PROF.DR.EDI SHUKRIU: TRASHËGIMIA KULTURORE E DARDANISË – KOSOVËS

Pashtriku.org, 04. 10. 2013 – /Ligjëratë me mësuesit e shkollës shqipe në shtetet Skandinave, 19 – 20 maj 2011, Landskrona, Suedi/ – Të nderuar pjesëmarrës të Konferencës, Kam kënaqësi të veçantë që gjendem në mesin tuaj, mësimdhënësve që edukojnë gjenerata të reja dhe mbesin në kujtesë pa marrë parasysh kalimin e kohës. Falenderoj organizatorët dhe Qeverinë suedeze për ftesën dhe për gjithë mbështetjen për kultivimin dhe ruajtjen e identitetit kombëtar shqiptar, i cili përbën bazën e qytetërimit europian dhe i cili, bashkë me identitetet e tjera, pasqyrojnë diversitetin e çmuar kulturor të Europës. Sot para jush kam sjellë dëshmi mbi rrënjët e lashtësisë prej nga vini, të rëndësishme për njohjen e vetes dhe të tjerëve dhe për respektimin e ndërsjellë, si bazë për ndërtimin e paqes.
Trashëgimia kulturore, materiale dhe jomateriale (shpirtërore) përbën bazën e studimeve të çështjeve identitare, e cila sjell kontributet e popujve të ndryshëm në zhvillimin e gjithëmbarshëm të njerëzimit. Jo rastësisht, para 2 mijë vjetësh u tha: Ata që nuk e njohin të kaluarën janë si foshnja – nuk dinë gjë! (Lucrecius Car). Popujt, si dhe foshnja, kanë rritën e vet dhe kjo rritë bazohen në njohuritë dhe përvojat e fituara nga e kaluara, nga rrënjët individuale e kolektive. Këto rrënjë gjenden në trashëgiminë kulturore, të krijuar nga njerëzit dhe për njerëzit.

Trashëgimia kulturore e Kosovës përmban mozaik të pasur të trashëgimisë arkeologjike, arkitekturore, shpirtërore dhe të peizazheve kulturore. Shtresat kulturore janë krijuar që nga epoka e gurit (para mbi 8 mijë vjet) e deri te kohët moderne dhe përmbajnë atribute shkencore, historike, shoqërore, artistike dhe të mjedisit. Si e tillë, trashëgimia kulturore e Kosovës është pjesë fisnike e ambientit dhe e mentalitetit të banimit.
Në vijim shtrohet pyetja:
– Sa njihet trashëgimia kulturore e Kosovës, sa e njohim ne dhe sa e njohin të tjerët?
– Sa njihen porositë që kjo trashëgimi kulturore bart me vete?
Hynjesha në fron, e zbuluar në lokalitetin neolitik të Prishtinës (Tjerrtorja), tani më është e njohur për të gjithë, por jo shumë e dinë se ajo nuk ishte vetëm. U krijua bashkë me një varg hyjnishë të periudhës neolitike dhe eneolitike, motra dhe mbase vëllezër të saj. Këto janë zbuluar edhe në Runik të Skënderajt, në Bardhosh pranë Prishtinës, në Vallaç të Mitrovicës etj.
Hynjesha në fron kishte dhe stërgjyshe, të krijuara gjatë neolitit të hershëm dhe të zbuluar në Gradishën e Vlashnjës, në Varosh të Ferizajit apo në Glladnicë të Graçanicës.

Figurinat e ndryshme neolitike dhe eneolitike, masive apo në miniaturë, kanë procesin e zhvillimit të tyre. Gjatë neolitit të hershëm dhe të mesëm kanë trajtë cilindrike, me vija të gërricura që paraqesin sytë e pastaj edhe vetullat. Gjatë neolitit të vonë dhe eneolitit të hershëm trajtat e tyre zhvillohen më tej, duke sjell dhe pamjen e Hynjeshës në fron, që tek ata që nuk e njohin zhvillimin e figurinave të tilla krijon përshtypjen se kjo hyjneshë paraqet jashtëtokësoret apo është krijuar nga ata. Figurinat janë të llojeve dhe të pozitave të ndryshme, por kryesisht dominojnë ato në pozitë vertikale dhe në fron. Të gjitha i kanë gjinjët si karakteristikë të përbashkët të tyre dhe që simbolizojnë plleshmërinë. Ca dilema sjell Hynjesha në fron, tek e cila mungon theksimi i gjinjëve, por ku barku i fryrë dhe labyrinthi i gërricur mbi të simbolizon plleshmërinë dhe krijimin, përkatësisht nismën e koncepteve mbi ciklin e jetës, si një fazë më të zhvilluar të besimit. Prezenca e figurinave të tilla shpalon një botë të tërë dhe jo aq të studiuar shpirtërore të banorëve të Kosovës parahistorike, hapësirat e shenjta të tyre, lutjet kolektive dhe këngët e vallet e shenjta.
Epoka e eneolitit solli ndryshime të mëdha në jetën e banorëve neolitik, të cilët zhvilluan ekonominë bujqësore. Ndryshimet nisën me nismën e xehetarisë, me përdorimin e bakrit, dhe pastaj me dyndjet e fiseve indoeuropiane. Fiset indoeuropiane sollën sërish si bazë ekonominë blegtorale dhe dyndjet e tyre kushtëzuan vendosjen e vendbanimeve në kodra të mbrojtura. Ndryshuan edhe përfytyrimet e hyjnive, hyjneshat e plleshmërisë ishin prezente, por me trajta mjaft të thjeshtëzuara.

Nga gërshetimi i banorëve neolitik dhe ardhësit indoeuropian u krijua më pas popullata ilire, përkatësisht ajo dardane, në Kosovë dhe në territoret e tjera të njohura si Dardani. Në mesjetë kjo popullatë u njoh me emrin arbër. Mbi këtë bazë ndikuan apo u bënë pjesë e shtresimeve edhe kulturat e tjera, si ajo greke, romake, bizantine, sllave, otomane e të tjerëve.
Epoka e bronzit solli zhvillimin e proceseve integruese dhe të bazave të kulturës ilire, duke krijuar kompleksin e Gllasinacit të epokës së bronzit, ku bënte pjesë dhe Kosova e sotme.
Vendbanimet gjendeshin në kodra të ulëta (Vlashnjë, Teneshdoll) apo në hapësira të dysta (Ljushtë, Qëndresan/Gllarevë, Nasalë/Nosalë), ndërsa të vdekurit janë vendosur në varreza tumulare (Rugovë, Ujz, Përçetë/Përçevë). Kjo periudhë është e vlefshme edhe për t’i konstatuar lidhjet midis dardanëve të Europës dhe të Azisë së vogël.
Një nga lokalitetet e shenjta, që është shfrytëzuar nga epoka e neolitit dhe gjatë epokës së bronzit e më tej, është hijerorja e Mrizit të Kobajës pranë Vlashnjës së Prizrenit. Në të është zbuluar pikturimi parahistorik shkëmbor, i pari i këtij lloji, i cili përmban një numër të madh të spiraleve, llojesh dhe pozitash të ndryshme, dhe një dre. Këto dhe dëshmitë e tjera flasin edhe për prezencën e qiell-vështruesve parahistorik dhe për konceptet mbi ciklin e jetës. Observatori parahistorik i zbuluar në Kokinë pranë Kumanovës sjell dëshmi për këto konstatime.
Epoka e hekurit është kohë e konsolidimit të ilirëve, në mesin e tyrë dhe të dardanëve (XII-IV). Në fillim të epokës së hekurit varrimi u zhvillua edhe me ritualin e djegjes dhe hiri vendosej në urna, ndërsa nga shekulli VIII p.K. vazhdoi riti i varrimit në tuma deri në shekullin IV p.K. Ky rit u ripërtëri gjatë periudhës romake (shekujt II-III), kur nisën të rikthehen traditat identitare.

Llojlloshmëria e objekteve të gjetura në vendbanime kodrinore dhe në tuma dëshmojnë për një jetë më të zhvilluar, si dhe për kontakte me botën mesdhetare. Në mesin e tyre duhet veçuar objektet që lidhen me kultin e diellit, përkrenaret ilire, qeramika, stolitë, në veçanti ato të tumës së Bajës së Pejës të shekullit VI p.K. e të tjera.
Shekujt VI-IV shënojnë fazë paraurbane dardane, në të cilën u fuqizua aristokracia fisnore. Në këtë fazë u zhvilluan zejet, në veçanti poçaria e krijuar me qark të poçarit, e cila krijoi edhe trajta autoktone sipas modeleve helene. Kësaj periudhe i takojnë dhe mbishkrimet e para të zbuluara në Kosovë, si është mbishkrimi me alfabetin arkaik grek nga Gradina e Gadimes së Epërme, mbishkrimi grek AITOYGAN apo shkronjat “E”, “B”, “M” dhe „Psi“ nga qeramika e lokaliteteve të ndryshme të Kosovës.

Historia antike e Kosovës nisi me krijimin e shtetit të Dardanisë, në shekullin IV p.K. Shteti kishte territor kompakt, popullsi të njohur me emrin dardanë, ushtri të organizuar, institucion të mbretit (Longari, Bato, Monuni), fron trashëgues, martesa dinastike dhe veprimtari diplomatike. Dardania ishte fuqia më e madhe në Ballkanin Qendror gjatë shekujve III-I. Përderisa për këtë periudhë ka të dhëna të shkruara të burimeve antike, të dhënat arkeologjike janë të mangëta, andaj është me rëndësi të veçantë që për çdo gjetje të rastit të përcjellet informata në institucione. Në mesin e objekteve të gjetura të kësaj periudhe janë Monumenti mortor nga Kulina e Dardanës / Kamenicë, objektet nga varret e shekujve III-II të varrezave tumulare të Romajës; qeramika helenistike, enët metalike dhe terrakotat nga varret e Artanës/Novobërdës; Cjapi i bronzit nga Prizreni; Lajmëtari nga Pirana; lotorja nga Zotaj dhe fibulat e shekujve II-I nga Vërmica e Prizrenit.
Monumenti mortor i Dardanës/Kamenicës është njëri ndër monumentet më të rëndësishme të zbuluara në Kosovë, si monument i parë figurativ i këtij lloji dhe unik deri më sot. Përmes tij zbulohen dimenzione të reja të jetës religjioze – filozofike dardane dhe shprehet niveli kulturor i antikës dardane para pushtimeve romake. Monumenti është një reliev monumental guror, i cili përmban ritin mortor dhe ku prezantohet varrimi i ushtarakut me përkrenare ilire, arkën funerale të të cilit e mbajnë katër ushtarë, po ashtu me prëkrenare ilire (doriforë). Pas arkës vallëzojnë tri valltare mortore, tre gjëmëtarë shkulin flokët dhe janë present edhe shtazët e kultit. Kortezhit funeral i paraprinë një figurë femre, e cila duket se paraqet një priftëreshë të kultit mortor, si ndërlidhje me hyun. Relievi i Dardanës ka vlerë për zbërthimin e botës shpirtërore dhe të kulturës materiale dardane, ndërsa elementet etnografike kanë vlerë për të fituar njohuri për kostumografinë dardane të kohës dhe për çështjet e analogjive dhe të kontinuitetit iliroshqiptar.

Përkundër rezistencës së gjatë, Dardania u pushtua nga romakët në mesin e shekullit I dhe u bë pjesë e Mezisë dhe pastaj e Mezisë së Epër. Për ta mbajtur pushtetin romakët u detyruan që në Dardani të vendosnin trupa të mëdha ushtarake. Formacionet kryengritëse dardane (Lat. latrones) rezistuan për një kohë të gjatë, por më vonë këta u bënë pjesë e ushtrisë romake. Subjektiviteti pararomak dardan, entiteti i krijuar i krijuar më parë bënë që dardanët t’iu shmangen romanizimit të plotë, të përvetësojnë elemente të kulturës romake dhe t’i kthejnë disa nga traditat e hershme pararomake, si ishte varrimi në tuma. Kultura e krijuar në këtë periudhë është e lartë dhe ajo përfshin godinat me mozaikë të nivelit të lakmueshëm, nekropolet dhe artefakte me vlerë.
Përvojat parahistorike dhe antike dardane u trashëguan edhe në periudhën romake, si në aspektin shpirtërore ashtu dhe atë material. Këtë e dëshmon dhe monumenti epigrafik i Smirës, i përkushtuar Hyjneshës Dardane. Përmes labyrinthit rrethor, pos atij katërkëndësh që konsiderohet që i takon traditës greke, shprehet përfytyrimi dardan i ciklit të pafund të jetës dhe i universit. Monumentin është një lloj “Bible” e Kosovës, sepse sjell elemente të identitetit kulturor, por edhe të diversitetit të tij, pasi që është ngritur nga një ushtar, duket me prejardhje greke, i cili ka shërbyer në ushtrinë romake.

Konceptet që u zhvilluan mbi ciklin e jetës dhe pastaj me përfytyrimin e Universit ishin të hershme dhe këto nisin nga labrynthi i paraqitur në barkun e Hyjneshës në fron, spiralet e pikturuara parahistorike të Vlashnjës e deri te labyrinthi rrethor i Smirës. Përkushtimi Hyjneshës Dardane në monumentin epigrafik të Smirës dhe labyrinthi autokton rrethor në të dëshmon se monumenti i është përkushtuar një hyjneshe që kryesonte panteonin dardan dhe që lidhej me kultin e diellit, burimin e jetës dhe të njohurive sublime. Koncentrimi i funksioneve të shumta në një kryehyjni shpreh nismën e kalimit nga politeizmi në monoteizëm, përkatësisht nga paganizmi në krishterizëm.

Krishterimi në Dardani nisi të përhapet herët dhe u bë fe zyrtare nga shekulli IV si dhe në gjithë perandorinë romake. Dardania në përgjithësi u bë edhe udhëkryq i përplasjes së doktrinave kishtare, të asaj lindore dhe perëndimore, nga të cilat pas shekullit XI u krijua trashëgimia kulturore katolike dhe ortodokse e banorëve të Kosovës. Gjurmët e kishave të shumta dhe toponimet, si janë Lisi i popit apo Lisi i prifitit, i dëshmojnë këto ndarje dhe, mes tjerash, edhe manifestimi i Shën Gjergjit sipas kalendarit katolik apo ortodoks, ky i fundit i manifestuar edhe nga banorët shqiptarë të besimit islam.

Pas ndarjes së Perandorisë Romake (395) treva e Dardanisë hyri në përbërjen e Perandorisë Romake të Lindjes dhe, më pas, të asaj bizantine. Shekujt vijues i karakterizon përparimi ekonomik, përhapja e krishterimit dhe sulmet e fiseve barbare të nisura me sulmet e hunëve dhe të gotëve dhe pastaj të avarëve, pas të cilëve krijuan ngulmime fiset sllave.

Periudha bizantine pasoi edhe me zhvillime ekonomike e kulturore dhe ndërtimin apo rinovimin e kishave të shumta. Pastaj Kosova u pushtua nga mbretëria bullgare dhe më vonë nga shteti mesjetar serb. Nga kjo kohë dhe më pas u krijuan objekte të çmuara si janë Manastiri i Graçanicës, i Deçanit, Kryengjëjve, Pejës, Kisha e Shën Prendës në Prizren dhe shumë të tjera. Duhet përkujtuar se këto objekte fetare u ndërtuan mbi objektet e më hershme, dhe u mbrojtën nga vojvodët shqiptare, ndonëse këta ishin konvertuar në fenë islame pas pushtimeve otomane. Pushtimet otomane sollën një frymë tjetër kulturore, duke lënë trashëgimi objekte të ndryshme, si hamame, xhami e tyrbe. Të gjitha këto përbëjnë shumëdimensionalitetin e trashëgimisë kulturore të Kosovës, që u krijua mbi bazat identitare dhe parahistorike e antike.

Mbrojtja dhe prezantimi i trashëgimisë kulturore të Kosovës është obligim ligjor që derivon nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe nga konventat ndërkombëtare.
Përmbushjen e këtyre obligimeve e bën Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore (KKTK), i cili e ka për detyrë evalimin dhe mbikëqyrjen e të gjitha veprimeve në fushën e trashëgimisë kulturore. Për këtë trashëgimi KKTK ka qasje shumë bashkëkohore, pasi që promovon konservimin e integruar dhe që nënkupton përfshirjen në proces të gjithë aktorëve, që nga Kuvendi i Republikës së Kosovës e deri te qytetari.
Këtë ligjërim mbi rrënjët dhe identitetin nuk mund ta përfundoj pa theksuar shkatërrimet e forcave serbe të trashëgimisë kulturore, që lidhen me identitetin shqiptar, duke u nisur nga djegja e godinës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Me këtë lidhet dhe përvetësimi i artefakteve arkeologjike dhe etnologjike të Kosovës nga Serbia, si dhe marrja e dokumentacionit përkatës dhe të arkivave.
Në fund, më lejoni të them se kultura dhe trashëgimia kulturore është një nga rrugët më të rëndësishme që sjell njohjen dhe respektimin e ndërsjellë të popujve të Europës. Kjo rrugë, e trasuar mbi baza shkencore dhe profesionale, mund të shpie më shpejtë drejt realizimit të një Europe të bashkuar dhe paqësore. Ju falenderohem!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura