E PAMPOSHTURA

E PAMPOSHTURA

Nga Margarita Syziu, Pashtriku 08 Tetor 2022

Për veprimtaren e shquar në çështjen e lirisë së Kosovës, për poeten, publicisten, për nënën e dedikuar, për gruan e pamposhtur, Elife Luzhën.

Edhe në këtë shkrim, para së gjithash do të falënderoj dy miqtë e mi të shtrenjtë Mehmet Hajrizi dhe Haxhere Hajrizi që më njohën me këtë grua të jashtëzakonshme.

Më goditën menjëherë vargjet e saj:

Mos ma vrisni lotin

Gjithë thellësinë e shpirtit kam aty

Njerëz mos ma vrisni lotin

Se më vrisni përgjithnjë

Elife Luzha është gruaja e heshtur, por me një zë të fuqishëm në Kosovë edhe më gjerë. U lind më 10 prill 1966 në Begracë të Kaçanikut. U rrit jetime, pa baba, por me një dashuri e përkujdesje shumë të madhe nga nëna e saj. Ciklin e ulët të shkollës e kreu në fshatin e lindjes, ndërsa gjimnazin e filloi në Kaçanik, të cilin nuk e përfundoi për arsyet politike.

„Nuk e pata menduar që duarve të njoma të rinisë së hershme, do t’u hiqej libri e do t’u viheshin hekurat e burgut, dhe qiellin e bukur të Kosovës do ta shihja nga dritaret e ngushta të qelisë“ – do të shkruante Elifja në parathënien e librit të saj, „Falë i qofshim Kosovës“.

Ajo u rrit në një familje që i kishte provuar në kurriz vuajtjet dhe torturat e kryera nga bandat kriminale serbe. Fëmijëria e saj u mbars me tregimet e gjyshit për vuajtjet dhe torturat e përjetuara nga Rankoviqi dhe banda e tij kriminale, si dhe tregimet e nënës e cila dëgjonte në dhimbje në anën tjetër të murit të shkollës, rënkimet e babait të saj që torturohej nga kriminelët serbë.

Edhe pse akoma fëmijë, ajo filloi të ndërgjegjësohej se rruga për çlirimin e Kosovës nga pushtuesi serb, do të ishte e mundimshme dhe me shumë sakrifica. Bashkë me vëllezërit e saj Kadri e Ibush Luzha, u aktivizuan në lëvizjen kombëtare për çlirimin e Kosovës. Në atë kohë lindi dhe poezia e saj me fjalën e bukur shqipe. Poezia udhëtonte bashkë me Elifen në rrugën e vështirë të çlirimit, duke mbajtur fort njëra-tjetrën e duke u rritur me njëra-tjetrën.

Këto rrëfejza jete

Gdhendur i kam me timen frymë

Unë bijë dardane me origjinë

E gjakut të fisëm ilir

***

Demonstratat e 5 Majit në Kaçanik në vitin 1981 treguan gjithë urrejtjen e mbledhur për pushtuesin serb. Ishte zëri i të parëve që i thërriste:

Kaçaniku shkëmb e gur,

Vritet e pritet për flamur…

Elifja ishte njëra nga pjesëmarrëset më aktive në këto demonstrata. E përjashtuan nga shkolla bashkë me të vëllanë, Kadri Luzhën, i cili ishte në vitin e fundit të gjimnazit, ndërsa Elifja sa kishte mbaruar vitin e parë. Por kjo nuk e trembi, përkundrazi e bëri më të fortë. Ishte vetëm 15 vjeçe kur e dënuan si të mitur me 15 ditë burg, në burgun e Mitrovicës. E dënoi fqinji i saj.  Por nuk do ta pësonte vetëm Elifja. Do ta pësonte e gjithë familja, pa kursyer as nënën.

Të gjitha këto përjetime sa të dhimbshme po aq heroike, i ka përshkruar në tregimin, “Burgosja e rinisë sime”. I vëllai, Kadri Luzha ka qenë jo vetëm ai që e futi në lëvizjen për çlirim kombëtar, por ai ishte dhe është një shembull i mbijetuar i qëndresës. Edhe pse ishte në një moshë tepër të re kur e arrestuan, ai nuk u thye në asnjë çast nga torturat çnjerëzore. Përkundrazi, në sallën e gjyqit, me një guxim dhe me një dinjitet të padiskutueshëm, iu drejtua trupit gjykues:

“Jam më i riu dhe pa përvojë, por ju dhe pushtuesit e popullit tim që ju mbajnë, ju betohem që do t’ju luftoj tërë jetën”.

(Sipas dëshmisë të udhëheqësit të shquar të lëvizjes për liri e bashkim kombëtar, si dhe luftëtarit të madh për lirinë e Kosovës, Mehmet Hajrizit, i cili bashkë me Kadriun ndodhej në bankën e të akuzuarve)

Ky frymëzim atdhetar që prushonte në zemrat e rinisë së Kosovës, demonstratat e Pranverës së Madhe të vitit 1981, i shndërroi në një kryengritje popullore, duke tundur për vdekje themelet e federatës jugosllave.

Ishte kjo qëndresë që nuk mund ta pengonte asgjë në rrugën e shenjtë të lirisë. Dhe pushtuesi vetë po bindej se asgjë nuk mund ta ndalonte këtë rini deri në përmbushjen e qëllimit final, Kosovën e lirë. Por sa më shumë qëndresë tregonin shqiptarët aq më çnjerëzore bëhej dhuna serbe.

Elifes iu mohua e drejta për të vazhduar shkollën dhe çdoherë që bënte përpjekje për t’u regjistruar në cilëndo nga shkollat e Kosovës, policia përgjigjej me bastisje të njëpasnjëshme në familjen e saj. Një ditë i gjetën edhe poezitë e fshehura në muret e stallës. Aty i gjetën edhe ditarin, si dhe disa artikuj të shkruar në fshehtësi. E arrestuan përsëri, bashkë me vëllain tjetër, Ibushin. I arrestuan dhe i torturuan në qelitë e posaçme në Ferizaj. I lëshuan, po poezitë mbetën të burgosura.

„Si unë dhe poezitë e mia e nisën jetën me mundime“! – do të shkruante Elifja.

Në këto rrethana dhuna serbe sa vinte e shtohej por edhe qëndresa dhe veprimtaria e Kosovës sa vinte rritej e zgjerohej ditë mbas dite. Përgatitja për çështjen e Kosovës ishte e gjithanshme. Në këto përgatitje Elifja plagoset me armë. E çuan në spital, po aty nuk e trajtuan si paciente, por si armike. Nuk i dhanë as ndihmën e parë. E kërcënuan me torturë nëse nuk do tregonte shokët. Tre ditë me këto tortura psikologjike, ditën e katërt mjeku konstatoi përkeqësim dhe rrezik për jetën. E çuan me urgjencë në Spitalin e Prishtinës ku për t’i shpëtuar jetën ia amputuan këmbën. Tragjike, por me forcën e saj shpirtërore ajo do ta përballonte edhe këtë dhimbje, edhe këtë sfidë. Kosova kishte nevojë për Elifen dhe për gjithë Elifet që sakrifikuan gjithçka për ta parë Kosovën e tyre të lirë e të pavarur.

Vitet në vazhdim ajo do t’i kalojë në mërgim, në Lubjanë të Sllovenisë. Aty krijoi familjen, lindi dhe rriti dy djemtë e saj, Arbërin dhe Besfortin. Por për asnjë arsye nuk e harroi çështjen e Kosovës. Nuk e harroi as poezinë. Poezia e saj në ato vite mbarte mallin e mërgimtares.  “Ylberi i përgjakur”, do ta quante librin e parë me poezi, botuar në Tiranë në vitin 1994. Dhe më vonë do ta ribotonte në Kosovë duke e ripagëzuar me titullin, “Vdes me trëndafilin”.

Por më i rëndësishëm ishte aktiviteti i saj politik në mërgim. Edhe në Lubjanë, gjatë kohës së luftës në Kosovë, në një tryezë të organizuar, ajo mori fjalën dhe në gjuhën sllovene, para publikut slloven, argumentoi me fakte luftën e drejtë të UÇK – së, si dhe fitoren e saj të sigurt.

Ëndrra për t’u arsimuar nuk ishte shuar asnjëherë në shpirtin e saj. Kthehet në Kosovë dhe fillon studimet për gazetari, por mbas një viti ndërron degë dhe studion për marrëdhëniet ndërkombëtare dhe diplomaci ku dhe diplomohet. Vazhdon me poezinë, boton librin e dytë, „Vdekja e ditëlindjes“. Publikon shkrime e opinione në faqe të ndryshme në internet, apo në gazetën e përditshme Infopress.

Libri i tretë me poezi, „Mos ma vrisni lotin“, do ta ngrinte Elifen në lartësinë e një poeteje ku fjala ka një bukuri dhe një peshë të jashtëzakonshme. Ashtu siç është ajo vetë, një grua e jashtëzakonshme dhe një shembull i qëndresës dhe i papërkulshmërisë. Një shembull i gjallë që frymëzon me gjithë jetën e saj.

“Dhembja e Lulëkuqeve”, kushtuar grave dhe vajzave shqiptare të përdhunuara nga forcat pushtuese serbe, është një dhembje e madhe dhe një akuzë për mosndëshkimin e atyre që e kanë bërë krimin.

Në sythin e mendimit më përhitesh

Lulëkuqe në dhimbje e plandosur

Lotët si vrer gëlltit çdo ditë

Para syve tanë e syrgjynosur…

Ajo do të ngrihet kundër pandëshkueshmërisë, me një forcë edhe më të madhe, me librin e saj

“Dhuna seksuale nga forcat ushtarake e policore serbe ndaj grave shqiptare gjatë luftës në Kosovë”.

Ajo u bën thirrje institucioneve shtetërore kosovare por edhe atyre ndërkombëtare që heshtin për krimet që kanë ndodhur para syve të tyre.  Tregimet e saj për Mimozën e për Vjollcën janë tronditëse, ashtu siç janë tronditëse historitë e qindra e mijëra Mimozave e Vjollcave në të gjithë Kosovën. Mosndëshkimi është një krim edhe më i madh.

Sa do të doja ta shihja këtë grua në krye të diplomacisë, sepse jam e bindur që do ta kryente këtë mision më së miri duke e lartësuar Kosovën nëpër botë! Këmba e saj e prerë, është një akuzë e fortë kundër atyre që bënë gjenocid në Kosovë. Është një simbol i qëndresës popullore për çlirim nga okupatori serb. Dhe një kujtesë për të gjitha kancelaritë apo institucionet ndërkombëtare ku ajo do të kishte mundësinë të hynte dhe ta përfaqësonte Kosovën.

Si ka mundësi një grua e tillë që ka sakrifikuar që fëmijë për çështjen e Kosovës, të anashkalohet në një mënyrë kaq arrogante nga institucionet e Kosovës ndër vite? Një grua që nuk ka bërë vetëm sakrificë, por që ka një formim të tillë, frymëzues për këdo. Jo vetëm duke dëshmuar një kulturë të lartë, por e diplomuar pikërisht për këtë fushë, deri edhe me Master. Kush ka frikë nga kjo zonjë?

Prof. Dr. Sabile Keçmezi Basha në recensionin për librin e Elifes, “Falë i qofshim Kosovës”, shkruan:

“Duke lexuar vështrimet e saj, padiskutueshëm më pushtoi një dhimbje e fortë, por edhe krenari, se kjo zonjë sot është nderi dhe dëshmia më e mirë e historisë së lëvizjes ilegale në veçanti dhe e historisë kombëtare në përgjithësi”.

Bota mashkullore në pushtet duhej të përulej përpara kësaj zonje të madhe dhe të mos e harronin kontributin e saj dhënë për Kosovën ndër vite. Ëndrra e saj për t’i shërbyer Kosovës dhe institucioneve të saja edhe në kushte lirie, ju thërret. Nxitoni! Nuk ka kohë për të humbur! Historia sa e rreptë është, po aq zemërgjerë bëhet kur padrejtësisë i jepet drejtësi.

Ajo është nga ato gra që ka punuar shumë dhe vazhdon të punojë shumë fort për të pasur një zë në shoqëri. Do ta bënte të vetën thënien e Medlin Ollbrajt (Madeleine Albright): “– M’u desh shumë kohë për të pasur një zë që të dëgjohet dhe, tani që e kam, nuk do të hesht”. Dhe ajo nuk hesht, nuk ndalet. Publicistika e saj është për t’u lavdëruar e për t’u vlerësuar. Lufta që ajo bën për një mentalitet të ri dhe modern në shoqëri dhe qeverisje, si dhe mendimet që jep për rolin shumë të rëndësishëm të gruas, janë një vlerë e shtuar për gjithë shoqërinë tonë.

Në pamundësi të përmend gjithçka, po shënoj vetëm disa tituj:

Ne mundemi, Gruaja dje dhe sot, Të mos harrohet historia, Krimet e luftës nuk vjetrohen kurrë, Gruaja shkrimtare, Koha për politikë të re, Mehmet Hajrizi prijës i shquar i lëvizjes për liri e bashkim kombëtar, Dik Marti dhe rrjeti prosllav, e sa e sa shkrime të tjera që i ka përmbledhur në librin publicistik, me një titull sa të bukur aq dhe kuptimplotë, “Falë i qofshim Kosovës”.

Sido që fryjnë e ngado që fryjnë erërat e kohërave, ajo vazhdon të shkruajë, vazhdon të jetë besnike e vetvetes e të japë kontributin e saj për çështjen kombëtare dhe emancipimin e shoqërisë.

E marr në telefon ta uroj për librin e ri, “Kah po shkon diplomacia jonë”, po nuk mundem të dëgjoj asnjë fjalë që vjen nga ana tjetër, sepse në vesh me buçasin vargjet e saj

Mos ma vrisni lotin

Gjithë thellësinë e shpirtit kam aty

Njerëz mos ma vrisni lotin

Se më vrisni përgjithnjë

E mbyll telefonin me urimin mirupafshim, por ende nëpër rrugët e këtij qyteti të largët ku unë jetoj, më dalin këto vargje sa të brishta, po aq të forta, që herë më tingëllojnë si një lutje, e herë si një urdhër i prerë:

Njerëz mos ma vrisni lotin

Se më vrisni përgjithnjë.

Margarita Syziu, Toronto, 2 Tetor 2022

__________

Promovohet “Mos ma vrisni lotin” Elife Luzha

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura