Prishtinë, 8 mars 2019: Cilido standard i studimit shkencor të ideologjisë hegjemoniste në Memorandumet e ASSHA na kthen në historinë e ideologjisë për Serbinë e Madhe, si projekt nacional serb. Kjo, edhe për faktin se, në mbështetje, në frymëzimin politik, nacional të gjitha luftërave të qeverive serbe për Serbinë e Madhe, ka qëndruar dhe qëndron mendimi akademik i elitave intelektuale serbe. Madje, në rastin e Kosovës, historikisht, gjenocidi serb mbi popullin tonë u ideua, u frymëzua, u përkrah, u instrumentalizua, u drejtua nga ideologët serbomëdhenj, të cilët, në të gjitha projektet për Serbinë e Madhe, kishin paraparë, përmes ushtrisë serbe, grupeve paramilitare, çetnike shfarosjen e qenies dhe të racës sonë shqiptare. Në mendimin, jo vetëm politik, por edhe akademik shqiptar, dje dhe as sot, nuk e hulumtuam mjaftueshëm platformën ideologjike të projekteve serbomëdha, antishqiptare në kohë dhe në hapësirë. Ndërsa, ishte dhe është po e njëjta ideologji serbomadhe, e cila, projektoi gjenocidin serb kundër popullit tonë. Studiuesi gjerman, Wolf Dietrich Behscnit, në lidhje me ideologjinë serbomadhe thekson se: ”…idetë nacionale të akademikëve serbë paraqesin ideologjinë gjuhësore dhe kulturore të Serbisë së Madhe”!
Formulimin e parë dhe ndër më të rëndësishme të idesë për Serbinë e Madhe e gjejmë në veprën e ministrit serb Ilija Garashaninit “NaÃÂartanija” (1844). Më pastaj, më 1849, nga ideologu famëkeq i panserbizmit, Vuk Karaxhiqi, u botua teksti themeltar i ideologjisë serbomadhe, me titull, “Serbët të gjithë dhe gjithkund / kudo”. Ndërkohë, në periudhën nga fundi i shek.19 dhe fillimi i shek. 20 inteligjencia serbe, ndër ta, Jovan Cvijiçi (Problemi serb duhet të zgjidhet me forcë, me dhunë.), Aleksandar Beliçi, etj., ishin ndër strategët elitarë serbë të ideologjisë dhe të projekteve serbomëdha. Protagonistët e asaj ideologjie serbomadhe, veçmas, mbanin qëndrim racist ndaj shqiptarëve. Mbi po të njëjtën platformë ideologjike dhe politike raciste ndaj popullit tonë ishin edhe Vasa Çubrilloviqi (E vetmja mënyrë dhe i vetmi mjet është dhuna brutale… për çka ne gjithnjë ishim mbi ata) dhe Ivo Andriqi, të cilët, sikur edhe prijësit shtetëror serbë të kohës, Nikolla Pashiqi, në Programet e tyre kishin kërkuar veprime brutale, deri në gjenocid, eliminim fizik të shqiptarëve. Në fillim të vitit 1920, ishte formuar Lëvizja Çetnike, e cila mbështetej në Programin nacional serb për Serbinë e Madhe, etnikisht të pastër. Në atë periudhë, ideolog i Lëvizjes Çetnike, pas Stevan Moljeviqit, ishte Drazha Mihajloviqi, kurse më pastaj, ideolog i të njëjtës Lëvizje serbe u bë Vojisllav Shesheli me bashkëpunëtorë, ndër të cilët edhe Tomislav Nikoliqi, Aleksander Vuqiqi e të tjerë.
Mbi gërmadhat e të njëjtës histori të ideologjisë serbomadhe, të Projektit për Serbinë e Madhe, u ngritën edhe Memorandumi i ASSHA i vitit 1986 dhe Memorandumi i vitit 2012, për të cilin, publiku ynë akademik nuk ka shumë njohuri. Gjithsesi, logjika, ideologjia dhe sistemi i vlerave të Memorandumit të parë dhe të dytit serb, janë mbështetur në ide morbide, në ide të krimit, krejtësisht antinjerëzore, sidomos në raport me qenien dhe racën tonë shqiptare. Në rastin e Memorandumit të parë dhe atij të dytë të akademikëve serbë, nuk është fjala vetëm për projektin e krijimit të Serbisë së Madhe, porse kemi të bëjmë me ideologjinë serbe për gjenocid, shfarosje fizike të shqiptarëve, spastrim etnik të Kosovës. Prandaj, historiani eminent gjerman, Holm Zundhausen, duke e vlerësuar Memorandumin serb të vitit 1986, shkruante se: ”Ai ishte dëshmuar si pamflet paranoik për gjendjen e popullit serb” dhe se, autorët e tij “…i kanë aktivizuar armiqtë e vjetër, stereotipat dhe paragjykimet”. Ndërsa, historiani amerikan nga Universiteti i Michiganit, Robert J. Donia, vlerëson se: ”Nacionalizmi serb është ideologji e cila i ka ndryshuar rrjedhat historike, ka prodhuar spastrimin etnik dhe së fundi gjenocidin…”!
Nga ajo distancë historike, kemi të drejtë të themi se Memorandumi serb i vitit 1986, duke qenë një pamflet anakronik, reaksionar, e çoi futjen e Serbisë në katër luftëra humbëse. Në ato luftëra, pra, sidomos kundër shqiptarëve paqësorë, Serbia u frymëzua, u vërsul nga po e njëjta ideologji çetnike, e prijësit të saj ideor, Stevan Moljeviqit, pastaj e Vasa Çubrilloviqit, Ivo Andriqit, e akademikëve Dobrica Qosiqit (Populli serb i ka të gjitha arsyet dhe të drejtat historike, nacionale që të jetojë në një shtet, 1991), Antonije Isakoviqit, Ljuba Tadiqit (Kërkesa e serbëve që të jetojnë në një shtet, edhe më tej quhet hegjemonizëm serbomadh – babai i Boris Tadiqit), Vojisllav Sheshelit, Tomislav Nikoliqit etj. Dje, dhe sot, politika serbe, elitat serbe, në raport me çështjen shqiptare, janë në të njëjtat pozicione historike, në vazhdimësi ideologjike të idesë serbomadhe! Memorandumi serb i vitit 1986, është vazhdimësi, por edhe rikthim i historisë politike serbe në dokumentin e njohur me emrin “Libri i Kaltër”, të përgatitur nga akademikët dhe pushtetarët serbë të kohës, i dorëzuar, Kryesisë së Serbisë më 5 janar 1977. Doktrina nacionaliste e të gjitha qeverive serbe, ideologjia e thikës, e varreve dhe e gjakut për shfarosjen e shqiptarëve dhe dëbimin e tyre nga tokat tona amnore, pra, përmes “Librit të Kaltër” u zbatua më 1989, me rastin e suprimimit të dhunshëm, brutal të autonomisë së vitit 1974 të Kosovës. Por, ajo ideologji serbomadhe, e manifestuar në të gjitha programet dhe Memorandumet serbe, u jetësua në luftën e Kosovës, në të cilën ushtria serbe, paramilitarët serbë vranë edhe fëmijët në djep, gratë shtatzëna dhe këdo që e kishin para vetes.
Memorandumi i dytë serb, i vitit 2012 i ASSHA, i cili, në pikën gjashtë parasheh bashkimin e Republika Srpskes me Serbinë përmban nëntë pika.
– Pika e parë parasheh “Zvogëlimin e përgjegjësisë së Serbisë për krimet dhe shkatërrimet e bëra dhe me proceset e montuara gjyqësore kundër shtetasve të Kosovës, BH dhe të Kroacisë ta vendosë Serbinë në pozitë të barabartë me shtetet përreth.
– Pika e tretë parasheh që “Shtetet fqinje, Kosovën, Kroacinë dhe BH t’i detyrojë të heqin dorë nga paditë e paralajmëruara para drejtësisë ndërkombëtare”.
– Pika e gjashtë parasheh “Destabilizimin e qeverive në shtetet fqinje…”.
– Kurse, pika e tetë e këtij dokumenti kërkon nga shteti serb që ”Të insistohet në fitimin e elementit, statusit konstituiv të serbëve në Kroaci, BH, Mal të Zi dhe në Kosovë dhe të kryhet tranzicioni i bashkësive serbe, në shtete të rajonit, në të ashtuquajtura bashkësi unitare, në bashkësi gjithë serbe”.
Në vend të përmbylljes, do ta shtroja pyetjen: A nuk është, krijimi i Asociacionit të komunave me etnitet serb, bashkësi gjithë serbe?