Pashtriku.org, 23. 05. 2013 – Hetimet nga zyrtarët e Sigurimit Shtetëror të Jugosllavisë – dega në SPB të Gjakovës nuk filluan nga dita e parë kur me “futën” në çeli të Burgut. Disa ditë unë shetisja nëpër çeli dhe “supozoja” se cilin angazhim timin e kanë kualifikuar të kundërligjshëm!
Në mengjes u hap dera e hekurt, me një kërkëllimë që delë kur hekuri fërkohet me hekur dhe u paraqit figura e një personi të uniformuar “Gardiani i burgut” dhe një person “civil” me një kovë të emajlueme por e cëkrruar në disa vende (që ishin njolla të zeza në emajlin e bardhë) plotë me një lëng ngjyrë-çaj në njërën dorë dhe një “kutlaqe” (garuzhde) në tjetrën. Unë shtanga dhe s’dija si të veproj derisa gardiani (G) me udhëzoj butësisht.
G: Sille atë sahanin nga alumini këtu. Mbaje lugën! dhe “civili” hudhi dy ose tri kutlaqe me lëngë në sahanin që e mbaja me një dorë pa ditur se si me veprue. Dera u mbyll para syve të mi dhe rrapllima e “shulit” u rikëthye në veshët e mi.
I burgosuri – Punim i Sylë Mujajt.
E lashë sahanin mbi dysheme dhe s’kisha ide se si me veprue. Lëngu në sahanin në dysheme avullonte dhe aroma më gudulisi hundët. Dikur e morra një lugë lëngu dhe nuk kishte asnjë shije por që ishte i vakët. Dikur e piva të tërin ashtu sikurse ishte: pa shije dhe tashmë i ftoftë! Vazhdoja të qëndroja në çeli duke i lëxuar shkrimet në mure. Askush nuk u muarr me mua. Dikur “shuli” përsëri u ba i gjallë dhe tashti u paraqit figura e një personi tjetër i uniformuar dhe dy përsona civilë: njëri me një kovë të emajlueme por të cëkrruar në disa vende plotë me gjellë që avullonte në njerën dorë dhe një “kutlaqe” (garuzhde) në tjetrën e tjetri civil me “kosh nga plasmasi” plot me copa buke prej ku e morri një pjesë dhe ma dha pa bë zë. Tashti nuk prita që dera të mbyllet dhe sahanin me gjellë e “shtrova” në dysheme dhe u ula pa e lëshuar copën e bukës nga dora. Fillova të ha i uritur pa masë dhe dikur u kujtova se aty ishte “kiblla” dhe uji në “kantë” për ti pastrue duart paraprakisht! Këtë e bëra pasi edhe më e vogla pjesë e gjellës u përla nga sahani me kafshatën e fundit të bukës. Isha i lodhur dhe dikur me zuri gjumi. Më zgjuan zërat (Z) që dëgjoheshin nëpër koridorin e katit të çelive:
Z1: E kanë sjell një profesor nga Prishtina!
Z2: Kush na qenka ky? Mos e kanë këthye prof. Shefqetin more?
Z1: Ata në dhomën nr.2 mund ta marrin vesh ngase është në çelin afër tyre!
Z2: Ju dhoma 2 interesohuni kush është në çelin nr.3! Ҫelia 3 lajmërohu!
G: Mbyllni more gojën se po ju erdha aty jua tregoj qejfin!
Pasi pushoi zëri i gardianit në muri nga ana e majtë e çelisë u dëgjuan trokitje “Tup tup! Tup tup!”. “Tak tak !” Ato të parat ishin nga të rënat me grusht e këto të fundit nga të rënat me gishtin e dorës ose …ku ta dija unë !
Unë: (me veten time) Pra unë qenkamë në çelin nr.3! Këtu afër dhoma nr.2! Po ato zëra nga dolën? Kush janë këta të burgosur që aqë shpejt e kuptuan prezencën time këtu? Mos jam në kllapi more? Çka po ndodh me mua?
Dikur duke ngritur kokën kah pllafoni fillova me shique nëpër grillat mbi derën e çelisë. Shikimi u ndalue në një bregore shumë largë që ma kujtonte Çabratin e Gjakovës. Sa mundet me qenë larg prej burgu? Në cilën pjesë të Pejës është ky burg? Si nuk kam “lidhje” me të gjitha këto detaje! Po kështu e ka kur vetëm studion dhe merrësh vetëm me libra! E tashti nuk dinë as cili është gardiani e as kush është hetues, kush prokuror, gjyqëtar e avokat dhe cili është e do të jetë roli i tyre në këtë pjesë të jetës (dramës) tënde! Po tek e fundit çka më janë nevojitur këta mua deri tashti!? Po mbasi nuk të janë nevojitur pse ke “hy nëpër lakra” dhe ke hyrë në “luftë” me shtetin e pushtetarët? Ja pafsh hajrin e e bajsh me shëndet!
* * *
Kishin kalue disa ditë duke shetitur nëpër çelinë “time” por me mendje shetitja edhe kahmos tjetër gjithëherë njëlloj: çaji, gjella dhe një copë bukë dhe kur fillonte të ngrysej edhe një “supë” nga të mbeturat e gjellës së mesditës dhe fikja e dritës dhe shtrati “i butë” dhe përsëri zgjimi nga zëri kumbues i gardianit kujdestar (ngase koridori jehonte gjithëherë!) për tu zgjuar herët në mengjes. Sapo e kisha pi me rufi çajin pa sheqer, por që filloj të më pëlqente, “shuli” dhe zëri i gardianit:
G: Dil jashtë! Eja me mue!
I mbatha këpucët (pa lidhëset që së bashku me orën e dorës, rrypin e pantollonave dhe kollaren, pastaj kuletën dhe çdo gjë që kisha në xhepa mi kishin marrë me të hyrë në burg dhe për këtë me dorëzuan një dëftesë!) dhe i shkova nga pas gardianit. Shkallëve tatpjetë dhe në një oborr të maaaaadh që mu duk sa një stadion futbolli i rrethuar me mure të larta mbi 5 m që kufizohej me tela xhëmbor ku disa njerëz shetisnin me duartë të kryqëzuara mbas shpine dhe dy e nga dy përshpërisnin me zë të ulët mes vedi. U hap një derë hekuri dhe tjetri me përcolli nëpër disa shkallë të ngushta e të thepisura (si shkallët e minareve në xhami-siç m’i kanë përshkruar!) dhe u gjenda në një koridor me plot dyer. Me futën në njërën nga ato dhe përpara më dolën dy persona që unë i njihja: një zonjë M, gruaja e profesorit tim nga gjimnazi (që unë as që e kam ditur se ku e çka punon!) dhe S. S. me të cilin nuk kanë kalue shumë muaj që isha në zijafetin e fejesës së shokut tim A. Për S. e dija ku punon: “në UDB-ën e Gjakovës!” si flitej nëpër qytet! Ua diktova gjeneraliet dhe pyetja e parë:
S: A e di pse je këtu?
Unë: Jo! As që ja kam idenë!
S: Ani, ani se do të të kujtohet!
Unë: Këtu në vendimin që më është dorëzuar shënon vetëm ”Masë parandaluese izolim me kohë të pacaktuar!” Pse? Sa?
S: Deri sa të kujtohesh përse je këtu! Dhe doli!
M: Nuk mundëm me të ndihmua asgjë! A ke shumë të ftofët? …dhe e bindur në përgjigjjen pozitive ngase ajo dukej nga gjendja ime në të cilën isha katandisur e ktheu nxehsen elektrike që të rrymon nxehtësinë kah këmbët e mija.
Unë: Të lutem ju thue në shtëpi që të mi dërgojnë një palë qorape të leshta?
Ishte kërkesa ime e vetme POR e cila nuk mu plotësue për javë…! Nuk kisha të drejtë për “kërkesa!” Dhe pas gjithë atyre ditëve më në fund një ditë u hapë dera e çelisë dhe gardiani me urdhërojë:
G: Merre këtë pako dhe ato që nuk të duhen i këthen po me këtë pako!
Ishte një pako kartuqi me gjërat nga më të ndryshmet! Dhe duke i nxjerrur me mendje “fluturova” në shtëpi, në Gjakovë ku duke u përgatitur pakoja është “zhvilluar” (hipotetikisht) kjo bisedë:
Nana: Po fus edhe një pako cigare e një shkrepse se mbasi është vetëm në çeli mundet që e banë shoqërimin me cigare!
Baba: Jo moj se ai e ka kryet e fortë dhe nuk luhatet! Nuk e ndez ai cigaren! Të gjithë jeni dëshmitarë se sa ka luftue ai kundër duhanxhijve! Sa herë i kam thënë “ndeze një me mue!” e atij as me i shkue mendja! Futni ndonjë keks a ndonjë çokollatë se ai nga ato preferon!
Tota: E ka kokën e fortë por kanë me ia zbutur UDB-ashat! Futni ndonjë libër!
Feti: Poooo se e kanë pas dërgue në pushime atje dhe edhe libra e lënë me lexue e besa edhe TV ia sigurojnë!
N: Të mbrendshmet e dimrit po i fus ngase po mbanë moti i ftoftë këtë prill e kush e di se me cilat rroba ka qenë kur e kanë marrë. Edhe nja dy palë çorape se helbete! Edhe këtë trikon e trashë po se po!
B: Po pse moj grue po ndjell keq? Po a ka me dimnue atje a? Mos fut gjitha ato gjëra! Pastaj kanë thanë pako me vetëm 5kg e aty ke me shti edhe ushqime!
Por zëri i gardianit…:
G: Hajde djalo! A i ke ba gadi gjërat që do me i këthye?
Më “këtheu” në çeli dhe shpejt e shpejt i futa të mbrendshmet nga trupi dhe (i ktheva) cigaret dhe shkrepsën në pako prej kartuqi dhe ia dorëzova Gardianit! Qorapat nuk i hoqa nga këmbët por saora i shtova edhe një palë nga ato të sapoardhurat. Tashti sërisht i përshkova nëpër duar të gjitha ato që mi kishin sjellur nga shtëpia dhe fillova me qa! Vaji nuk dëgjohej por dënesët thue se “gurgollojshin” nga gryka si uji i burimit të madh! Dhe herë pas here flisja me zë:
Unë: A moj Nana ime! A more Baba im! Shumë telashe po ju nxjerri! InshAllah Fatonin nuk e nxjerrin nga puna! Ani F. ka planifikuar që këtë verë me u martue! Krej u çrregullue! Asgjë nuk ka me qenë ashtu sikurse më parë! E për të gjitha unë do të ndihem fajtor tërë kohën!
Në ndërkohë G e kishte hapur derën, kuzhinieri pa e diktua unë vet e kishte marrë sahanin dhe e kishte mbushur me gjellën duke e lënë copën e bukës mbi gjellë dhe kishte vazhduar në çelin e rradhës. Unë e kisha humbur toruan: nuk isha as në shtëpi e as në çeli! Ku ta di se ku me kishte fluturue mendja! Mendimet më ishin mjegullue tërësishtë!! (Shkruar, më 28. 09. 2012)