Prishtinë, 19 mars 2019: (Dr. Jakup Krasniqi, Guxo ta duash Lirinë, “ Buzuku”, Prishtinë, 2011.)
Në nderim të historisë së UÇK-së
Opusi i botimeve në shqip, me literaturë nga fusha e publicistikës politike nga sot u pasurua edhe me librin, Guxo ta duash lirinë, të autorit Jakup Krasniqi, i cili, në rolin e historianit, publicistit vazhdon t’i sjellë publikut tonë botime të reja me interes. Në këtë kontekst, librat të cilat sot po i përurojmë, pra edhe libri, Guxo ta duash lirinë paraqet një qasje, një ballafaqim, stilistikisht më ndryshe në rrafshin e publicistikës politike shqiptare. Libri, Guxo ta duash lirinë, i ndarë në tre pjesë është i ndërtuar nga vështrime, trajtesa në të cilat ndriçohen ngjarje, zhvillime, personalitete të krenarisë shqiptare me në krye Adem Jasharin legjendar. Libri është thirrje për mendimin publicistik, politik shqiptar për ta gjurmuar, studiuar, shkruar objektivisht rrugën tonë kombëtare deri te liria dhe më shumë se kaq. Autori Krasniqi, duke qenë edhe vet protagonist, jo vetëm i historisë së guximit për ta dashur lirinë kombëtare, por, protagonist i bërjes së historisë së çlirimit nuk i përshkruan ngjarjet, zhvillimet nga këndi subjektiv, por mbi standardet e shkrimit objektiv, argumentues. Prandaj, në librin e tij, ndër të tjera vlerëson: ” …shkencëtari i vërtet dhe besnik i parimeve shkencore, duhet të shquhet për të vërtetën dhe objektivitetin, komponenta këto që i japin kuptim historisë”. Ky standard i shkrimit, i reflektimit publicistiko – politik për ngjarjet, zhvillimet kombëtare, të historisë së çlirimit me në ballë UÇK-në, të historisë së lirisë, pavarësisë dhe të shtet ndërtimit është gur themel i të gjitha shkrimeve në librin, Guxo ta duash lirinë.
Libri hapet me vështrimin për dimensionin historik të Lëvizjes Kombëtare për Çlirim për të vazhduar më tej me trajtesën me titull, Si lindi dhe si u rrit Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ku ndër të tjera jep vlerësimin se: ” Madje, UÇK-ja nuk është përpjekja e parë e popullit shqiptar të Kosovës për çlirim e bashkim kombëtar”. Është e qartë, z. Krasniqi, ndryshe një ndër themeluesit dhe zëdhënës historik i UÇK-së, nuk bën prerje të ngjarjeve historike, e mbron qëndrimin e tij për vazhdimësinë e historisë sonë kombëtare, pra edhe të rrugës së çlirimit, të guximit dhe detyrimit kombëtar për ta fituar dhe për ta merituar lirinë kombëtare. Duke shpalosur ndërsa, vlerësimet për rolin dhe idealet kombëtare të Lëvizjes Atdhetare për Çlirimin e Kosovës, autori konstaton faktin se : ” Objektiv i Lëvizjes sonë Kombëtare kurrë nuk ka qenë robërimi i të tjerëve, por ndreqja e padrejtësisë historike ndaj shqiptarëve”. Vizioni i tillë i Lëvizjes sonë Kombëtare, të cilin vizion e rithekson autori Krasniqi, pra, paqe jo vetëm për ne, deri dje të robëruar është dëshmi e shpirtit liridashës, fisnik, e shpirtit plot qytetërim të kombit tonë. Në vijim të pjesë së parë të librit, autori radhit trajtesat për personalitetet emblematike të historisë së rrugës së lirisë, Adem Jasharin – Komandant legjendar i UÇK-së, Tre heronjtë e Pestovës, I papërsëritshmi Komandant Kumanova, Ilaz Kodra, Rasim Kiçina, Abdullah Tahiri, Gursel e Bajram Sylejmani, e Agim Çela.
Thirrje për unitet në nivel kombëtar
Pjesa e dytë e librit, ka për tematikë ndriçimin e një varg temave historike, kombëtare, ndër të cilat veçojmë shkrimet: Luftimet në Grykën e Llapushnikut, Beteja për akset rrugore, Ta ruajmë fitoren si sytë e ballit, Vlerat e sakrificës sublime për pavarësi, Dje kufi i ndarjes, sot i bashkimit, në të cilën trajtesë publicistike, ndër të tjera Krasniqi i rikujton lexuesit se: ” Thyerja e kufirit, të vendosur padrejtësisht mes përmes shqiptarëve, ishte pjesë e programit tonë politik të çdo organizimi klandestin të pas Luftës së Dytë Botërore, ishte pjesë e Programit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”. Në të njëjtin kapitull të librit, gjejmë edhe vështrime polemizuese të autorit me pikëpamjet e shkruesve tjerë për ngjarjet dhe zhvillimet tona kombëtare bashkëkohore, ndër të cilat vështrime veçojmë shkrimin me titull, Historia nuk shkruhet me porosi!
Pjesa e tretë e librit, Guxo ta duash lirinë përfshinë analiza, vështrime, edhe polemizuese në rrafshin e mendimit politik shqiptar të kohës, në të cilat shkrime, z. Krasniqi me argumente dhe me guxim intelektual e mbron kauzën kombëtare të luftës çlirimtare me në krye Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duke kërkuar njëherazi, edhe në Kosovën e çliruar, shtet i pavarur unitet më të madh politik përbrenda faktorit politik shqiptar. Në këtë kuptim, në vështrimin me titull, Dhimbja jonë e madhe dhe heshtja, duke trajtuar çështjen e të zhdukurve, të burgosurve, robërve dhe qasjen ndaj luftës, autori bën thirrje, e cila thirrje e meriton respektin tonë qytetar edhe sot. Ai shkruan: ” Shqiptarët duhet të dinë se për të bërë politikë nuk duhet të jenë kooperativë vetëm me faktorin ndërkombëtar, por, para së gjithash duhet të bashkëpunojnë mes veti, duhet të jenë tolerant dhe fleksibil edhe vëllai me vëlla”. Kapitulli i tretë i librit përmbyllet me vështrimin nga fusha e mendimit historik dhe mban titullin: A duhet ndryshuar dhe a mund të ribëhet historia, sa jemi të përgatitur për këtë, temë kjo për të cilën autori i librit i jep pikëpamjet e tij. Gjithsesi, edhe nga përmbajtja e tre librave më të ri publicistiko – politik të autorit Krasniqi, del se, historia nuk zbulohet, ajo krijohet.
(Fjalë e autorit në përurimin e librit, Guxo ta duash Lirinë, autor, Dr. Jakup Krasniqi)
____________________
“Guxo ta duash lirinë” libër historik me Autor Dr. Jakup Krasniqi. Shtëpia botuese: “Buzuku”. Viti i botimit 2011. Faqet e librit 192. ISBN 978-9951-08-152-8
“Baza e të gjitha vlerave të Kosovës së re qëndron në gjakun e derdhur për liri. Ky gjak përbën krenarinë tonë, sepse është themeli i Kosovës së lirë e të pavarur, ai përbën njëkohësiht një detyrim për ndëtimin dhe forcimin e atdheut ashtu siç e ëndërronin dëshmorët, ashtu siç na lanë amanetin e fundit. Në saj të këtij gjaku, populli i Kosovës sot jeton i lirë dhe dinjitoz, fëmijët e saj rriten të gëzuar e pa frikën nga terrori barbar. Dëshmorët ua falën lumturinë brezave, por siguruan edhe për veten e tyre lumturinë e amshueshme të shkallës më të përsosur. Mbi themelet e këtij gjaku ne po ndërtojmë shtetin modern e demokratik të Kosovës, atdheun e lirë e të përbashkët të të gjithë qytetarëve të tij të barabartë. Në saj të këtij gjaku ne sot kemi miq anekënd botës, të cilët jo vetëm e njohën e po e njohin shtetin e pavarur dhe sovran, por edhe po e mbështesin çdo ditë ndërtimin e tij, forcimin e tij, ngritjen e një jete të re më të mirë në Kosovë.” wikipedia/
Dr. Jakup Krasniqi