TË LARTESOJMË RILINDJEN KOMBËTARE DHE HUMANIZMIN SHQIPTAR

Tё lartёsojmё Rilindjen Kombёtare dhe Humanizmin Shqiptar

Nga Prof. Dr. Albert Frashëri

Këto ditë mësova mbi botimin e një libri të Thomas Frashërit me titullin e çuditshëm ‘Frashëri i shquar, i panjohur’ (Studim heuristik për t’i shërbyer historisë).

Kopertina e fotos na jep disa fytyra të ngrysura e pak të identifikueshme, kompozuar mes nuancave të dy ngjyrave, gri dhe e zezë. Ajo foto misterioze, me sa duket, shpreh thelbin e përmbajtjes së librit mbi Frashërinë e Panjohur. Nuk mungoi në Facebook artikulli “Frashërlinjtë si klan” i gazetares Monika Stafa.

Nuk është qëllimi im të analizoj këtë përpjekje të autorit sepse i takon opinionit dhe bindjeve të shqiptarëve të ndershëm të ballafaqohen me pamjet e çuditshme të këtij libri. Ky libër sjell shprehje dhe analiza të padëgjuara e të pamerituara për një punë që synon të njihet si studim. A është e mundur të flitet për familjen e vëllezërve Frashëri si oxhak, si klan dhe herë të tjera si varfanjakë? Apo të flasësh për Frashërin duke vendosur në plan të parë një lloj dualiteti mysliman – i krishterë? Kjo shihet që në kreun e parë që autori titullon “Hulumtime mbi origjnën e një klani”.

Me një gjuhë të rëndomtë autori shkruan: “Frashëri u ka paraprirë vëllezërve pishtarë si një farëhedhës që përgatit terrenin për të korra të begata. Frashërllinjtë kanë pararendur vëllezërit Frashëri dhe ua kanë lënë “sofrën të hazërtë”. Këtë, shkruan autori, e gjej në një letërkëmbim të dy frashërllinjve. Por si është e mundur që autori, historian (!!), të mos shkruajë emrat e autorëve të letërkëmbimit?

A e di autori që para Rilindjes kombëtare në Frashër nuk njohim përpjekje për të pastruar e pasuruar gjuhën tonë, për të ripërtërirë vetëdijen kombëtare dhe ndjenjën e lirisë? Për çfarë hazërllëku e ka fjalën autori?

Si është e mundur që në këtë libër emri i Sami Frashërit të shkruhet Shemsedin Frashëri dhe emri i Naimit të shënohet Mehmet Naim Frashëri? Kjo nuk është e rastit. Çfarë qëllimi ka kjo zgjedhje e autorit? Autori bën fjalë për antagonizëm të hapur mes toskëve dhe gegëve malsorë në përgatitjen e luftës për liri. Është koha e Lidhjes së Prizrenit që konfirmoi unitetin e shqiptarëve, pa dallim feje dhe krahine. Vëllezërit Frashëri janë adhuruar dje dhe sot në të gjitha trevat shqipfolëse. Madje vepra e tyre pati jehonë të madhe kudo deri dhe në Kosovë. Duke filluar nga Rilindja Kombëtare shumë familje pagëzonin të porsalindurit me emra të qyteteve shqiptare. Ata edhe sot shpesh herë pagëzojnë fëmijët me emrin Frashër.

Të flasësh për klane, synime klanike të frashërllinjve varfanjakë apo të pasur më sjell ndërmënd banalitetin e thashethemeve në kafenetë e qytetit. Libri shpreh hapur prirjen pë të theksuar diferenca mes të krishterëve, myslimanëve apo bektashinjve. Kjo është një prirje mesjetare, meskine dhe pa asnjë bazë historike. Ligjet e Portës së Lartë denigruan gjuhën dhe fenë e krishterë të shqiptarëve. Mjafton të shohim dy ligje:

Kush nuk braktis fenë e krishterë e të bëhet mysliman, humbet pasurinë.

Kush shkruan e përhap libra në gjuhën shqipe dënohet me vdekje. Shqiptarët ishin i vetmi komb i perandorisë turke që pësonte këtë dhunë në planin kulturor. Ky ishte një genocid identitar që synonte çfarosjen jo vetëm të natyrës fizike, por mbi të gjitha pamjet kulturore të ekzistencës së shqiptarëve.

Të pasurit e braktisën mëmëdheun jo për të ruajtur fenë e krishterë por pronat e tyre. Përkundrazi, njerëzit e thjeshtë nuk kishin pasuri për të humbur. Ata sakrifikuan 4-5 shekuj të jetojnë të robëruar dhe me fenë myslimane. Por, dua të theksoj, që Shqipëria është një nga vëndet e pakta ku, të dallosh një mysliman nga një i krishterë, është e pamundur. Në Frashërin e martirizuar shumica e intelektualëve të shquar kanë qënë të fesë myslimane. Kjo e shpëtoi kombin shqiptar. Çfarë do kish ndodhur po të largoheshin të gjithë nga trualli amtar? Le të na përgjigjet autori i këtij libri që merr nëpër këmbë bektashinjtë e Frashërit. Kush e merr me mënd si do reagonte Vaso Pasha në këtë rast?

Çoniu, shqyptarë, prej gjumit çoniu,

Të gjithë si vllazën n’nji besë shtërngoniu,

E mos shikoni kisha e xhamia:

Feja e shqyptarit asht shqyptaria!

Faik Konica i shton një të vërtetë të hidhur realitetit shqiptar:

“Shqipëria lindi nga Zoti, shpëtoi nga rastësia, po vdes nga politikanët. Të krishterë e muhamedanë po ndahen në dy anë: ana kombëtare mbledh të krishterë e muhamedanë, ana e dytë mbledh të gjithë zuzarët”.

Ky libër është një përpjekje antihistorike e rallë në vandakun e hulumtimeve të dijetarëve shqiptarë e të huaj mbi veprën madhore të vëllezërve Frashëri. Pra, unë nuk analizoj si historian, sepse nuk jam i tillë, por si qytetar i këtij vendi prej 78 vitesh, i rritur me virtytet e këtij kombi fisnik e të vuajtur. Kjo përsiatja ime u drejtohet qytetarëve dhe intelektualëve që ndjehen bij të universit filozofik e kulturor të kombit dhe jo ideatorëve të këtij vandaku me letër të llustruar. Unë jam i sigurt që përmbajtja e atij libri fyen ndjenjat dhe fisnikërinë e shqiptarëve që kanë në zëmër jo vetëm veprat e Rilindjes Kombëtare. Ata njohin, vlerësojnë dhe gëzojnë edhe veprat e artistëve të kohës sonë që pas vitit 1945, për një kohë të shkurtër zhvilluan më tej ndjeshëm e me sakrifica traditat gjuhësore, letrare, muzikore të kombit.

Autori e paraqit librin si një studim euristik në shërbim të historisë. Me studim euristik kuptojmë një metodë jo rigoroze që niset nga të dhëna të pjesëshme dhe synon të arrijë një përfundim, por që më pas duhet të bindë komunitetin e dijetarëve. Dua të theksoj që ngahera historia niset nga fakte të vrojtuara dhe, duke iu referuar njohurive ekzistuese mbi objektin e studimit, përpiqet ta pasurojë apo ta përsosë të vërtetën historike. Por historia nuk është një shkencë e teorive formale ku mbizotërojnë e udhëheqin disa parime themelore krahas logjikës. Po ilustroj me një shëmbull zbavitës.

Një i panjohur pohoi: “P: Unë jam gënjeshtar” Është i vërtetë apo jo ky pohim? Ka vetëm 2 mundësi.

Hipoteza 1: i panjohuri është gënjeshtar, d.m.th. pohimi P nuk është I vërtetë, pra ai nuk është gënjeshtar. (Kontradiksion!!)

Hipoteza 2: i panjohuri nuk është gënjeshtar, pra pohimi P është i vërtetë, d.m.th. ai është gënjeshtar. (Kontradiksion!!)

Nuk ekzistonn një mundësi tjetër. Në të dy rastet hipotezat çojnë në kontradiksion.

Problemi, në dukje banal, në të vërtetë është i ndërlikuar. Kjo ndodh sepse I panjohuri ka bërë një pohim autoreferencial, d.m.th. ai që shtron problemin është edhe objekt i studimit. Gjuha është një mrekulli e species sonë, por e ndërlikuar. Jo gjithmonë jemi në gjëndje të kuptojmë kufizimet tona logjike. Le ta thjeshtojmë domethënien e këtij paradoksi (në dukje): kur dikush na rrëfen historira duke synuar heshturazi t’i hapë rrugë vetes, atëherë bëhet i pabesueshëm. Pohimet autoreferenciale historianët e vërtetë i mënjanojnë sepse krijojnë situata absurde.

Nëse në një studim braktisen apo mungojnë parimet themelore, atëhere mbizotërojnë opinionet dhe bindjet personale, lehtësisht të fallsifikueshme, sidomos në lëmin e historisë. Përfundimet e studimeve të tilla pasqyrojnë thjesht bindjet e autorit ose prirjen e tij për të tjetërsuar të vërtetën. Kjo është e ashtuquajtura metodë e spekullimeve filozofike apo historike. Speculor në latinisht – pasqyroj në shqip; pra, me spekullim do të kuptojmë pasqyrim).

Vetë Aristoteli theksonte nevojën e kësaj metode në mungesë të parimeve themelore në shumë fusha studimesh. Dua tu kujtoj lexuesve që për të gjitha fushat e dijes spekullimi është një formë kërkimi që sjell një hamëndje apo hipotezë bazuar në disa të dhëna. Ajo është një opinion apo bindje personale që rrezikon ta ligështojë të vërtetën, pa dashje ose me pikësynimin që të përdhunojë të vërtetën universale. Por edhe historia ka disa ligje të pashkruara, në krye të të cilëve qëndron parimi moral i të vërtetës. Në rastin e Rilindjes Kombëtare dhe rolit të vëllezërve Frashëri nuk ka asnjë arsye për të vënë në dyshim përmbajtjen apo identitetin e figurave të saj.

Në evolucionin e njerëzimit në shumë raste historia është fallsifikuar duke manipuluar dhe interpretuar të vërtetën historike sipas interesave të errëta. Po sjell një shëmbull nga koha jonë. Një mik nga Kanadaja (Saint George University of Toronto) para dy vjetësh më solli një artikull të tij, botuar në Angli, ku citonte një tabelë për lashtësinë e gjuhëve nga libri “Genes, Peoples and Languages” (New York, Penguin Books, 2001) të autorit Luigi L. Cavalli Sforza. Ky autor është themeluesi i mirëfilltë i arkeokulturës. Në këtë libër ai analizon evolucionin dhe çvendosjet krahinore të geneve, prej nga dedukton lashtësinë e gjuhëve. Janë, natyrisht, studime komplekse. Rezultatet e tija përputhen me studimet e gjuhëtarëve më të shquar të dy shekujve të fundit që konsiderojnë shqipen dhe armenishten si gjuhët më të vjetra të grupit indoeuropian. Diagrama e shkencëtarit Cavalli Sforza vendoste në vënd të parë gjuhën shqipe me 10.000 vjet p.K. Më pas vinte armenishtja me 9.000 vjet p.K. dhe vonë gjuhët gjermanike dhe më pas greqishtja e lashtë. Unë e bleva librin në italisht dhe në atë botim diagram e mësipërme ishte zhdukur. E porosita librin në anglisht në New York dhe aty gjeta atë që mungonte në botimin italian.

Në historinë e dijes njerëzore ka shumë raste të teorive që haptazi dhe ndershmërisht shprehin mendime dhe bindje të ndryshme për objektin e studimit. Janë bindje që më pas u nënshtrohen analizave të mëtejshme. Nga ana tjetër ka raste të shumta të fallsifikimit me vetëdije, duke dhunuar të vërtetën hisorike. Kombi ynë është viktimë e shumë rasteve të tilla, sikundër na e thekson edhe Faik Konica.

Ajo që na shërbehet nga autori Th. Frashëri si pasurim, nuk është tjetër veçse devijim nga të vërtetat themelore që shprehin Humanizmi dhe Rilindja Kombëtare. Të shtrosh fshehurazi problemin nëse Naim Frashëri është shqiptar, turk apo persian, do të thotë të tjetërsosh themelin e ideve dhe ndjenjave që frymëzuan poetin kombëtar të shqiptarëve. Naimi mori mësimet e para në Frashër. Në vitet e liceut studjoi latinisht, greqishten e lashtë, frëngjisht, historinë dhe moralin sipas programeve që e kishin themelin në kulturën europiane. Pra formimi kulturor i vëllezërve Frashëri ishte thellësisht perëndimor. Nga një pikëpamje thelbësore ajo pyetje, cënon identitetin e poetit. Ajo fsheh një pikëpamje, dëshmon varfëri kulturore dhe paaftësi të autorit në interpretimin e të vërtetave historike. Kjo sepse kur një autor shkruan në disa gjuhë, nuk vihet në dyshim identiteti i tij. Përse jo? Thjesht sepse njeriu e formon identitetin atje ku lind, ku rritet si edhe në gjuhën e nënës. Gjatë jetës ai formim mund të pasurohet, por jo si e mendojnë autori dhe gazetarja që citova më lart. Përse? Fidani i lisit nuk mund të krijojë një bredh, sepse janë rrënjët ato që përcaktojnë të ardhmen e fidanit. Idetë dhe veprat e krijimtarisë njerëzore lindin, pasurohen më tej. Shumë herë ato janë të pavdekshme dhe kanë një energji të pashterëshme. Ato kanë frymëzuar kombet në evolucionin e tyre. U kanë dhënë njerëzve forcë dhe arsye për të jetuar dhe luftuar kundër të Keqes dhe gënjeshtrës, kundër robërisë dhe prapambetjes. Të tilla janë Rilindja Kombëtare dhe Humanizmi shqiptar.

Naimi ka shkruar në disa gjuhë. Po ashtu edhe Vaso Pasha (1825–1892). Në gjuhë të huaja ai ka shkruar, fjala vjen:

“L’alphabet latin appliqué a la langue albanaise”, Paris, 1872.

Vëllim me poezi në italisht, “Rose e spine”, Bolonja, 1873.

“Esquisse historique sur le Monténégre après les traditions de l’Albanie”, 1872.

“La verité sur l’Albanie e les Albanais, Paris, 1878.

“Etude historique et critique sur l’Albanie e les Albanais”, Paris, 1879.

Ndër të tjera ai ka qënë edhe sekretar i ambasadës angleze në Shkodër, ofiqar i lartë i Perandorisë osmane, guvernator i Libanit nga 1882 deri sa vdiq si një patriot i madh. Këto fakte nuk na japin të drejtë të pyesim: është francez, shqiptar, anglez, turk apo libanez ky Vaso Pasha i Shkodrës? Pashai, me siguri, do të ngrihej nga varri e do u hidhej në fyt atyre që duan t’i tjetërsojnë identitetin.

30 vite të shkuara më pyeti një kolege, Alina Madonna, në Itali: “Si ndjehesh, shqiptar po italian”? Unë i shpjegova me qetësi: jam lindur në Shqipëri, kam folur shqip për 45 vjet, kam ndjekur shkolla shqipe dhe kam jetuar me miqësitë e vyera të një kombi fisnik. Këto dhe origjina e tim’eti kanë përcaktuar formimin tim kulturor pra, edhe pse kam shtetësinë italiane nga nëna, ndjehem thellësisht shqiptar.

Rreth 2700 vite të shkuara, sipas dijetarëve të shkollës Jonike të Miletit (Azia e Vogël), nevoja për të kuptuar të vërtetën nuk mund të kufizohet me idenë e spekullimeve arbitrare të autorit, por duhet të respektojë krahas arsyes edhe ndjeshmërinë njerëzore. Filozofët e shkollës Jonike, Taleti, Anassimandro dhe Anassimene (shek. VII – V p.K.) e braktisën rrugën e dijes arbitrare të opinioneve dhe spekullimeve pa fund. Sipas tyre dija lind në prani të disa parimeve themelore të pavarura e jo kontradiktore që na ndriçojnë udhën e studimit të Natyrës, Universit dhe të Njeriut. Parimet themelore orientojnë me urtësì kërkimin e të vërtetës duke minimizuar spekullimet dhe falsifikimet e historisë.

Pata rastin të lexoj artikuj apo komente lidhur me publikimin e këtij libri si, fjala vjen, ai i gazetares Monika Stafa me titull “Frashërllinjtë si klan” (15 mars 2023 (https://pena.al/frasherllinjtë-si-klan/). Kjo gjetje mbase hedh dritë në synimin e autorit të librit. Fjala Klan në të folmen moderne të të gjitha kombeve e ka braktisur ekuivalencën e kohës mesjetare klan – familje. Mendoni si tingëllojnë thëniet “Klani ku u rrit autori i librit X”, “Klani ku lindi gazetarja Y”, “Klani që i dha formimin kulturor Migjenit apo Tolstoit”. Fjala klan në të gjithë botën ka vetëm një kuptim:

“Fjala Klan nënkupton një grup njerëzish, jo me doemos të një fisi, të bashkuar sipas disa interesave të përbashkëta, të errëta e të rrezikshme për shoqërinë”.

Rilindja së bashku me Lidhjen e Prizrenit dhe Humanizmin shqiptar përbëjnë thelbin e Universit filozofik e Kulturor të kombit. Pa dashur të rëndoj autorin dhe as gazetaren M. Stafa, dua të shpreh mospajtimin edhe me titujt e librit që shumë herë synojnë të zvetënojnë dritën e veprës së Rilindasve. Ky synim shpesh herë merr përmasa të pabesueshme. Fjala vjen, figurën e Abdyl Frashërit, i adhuruar edhe nga shqiptarët e Kosovës dhe arbёreshёt e Italisё, ky libër e minimizon në një mënyrë fyese. Pёrkundrazi njerёzit e pavarur e kanё vlerёsuar, sikundёr shkruan Gaetano Pettrota (1882-1952), autor i 8 veprave mbi kombin, gjuhёn dhe kulturёn e shqiptarёve. Ai ёshtё i pari qё ka analizuar “Mesharin” e Buzukut. Nё veprat e tij spikat admirimi pёr rilindasit dhe humanizmin. Ai shkruan:

“Lidhja e Prizrenit, e ngritur nga Abdyl Frashёri, rilindi frymёn e vёllazёrisё mes shqiptarёve tё jugut e tё veriut, mes tё krishterёve dhe myslimanёve. Ajo lёvizje ringjalli ndjenjёn kombёtare nё dy plane: politike dhe kulturore”.

Nuk e kuptoj si justifikohet zgjedhja për të shkruar Shemsedin Frashëri dhe jo Sami Frashëri. Të prekësh veprën dhe integritetin moral të vëllezërve Frashëri, do të thotë të godasësh Rilindjen Kombëtare. Njerëzit e Rilindjes sonë, nga veriu në jug të vëndit, ishin intelektualë të pavarur e patriotë. Raporti me fenë nuk i kufizonte aspak marrëdhaniet mes tyre. Dua tu them autorit dhe gazetares që serbët dhe grekët nuk kanë një lëvizje si ajo e humanistëve shqiptarë dhe as një Rilindje të tyren. Kombi shqiptar, përkundrazi, ka nje gurrë të pashterur të urtësisë popullore dhe të kodikëve që udhëhiqnin jetën e krahinave tona. Plejada 5B, siç i kam quajtur Budin, Bardhin, Bogdanin, Barletin dhe Buzukun në librin “Magjia e Rilindjes Kombëtare”, duke filluar nga gjysma e dytë e shek.XVI, ngritën problem themelore për mbijetesën dhe emancipimin e kombit.

Martin Luteri përktheu në gjermanisht Ungjillin në 1537, një libër që e lexonin një grusht njerëzish. Buzuku, përkundrazi, këtë punë e bëri me Mesharin në vitin 1555. Leximi në shqip i lutjeve gjatë meshave dhe në jetën familjare, qe një akt i lartë e largpamës i dijetarëve si Buzuku. Natyrisht ai nuk e ka shkruar atë vepër duke sajuar fjalë të reja për termat fetare. Kjo as që mund të mendohet. Ajo terminologji me siguri është formuar gradualisht në shekuj nga të krishterët shqiptarë, më të hershmit e pellgut mesdhetar. Meshari i Buzukut ishte shprehje e dashurisë për gjuhën amtare. Ajo vepër konfirmon pavarësinë, pastërtinë dhe pasurinë e shqipes.

Madje peshkopi matjan Pjetër Budi mblodhi priftërinjtë e dioqezës dhe i porositi që lutjet dhe fjala e Perëndisë duheshin përdorur vetëm në gjuhën amtare. Kjo e Budit paraprin frymën e illuminizmit europian. Pse? Me gjuhën amtare komunikimi me Perëndinë bëhet i kuptueshëm dhe jo i imponuar formalisht pa kuptuar një fjalë nga lutjet në latinisht. Vendet europiane e kanë përkthyer “Mesharin” në gjuhën amtare vetëm në shek.XX. Italia këtë hap e bëri në periudhën 1966 – 1975. Franca gjithashtu. Më kanë treguar kolegët që deri në 1970 njerëzit në kishë luteshin në latinisht pa kuptuar asnjë fjalë, natyrisht shumica e tyre.

Historianët, ata që shkruajnë libra, a e njohin këtë meritë të humanistëve dhe rilindasve tanë?

Me veprën e ndritur të humanistëve dhe të rilindasve u konsolidua, heshturazi, kuptimi më i thellë për shqiptarizmën. Këtë argument unë e kam trajtuar në 70 faqe të esesë “Universi Filozofik e Kulturor i Rilindjes Kombëtare – burimi themelor i ideve për jetën e kombit sot e në të ardhmen e tij”. Dua tu kujtoj skeptikëve që në të gjitha pamjet e jetës urtësia e krahinave shqipfolëse ka shprehur koncepte dhe tradita të vyera që duhet t’i ruajmë si sytë e ballit. Fjala vjen, në kodikët mesjetarë të principatave shqiptare, gjejmë parimin demokratik:

Anmikun mos e duaj, por baj

kujdes me respektue nderin e tij.

Dialektika e mendimeve dhe ideve nga më të ndryshmet e mënjanon konfliktin mes njerëzve. Ajo dallon demokracinë nga autoritarizmi dhe totalitarizmi. Filozofi francez Voltaire tre shekuj më pas thoshte “Nuk jam dakord me ty, por do të jepja edhe jetën që ti të mund ta shprehësh idenë tënde”. Mos të harrojmë që edhe sot, megjithë përmirësimet e ndjeshme, politika synon dhe arrin të kontrollojë e të manipulojë mjetet e informacionit (gazeta, TV, etj.) duke lёnë në harresë visaret e kombit. Organizmat ndërkombëtare duke vlerësuar lirinë e mjeteve të informacionit, e përcaktojnë si gjysëm të lirë shtypin dhe mediat shqiptare.

Në një vend, që për gjysëm shekulli u shtyp nga një diktaturë mizore, nuk janë Frashërllinjtë që shqetësojnë shoqërinë, por një braktisje e ndjeshme e veprës së humanistëve dhe rilindasve tanë. Vepra e tyre duhej të ishte në themel të formimit kulturor të brezit të ri. Duhet rizgjuar vetëdija e kombit për vlerat themelore të humanistëve e të rilindasve tanë: nga figurat e Plejadës 5B te vepra e vëllezërve Frashëri, të Fan Nolit, Faik Konicës, Fishtës, Mjedës. Janë me qindra, poetët e Rilindjes dhe të tjerë pas tyre, që i kënduan Naimit, mendjelartit, zemërtrimit, vjershëtorit si ai. Përsa i përket ringjalljes së gjuhës letrare, duke analizuar punën kolosale të Naimit për krijimin e fjalëve të reja dhe formave stilistikore të të folmes shqip, le të citojmë albanologun Norbert Jokl:

“Krijimtaria e poetit Naim Frashëri ka për gjuhën shqipe po ato vlera që ka patur krijimtaria gjuhësore e Laibnicit për gjemanishten, e Ferenc Kozincit për hungarishten, e Jozef Jungmanit për çekishten”, [Rexhep Qosja, Porosia e Madhe, Tiranë, 1989].

Është e vërtetë që edhe të tjerë poetë kanë merita të mëdha përsa i përket krijimit të gjuhës letrare dhe frymës patriotike të veprës së tyre. Por asnjëri prej tyre nuk ka patur karizmën e Naimit, as edhe sot. Nga vetë portreti i tij njohim një njeri thellësisht të ndjeshëm, largpamës e të thellë. Vargu i tij është i lehtë e qetësues si ajri i freskët i mengjezit pranveror, figurat që krijon kanë elegancën dhe ndjeshmërinë e një artisti hyjnor. Ai nuk krijon asnjëherë polemikë, shkon përpara me hap të shtruar dhe krijon imazhe e meditime që natyrshëm harmonizohen me ndjeshmërinë dhe ndërgjegjen e lexuesit. Është mjerim të mendosh që rreth 120 vite pas vdekjes së Naimit, të flasim për klane e oxhaqe e jo për dritën e Humanizmit dhe të Rilindjes Kombëtare.

Le të shohim mendimet e R. Qoses, jo thjesht në pamjen gjuhësore të veprës së Naimit:

“…me prirjen e saj aq të theksuar e të frytshme krijuese, gjuha e tij shpreh prirjen themelore ideore të kohës: prirjen e vetëdijësimit të plotë kombëtar të popullit shqiptar. Si një vepër që edhe me përmbajtjen e saj ideore, morale, shoqërore dhe historiko-kombëtare shpreh prirjet më thelbësore të letërsisë shqipe në shekullin XIX, është e kuptueshme pse vepra e tij edhe me gjuhën e saj, me kohë do të bëhet vepër gjedhe, në të cilën do të ndërtohen brezat e shkrimtarëve shqiptarë”. [Porosia e Madhe, Tiranë, 1989, faqe 367, 368].

Do të shtoja që edhe Fishta duhet të ketë pësuar ndikimin e poezisë më të hershme të Naimit. Në vjershat e tij ‘Gjuha shqype’ e ‘Atdheu’ gjejmë po ato motive, me të cilat Naimi i këndon gjuhës shqipe e mëmëdheut, natyrisht me dallimin e stileve të ndryshme të dy poetëve të mëdhenj. Ai, në thirrjet e luftës për liri, i referohet figurës së Naimit:

Bini Toskë ju n’pikë të vrapit

mos tu ndalin mal as zall

Naim Frashëri i ra Qitapit

Mos me e lshue Shqipninë për të gjallë

Aleksandër Xhuvani propozoi që në themel të gjuhës letrare kombëtare të vihej toskërishtja si varianti më i përpunuar përmes veprave të Naimit e Samiut, të Faik Konicës e Fan S. Nolit; por drejtshkrimi të mbështetej edhe në gegërishten e pasur.

Në 6 janar 2019 gazeta e rëndësishme italiane “La Repubblica” botoi një tregim të Ismail Kadaresë me titull “Unë nuk kam frikë”. Ai tregim perms metaforave të Kadaresë prekte një problem kombëtar, shumë aktual. Rreth tij unë shkruajta dhe botova disa reflektime: “Urtësia e Kadaresë në rrëfimin e fëminisë së tij. (Kadaré, Shakespeare dhe fantazmat), 4 shkurt 2019, Gazeta Shqiptare.

Dua të shpreh disa mendime rreth këtij tregimi brilant dhe afiniteteve interesante që ai shpreh me jetën e Kadaresë dhe sidomos me disa pamje të realitetit shqiptar. Ky është një tregim tipik kadarian, mes alegorisë dhe realitetit, frikës dhe fantazmave. Megjithatë ka disa koinçidenca që duhet t’I pranojmë me bindje e që na bëjnë të mundur një interpretim të vyer të ketij tregimi.

Tregimi i Kadaresë rrëfen fabulën e fantazmave të republikës kundër qytetarëve më të shquar të saj në kohën e regjimit enverian. Republika shpallte si banditë intelektualët e saj që përbënin vetëdijen për lirinë e humbur nga regjimi totalitar i Hoxhës. Shpifjet dhe dyshimet e regjimit ishin fantazmat e tregimit, ato që ndrydhën pamjen shpirtënore të kombit, talentet dhe krijimtarinë e tij. Me sa duket, e ashtuquajtura metodologji fantazmagorike e diktatorit vazhdon të mbijetojë mes nesh, çuditërisht e mëkuar nga shovinizmat e gadishullit të mplakur të Ilirisë.

Çdo vit, në prag të punimeve përzgjedhëse të komisionit për çmimin Nobel, del ndonjë teoricien i lirisë dhe kritikon Kadarenë si njeri të regjimit “republikan”. Në këto tre dekadat e fundit, pranë datave historike të rëndësishme, shkruhen e botohen artikuj të rremë e të turpshëm kundër figurave të nderuara të botës shqiptare: hidhen teza absurde mbi origjinën e Gjergj Kastriotit, braktisen në harresë të fajshme figura si Naimi, Vaso Pasha, Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Migjeni, Noli deri dhe te Kadareja.

Këto që shohim e dëgjojmë janë hije e fantazma të shovinizmave ballkanike që kanë vrarë priftërinj ortodoksë pse bënin meshën në gjuhën e nënës, pra në shqipe të kulluar. Ata kanë vrarë mësues të gjuhës shqipe, kanë persekutuar e masakruar popullsinë e pafajshme të krahinës iliro-epirote vetëm pse kultivonte gjuhën shqipe.

Nuk mund të mos kujtojmë si e trajtonte Naimi i madh problemin e Gënjeshtrës e të së Vërtetës. Filozofia e poezisë naimjane ndër të tjera theksonte nevojën e kërkimit të së Vërtetës si kusht të përparimit të individit, të familjes e të kombit. Ai e trajtoi këtë problem në vargje, me qartësi e thjeshtësi gjeniale, duke shprehur parimet mbi të Vërtetën në pajtim me konceptet sokratiane, kristiane e islamike. Është mahnitëse mënyra dhe thjeshtësia me të cilën poetët e Rilindjes i kanë harmonizuar problemet e të Vërtetës, Mirësisë, të Bukurisë si kusht themelor për shpëtimin e Njeriut e si thelb të demokracisë. Njerëzit më të ndritur të kombit formohen nën ndikimin e kulturës, traditave e histories kombëtare. Nga ana tjetër ata e pasurojnë atë burim, dmth Universin Filozofik e Kulturor të kombit. Sot, e them me keqardhje, dëgjojmë e lexojmë shprehje apo komente mbi figura të rëndësishme të kombit që të brengosin e të revoltojnë për ligësinë dhe injorancën që shprehin duke mos kursyer as Nolin dhe as Nanë Terezën.

Shprehjet që gjemë në libër të befasojnë. Si mund të shkruajë një autor duke fyer ndjeshmërinë e njeriut pa i bërë tërr syri dhe pa iu referuar të vërtetës? Le të sjellim rastin e sulejmanbelliut Hajdar Sulejmani Frashëri. Autori duke folur për syrgjynin në Stanimakë shkruan: “Sulejmanbellinjë e Vilakë thonë jemi oxhakë; ata janë varfanjakë të lindur në Stanimakë, kanë lëruar gjer më dje”.

Një historian serioz, një njeri sadopak i pjekur është i matur, nuk shkruan ato që ia ka ënda, por vetëm të vërtetën dhe këtë e bën me një gjuhë të moderuar. Një historian duhet të dijë që Sulltani nuk merrej me varfanjakët, por me familjet e nderuara të vëndit. Familja e Hajdar bey Frashërit kishte në Dupen (mes Ohrit dhe Prespës) çifliqe ku punonin 250 familje. Në Dupen familja e tij kishte ndërtuar rrugët e nevojshme, një shkollë fillore me dy mësues dhe pajtuar një mjek. Këtë çiflik shteti jugosllav i porsaformuar e shtetëzoi në periudhën 1925 – 1930. Por çiflikun më të madh familja e kishte në Plesh të Greqisë, midis Filatit dhe kufirit me Shqipërinë. Në të njëjtën periudhë grekët shtetëzuan pronat e Sulejmanbellinjve në Plesh dhe ato të familjes Rusi në Epir. Pak prona që kishin në Shqipëri i shtetëzoi republika e Hoxhës. Në këtë fazë Hajdar beu dhe shumë familje të tjera të kamura e ndrruan mbiemrin në Frashëri, duke shpresuar të hiqnin atë nofkën e familjeve të pasura.

Tani po ju shpreh me qetësi mendimin tim mbi atë nofkën e varfanjakut duke ju rrëfyer dy përrallëza.

Legjenda e gomarit trupmadh

Na ishte një herë një gomar trupmadh që e dinte veten të ditur. Një ditë, tek i ngjitej malit, pa shqiponjën në majën e shkëmbit në buzën e një gremine të thellë. Shqiponja di të fluturojë në qiell dhe të eci në tokë, mendoi gomari dhe, duke iu afruar greminës, e pyeti shqiponjën:

“Si ia del të fluturosh me ato dy pupla e tua të lehta”?

“Ja, më shih sa bukur është të fluturosh”, iu përgjigj shqiponja dhe krahëhapur u lëshua nga shkëmbi i lartë në humnerë.

Gomari i tha vetes: “Pse të mos fluturoj edhe unë me këtë goxha trup që kam” dhe duke e ndjerë veten të mënçur e të fortë u hodh në humnerë. Ai ngordhi pa e kuptuar që nuk është pesha e trupit ajo që e bën shpendin të fluturojë, por ato dy puplat e lehta që gomarit nuk ia mbushnin mëndjen. Ai u flijua me ëndrrën e fluturimit. Edhe sot e kësaj dite gomerët nuk kanë mësuar të fluturojnë.

Përrallëza e djaloshit të vobekët

Një legjendë metroplitane rrëfen një ditë të çuditshme të një njeriu të kamur. Ky mbante në duar një shportë me mbeturinat e drekës që porsa kishte konsumuar dhe po i afrohej kazanit të plehrave. Vuri re një djalë të vogël ndaluar përpara kopshtit të tij. I kamuri i dhuroi vogëlushit, shportën me tepricat e drekës. Më shumë pisllëqe se sa ushqime për të ngrënë. Të nesërmen djali, pasi hodhi në plehra mbeturinat e të kamurit, pastroi shportën, e mbushi me lule të freskëta të lëndinës dhe arriti te hyrja e vilës të zotnisë që e hiqte veten si bamirës. Zotnia e vështroi i habitur djalin me shportën mbushur me lule të freskëta.

“Ç’janë këto lule”, e pyeti djalin duke menduar që duhej të paguante.

“Është dhurata ime për ju”.

“Pse kjo dhuratë për mua”, pyeti i kamuri duke kujtuar mbeturinat që I kishte dhënë djaloshit një ditë më parë.

“Mos u shqetësoni zotni, nuk dua të më paguani. Çdo njeri dhuron atë që ka në zëmër”.

Pasi shqiptoi këto fjalë, djaloshi i ktheu krahët të kamurit që ndjehej njeri i rëndësishëm dhe e gëzonte mirëqënien brënda mureve të një vile të vetmuar. Për herë të parë kuptoi çdo të thotë pasuri e vërtetë. Nuk është e vërtetë, i foli vetes, që fisnikëria e shpirtit i takon vetëm njeriut të kamur, sikundër mendonin shumë nga njerëzit që e rrethonin.

* * *

Kush shprehet me përçmim për varfërinë fyen ndjeshmërinë e njerëzve që nuk janë të pasur. Së pari, të kamurit nuk janë njerëzit më të lumtur të kësaj bote. Së dyti, kush ka prirje të tilla nuk mund të njohë as abecenë e historisë. Kam këtë bindje sepse historia formale përpiqet të shkruajë kronikat e masave, shteteve duke anashkaluar dramën, vuajtjen, dashurinë dhe evolucionin e individit. Ne, fjala vjen, nuk e njohim njeriun e antikitetit nga kronikat e historisë, por nga veprat letrare, nga muzika e piktura, nga artet në përgjithësi: Omeri, Shekspiri, Balzaku, Hygoi, Da Vinçi, Dostojevski, Mozart, Rembrandi, Migjeni e mijra të tjerë. Sot ne jemi në gjëndje të dallojmë e të kuptojmë diferencën mes njeriut të lashtë, atij mesjetar dhe njeriut modern. Këtë ndjeshmëri na e krijon, jo historia formale, por vepra artistike, ajo e njeriut të thjeshtë. Historia, në thelb, e mënjanon evolucionin e individit.

Mendoni se si Migjeni nё prani tё mjerimit dhe ligёshtimit tё shpirtit i lutet Perёndisё t’i japi njё sinfoni. Shёrimin e vuajtjes njerёzore ai e kёrkon te muzika, te arti. Asnjё poet nё historinё e letrave tё tё gjitha kohrave nuk e ka shprehur me kaq art shpirtin e madh tё poetit. Kёto janё vargje monumentale qё shprehin njё tё vёrtetё themelore tё jetёs: e Bukura si thelb i qёnies njerёzore. Kjo është pasuria e vyer që individët e thjeshtë i sjellin njerëzimit. Por ata që krijojnë të bukurën nuk duhen marrë nëpër gojë siç po bëhet sot me rilindasit tanë.

Çfarë duhet të themi për varfanjakun, siç shprehet autori i librit të çuditshëm të këtij marsi të trishtë? Mendoj që përgjigjja është më se e qartë në përmbajtjen e pak rreshtave që kam shkruar dhe theksuar në disa raste:

Njerëzit e kulturuar njohin emrat e artistëve, shkrimtarëve dhe shkencëtarëve të të gjitha epokave, por zor të gjesh mes nesh ndonjë të ditur që njeh emrat e njerëzve të pasur të epokave të kaluara. Tolstoi ka qënë nga njerëzit më të pasur të kohës së tij, por qytetarët nuk e njohin aspak për këtë veçori sepse ajo nuk është një virtyt. Ai është i pavdekshëm në saje të veprave që na ka lënë. Ne njohim Naimin, Vaso Pashën, Ndre Mjedën, Fan Nolin, Gjergj Fishtën, Kadarenë për veprat e tyre. Ata nuk ishin të pasur. Kush mund të na sjellë emrat e shqiptarëve të pasur të dy a tre shekujve të fundit? E kush i njeh ata? Përkundrazi ne njohim emrat e humanistëve si Buzuku, Budi, të 4-5 shekujve të shkuar.

Të flasësh për varfanjakë e të pasur do të thotë të mos njohësh historinë e njeriut dhe të raportit të tij me shoqërinë sepse ky raport përcaktohet nga parimi natyror i meritës. Fizikanti anglez Michael Faraday (1791-1867) lindi në një familje shumë të varfër të Londrës. I jati i sëmurë, pra Faraday në moshën 13 vjeçare filloi të punojë në një librari. Flinte pak sepse natën lexonte sidomos libra të shkencave. E pranuan në të famëshmin Royal Institution të Londrës për vendosmërinë dhe aftësitë e jashtëzakonshme. I apasionuar mbas elekromanjetizmit, Faraday u bë një nga figurat më të rëndësishme në hapat e para të fizikës moderne. Është teoria e elektromanjetizmit ajo që e futi në udhën e modernizimit qytetërimin tonë.

Mozarti vdiq i varfёr dhe nuk pati njё varr. Kufoma e tij pёrfundoi nё njё gropё bashkё me fukarenj tё tjerё, bash nё qendёr tё Vienёs. Ky ishte njё turp i asaj kohe. Nuk di a rrezikojmё edhe ne po atё perfundim pёr intelektualёt, artistёt dhe njerёzit e shquar tё kombit.

Pa artin dhe shkencën e varfanjakëve, sot do të ishim si mijra vite më parë. Kujtoni fillimin e shekullit XX. U shembёn dy perandori: austriake dhe turke.

E para vazhdoi te pёrparojё si njё nga vendet mё tё zhvilluara tё Europёs. E njёjta gjё nuk mund tё konfirmohet per tё dytёn edhe pse ajo ishte më e pasur se Austria. Mendoj qё arsyeja e kёsaj diference do kёrkuar nё pamjet kulturore dhe shkencore tё dy perandorive. E para krijoi kontribute tё shquara nё art e nё shkencё. E dyta jo. Pra vetёm diferenca e madhe kulturore shpjegon prosperitetin e njёrёs dhe prapambetjen relative tё tjetrёs.

Shqiptarёt nuk ishin varfanjakё tё ndarё në myslimanё, bektashinj e tё krishterё. Kush mё mirё se Eleonora Vila e ka konfirmuar kёtё tё vёrtetё. Zonja Vila, franceze e martuar nё Frashёr me Nuri Bej Vilёn, pёrjetoi edhe djegiet dhe krimet greke nё 1914. Eleonora Vila shkruan:

“Pёr shqiptarёt ka vetёm njё besim fetar qё i bashkon ata me njёri-tjetrin. Ajo ёshtё feja e atdheut”.

Nuk mund tё mos theksoj qё unitetin e mendimit e tё veprimit atdhetar, si edhe unitetin ndёrfetar e kundrojmё nё marrёdhaniet mes figurave tё Rilindjes Kombёtare. Libri, pёr tё cilin po flasim, e cёnon kёtё tё vёrtёtё themelore qё nderon universin Kulturor tё kombit tonё. Dua t’i kujtoj vetёdijes, fjala vjen, qё kanё punuar e menduar sё bashku pёr fatet e kombit njerёzit e tё gjitha besimeve fetare:

Vaso Pasha katolik, Jani Vreto ortodoks, Ymer Prizreni mysliman sunit. Katoliku Gjergj Fishta dhe bektashiu Mit’hat Frashёri kryesuan punimet e Kongresit tё Manastirit Kadareja shkruan: “Naim Frashёri ёshtё ati themelor i letёrsisё shqiptare, Vepra e tij u bё burim frymёzues i rilindjes sё ndёrgjegjes dhe vetёdijes kombёtare”.

* * *

Nuk mund t’i fsheh vetes qё, nga njё pikёpamje thelbёsore, ky libёr mё sjell ndёrmёnd ato dosjet e zyrave tё kuadrit dhe tё sigurimit tё shtetit nё kohёn e totalitarizmit qё na zuri frymёn pёr njё gjysёm shekulli. Pёrfytyroj dosjet qё kishin qёndisur kundёr Ismail Kadaresё. Nuk dua tё besoj qё autori tё jetё familjarizuar me ato metoda. Mendoj qё ky libёr do tё bekohet nga ata qё zaptuan kishёn ortodokse shqiptare tё themeluar nga patrioti dhe erudite i shquar Fan S. Noli. Nga ana tjetёr, sa shkruhet nё kёtё libёr do trishtojё ata qё e kanё nё zёmёr atdheun, vёndin ku balta u duket mё e ёmbёl se mjalta.

Mars, 2023.

___________________

Frasheri – i shquar, i panjohur

Nga Thomas Frasheri

Në këtë libër vjen historia e një prej famijeve me të shquara të historisë së Shqiperisë por njëherësh e njohur edhe në Perandorinë Osmane, – shkruar nga Thomas Frasheri. Autori prezenton fakte që dalin për herë të parë para publikut. Nuk është thjeshtë një histori familjare… Ky botim është përgatitur me një cilësi të lartë nga shtëpia botuese Onufri.

***

“Kush lexon librin e Thomas Frashërit mahnitet jo vetëm me informacionin historik, sidomos atë të siguruar nga burime osmane deri më tani të panjohura, por sidomos me rolin dhe kontributin e një armate të tërë personalitetesh me origjinë nga Frashëri në jetën politike dhe intelektuale të Shqipërisë e pse jo edhe të Perandorisë Osmane.”

Prof. Ferit Duka

***

“Stema familjare, dokumente fisnikërimi, dorëshkrime, fotografi të rralla, sidomos për më të vjetrat, e çdo lloj objekti tjetër teknikisht i riprodhueshëm ose më mirë të thuhet i shndërrueshëm në imazh, nuk përbëjnë vetëm një zbukurim të rëndomtë dhe dytësor të librit, një ikonë për ekspozim me synim konsumatorin e rastësishëm të historive gjenealogjike, por aspektin e dukshëm të hulumtimit dhe, për pasojë, konkret të lidhjes që kërkohet të vendoset mes së tashmes së atij që lexon dhe së shkuarës që ka nxjerrë në dritë atë objekt”.

Prof. Matteo Mandalà

***

“Arritja metodologjike e studiuesit Thomas Frashëri me këtë vepër, duke filluar nga zgjerimi i analizës historiografike me metodat ndërdisiplinore dhe duke përfunduar te përdorimi i disiplinave të ndryshme si agregat funksionues, pavarësisht heterogjenitetit të tyre, mund të shërbejë si shembull i lakmueshëm”.

Prof. Aurel Plasari

___________

FRASHËLLINJTË SI KLAN

Nga Monika Stafa

Total
0
Shares
1 comments
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura