Pashtriku.org, 04. 04. 2013 – Trajtesa e mëposhtme është pjesë e një monografie kërkimore në dorëshkrim, në pritje të botimit, që synon të ndriçojë mbi një bazë dokumentare arkivore një problem të diskutuar në mënyrë përgjithësisht fragmentare, së fundmi në shtypin shqiptar, gjegjësisht problemin e vendosjes së vijës kufitare në mes shtetit helen dhe shtetit shqiptar më 1913-1914. Punimi është një përpjekje për të shqyrtuar një pjesë të historisë së vendosjes së një vije ndarjeje politike në mes shtetit të fundit ballkanik të lindur nga shpërbërja e Turqisë evropiane, Principatës Shqiptare, me Mbretërinë e Greqisë.
1. Hyrje në trajtimin e problemit
Punimi nuk merr përsipër në këtë fazë të shqyrtojë rrjedhën e ballafaqimeve mes Fuqive të Mëdha në Konferencën e Ambasadorëve, (trajtuar me një kujdes të veçantë në veprën e prof.Arben Putos), dhe rrugën që ka ndjekur diskutimi i ndërlikuar i përcaktimit definitiv të parimeve dhe pikave orientuese të kufirit të Shqipërisë së Jugut dhe Juglindjes, por përqendrohet në periudhën vijuese që pason vendimin e datës 11 gusht 1913 të Konferencës së Ambasadorëve. Ky përkufizim politik është një nga pjesëzat e historisë së dhimbshme të krizave ballkanike 1912-1914, kriza të cilësuara si kriza rritjeje dhe të përparimit të pjekurisë së shteteve të Ballkanit bashkëkohor . Në këndvështrimin tonë, mund të themi se kriza greko-shqiptare 1912-1914 ka qenë edhe një krizë e shkaktuar nga tejkalimi i pamotivuar i procesit natyral rritës të Mbretërisë së Greqisë, në dëm të një kombi me rilindje të vështirë e të ndërlikuar.
Trajtesa merret me shqyrtimin e një pjesëze të caktuar të problemit të trashëgimisë otomane në sferën politike, në segmentin më të epërm të periudhës së dezintegrimit dhe largimit të kësaj perandorie nga Evropa Juglindore. Kjo, sepse problemi i Shqipërisë së Jugut dhe caktimi i kufijve mes Shqipërisë dhe Greqisë kanë qenë probleme të mirëfillta të fushës së politikës së jashtme, që kanë implikuar jo vetëm palët e interesuara, por para së gjithash Fuqitë e Mëdha në tërësi.
Periudha që ndjek punimi ynë është e fokusuar në procesin e implementimit në terren të vendimeve të Fuqive të Mëdha mbi vijën kufitare në mes Shqipërisë dhe Greqisë, me procesin e vështirë dhe të ndërlikuar të zbrazjes së padëshiruar të Shqipërisë së Jugut nga trupat pushtuese greke, që asnjëherë nuk u plotësua konform vendimit të Fuqive të Mëdha, me lindjen e një lëvizjeje autonomiste e separatiste, të dirigjuar nga Athina në këtë pjesë të vendit, që ka lënë gjurmë të pashlyeshme dhe mjaft të rënda për kujtesën shqiptare dhe greke, dhe në fund fare, me misionin e pamundur të shtetit shqiptar dhe të Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit për ta shtrirë integritetin shtetëror në të gjithë hapësirën e njohur ndërkombëtarisht. Punimi ka si datë përmbyllëse rivendosjen e pushtimit grek mbi Shqipërinë e Jugut, më 31 tetor 1914, në rrethanat e precipitimit të Luftës së Parë Botërore dhe dezintegrimit të autoritetit shtetëror të Principatës Shqiptare, justifikuar ky ripushtim me nevojën e vendosjes së një autoriteti publik mbi këtë krahinë.
Siç mund të kuptohet, bëhet fjalë për segmentin fillestar të një marrëdhënieje të ndërlikuar në mes dy shteteve, marrëdhënie që do të riciklohet në forma të ndryshme, por gjithnjë me nota kontrastuese, edhe në vitet që pasojnë Luftën e Parë Botërore.
Kjo marrëdhënie do të jetë e përshkuar:
1. Nga një orientim konstant i Greqisë, për të pasur një kufi tokësor dhe detar sa më të përshtatshëm dhe më të kontrollueshëm në pikëpamje strategjike, pa marrë parasysh vlerësimin real të së drejtës, bazuar mbi kritere etnografike, gjeografike, ekonomike dhe strategjike.
2. Nga ngjizja gradualisht e një lëvizjeje artificiale irredentiste të emërtuar vorio-epirote, që herë-herë ka marrë pamjen e një lëvizjeje për më shumë të drejta administrative dhe në raste të veçanta ka kulmuar deri në thirrje për autonomi politike e separatiste. Çuditërisht, më e theksuar prirja e fundit ka qenë në një krahinë dhe në një popullsi me sfond të mirënjohur historik iliro-arbëror, siç është Himara. Kjo ndoshta për shkak të dy shkaqeve thelbësore: presionit me sfond osman që bejlerët e pashallarët shqiptarë në shërbim të Turqisë ushtruan mbi këtë rajon në 100-vjetshin e fundit para pavarësisë dhe për shkak të një ere lirie dhe helenizmi që u vinte atyre nga ishujt jonianë, mu përballë bregdetit himarjot.
Konferenca e ambasadorëve në Londër – 1912- 1913.
3. Nga një politikë pothuajse e pandjeshme e Greqisë zyrtare ndaj interesave nacionale e demokratizuese të shqiptarëve dhe rreshtim pothuajse konstant përkrah Serbisë dhe kundër Shqipërisë edhe në çështje në të cilat Greqia kishte interes krejtësisht të largët. Në këtë qëndrim të saj Greqia zyrtare (përjashto mbretin Gjergji III) nuk është kujdesur aspak ta përdorë sjelljen e mundshme luajale ndaj shqiptarëve si një shprehje të vullnetit të mirë dhe mirëbesimit reciprok mes fqinjëve, duke ushqyer për rrjedhojë vazhdimisht një lloj opinioni të brendshëm mosbesues ndaj këtij vendi në Shqipëri.
4. Një pamundësi konstante e shtetit shqiptar për të ndërtuar përfaqësime institucionale politike, që do të lehtësonin ushtrimin e mirëfilltë të integritetit territorial shtetëror dhe mundësonin gëzimin e lirisë për regjionet (në Jug, por edhe në Veri), me specifika etnike dhe religjioze. Mbi të gjitha shteti shqiptar do të dështojë në njohjen në vijimësi të përfaqësimeve të efektshme dhe të përshtatshme në të gjithë piramidën e nënpiramidën shtetërore të veçantive të popullsisë mbi të cilën ushtron de jure sovranitetin. (Më vonë kemi rastin e Mirditës, të ndarë në pesë rrethe administrative, dhe shkatërrimi nëpër zona të ndryshme elektorale i bashkësive me interesa përfaqësimi të njëjta).
5. Një dëshirë e paartikuluar mirë nga pala shqiptare për të përfshirë në shtetin kombëtar së bashku me të gjitha pjesët e banuara nga shqiptarët edhe ndonjë territor ku popullsia për rrethana të kuptueshme historike ishte tërësisht e përzierë dhe e ngatërruar në një mënyrë të pazgjidhshme.
6. Pamundësia e përhershme për të ndërtuar një linjë të qëndrueshme të politikës se jashtme dhe një bashkëngjitje në një aleancë strategjike ndërkombëtare, që ia mundësonte forcimin e pozitave vendit në këtë pjesë të Ballkanit Perëndimor, ka qenë një prej sjelljeve të munguara të klasave politike shqiptare.
Periudha e vendosur në fokusin e punimit, më shumë sesa një periudhë ballafaquese në mes shtetit të porsaformuar shqiptar dhe Mbretërisë së Greqisë, është një periudhë kur kjo e fundit, për shkak të objektivave të saj dhe Fuqive që e përkrahnin (Franca para së gjithash, dhe Rusia pas saj), u ballafaqua me dy Fuqitë më të interesuara për Adriatikun Lindor: Perandorinë Austro-Hungareze dhe Mbretërinë e Italisë. Perandoria Austro-Hungareze, e vetmja Fuqi e Madhe që ka operuar në mbrojtjen e mirëfilltë dhe të qëndrueshme të të drejtave nacionale të popullit shqiptar, që ka punuar për një periudhë të gjatë në pikasjen e tërësisë të popullsisë ilirike të rënduar mjaft nga pesha e turqizimit dhe helenizimit disashekullor, dhe në ringjizjen e një identiteti komunitar nacional shumë të vështirë për t’u formësuar, ka qenë pengesa më e madhe për shtetet e reja ballkanike që po përpiqeshin në mënyrë të pandalshme të copëtonin dhe asgjësonin një krijesë të re shtetërore në rajon. Megjithëse në çështjen e caktimit të kufirit jugor të Shqipërisë, Perandoria Dualiste ia la pozicionin e parë Mbretërisë së Italisë, për arsye të interesave më të drejtpërdrejta strategjike të aleates së saj në Kanalin e Otrantos dhe Arkipelagun e ishujve Jonianë, mund të themi që Vjena asnjëherë nuk u tërhoq mirëfilli në një plan të dytë dhe nuk hoqi dorë nga parimet thelbësore të politikës së saj të jashtme në mbrojtje të riformimit të shtetit ilirik në Ballkan dhe të barazisë së interesave e vendimmarrjes me Italinë në çështjet shqiptare. Madje, sa herë që Italia ka ngurruar në ndjekjen me seriozitet dhe vendosmëri të objektivave strategjike të Aleancës Trepalëshe, Austria ka marrë rolin parësor. Megjithëse Italia e mori me shumë ngurrim misionin e mbrojtjes së një kufiri sa më realist mes Shqipërisë dhe Greqisë, ajo fuqi ka operuar në rastin e Shqipërisë së Jugut me një vendosmëri dhe qëndrueshmëri krejtësisht të dallueshme nga ajo që tregoi në rastin e Shqipërisë së Veriut, ku tradhtoi pa ngurrim interesat e Shqipërisë katolike, duke toleruar deri edhe ndarjen e kësaj pjese vitale të nuklit ilirik nga trungu mëmë dhe duke dobësuar në këtë mënyrë orientimin evropian të shtetit të sapolindur shqiptar në të gjitha periudhat vijuese të historisë bashkëkohore. Sipas të gjitha gjasave, vendosmëria italiane në rastin e Shqipërisë së Jugut ka qenë e lidhur para së gjithave me interesat e saj strategjike në anën lindore të Kanalit të Otrantos dhe Kanalit të Korfuzit, të cilën ajo dëshironte ta kontrollonte me çdo kusht.
Pozicioni i Greqisë në këtë krahinë të Ballkanit, në periudhën e marrë në studim, ka qenë plotësisht i pacenuar nga faktori shqiptar, për shkak se ky faktor ka qenë ende në një situatë të paformësuar, qoftë në aspektin shtetformues, qoftë në aspektin identitar nacional. Pengesën më të madhe ndaj ambicieve greke në Shqipërinë e Jugut e kanë përbërë faktet e pamohueshme etnografike mbi të cilat u mbështetën Austro-Hungaria dhe Italia, dhe një grupim i vogël i forcave patriotike shqiptare, të cilat kanë ditur të thonë fjalën e vet, në kohën e duhur dhe në vendin e duhur pranë kancelarive të Fuqive të Mëdha.
2. Luftërat Ballkanike dhe Konferenca e Ambasadorëve në Londër
Më 12 tetor 1912 shpërtheu Lufta Ballkanike. Brenda një periudhe të shkurtër, shtetet e reja të Ballkanit e dërrmuan Perandorinë Osmane. Fillimi i Luftës Ballkanike më 1912 i kapi në befasi përgjithësisht Fuqitë e Mëdha, të cilat nuk ishin të përgatitura për një fitore kaq të shpejtë dhe të bujshme të aleatëve ballkanikë. Po aq në befasi u kapën edhe shqiptarët dhe veprimtarët e shqiptarizmës nga përparimi i shpejtë i ushtrive aleate ballkanike, edhe pse mundësia e plasjes së një lufte në këtë rajon nuk ishte një gjë e re. Pavarësisht nga kjo, duhet të nënvizojmë se në qoftë se analizohen me kujdes zhvillimet respektive në vendet ballkanike dhe në Turqi, nuk kishte asgjë befasuese, dhe kjo prej faktit që vendet e reja të krishtera ballkanike që prej pavarësisë së tyre kishin bërë një përparim të rëndësishëm ekonomik dhe ushtarak. Me një punë të kujdesshme europianizuese, këto vende kishin arritur të implementojnë në jetën e tyre të përditshme mjaft nga mentaliteti dhe institucionet evropiane dhe në këtë mënyrë ato arritën të jenë të pajisura në mënyrë të atillë, sa të përfshiheshin në një betejë me një vend dhe popull aziatik, i cili i kishte rezistuar në mënyrë të qëndrueshme procesit europianizues. Historianët e shpjegojnë rastin e ngritjes së shteteve kombëtare në Ballkan me suksesin e nacionalizmit të krishterë, nacionalizëm i bazuar mbi frymën e tregtarëve ballkanikë të diasporave dhe me impaktin që pati mbi ata ideologjia perëndimore . Përndryshe ata do të operonin në territoret shqiptare nën Perandorinë Osmane, gati të papenguara nga një faktor shqiptar i paorganizuar në pikëpamje ushtarake dhe politike. Shpallja e pavarësisë dhe formimi i qeverisë së drejtuar nga Ismail Qemali përbënte vetëm embrionin e shtetit, por në asnjë mënyrë një entitet politik në gjendje t’u rezistonte ushtrive të shteteve më të organizuara fqinje. Vetë kancelaritë e Evropës e bënë veshin shurdh dhe vendimet e Vlorës mbetën në letër të papërfillura. Autoriteti i qeverisë së Vlorës u kufizua në trekëndëshin Vlorë-Berat-Lushnjë, ndërsa në pjesën tjetër, “bejlerë kryetarë fisesh nuk i përfillnin këta persona të veshur sipas modës europiane”. Nga ana tjetër mbi Shqipërinë dhe shqiptarët do të peshonte rëndë për kohën, por edhe për të ardhmen, çështja e lidhjes së ngushtë me shoqërinë otomane. Kjo gjë edhe në kuptimin se tokat shqiptare nuk do të dalloheshin lehtësisht nga trashëgimia otomane dhe aleatët ballkanikë do ta përdornin këtë si pretekst për realizmin e objektivave të veta pushtuese.
Me fillimin e Luftës Ballkanike, trupat greke të përqendruara në Thesali arritën të thyejnë rezistencën otomane në pjesën perëndimore të Maqedonisë. Fillimisht u pushtuan Follorina e Kosturi dhe më pas, forcat ushtarake të komanduara nga gjenerali Damianos, arritën që në fillim (6) të dhjetorit 1912 të pushtonin Korçën dhe njëkohësisht filluan të mbysnin forcat nacionaliste shqiptare duke burgosur pjesën më të madhe të tyre në pjesën e Shqipërisë së Jugut. Në këtë mënyrë Mbretëria e Greqisë arriti të plotësojë synimet e veta më parësore. Kjo, sepse me marrjen e Janinës (ndërkohë Greqia kishte pushtuar edhe Selanikun), Greqia tashmë u bashkua me territorin që grekët e quanin Epir dhe që në fakt ishte segmenti më jugor i Toskërisë shqiptare, ku bashkësitë shqiptare kompakte jetonin përkrah vertikalisht, grekëve, hebrenjve dhe turqve.
Në këto zhvillime e sipër në terrenin e luftërave ballkanike u mblodh Konferenca e Ambasadorëve të Fuqive të Mëdha në Londër, më 17 dhjetor 1912, për të zgjidhur problemet e lindura nga lufta në mes Aleatëve Ballkanikë dhe Turqisë. Më 17 dhjetor 1912, ambasadorët e Fuqive të Mëdha të akredituar në Britaninë e Madhe u takuan nën kryesinë e Sir Edward Greyt, për të mbikëqyrur procesin e paqes në Ballkan dhe për të mbrojtur interesat e Fuqive të Mëdha në rajon. Kjo konferencë u mblodh me cilësinë e “Mbledhjes së Ambasadorëve të Gjashtë Fuqive të Mëdha nënshkruese të Traktatit të Berlinit”. Duhet të kihet parasysh se Konferenca e Ambasadorëve synonte gjithashtu të zgjidhte kundërshtitë në mes Fuqive të Mëdha, në mënyrë të veçantë ato në mes tri prej tyre, më drejtpërdrejtë të interesuara në Gadishullin Ballkanik: Austro-Hungaria, Italia dhe Rusia. Në këtë mënyrë, rendi gjeopolitik i vendosur në Konferencën e Berlinit, në Londër do të zëvendësohej me një marrëveshje të re. Shikuar në një kontekst historik më të gjerë, Konferenca e Ambasadorëve në Londër, më 1912-1913, ishte etapa e fundit e sistemit të kongreseve të vënë në jetë më së pari nga Kongresi i Vjenës, 1814-1815.
Rusia e shikonte rënien e Perandorisë Otomane si një rast të përshtatshëm për të theksuar rolin e saj si mbrojtëse e sllavëve të Ballkanit, me synimin për të siguruar më shumë ndikim mbi Detin e Zi dhe Konstandinopojën, ndërsa Austro-Hungaria frikësohej se si pasojë e rënies së Perandorisë Otomane dhe shtrirjes së ndikimit serb, perandoria e saj shumëetnike do të dezintegrohej. Nga ana e tyre, shtetarët gjermanë nuk mund ta lejonin humbjen e aleatit të saj kryesor, prandaj problemi i Austrisë në Ballkan do të bëhej edhe një problem i Gjermanisë. Po ashtu në mënyrë të ngjashme, duke qenë se për Francën aleanca me Rusinë ishte themeltare për sigurinë e saj, edhe Franca nuk kishte zgjidhje tjetër, veçse të përkrahte ngushtësisht Rusinë . Në këtë kontekst interesash do të zhvilloheshin punimet e Konferencës së Ambasadorëve, që nuk është gjë tjetër veçse një prej shfaqjeve më të fundit të “diplomacisë së armatosur të Fuqive të Mëdha”, gjithnjë e më shumë e destabilizuar para Luftës së Parë Botërore, pavarësisht se në Londër Koncerti i Fuqive të Mëdha funksionoi edhe një herë, ndoshta për të fundit herë, në mënyrë të suksesshme. Fuqitë arritën se paku ta përmbanin Luftën Ballkanike që të mos shndërrohej në një krizë të përgjithshme të sistemit të shteteve. Pas këtij momenti parë nga Berlini dhe Vjena, e ardhmja nuk premtonte më bashkëpunim dhe moderacion, por izolim të mëtejshëm dhe inferioritet. Në vend që të punohej për garantimin e sigurisë dhe pavarësisë së të gjitha Fuqive të Mëdha, që kishte qenë një prej parimeve mbi bazën e të cilave kishte funksionuar koncerti i Fuqive të Mëdha gjatë shekullit XIX për të garantuar stabilitetin ndërkombëtar, sistemi tani shfaqej si rrezikues i mbijetesës së Fuqive Qendrore. Balanca e fuqive në këtë rast përjetohej si e prishur në qendrën e Evropës.
Mirëpo për shkak të kontradiktave të thella në mes Fuqive të Mëdha, para së gjithash, mes Austro-Hungarisë dhe Rusisë, Shqipëria më këtë konferencë, për të mbajtur më këmbë koncertin e Fuqive, u copëtua. Trungut kombëtar shqiptar iu ndërprenë arteriet themelore që e bëjnë të funksionueshëm një komb, lidhshmëria politike, ajo ekonomike, komunikimi i brendshëm njerëzor. Pasojë e drejtpërdrejtë e saj, natyrisht se nuk do të ishte tjetër veçse, varfërimi i mëtejshëm ekonomik i rajoneve të tëra malore shqiptare si rezultat i ndërprerjeve të marrëdhënieve tradicionale, ndërprerja e disa rrugëve tradicionale të komunikimit në Jug, fillimi i një periudhe të gjatë çrrënjosjeje ndaj pjesëve të mirëfillta shqiptare, gjë që çoi në një heshtje të përjetshme të tyre në shtetin helen, ruajtja e konservatorizmit gjysmëmesjetar edhe me tej në epokën moderne, mbajtja konstante e pasigurisë së brendshme politike në shtetin e ri shqiptar, dobësim i mëtejshëm i nukleve kulturore evropiane brenda kombit shqiptar, në Veri dhe në Jug, një Ballkan perëndimor krejtësisht të destabilizuar për një kohë të gjatë.
Trajtimi i problemit të kufirit të shtetit të ri shqiptar nuk u mbështet në konsiderata etnografike, historike, ekonomike etj., por u bë nga Fuqitë nën prizmin e mosprishjes së “koncertit evropian”, gjë e cila, në këndvështrimin e kësaj diplomacie, do të mund të çonte më pas në një luftë evropiane.
Në Konferencën e Ambasadorëve, interesat e Shqipërisë u ndëshkuan veçanërisht nga qëndrimi i Rusisë dhe Francës. Rusia, më 1913, u përpoq me të gjitha mënyrat dhe ia arriti që të krijonte një Shqipëri sa më të vogël që të ishte e mundur, duke u bërë presion Fuqive të tjera që t’u lëshonin Serbisë, Greqisë dhe Malit të Zi rajone të banuara ekskluzivisht nga shqiptarë. Madje, Rusia dhe Franca arritën deri atje sa të parashtronin edhe objeksione ndaj marrjes në shqyrtim të konsideratave etnografike nga Komisioni Ndërkombëtar i Caktimit të Kufirit Jugor të Shqipërisë, që do të krijohej për të zgjidhur çështjet në kundërshti.
Në këtë qëndrim të saj antishqiptar në Konferencën e Ambasadorëve, Rusia u lehtësua nga qëndrimi i pavendosur i Italisë sidomos në trajtimin e kufirit verior. Në trajtimin e kufirit të Shqipërisë së Jugut Italia ka mbajtur një qëndrim të ndryshëm, shumë më të përcaktuar dhe luftarak në mbrojtje të çështjes shqiptare dhe të një kufiri sa më jugor në pjesën bregdetare. Gjithsesi, mungesa e luajalitetit të qëndrueshëm, përkujdesi maksimal për interesat e saj ekonomike momental, dhe nxjerrja në plan të dytë e parimeve kryesore që udhëheqin drejt një politikë konsekuente, kanë qenë tiparet themelore që kanë drejtuar klasën politike italiane në raport me çështjen kombëtare shqiptare. Ky qëndrim i saj, i rakorduar me pozicionin e hekurt politik të Gjermanisë në mbrojtje të një ekuilibri strikt mes Fuqive dhe pro interesave të kurorës mbretërore greke (kunati i Kajzerit të Gjermanisë ishte mbret i Greqisë), dhe politikën konstante prosllave të Francës së atëhershme, ishin shtyllat themelore mbi të cilat u mbështet mekanizmi i institucionit ndërkombëtar që sanksionoi aneksimin nga ana e Serbisë të Kosovës, Malit të Zi mbi Malësinë, apo e Greqisë mbi Çamërinë, Sulin dhe Konicën.
Për të përmbledhur rolin e Konferencës së Ambasadorëve në Londër, duhet të themi se kjo konferencë si në fillesën e vet, ashtu edhe në metodat e mëvonshme të veprimit, nxori në pah disa prej tipareve më të rrezikshme që mbartte situata ndërkombëtare, si dhe polarizimin ekstrem të dy kampeve të armatosura ushtarake, në ballë të të cilave qëndronin Austro-Hungaria dhe Rusia, e pas kësaj të fundit gati të gjitha shtetet sllave dhe ortodokse ballkanike. Mbi të gjitha, pasoja më afatgjatë e këtij polarizimi, që u shfaq si në Vjenë, ashtu edhe në Shën Petersburg, ishte një erozion i besueshmërisë brenda koncertit të Fuqive. Mirëpo besueshmëria reciproke kishte qenë deri në atë kohë, së paku në linjat kryesore, si një mënyrë për shpëtimin e interesave jetësore të sistemit të Fuqive të Mëdha. Megjithatë, në muajt vijues pas konferencës, ndonëse të mbartur me zhvillime mjaft të rrezikshme, këto fuqi arritën disa përparime në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për të ruajtur se paku shëmbëllimin e një lloj uniteti dhe implementimin e disa ndryshimeve në hartën politike të Evropës, që ishin më të mëdhatë që nga koha e Kongresit të Berlinit më 1878. Një prej këtyre arritjeve në caktimet e hartës evropiane është Shqipëria, dhe brenda Shqipërisë, caktimi i kufirit mes këtij shtetit të ri ballkanik dhe Greqisë.
Duke qenë se fokusi i këtij punimi është Shqipëria e Jugut, në pjesën vijuese të trajtesës do të përqendrohemi kryesisht në qëndrimin e Greqisë. Pasi forcat ushtarake qeveritare greke pushtuan pjesën më të madhe të vendit, më 13 janar 1913, kryeministri grek Venizelos i drejtoi një memorandum Konferencës së Ambasadorëve në Londër, në të cilën ai u kërkoi ambasadorëve të Fuqive të Mëdha, të drejtën e Greqisë për të aneksuar të gjitha territoret e pushtuara prej ushtrive të saj, d.m.th. tokat e ish-vilajetit të Janinës dhe krahinat e Gjirokastrës dhe Korçës. Duke abuzuar me ngatërrimin e besimit fetar ortodoks me nacionalitetin, ai përdori në mënyrë të qëllimtë statistikat e regjistrimit turk të Shqipërisë së vitit 1908, të përgatitura nën drejtimin e Vezirit të Madh Hilmi Pasha, sipas të cilave shumica e popullsisë së këtyre hapësirave ishte e krishterë ortodokse, e për rrjedhojë të konceptimit të tij, greke. Mirëpo pushtuesit otomanë nuk kishin bërë asnjëherë dallim në mes gjuhës dhe nacionalitetit për nënshtetasit otomanë dhe ndarjet brenda këtij shteti bazoheshin në besimin fetar, ku në rastin tonë më të diskriminuarit dhe më të “padallueshmit” kanë qenë shqiptarët e besimit ortodoks, të cilët klasifikoheshin në këtë mënyrë vetëm si grekë.
Më 17 mars 1913, qyteti i Gjirokastrës pa luftë u dorëzua në duart e ushtrisë greke dhe me dorëzimin e trupave turke në të gjithë Toskërinë shqiptare, ose siç dëshirojnë në mënyrë të pajustifikuar shkencërisht Epirin e Veriut, e gjithë kjo krahinë iu nënshtrua pushtimit grek. Të gjitha përpjekjet e autoriteteve greke pas këtij momenti janë përqendruar për të mposhtur dhe shkurajuar çdo orvatje për të mbajtur gjallë patriotizmin e nacionalizmin shqiptar në këto anë dhe për ta ekspozuar këtë krahinë si një territor i banuar etnikisht nga popullsi e nacionalitetit helen.
Gjendja e krijuar në Shqipërinë jugore, pushtimi grek i ishullit të Sazanit dhe kërcënimi me bllokadë nga ana e flotës greke i portit të Durrësit, vuri në alarm shumë shpejt dy fuqitë më të interesuara të Adriatikut, Austro-Hungarinë dhe Italinë, të cilat nënshkruan me 8 maj 1913, në Romë, një marrëveshje të fshehtë, sipas së cilës të dyja fuqitë angazhoheshin për ta pushtuar dhe ndarë bashkërisht Shqipërinë. Italia veçanërisht dëshironte që Greqia duhej të largohej sa më parë nga territoret e pushtuara në bregun lindor të Adriatikut dhe veçanërisht nga Saranda dhe Gjirokastra. Qeveria italiane e informoi qeverinë greke se pushtimi i të dyja brigjeve të Ngushticës së Korfuzit vinte në rrezik komunikimin në një kanal që konsiderohej jetësor për Italinë. Ndaj, ky vend ishte i përgatitur të shkonte edhe në luftë për të parandaluar një zhvillim të tillë. Madje, Italia filloi të mobilizonte edhe trupat për të zbarkuar në Vlorë. Trupat italiane filluan të përqendrohen në Brindisi, ndërsa Austria filloi të përqendronte trupat në kufirin verior me Malin e Zi. Objektivat italiane të ekspeditës ushtarake ishin Vlora, Saranda dhe Shqipëria jugore deri në lumin Shkumbin, përndryshe objektivat austro-hungareze do të ishin Shëngjini, Shkodra dhe Shqipëria veriore. Objektivi zyrtar i dy Fuqive me këtë projekt sipërmarrjeje do të ishte angazhimi për të imponuar respektimin e vendimeve të Fuqive të Mëdha dhe për të vendosur pak rend të Shqipërinë e trazuar nga milicitë e rregullta turke, nga qeveritë e përkohshme që kishin lindur dhe lindnin ngado nëpër këtë vend, nga duart e grekëve që kërcënonin edhe Vlorën dhe serbëve që ende nuk e kishin lëshuar vendin.
Më 30 maj 1913 u nënshkrua Traktati i Londrës në mes Turqisë dhe aleatëve ballkanikë, në bazë të të cilit turqit u detyruan të dorëhiqeshin nga pjesa më e madhe e tokave ballkanike, të cilat u kalonin fuqive ballkanike, me përjashtim të pjesës që do t’i përkiste Shqipërisë, territori i së cilës do të duhej të përcaktohej nga Fuqitë e Mëdha në kufijtë veriorë dhe jugorë. Konferenca e Ambasadorëve në Londër konfirmoi njohjen e shtetit shqiptar, dhe Turqisë e fuqive aleate ballkanike iu imponua me pahir që t’ia linin gjashtë Fuqive të Mëdha detyrën e përcaktimit të kufijve të këtij shteti dhe zgjidhjes së problemeve të tjera që lidheshin me shtetformimin (nenet 2 dhe 3). Nëpërmjet formulimit të këtyre dy neneve, Fuqitë ia arritën ta përjashtonin çështjen shqiptare nga rrethi i kompetencave të Konferencës paralele të palëve ndërluftuese , gjë që në të kundërtën do të kishte qenë fatal për të ardhmen e këtij vendi. Në këtë mënyrë, çdo diskutim i çështjes shqiptare pas këtij vendimi doli jashtë çdo kompetence të aleatëve ballkanikë dhe do të diskutohej në nivelin e diplomacisë më të lartë.
Qeveria e Vlorës dhe forcat patriotike shqiptare iu përveshën punës për neutralizimin e veprimtarisë antikombëtare të Esad Pashë Toptanit, duke ia minimizuar mbështetjen e tij dhe duke bërë ç’ishte e mundur në planin diplomatik që territori nga Korça dhe Konica deri në gjirin e Ftelias t’i mbetej Shqipërisë. Për këtë na dëshmon një letër e Luigj Gurakuqit dërguar nga Roma më 18 maj 1913, Lef Nosit. Ndër të tjera ai shkruan: “Për kufinin e poshtëm të Shqipëniës po mundohena si në Londre, si këtu, me gjithë fuqië: po na shigurojnë se Korça e Konitza do jenë t’onat e nga ana e detit nukë do t’i japin Greqiës ma tepër se gjer në gji të Ftelies. D. Beratin e dërgova në Bukuresht të bajnë edhe një meeting për Korçën”.
Më 29 korrik 1913, Fuqitë e Mëdha vendosën formimin e “një principate sovrane të trashëgueshme dhe neutrale, nën garancinë e Fuqive”. Në këtë mënyrë, pas lindjes së vështirë të Vlorës, ky ishte pagëzimi zyrtar i njohur ndërkombëtarisht i shtetit shqiptar.
Pas diskutimesh të gjata, Fuqitë e Mëdha ranë dakord mes vetes të pranonin ndërtimin e një komisioni për përcaktimin e kufirit jugor të Shqipërisë. Ka qenë ministri i Jashtëm francez Stephen Pichon, që i propozoi ministrit të Jashtëm italian Tommaso Tittoni që dy fuqitë e Adriatikut, Italia dhe Austro-Hungaria, duhej ta pranonin komisionin e mësipërm, duke lënë brenda Shqipërisë Gjirokastrën dhe Korçën. Pas vendimit historik të 29 korrikut 1913, të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, mbi bazën e të cilit u konsistua formimi i shtetit të ri shqiptar si një principatë e pavarur sovrane dhe trashëgimtare në linjën e djalit të parë, nën garancinë e gjashtë Fuqive të Mëdha, vendimi më i rëndësishëm për objektin e temës sonë, të fokusuar në Shqipërinë e Jugut, ka qenë vendimi i datës 11 gusht 1913.
Gjatë zhvillimit të Luftës së Dytë Ballkanike, Fuqitë e Mëdha arritën sheshonin një pjesë të kontradiktave dhe gjithashtu qëndrimi intransigjent i Francës në mbrojtjen e paprinciptë të interesave shoviniste greke pësoi një zbutje. Në fillim të muajit gusht 1913, pas propozimit të ministrit të Jashtëm britanik Grey, drafti i kufirit jugor të Shqipërisë përcaktoi përfundimisht dy pika kryesore: 1. vija e kufirit do të shkonte nga Korça në Kepin Stillos, duke ia lënë të dyja këto pika dhe ishullin e Sazanit, Shqipërisë; 2) definitivisht u ra dakord për një komision teknik që do të vendoste pikat në terren për të gjitha krahinat e brendshme, me kushtin që të gjithë ishujt e Egjeut (të cilat deri tani Italia i kishte mbajtur si kundërpeshë ndaj Greqisë për kufirin jugor shqiptar), t’i kalonin Greqisë. Popullsia e Korçës e priti me gëzim të madh lajmin e mbetjes së qytetit të tyre në Shqipëri. Aleksandër Stavri Drenova shkruante nga Bukureshti se “këto ditë muarme edhe lajmin e bukur se Korça mbeti në Shqipëri pas vendimit të Konferencës ambasadorve të London”
Kështu, pas një periudhe të gjatë mosmarrëveshjesh në mes Fuqive të Mëdha, në këtë datë u arrit një marrëveshje për sa i përket vijës ndarëse të kufirit jugor të Shqipërisë. Konferenca e Ambasadorëve vendosi që kufiri në mes Shqipërisë dhe Greqisë duhej që të kalonte nga liqeni i Ohrit në kufirin më lindor të ish-kazasë turke të Korçës dhe do të shtrihej drejt në bregdet deri në Gjirin e Ftelias, në një pikë në jug të Kepit Stillos (përkundrejt Korfuzit). Kjo shtrirje do të përfshinte brenda Shqipërisë qytetet e Korçës, Tepelenës, Gjirokastrës dhe Delvinës, Manastirin e Shën Naumit dhe ishullin e Sazanit. Gjithashtu, që në këtë marrëveshje u caktua që krahina e Çamërisë duhej t’i kalonte Greqisë, pavarësisht se ajo krahinë ishte e populluar me popullsi shqiptare myslimane (50000) dhe ortodokse (suljote) 14000 dhe të asnjë banori me origjinë helene . Në shtesë të këtij vendimi u vendos që Kanali i Korfuzit duhej të asnjanësohej. Shtrirja e tokës së brendshme në hapësirën në kontestim në mes Shqipërisë së sapoformuar dhe Mbretërisë së Greqisë, në bazë të këtij vendimi do të duhej të përkufizohej brenda katër muajsh, prej një Komisioni Ndërkombëtar të Kufirit, të përbërë nga gjashtë ekspertë të caktuar prej gjashtë Fuqive të Mëdha. Linja do të duhej të caktohej në terren prej komisionit dhe do të duhej të ishte një kompromis në mes kufirit të pretenduar nga Greqia (në anën të së cilës qëndronte e patundur Franca) dhe atij të mbrojtur prej Italisë dhe Austro-Hungarisë. Komisionerët në përcaktimin e kufirit do të duhej të bazoheshin në karakteristikat etnografike të hapësirave të kontestuara mbi bazën e ndjenjave të banorëve dhe gjuhës së folur të popullsisë. Gjuha amtare duhej të përcaktohej e sqarohej mirë nga gjuha e folur në rrethet familjare. Në bazë të kësaj marrëveshjeje, në fund fare u vendos që komisioni nuk duhej të merrte në llogarimbajtje çdo përpjekje për referendum apo për manifestime të tjera të karakterit politik. Në qoftë se lajmi i mbetjes së Korçës dhe Gjirokastrës në Shqipëri i gëzoi pa masë patriotët shqiptarë anekënd trevave etnike, vendimi për një komision që do të caktonte në vend pikat e kufirit, i “dëshproi fort gjithë shqiptarëtë të cilëtë i dinin intrigate që do përdoriji Greqia për të fituarë vendin tonë”. Për këtë arsye në Vlorë u bë një mbledhje, e cila zgjodhi një komision që do të nisej për në Romë dhe Vjenë për të mbrojtur “të drejtatë kombiare atje tek të jetë nevoja”. Në përbërje të këtij komisioni u zgjodhën: Eqrem bej Vlora, Ajaz bej Libohova, Rauf Fico, Thoma Papapano. Llambi Petri (pseudonimi i Gjergj Qiriazit), ndërsa rrugës komisionit iu bashkëngjit edhe Mufit bej Libohova dhe Pjetër Poga. Në Romë delegacioni shqiptar nuk arriti të takonte San Xhulianon, por u takua me zëvendësin e tij, i cili i premtoi se Italia do përpiqej sa të mundte për të mbrojtur territoret e caktuara Shqipërisë.
Dhe ashtu siç e parashikonin patriotët shqiptarë, qeveria mbretërore greke do të mbetej e pakënaqur nga ky vendim. Ajo vërtet kishte arritur objektivin e parë, atë të përfshirjes së Janinës në Greqi, por kishte aspiruar dhe aspironte edhe Korçën dhe Gjirokastrën. Ky vend, pas këtij momenti, i drejtuar për fatin e vet të mirë nga një prej diplomatëve dhe shtetarëve më të aftë të kësaj kohe në Ballkan, Elefterios Venizellos, dhe me një përkrahje të fuqishme prej së paku dy prej Fuqive të Antantës (Francë, Rusi), nëpërmjet një punë këmbëngulëse arriti të ndryshojë taktikën për realizmin e objektivave të veta, dhe vendosi në veprim bandat e armatosura të vetëquajtura epirote, që ishin në më të shumtën e rasteve të përbëra nga pjesëtarë të ushtrisë së rregullt mbretërore. Nëpërmjet aktivitetit edhe kriminal të këtyre bandave, Venizellos synonte t’u bënte presion Fuqive për ndryshimin e vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve mbi vijën kufitare, duke i vendosur Fuqitë para fakteve të kryera. Mund të themi se kjo taktikë politike dhe ushtarake e autoriteteve zyrtare helene të asaj kohe nuk mbeti pa dhënë rezultatet e veta në ndryshimet edhe të vogla të linjave themelore të brendshme të vendosura në terren në kufirin shqiptaro-grek. Suksesi i tyre është i lidhur para së gjithash me faktin që Fuqitë në këtë periudhë u detyruan të përballoheshin me probleme shumë më kërcënuese dhe kjo u dha mundësinë shteteve ballkanike, përfshirë edhe Greqisë, të arrijnë të dalin nga tutela, duke hyrë gradualisht, por gjithnjë e më shumë, në lojën politike të Evropës së mbërthyer nga kontradikta serioze dhe nën një garë të shfrenuar armatimesh, si forca politike të pavarura dhe të lira me të cilat do të duhej të bëhej llogari. Një diplomat francez i kohës do të vinte në dukje se pikërisht në fillimet e dekadës së dytë të shekullit XX, “për herë të parë në historinë e Çështjes Lindore, shtetet e vogla (ballkanike – shënim imi R.G.) kishin fituar një pozicion të një pavarësie të tillë nga Fuqitë e Mëdha, sa ata ndjeheshin të afta të vepronin plotësisht pa Fuqitë dhe madje për t’i marrë ata në rimorkoi”.
Veprimi grek në Shqipërinë e Jugut u lehtësua nga gjendja e mjeruar në të cilën ndodhej shteti i porsakrijuar shqiptar, parë edhe si krijesë shqiptare, ose edhe si proces asistence i Fuqive të Mëdha më vonë, permes Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit. Themi gjendje e mjeruar sepse pavarësisht një udhëheqësie shumë të ngushtë të kombit ende në ngjizje e sipër, pjesa më e madhe e Shqipërisë ‘flinte’ ende nën gjumin e rëndë të goditjes pesë shekullore otomane. Në fillimet e shekullit XX pushtimi e shtypja e egër, e hapur apo e kamufluar, kishte si rezultante një kompleks krahinash, ku vërtet origjina ilirike ishte ende e dallueshme, por intensiteti i ngjyrimit ilirik dhe ndjesia europiano-adriatikase, ndryshonte nga një vend të tjetrin dhe nga njëri segment i popullsisë në tjetrin. Pesha e rëndë e pushtimit otoman kishte rënduar ndërgjegjen etnike paraotomane, sidomos në krahinat e fushore dhe kodrinore të Shqipërisë Qendrore, ku përzjerja etnike me kolonët e ardhur nga Azia kishte qenë më e madhe dhe ku identifikimi fetar i shumicës së shqiptarëve me otomanët e bënte të vështirë pranimin e dallimit midis shqiptarëve europianë/të qytetëruar/të shtypur dhe turqëve aziatikë/ barbarë/ shtypës . Megjithëse në kohë ka ekzistuar një dëshirë e madhe për vetqeverisje dhe një rezistencë e fuqishme ndaj sistemit të taksave të vendosura nga ana e Portës së Lartë, një pjesë e popullsisë ka qenë në të mirë të qendrimit nën ombrellen e Perandorisë Otomane, për sa kohë që të drejtat dhe privilegjet tradicionale do të ruheshin. Kauza e përbashkët me pushtuesit otomanë e bejlerëve shqiptarë, nga ana tjetër, kishte ndikuar në një identifikim jo pozitiv të tyre brenda Shqipërisë, sidomos në përjetimin e popullsisë shqiptare të krishterë (rasti i Sulit që pas shtypjes brutale prej Ali Pashë Tepelenës u orientua drejt asocimit me kauzen hellenike ), por jo vetëm. Faktet historike të njohura por edhe të pathëna, që vijuan menjëherë pasi pjesa e ndriçuar e këtij kombi ende nën formim nën drejtimin e Ismail Qemalit e Luigj Gurakuqit shpalli pavarësinë, e vertetojnë në një farë mënyrë mungesen e formësimit adekuat të ndërgjegjës kombëtare në disa segmente të popullsisë së Shqipërisë. Qeveria kombëtare e Vlorës, u vendos menjëhërë nën sulmet nga më të ashprat të kundërshtarëve politikë, që më së shumti ishin bejlerë që aspironin të merrnin vetë secili situatën në dorë në vendin e zbrazur nga autoriteti otoman. Më së shumti mbi kauzën indipendenstiste laike dhe proadriatikase shqiptare të përfaqësuar nga Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Abdi Toptani, Mustafa Kruja, Aqif Pashë Elbasani etj., ka peshuar faktori: Esad Pashë Toptani. Më shumë se sa një përsonazh i vetmuar, ai ka qenë përfaqësuesi tipik i një Shqipërie ndryshe, që mbartej në mendjet kastës së bejlerëve protomanë dhe të pasuesve të tyre të paditur: një Shqipëri e vogël e ”qethur” nga kristanizmat antike iliriko-arbnore, e drejtuar nga një princ otoman, me lidhje të fuqishme me perandorinë aziatike dhe puthadorase me fuqitë ballkanike, të cilave në këmbim do u jepte çdo gjë nga Shqipëria e krishterë; një Shqipëri para së gjithash anti-austriake dhe për rrjedhojë jo më kurrë adriatikase.
(VIJON…)