Prishtinë, 4 qershor 2020:
1. 9. Demonstrata në Ferizaj, në Viti, në Vushtrri e në Mitrovicë
Kur pushtetarët morën masat më të rrepta ndaj Kosovës dhe popullit të saj dhe kur menduan se demonstruesit ishin zmbrapsur nga dalja në rrugë, ndodhi e kundërta. Në Ferizaj, në Viti, në Vushtrri dhe në Mitrovicë kishin filluar përsëri demonstratat.
Ferizaj – Në oborrin e Kombinatit të Drurit në Ferizaj, rreth orës 900 të mëngjesit, para drejtorisë së kombinatit ishin grumbulluar me qindra punëtorë. Megjithëse aktivistët partiakë u munduan që t’i bindin të kthehen në vendet e tyre të punës, ishte e kotë. Ata me pankarta të shkruara u nisën në drejtim të qytetit. Gjatë rrugës brohoritnin parulla si” Duam kushte më të mira”, “Demobilizoni njësinë e Mbrojtjes Territoriale të Kombinatit, sepse nuk na duhet”, “I duam shokët nga burgu”, “Nuk duam tanke në Krahinë”, “Duam republikë”, “ Nuk duam që të na rrahë fëmijët e studentët policia jashtë Kosove” dhe shumë të tjera.
Në orën 1330, një grup tjetër prej një numri të konsideruar punëtorësh u larguan nga oborri i Kombinatit dhe kishin shkuar për të demonstruar në qytet. Këtij grupi iu bashkuan edhe një numër mjaft i madh i nxënësve dhe i studentëve, pastaj dhe një numër i madh i qytetarëve. Vendqëndrimi i tyre kishte qenë ndërtesa e SPB-së, para së cilës ishin ndalur duke brohoritur “Lironi shokët tanë nga burgu”.
Para ndërtesës së SPB-së ndodhi një përleshje e madhe në mes policisë dhe demonstruesve. U qëllua me armë zjarri nga të dy palët.
Viti – Në Viti pas orës 1000 të mëngjesit, grupe nxënësish grumbulloheshin para Qendrës së shkollave të mesme. Një numër i konsideruar të organizuar mirë dolën në rrugë dhe u drejtuan në drejtim të qendrës së qytetit, dhe duke ecur lëshonin parullat: “Republikë Kushtetutë- Ja me hatër ja me luftë”, “Tito- Partia”, “Duam Republikë”. Me ndihmën e aktivistëve të LKK-së, nxënësit u shpërndanë.
Vushtrri- Po ashtu edhe në Vushtrri përsëri u organizuan demonstrata. Në to kryesisht në fillim morën pjesë nxënësit, ndërsa në rrugë e sipër iu bashkëngjitën shumë studentë, punëtorë dhe qytetarë. Punëtorët e organizatës “Polet” iu bashkëngjitën nxënësve duke bartur me vete dy fotografi të Titos. Pastaj ata u ndalën para ndërtesës së Kuvendit Komunal duke brohoritur parullat: “Duam Republikë ja me hatër ja me luftë”, “Lironi shokët nga burgu”. Pasi forcat e Sigurimit i shpërndanë, ata tentuan që të futen në Shkollën e Punëve të Brendshme, por policia ndërhyri ashpër me mjete kimike duke lënduar e plagosur shumë demonstrues. Gjatë përleshjeve me qytetarët nga ndërtesat u dëgjuan të shtëna armësh. Po ashtu edhe nga policia u qëllua me armë zjarri.
Mitrovicë – Më 3 prill, edhe punëtorët e elektroanalizës së zinkut, të punëtorisë së makinave “Fafos” dhe të Fabrikës së akumulatorëve dolën në rrugët e qytetit. Punëtorëve iu bashkuan edhe nxënësit e studentët. Punëtorët në ballë të kolonës mbanin një fotografi të Titos. Me të arritur në qytet dhe te Qendra teknike e shkollave të mesme, lëshuan parullat: “Rroftë Partia”, “Republikë”, “Trepça është e jona”, “Trepça punon, Serbia gëzon”, “Rroftë Klasa punëtore”,”Lironi studentët tanë”, “Rroftë rinia e Kosovës”, “Rroftë republika kosovare”, “Republikë Kushtetutë ja me hatër ja me luftë”. Nga aty ata vazhduan rrugëtimin nga “Trepça”, pastaj në oborrin e “Fafosit”, dhe të fabrikës së akumulatorëve, duke iu bashkangjitur një numër i madh i punëtorëve. Duke parakaluar të qetë demonstruesit hasën në një agresivitet të paparë të organeve të policisë. Nga ana e demonstruesve pati shumë të lënduar.
1. 10. Bilanci i kobshëm i demonstratave
Bilanci i të gjitha demonstratave ishte: në anën e demonstruesve pati 8 të vrarë dhe 130 të plagosur, prej të cilëve 55 të plagosur me armë zjarri. Në anën e forcave të sigurisë 1 polic i vrarë dhe 135 të lënduar, 4 prej tyre rëndë1.
Oganet e Sigurimit kanë arrestuar përkohësisht dhe kanë proceduar 956 veta, janë dënuar për kundërvajtje 219 veta, dhe në procedurë ndjekjeje penale janë 45 veta2.Ndërsa në një mbledhje tjetër të Kryesisë të KK të LKK-së, 5 ditë më vonë thuhej se “prej 11 marsit deri më 10 prill, janë marrë një varg masash parambrojtëse për 1.500 veta”3.
Në fusnotë të dokumentit jepet edhe kjo e dhënë se prej 1500 vetave, 460 prej tyre janë të dënuar për kundërvajtje, procedurat penale kanë filluar ndaj 90 personave, ndaj 160 vetave ashtë aplikuar masa e izolimit për arsye të ndryshme dhe 743 janë marrë nga organet e SPB-së, me të cilët është biseduar dhe janë liruar. 700 veta janë në burg për këto shkaqe: kundërvajtje, procedurë penale dhe izolim. Struktura kombëtare e të dënuarve për kundërvajtje është: shqiptarë 419, serb 37, malazez 1, mysliman 1. Struktura sociale: studentë 70, nxënës 132, punëtorë 164, punëtorë të arsimit 27, bujq 21. Struktura sociale e personave kundër të cilëve zhvillohej procedurë penale është: studentë 13, nxënës 27, punëtorë 23, punëtorë të arsimit 10, nëpunës 1, bujq 7 dhe të tjerë 8 veta 4.
VIJON …
________
Referencat:
1ASHAK, Fondi Komiteti Krahinor i Lidhjes Komuniste të Kosovës, d. Vlerësimi i shkaqeve, rrethanave dhe pasojave të demonstratave armiqësore dhe organizimi e veprimtaria e Lidhjes Komuniste dhe e forcave të tjera të organizuara socialiste në Kosovë, 5 maj 1981.
2 Në bazë të dokumentacionit që kam hulumtuar për mbajtjen e demonstratave gjatë vitit 1981, duke analizuar veç e veç për çdo komunë (ku kishin ndodhur demonstrata), në bazë të tyre del se në demonstrata nuk kishte ndodhur asnjë vrasje dhe plagosje por për çudi, në fund të dokumentit kur llogaritet bilanci i tyre (demonstratave), dalin 8 persona të vrarë, qindra të plagosur e të lënduar. Shtrohet pyetja, a thua vallë ku u vranë dhe nga kush u vranë personat që përmenden dhe sa i duhet besuar dokumenteve që i kanë shkruar pushtetarët.
3 ASHAK, Fondi Kryesia e Komitetit Krahinor e LK të Kosovës, d. Vlerësimi i situatës politike dhe të sigurisë së Kosovës, 10 maj 1981.
4 Po aty, 6.
_____________________
PROF.DR.SABILE KEêMEZI-BASHA: DEMONSTRATAT E MUAJIT PRILL 1981 NË PRISHTINË DHE NË QYTETET TJERA TË KOSOVËS (28)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=10105