PROF.ASS.TEUTA SHALA-PELI: KËTO DITË DOLI NGA SHTYPI LIBRI MË I RI I STUDIUESES PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA ‘QËNDRESA SHEKULLORE E FAMILJES TAHIR MEHA’

Prishtinë, 23. 05. 2015 – (Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha, “Qëndresa shekullore e familjes Tahir Meha”, Instituti i Historisë, Prishtinë, 2015, 360 fq) – Ditë më parë, në botim të Institutit të Historisë në Prishtinë, doli nga shtypi libri më i ri shkencor, i shkencëtares dhe poetes së njohur prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha. Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha është autore e mbi 16 librave shkencorë dhe 13 librave letrarë. Andaj zonja Keçmezi-Basha është një ndër shkencëtaret më të frytshme në Kosovë. Pas botimeve të monografive si “Të burgosurit politikë shqiptarë në Kosovë 1945-1990”, “Programet politike shqiptare 1878-1990”, “Organizatat e grupet ilegale patriotike në Kosovë 1981-1990” etj., profesoresha këto ditë nxori nga shtypi librin më të ri: “Qëndresa shekullore e familjes Tahir Meha”.
Duke u nisur nga shqetësimet e autores, se heronjtë e kombit po mbesin në harresë, duke shkruar e mos shkruar për ata, ajo merr përsipër të grumbullojë, të sistemojë, të analizojë dhe, në mënyrë sa më origjinale, t’ia ofrojë lexuesit se populli shqiptar qysh moti ka pasur trima të cilët u kanë dalë zot atdheut dhe tokave shqiptare.

Skenderaj, 13.05.2015: Gjatë promovimit të librit: “Qëndresa shekullore e familjes-Tahir Meha” të autores Sabile Keçmezi-Basha.

Me monografinë “Qëndresa shekullore e familjes Tahir Meha” na prezanton me argumente, me fakte arkivore e me literaturë relevante të vërtetën historike, sulmin barbar të policisë dhe njësive speciale jugosllave mbi familjen Mehaj, dhunën që përdori ajo duke filluar prej gazit lotsjellës e deri tek sulmi me helikopter ndaj familjes Meha, terrorin e barbarinë e paparë ndaj popullatës së pafajshme dhe masakrën që ushtruan ndaj atdhetarëve babë e birë Nebih e Tahir Mehës në Prekazin e Poshtëm. Prandaj, duke u nisur nga arsyeja se të shkruash për Nebih e Tahir Mehën është një obligim dhe sadopak një larje e borxhit të vogël që kemi ndaj heronjve të mëdhenj, prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha, me një mjeshtri të rrallë, ia arrin të rrumbullakojë në 360 faqe veprimtarinë atdhetare të familjes Tahir Meha. Në parathënie të librit autorja thotë se e ndjeva për obligim kombëtar, moral e shkencor t’i rrekëm kësaj pune për të shkruar dhe përfunduar këtë monografi që kryesisht është e mbështetur në të dhëna arkivore, që janë grumbulluar nga Arkivi i Kosovës e më gjerë. Mendoi se të gjithë ne duhet dhënë maksimumin për zbardhjen e së vërtetës që ka ndodhur më 13 maj 1981 në Prekazin e Ulët, në familjen Mehaj. Kemi nderin të shkruajmë për trimat e mëdhenj të Drenicës krenare. Kisha me qenë shumë e lumtur po qe se kam arritur që sadopak të laj një borxh të vogël për trimat Nebih e Tahir Meha.
Libri është i ndarë në gjashtë kapituj:
– Kapitulli i parë: Lëvizja Çlirimtare Kombëtare në Kosovë pas Luftës së Dytë Botërore (1945);
– Kapitulli i dytë: Kronologji e ngjarjes rreth vrasjes së Tahir e Nebih Mehës (13 maj 1981), (sipas dokumenteve të Sekretariatit Federativ të Punëve të Brendshme);
– Kapitulli i tretë: Shtypi i kohës për vrasjen e Nebih e Tahir Mehës;
– Kapitulli i katërt: Thanë për sulmin në kullën e Mehajve;
– Kapitulli i pestë: Dekoratat dhe mirënjohjet për Tahir e Nebih Mehën;
– Kapitulli i pestë: Tahir e Nebih Meha në vargje e këngë;
– Kapitulli i gjashtë: Dekoratat dhe mirënjohjet për Tahir e Nebih Mehës.
Krejt në fund ka Përfundimin në gjuhën shqipe e angleze; Treguesin e emrave; Burimet dhe Literaturën, Shkurtesat dhe recensionin e Prof. dr. Haki Kasumit.
***
Në 34 vjetorin e rënies së Tahir Mehës, Komuna e Skenderajt dhe Instituti i Historisë “Ali Hadri”, promovuan librin “Qëndresa shekullore e familjes-Tahir Meha” të autores Sabile Keçmezi-Basha. Promovimi i librit u mbajt në ambientet e Qendrës Kulturës “Hasan Prishtina” në Skenderaj.

Libri për Tahir Mehen – 13.05.2015

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura