ADEM GAVAZAJ: PO KULTIVOJMË SHOQËRI NIHILISTE

 (Prizren, 22. 01. 2013) – Po kultivoni qytetarin nihilist do na thoshte Shën Agustini, njëri ndër filozofët më të mëdhenj të filozofisë perëndimore, i cili ishte i pari nga filozofët që e përdori nocionin nihilizëm, me të cilin nocion personifikonte qytetarin që nuk besonte në asgjë madje as në zotin. Qytetari ynë sot thuaja se po kultivohet duke mos besuar në asgjë që ka të bëjë me jetën shoqërore, politike, ekonomike, kulturore e tjera. Ai së fundmi është kultivuar dhe po kultivohet që të mos besojë edhe në krijesat e veta për organizimin e jetës shoqërore çfarë janë institucionet prej familjes si institucion i parë, deri te shteti.
Ne këto Institucione i kemi krijuar me shumë mund dhe sakrificë, ato sot kanë filluar të degradohen në opinionin e qytetarëve, ato sot kanë filluar të etiketohen si të pavlera dhe si të tilla as që duhet të ekzistojnë, të mbrohen dhe të respektohen nga njeriu ynë.

Filozofi Shën Agustini (354 – 430)

Këtë qëndrim ndaj institucioneve po e ujisin politikanët, administratorët, intelektualët e tjera, me veprimet, qëndrimet dhe sjelljet e tyre. Ata po flakin vlerat njerëzore humane me veprimet dhe sjelljet e tyre, duke ndihmuar, me ose pa vetëdije në kultivimin e kriminalitetit, hajdutërisë, imoralitetit e tjera.
Pa turp ndër ne dëgjohen “konstatimet” si Punë e ndershme është punë m… punë e mirë është punë hajduti. Ky konstatim i përdorur nëpër kuluare të ndryshme, besa edhe nëpër media, i shprehur në formë tjetër, po kushtëzon faktin se në shoqërinë tonë nuk po mundemi që të kultivomë asnjë vlerë qoftë politike, shoqërore, ekonomike, kulturore e tjera që të ketë mbështetje objektive dhe që të vlejë në mënyrë të përgjithshme për kohën të cilën po e jetojmë.
Mënyra jonë e organizimit të jetës po e mohon, po e refuzon, nuk po e përfillë të vërtetën, vlerën, normat , progresin, institucionet, shoqërinë, politikën, kulturën e tjera.
Nga biseda me njerëzit e shoqërisë tonë, shihen qartë simptoma, të formave të veçanta të nihilizmit siç janë skepticistët, agnosticistët, anarkistët, pesimistët, mizantropët e tjera të cilët do e stopojnë vlerën, progresin, racionalen në shoqërinë tonë. Në këtë vështrim po i paraqes disa nga tiparet e kërkesave të tyre që i shpallin gjatë bisedave këta tipa njerëzish.
“Grupi” i skepticistëve – ky “grup” ndër ne dyshon në të gjitha teoritë, në të gjitha veprimet, në të gjitha iniciativat, duke qenë të bindur se çdo veprim, mendim, ide e tjera ka të bëjë me interesat e iniciuesve të tyre e jo me një të mirë të përgjithshme. Ky “grup” nuk beson se veprimet dhe sjelljet e njerëzve kryhen edhe nga kënaqësia dhe dobishmëria e përgjithshme e tjera. Ata besojnë se çdo veprim njerëzor kryhet vetëm nga dobishmëria e iniciuesve e tjera.
“Grupi” i agnostikëve – Ky “grup” ndër ne është i bindur se është e pamundur që të kupton sjelljet veprimet dhe qëndrimet e politikanëve tanë, nuk ka as një rrugë të njohjes që posedon njeriu, siç janë: arsye, shqisa, intuita, përvoja që mund ti kuptojë veprimet dhe sjelljet e politikanëve, administratorëve dhe intelektualëve tanë, këta i kupton vetëm zoti….
“Grupi” i iracionalistëve – Ky grup ndër ne përfaqëson pjesën më të madhe të shoqërisë tonë. Këtë grup e shohim në të gjitha shtresat e shoqërisë tonë nga elita deri te punëtori i thjeshtë. Iracionalizmi tek elitat tona, administratorët tanë dhe intelektualët tanë është tmerrues, ata po rrezikojnë dhe po kultivojnë në shtrirjen e tij, me ndikimin që të marr iracionalja përmasat e shumicës në shoqërinë tonë. Këta me veprimet edhe sjelljet e tyre nervozojnë, dekurajojnë, shkatërrojnë racion, humanizmin, vlerat, qytetare që me aq mund u kultivuan nga mendja njerëzore. Ky grup nuk udhëhiqet nga morali e drejta, politika, për ata janë të panevojshme parimet normat vlerat, arsyeja, mendja e tjera, atyre ju intereson vetëm qëllimi i tyre që mbështetet në vullnetin, ndjenjat instinktet. Grupi i iracionalistëve ka gjetur shtrat në të gjitha institucionet e shtetit tonë.
Grupi i Pesimistëve – ky grup ndër ne shef vetëm anët e errëta të shoqërisë ku jeton. Ata janë të bindur se jeta këtu ndër ne nuk mund të përmirësohet as tash as në të ardhmen. Ky grup të kujton Xh. Leopardin i cili shprehej se “Ne nuk dimë asgjë, ne nuk jemi asgjë, dhe nuk kemi çfarë të shpresojmë” dhe si zgjidhje për ne është heqja dorë nga jeta etj.
Grupi i Anarkistëve – Këtij grupi ndër ne i përkasin njerëzit që nuk mundën me u integruar në shoqëri pas luftës si pjesëmarrës që ishin dhe biznesmenët e vegjël dhe të mesëm. Ata kërkojnë lirinë në veprimet e tyre duke dashur që të shmangen nga rregullat e vendosura. Ky grup të kujton mendimet e Galdvinit i cili besonte se njeriu është i aftë që ta kuptojë natyrën, shoqërinë dhe veten, prandaj nuk nevojitet kurrë farë tutele – shteti, pushteti, qeveria, organizata politike e tjera. Ky grup është i mendimit se duhet hequr çfarëdo forme e të organizimit shtetëror, duke kërkuar përmbysjen e shtetit, qeverisë dhe të çfarëdo forme të organizimit politik. Ata kanë parullën na lini të lirë, njeriu rregullon jetën e vetë.
Grupi i mizantropëve – ky grup ndër ne po lëshon shtati, këta tipa të njerëzve kanë qëndrim negativ ndaj llojit të vet, natyrisht janë të kushtëzuar nga rrethanat e ndryshme të jetës së tyre siç janë; përvoja e hidhur, shëndeti mental, gjendja shëndetësore në përgjithësi, me dukjen e jashtme e tjera për ata të gjithë njerëzit janë të këqij, të pamiradijshëm, grabitqar, lakmues e tjera. Mizantropët udhëhiqen nga prirja që njerëzve t’u shkaktohet dëm dhembje, vuajtje e tjera.
Kjo formë e sjelljes, veprimit dhe qëndrimit që po aplikojnë politikanët ose të “fuqishmit” me të gjitha format e pushtetit qoftë ai i popullit, qoftë ai ekonomik qoftë ai ideologjikë do rrezikojnë që nihilizmi të marr përmasat e shumicës në shoqërinë tonë. Atëherë Filozofit të madh Shën Agustini do ti mbetej jo të këshilloj si filozof i madh por të mësojë nga ju “të fuqishëm” duke ju parashtruar pyetje: Si po qeverisni me njerëzit që nuk besojnë në asgjë, as edhe në krijesat e tyre e tjera?
– Autori është profesor në Gjimnazin-2 “Remzi Adema”j në Prizren.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura