serbo-jugosllave ndaj studentëve dhe popullit të Kosovës[8]. Artikulli në fjalë u botua më 8 prill titulluar: “Pse u përdor dhuna policore dhe tanket kundër shqiptarëve në Kosovë?” [9]. Ndërkohë, më 23 prill u shkrua edhe artikulli, “Kush e nxit armiqësinë midis popujve të Jugosllavisë?” [10] Me radiograme dhe me shkresën qarkore “Udhëzime lidhur me ngjarjet e fundit në Kosovë dhe detyrat e ambasadave”, të datës 14 prill 1981, u udhëzuan ambasadat për mënyrën se si duhet të punojnë për të qenë në gjendje të argumentojnë qëndrimet e shtetit shqiptar ndaj çështjes së Kosovës për të siguruar të dhëna sa më të gjëra e të sakta për ngjarjet, për të organizuar më mirë punën me shqiptarët në vendet ku janë, për të njohur më në thellësi emigracionin shqiptar nga Kosova e viset tjera dhe për ta vënë punën e përfaqësive në këtë drejtim mbi baza më të organizuara, etj [11].
Më 13 maj 1981, u mblodh Byroja Politike. Në mbledhje u dakordua për një artikull të tretë në vijim të dy artikujve të mëparshëm botuar në “Zërin e Popullit”, më 8 dhe 23 prill [12]. Artikull i cili u botua më 17 maj, titulluar: “Kërkesa për t’i njohur Kosovës statusin e republikës është e drejtë” [13].
Në gazetën “Zëri i Popullit” [14], përveç tre artikujve te lartpërmendur gjatë muajit maj dhe qershor vërshuan edhe një sërë artikujsh tjerë kushtuar demonstratave dhe në përgjithësi çështjes së Kosovës si:
– “Zëri i shkencës dhe era e shovinizmit” [15],
– “Shtypi botëror rreth ngjarjeve në Kosovë”[16],
– “Ngjarjet e Kosovës dhe bashkëpunimi i fshehtë sovjeto-serbomadh”[17],
– “Një dëshmitar i paanshëm tregon për demonstratat në Prishtinë” [18],
– “Demokraci nën mitraloza”[19],
– “Kush është kundër bashkëpunimit kulturor midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë” [20],
– “Piemonti i mirëfilltë, “Piemonti” jugosllav dhe “Piemonti shqiptaromadh”[21],
– “Jugosllavia titiste, e sëmura e Ballkanit, nxit armiqësinë shqiptaro-greke” [22],
– “E vërteta mbi marrëdhëniet ekonomike – tregtare midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë” [23],
– “Demaskohen gënjeshtrat e fabrikuara në Beograd”[24], etj.

Në njoftimin e parë që dha Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATSH), filloi publiciteti i qëndrimit të Shqipërisë dhe mori proporcione gjithnjë e më të gjëra mbas botimit të artikujve të “Zërit të Popullit”, të 8 dhe 23 prillit e 17 majit 1981. Në artikujt e lartpërmendur theksohej se, Qeveria e Shqipërisë në mënyrë miqësore dhe në kuadrin e politikës së marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë ka kërkuar nga Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë që të ndalohen terrori, vrasjet, masakrat, torturat dhe burgimet në masë të kosovarëve nga ana e policisë serbe. Po ashtu i bëhej thirrje jugosllavëve që të ulnin gjakrat, të ruanin gjakftohtësinë e të mos armiqësoheshin me shqiptarë. Në këta tre artikujt bazë të “Zërit te Popullit”, ashtu edhe në artikujt e tjerë, Tirana zyrtare i dha një përkrahje të fuqishme popullit shqiptar të Kosovës për të drejtat e tij. E vetmja rrugëzgjidhje e drejtë për problemin e Kosovës konsiderohej ajo që thuhej në artikujt e “Zërit të Popullit”: T’i jepet fund dhunës e shtypjes policore serbe; të hiqet shtetrrethimi e të tërhiqen nga Kosova forcat policore e ushtarake; t’u kthehen të vrarët familjeve të tyre dhe të lirohen të burgosurit; të shqyrtohen me gjakftohtësi kërkesat e popullit të Kosovës e të zgjidhen drejtë ato; t’i njihet Kosovës statusi i republikës me të gjitha atributet që njeh kushtetuta jugosllave edhe për republikat e tjera, etj. Edhe Enver Hoxha në Ditarin e tij më 9 maj 1981 shkruante: “Krahina Autonome e Kosovës duhej të bëhej republikë, ajo duhej të shkëputej nga tutela e Republikës Socialiste të Serbisë” [25].

Byroja Politike …

Udhëheqja komuniste e Shqipërisë analizonte edhe shkaqet kryesore të shpërthimit të demonstratave. Ajo e vinte theksin te:
– a) Prapambetja e madhe ekonomike e Kosovës dhe shfrytëzimi i saj nga republikat e zhvilluara, sidomos nga Serbia…
– b) te keqësimi i vazhdueshëm i jetesës së masave të gjera, sidomos në vitet e fundit, te ngritja e shfrenuar e çmimeve dhe inflacioni gjithnjë e në rritje, etj. Në këtë kuadër, vihej në dukje edhe pozita materiale mjaft e vështirë e studentëve të Universitetit të Prishtinës në krahasim me studentët e universiteteve të tjera të Jugosllavisë.
c) Shtypja nacionale e popullsisë shqiptare në Jugosllavi si pasojë e politikës shoviniste serbomadhe, mungesa e lirisë demokratike dhe e të drejtave politike të kombësisë shqiptare në krahasim me kombet e kombësitë e tjera.
ç) Aspiratat dhe kërkesat e popullsisë shqiptare në Jugosllavi për çlirim kombëtar e shoqëror të cilat kanë qenë gjithnjë e në ngritje si rezultat i rritjes së vetëdijes kombëtare-shoqërore. Popullsia shqiptare nuk është pajtuar asnjëherë me ato pak të “drejta” që ju ka dhënë kushtetuta jugosllave [26].
Udhëheqja e Tiranës i vlerësonte demonstratat e zhvilluara në Kosovë së pari si dështim të politikës jugosllave në Kosovë si rrjedhojë e politikës së ndjekur ndaj territoreve shqiptare nën Jugosllavi, duke i trajtuar ato si ngastra të Serbisë, Maqedonisë dhe Malit Zi. Këto ngjarje, sipas udhëheqjes shqiptare përgënjeshtruan edhe një herë me forcë shumë të madhe “suksesin” e politikes titiste për “zgjidhjen e drejtë të çështjes kombëtare” në Jugosllavi.
Së dyti, udhëheqja shqiptare vlerësonte traditën dhe vendosmërinë që ishte krijuar tek shqiptarët nën Jugosllavi, gjatë dhjetëvjeçarit të fundit e cila vinte duke u konsoliduar, duke qenë zot i fateve të veta. Ajo ishte e aftë të përdorte të gjitha mjetet e luftës politike dhe shoqërore, si për të sfiduar politiken dhe demagogjinë e Jugosllavisë për realizimin e aspiratave të veta shekullore. Ajo shihej si një lëvizje që do të vazhdonte edhe në të ardhmen e cila do ishte e aftë që t’i imponohej Jugosllavisë dhe do të arrinte së paku që ta detyronte atë të ndiqte një politikë më të drejtë ndaj çështjes shqiptare.
Së treti, vlerësohej pjesëmarrja masive e shqiptarëve në demonstrata, të cilët u përkisnin të gjitha shtresave të popullsisë duke vënë në pah sidomos moshat e reja, rininë shkollore e studentore.
Së katërti, vlerësohej shumë vendosmëria e demonstruesve, të cilët ishin të ndërgjegjshëm për pasojat dhe dënimin që mund të merrnin prej autoriteteve shtetërore serbe e jugosllave.
Së pesti, vetëdija kombëtare dukej se kishte arritur një shkallë të lartë. Shqiptarët nuk besonin më në demagogjinë titiste dhe predikimet e saj për zgjidhjen e çështjes kombëtare e shoqërore në Kosovë [27].
– VIJON –

Ilustrimet © Pashtriku.org

______________________________

PROF.Asoc.DR.SABIT SYLA: QËNDRIMI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NDAJ DEMONSTRATAVE NË KOSOVË MË 1981 (I)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=11044
***
PROF.Asoc.DR.SABIT SYLA: QËNDRIMI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NDAJ DEMONSTRATAVE NË KOSOVË MË 1981 (II)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=11053
***
PROF.Asoc.DR.SABIT SYLA: QËNDRIMI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NDAJ DEMONSTRATAVE NË KOSOVË MË 1981 (III)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=11057

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura