PROF.Dr. SHEFQET HOXHA: SI U HAP SHKOLLA E PARË SHQIPE NË KOLESJAN TË LUMËS, MË 14 TETOR 1911

Pashtriku.org, 11. 02. 2014 – “Më 28 gusht 1911 Riza Spahiu mori në dorë urdhërin 958 të firmosur nga zv. kajmekami i Lumës, myftiu Galib, i cili e konfirmonte mësues në shkollën fillore turke të katundit Kolesjan me rrogë të përmuajshme 2 lira turke. Shkollën e mori në dorëzim një ish mësues i tij, sheh Ali Bojdani, i cili u transferua në Surroj. Shkollën turke të Kolesjanit mësues Rizai e shndërroi në mësonjëtore shqipe dhe kjo është ndër më të hershmet në malësitë e Veriut.”
Përpjekjet për shkrimin e mësimin e gjuhës shqipe në krahinat e Kukësit janë këndellur në kapërcyell të shek. XX, së bashku me luftërat për liri e çlirim kombëtar. Në atë kohë u kapërthyen përkrahësit e alfabetit arab me ithtarët e alfabetit latin. Të parët – sipas kërkimeve të mia – qenë ndikuar më shumë nga Tetova, të dytët nga Prizreni, sepse aty qe hapur edhe një shkollë shqipe (1889) dhe praktikohej alfabeti me bazë germat latine. Në këte shkollë patën dhënë mësim mësuesit patriotë Mati Logareci e Lazër Lumezi (1870-1941), i cili pat bërë shumë për trrânimin e idesë së shkrimit të shqipes edhe në Lumë me alfabetin latin, sepse kemi të dhëna që dëshmojnë se edhe pas Lidhjes së Prizrenit (1878-1881) në rrethe të ngushta fetare e familjare në këte krahinë është përdorur alfabeti arab për të shkruar shqipen. Kjo është e kuptueshme, sepse sapo qe themeluar “Shoqëria e të shtypurit shkronja shqip” në Stamboll (1879) dhe do të duhej ende disa kohë për të ardhur te Kongresi i Manastirit (1908), i cili përpunoi alfabetin që përdorim sot.

Lazër Lumezi dhe Mati Logareci

Dëshmi e shkrimit të shqipes në Lumë me alfabetin arab është një dorëshkrim me këngë fetare që ruhej në teqen e Fshatit, gjegjësisht në shtëpinë e mësuesit të ndjerë Ali Shehu, ku mbaheshin edhe libra e dorëshkrime në turqisht e arabisht. Përmbledhja me këngë është një fletore me përmasat 20 cm x 10 cm x 1 cm, veshur me një kopertinë lëkure ngjyrë kafeje. Ajo ka gjithsej 101 fletë, ku janë shënuar 181 këngë fetare (ilahi e gazele) shkruar në turqisht, arabisht e shqip (me shkronja të alfabetit arab). Këngët shqipe janë pesë e titullohen: Me ballin mejdan; E ndëgo fakirin; Lumtna për perendin; Shka a keshtu qí po hait; Jezidi, o biri i Meavijes. Të pesë këngët kanë 99 vargje. Në një anëshkrim në faqen 118 është shënuar: “Zotnuesi për hajrat Sheh Sali efendi nga katundi Fshat. Në fund të faqes 142 jepet viti rumi 1301 (=1884), por regjistrimi i këngëve vijon edhe më dhe kjo tregon se përmbledhja mund t’i përkasë edhe një kohe më të vonë, por kjo nuk kalon fundin e shek. XIX.
Ndër krahinat që përbënin mytesarrifllëkun e Prizrenit ka qenë edhe Luma, vis tejet malor e me zhvillim të pakët arsimor. Në vitin 1898 në kazanë e Lumës, sipas burimeve osmane, kishte 13 mejtepe turke, që i frekuentonin mbi 400 djem e vajza. Numri i pakët i shkollave dhe i nxënësve – sipas Portës së Lartë – ishte shkaku i egërsisë dhe i mosbindjes së lumjanëve ndaj Stambollit, prandaj, në kundërshtim me rrymën patriotike shqiptare, në fillim të shek. XX, administrata osmane hapi në Lumë shkolla fetare turke katërklasëshe. Nismëtar për hapjen e tyre përflitet kleriku i njohur Sulejman Laçi (1856-1937), i shkolluar në Stamboll, që shërbente si nasi (këshilltar) për arsimin në administratën e sanxhakut të Prizrenit. Ky qe njeri i ditur dhe dashamirës i krahinës së tij, me formim të ngulët islam dhe kundërshtar i shkrimit të shqipes me alfabetin latin.
Në vitet 1901-1912 në Lumë qenë hapur 12 shkolla turke në katundet Bicaj, Kolesjan, Lusën, Fshat, Vilë, Brekijë, Shtiqën, Bardhoc, Surroj, Ujmisht, Zhur e Arrën, ku patën dhënë mësim 22 mësues. Në to mësoheshin, kryesisht, lëndë fetare dhe gjuhët turke e arabe. Programi nuk përmbante njohuri për gjuhën shqipe, megjithatë shërbeu për të zdritur mendjet e lumjanëve, të cilët tradicionalisht nxinin në shkollën e jetës dhe në odat e burrave. Por ata qenë të shëtitur, pse i binin kryq e tërthor gadishujve të Ballkanit dhe të Anadollit si blegtorë, tregtarë e çapaxhinj. Në krahinë nuk mungonin klerikë të shkolluar në Prizren, Shkup, Selanik e Stamboll. Ndërkaq, në kapërcyell e të shek. XX shumë mejtepistë lumjanë vijuan mësimet nëpër medresetë jashtë krahinës dhe më pas bënë emër, pse iu përkushtuan veç fesë islame edhe lëvizjes kombëtare shqiptare. Ndër më të njohurit kanë qenë Riza Spahiu (1891-1974), sheh Ali Bojdani (1880-1968), Jonuz Jakup Hoxha (1890-1972), Bajram Sadik Halilaj, Nuz Daci etj.

– Qafa e Kolesjanit –

Me emrat e katër të parëve është e lidhur lëvizja për shkrimin e shqipes me alfabetin latin dhe hapjen e shkollës së parë shqipe në Kolesjan të Lumës, më 14 tetor 1911. Dy qenë faktorët relevantë që çuan në arritjen e këtyre objektivave: kryengritjet e padame të lumjanëve në dhjetëvjetshin e parë të shek. XX dhe veprimtaria patriotike e “Komitetit a Shoqërisë për lirinë e Shqipërisë” themeluar në nëntor 1905 në Manastir“ për të ngjallurit e Shqipërisë, duke mbjellë vëllazërinë, dashurinë, bashkimin e duke përhapur udhën e qytetërimit me anë të librave që do të shtypen, si dhe duke dërguar njerëz nëpër të gjithë anët e Shqipërisë që të mbjellin këto mendime”.
Në një raport austro-hungarez për Vjenën nga Shkupi (1 maj 1906) thuhet se “njerëzit që dërgoi Shoqëria prej Dibre në Lumë kanë fituar shumë anëtarë në këte krahinë më të prapambetur e më të egër të Shqipërisë së Veriut”. Nën ndikimin e kësaj shoqërie qe tubuar një kuvend patriotik në teqen e Bicajt (22 shkurt 1910) dhe qe hapur një klub patriotik në katundin Ploshtan (1912). Një ndër shartet e besës së lidhur në kuvendin e Bicajt thoshte: “Mos me pranue me shkrue shqipen me shkronja arabe” që e pat formuluar kleriku i ri patriot Sheh Ali Bojdani që gjithë jetën pat si moto “Fe e atdhe janë nji e të pandamë”.
Në këte kohë lufta midis përkrahësve të dy alfabeteve, arab dhe latinë qe shtrirë edhe në Lumë. Përkrahësit e alfabetit arab dashje a pa dashje i shërbenin rrymës antikombëtare dhe ndër ta qe edhe kleriku tetovar, Rexhep Xhudiu (alias Voka), myfti i vilajetit të Manastirit (1903), dhëndër në Brekijë, pra me ndikim në Lumë. Ky pat hartuar një alfabet për shqipen me 44 germa huajtur nga alfabeti arab.
Këtij kleriku dhe alfabetit të tij i qe kundërvënë edhe një hoxhë i ri atdhetar bicjan, Jonuz Jakup Hoxha, i cili kish kryer studimet e mesme në një medresé në Prizren dhe kish ndjekur një kurs mësuesie në gjimnazin e Shkupit, ku jepnin mësim edhe patriotët Bedri Pejani e Sali Gjaka (1908). Në një takim që kish pasur me kursistët shqiptarë të atij gjimnazi, deputeti i Parlamentit Osman, Hasan Prishtina, i kish porositur të hapnin shkolla shqipe në viset e tyre dhe të shkruanin shqipen me alfabetin e Stambollit. Si u kthye në vendlindje, Jonuz Hoxha u emërua mësues në mejtepin katërvjeçar të Bicajt dhe gjatë vitit shkollor 1908-1909 u rrek t’u mësojë nxënësve alfabetin e Stambollit, por u diktua nga dashakeqës vendës dhe nga administrata osmane e kazasë me kajmekam Hysen Faikun, që mendonin se “pranimi i shkrojave latine ishte rrezik edhe për fenë islame”.
Sipas një studiuesi, “nxënësit e mejtepit (e prindërit e tyre) i kishin pëlqyer shumë shkronjat latine dhe nisën t’i përvetësojnë shpejt”, por fanatikët e visit thërrasin një kuvend dhe vendosin t’i konfiskojnë abetaret t’i djegin shtëpinë mësuesit patriot dhe të jatin e tij e etiketojnë “kavrri i madh i Lumës”, ndërsa të birin “hoxhë llatini”.

Haxhi Ymer Lutfi Paçarizi (1870 – 1928)

Ky akt barbar u realizua më 25 gusht 1909, në pragun e hyrjes së forcave të Xhavit Pashës në Lumë dhe ngjalli urrejtjen e banorëve dhe të forcave patriotike të krahinës, të cilat, në fillim të shtatorit, sulmuan taborret turke në Qafë të Kolesjanit, i thyen ato, dogjën këshllanë në Bicaj, përzunë administratën osmane të kazasë dhe u hakmorën me zjarr mbi bashkëpunëtorët e armikut, që kishin djegur shtëpinë e mësuesit.
Një pasardhës i Jonuz Hoxhës e pat glorifikuar aktin e tij me një poezi që përfundon me vargjet:
“Plang e shpi un’ do t’i kalli,
gjuhën shqipe do ta ngjalli…”
Dhe, vërtet, puna e nisur nga Jonuz Hoxha, nuk reshti, u vijua nga dy kolegë të tij, klerikë të rinj, Sheh Ali Bojdani e Riza Islam Spahiu. I pari solli në Lumë abetaret shqipe, i dyti hapi shkollën e Kolesjanit, më 14 tetor 1911.
Ka shkruar Sheh Ali Bojdani: “Të parën abetare shqipe me gërma latine e kam sjellë unë në Bicaj më 1910. Atë vit qeveria i mblodhi mësuesit e vilajetit në Shkup për nji kurs pedagogjik. …Në Shkup unë po kërkojshem me ble libra turqisht që flitshin për Shqipninë, por edhe libra shqip. Këto libra shiteshin ashiqare… Nji shok më kallëzoi nji dyqan të vogël, ku kishte libra shqip… Zuna miqësi me të zotin, i cili më fali për kujtim nji abetare… dhe germat latine m’i mësoi Gjon Shiroka që kishte çelë në Bicaj nji bakallhane…”
Këte të dhënë e plotëson Riza Spahiu: “Në kohë të pushimeve shkollore – ka shkruar ai – unë bisedova shtruar me ish mësuesin tim, sheh Ali Bojdanin; megjithëse ai nuk kish njohuri për germat latine, e desh shumë gjuhën shqipe, se ish njeri përparimtar e i vendosur për çështjen kombëtare.
– Unë gjej njerëz besnikë që të tërheqin çdo lloj libri në gjuhën shqipe me anë të tregtarëve Shirokas të Prizrenit – më tha ai.
Kështu, më lindi ideja dhe dëshira e zjarrtë që të bëhesha propagandist dhe përkrahës i gjuhës sonë, të bëhesha mësues në fshatin tim të lindjes, në Kolesjan” – përfundon Rizai – dhe dëshira e tij u plotësua.
Më 28 gusht 1911 Riza Spahiu mori në dorë urdhërin 958 të firmosur nga zv. kajmekami i Lumës, myftiu Galib, i cili e konfirmonte mësues në shkollën fillore turke të katundit Kolesjan me rrogë të përmuajshme 2 lira turke. Shkollën e mori në dorëzim një ish mësues i tij, sheh Ali Bojdani, i cili u transferua në Surroj.Shkollën turke të Kolesjanit mësues Rizai e shndërroi në mësonjëtore shqipe dhe kjo është ndër më të hershmet në malësitë e Veriut.
2. Riza Spahiu pat lindur në Kolesjan, më 3 mars 1891, në një familje patriotike. I ati i tij, Islami, kish fituar emër në Lumë si patriot. Pasi mbaroi mejtepin e fshatit, në vitet 1905-1910; ai ndoqi mësimet në një medrese turke të Prizrenit. Mësuesi patriot Lazër Lumezi i mësoi alfabetin e Stambollit dhe kjo e ndihmoi të lexojë veprat e Naimit, Samiut, Pashko Vasës etj. Si kreu edhe një kurs pedagogjik në Shkup, u kthye në vendlindje dhe aty nisi t’u mësojë bashkëvendësve gjuhën shqipe. “Sa shpejt e sa me gëzim mësojshin në gjuhën tonë nxënësit e mi malësorë, sa me zjarr i këndojshin këngët patriotike të rilindësve të mëdhenj, që dëgjoheshin me lot në sy nga malësorët e Kolesjanit dhe nga baba Lam, me emrin e të cilëve lidhet kjo shkollë fillore kombëtare” – do të tregonte më vonë Rizai.
Në vitin e parë pat 15 nxënës.
Gjatë viteve 1911-1921, vite të rënda për kombin, Riza Spahiu, megjithëse ndiqet e përndiqet, arrestohet e internohet, nuk i shmanget detyrës së mësuesit si rilindës i vërtetë. Madje edhe lufton me armë kundër bandave esadiste dhe frymëzuesve të tyre, shovinistëve serbomëdhenj.

Lëvizja e ashtuquajtur kombëtare e viteve 1922-1924 e thith edhe mësues Rizain, që bashkëpunon me figura të njohura kosovare (Niman Ferizi, Ferid Imami, Qazim Bakalli etj.) për zgjedhjen e Avni Rustemit si asamblist i prefekturës së Kosovës (dhjetor 1923). Në tetor 1922 qe ndër organizatorët e protestës para Komisionit Ndërkombëtar të kufijve. Më 29.4.1924 pat mbajtur një fjalë të thekshme për vdekjen e Avni Rustemit.
Gjatë viteve 1926-1951 Riza Spahiu punoi si mësues në gjirin e bashkëfshatarëve të tij, me të cilët pat marrëdhënie të shkëlqyëra, duke u mësuar gjuhën shqipe ditën dhe natën, duke u qarë hallet dhe duke formësuar një traditë shkollore, të cilën brezat e mëvonshëm e shfrytëzuan dhe e çuan më tej.
Mësues Rizai la pak shkrime, të cilat gjënden në një fletore xhepi që ka në mbulojë titullin “Komente kombëtare e atdhetare”, si dhe disa krijime poetike pa pretendime letrare të shprehura me ndjenjë e me shpirt patrioti. Punën e tij e karakterizonte serioziteti dhe këmbëngulja, dashuria për profesionin, për nxënësit e për prindërit, si dhe kërkesat ndaj vetes e ndaj të tjerëve. Pat punuar pothuaj vazhdimisht me klasa të bashkuara dhe pat konceptuar një metodikë vetjake të përshtatshme për to.
Dashuria dhe pasioni i madh për punën, për dijen e përparimin, ndërgjegjja e lartë, shpirti krijues, metodat e mësimdhënies relativisht të zgjedhura për kohën, bënë që nxënësit e mësues Rizait, në kushte të pabarabarta me ata të disa shkollave të tjera, jo vetëm të mos ishin më të mangët, por në ndonjë lëndë e pjesë programi edhe të dalloheshin. Kjo gjë duhet të obligojë mësuesit e nxënësit e sotëm të shkollës së Kolesjanit e më gjerë që ta vazhdojnë e ta thellojnë atë traditë që ka parësore përkushtimin ndaj fshatit, atdheut e demokracisë.
Kjo është arsyeja që emri i Riza Spahiut nuk ka vdekur e nuk do të vdesë kurrë.
3. Historia 100-vjeçare e shkollës shqipe në krahinat e Kukësit është komplekse, me ngjitje-zbritje e me zigzage në përshtatje me rrethanat përkatëse historike. Në këto 100 vjetët e fundit kemi përjetuar shtypjen e huaj dhe çlirimin kombëtar, përpjekjet për krijimin dhe konsolidimin e shtetit, rezistencën kundër pushtuesit, diktaturën komuniste dhe po jetojmë ditët e demokracisë pluraliste. Në çdonjërën prej këtyre periudhave kanë gjalluar sisteme politike, filozofike, ekonomike e arsimore të ndryshme. Jashtë ndikimit të tyre nuk ka mbetur edhe shkolla…, por misioni i saj: ndriçimi i mendjes së njerëzve dhe dashuria për atdheun nuk janë lëkundur asnjëherë.
Në dhjetëvjeçarin e dytë të shek. XX, Luma qe në prag të një honi. U vu në pikëpyetje ekzistenca e kombit dhe e shtetit, po shkolla e parë shqipe, ajo e Kolesjanit, megjithëse rrëshânas, vijoi si shkollë kaçake për hir të këmbënguljes së mësuesit, përkrahjes së fshatit dhe të kreut të Spahieve, Islamit.
Në këto vite qe hapur edhe në Bicaj një shkollë shqipe (18 tetor 1914-qershor 1915) me mësues prizrenasin Ibrahim Gota nën kujdesin e patriotit Hasan Prishtina, i cili së bashku me Bajram Currin tentuan për të yshtur rishikimin e vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve dhe për të çliruar Kosovën. (shkurt 1915). Në vitin 1916 qe hapur edhe një shkollë nate në Zhur. Po në këte vit shkolla e Kolesjanit dha frytin e parë: pesë nxënës të saj përfunduan mësimet e filluara më 1911. Kjo datë është gur kilometrik në historinë e arsimit të krahinave të Kukësit.
4. Në vorbullën e ngjarjeve politike të viteve 1920-1924 në ish prefekturën e Kosovës ngallojnë tri shartesa: a) shpirti patriotik i kuksianëve në mbrojtje të trojeve shqiptare të grabitura nga shovinistët fqinj, shprehur në metingun e 15 tetorit 1922 para Komisionit Ndërkombëtar të Kufijve; b) inkuadrimi i intelektualëve e mësuesve të Visit, shumica kosovarë, në lëvizjen keshe progresiste të kohës për demokratizimin e jetës së vendit, e cila i ndau kuksianët në përkrahës e kundërshtarë të kryengritjes së qershorit (1924) që në të vërtetë qe një “coup d’etat” kundër pushtetit të zgjedhur me votë të lirë; c) përpjekja për jetësimin e vendimeve historike të kongreseve arsimore të Lushnjës (5.8.1920) dhe të Tiranës (22.7.1922) për konsolidimin e shkollës kombëtare, përmirësimin e sistemit dhe të përmbajtjes së programit e të lëndëve mësimore, aplikimin e metodës analitiko-sintetike, përfshirjen e mësimeve të moralit e të njohurive qytetare, zbatimin e parimit didaktik të konkretizimit etj. etj.
Në këto vite u zgjerua rrjeti i shkollave. Në vitin 1922 u hapën mësonjëtoret e Bicajt, Shtiqnit, Ploshtanit, Kalisit, Krumës, Golajt, Bujanit; në vitin 1923-shkollat e Kukësit, Dukagjinit dhe internati “Kosova” në Kolgecaj; më 1924 shkolla e Shishtavecit. U shpaluan përpjekjet e pleqësive të katundeve për ndërtimin e lokaleve shkollore dhe pajisjen e tyre me orendi e mjete mësimore. Për herë të parë në vitin 1922 u regjistruan në shkollën e Kolesjanit 3 vajza. Dy shoqata arsimore qenë formuar “Dobia” në Bicaj dhe “Shkëlzeni” në Krumë (1923).
Për arsye të elektrizimit të situatës politike që çoi deri në konfrontim me armë, politizimit të tejskajshëm të mësuesve dhe të nxënësve, kushteve të vështira për mësim (mungesë lokalesh e të bazës materiale) cilësia e punës mësimore dhe rezultatet e saj nuk qenë të kënaqshme, edhe pse pat arsimtarë të përkushtuar, si Niman Ferizi “Mësues i Popullit”, Ferid Imami e Riza Spahiu “Mësues të merituar”, Kel Vela etj.

Abetarja shqipe me shkronja arabe e Daut Boriçit

5. Periudha 15-vjeçare e sundimit të Zogut, si President Republike dhe si Mbret (1925-1939), shënon disa arritje në fushën e arsimit: u zgjerua mjeti i shkollave fillore, u hapën kurse për të rritur, u përmirësua cilësia e dhënies së mësimit dhe u përgatitën kuadro cilësorë vendës.
Midis viteve 1926-1938 u hapën në rrethin e Kukësit shkolla fillore në Ujmisht (1926); Gjinaj, Zapod, Fshat (1927); Borje (1928); Surroj (1932), Lusën (1935), Topojan (1936); Kollovoz, Oreshkë (1933), Letaj (1938). Më 1938 prefektura e Kosovës (Lumë, Has, Tropojë) ka pasur 30 shkolla fillore (ndër to dy qytetëse) dhe 46 mësues (ndër ta edhe 3 mësuese).
Në vitin 1938 qenë hapur edhe 2 kurse për të rritur, një për burra e një për gra, me 59 kursistë (prej tyre 32 femra).
Me që në ato vite numri i mësuesve me arsim përkatës u rrit, edhe cilësia e dhënies së mësimit u përmirësua. Në shkollat e Kukësit dhanë mësim mësues të talentuar e të përkushtuar si Ahmet Imami, Muharrem e Presifoni Musa, Ibrahim Kolçi, Rexhep Shpendi “Mësues i Popullit”, Ymer Berisha, Ibrahim Riza etj,. si dhe shumë mësues vendës të përgatitur në shkollën normale të Elbasanit e gjetkë: Beqir Spahiu “Mësues i Popullit”, Qamil Hoxha, Xhafer Korbi, Rifat Spahiu, Rakip Domi, Vehap Muja “Mësues i merituar”, Ramadan Mehmetaj, Rifat Domi, Mexhit Dollovishti, Islam Axhami, Shyqyri Bulica. Këta mësues punuan me ndërgjegje të lartë për formimin kulturor e atdhetar të nxënësve, aplikuan metoda racionale mësimore, si konkretizimin, ekskursionet me tematikë të caktuara, u aktivizuan në aksionin kombëtar të mbledhjes dhe botimit të folklorit, botuan artikuj në shtypin e kohës etj.
Edhe kundër vështirësive të kohës, koncepteve frenuese e konservatore të mjedisit, shkollat në periudhën e Zogut qenë qeliza të njëmendta iluministe, emancipuese, atdhetare dhe mësuesit figura të dashura për popullin dhe të përkushtuara për atdheun.
6. Gjatë Luftës së Dytë Botërore arsimi në rrethin e Kukësit pësoi rënie edhe pse pat drejtues eminentë si Beqir Spahiu, Shaban Arra e Muharrem Musa; u mbyllën disa shkolla për mungesë mësuesish e lokalesh, pasojë e pushtimit të vëndit, i cili preku thellë ndjenjat kombëtare të mësimdhënësve, të prindërve dhe të nxënësve dhe fashiti zellin e tyre për punë.
Përndryshe, pas Luftës Italo-Jugosllave të prillit 1941 dhe bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, krahinat e Kukësit u gjallëruan ekonomikisht, pse frekuentonin tregun e Prizrenit. Për shumëkënd bashkimi i pjesës më të madhe të Kosovës me shtetin e cunguar të 1913-ës, ngjalli besimin e realizimit të ëndrrës për një Shqipëri etnike. Shumë kuksianë të shkolluar e gjysmë të shkolluar shkuan në Kosovë dhe u inkuadruan në administratën shqiptare të atjeshme. Patën shkuar atje edhe djem të rinj për të vazhduar mësimet në shkollat e mesme në Prizren e Prishtinë, si dhe mësuesit: Beqir Spahiu, Ramadan Mehmetaj, Miftar Spahiu, Qamil Hoxha, Rrahman Palushi, Lutfi Zyberaj, Abdulla Hoxha, Mexhit Dollovishti, Vehap Muja, Rifat Spahiu, Shyqri Bulica, Hysni Din Hoxha, Ahmet Çashifi, Muharrem e Persifoni Musa dhe shembullin e tyre do ta ndiqnin në vitet 1945-1948 edhe Abdyrrahim Hoxha, Safet Hoxha, Emërli Shehu. Këta mësues bënë shumë për të fuqizuan patriotizmin dhe për të shkolluar popullin shqiptar të Kosovës.
Në Kosovë bënë emër sidomos Beqir Spahiu, (dëshmor i atdheut), i cili me cilësinë e inspektorit të arsimit për prefekturën e Prizrenit qe bashkëthemelues i një Qendre të Vogël studimesh kosovare (janar 1943), si dhe Ramadan Mehmetaj që u rrek të provojë metodën globale të Marie Montesorit në Kabash të Prizrenit.
7. Gjatë viteve të sundimit komunist (1945-1990) në rrethin e Kukësit u krijua sistemi parashkollor, arsimi fillor u shtri në të gjithë fshatrat dhe u përfshinë në te fëmijët e moshës 6-7 vjeçare, u ngritën disa shkolla unike që u bashkuan më vonë me ciklin fillor dhe u emërtuan shkolla 7 e 8 vjeçare (sot 9 vjeçare), u hapën disa shkolla të mesme dhe një filial i arsimit të lartë (që qe paraprirë nga një qendër konsultimi dhe provimi). Qe bërë një punë e zellshme për të luftuar analfabetizmin në moshat deri 40-vjeç etj.
Më 24 prill 1946 u hap në Kukës kopshti i parë i fëmijëve me edukatore Persifoni Musën: Mësuese merituar. Më vonë rrjeti i kopshteve u shtri edhe në fshat.
Në tetor 1945, në qytetin e Kukësit hapi dyert shkolla e parë unike me drejtues Tef Kuqanin dhe në dhjetor 1946 u çel edhe në Bicaj një shkollë e tillë me dy klasa, I dhe të II me 59 nxënës, ku dhanë mësim Sabri Repishti e Nush Tukja. Në vitet 1947 e 1948 shkolla unike u hapën edhe në fshatrat Ploshtan, Krumë, Zapod e Gostil. Këto shkolla qenë 3 klasëshe, gjysmë të mesme. Për të siguruar kontigjentin e nxënësve për shkollën unike të Kukësit, në vitin 1945 u ngrit në këte qytet edhe një konvikt me edukatore Kimete Bozhigradin.
Gjimnazi i parë në Kukës u hap më 1 shtator 1956, me 42 nxënës. Drejtor i parë qe Burhan Hoti. Deri në vitin 1981 qenë hapur 14 shkolla të mesme, shumica me profil bujqësor (Bushtricë, Fshat, Shtiqën, Shishtavec, Kalis, Bardhoc, Topojan, Zapod, Resk Surroj, Shëmri). Në Gostil qe hapur një degë zooteknie, në Bicaj – dega e agronomisë dhe e arsimit të përgjithshëm. Shkolla e Kukësit qe shumëdegëshe, dhe ndër vite pat edhe degë pedagogjike (në vitin 1961 qe hapë një pedagogjike dyvjeçare në vitet 1971-1977 ajo qe 4-vjeçare). Një degë muzike qe hapur në vitin 1984. Ndër vite në Kukës ka pasur edhe shkolla të ulëta profesionale, si dhe shkolla pa shkëputje nga puna, të mbrëmjes dhe me korrespondencë.
Në shtator 1968 u hap në Kukës një qendër konsultimi dhe provimi në varësi nga Universiteti i Tiranës, e cila dy vjet më vonë u shndërrua në filial të Institutit Pedagogjik të Shkodrës, ku u diplomuan mësues të gjuhë – letërsisë dhe histori-gjeografisë.
Por, përkundër kësaj shtrirjeje të shkollës, në vitet e diktaturës qe rrudhur përmbajtja dhe politizuar te s’vete shkolla. Qëllimi i saj ishte fokusuar në përgatitjen e “njeriut të ri”, i aftë t’i shërbente sistemit socialist. Pas viteve 70, sistemi shkollor qe konceptuar si një trekëndësh: mësim-punë prodhuese-edukim fizik e ushtarak. Në planet mësimore vfendin kryesor e zinin lëndët politiko-shoqërore, por edhe lëndët e tjera duhet të përshkoheshin nga boshti ideologjik që nënkuptonte: studimin drejtpërdrejt të marksizëm-leninizmit; përshkimin e të gjitha lëndëve nga filozofia marksiste-leniniste dhe lidhja e shkollës me praktikën revolucionare. Prandaj edhe mësuesi qe cilësuar komisar i kuq.
Në ato vite pqenëat tri kategori mësuesish: të indoktrinuarit tej mase dhe të përkushtuarit me bindje ndaj regjimit; mësuesit misionarë që me ndershmëri e me zell bënë gjithçka për të përgatitur brezin e ri me dije, me kulturë e me atdhetari, edhe pse në kushte tejet të vështira ekonomike e politike; mësues armiq të regjimit diktatorial, që u linçuan politikisht dhe u larguan nga detyra si të papërshtatshëm ose që përfunduan nën shpatën e diktaturës të proletariatit si: Havzi Nela “Nderi i Kombit”, Ramadan Mehmetaj, Xhafer Korbi, Qamil Hoxha, Emërli Shehu, Zenel Domi, Islam Riza Spahiu, Esat Elezi, Avdi Gjana, Visar Zhiti, Xhevat Gjana, Shefqet Gjana, Qemal Gashi, Enver Spahiu, Zaim Hoxha, Fadil Hoxha.
8. Me rrëzimin e sistemit komunist nisi një periudhë e re me një frymëmarrje të vërtetë edhe për arsimin dhe shkollën, por jo pa vështirësi e pengesa që solli tranzicioni.
Në lëvizjen për rrëzimin e sistemit komunist dhe vendosjen e demokracisë pluraliste dhanë ndihmesën e tyre edhe mësuesit e rrethit të Kukësit, të cilëve, më pastaj, do t’iu duhej që në përshtatje me transformimet politike, ekonomike e shoqërore, të transformonin veten dhe shkollën në të gjithë komponentët dhe kurikulat e saj.
Sot në rrethin e Kukësit funksionojnë 49 kopshte me 1825 fëmijë e 103 edukatore, 41 shkolla 9-vjeçare me 9921 nxënës e 614 mësues, 10 shkolla të mesme me 2576 nxënës e 122 mësues, një filial i Universitetit të Tiranës me tri degë: ekonomi-biznes, anglisht e infermieri. Është shtrirë sistemi i internetit, po vazhdon të përmirësohet baza materialo-mësimore, po forcohet cilësisht kuadri mësimdhënës dhe është shtuar numri i nxënësve konviktore.
Vështirësitë që solli lëvizja e popullsisë dhe largimi i mësuesve, rikompozimi i shkollave, modernizimi i teksteve, futja e alterteksteve etj. janë duke u tejkaluar. Kujdesi për mësuesin ka ardhur duke u rritur me ngritjen e rrogave dhe me përmirësimin e lëvizjes së tyre, etj.
Tani ka ardhur koha që arsimtarët të justifikojnë kujdesin e qeverisë demokratike ndaj tyre, të bëhen misionarë të vërtetë, të mbajnë lart emrin “mësues”. Cilësia mbi të gjitha – kjo është detyra kryesore që shtron koha para shkollës e para mësuesve. Le ta arrijmë këtë! (Kukës, 14 tetor 2011)

Total
1
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura
Read More

XHORXH GORDON BAJRONI

Me rastin e 200-vjetorit të vdekjes XHORXH GORDON BAJRONI Nga Xhelal Zejneli                                           Xhroxh Gordon Bajroni (George Gordon…