PROF.DR.AGIM ZOGAJ: AGRESIONI I SERBISË NË DARDANI

Prishtinë, 9 gusht 2020: Menjëherë pas përfundimit të luftës, disa personalitete politike, thoshin se, Serbia është në kufi, se, ajo nuk paraqet më rrezik për Kosovën. Pastaj, befasisht erdhën gjashtë pikat e Banki Munit dhe filloi kapitulli i bisedimeve midis Kosovës dhe Serbisë. U tha se, ato janë bisedime për çështje teknike, por, duke kaluar vitet, ato bisedime kaluan në çështje shumë përmbajtësore, në ndërhyrjen e Serbisë në çështjen e statusit të Kosovës. Ndryshe, si mund të shpjegohet, kur flitet për njohjen reciproke midis dy shteteve. Pra, edhe ne si Kosovë, kemi pranuar që, të bisedojmë për njohjen e Kosovës nga ana e shtetit të Serbisë. Ndërkohë që, Serbia e kontrollon Veriun e Kosovës, në fakt, Kosova, shteti ynë nuk ka juridiksion faktik dhe real mbi Veriun e Kosovës e as mbi territorin, hapësirën e mbi 40 Kishave Ortodokse Serbe, të cilat, edhe sipas Doukumentit të Ahtisarit direkt janë nën kontrollin, e Kishës Ortodokse serbe me seli në Beograd. Tani më, Serbia e ka siguruar autonominë substanciale, me ingerenca ekzekutive për Veriun e Kosovës!
Serbia, e trimëruar me këtë gjendje faktike, në ndërkohë duke e luftuar me të gjitha mjetet shtetin tonë, pavarësinë dhe afirmimin ndërkombëtar të Kosovës, ka marrë guxim që, ta cenojë hapur integritetin dhe sovranitetin territorial të Kosovës. Ne, e kuptojmë se, shërbimi i fshehtë serb, vepron në çdo cep të Kosovës, sidomos në Veri dhe në enklavat serbe, përkatësisht, në komunat të cilat kontrollohen nga serbët kosovarë, por, njëzetë vjet pas çlirimit, Serbia me forcat e saja ushtarake, xhandarët serbë, më 7 gusht 2020, ndërhyri në territorin e Kosovës, në fshatin Karaçicë të komunës së Dardanës. Ndërhyrja e xhandarmërisë serbe, me armatim, në territorin e Kosovës së pavarur, dëshmon se, Serbia, është trimëruar përtej çdo mase, kufiri, ndaj, ose e llogarit Kosovën një ish territor të pushtuar të saj, ose konsideron se, Kosova nuk është e aftë ta mbrojë veten, madje as nga një grup i vogël xhandarësh serbë. Në vend se, Kosova, të ishte në ofensivë diplomatike, duke e akuzuar Serbinë për krimet dhe gjenocidin që e ka bërë në luftën e fundit në Kosovë, ajo, pra Serbia, duke e parë mos gatishmërinë, mos përgatitjen dhe pa vendosmërinë e institucioneve të Kosovës për ta mbrojtur vendin e vetë, ka ndërhyrë në pikë të ditës, duke treguar fuqinë, guximin, arrogancën serbomadhe, hegjemoniste për agresion ndaj shtetit tonë.

Pastaj, pas disa reagimeve të zbehta dhe krejtësisht jo bindëse, të institucioneve të shtetit tonë, u dha një shpjegim sikur, ato forca serbe, xhandarmeria serbe ka qenë në sinkronizim me forcat e NATO-së, duke bërë ushtrime…? Ministrja e Jashtme e Republikës së Kosovës, zonja Haradinaj ishte e para dhe e vetmja e cila, guximshëm e tha se, nuk ka pasur kurrfarë sinkronizimi, aq më pak, institucionet e Kosovës nuk ishin të para informuara nga NATO për ato ushtrime…! Kryeministri, ndoshta edhe për arsye se është me Covid,ndërkohë, me deklaratat e tij ishte shumë i zbehtë, i pa vendosur dhe i pa qartë! Në rast se, kryeministri i vendit nuk ka pasur para informacion, për ato ushtrime të përbashkëta midis NATO-së dhe xhandarmërisë serbe, pra, nuk ishte i informuar për atë “ sinkronizim”, atëherë, kush do të duhej të dinte se çfarë po ndodhë në brendi të kufirit të shtetit të Kosovës?
Nga ana tjetër, po ashtu, nëse vërtetë NATO-ja nuk i ka para informuar institucionet e Kosovës, shtrohet pyetja, si na trajton ne, Kosovën, NATO-ja, si shtet të pavarur apo…? NATO, është dashur që, t’i informojë me kohë institucionet e Kosovës, madje, ta merr mendimin e tyre, nëse, nën planin e ushtrimeve të sinkronizuara, forcat serbe të sigurisë, xhandarmëria e tyre mund të futej ose jo, në brendi të territorit të shtetit tonë të pavarur!Gjithsesi, mjaftoi një agresion minimal, me dhjetëra xhandarë serbë, në brendi të Kosovës, deri në sheshin e fshatit Karaçicë, që të kuptohet, pafuqia e shtetit tonë për ta mbrojtur kufirin, për t’i mbrojtur qytetarët e vetë, që të kuptohet mos organizimi i sistemit të mbrojtjes dhe sigurisë të shtetit tonë, përkatësisht, të kuptohen planet për veprim dhe agresion ushtarak të Serbisë ndaj Kosovës. Pastaj, po ashtu, ky incident, dëshmoi mos organizimin e forcave të NATO-së dhe mungesën e bashkëpunimit me institucionet e Kosovës, por, njëherazi edhe të kuptohet se NATO, jo gjithmonë e vlerëson sa duhet se duhet përfillur, informuar, konsultuar institucionet e mbrojtjes dhe të sigurisë së Republikës së Kosovës. Pra, shteti ynë ra në provim, u zu i përgjumur, kurse Serbia,edhe kësaj here, i mati forcat e saja për agresion të hapur ndaj territorit të Republikës së Kosovës. Serbia, nuk është e pranishme dhe nuk e kontrollon vetëm Veriun e Kosovës, vetëm komunat me shumicë, serbë kosovarë, jo vetëm territoret e Kishave Ortodokse Serbe, por, në rastin konkret, hyri qetësisht, në formë të agresionit ushtarak, në Lindje të Republikës sonë, në Dardan! Ne, ose ishim së tepërmi të trullosur me Covid 19, ose i kishim mendimet për në detin shqiptar, ose ishim duke ngrënë pula fshati, jo vetëm në restorantin e fshatit Karaçicë …? Sidoqoftë, asaj mesdite , kur xhandarmëria serbe shëtiti nëpër sheshin e Karaçicës, ne, e kishim braktisur lirinë tonë dhe, kishim harruar se Kosova është shtet i pavarur, ndërkombëtarisht i njohur…!? Kush duhet, pra, ta mbrojë Atdheun ?
_______________
Xhandarmeria serbe futet në Kosovë
https://www.youtube.com/watch?v=-F70c3mtsgs

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura