PROF.DR.AGIM ZOGAJ: GONXHE BOJAXHIU – NËNA TEREZË, DRITË E ZOTIT (I)

Prishtinë, 31 gusht 2020:
Parahistoria
Historia e popullit shqiptar ngërthen në vete, veç luftërave të panumërta për liri, edhe krenari, dinjitet, qytetërim, bujari dhe humanizëm me të cilin rrezatoi civilizimet e kohës. Në këtë kuptim, janë dy figura madhore, më të ndritshme të kombit tonë me të cilat ai i dha kontribut civilizimit njerëzor dhe, përgjithësisht aspiratave të njerëzimit për krijimin e një bote më të mirë, më të qetë, më të lumtur dhe më paqedashëse. Janë pra, Gjergj Kastriot Skënderbeu, i cili duke e mbrojtur 25 vjet rresht popullin tonë nga sundimi osman, njëherit ishte emblemë legjendare e mbrojtjes së krishterimit në trojet e Evropës mesjetare dhe Gonxhe Bojaxhiu – Nëna Terezë, një shpirt fisnik shqiptar e cila me dashurinë e madhe njerëzore i dha emër dhe kuptim humanizmit bashkëkohor të shekullit të XX- të.

Skënderbeu, kryetrimi shqiptar, me të drejtë ngel figurë e madhe dhe e ndritshme e historisë së Evropës mesjetare, ndaj kombi ynë përmes luftërave të tij jo vetëm që siguroi lirinë dhe shtetin e tij, por zuri vendin meritor në djepin e civilizimeve të kohës dhe sot 600 vjet pas ai nuk i takon vetëm historisë së ndritur të kombit tonë, por edhe historisë së Evropës, vlerave më civilizuese të saj. Luftën për paqe në Evropë, luftën kundër robërisë osmane, ai e bëri me shpatë, nga shkëlqimi i të cilës u përhap liria e kombeve evropiane dhe mbrojtja e vendosur e shpirtit të krishterimit. Ndryshe, shqiptarët si pasardhës të ilirëve dhanë shumë personalitete që drejtpërdrejt bëjnë pjesë në ato figura që kontribuuan për fe dhe atdhe, madje, me kontributin epokal përhapjes, ruajtjes dhe kultivimit të krishterimit gjithmonë frymëzuan edhe popujt tjerë për afirmimin e vlerave civilizuese.
Gonxhe Bojaxhiu – Nëna Terezë, pa dyshim është figura madhore e kombit tonë, personalitet i përmasave të veçanta mbarë njerëzore e cila me gjithë shpirtin e saj shqiptar, e edukuar gjithmonë në frymën e porosive të Zotit, për një jetë më të mirë dhe më të lumtur për njerëzimin mbarë, i bëri nder kombit tonë, i dha shkëlqim fisnikërisë, bujarisë dhe dashurisë njerëzore. Ajo ishte dhe ngeli dëshmia më e fuqishme e dashurisë së Zotit për njeriun e harruar. Thelbi i filozofisë së asaj dashurie të Zotit, të cilën dashuri ajo e përhapi anë e mban botës, i kishte dy dimensione: atë ndaj Zotit dhe ndaj të afërmit! Prandaj me aq bindje i bënte thirrje njerëzimit :” Dashuria e jonë, kurrë nuk duhet të ketë kufi, nëse është dashuri e vërtetë, ajo duhet t’i ngjajë asaj të Zotit, që nuk përjashton askënd”. Nëna Terezë, Nëna e dhembjes, Mësuesja e dashurisë e cila tërë jetën iu kushtoi të varfërve dhe të harruarve, fuqishëm, në frymën e shpirtit shqiptar dëshmoi fuqinë e dashurisë së thellë vëllazërore, duke u bërë kështu frymëzim shpirtëror për përparimin njerëzor. Brezave të epokës së saj, gjithmonë do t’ju kujtohet fytyra e asaj motre të thjeshtë dhe të përvuajtur katolike, fytyrë ajo e Nënës Terezë përherë e buzëqeshur, me sy të ndritshëm që shkëlqenin dashuri dhe lumturi që vinte nga drita e brendshme e shpirtit të saj. Fytyra e saj me pamje mahnitëse, vepra e saj plot dashuri dhe fisnikëri njerëzore i zbuloi botës bashkëkohor dhe njerëzimit mbarë dinjitetin e njeriut, dinjitet ky i cili për shumë çka po nëpërkëmbet, po përbuzet. Nëna Terezë,” Nëna e të shkelurve”, Gonxhe Bojaxhiu shqiptare, i tregoi njerëzimit modern se ai e ka harruar veten, se e ka përbuzur të afërmin e vet, llojin e vet, se është e kotë që të provosh të shkosh te Zoti dhe ta ndjesh e ta fitosh dashurinë e Zotit nëse më parë e urren, e poshtëron, e vret të afërmin tënd, llojin tënd, njeriun. Ajo, me jetën kushtuar Zotit, e pa Zotin, e deshi Zotin, e predikoi Zotin, dhe e gjithë kjo dëshmon dashurinë e Zotit gjithmonë dhe gjithkund. E thjeshtë dhe me përvuajtur, gjithnjë në udhëtim, si Shën Fani, ajo rrezatoi dashuri njerëzore, dritë Zoti. Vepra e Nënës Terezë, vepra e saj e bamirësisë dhe e humanizmit të thellë njerëzor, e kishin shqetësuar ndërgjegjen e njeriut bashkëkohor, dhe duke i treguar njeriut të sotëm se e ka harruar veten, se gjithnjë është më larg dashurisë njerëzore, bekimit të Zotit, ia ndezën dritën e shpresës. Porositë e saj, ishin antropologji hyjnore. Ajo predikonte se humanizmi i Jezu Krishtit në njeriun e sheh – zbulon fytyrën e Zotit! Nëna Terezë, luftoi në shekullin i cili veç tjerash mbyti miliona fëmijë të pa lindur, në shekullin e poshtërimeve të mjerueshme të njeriut, kur miliona njerëz ishin dhe vazhdojnë të jenë të uritur, pa liri, të pastrehë, të pangrënë, pa kurrfarë të drejta. Kjo nënë shqiptare, u bë emër universal i dashurisë njerëzore i kujdesit ndaj të varfërve, të pastrehëve, të jetimëve, të harruarve, ajo predikoi se vetëm një jetë plotësisht në shërbim të Zotit dhe të afërmit tënd është jetë e krishterë. Ajo punoi dhe veproi për lumturinë e njerëzimit mbarë, pa dallim race, feje, ngjyre, ideologjie, sepse sipas saj mirësia dhe dashuria janë më të fuqishme se çdo dallim mes njerëzve. Ndaj me të drejtë i identifikoi rreziqet që shpirtërisht i kanosen civilizimit të sotëm:” Sëmundja më e madhe sot nuk është kanceri apo lebrosa, por indiferenca dhe mungesa e interesimit”. Dhe, në këtë kuptim porosia në vijim e Nënës Terezë po ashtu ishte me vlerë mbarë njerëzore :” Njerëzit që nuk kanë gëzim, dashuri, marrëdhënie mes veti, vuajnë tmerrësisht”! Në këtë frymë, me këtë shpirt paqeje dhe dashurie universale, Nëna Terezë, ky gjak shqiptar u bë një shpresë e re për botën bashkëkohore, një kuptim i ri për njerëzimin mbarë, një nënë e cila me mirësinë dhe fisnikërinë e saj deri në amshim, u bë emër dhe personalitet i nderuar e i dashur në tërë botën. Modestia e saj ishte një nga veçoritë e cila buronte nga shpirti i saj. Ndaj ajo thoshte : “ E di se jemi një pikë në oqeanin e mjerimit dhe të vuajtjes njerëzore, por nëse s’do të ishim ne, kjo pikë mjerimi dhe vuajtje do të ishte edhe më e madhe”. Kështu pra, fliste Gonxhe Bojaxhiu, apo shpirti i rinisë katolike të Shkupit siç e quanin miqtë, në kohën e rinisë. Kurse shumë vite më vonë ajo do të pranonte se :” Misioni ynë është t’i sjellim dashuri secilit, do të thotë të sjellim Zotin”!

Gonxhe Bojaxhiu (Nëna Terezë) dhe Age Bojaxhiu

Jeta e Nënës Terezë ishte vetëm një pjesë e punës dhe e veprës së saj, në të cilën kriza dhe fama luajtën rol mahnitës. Prandaj, në personalitetin e saj, në shpirtin Nënës Terezë, jo vetëm kombi ynë, por njerëzimi mbarë shihte dhe vazhdon të ndjej shpresën dhe forcën e brendshme që njeriut bashkëkohor i sjell besimin në vete, atë besimin e humbur dhe të nëpërkëmbur. Ajo nuk ishte politikane, por ndikimi i saj në rrjedhat shoqërore të civilizimeve bashkëkohore ishte i jashtëzakonshëm. Prandaj, vepra e Nënës Terezë meritonte dhe do të gëzojë respekt dhe lakmi të madhe, sepse gjatë tërë jetës saj ajo e sakrifikoi shpirtin për mirëqenien e botës, në të cilën botë, mirësia, durimi, respekti, dashuria për qenien njerëzore janë vlera universale. Ato vlera, siç predikonte Nëna Terezë, ishin rruga e vetme e paqes. Dhe, nëse të gjitha këto cilësime dhe vlerësime janë objektive, atëherë mund të shtojmë se vet akti i lindjes së Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Terezë më 27 gusht 1910 në qytetin e Shkupit, mund të konsiderohet si dhuratë e Zotit, jo vetëm për popullin shqiptar por për epokën e njerëzimit në të cilën ajo jetoi dhe veproi. Në këtë kuptim ajo kishte të drejtë kur deklaronte:” Me origjinë dhe me gjak jam shqiptare, me shtetësi hinduse, motër katolike. Përmes thirrjes sime i përkas tërë botës. Por zemra ime i takon vetëm Zotit”.
Por, viti 1910 veç vitlindjes së Ganxhe Bojaxhiut, Nënës Terezë edhe për shumë ngjarje të tjera historike dhe shoqërore është domethënës, në shumë kuptime historik për kombin tonë. Kështu fjala vjen, në muajin shkurt të vitit 1910 valiu i Kosovës urdhëroi të mbyllen të gjitha shkollat shqipe të këtij vilajeti dhe të hiqej mësimi i gjuhës shqipe nga shkollat shtetërore turke. Duhet shtuar se në luftën kundër shollës e kulturës kombëtare shqiptare turqit e rinj patën përkrahjen e dhespotëve ortodoksë grekë dje të klerikëve grekomanë shqiptarë, të cilët, e ndihmën e bandave të andartëve që vepronin lirisht edhe pas shpalljes së kushtetutës, terrorizonin popullsinë e Negovanit, të Bellkamenit dhe të fshatrave të Shqipërisë së Jugut e të Mesdheut, që kërkonte çeljen e shkollave shqipe.
Më 18 shkurt 1910 populli i Elbasanit organizoi një manifestim masiv kundër futjes së alfabetit arab. Në manifestim morën pjesë afro 7000 qytetarë e fshatarë të ardhur nga Shpati dhe nga fshatra të tjera të Elbasani. Më 27 shkurt 1910 u organizua nga klubi “Dituria” një miting i madh në Korçë, ku morën pjesë rreth 15.000 veta. Më 28 shkurt në berat , po ashtu u organizua një manifestimi madh, ku qenë të pranishëm rreth 15.000 veta. Në fakt, në shkurt të vitit 1910, e tërë Shqipëria ishte ngritur kundër përpjekjeve të qeverisë turke për ti detyruar shqiptarët të përdorin alfabetin arab, si dhe për të mbrojtur alfabetin shqip të vendosur në Kongresin e Manastirit. Më 2 – 3 prill 1910,, pra në gjendjen e acaruar të marrëdhënieve shqiptaro- turke, atdhetarët shqiptarë mblodhën një kuvend tjetër kombëtar, Kongresin e Dytë të Manastirit. Tubimi u thirr me nismën e klubit “ Bashkimi” të Manastirit dhe i zhvilloi punimet nga 2 – 3 prill të vitit 1910.
Viti 1910, ndërkaq, në historinë e kombit tonë shënon kryengritjet e mëdha të Kosovës. Shpërthimi i kryengritjeve kishte ndodhur në muajt mars – prill të vitit të përmendur.
Janë të njohura betejat në Grykën e Carralevës, ato të Shalës, të Llapit, të Drenicës, beteja e Kaçanikut, pastaj qëndresa e kryengritësve në Qafë – Morinë dhe në Qafën e Agrit.
Derisa flasim për rrethanat shoqërore dhe historike të kombit tonë në vitin e lindjes, 1910 të Ganxhe Bojaxhiut e shohim të udhës të konstatojmë se Fuqitë e Mëdha të kohës, duke respektuar politikën e ruajtës së status quo-së në Turqinë Evropian dhe në gjithë Perandorinë Osmane, nuk e përkrahën kryengritjen shqiptare të Kosovës. Ata i trajtuan ngjarjet në Shqipëri si një çështje thjesht e brendshme e Perandorisë Osmane dhe i lanë dorë të lirë Qeverisë Osmane për të shtypur kryengritjen. Rusia madje, këmbëngulte pranë Portës së Lartë për ta çuar deri në fund ekspeditën ushtarake në Shqipëri.
Në kontekst të rilindjës shqiptare për çlirim dhe pavarësi nga sundimi turk dhe themelimin e shtetit shqiptar, duhet nënvizuar faktin se, në fillim të shekullit XX-të, ndërgjegjësimi i masave të gjëra të kombit tonë, pra edhe brenda komunitetit katolik të cilit i takoi Nëna Terezë kishte shënuar përparime të shtuara. Mund të konstatojmë se ishte në rritje e sipër vetëdija për ruajtjen dhe afirmimin e përparimin e identitetit kombëtar dhe fetar. Kisha katolike në viset shqiptare në këtë drejtim kishte avancuar me organizimin e një strukture civile të kohës. Qëllimi ishte i qartë: mbijetesa e identitetit të rrezikuar kombëtar dhe fetar nga pushtuesit shekullor. Në këtë periudhë, bëhet edhe themelimi i shoqërive bamirëse, të cilat rreth vetes kishin tubuar popullatën katolike, kjo me qëllim të kultivimit të aktiviteteve të ndryshme kulturore dhe fetare. Ndaj që tani mund të konstatojmë se edhe themelimi dhe veprimtaria e SHBH “Nëna Terezë”, i ka rrënjët në humanizmin e thellë shpirtëror të njeriut shqiptar, madje të epokës së Nënës Terezë e cila me veprën saj u bë profet i dashurisë, lajmëtare e një renesanse dhe shpirti të ri humanitar.
Shoqëritë bamirëse ishin shoqata laike ( civile), natyrisht që e zhvillonin aktivitetin tyre nën përkujdesjen e Kishës katolike. Kështu, ndër të tjera më 1 nëntor të vitit 1910 imzot Lazër Mjeda kishte kordinuar aktivitetet humanitare bamirëse në dioqezën Shkup –Prizren dhe kishte themeluar Shoqërinë bamirëse me emrin “Vepra Ndimtare”. Ndër kompanitë kishtare të asaj kohe që kishin ndihmuar “Vepren Ndimtare” ishin: Kompania e Sh’ Jozefit, Kompania e Sh’na Kryqes, Kompania e Sh’ Filipit e ShÇ Jakut, Kompania e Sh’ Markut, Kompania e Shna Ndout, Kompania e Zojes Rruzare, Kompania e zemrës Krishtit, Kompania e Sh’Matejes, Kompania e Sh’ Pjetrit.
VIJON …

Total
0
Shares
1 comments
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura