PROF.DR.REXHEP DOÇI: RRETH PREJARDHJES SË ANTROPONIMEVE FILIP DHE ALEKSANDËR PREJ PARAANTIKËS PELLAZGE E DERI MË SOT

 (Pashtriku.org, 26. 07. 2012) – Puna ime me përkushtim kryekëput në fushën e onomastikës që plotë 36 vjet ka bërë që nga kjo fushë të shkruaj deri tashti gjashtë vepra onomastike, prej të cilave vepra ime më e re “Çështje onomastike pellazge-ilire-shqiptare” bën fjalë edhe për pellazgët. Për t’i shkruar këto vepra kam mbledhur material onomastik në terren me anë të ekspeditave (në Kosovë, Shqipëri, Serbi, Mal të Zi, Greqi), kam shfrytëzuar dokumentet mesjetare të shekujve XII-XVIII (latine, sllave, osmane-turke), kam pasur nëpër duar punime dhe vepra të shumë autorëve.

Në punimin e veprës së sipërtheksuar rreth pellazgëve sipas onomastikës ilire-shqiptare jam përpjekur të hedh sado pak dritë për:
a) abecenë dhe gjuhën e pellazgëve;
b) shtrirjen e pellazgëve dhe
ç)prejardhjen e emërtimit pellazg.
Prandaj, të dhënat onomastike-gjuhësore të tubuara për pellazgët ma kanë mbushur mendjen që për këtë tubim shkencor, për “Konferencën e I-rë mbi qytetërimin pellazg” t’i them disa fjalë rreth prejardhjes së antroponimeve Filip dhe Aleksandër. Këto dy antroponime, në zanafillë si emra të dy sunduesve paraantikë të dinastisë maqedone, janë mjaft komplekse dhe të kokëlavitura për t’u rrezatuar sa e si duhet. Mirëpo, kujtoj që kanë rëndësi të madhe dhe mund të themi të pakrahasuar për lashtësinë e gjuhës shqipe dhe të shqiptarëve, si pasardhësit më besnikë të popullit pellazgo-ilir, që dikur moti jetonte pjesërisht në tri kontinente, Evropë, Azi dhe Afrikë.

……………………………..

Maqedonia shqiptare: Aleksandri i Madh është shqiptar.

………………………………….

Sa i përket anës historike, sipas studiuesit Bratoljub Klaljiqit, Filipi Maqedon ka sunduar prej vitit 359-336 p. e. sonë dhe se e ka themeluar qytetin me emrin e tij FILIPI në Trakinë maqedone. Mësojmë gjithashtu se historikisht si pasardhës i Filipit ishte i biri i tij Aleksandri i Maqedonisë. Kur është fjala për anën gjuhësore, studiuesit kroatë Petar Shimunoviqi dhe Mate Shimundiqi na japin disa të dhëna gjuhësore dhe kuptimore për antroponimin Filip, të cilat mendoj se janë me peshë edhe për gjuhën tonë shqipe. Këta autorë, P. Shimunoviqi e M. Shimundiqi, mendojnë se emri Filip vjen nga emrat grekë philos “mik, dashamir” dhe hippos “kalë”. Pra, sipas tyre, ballorja P- është më arkaike se F-, që për shqipen e vjetër dhe të sotme është me rëndësi. Pjesa e dytë ip tek emri Pilip-Filip shfaqet edhe si emër hyjnie ilire, që autori serb, Rastisllav Mariq (i cili flet për hyjnitë peone, ilire, trake, kelte, greke, romake, orientale dhe sllave), si dhe etnologu shqiptar Mojkom Zeqo, thonë se në shek. II p. e. s. dijetari Festus ka shkruar që Neptuni më parë quhej Hippius. M. Zeqo shkon edhe më larg në etimologjinë e zotit Hippius, dhe kujtoj me të drejtë, emrin e këtij zoti të ilirëve e lidh me paskajoren e shqipes me hipë (me hypë), me kalërue. Antroponimin Ippius-Hipp(i)us se përdorej tek ilirët e Siujdhesës Ilire (te Cetina në Mal të Zi dhe te Dalmatët ilirë antikë) e dëshmon edhe iliriologu gjerman Anton Mayr-i. Vijimsinë e antroponimit pellazgo-ilir Ippios-Hippius te ne shqiptarët unë e shoh te patronimi i sotëm Ipshi-Ipshaku (Ipsholli-Ipshojt) në katundin Shalë (Sedllar) të Drenicës, ku ruhen shumë gojëdhëna për kalin. Për këtë lidhshmëri të mundshme flet edhe vetë emri i fshatit nga latinishtja Shalë (për shale e atit-kalit), dhe si kalk sllav nga latino-shqipja shalë, emri sllav i mëvonshëm Sedllar nga sll. sedla “shalë”. Më në fund, lidhur me pjesën e dytë ip të antroponimit Pilip-Filip për kalë (në kuptimin hypës-kalërues i atiti-kalit) po theksoj se në veprën “Iliada” të Homerit i gjejmë antroponimet pellazge të thjeshta me bazën Hip-, si Hipothou e Hipasi, në vargjet: Hipothou e Pileu, dy të bijtë e pellazgut Letho Teutamidet dhe të birin e Hipasit, prijës të popujve.
Siç po shihet qartë te Homeri pjesa e parë e antroponimit Pilip shfaqet si antroponim i thjeshtë Pileu. Ky antroponim sot përdoret dendur sidomos te shqiptarët e Shqipërisë së Jugut. P. sh., sipas arkeologut Neritan Ceka, xha Piloja ishte ciceron, ruajtës dhe mbrojtës i antikiteteve të rrënojës antike të Apollonisë. Patronimi i studiuesit të pellazgishtes, profesor Dhimitër Pilika përmban gjithashtu antroponimin Pil, etj. Porse, mbase me anë të sonorizimit, një fjalë pil si bil mund të kërkohet edhe në përplot antroponime, patronime, ojkonime mesjetare e të sotme te shqiptarët, si p. sh.: patronimet Bilaku, Bilaj, Bilibani, ose emrat e fshatrave Bilaj (Durrës), Bilça (Berat), Bilishti (Elbasan), Bilushi (Korçë), Bilaç (Bujanoc-Lugina e Preshevës), si dhe patronimi i shkrimtarit arbëresh të Italisë Binard Bilota. Këto onoma onomastike i kam shpjeguar, jo pa reserve, me fjalët e shqipës bil “bir, djalë” dhe bile “bijë, e bija, vajzë”, sepse prof. E. Çabej fjalën bir e sqaron etimologjikisht “nga një bazë *bil, me pranim të një ndërrimi l:r në fund fjale në shqipen…”. Ndërkaq, sa i përket shndërrimeve të ballores P- në F- dhe B- në F- në shkrimet e hershme, që gjuhëtari maqedon Petar Ilievski i quan mikene dhe greke, bën të ditur: “Παλάστιος, Φαλάνθίος” dhe “ilir. Ballaios, grç. Φααλός”.

……………………………………………

Famous Albanians (Illyrians – Thracians – Dardanians)

………………………………………

Përkitazi me kuptimin e fjalës bir në funksione antroponimesh e patronimesh, P. Shimunoviqi i përmend sa e sa emërtime të tilla nga fjalët e gjuhëve të ndryshme, p. sh.: fi “bir” te hungarezët (Petofi, Palfi); te gruzijanët –shvili “bir” (Džugashvili); tek armenët -ain, -jan “bir” (Haçaturian, Karajan); tek arabët Ibn “bir” (Ibn Saud); te hebrejët Ben “bir” (Ben Hur, Ben Hurion); te skocezët Mac, Mc (Mac Cathy, Mc Cloy) etj. Pra, edhe te ne shqiptarët deri vonë ekzistonte dukuria e ngjitjes së emrave fëmijëve me fjalët bil (bir) dhe bile (bijë), ndoshta dukuri e trashëguar që nga pellazgo-ilirët.
Hiç më i lehtë se antroponimi Pilip-Filip nuk është për t’u ndriçuar as antroponimi Aleksandër, si në pikëpamje historike ashtu edhe gjuhësore dhe kuptimore. Sipas M. Shimundiqit në kohën paraantike ekzistonin katër Aleksandra e katër ojkonnime (qytete) me emrin Aleksandër, i cili autor i numëron sa vijon: i pari është Aleksandri, i biri i Prijamit, i quajtur Paris; i dyti ishte Aleksandri tiran i ferskëve në Thesali rreth vitit 300 p. e. s.; i treti ishte Aleksandri i I-rë, mbreti i Mollosëve në Epir, dhe i katërti ka qenë Aleksandri i Madh, mbreti maqedon (356-323 p. e. s.). Ndërsa, sipas tij, katër qytetet me emrin Aleksandri ishin: një në Egjypt (gjendet edhe sot), një tjetër në bregdetin e Trojës; një i tretë në Kavkaz (Caucasum) afër Kabulit, dhe i fundit në Sagdijanu. Edhe Mustafa Kruja në veprën e tij për “Aleksandrin e Madh” na jep disa të dhëna për Aleksandrin apo Aleksandrat, pas të cilit, Aleksandri i Madh ishte i katërmbëdhjeti mbret e i treti Aleksandër i Maqedonisë, i cili themeloi 42 qytete në Azi e Afrikë me emrin e vet. Po kështu edhe Vladimir Zoto, përveç tjerash, bën të ditur se emrin Aleksandër e kanë mbajtur tetë papë, për disa prej të cilëve papë në një vepër timen kam shkruar se prej shek. II-të katër papë kanë qenë me prejardhje shqiptare.
Lidhur me kuptimin dhe trajtat gjuhësore të antroponimit Aleksandër, studiuesit kroatë P. Shimunoviqi, M. Shimundiqi dhe P. Skoku, pothuajse përgjithsisht e shpjegojnë me zanafillë nga gr. aleksei “mbrojtës, mbrojtur” + anēr (Andros) “njeri”, dhe që të tre mendojnë se Aleksandar ishte në fillim emër nderi për trojanin Paris. Gjerësisht flet për antroponimin Aleksandër veçmas P. Skoku, i cili flet si sa i përket anës kronologjike ashtu edhe formave gjuhësore, që shfaqen te popujt e ndryshëm, siç thotë: “Léksandar, Lehsandr = i shenjti Leksedrije (në Pejë)…Leka (shek. 14), gjithashtu shqip Lekë Dukagjini= Leka (Kosmet), përmes arabishtes Aleksandar Iskandar > tur. Skender, te shqiptarët Jurja Kastriotića – Skenderbeg”. Kur është fjala për heroin tonë kombëtar Skënderbeun, gjatë punës sime në terren e kam shënuar toponimin Doana Skënerbeut, që ishte një rrënojë kufitare me mur afër 3-4 m. lartësi, kah kishte kaluar udha mesjetare e karavane rrëzë fshatrave të Malit Sharr.
Derisa Niko Stilo për emrin Aleksandër shton se Parisi si “I pari u quajt Aleksandër”, dhe se, pas tij, ishte titull e jo emër vetjak, studiuesit si Doc. Todi Dhama dhe Vojtech Zamarovski theksojnë se emri Aleksandër ishte emër i dytë nderi (atribut apo pseudonim) për Parisin-Paridin, i cili ishte pagëzuar me këtë emër, pos tjerash, edhe në bazë të një ëndrre që e kishte parë e ëma e tij Hekuba. Prandaj, sipas këtyre të dhënave emri Aleksandër po na del emër vetjak përshkrues, ngjashëm me mendimin e bashkautorëve Luftulla Peza dhe Liljana Peza, të cilët e zbërthejnë si “Aleksander = a + le + n’ander = asht le n’ander”.
Duke përfunduar shqyrtimin e antroponimeve Pilip-Filip dhe Aleksandër, po them, në bazë të të dhënve të mësipër dhe të mendimit të antroponimistit boshnjak Ismet Smajloviqit, se këto dy antroponime janë emra vetjakë përshkrues, apo ofiqe (nofka), që “Emra vetjakë të tillë kanë pasur deri vonë hindianët e Amerikës, p. sh.: Syskyfteri, Shigjetshpejti, Këmbëshpejti, Repërhimti, Kalçmenduri etj., që ka edhe te popujt të tjerë”.
*) Kumtesë shkencore e lexuar në “Konferencën e I-rë mbi qytetërimin pellazg” – Tiranë, 21 – 22 tetor 2011.

……………………………………

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura