MR.BAJRAM MEHMETAJ: NJË VËSHTRIM PËRKITAZI ME RISITË DHE KRITERET SHKENCORE NË LIBRAT ‘GJUHA SHQIPE – GRAMATIKA’ PËR SHKOLLAT FILLORE E TË MESME DHE DISA SHMANGIE GJUHËSORE NË TO

(Pashtriku.org, 02. 10. 2013) – I – 1. Gjuha është mjet për marrëveshje të njerëzve me njëri-tjetrin. Funksioni i gjuhës si mjet komunikimi për marrëveshje realizohet përmes fjalisë. Edhe fjalia formohet prej fjalëve të bashkuara sipas rregullave gramatikore dhe kuptimore në njësi të përcaktuara sintaksore, që nga grupet emërore e grupet foljore në fjali; prej fjalive formohen periudhat dhe tekstet.
Fjalët dhe rregullat e bashkimit të tyre përbëjnë strukturën e gjuhës, gramatikën e saj. Bazën e gramatikës e përbëjnë morfologjia dhe sintaksa, por, gjuhën si mjet ligjërimor për komunikim e studiojnë edhe fonetika e fonologjia, leksiku dhe semantika. Analiza gjuhësore ka shumë mënyra dhe këndvështrime.
Gjuha shqipe dhe gramatika e saj mësohen e përpunohen në shkollat tona fillore dhe të mesme. Në fakultete filologjike bëhen studime më të thelluara për gjuhën dhe letërsinë.
2. Shkolla është i vetmi institucion shoqëror (shtetëror) ku përgatiten kuadro shkollarësh, profesionesh të ndryshme, që duhet ta mësojnë gramatikën dhe rregullat e saj, për të arritur aftësitë e nevojshme komunikuese; për ta përdorur gjuhën amtare në nivel të duhur e të sigurt dhe për ta zhvilluar gjithnjë, në të gjitha masmediet, në shtyp e në botime, varietetin standard të gjuhës, shqipen standarde, që është bazë – model për të gjithë shqiptarët.
Prandaj mund të themi se, për t’ua mësuar të rinjve tanë dhe të tjerëve gjuhën shqipe, duhet të hartojmë libra të gramatikës sa më të përshtatshme, pasi që libri i gramatikës është mjeti i domosdoshëm për ta mësuar gjuhën, rregullat dhe ligjësitë gjuhësore.
3. Në këtë kumtesë do të përpiqem të vë në dukje shkurtimisht përmbajtjen e lëndës gramatikore të trajtuar në librat “Gjuha shqipe – gramatika” për klasën e gjashtë, klasën e tetë, të dhjetë, të njëmbëdhjetë dhe klasën e dymbëdhjetë, si dhe disa shmangie gjuhësore që kam parë në këto tekste shkollore. Në fillim do të paraqes edhe një vështrim për librin “Gramatika e gjuhës shqipe – për mësimdhënësit e gjuhës shqipe”, botuar në Prishtinë, 2002. Kjo gramatikë u kushtohet mësuesve që shpiegojnë gjuhën shqipe në shkollën tetëvjeçare, si dhe atyre që janë të interesuar të njohin strukturën fonetiko-gramatikore të shqipes së sotme standarde.
4. Një vështrim të posaçëm në këto gramatika u kam bërë teksteve letrare e joletrare si dhe shembujve të përdorur për ilustrim, që, në disa raste, janë përdorur gabimisht. Ka në këto gramatika edhe shmangie gjuhësore e përdorime pa vend të disa formave foljore të diatezës vetvetore e pësore si dhe përdorim pa vend të përemrit pyetës çfarë.
Disa nga vërejtjet dhe sugjerimet e mia lidhur me këto libra të gramatikës, do t’i paraqes këtu më poshtë, konkretisht e sa më thjeshtë, pa hyrë thellë në interpretime teorike e në shpjegime të stërholluara.
– II –
1. Karakteristikë e përbashkët për këto libra të gramatikës, që u morën në shqyrtim, është sistemimi i qartë i lëndës, ku idetë, faktet, argumentet janë trajtuar me rendin e qartë natyror e logjik në përputhje e lidhmëri të ndërsjellë si brenda vet veprës dhe pjesëve të saj më të mëdha, ashtu edhe pjesëve më të vogla. Sipas kritereve shkencore janë përshtatur fjalët në fjali, fjalitë në periudha duke u mbajtur një rend i ndërsjellë kuptimor i fjalive e periudhave në paragraf, në kapituj dhe i të gjitha pjesëve përbërëse në librin si tërësi.
Këto janë gramatika origjinale të përpiluara nga specialistë të gjuhës shqipe, ku autorët kanë marrë si kritere rezultatet e arritura nga gjuhësia shqiptare dhe ajo bashkëkohore e jashtme. E tërë lënda e këtyre gramatikave e trajton gjuhën si mjet komunikimi në një sinkroni të dhënë, në fillim të shek. XXI.
Ka mjaft risi e të dhëna me vlerë në këto gramatika siç do të përmenden në vazhdën e këtij shkrimi, por në pikëpamje didaktike është bërë një lëshim i lehtë: shembujt për ilustrim nuk janë dhënë kurdoherë të qartë. Shembujt duhet t’i përshtaten nxënësit e jo e kundërta – nxënësi t’u përshtatet shembujve.
2. Libri “Gramatika e gjuhës shqipe (për mësimdhënësit e gjuhës shqipe)”, botuar në Prishtinë, 2002, f. 1-249, e autorit Prof. dr. Bahri Beci, është i ndarë në njëmbëdhjetë kapituj, mandej në tituj e nëntituj të shumtë. Në pjesën e parë të këtij libri, ku janë përfshirë tetë kapituj, është shtjelluar dhe interpretuar lënda e morfologjisë: emri, mbiemri, numërori, përemri, folja, ndajfolja, parafjala, lidhëza, pjesëza e pasthirrma. Janë përmendur edhe onomatopetë; është shpjeguar edhe formimi i fjalëve (fjalëformimi); ndërsa në pjesën e dytë të librit, që ka tre kapituj, është trajtuar sintaksa e fjalisë në kapitullin e nëntë dhe sintaksa e periudhës në kapitullin e dhjetë. Sintaksa e periudhës në këtë gramatikë është emërtuar “Sintaksa e fjalisë së përbërë”. Ndërkaq në kapitullin njëmbëdhjetë është trajtuar lëndë nga fonetika, fonologjia dhe drejtshkrimi.
3. Lënda e trajtuar në këtë libër gramatike paraqet një studim të thukët, ku çdo pjesë e formave të fjalëve, fjalisë e lidhjeve ndërmjet tyre sipas rregullave gramatikore, janë dhënë qartë, në një tërësi, që formojnë strukturën e sistemit të gjuhës shqipe. Për hartimin e kësaj gramatike, autori i saj, Bahri Beci, niset nga rezultatet e arritura të gjuhësisë shqiptare dhe asaj bashkëkohore, duke dhënë kështu, të sistemuar, tërësinë kryesore të problemeve gramatikore e fonetike të shqipes së sotme standarde, të parashtruara në programet dhe tekstet e reja të gjuhës shqipe për shkollat tetëvjeçare në Kosovë.

4. Rregullat gramatikore, përkufizimet si dhe nocionet e kategorive gramatikore si dhe njohjet rreth tyre, autori i ka sistemuar e parashtruar përmes një metodologjie të përshtatshme shkencore. Për zbërthimin e problemeve gramatikore ai ka përdorur metodën e njohur analitike-sintetike si një tërësi unike, duke nxjerrë të tërën nga pjesët përbërëse të saj si dhe nga e tëra duke nxjerrë pjesët e veçanta dhe të përveçme.
Pos kësaj metode, autori i librit në shqyrtim, ka përdorur edhe metodën induktive e atë deduktive, duke analizuar me kujdes strukturën dhe sistemin e emrave, foljeve, klasën e fjalëve të pandryshueshme; veçoritë fonetike e fonologjike të tingujve të shqipes; format e tipat e fjalive sipas kumtimit; format e foljeve kalimtare e jokalimtare… etj. dhe duke nxjerrë përfundime të përgjithshme në bazë të shembujve ilustrativë. Po kështu, me një radhitje e sistemim të lëndës, janë shpjeguar edhe nocionet e termave: morfologji, fonemë, fonologji, semantikë, retorikë, etj., të ndërlidhura në marrëdhënie jo vetëm me njëra-tjetrën, po edhe me ato të pjesëve të tjera, kështu që, lidhja e këtyre fushave të dijes me njëra-tjetrën dhe analiza e strukturës së tyre, formojnë gramatikën e gjuhës shqipe.
Libri mund të përdoret, pas ndonjë përmirësimi të vogël, edhe si model për autorët që hartojnë gramatika për shkollën fillore tetëvjeçare. Është libër origjinal, bashkëkohor, i hartuar sipas rregullave gramatikore të shqipes standarde.
5. Mirëpo, shembujt ilustrativë në këtë gramatikë, siç thotë edhe autori i librit, janë të kufizuar. Te këta shembuj janë parë edhe disa shmangie e parregullsi gramatikore, që zvetënojnë kuptimin e fjalisë përkatëse. Ka shmangie në përdorimin pa vend të disa përemrave pyetës, të disa trajtave foljore të përdorura në diatezën jo të qëlluar, ka emërtime e përkufizime të mangëta të nocioneve gramatikore, si dhe shembuj ilustrativë me fjali të paqarta dhe të pakapshme për moshën e nxënësve. Ja disa raste:
6. Përkufizimi “Gjuha është një mekanizëm” (ku të gjitha pjesët ndihmojnë për funksionimin e mirë të saj) (f. 19), duket i mangët, i paqëlluar; trajta e fjalës “një mekanizëm”, që është përdorur në periudhën e nënvizuar këtu më sipër, është përdorur pa vend.
Emërtimet: fjali veprore ose pësore; pohore ose mohore; ngulmuese ose asnjanëse, të trajtuara në këtë mënyrë (f. 22), vijnë si të stërholluara dhe e ngarkojnë vëmendjen e nxënësit me terma gjuhësorë jo edhe aq të domosdoshëm për trajtat e fjalive sipas kumtimit. Po kështu janë përdorur një varg emërtimesh për të dhënë konceptin e fjalisë sipas ndërtimit të saj, si: fjali e thjeshtë minimale (edhe maksimale) që janë të rënda për nxënësit e shkollës fillore. Emërtimi fjali e thjeshtë e zgjeruar, është i ngatërruar, shpreh dykuptimësi: “fjali e thjeshtë” dhe “fjali e zgjeruar” njëkohësisht. Në disa gramatika të gjuhëve sllave e kam hasur një ndërtim të tillë (“prosta proširena rečenica” = “fjali e thjeshtë e zgjeruar”) për emërtimin e fjalisë së zgjeruar. Është e udhës, kujtoj, që mësimi për gjuhën, gramatika për nxënësit e shkollës fillore, të shpiegohet qartë, thjeshtë e kuptueshëm. Format e fjalëve si dhe rregullat gramatikore e lidhmëritë e tyre me njëra-tjetrën, duhet të trajtohen dhe të shpiegohen prej të njohurës tek e panjohura, që do të thotë prej të thjeshtës tek e përbëra, d.m.th. do të ishte më i kapshëm emërtimi: fjali e thjeshtë; fjali e zgjeruar; periudhë (periudhë me bashkërenditje; periudhë me nënrenditje). Emërtimi fjali e zgjeruar nënkupton ndërtimin e fjalisë, pjesët e saj, që, përveç kryefjalës e kallëzuesit, mund të jenë kundrinorë, përcaktorë etj. Fjalia mund të shprehet edhe vetëm me një fjalë, nëse ajo fjalë paraqet një informacion. Janë përdorur në këtë gramatikë edhe emërtime të tilla, si: fjalitë vetore; fjali me vetë të papërcaktuar; fjali me vetë të përgjithësuar; fjalitë pavetore, që shprehin më tepër nuansa të kuptimeve gramatikore të kallëzuesit e të kryefjalës, sesa të konceptit të fjalisë.
Emërtimet e tilla për llojet e fjalive sipas ndërtimit të tyre, të trajtuara në gramatikat e reja shkollore, megjithëse kanë arsyet e veta, do rishqyrtuar e thjeshtuar që të dalin sa më të qarta e më të kuptueshme.
7. Përkitazi me përemrin e pacaktuar gjë, është dhënë kjo njohje: “Përemri gjë përdoret vetëm nëpër fjali mohore e pyetëse, si dhe në pjesë të nënrenditura kushtore” (”Gramatika…, f. 78): “Unë i di këto punë, ti nuk di gjë”. Ky tekst i dhënë për ilustrim, me sa dimë, është periudhë e bashkërenditur me fjali kundërshtore, e ndërtuar pa lidhëza, ku nuk ka ndonjë fjali pyetëse për ilustrim; fjalia “ti nuk di gjë” vërtetë ka kuptim mohor, por ajo nuk është fjali pyetëse.
Është trajtuar më tej edhe përdorimi i përemrit të pacaktuar gjë në funksion të kryefjalës dhe të kundrinorit të drejtë, ilustruar me periudhën me fjali të nënrenditur kushtore dhe me një fjali pyetëse: “Edhe sikur t’u ndodhte gjë atyre, do të lajmëronte”. “Po ty nuk të tha gjë?” (Po ai, po aty. f. 78). Kjo periudhë me pjesë të nënrenditura kushtore nuk e përmbush qëllimin për kërkesën e parashtruar. Shembujt e tillë ilustrativë janë të paanalizueshëm, të paqartë dhe të pakuptueshëm. Si mund të analizohet një ndërtim i tillë sintaksor me pjesë të nënrenditura kushtore, kur marrëdhënia e ndërsjellë e pjesëve të fjalisë ( e protasës dhe apodosës) nuk paraqet një mesazh të kuptueshëm, sepse “Edhe sikur t’u ndodhte gjë atyre (cilëve, kujt; kush janë ata që mund t’u ndodhte gjë?), do të lajmëronte” (Kush do të lajmëronte, cili, çka do të lajmëronte?). Pra, periudha e tillë me fjali të nënrenditura kushtore nuk është e qartë. Shembujt e këtillë ilustrativë duhet të rishqyrtohen përmes metodave shkencore e mandej të jepen të saktë e të plotë.
Edhe disa shembuj të tjerë ilustrativë të trajtuar në librin e gramatikës në shqyrtim, që kanë mangësi gjuhësore, si p.sh.: “Me anë të Agimit, ai arriti të realizojë atë që deshi” (Po ai, po aty, f. 117); “Vjeshta e trishtueshme erdhi dhe iku” (po aty, f. 175) e ndonjë tjetër, mendoj, do të dalin më të qartë e më të saktë me këtë pamje: “Bashkë me Agimin, ai arriti të realizonte (edhe të realizojë) atë që deshi” ose “Me ndihmën e Agimit, ai arriti të realizojë (ose të realizonte) atë që deshi”; “Vjeshta e begatë (jo e trishtueshme) erdhi dhe iku”.

8. Në vijim të këtij punimi do të paraqes edhe disa vështrime që i kam bërë në librat e gramatikave shkollore për klasën e gjashtë, të tetë, të dhjetë, njëmbëdhjetë dhe për klasën e dymbëdhjetë. Për secilin libër do të jepen vështrime e sugjerime për lëndën gjuhësore të trajtuar aty. Rëndësi të veçantë u kam kushtuar shembujve ilustrativë si dhe kritereve shkencore e didaktike të përdorura nga autorët gjatë hartimit të këtyre gramatikave shkollore.
– III –
1. Libri “Gjuha shqipe 6 – gramatikë – drejtshkrim – gjuhë e folur dhe e shkruar”, (botoi Libri Shkollor, botimi 4, Prishtinë 2009, f. 1-175) i autorit Bahri Beci, paraqet lëndë mësimore nga gjuha shqipe të paraparë me programin e ri mësimor të Kosovës. Të gjitha njësitë mësimore të këtij libri, janë paraparë të zhvillohen gjatë procesit mësimor, brenda një ore mësimi, nëpër katër rubrika: Vështrojmë, Pyesim, Mësojmë dhe Ushtrohemi. Një ndarje të tillë të mësimit të gjuhës amtare nëpër katër etapa ky autor e ka paraqitë edhe në librin “Gramatika për klasën e tetë”, për ç’gjë do të flitet më tej në këtë shkrim.
Metoda e paraqitjes së lëndës së re mësimore si dhe përkufizimi i rregullave gramatikore në këtë tekst, është një risi shkencore dhe begati e madhe për kulturën e gjuhës sonë amtare. Risi e të gjitha këtyre gramatikave të gjuhës amtare është dhe dokumentimi me fakte se shqipja është gjuhë e lashtë dhe se ka mëse dy mijë fjalë me prejardhje (origjinë) shumë të lashtë ose siç quhen ndryshe me prejardhje indoevropiane, si: ditë, natë, dimër, ujë, elb, dem, ha, pi, jam, kam, zog, mal etj. Mësojmë mandej nga këta libra se në gjuhën shqipe kanë hyrë shumë fjalë nga gjuhët e tjera, por, megjithatë, shqipja ka ruajtur mëvetësinë (origjinalitetin) e saj si gjuhë e begatë me strukturë të veçantë fonetike, gramatikore dhe leksikore (“Gjuha shqipe” 6, f. 149).
2. Nga ana tjetër, edhe në këtë gramatikë hasen disa shmangie gjuhësore, veçmas në përdorimin e fjalive e periudhave të përdorura në shembujt për ilustrim. Kështu, bie fjala, detyra: “Kërkoni në Fjalorin e gjuhës shqipe fjalë të përbëra që nisin me fjalët dorë, krye, sy, flokë, mendje” (f. 93) është pak e rëndë për nxënësit e klasës së gjashtë. Edhe periudha me fjali të varur mënyrore, e dhënë për ilustrimin e përdorimit të presjes: “Mjeku ndezi një cigare, i lodhur nga puna” (f. 112) nuk është gjithaq e përshtatshme për analizë, nuk paraqet informacion të saktë e as të sigurt; prandaj, pa hyrë në hollësi të analizës gramatikore dhe leksiko-semantike të çështjes në shqyrtim, do të thosha se kjo periudhë do të dilte më qartë dhe më e kapshme po të renditej kështu: “Mjeku, i lodhur nga puna, piu një gotë lëng molle…” Edhe fjalia e zgjeruar: “Pritej ardhja e një shtrëngate të fuqishme” (f. 166) që është dhënë për ushtrime, do të dilte më e qartë dhe gramatikisht më e qëlluar po të përdorej në këtë formë: “Pritej të vinte një shtrëngatë e fuqishme”, etj.
3. Për mësimin e gjuhës shqipe, për klasën e gjashtë, është botuar edhe mjeti mësimor: “Fletore pune për Gjuhën Shqipe 6”, (botoi “Albas”, Prishtinë-Tiranë-Tetovë, 2007) që është mjeti i nevojshëm për t’i ushtruar nxënësit në punët me shkrim.
Ushtrimet e trajtuara në këtë Fletore pune janë përgatitur në përshtatje me programin e lëndës për gjuhë amtare (gjuhën shqipe) të klasës së gjashtë. – Për secilën temë mësimore ka ushtrime të llojllojshme me qëllim të përforcimit të njohurive teorike të marra në tekst (në librin e gramatikës) dhe ushtrimin e tyre praktik – thonë hartuesit të kësaj Fletoreje pune. Mirëpo, “të konceptuarit e këtyre ushtrimeve të ndërtuara sipas shkallës së vështirësisë duke kaluar nga më e lehta tek më e vështira (përmes udhëzimeve): dallo, plotëso, argumento, krahaso, krijo”, siç e pohojnë hartuesit e Fletores së punës, nuk është krejt e saktë. Parimi didaktik: prej të lehtës tek e vështira, prej të njohurës tek e panjohura, prej të afërmes tek e largëta, nuk është marrë gjithaq parasysh për hartimin e ushtrimeve gjuhësore të trajtuara në këtë Fletore pune, prandaj, edhe në këto ushtrime ka mangësi e shmangie të ndryshme gramatikore, disa prej të cilave po i radhis këtu më poshtë:
4. Te njësia mësimore për ushtrimin “Përdorimi i fjalorëve dhe fjalët e huaja” (f. 13), janë bërë pyetje e janë dhënë detyra me ndërtime sintaksore të paqëlluara, si p.sh.: “Si do t’i jepje në fjalorin drejtshkrimor fjalët e mëposhtme? (fjalët: rrugë, mal, vështroj, i madh). Pasi të japësh përgjigjen tënde, konsultohu me Fjalorin drejtshkrimor të gjuhës shqipe” dhe “Duke shfrytëzuar sa më shumë fjalorë që të kesh mundësi, shkruaj si jepet fjala “nënë”: në fjalor shpjegues, në fjalor drejtshkrimor, në fjalor sinonimik, në fjalor dygjuhësh, në fjalor terminologjik…”. Pyetjet e tilla si dhe kërkesa për t’u përgjigjur saktë në to, janë të pasakta, të paqarta dhe tejet të vështira për moshën e nxënësve. Në këtë mënyrë, duhet të mendohet që sa kohë, sa mund dhe energji harxhon nxënësi i klasës së gjashtë t’i gjejë fjalorët e cituar këtu më sipër?! Sa kohë i duhet nxënësit të kësaj klase të gjejë fjalën “nënë” dhe format e kësaj fjale-temë në të gjithë këta fjalorë?! Po kështu fjalia: “konsultohu me fjalorin drejtshkrimor…” e dhënë si detyrë për ushtrime është mjaft e paqartë; folja-kallëzues e përdorur me trajtën konsultohu (mënyra urdhërore, vet. II njëjës) nuk e ka vendin e përshtatshëm në ndërtimin e dhënë sintaksor. Mund të përdorej një tjetër folje-kallëzues për atë ndërtim e do të dilte fjalia më e kuptueshme me këtë pamje: “Përdor (shfleto, lexo, gjej) fjalorin drejtshkrimor të gjuhës shqipe”.
5. Për ta lehtësuar punën e pavarur të nxënësve, sidomos për detyra dhe ushtrime, janë dhënë fare pak modele e mjete të tjera për konkretizim.
Në këtë fletore pune janë dhënë, në disa raste, edhe shembuj ilustrativë të pasaktë e të dyshimtë, si bie fjala, “Lumi Drin buron nga liqeni i Ohrit” dhe “Mali Korab është më i larti në Shqipëri”, ku kërkohet nga nxënësit t’i nënvizojnë ndajshtimet dhe përcaktorët (f. 46). Këto fjali janë të zbërthyeshme dhe të analizueshme gramatikisht, por informacioni, saktësia kuptimore e tyre, është pak e ngatërruar, e dyshimtë; sepse lumi Dri-ni ka edhe një vendburim tjetër përveç Liqenit të Ohrit. Po edhe informacioni i fjalisë “Mali Korab është më i larti në Shqipëri” nuk është krejt i saktë. Mendoj se këto dy fjali do të dilnin më të kapshme e më të qarta, po të ishin dhënë me këtë renditje: “Drini i Zi buron nga liqeni i Ohrit” dhe “Mali Korab është ndër më të lartit në Shqipëri”. Është përdorë pa vend fjalia “U bëra vonë” (f. 52) në vend që të përdorej “U vonova; jam vonuar, erdha vonë”.
6. Disa detyra të parapara për ushtrime gjatë orës së mësimit me temën: “Tipat e fjalisë sipas kumtimit” (f. 35), me qëllim të thellimit e të përforcimit të njohjes së fjalisë e tipave të saj sipas ligjërimit, janë të papërcaktuara, të ngatërruara e të paqarta; kanë gabime gramatikore. Ja një shembull: “Nënvizo çfarë kumton fjalia dëftore: informacion, të dhëna konkrete, përshkruajnë, nxisin, kërkojnë informacion, shprehin gjendje a dëshira, vullneti i folësit, propozojnë etj.” Mjafton të vështrohen vetëm kategoritë gramatikore të vetës e të numrit dhe papërshtatja e tyre në këtë ndërtim sintaksor.
Shembuj të këtillë me ndërtime të çoroditura logjike-kuptimore kam hasur këtu edhe tek ushtrimet e dhëna për thellimin e njohjes së periudhës (fjalisë së përbërë), ku është përdorur për analizë fjala e mësuesit drejtuar nxënësve: – Nxënës, ju duhet të harroni gjithçka që keni mësuar… – Ju deri tani asgjë nuk ju paskan mësuar, etj. (f. 35). Shembujt e tillë nuk janë të përshtatshëm për ushtrime, sepse ndikojnë negativisht në edukimin e nxënësve.
– IV –
1. Në librin “Gjuha shqipe – Gramatikë – Drejtshkrim – Gjuhë e folur dhe e shkruar”, për klasën e tetë të shkollës fillore (botoi “Dukagjini”, Pejë, 2009, f. 1- 168) e autorit Bahri Beci, është paraqitur përmbajtja e njohurive gjuhësore (ashtu edhe qëllimet e objektivat) sipas programit të ri mësimor për klasën e tetë, ku janë paraparë pesë orë gjuhë amtare në javë, 185 orë në vit; prej këtyre për sistemin gjuhësor 70 orë; për gjuhën e folur e të shkruar 45 orë mësimi.
Lënda mësimore e përfshirë në këtë gramatikë është ndarë në katër kapituj, në shumë tituj e nëntituj, ku janë përpiluar njohuri nga morfologjia e sintaksa, fonetika e shenja të pikësimit, si dhe ushtrime e aktivitete të tjera gjuhësore me qëllim që nxënësit “të zgjerojnë kulturën e gjuhës dhe të rrisin aftësitë e shprehitë e komunikimit”, siç thotë autori i kësaj gramatike. Janë trajtuar në këtë gramatikë njohuri për gjuhën shqipe; probleme të fonetikës, të drejtshkrimit e të drejtshqiptimit; struktura e fjalëve (fjalëformimi); kuptimi i fjalëve; fjalët e ndryshueshme; fjalët e pandryshueshme; fjalia; probleme të ligjërimit, të zbërthyera në tema e nëntema konkrete.
Përmes këtyre mësimeve të trajtuara në këtë libër gramatike, nxënësit njihen me strukturat e sistemit gjuhësor të shqipes dhe me normat e shqipes standarde, që ndërlidhen me strukturën e fjalëve e të fjalive si dhe me veçoritë e mënyrën e përdorimit praktik të tyre.
2. Çdo mësim që u kushtohet problemeve të sistemit gjuhësor, është zhvilluar sipas një ecurie të ndarë në etapa e të konkretizuara përmes katër rubrikash kryesore: vështrojmë, pyesim, mësojmë, ushtrohemi.
Në rubrikën vështrojmë janë dhënë tekste letrare e joletrare si dhe shembuj ilustrativë në përputhje me kërkesat e mësimit të gjuhës. Fjalët e kërkuara janë dhënë të dalluara me ngjyrë të kuqe ose të blertë. Përmes kërkesave të kësaj rubrike nxënësit aftësohen t’i vëzhgojnë tekstet letrare e joletrare si dhe aftësohen të lexojnë dhe të vështrojnë dukuritë gjuhësore në tekste të zgjedhura letrare. Rubrika pyesim paraqet detyrën e mësuesit të gjuhës t’i orientojë nxënësit në temën konkrete. Pasi është lexuar teksti letrar, mësuesi, përmes pyetjeve arrin te mësimi konkret. Pos të tjerash, ai i pyet nxënësit: “Ç’tregojnë fjalët e shënuara me ngjyrë të kuqe?” Kështu, pasi nxënësit e gjejnë temën e kërkuar, atëherë mësimi vazhdon pas rubrikës mësojmë, që është njëherësh pjesa më e rëndësishme e çdo mësimi. Aty gjenden në mënyrë të konkretizuar përgjigjet e pyetjeve të shtruara që janë njohuritë e reja të çdo mësimi që duhet t’i përvetësojnë nxënësit. Njësia mësimore mbyllet me rubrikën ushtrohemi ku janë dhënë detyra për ushtrime me kërkesa që kanë karakter vëzhgues dhe analizues si dhe zbatimin praktik të mësimit. Në fund të kësaj rubrike parashtrohen problemet kryesore që duhet mbajtur mend nga mësimi përkatës. Gjatë zhvillimit të mësimit sipas kësaj ecurie, herë pas here u tërhiqet vëmendja nxënësve edhe për çështje drejtshkrimore që lidhen me temën e trajtuar gramatikore.
3. Mësimet kushtuar problemeve të ligjërimit (të të folurit), ku janë shpieguar njësitë për tekstin përshkrues (tregimin) për misionin e radios dhe të televizionit, për gazetat, për intervistën, raportin, biografinë dhe autobiografinë; vlera praktike e këtyre njësive gjuhësore si dhe ecuria gjatë zhvillimit të lëndës gjuhësore brenda orës së mësimit sipas etapave: vështrojmë, pyesim, mësojmë, ushtrohemi, janë risi të këtij libri të gramatikës, që shtron kërkesa dhe standarde të niveleve bashkëkohore të mësimit të gjuhës amtare në shkollë.
4. Edhe në këtë libër gramatike kam vështruar disa keqpërdorime të fjalëve e trajtave të tyre si dhe shmangie rregullash gramatikore te përpilimi i disa fjalive, si p.sh.: te periudha: – Unë nuk e di kush është shkrimi im i parë” (f. 156), ku forma kush e përemrit pyetës në periudhën e caktuar këtu, është përdorur gabimisht, pasi përemri kush përdoret vetëm për njerëz e jo edhe për gjësende; prandaj në shembullin e dhënë këtu më sipër (që është edhe ashtu i papërshtatshëm për analizë gjuhësore) duhej të ishte përdorur përemri cili, e periudha do të dilte me këtë formë: – (Unë) nuk e di cili është shkrimi i parë. Për disa keqpërdorime të përemrit pyetës çfarë? dhe të disa formave foljore të diatezave vetvetore, pësore e veprore (më rrallë) të përdorura gabimisht në vend të njëra-tjetrës, do të flitet më poshtë në një mënyrë pak më të veçantë.
– V –
1. Libri “Gjuha shqipe” për klasën e dhjetë (Botime shkollore, Prishtinë 2007, f. 1-110) të autorëve Idriz Metani – Mimoza Gjokutaj, është hartuar mbi bazën e planprogramit të lëndës së gjuhës shqipe për klasën e dhjetë të shkollave të mesme. Teksti në shqyrtim, që ka gjithsejtë 110 faqe, nuk është i ndarë në kapituj, por në tituj e nëntituj. Përmbajtja e këtij teksti ka njohuri për sistemin gjuhësor, me shprehitë e të shkruarit dhe të të lexuarit e me komunikimin.
2. Për hartimin e këtij libri të gramatikës autorët Idriz Metani – Mimoza Gjokutaj kanë pasë parasysh disa kritere shkencore e didaktike, me ç’rast ky tekst sjellë shumë risi që ndihmojnë mësuesin e gjuhës amtare e aq më tepër nxënësit e kësaj klase. Autorët e librit të shqyrtim, janë mbështetur në teoritë shkencore dhe në të arriturat e rezultatet e Gjuhësisë shqipe, të botuara nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë, veçanërisht Gramatika e gjuhës shqipe.
3. Përpjekja për integrimin e njohurive gjuhësore me ato letrare është vërtet një risi metodologjike që haset në këtë libër. Kjo risi është realizuar me përpjekjen për zgjedhjen e modeleve më të mira të shqipes së shkruar, ku njohuritë gjuhësore janë ilustruar me shembuj konkretë që aftësojnë nxënësin teoritikisht e praktikisht, që njohuritë letrare që merr nxënësi i kësaj klase, të vihen në shërbim të ndërsjellë me njohuritë gjuhësore të këtij libri për gjuhën amtare.
4. Pjesa më e shkurtër e lëndës mësimore në këtë libër është dhënë përmes ushtrimesh, që aftësojnë nxënësin praktikisht. Ushtrimet janë të shumta e mjaft të larmishme, të gërshetuara me pyetje për diskutim, pyetje në formë testesh, e që të gjitha këto të përshtatura për punën e nxënësve në grupe. Në kapitullin e këtij libri: “Udhëheqja e nxënësve në procesin e të shkruarit”, janë dhënë njohuri të sakta për rregullat e të shkruarit që burojnë nga gramatika, leksiku, fonetika dhe kur këto rregulla kthehen në normë, bëhen të detyruara të zbatohen nga të gjithë. Në këtë kapitull janë dhënë njohuri të mjaftueshme për llojet (farët) e punimeve me shkrim, siç janë: përmbledhja, referati, eseja, projekti, puna kërkimore (studimi), shkrimi i autobiografive etj., ku është shpjeguar qartë kuptimi i të shkruarit, përbërësit e shkrimit si: përmbajtja, pamja (forma), idetë etj. Janë shpieguar rregullat e të shkruarit (prezantimi, shtrirja, pyetjet, paragrafi, referati, citatet, konkluzionet, bibliografia, fjalori).
Njohuritë gjuhësore që përfshihen në këtë libër nxënësi duhet t’i mësojë dhe t’i përdorë në jetën praktike si në gjuhën e shkruar ashtu edhe në gjuhën e folur. Pa njohur rregullat e gramatikës, fonetikës, pjesët e ligjëratës sipas formës e përmbajtjes, nuk mund të mësohet gjuha – kodi as mesazhi.
5. Në rubrikën pyetje dhe ushtrime të kësaj gramatike janë dhënë aty-këtu detyra të rënda e të paqëlluara, që vështirë se mund t’i kryejë nxënësi. Ja një shembull: “Duke krahasuar tekstet e dhëna në krye të mësimit me gjuhën standarde në rrafshin fonetik, nxirrni ç’ndryshime fonetike kanë ndodhur në gjuhën shqipe që nga Buzuku deri në ditët tona” (f. 17). Nga kërkesat e këtilla që u ngarkohen nxënësve, mësimdhënësit do të mbesin pa kurrfarë përgjigjeje. Pyetjet e tilla janë tejet të rënda, të papërcaktuara e të pakonkretizuara. Si mund t’i gjejë nxënësi i klasës së dhjetë, brenda një ore mësimi, ndryshimet fonetike që janë bërë në gjuhën shqipe që nga koha e Buzukut e deri në ditët tona?! Detyrat e mësimit të gjuhës amtare duhet të jenë të thjeshta, të qarta e konkrete.
6. Emërtimi i fjalive, si: fjali pohore (mohore), fjali e pazgjeruar, fjali e zgjeruar, fjali foljore (fjali vetore, pavetore), është i mangët e mjaft i paqartë. Nocioni “fjali e përbërë” nuk është gjithaq i qartë dhe nuk përfshinë tërësisht kuptimin e nocionit “periudhë”. Për nga kuptimi e ndërtimi gramatikor i saj, kujtoj, mund të përdornim edhe emërtimet fjali e thjeshtë (me kryefjalë e kallëzues), fjali e zgjeruar (përveç kryefjalës e kallëzuesit edhe pjesë të tjera të fjalisë – kundrinorë, ndajshtim, rrethanorë etj.). Po kështu, mendoj, mund të thuhet folje pavetore, po jo edhe fjali pavetore, e fjali vetore.
Fjalia, siç dihet, është njësi gjuhësore që ka kuptim të caktuar. Edhe foljet pavetore, si: bubullinë, shkreptinë, veton, gjëmon, fryen, agon etj., që tregojnë dukuri të natyrës, kanë kuptim të caktuar, kanë edhe kryefjalë, por të pashprehur e që mund të gjendet përmes pyetjeve, përemrave pyetës e fjalëve të tjera pyetëse. Te disa fjali, edhe pse mungon kryefjala, ajo nënkuptohet; përndryshe as kallëzuesi në funksion të veprimit të kallëzuesisë nuk ka kuptim real pa pasur kryefjalë. Mjetet morfologjike për të shprehur disa nuanca kuptimore të foljeve pavetore si dhe të aspektit të fillimit të veprimit, janë të pakta, mungojnë në gjuhën shqipe, por kuptimet e tilla mund të shprehen me mjete leksikore, me folje aspektive që kanë kuptim leksikor të reduktuar, që i paraprijnë një foljeje tjetër që tregon veprim a gjendje, por që kjo pikëpamje vetëm sa u cek, se nuk është objekt vështrimi, kësaj radhe, në këtë punim.
– VI –
1. Libri “Gjuha shqipe – Gramatika për klasën e njëmbëdhjetë” (botoi “Dukagjini”, Pejë, 2010, f. 1-120) i autorit Abdullah Konushevci, është ndarë në 14 kapituj apo grupe mësimesh; në tituj e nëntituj të shumtë, përshtatur programit të ri shkollor për mësimin e gjuhës shqipe. Ky libër lidhet drejtpërdrejt me lëndën gjuhësore të trajtuar në librat “Gramatika e klasës X”. Edhe në këtë libër gramatike, siç thotë edhe hartuesi i saj, Abdullah Konushevci, është ndjekur funksioni pragmatik e stilistik i gjuhës dhe është lënë anash gati krejtësisht drejtimi (aspekti) teorik e historik i lëndës gjuhësore. Në këtë gramatikë shkollore janë trajtuar fusha të ndryshme të studimit të gjuhës shqipe, si nga morfologjia, leksikologjia, historia e gjuhës, dialektologjia, stilistika, kultura e gjuhës, teoria e shkrimit e deri te sintaksa e fjalisë dhe e periudhës.
2. Duke i hulumtuar rezultatet e indoeuropianistëve më të njohur botërorë, që punojnë në Universitetin Bartleby të Amerikës, autori i kësaj gramatike, Abdullah Konushevci, prezantoi drurin e familjes gjuhësore indoevropiane, punuar nga ky institucion, ku gjuha shqipe, sipas ligjësorive fonetike (tingullore) del në periudhat e saj më të hershme e afërt me ilirishten, mesapishten, trakishten, në një anë, e në anën tjetër me greqishten, latinishten e armenishten dhe jo e afërt me gjuhët balto-sllave, siç është menduar deri më sot.
Ky zbulim për gjuhët indoevropiane e veçmas për vendin dhe afrinë e shqipes me këto gjuhë, është një risi e njohje e re e paraqitur në këtë libër gramatike. Kjo risi, kujtoj, është shumë e rëndësishme për orientimin e drejtë të studiuesve të rinj në fusha të caktuara të studimit të gjuhës shqipe, sepse gjuha është elementi i parë i identitetit të një kombi.
3. Një risi tjetër që përmban libri në shqyrtim është mendimi për përdorimin e paskajores apo infinitivit të shqipes, që autori Abdullah Konushevci pohon në parathënien e këtij libri, se “përdorimi i paskajores nuk e prek në asnjë segment gjuhën standarde shqipe”, prandaj duke marrë parasysh funksionin e fuqishëm pavetor të saj “përdorimi i saj (i paskajores) është në pajtim të plotë edhe me shqipen normative si togu (ue) dhe prania e saj te shprehja do me thënë, si dhe pjesorja e gegërishtes te kompozitat zanafillë, dorëzan, shtatzanë, gojëdhanë etj.”
4. Në librin “Gjuha shqipe – Gramatika për klasën 11”, që u zu n’gojë këtu më lart, ndryshe nga librat e tjera të gramatikës së shqipes që u shqyrtuan pak më lart në këtë punim, është bërë dallimi në mes gjuhës standarde, normative shqipe, kodifikuar në Kongresin Drejtshkrimor 1972, dhe gjuhës letrare, që janë parë këtu si dy tërësi, dy etnitete të ndryshme, të pavarura nga njëra-tjetra, e që secila ka kodin e saj. Vërtet, gjuha letrare ndërtohet nga gjuha standarde, por ajo merr diçka nga variacionet e ndryshme historike të saj.
5. Ndër tiparet dialektore që hyjnë në standard për arsye të ndryshme, autori i librit në shqyrtim, përveç të tjerash, përmend disa terma gramatikorë që kryejnë funksione të caktuara, që kur i mungojnë gjuhës standarde, ngriten në normë, kodifikohen si të tilla dhe përdoren rregullisht, si, bie fjala, forma foljore e mbipërbërë e së shkuarës (kam pasë shkuar, kisha pasë shkuar), karakteristike për dialektin e veriut dhe për disa të folme të labërishtes, që u ngritën në normë e u kodifikuan si të tilla (“Gramatika” e Akademisë, 1976), sepse kuptimet e tyre nuk mund t’i mbulojnë format më të thjeshta të së kryerës (kam shkuar dhe kisha shkuar).
6. Pak më ndryshe dhe pak më qartë se në librat tjerë të gjuhës shqipe që u cekën në këtë punim, mbase është trajtuar në këtë gramatikë, sintaksa e fjalisë dhe sintaksa e periudhës. Autori i gramatikës në shqyrtim, e analizon hierarkinë gramatikore duke filluar nga e lehta tek më e vështira, nga e afërta tek e largëta, pra nga fjalët, nga grupe fjalësh, fjalitë dhe periudhat. Në maje të hierarkisë gramatikore është vënë periudha, ndërsa në nivelin më të ulët janë fjalët. Periudha është trajtuar sipas pjesëve përbërëse të saj: periudha (P) → Fjalia drejtuese ose kryesore (FD), grupi emëror (GE), grupi foljor (GF), kundrina, fjalët përcaktuese (determinative).
7. Në tërë kompozicionin e kësaj gramatike shkollore, hartuesi i saj ka përdorur një rrjedhë logjike e lidhmëri ndërmjet pjesëve përbërëse të veprës – paragrafëve, kapitujve, pjesëve, ku del qartë e bindshëm harmonia e trajtës me përmbajtjen. Por, fjalët e vështira dhe stili i lartë shkencor e teknik të përdorura në këtë libër gramatike si dhe në ato të tjerat që u cekën këtu, e vështirësojnë të kuptuarit e lëndës; nxënësit heqin vështirësi për të kuptuarit e lëndës; nxënësit heqin vështirësi për ta konceptuar gramatikën e gjuhës amtare. Analizat e thelluara përkitazi me stilin parataktik, hipotaktik, konotacionet, denotacionet, fjalori abstrakt etj., kuptohen me vështirësi nga nxënësit, ndaj duhet shpieguar sa më thjeshtë, përmes shembujsh të zgjedhur ilustrativë.
Termat, fjalët e shprehjet e vështira duhet të komentohen e të shpiegohen në secilin tekst shkollor të gramatikës së gjuhës amtare.
– VII –
1. Libri “Gjuha shqipe për klasën 12” (botoi “Albas”, Tiranë-Tetovë-Prishtinë, 2007, f. 1-59) i autorit Xhevat Lloshi, është i ndarë në katër kapituj, në shumë tituj e nëntituj ku janë trajtuar njohuri të mjaftueshme për përdorimin e vlerave gjuhësore e stilistike në praktikë. Janë dhënë njohje për format i ligjërimit letrar dhe të ligjërimit joletrar si dhe për përdorimin e gjuhës në funksione stilistike, që përbën pjesën më të rëndësishme të mësimeve në këtë tekst gjuhësor.
2. Fragmentet e përdorura për ilustrim të marra nga shkrimtarët tanë të Rilindjes dhe të periudhave të ndryshme të shek. XX, si: Gjergj Fishta, Migjeni, Asdreni, F. Konica, Fan Noli, Lumo Skendo, Lasgush Poradeci, Ernest Koliqi, A. Asllani, A. Z. Çajupi e të tjerë, kujtoj, janë të qëlluar. Shembujt e marrë nga veprat e këtyre letrarëve ngjallin interesim te nxënësit, të cilët, përmes këtyre fragmenteve letrare që janë marrë për ilustrim, përmes imagjinatës së tyre, i shohin si të gjalla këto personazhe dhe i ndjejnë shpirtërisht sikur të ishin me to. Shembujt e tillë interesantë, të zgjedhur me kujdes nga autori i librit në shqyrtim, e nxisin nxënësin, i shtojnë kërshërinë për punë e për dije.
3. Libri “Gjuha shqipe për klasën 12” i autorit Xhevat Lloshi, mund të kuptohet lehtë, ndaj është i përshtatshëm dhe i qëlluar për nxënësit e kësaj klase.
– VIII –
1. Në përmbyllje të këtij punimi mund të thuhet se librat e gramatikës që u përmendën këtu më sipër, janë të posaçme për secilën klasë; të hartuara sipas programit të ri shkollor në Kosovë. Autorët e këtyre librave, siç shihet nga puna e tyre, kanë trajtuar saktë e qartë e me kompetencë shkencore lëndën e gjuhës amtare për klasat përkatëse të shkollës fillore e asaj të mesme.
2. Shembujt për ilustrimin e njësive gramatikore që janë përdorur në këto libra, nuk janë kurdoherë të qëlluar, ndaj duhet të rishqyrtohen me rastin e ribotimit të librit përkatës.
3. Do të ishte me vlerë, mendoj, edhe rishqyrtimi i përmbajtjeve të programit mësimor përkitazi me lëndën e gjuhës shqipe në shkollat fillore e të mesme. Përmbajtja e këtij programi si dhe njësitë gjuhësore të përpiluara në librin e gramatikës së gjuhës amtare, duhet t’u përmbahen rregullave e ligjësive të gjuhës shqipe si dhe parimeve didaktike: sistematizimit, shkallëzimit, maturisë dhe radhitjes së lëndës mësimore.
Të gjithë shembujt ilustrativë, njësitë gramatikore, detyrat që u jepen nxënësve, duhet t’u përshtaten moshës së nxënësve, aftësive psikike të tyre.
Autorëve të librave në shqyrtim u dëshiroj sukses për punën e tyre shumë të mundimshme dhe për rezultatet e arritura, ndërsa vërejtjet dhe sugjerimet e mia përkitazi me këto libra, shpresoj se do të merren si qëllimmira.
Pozhar, më 8 gusht 2011

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura