MEHMET BISLIMI: RRUGËTIM BRENDA BOTËS SIME

(Pashtriku.org, 23. 10. 2012) – Kishte kohë që po mendoja për të shpërthyer rrethin tim vicioz që më kishte ngërthyer pa ndonjë arsye të qëndrueshme në kryeqytetin e “njëmijë e një mrekullive”, më duhej ky vendim, pa dyshim se më duhej edhe forca e Mohikanit në mënyrë që të pabindurën imagjinatë ta nënshtroja e ta bëja zap, duke e vënë atë plotësisht nën pushtetin e ndjenjës sime të arsyeshme. Unë do të komandoj tani – i thashë, dhe mora rrugë me afshin e shpirtit tim për të qenë pranë themeleve të të parit të trungut tonë të lashtë, duke u gjunjëzuar aty ku stërgjyshi im i lashtë ishte betuar në kërthizën e kësaj toke, në qiell e në Zot, në Krisht e në fe, në bukë e në kripë… ky ritual i rrënjës sonë, mbase sot simbolik, por është më i fortë dhe më i përshpirtshëm se rituali i ditës së ujit të bekuar, ngase autoktonia jonë është më e hershme, pra shumë para Krishti!… Sipas historiografisë kishtare dita e ujit të bekuar që shënohet në muajin shkurt, nga të gjithë besimtarët e krishterë dhe me 6 janar nga besimtaret ortodoks, si ditë kur Krishti u pagëzua (pas moshës 33-vjeçare), në ujërat e lumit Jordan nga Gjon Pagëzori, i cili gjatë pagëzimit shpalosi tri pikat unikale të besimit të Krishterë siç janë: ati, biri dhe shpirti i shenjtë. Ndërkohë që i pari i rrënjës sonë kishte bërë ritualin aty tek themelet e Arbrit, aty ku Zoti zbriti së pari, aty ku kemi rrënjën tonë të lashtë, më të lashtë nga të gjithë!
Kalaja e krenarisë sime për trungun tim të vjetër, ngritur mes bëmave që i takojnë historisë dhe besëtytnive që i takojnë mitologjisë për të parët tanë, bërë njësh me kureshtjen e shpërfytyrimit tim për të prekur me dorën time urëzat e vatrës së lashtë stërgjyshore, themelet
e shenjtërisë, për të bërë pajtimin tim shpirtëror, tek po përpiqesha të përpij me sy gjithë atë horizont të kuqërremtë që kishte rrethuar tokat e pamatura të Prefekturës së Vitisë pjellore- toponim ky i lashtë sa vetë jeta, që në gjuhën e lashtë do të thotë: Vitë-Jetë, Vita-Jeta, pra kjo është Prefektura e Vitës-Jetës së këtyre anëve që të joshë si shtojzovalle me bukuritë e saja të pa përshkruara. Bazuar nga këto të dhëna për begatinë dhe plleshmërinë e këtyre anëve, pushtuesi tinëzar serb në tokat tona kishte futur thellë thonjtë e vet të ndyrë. Kjo nuk ishte rastësi…
Pak histori
Që në kohën e Perandorisë së Bizantit (gjysma e dytë e shek. IV), kur Perandori Konstantini i Madh urdhëroi shpërnguljen e kryeqendrës së Perandorisë Romake prej Perëndimit në Lindje, në mënyrë që këtë ndarje më vonë ta jetësojë Perandori Teodosije në Pars Occidentis dhe në Pars Orientis. Më tej, pjesa lindore e kësaj Perandorie vazhdoi rrugën e jetëgjatësisë së saj edhe për gjatë një mileniumi të tërë. Madje nën sundimin e Perandorit Justinianit I-të parë, i cili pretendonte restaurimin e Perandorisë Bizantine, duke pushtuar Italinë, Afrikën Veriore dhe Spanjën, qëllimi i tij ishte për të depërtuar drejt Perëndimit. Përderisa ushtritë e Justinianit I-të parë, po korrnin fitore në Afrikën Veriore dhe në Spanjë, kufijtë veriorë të kësaj Perandorie kishin ngelur të hapur dhe të pambrojtur, kështu që sllavët dhe avarët nuk e kishin të vështirë që të vepronin në mënyrën e vet më tinëzare (si gjithmonë). Ata, më pas kishin zbritur nga Karpatet, duke bërë një vërshim të vrazhdë e barbar mbi tokat ballkanike, duke rrënuar e shkatërruar çdo gjë që hasnin para vete.

Konstandini i Madh në Kalanë e Beratit.

……………………………………………………….

Pas vdekjes së Justinianit I-të parë, sllavët, të ndihmuar edhe nga avarët, përveç që vërshuan Ballkanin, depërtuan madje edhe në Azi të Vogël! Në vitin 627, në krye të Perandorisë Bizantine vjen Herakliu, i cili, në saje të zotësisë së tij, u bë një ndër perandorët më të njohur të kësaj Perandorie. Herakliu korri fitore të madhe kundër ushtrisë së Persisë, por edhe kundër asaj sllave dhe avare. Mirëpo edhe përkundër disfatave të mëdha që Herakliu u shkaktoi sllavëve dhe avarëve, ishte e pamundur që sllavet të dëboheshin nga territoret e Perandorisë që ata kishin pushtuar për në Karpate, andej nga kishin ardhur, për faktin e thjeshtë: Sllavët kishin shkatërruar e shpopullzuar territore të tëra, duke ushtruar dhunë të paparë. Sllavët me sjelljet e tyre barbare kishin boshatisur tokat e shumta të gadishullit Ballkanik nga popullata vendëse, kjo bëri që Perandoria në fjalë, duke e ndier nevojën për popullzim, lejojë vendosjen dhe qëndrimin e sllavëve në Gadishullin Ballkanik, duke iu dhënë atyre edhe ngastra toke në shfrytëzim. Me kalimin e kohës dhe zhvillimin e ngjarjeve, që nga shek. XIII, e këtej Serbia ishte bërë fuqi e rëndësishme ballkanike e cila kishte pretendime të pareshtura ndaj Bizantit, me theks të veçantë gjatë sundimit të Kral Milutinit (1282-1321), dhe në vazhdim me sundimin e Car Dushanit (1333-1355). Në fakt, pas vdekjes së car Dushanit, Krajlia Serbe u shpartallua, por ardhacakët serbë mbetën edhe sot e kësaj dite në Ballkan, përkatësisht mbetën edhe në tokat shqiptare, mbetën me mentalitet të njëjtë, me pretendime të pareshtura territoriale ndaj fqinjëve të vet, me të njëjtat sjellje vulgare e barbare që i treguan gjatë gjithë kohës e deri tek ditët e sotme.
* * *
Kështu edhe në Viti, si edhe në gjithë Kosovën e më gjerë në tërë hapësirat Ballkanike, serbët gllabëruan tokat më të mira të shqiptarëve, duke u bërë pronarë të dhunshëm të tokave tona, me prezencën e tyre të dhunshme, me dokumente të dhunshme dhe me qëndrime dhe sjellje të dhunshme dhe antinjerëzore ndaj popullatës sonë në veçanti…
Copëza të pashlyera kujtimi gjatë udhëtimit tim për në Viti -Jetë, në mesin e miqve të mi – veprimtarë të devotshëm të çështjes kombëtare, si Xhevat Bislimi, Gasper Demaj, Daut Xhemajli, Skënderbe Hebibi, Enver Rrustemi, Sarë Gjergji, Refik Ahmeti etj.
Me të hyrë në Viti, vizitori i ndërgjegjshëm përkulet me respektin më të madh para shtatoreve madhështore të Dëshmorëve të Kombit si; Gursel e Bajram Sylejmani, Njazi Azemi e dhjetëra dëshmorë tjerë që ranë në gjirin e kësaj toke më herët e më vonë. Më pas, dolëm në qytet, kështu duke shijuar dhe duke u kënaqur me pamjet e reja të Vitisë që prijësit e saj ia kishin hijeshuar shtatin me rrugë e trotuare të gjëra, me shkolla e godina të reja, me kanalizime, me disiplinimin e lumenjve dhe përroskave, me pastërtinë e duhur të qytetit e shumë e shumë gjëra të tjera që ishin bërë për mrekulli si pak kund në Kosovë. Pimë edhe kafetë e radhës dhe u nisem për të prekur skajin e tokës së Kosovës atje lart ku qielli puthit Debëlldenë e lashtë. Për të shkuar në Debëllde duhet kaluar nëpër Binçe dhe Buzvig. Fshati Debëllde kufizohet me fshatin kufitar Mjak dhe me fshatin Tanushë që ka mbetur brenda kufijve të Maqedonisë, kufi që kalon mes për mes tokës shqiptare! Fshati Mjak është djegur dhe shkatërruar tërësisht gjatë luftës së fundit, dhe mjerisht sot, ky fshat ka mbetur i boshatisur. Në fshatin Debëllde, ka një shkollë me rreth 80 nxënës. Shumë familje të Debëlld-ës, janë larguar nga fshati dhe janë të vendosur kryesisht ne Viti, ku përbëjnë rreth 50 sosh. Fshati Debëllde është një tokë kryesisht kodrinore-malore, banorët e atjeshëm merren kryesisht me blegtori dhe me bagëtinë e imtë, kultivojnë drithëra që lejojnë lartësitë mbidetare, por kryesisht merren me patate, si dhe me shfrytëzimin e lëndës drunore etj.
Malësorët e Debëllde-së, na priten aq mirë si i thonë fjalës: me bukë e kripë e zemër, me traditë e burrëri, na shtruan drekë e tërë gaz e batuta kaluam atë pasdite të këndshme, aty nga ku nuk vëreheshin ndasitë politike, aty ishin të gjithë që përfaqësonin në rend të parë interesat kombëtare, dhe pikërisht mbi këtë bazë mori kahun edhe biseda jonë që zgjati deri në muzgun e vonë të asaj ditë të bukur dhe të paharruar për mua që po shkelja për herë të parë në truallin e Debëllde-së, në tokën shqiptare të malësorëve të këtushëm që e kishin mbrojtur sa e sa herë me gjakun e tyre nga armiq dhe pushtues të ndryshëm, deri te pretendimet e yshtura të fundit të surrogateve maqedonas që kishin mësyrë tokat e Kosovës!…
Dëbëllde, fjalë kjo e pastër (puro) shqip, që do të thotë De-bull-de!… Pra dikur për t’u ngjitur atje lart mbi majat e maleve, ku shqipet kishin foletë e ngrohta, Debullde-asit duhej të përshkonin rrugën gjarpërore tërë leqe-leqe, ngase ke të bësh me një terren tepër të vështirë e kodrinor. Atë kohë De- bull- de-asit punonin kryesisht me buaj, dhe i ndihmonin buajt për ta ngjitur qerren me ushqime atje lart, duke i futur krahun qerres, për t’ia lehtësuar barrën bagëtisë së gjallë me të cilën ata siguronin kafshatën e gojës dhe duke i mikluar ato me dashamirësi e përkëdhelie, me fjalë të buta e njerëzie, si: de-bull-de, de-bull- de…, dhe nga këtu edhe i mbeti emri De-bull-de, që sot e quajnë padrejtësisht Debëllde. Fshat ky, që është mu në mes të zemrës së tokave shqiptare, të cilit Maqedonia gllabëruese përmes një marrëveshjeje tinëzare me Serbinë, si dhe me ndihmën e planit të Ahtisarit, Debullde- asëve tentoi t’ua vej gurin e kufirit tek pragu i shtëpisë!…

……………………………………………………..

Toponime të ngjashme, të cilave pushtuesi ynë shumëvjeçar është munduar t’ua vrasë kuptimin dhe brumin e shqipes, duke pretenduar kështu që të vrasë ardhmërinë tonë ka edhe në dhjetëra fshatra të tjera, si Buzovig, që do të thotë, Buzë-vig, pra fshat, ose vendbanim buzë lumit, ku duhej të kalohet mbi një vig përtej lumit etj.
Do të bëja mëkat të pafalshëm sikur të mos rrëfeja në rrafshin tim shpirtëror përkushtimin e vendasve për vlerat e trashëgimisë, autoktonisë, historisë së dhembshme e tragjike, por edhe krenare e të lavdishme të rrënjës sonë, të cilat të bënin që të mos përmbaheshe nga joshjet e reja që po rrinin pezull në horizontin artistik nën qiellin e kupolës së Kishës së Binçës e cila së bashku me afresket kishtare që kishte përjetësuar brenda saj, në gjirin e vet, kishte përjetësuar edhe një pjesë të historisë së gjallë e tragjike që ka përjetuar populli shqiptar ndër shekuj. Aty ishte pasqyruar aq besnikërisht qëndresa jonë krenare, por edhe sjelljet barbare të Perandorisë Osmane për të konvertuar dhe tjetërsuar dhunshëm bindjen fetare të rrënjës sonë ndër më të lashtat në Gadishullin Ballkanik! Këtë të vërtetë të madhe nuk e kam hasur gjetkë të pasqyruar kaq bukur në artin pamor, përveç në Kishën e bukur të Binçës, të realizuar aq mjeshtërisht nga dora e piktorit dhe mjeshtrit të madh Demir Behluli.
Artisti, piktori dhe mjeshtri i madh Behluli këtu projekton qartë dy linja të artit të tij,
njëkohësisht edhe dy porosi të qarta: kujtesën dhe perspektivën, ku misteri i botës së tij fillon me pikturën simbolike të dashurisë së ndaluar, dhe e dyta rikujton shijen e së hidhurës tragjike, të dhunshme, të imponuar… rrobë e huaj, veshur dhunshëm në trupin tonë kundër dëshirës dhe vullnetit shpirtëror të robit të Perëndisë!… Duket se dashuria e piktorit për trungun e vet ia hapi shpirtin e madh atij për të rrëfyer me ngjyra simbolikën e brengës
sonë individuale dhe kolektive, madje ëndrrat tona të vrara në mes të rrugës, dashuritë e humbura dhe plot gjëra tjera që nuk i shohim dot me sytë e ballit, por i shohim thellë me sytë e shpirtit dhe i ndiejmë po aq thellë me të rrahurat e zemrës, njashtu që shpirti i madh i artistit Behluli nuk do të gjente prehje as në këtë botë dhe as në botën e përtejme, po të mos i zbrazte këto brenga në kupolën e hyjnisë sonë, atje në Binçë, ku qiellin puthit krenaria!…
Është një e vërtetë e madhe, dhe kjo nuk ka si të mohohet, konvertimi ynë në fenë islame u bë në mënyrën më të vrazhdë dhe më të dhunshme nga Perandoria Osmane e asaj kohe, që me rënien e Bizantit (1453), atëherë kur ra edhe bastioni i fundit i saj (Konstantinopoja). Perandoria Osmane në Ballkan kishte ushtruar dhunë – thjeshtë dhunë me zjarr e hekur për të bindur popullatën vendëse që të nënshtrohet para saj, madje edhe duke na konvertuar në besimin mysliman pa kursyer asnjërën nga format për të arritur qëllimin! Për këtë periudhë të errët, fatkeqësisht nuk ka shumë të dhëna, ose dokumente të shkruara, ngase pushtuesi serb në bashkëveprim me atë osman i kishte zhdukur këto dëshmi me kohë, për të na konsideruar ne si turq të cilët më pastaj do të dëboheshin për në Turqi, dhe kjo u realizua pjesërisht mbi kurrizin e zi të kësaj marrëveshje të fshehtë të shtetit turk dhe atij serb, shpërngulje e shqiptarëve kjo që pasoi deri në vitet e ‘60-ta!…, edhe sot e gjithë ditën në Turqi jetojnë mbi ter milionë shqiptarë të cilët atje i thërrasin, apo i njohin si Arnautë!
Të vetmin roman, pak a shumë historik që kam hasur, që i përshkruan ngjarjet e asaj periudhe në Ballkan, është romani “Selaçka buna”, (Kryengritja fshatare) i autorit kroat August Shenoa, ku përshkruan një kryengritje fshatare kundër Perandorisë Osmane të shek XVI. dhe ai i atdhetarit dhe intelektualit të dëshmuar, krijuesit Ahmet Qeriqi me titull “Koha e jeniçerëve”. Andej e këtej tokave shqiptare kjo periudhë (1600-1900), e sa më shumë, ka mbetur e mbuluar përjetësisht me misterin e enigmës që gërryen edhe sot ashtin tonë shekullor!
Piktori Behluli, në afresket e kishës së Binçës, paraqet një peizazh të shkëputur të asaj kohe që kishte ndodhur më 1846, kur pushtuesit osman kishte detyruar popullatën e krishterë shqiptare që në mënyrë masive; o të shpërngulej, o të konvertohej në besimin islam! U desh mund, u derdh gjak, në mënyrë që më në fund dikë nga Evropa e lashtë ta vrasë ndërgjegjja, për të bërë që motrat franceze të nderit të intervenojnë, për të ndikuar te pushteti lokal osman i asaj kohe. Motrat franceze të nderit ndërhynë që të ndalej dhuna për shpërnguljen dhe konvertimin e popullatës së krishterë të Binçës me rrethinë atë kohë, ku gjaku nuk u bë ujë!…

……………………………………………….

Ca ditë më vonë, nën shoqërimin magjeps të peizazheve të vjeshtës, unë dhe Xhevati, të shoqëruar edhe nga zonjat tona, morëm rrugën për në Stubllën e lashtë, duke kaluar rrugës gjarpërore të luginës së grykës Viti-Verboc-Stubëll, arritëm në Stubllën e lashtë dhe historike. Shtëpitë dhe rrugët e saj prej zemrës së gurit, që kushedi sa e sa burra të dheut i kanë përpirë
me sy e zemër, i kanë shkelur me këmbë, i kanë prekur me dorë, duke e ndier peshën e
rëndë të mallit të djegur për atdheun tonë, ne, të degdisur rrugëve të huaja duke e ndier peshën e mallit për ata gurë; të mërguarit tanë deri në skajin e botës së pafund – kush vuajti më shumë përveç shqiptarit(!), nga ku edhe mbeti përjetë fjala e urtë filozofike, fjala e gjallë shqiptare mbledhur në një fjali të thjeshtë kuptimplote: ”Guri rëndë pushon n’vend t’vet!”…
Stublla kala prej guri, ishte dhe mbeti unikat, për të dëshmuar përpjekjet tonë shekullore që dëshmon mbijetesën tonë ndër shekuj për të ruajtur të paprekur unin tonë hyjnor e kombëtar.
Në të hyrë të Stubllës, mirëseardhje të urojnë shkolla fillore “Dom Mikel Tarabulluzi” dhe ajo e mesme “Kuvendi i Lezhës”, ku dëshmohet përkushtimi për të ngritur dhe arsimuar brezin e ri. Stublla ka rreth 360 shtëpi me më shumë se 3500 banorë, një numër i të cilëve është në botën e jashtme, të cilët me kontributin e tyre, kush më vonë e kush më herët, kush më pak e kush më shumë, kanë dëshmuar se nuk e kanë harruar vendlindjen – Stubllën e tyre të lashtë dhe të dashur. Pastaj renditen “shtëpitë e zotit”, si: kisha e re famullitare e “Shën Jozefit”, kisha e vjetër që njihet edhe si “Kisha e Shën Gjergjit” ( Shën Gjergji ka qenë edhe ushtarak i martirizuar, festë kjo të cilën zakonisht e feston fisi Gash).
Rinia e fshatit begaton jetën këtu me aktivitetet e saj sportive e kulturore. Te varrezat e
fshatit veçojmë varrin e Dom Zef Ramajt (1882 – 1914), i cili personalisht kishte pagëzuar të madhen Nënë Terezën!
Në veri të Stubllës, ngritë lart kokën e saj krenare Maja e Stubllaqëve, në një lartësi mbidetare prej 984 m. Nga poshtë deri në majën e saj kalohet këmbë, përmes një rruge të mundimshme dhe gjarpërore e cila përshkohet çdoherë gjatë (shkurtit – prillit) nga vizitorët besimtarë dhe nga popullata vendëse. Në majat e saj mbahen takimet në vendin e quajtur: ”Rrafshi i Peharëve”. Kjo rrugë simbolizon përshpirtjen e mundimshme të rrugëtimit të Krishtit!… Vargmalet e Karadakut të Shkupit shqiptar, përreth Stubllës që dikur lidhej me këtë vilajet, puthitin Shosharën, Vernakollën, Stubllën e Poshtme, Godenin, Selishtën dhe në veri deri te Fusha e Madhe.
Ndjenja të veçanta të zgjoi Muzeu i Shkollës së Parë Shqipe në Kosovë, me mësuesin e saj Dom Mikel Tarabulluzi (1868-1933), që në fakt jetëgjatësia e fijes sonë të shkruar shqip daton që nga “Meshari” i Buzukut (1555), Kolegji i Shën Lukës (1584), por edhe më herët deri tek shkolla e Dom Mikelit (1905), kohë kjo gati mbi pesë shekullore, që e bën edhe më karakteristike nxënien e shkrim-leximit shqip.
Një shkrim me domethënie të madhe-epitaf, që është shkruar në këtë gurë, është bërë madje para “Kongresit të Manastirit” (1908), duke përdorur alfabetin e Mjedës dhe të shoqërisë ”Agimi” të asaj kohe. Kjo dëshmohet kaq fuqishëm në këtë kryq prej guri (unikat), që për mrekulli i ka rezistuar kohës, në të cilin është shkruar me këtë alfabet.
Është diçka e mahnitshme ta shikosh të gjallë në atë gurë kulturën e lashtë që valoi ndër vite si flamur i patundur!… aty shkruan (me alfabetin që ka përdorur Mjeda atë kohë):
“Kyo Vor i Simonit Rames 75 vjeq diq n’letnica
statori 28- 1907 syrghynit fees babes vet, bijt Pera e Deda”…
Këtë histori të gjallë që flet vetë, e jona është ta ruajmë dhe të mburremi me te. Më tutje, në oborrin e këtij Muzeu, ngrihet edhe “Memoriali i Martirëve të Karadakut të Shenjtë”, ku janë të gdhendur emrat e 200 martirëve të fshatrave Stubëll, Binçë, Vërnakollë e Terziaj, të internuar në Muhaliq të Turqisë (1846-1848), eshtrat e të cilëve prehen edhe sot- atje në dherat e Anadollit të largët!…
Më tej morëm rrugën për të vizituar edhe Letnicën – Veroren, e lashtë e cila sot ka 30 – 40 shtëpi. Aty ngrihet kisha madhështore e “Zonjës së Bekuar”, e vetmja shenjtore ( me statut) në Kosovë. Këtë kishë dhe territorin e saj “Plani i Ahtisarit”, pretendonte ta linte nën juridiksion dhe administrimin e Patrikanës ortodokse Serbe(!). Sipas këtij Plani Komuna e Kllokotit do të përfshinte edhe Letnicën me rrethinë, si Verrnezin dhe Verrnakollën.
Ç’është e vërteta me përfshirjen e këtyre fshatrave komuna e Kllokotit do të lidhej dhe do të siguronte dalje në kufi me Maqedoninë (!), zaten ky edhe ishte qëllimi djallëzor i Serbisë dhe i Patrikanës Ortodokse Serbe.
Kur doli ky plan në diskutim publik, në valët e radios së makinës fillimisht e kishte dëgjuar Xhevat Bislimi, i cili pa humbur kohë kishte marrë në telefon Gapin (Gaspër Demajn), duke i sugjeruar atij që menjëherë të marrë lidhje me priftin e Stubllës dhe me atë të Letnicës, që urgjentisht t’i bëjnë shkresë Ipeshkvit të Kosovës dhe fill më pas Ipeshkvi-së së Vatikanit, për t’i sqaruar asaj vendosmërinë e banorëve dhe të besimtarëve të këtyre anëve se: “Në asnjë mënyrë nuk do të pranojmë që Kishat tona shqiptare të futen nën juridiksionin e komunës serbe të Kllokotit!”. Me anë të kësaj shkrese dhe me takimet e presionet që Dom Krista ka bërë në vazhdimësi, pasoi edhe korrigjimi i Planit të Ahtisarit, duke u marrë një vendim i mençur dhe real, i pranueshëm për besimtarët dhe banorët vendës, për vetë Kosovën dhe pa dyshim edhe për vetë Ipeshkëvinë shqiptare, fatkeqësisht mbeti i vetmi korrigjim që iu bë planit të Ahtisarit, i cili në mënyrën më arbitrare (duke iu bërë lajka shijeve të vjetra serbe-ortodokse), bëri operacione si ia deshi shpirti mbi tokat e Kosovës si të ishin pa zot!, duke i sakatuar ato si mos më keq dhe njëanshëm, plagë këto që në shpirtin tonë do të mbesin mbase edhe për një kohë të gjatë!…
Në Letnicë-Verore, për çdo 15 gusht festohet “Dita e Zonjës së Madhe” (të ngriturit e Zonjës së Bekuar në qiell), ku mblidhen shumë bashkatdhetarë të krishterë e myslimanë, ceremoni kjo që zgjat për dy javë rresht (së paku, që nga fillimi i gushtit).
Është me rëndësi të veçantë shkencore që të saktësojmë, dhe bota e civilizuar të marrë mësim nga shqiptarët, se si bashkëjetojnë tri konfesione të ndryshme në një harmoni të plotë shekuj me radhë në këtë hapësirë bujare, ku bukës i thonë bukë dhe ujit uji, ku të gjithë një zërit luten për të njerëzishmen- Amen!…

Në tërë hapësirat e tokave shqiptare të Gadishullin Ballkanik, që nga kur u krijua kjo tokë, që kur zoti zbriti së pari në vendin tonë, as edhe një herë nuk mbahet mend që të ketë pas konflikte dhe mosmarrëveshje ndër-fetare të besimit të krishterë, mysliman e ortodoks dhe anasjelltas-as edhe një herë, pra kurrë!, kurrë, nga se kombi ynë në rend të parë gjithmonë ka pasur për mision të njerëzishmen, bamirësinë dhe humanizmin, para së gjithash është përpjekur në vazhdimësi për lirinë e vet, pa dyshim ka respektuar lirinë e popujve tjerë, ka reflektuar gjithmonë sjellje njerëzore dhe mbi të gjitha ka respektuar me bindje të thellë besimin dhe lirinë e secilit, para kulteve të të cilëve është përkulur me respektin më njerëzor e kombëtar.
Pa anashkaluar këtu mikpritjen e Stubllasve që na kishin përgatitur; ishte Zefi ai të cilin e takuam së pari ( rastësi kjo), por ai theu udhën që kishte marrë për në Kroaci, duke u futur në lokal me ne, ku na qerasi me nga një pije për mirëseardhje, pastaj Luzi, erdhi me të shpejtë Gasperi me zonjën e tij, pastaj Sara me zonjën e tij dhe të tjerë që na shoqëruan gjatë tërë kohës dhe me shumë përzemërsi.
Me t’u kthyer, ishte Xhevati ai i cili me zonjën e vet nuk na liroi pa na dhënë drekë të përzemërt në restorantin “Dajti”, aty erdhi edhe Xhelili me zonjën e tij. Në këtë restorant vërehej një pastërti, një sjellje dhe një kulturë evropiane, një shërbim i përkryer, një gatim i shkëlqyer për çka duam ta falënderojmë në rend të parë zonjën dhe zotëri Mehmetin, pronarë të lokalit të cilët po e administronin pasurinë e tyre me kujdes të veçantë. Dukej se kishin arritur që t’ia shijonin frytin dhe rehatinë djersës së vet, të cilët po punonin në mënyrë të përkushtuar dhe në harmoni me të gjithë anëtarë e familjes së vet që kishin angazhuar aty.
Duke e mbyllur botën time intime të këtij udhëtimi, për të mos mbetur zjarri i shpirtit tim të vogël peng i kohës së vrazhdë, na është dashur të bëjmë luftë disavjeçare për të fituar në kohë, megjithatë e rëndësishme është se rrënja jonë mbijetoi përjetësisht…na është dashur të vuajmë padrejtësisht…rrugëtimi ynë nëpër histori ishte i gjatë dhe i mundimshëm, më duket se kërkon ende kohë që të kthjellohet për ata që nuk e njohin si duhet historinë e shpirtit tonë krenar e liridashës, rrugëtim ky që s’ndaloi, eci, vrapoi, nuk u gjunjëzua para misterit të mbijetesës, ra dhe u ngrit përsëri si feniksi, i vetëdijshëm se bashkimi ynë në tokë e në qiell është i vetmi shpëtim kombëtar e njerëzor, pa dyshim është edhe krijimi i një jete të re për kombin dhe besimin tonë të krishterë, myslimanë e ortodoks gjithëshqiptarë kudo që jeni!
Mehmet BISLIMI – Dhjetor, 2010

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura