PROF.DR.NUSRET PLLANA: GRA QË JU KANË BËRË KRAHË ECJES SONË NËPËR RRUGËT E HISTORISË

Prishtinë, 20 tetor 2018: (Hanëmshahe Ilazi, Gratë e huaja për shqiptarët dhe shqiptaret e diasporës), Prishtinë, Prill, 2018
Përkufizimi

Tema e veprës së Hanëmshahe Ilazit është shumë interesante, edhe për faktin, se afron dëshmi të mjaftueshme, qoftë për gratë nga vende të ndryshme të botës, që janë marrë me jetën historike dhe me jetën e brendshme të shqiptarëve, qoftë për angazhimin e grave shqiptare të mërgatës, që kanë dhënë çdo gjë vetëm të mos harrohet emri i popullit nga i cili vijnë.
Qoftë vetëm për këto fakte, vepra e Hanëmshahe Ilazit, mundëson që lexuesi shqiptar të njihet me rrugën e madhe të jetës historike nëpër të cilën ka kaluar populli shqiptar, por në të njëjtën kohë, bëhet dëshmitar i angazhimit të madh edhe të femrës nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për ta mbështetur, për ta përkrahur, për ta bërë të njohur, dhe në fund të fundit, për t’u bërë zëdhënëse të jetës së popullit tonë, nëpër tragjeditë e jetës sonë historike, të cilat, të shumtën e herëve, brenda tragjikes ruanin edhe madhështinë e njerëzve nëpër ato ngjarje.
Gratë, që janë bërë subjekt i veprës së Hanëmshahe Ilazit, secila më e njohur se tjetra, nga vende të ndryshme të botës kanë vënë në shërbim të lirisë sonë, të luftërave të drejta të popullit tonë, jo vetëm dijen e tyre, por edhe angazhimin konkret në përpjekje për ta bërë të njohur gjendjen reale të popullit shqiptar para opinionit botëror.

Hyrje
Autorja e veprës Gratë e huaja për shqiptarët dhe shqiptaret e diasporës, krijuesja e njohur, Hanëmshahe Ilazi, ka sjellë dëshmi të mjaftueshme për angazhimin e grave për çështjen shqiptare, qoftë nga anë të ndryshme të botës, qoftë ato me origjinë shqiptare, që kanë jetuar dhe kanë vepruar kudo jashtë trojeve shqiptare, qoftë të grave shqiptare, që kanë vënë krijimtarinë e tyre, veprimtarinë e tyre në shërbim të atdheut të tyre, Shqipërisë.
Mënyra e ndërtimit të strukturës së veprës së saj, i ka dhënë dorë, të sistemojë brenda veprës së saj, gra që kanë punuar për të drejtën historike të popullit shqiptar, gra që kanë qenë pjesëmarrëse nëpër ngjarje të ndryshme nëpër të cilat ka kaluar populli shqiptar gjatë historisë, gra që kanë vënë në shërbim të çështjes shqiptare, dijen, angazhimin, punën e madhe intelektuale, si dhe veprimtarinë e madhe publike, vetëm që të ndriçohen aspekte të ndryshme të jetës së popullit tonë nëpër periudhat kohore, qoftë kur kanë ndodhur ngjarje të caktuara, qoftë kur pritej të ndodhnin zhvillime me pasoja tragjike për jetën e këtij populli.
Autorja e veprës publicistike, Gratë e huaja për shqiptarët dhe shqiptaret e diasporës, varësisht se me cilën figurë të grave, për të cilën ka shkruar, ka shpaluar edhe zhvillime të ndryshme të ngjarjeve, nëpër të cilat ato kanë dhënë ndihmesën e tyre, që të kuptohet drejtë çështja shqiptare për të cilën ato ishin angazhuar.
Gra të huaja pjesë e historisë së popullit shqiptar
Gratë për të cilat ka shkruar autorja Hanëmshahe Ilazi janë të shumta dhe janë të periudhave të ndryshme kohore. Prandaj, edhe ngjarjet për të cilat janë angazhuar ato, kanë qenë pjesë e tyre, i kanë bërë të njohura, qoftë në opinionin e vendeve të tyre, qoftë në mjedise të tjera në përmasë botërore, duke u vënë në anën e drejtësisë historike, si me angazhimin e tyre politik, si me dijen e tyre intelektuale, si me përpjekjet e tyre për të ndihmuar popullin shqiptar, nëpër rrënojat e historisë që i kishin rënë hise e jetës së tyre historike.
Autorja Hanëmshahe Ilazi, ka të drejtë kur shpreh mendimin se populli shqiptar, është ‘‘borxhlinj ndaj këtyre grave trime, mendje ndritura e shumë humane, që bënë shumë për popullin dhe vendin tonë, duke filluar nga fundshekulli XIX, fillim shekulli XX duke vazhduar deri në shekullin XXI e më tutje deri në ditët tona’’, jo vetëm për faktin se veprimi i tyre politik, dija e tyre intelektuale, veprimtaria humanitare e secilës nga ato, ishte bërë pjesë e jetës së këtij populli, por edhe për faktin se me angazhimin dhe përpjekjet e tyre, ato kishin vënë në lëvizje opinionin e vendeve të tyre, politikën e shteteve nga kishin ardhur, por edhe kishin informuar drejtë e pa anime opinionin e atyre vendeve, gjë që edhe sot del se është shumë me rëndësi për rrugën e historisë së popullit shqiptar.
Periudha kohore e pranisë së grave të huaja, siç thotë autorja, përfshinë thuajse tre shekuj të jetës historike dhe të jetës shpirtërore të këtij populli. Vetëm ky fakt është i mjaftueshëm për të parë punën e madhe, qoftë në grumbullimin e të dhënave, për secilën nga këto personalitete, qoftë për të dokumentuar përpjekjet e tyre nëpër ngjarje të caktuara, qoftë për të afruar fakte dhe njohuri të reja për shumë nga këto gra që kishin vënë dijen dhe veprimin e tyre praktik në shërbim të ndriçimit të aspekteve të ndryshme të ngjarjeve historike, të cilat kishin qenë pjesë e popullit shqiptar, që nga shekulli XIX e deri në qershor të vitit 1999, kur mbyllet një kapitull i madh i padrejtësive historike nëpër të cilat kishte jetuar populli shqiptar.
Jo rastësisht andaj, autorja e veprës Gratë e huaja për shqiptarët dhe shqiptaret e diasporës, e fillon veprën me një figurë shumë të rëndësishme, jo vetëm për historinë e popullit shqiptar, sidomos për historinë e Kosovës, si pjesë e historisë shqiptare, siç është figura e politikanes me ndikim botëror, Angela Merkel, e cila me angazhimin e saj për zgjidhjen e jetës politike të Kosovës, ka vënë në udhën e mbarë të zgjidhjes, thuajse tërësinë e politikës shqiptare.
Duke qëmtuar nëpër faqet e historisë së populli tonë, autorja e veprës Gratë e huaja për shqiptarët dhe shqiptaret e diasporës, shqyrtimin e figurave të grave që i janë bërë krahë çështjes shqiptare, e ka trajtuar në disa plane, duke filluar nga ai politik, nga veprimtaria shumë e frytshme e shumë grave të botës, për ndriçimin e çështjeve jetësore të popullit shqiptar, siç janë dijet për origjinën e popullit shqiptar dhe origjinën e gjuhës shqipe, do të thotë, aspekte nga më të ndryshmet të studimeve albanologjike, më tutje, veprimtarinë humanitare të atyre grave, të cilat përkundër pengesave të mëdha që u dilnin nga politika e vendeve të tyre, kishin arritur të informojnë opinionin botëror me tragjedinë që po i ndodhte popullit shqiptar.
Njëra nga këto figura, të cilën historia dhe kultura jonë e ka pagëzuar “Mbretëresha e Malësorëve”, është Edith Durham, e cila jo vetëm me veprën e saj historike, etnografike, me studimin e dokeve dhe zakoneve të jetës së brendshme të shqiptarëve të Malësisë së Veriut, por edhe me angazhimin e saj të drejtpërdrejtë politik, kudo ku i jepej rasti dhe kudo ku kishte ndikim, ka bërë që ngjarje të caktuara të historisë sonë të fundit të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX, të bëhen pjesë e informacionit të opinionit politik dhe shoqëror evropian.
Qoftë vetëm trajtimi, paraqitja, informacioni për veprimtari të këtilla të grave të huaja që janë vënë në shërbim të çështjes shqiptare, veprës së autores Hanëmshahe Ilazi i jep vlerë të mirëfilltë të publicistikës historike.
Duke qëmtuar praninë e këtyre grave, nga vende të ndryshme të Evropës dhe të botës, autorja Hanëmshahe Ilazi, ka sistemuar informacion të shumtë për gratë e huaja që i kanë dhënë ndihmesë zhvillimeve të ndryshme, historike, kulturore dhe shkencore të jetës së popullit shqiptar. Në veprën e saj kanë zënë vend kontributet e këtyre grave në shumë plane të jetës së popullit tonë, siç janë Margaret Hasluck, Rose Wilder Lane, Kontesha Carnarvon, Nina Smirova, Agnia Vasilievna Desnickaja, Marina Marinova, Mariane Graff, Larisa Kaminckaja, Gertrura Entrei, Shirley Dioguardi, Madeleine Olbright, Margaret Thaçer, Marie Calvin, Berit Beker, Alexandra Boulet, Angela Merkel, Anna Di Lellio, Nataša Kandić, Sonja Biserko. Përveç këtyre emrave që sollëm si shëmbëllim të pranisë së veprimtarisë së grave të huaja në jetën e popullit shqiptar, ka edhe shumë të tjera, siç thotë autorja, ‘‘nga shtete e kombe të ndryshme të botës, ku janë përfshirë gra angleze, amerikane, gjermane, ruse, bullgare, rumune, kroate, italiane, serbe, franceze, austriake’’ e kështu me radhë, një veprimtari shembullore, krahas veprimtarisë së veprimtarëve, dijetarëve, politikanëve dhe studiuesve burra, që kanë dhënë ndihmesë të pamatshme për shumë çështje të jetës historike dhe shpirtërore të popullit tonë.
Gra të mërgatës shqiptare që i bëhen krahë atdheut
Një pjesë të konsiderueshme të veprës së saj, Gratë e huaja për shqiptarët dhe shqiptaret e diasporës, autorja Hanëmshahe Ilazi, ia ka kushtuar edhe rolit shumë të madhe, pranisë së përhershme, aktiviteteve dhe veprimtarive të pafundme të grave të mërgatës shqiptare, kudo nëpër botë. Mjafton vetëm të zihet në gojë emri i Elena Gjikës, e njohur në botën shkencore dhe kulturore të Rilindjes evropiane dhe shqiptare, me emrin artistik, Dora d’ Istria, e cila për herë të parë, si studiuese femër, e informon opinionin kulturor evropian për origjinën e popullit shqiptar sipas këngëve popullore shqiptar, të mbledhura nga shumë studiues, sidomos nga arbëreshët tanë.
Në planin e veprimtarisë humanitare, cila grua e botës mund të krahasohet me nënën tonë të madhe, Gonxhe Bojaxhiu,–Shën Terezën (Nënën Terezë), që është bërë Nënë e Botës. Po ashtu, në veprën e saj është folur dhe është shkruar edhe për kapitenen e parë të anijeve në Evropën e kohës, për Bubulinën tonë, për të cilën kanë shkruar vepra edhe autorë të huaj, kurse ne, aq pak kemi folur për të.
Këtu, siç ndodh zakonisht në shkrime të kësaj natyre, nuk është e mundur të përmenden të gjitha ato personalitete të grave të mërgatës shqiptare, apo të grave të huaja që janë bërë pjesë e jetës historike dhe kulturore të popullit shqiptar, por autorja ka qëmtuar me kujdes dhe me shumë durim, aq shumë informacion kulturor e shkencor, për të përkufizuar bindshëm praninë e madhe në jetën e popullit shqiptar, të grave nga vende të ndryshme të botës, si dhe të grave të mërgatës shqiptare, që asnjëherë nuk e kanë harruar atdheun e origjinës, Shqipërinë.
Përfundim
Siç është theksuar edhe në fillim të këtij shkrimi, në strukturën e ndërtimit të veprës së autores Hanëmshahe Ilazi, Gratë e huaja për shqiptarët dhe shqiptaret e diasporës, janë shtresuar të dhëna dhe informacion kulturor për, thuajse, dy grupe të grave, të grave të huaja, nga aq shumë vende të botës, që kanë marrë pjesë në ngjarje shumë të rëndësishme në jetën historike të popullit shqiptar, si dhe gra të mërgatës shqiptare, të cilat me veprimtarinë e tyre atdhetare, kulturore, shkencore, sportive, humanitare, kanë bërë të njohur përkatësinë e tyre kombëtare kudo në botë, por edhe kanë hapur mundësi e rrugë për angazhimin e të tjerëve në zgjidhjen e aq shumë aspekteve të jetës historike të popullit shqiptar.
Qoftë vetëm për angazhimin e madh lidhur me informacionin që ka shtrirë në veprën e saj, autorja Hanëmshahe Ilazi, njohjes së figurës së gruas nga vende të ndryshme të botës, që kanë dhënë ndihmesën e tyre për njohjen e çështjes shqiptare, njohjes së angazhimit të gruas së mërgatës shqiptare, që jo vetëm kanë ruajtur përkatësinë e identitetit kombëtar, por kanë hapur rrugë komunikimi e informimi kudo në botë për çështjen shqiptare, dëshmon për rëndësinë dhe vlerën e veprës Gratë e huaja për shqiptarët dhe shqiptaret e diasporës. / Prishtinë, prill, 2018

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura