PROF.DR.NUSRET PLLANA: LASHTËSIA E VENDLINDJES SI KUJTESË HISTORIKE

Prishtinë, 04. 11. 2015: (Musli Kabashi, Kapërcimshekulli, (Ecejake, Mozaik, Memoare, Rrëfime, Gjurmë, Procese, Rrjedha, Sfida…), kulturologji, Prishtinë, 2015 – Përkufizimi – Libri i Musli Kabashit, ‘‘Kapërcimshekulli’’, mëton të shtjellojë një historik shumëshekullor, për të dëshmuar ekzistencën dhe lashtësinë e popullit shqiptar në këto hapësira, përkundër faktit se titulli sugjeron ngjarjet në fund të shekullit njëzet dhe fillim shekullit njëzet e një, që doemos, lidhet me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Qoftë edhe vetëm ideja e këtillë, dëshmon për idealin krijues të autorit, për angazhimin dhe përpjekjet e tij, që lexuesit t’i afrojë një shumësi materialesh, çështjesh, pikëpamjesh, idesh, sugjerimesh, supozimesh, në mënyrë që, duke e marrë për dore, ta udhëheqë nëpër ecejaket e historisë sonë.
Hyrje
Në fillim, autori Musli Kabashi, nga malësia e Therandës së lashtësisë, por edhe e sotmja, i afron lexuesit bindjet e tij për kohën e krijimit të shtetit të Dardanisë, për shtrirjet e tij, si për gjëllimin e qytetarëve të këtij shteti, edhe në ditët e sotme, si në Dardhishtën e tij, si në Therandën e tij, ashtu edhe në gjithë hapësirën që dikur mbulonte Dardania e tij imagjinare. Pra, lexuesit i hap rrugë, jo duke imagjinuar gjithë lashtësinë, por duke cekur edhe burimet ku është mbështetur, si dhe të gjithë kohën e ekzistencës, jo vetëm të kësaj pjese të Ilirisë së lashtësisë, por edhe të shtrirjes së vet Ilirisë, duke e ilustruar me emra vendesh, qytetesh, lumenjsh, me toponimi dhe hidronimi, që edhe sot ekziston. Nga kjo ecejake e autorit nëpër shekujt e historisë, ai vjen në kohën tonë, duke e parë realisht ngushtimin. Jo vetëm të hapësirës së Dardanisë së dikurshme, pra të Kosovës së sotme, por edhe ngushtimin e gjithë gjeografisë së atdheut, pra të Shqipërisë etnike. Nëpër lakadredhat e historisë, armiqtë tanë të shumtë, që nga romakët e lashtë, të cilët që në vitin e largët, shumëshekullor, në vitin 167, para epokës së re, Perandoria Romake konsideronte se vetëm Dardania ishte pengesa kryesore për ta shtrirë pushtetin deri në skajet e tjerë të botës. Pastaj, ai zë në gojë gjithë fatkeqësitë e mëdha kombëtare që na kanë ardhur nga secili pushtues, të cilët kanë ndarë e kanë përçarë, kanë pushtuar e kanë dhunuar, por asnjëherë nuk kanë arritur ta nëpërkëmbin dinjitetin e popullit shqiptar. Një pjesë me interes të veçantë në këtë vepër të autorit Musli Kabashi, është përpjekja për të dhënat, elementët kryesore të Dardanisë së lashtë, të përhapjes së krishterimit në të, si dhe të luftërave të shumta që ka bërë me pushtuesit romak, duke u mbështetur në burime të ndryshme të literaturës historike dhe arkeologjike.

Andaj, ai ka të drejtë të bëjë një përmbyllje, me një konstatim optimist, mbështetur në vargjet e Mitrush Kutelit nga ‘‘Poem kosovar’’, se këtu do të jemi, edhe kur mali të bëhet hi, e hiri mal përsëri.
Vendlindja si pjesë e tërësisë së atdheut
Autori, Musli Kabashi duke trajtuar historikun e vendlindjes së tij, si dhe të rrethinës dhe qytetit që i përket ajo rrethinë, në një mënyrë a në një tjetër, ka dhënë, thuajse një pjesë të përmasës së atdheut, siç ka dhënë edhe një pjesë të historisë së tij. Në të vërtetë, nuk do të mund të trajtohej ndryshe kjo çështje, edhe për faktin se shumë shpesh gjatë historisë, vendlindja ka pasur të njëjtin fat me atë të atdheut, që nga lashtësia e këndej.
Pasi konstaton se të dy emërvendet, Krushicë dhe Suharekë janë sllave, autori është marrë me të dhëna të tjera, historike e gjeografike, arkeologjike e antropologjike, jo vetëm për të dëshmuar lashtësinë e ekzistencës së këtyre vendbanimeve, por edhe për të konstatuar se ato janë ata që kur mban mend njeriu. Të dhënat që plotësojnë kërshërinë e lexuesit, janë to që autori i ka konsideruar të nevojshme, qoftë si njohuri elementare për lexuesin që të orientohet se me cilën pjesë të Kosovës së sotme ka të bëj, si dhe të regjistrojë burimet themelore të ekzistencës së këtyre njerëzve.
Njësoj, si trajtimi i historisë së rrethinës së Therandës, njësoj si qasjet që bën autori për Dardaninë e lashtësisë, të njëjtën rrugë dhe metodë ka ndjekur edhe me qasjet edhe përshkrimit të ecjes nëpër histori të vendlindjes së tij, duke konstatuar se është djegur dy herë. Të gjitha të dhënat, historike, gjeografike, toponiminë të shumta, që vijnë edhe si shenja të lirisë pas Luftës Çlirimtare të fund shekullit që shkoi, emërvendet e kështu me radhë, janë në funksion të ndriçimit të të dhënave historike e arkeologjike, për të dëshmuar lashtësinë e ekzistencës së vendlindjes së tij. Janë dhënë të gjitha ritet që karakterizojnë jetën e njeriut, që nga lindja e deri te vdekja, gjë që dëshmon se aty është krijuar një kulturë e tërë mbi bazën e jetës së një populli dhe të një etnie.
Autori sërish i kthehet Dardanisë, në periudha të ndryshme historike, por kryesisht ndalet në shekujt XII-XIV, për të dëshmuar, se edhe përmes burimeve dhe studimeve historike, faktet janë dëshmia më e mirë për ekzistencën e një populli në një hapësirë të caktuar gjeografike. Prandaj, nuk është gjë gand dhe e rastit, kur konstaton, duke rimarrë mendimin e historianëve të lashtësisë, se “Sllavët nuk kanë asnjë legjendë heroike, që të kujtojnë vendosjen e tyre në Gadishullin Ballkanik”.
Mesjeta e ndritshme shqiptare dhe epoka e Skënderbeut
Në tërë veprën e Musli Kabashit, arsyetohet përkufizimi që ka bërë autori në nëntitull, kur përveç të tjerash ka shënuar edhe Gjurmë, Procese, Rrjedha. Mund të quhen gjurmë të historisë, procese që kanë lënë shenja në jetën tonë kombëtare, rrjedha që vijojnë edhe sot në frymën e idealit kombëtar, se pa lirinë nuk ka kuptim ekzistimi i një populli. Siç dihet edhe nga studimet e mirëfillta historike, ai frymëzues i idealit kombëtar, që Rilindja jonë kombëtare e ngriti në përmasën e tij, reale, në përmasën evropiane, ishte epoka e Skënderbeut. Autori ka marrë në trajtim gjithë jetën e tij që nga lindja e deri te momenti i vdekjes. Gjithë rrugët jetësore dhe të bëmat e tij historike, duke mos e lënë anash vëmendjes 2 marsin e vitit 1444, kur mbahet në Lezhë Kuvendi i Arbërit, e Skënderbeu zgjidhet Udhëheqës i Lidhjes Shqiptare të Lezhës. Ne anë tjetër të rëndësishme të gjëllimit të popullit shqiptarë nëpër rrjedhat e historisë, autori Musli Kabashi , e ka trajtuar duke u marrë me periudhat më të rëndësishme të gjuhës dhe të letërsisë shqipe, qoftë duke i cekur ngjarjet, qoftë duke analizuar rëndësinë e tyre, qoftë duke i trajtuar si periudha kohore me rëndësi në jetën historike të një kombi.

Ballkani dhe përgjakja e historisë së popujve
Autori ka trajtuar historinë e Ballkanit, duke filluar nga okupimi i tij, nga emri i tij, siç e përkufizon osmanishtja e vjetër, e deri të përgjakjet për copëtimin e tokave të shqiptarëve, të cilat ishin shumë tragjike, pas çlirimit nga Perandoria Osmane. Diku i del në udhë edhe shqyrtimi i emrit Kosovë, gjë që si përpjekje për të dhënë informacion shtesë, për lexuesin është e mirë së ardhur. Periudhat historike, nëpër të cilat ka kaluar gjëllimi i popullit shqiptar, si dhe një pjesë e popujve të Ballkanit, janë trajtuar si të dhëna të dëshmuara historike, ose edhe të dhëna nga fusha të tjera të dijes, gjë që plotëson mënyrën si e ka konceptuar autori për t’i afruar lexuesit njohuri të shumta. Një pjesë të madhe të përgjakjes së Ballkanit, autori ia kushton raporteve në mes serbëve dhe shqiptarëve, nëpër gjithë ecjen e tyre historike, që nga Beteja e Kosovës më 1389 e këndej.
Duhet shtuar, se pjesa më e analizuar dhe e trajtuar përmes të dhënash të shumta, është ajo e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Kjo është njëra nga nyjat themelore të historisë moderne shqiptare, që ka ruajtur vetëdijen tonë kombëtare, si dhe i ka mësuar shqiptarët me shkollën e madhe të bërjes së lirisë.
Duke trajtuar luftërat ballkanike dhe Luftën e Parë Botërore, autori na kthen në kujtesë edhe një herë punën e madhe të historianit Ali Hadri, sidomos atë pjesë ku ai ka trajtuar politikën serbe ndaj shqiptarëve në këto ngjarje, si dhe mendimin e socialdemokratëve serbë, sidomos mendimin e Dimitrije Tucoviqit për shqiptarët. Në rrjedhën e shqyrtimeve të tij, autori ka dhënë informacion të bollshëm për ngjarjet më të rëndësishme historike të shqiptarëve në raport me të tjerët. Janë me interes si i ka trajtuar ai qëndrimet e shtetit dhe akademisë serbe për shqiptarët, pastaj rrjedhën e Konferencës së Londrës (1913), atë të Parisit (1919), deri te Konferenca e Bujanit (1943-1944), si dhe Kuvendin e Prizrenit (1945), kur Kosova aneksohet nga Serbia. Do të thotë janë shqyrtuar të gjitha çështjet e Luftës së Dytë Botërore që kanë lidhje me shqiptarët.
Përfundim
Duke trajtuar gjendjen e përgjithshme të vendlindjes së tij, sidomos pas viteve të pesëdhjeta e këndej, deri në fillimet e shkatërrimit të ish-Jugosllavisë, autori ka sjellë të dhëna interesante, jo vetëm për shkollimin, për nivelet e arsimit, për ngritjen e vetëdijes shoqërore dhe kombëtare, për angazhimet politike, për angazhimet edhe për barazinë gjinore. Kjo mënyrë e analizimit i ka dhënë dorë, përveç të tjerash, të trajtojë, në një mënyrë a në një tjetër, të gjitha aspektet e rritës dhe të zhvillimit të vendlindjes së tij dhe të Therandës me rrethinë, duke mos harruar as emra individësh, aktivistë politikë, arsimtarësh dhe nxënësish.
Proceset e zhbërjes së ish-Jugosllavisë, i ka dhënë në mënyrë kronologjike. Por, një vëmendje të veçantë i ka kushtuar përgatitjeve të shqiptarëve për të luftuar për liri. Andaj, jo rastësisht, autori thekson se tre muaj mars të vitit 1997, 1998, 1999, janë të veçantë në jetën e stinëve tona, sepse aty fillojnë, pas një shekulli, siç thotë, rruga e madhe e ardhjes së lirisë përmes sakrificës madhore të ushtarëve të Komandantit Legjendar – Adem Jasharit.
Mund të thuhet prandaj, kjo vepër e Musli Kabashit, kthen në kujtesën tonë gjithë rrugën e madhe të historisë së ekzistencës së popullit shqiptar. Mendoj se kjo është vlerë e rëndësishme e veprës, sepse i afron lexuesit njohuri, të ditura dhe të paditura, për gjithë jetën tonë, që nga lashtësia e deri në ditët tona-jetës që bëjmë si njerëz të lirë në Republikën e Kosovës.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura