PASHTRIKU: HISTORIA E LIDHJES SHQIPTARE TË PRIZRENIT 1878 – 1881 (I)

(Pashtriku.org, 09. 06. 2012) – Fillimi i Krizës Lindore krijoi një gjendje të re politike, shumë të rrezikshme për shqiptarët. Në atë kohë shqiptarët jo vetëm ishin, siç shprehej një dëshmitar i huaj, në ,,kulmin e varfërisë’’, por nuk gëzonin asnjë të drejtë kombëtare dhe kishin marrëdhënie shumë të acaruara me Portën e Lartë. Në të njëjtën kohë monarkitë ballkanike po vepronin politikisht dhe ushtarakisht për të copëtuar trojet shqiptare.
KRIZA LINDORE E VITEVE 70 DHE RREZIKU I COPËTIMIT TË TOKAVE SHQIPTARE
Planet shoviniste për copëtimin e Shqipërisë
Qysh përpara Krizës Lindore të viteve 70 shtetet fqinje ballkanike, Greqia, Serbia dhe Mali i Zi, kishin shfaqur lakmitë shoviniste për t’u zmadhuar në dëm të trojeve shqiptare. Madje për këtë qëllim Greqia e Serbia përpunuan edhe platformat e tyre politike. Kryeministri grek Jani Koleti shpalli më 1844 programin e tij të quajtur ,,Ideja e madhe’’ (Megali Idea), i cili synonte të krijonte një shtet të madh helenik. Sipas ,,Idesë së madhe’’, e gjithë Shqipëria e Jugut deri në Shkumbin do të përfshihej brenda kufijve të Greqisë së madhe. ,,Megali Idea’’ greke gjeti mbështetje të fuqishme te Patrikana ortodokse e Stambollit.
Po kështu programi i ministrit serb Ilia Garashanin, i shpallur në të njëjtin vit (1844), dhe i njohur me emrin ,,Projekti’’ (Naçertania) synonte që principatën e vogël serbe ta shndërronte në një shtet të madh jugosllav, në të cilin do të përfshiheshin edhe të gjitha tokat shqiptare në veri të Shkumbinit, së bashku me Kosovën, të cilën filluan ta quanin ,,Serbia e vjetër’’ (Stara Srbija). Këto programe kishin karakter shovinist. Ato nuk e njihnin ekzistencën e kombit shqiptar e të lëvizjes së tij kombëtare dhe si rrjedhojë, as të drejtën e tij për të krijuar shtetin shqiptar. Sipas tyre tokat shqiptare duhej të ndaheshin ndërmjet Greqisë dhe Serbisë.

____________________________

PERSONALITETET LIDHJES SHQIPTARE TË PRIZRENIT

________________________________

Kriza Lindore dhe shqiptarët
Reformat centralizuese të zbatuara në Perandorinë Osmane për ta shpëtuar atë nga dobësimi i mëtejshëm nuk kishin dhënë rezultatet që priteshin. Si rrjedhojë, në fillim të viteve 70 të shek. XIX gjendja ekonomike dhe politike e kësaj Perandorie ishte keqësuar më tej. Kryengritjet popullore kundër shfrytëzimit feudal dhe kryengritjet e kombësive joturke kundër shtypjes osmane ishin përhapur në të katër anët e Perandorisë. Edhe gjendja ndërkombëtare e Perandorisë osmane u bë më e rëndë. Qëndrimi i Fuqive të mëdha ndaj saj nuk ishte i njëjtë. Anglia dhe Franca përpiqeshin ta mbanin në këmbë Perandorinë e dobësuar Osmane dhe të rrisnin ndikimin e tyre në zotërimet e saj. Kurse Rusia dhe Austro-Hungaria ishin për shembjen e saj. Rusia, që synonte të vinte nën kontroll ngushticën e Bosforit dhe atë të Dardaneleve për të dalë në Mesdhe dhe të rriste ndikimin në Ballkan, doli me flamurin e ,,pansllavizmit’’. Ajo filloi të nxiste popullsitë e shtypura për t’u hedhur në kryengritje kundër Portës së Lartë dhe të shtynte monarkitë sllave ballkanike (Serbinë e Malin e Zi) për të filluar luftën kundër Perandorisë Osmane. Austro-Hungaria ishte kundër formimit të shteteve të mëdha sllave në Ballkan dhe kishte synimet e veta për t’u shtrirë drejt këtij gadishulli.
Në rrethana të tilla, në verën e vitit 1875 shpërtheu kryengritja çlirimtare në Hercegovinë dhe pas saj në Bosnjë. Në pranverë të vitit 1876 ajo u përhap edhe në Bullgari, por Porta e Lartë i shtypi këto kryengritje. Menjëherë pas tyre, Serbia dhe Mali i Zi, të nxitur edhe nga Rusia, i shpallën luftë Perandorisë Osmane. Meqenëse edhe kësaj lufte Porta e Lartë i bëri ballë, Rusia filloi përgatitjet për luftë kundër saj.
Fillimi i Krizës Lindore krijoi një gjendje të re politike, shumë të rrezikshme për shqiptarët. Në atë kohë shqiptarët jo vetëm ishin, siç shprehej një dëshmitar i huaj, në ,,kulmin e varfërisë’’, por nuk gëzonin asnjë të drejtë kombëtare dhe kishin marrëdhënie shumë të acaruara me Portën e Lartë. Në të njëjtën kohë monarkitë ballkanike po vepronin politikisht dhe ushtarakisht për të copëtuar trojet shqiptare. Kurse fuqitë e mëdha nuk tregoheshin të prirura për ti njohur shqiptarët e besimeve të ndryshme si një komb më vete. Për më tepër, Rusia përbënte një rrezik të madh për Shqipërinë sepse mbështeste politikën shoviniste të shteteve sllave të Ballkanit.
Shqipëria dhe marrëveshja e Budapestit (1877)
Përpara se t’i shpallte luftë Perandorisë Osmane, Rusia ishte e detyruar të hynte në bisedime me Austro-Hungarinë, rivalen e saj kryesore në Ballkan, dhe t’i bënte asaj disa lëshime me qëllim që ajo të mbante qëndrim asnjanës. Në fillim të vitit 1877 në Budapest u nënshkrua një marrëveshje e fshehtë ndërmjet Rusisë dhe Austro-Hungarisë. Viena zotohej se në luftën ruso-turke do të qëndronte asnjanëse. Si shpërblim, në mbarim të luftës, ajo fitonte të drejtën të pushtonte Bosnjën dhe Hercegovinën. Në qoftë se Perandoria Osmane do të shembej krejtësisht, parashikohej që në Ballkan të krijoheshin tri shtete të reja: Bullgaria, Rumelia dhe me kërkesën e Austro-Hungarisë, edhe Shqipëria.
Marrëveshja e Budapestit është akti i parë diplomatik ndërkombëtar që pranoi në parim krijimin e një shteti autonom shqiptar. Megjithatë ajo cënonte tërësinë e tokave shqiptare, sepse viset jugore, të cilat përfshiheshin nën emërtimin Epir, i premtoheshin Greqisë, Serbisë i hapej rruga për të aneksuar Kosovën, Malit të Zi mendohej t’i jepeshin viset e Shqipërisë Veriore, kurse trevat shqiptare lindore ishin në rrezik të përfshiheshin brenda shtetit autonom sllav që do të krijohej me emrin Rumeli. Pas marrëveshtjes së Budapestit, më 24 prill 1877 Rusia i shpalli luftë Perandorisë Osmane. Kjo luftë e thelloi më tej Krizën Lindore. Duke parashikuar disfatën e forcave osmane, të gjitha palët u vunë në lëvizje në përputhje me interesat e tyre.
Komiteti Kombëtar i Stambollit
Kur filloi Kriza Lindore, shqiptarët i kuptuan rreziqet që kërcënonin atdheun e tyre, prandaj vendosën që fillimisht të qëndronin në pritmëri dhe të ndiqnin me vëmendje zhvillimin e ngjarjeve politike. Meqenëse shpërthimi i luftës ruso-turke e shtoi rrezikun e copëtimit të tokave shqiptare, në radhët e patriotëve lindi ideja e organizimit të kryengritjes çlirimtare antiosmane për të shpallur pavarësinë e Shqipërisë dhe për ta vënë diplomacinë europiane para një fakti të kryer.
Për këtë qëllim ishte e nevojshme të krijohej një qendër drejtuese dhe të sigurohej një aleat i jashtëm. Në fillim atdhetarët formuan në Janinë, në maj 1877, një komitet të fshehtë shqiptar nën kryesinë e Abdyl Frashërit. Në verë të po atij viti u formua në Shkodër një komitet tjetër, me kryetar Pjetër Gurakuqin (i ati i Luigj Gurakuqit). Pas disa muajsh, në dhjetor 1877, u formua në Stamboll një komitet kombëtar me emrin ,,Komiteti Qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare’’, i cili shkurtimisht është quajtur Komiteti i Stambollit. Në të bënin pjesë patriotë të njohur, si: Pashko Vasa, Ymer Prizreni, Sami Frashëri, Zija Prishtina, Jani Vreto, Ahmet Koronica etj. Kryetar i tij u zgjodh Abdyl Frashëri.
Si aleat për kryengritjen shqiptare patriotët mendonin se mund të ishte Greqia, e cila ishte e interesuar të luftonte kundër Perandorisë Osmane dhe njëkohësisht të kundërshtonte zgjerimin e shteteve sllave në Ballkan. Prandaj, që në korrik 1977, përfaqësues të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare hynë në bisedime me përfaqësues të Greqisë për të krijuar një aleancë shqiptaro-greke. Mirëpo qeveria greke kundërshtonte kushtin kryesor të palës shqiptare, që ajo të njihte zyrtarisht formimin e shtetit të pavarur shqiptar me kufijtë etnikë të Shqipërisë, duke përfshirë Kosovën në Veri, deri në Vranjë, dhe Çamërinë në Jug, deri në Prevezë. Bisedimet e zhvilluara disa herë përfunduan pa ndonjë rezultat, sepse pala greke nuk hiqte dorë nga pretendimi për të aneksuar Shqipërinë e Jugut deri në Shkumbin.
Traktati i Shën Stefanit dhe Shqipëria
Ushtritë ruse përparuan drejt jugut dhe në janar 1878 arritën në fshatin Shën Stefan, në periferi të Stambollit. Ndërkohë ushtritë e Serbisë dhe të Malit të Zi që kishin rifilluar luftën kundër Perandorisë Osmane marshuan drejt tokave shqiptare në vilajetin e Kosovës dhe në vilajetin e Shkodrës. Po kështu Greqia u përpoq, por pa sukses, që me rreth 500 të ashtuquajtur vullnetarë epirotë të provokonte në Shqipërinë e Jugut një kryengritje antiosmane, e cila duhej të kërkonte bashkimin e kësaj pjese të Shqipërisë me Mbretërinë Greke. E ndodhur ngushtë, Porta e Lartë nënshkroi në fillim armëpushimin e Edrenesë më 31 janar 1878, dhe në Shën Stefan, më 3 mars nënshkroi Traktatin e Paqes me Rusinë. Në të vërtetë, Traktati i Shën Stefanit iu diktua Turqisë së mundur, prandaj ai ishte krejtësisht në favor të Rusisë dhe të shteteve sllave të Ballkanit. Sipas tij, Perandorisë Osmane i shkëputej pjesa më e madhe e zotërimeve të saj në Ballkan. Në këtë Traktat shqiptarët nuk ziheshin fare në gojë si kombësi më vete, por trojet e tyre copëtoheshin shumë rëndë. Gati gjysma e tokave shqiptare u jepej shteteve sllave të Ballkanit. Sipas Traktatit të Shën Stefanit, Bullgaria, që fitonte autonominë me kufij shumë të gjerë, do të merrte krahinat shqiptare të Korçës, të Pogradecit, të Strugës, të Dibrës, të Gostivarit, të Tetovës, të Shkupit, të Kaçanikut dhe të Kumanovës; Serbia do të aneksonte viset veriore të Kosovës deri në afërsi të Mitrovicës; Mali i Zi do të merrte Ulqinin, Krajën, Anamalin, Hotin, Grudën, Kelmendin, Plavën, Gucinë dhe Rugovën. Pjesa tjetër e Shqipërisë do të mbetej nën sundimin osman. Si rrjedhojë, trojet shqiptare do të ndaheshin ndërmjet katër shteteve të huaja: Perandorisë Osmane, Bullgarisë, Serbisë dhe Malit të Zi.
Traktati i Shën Stefanit shkaktoi një shqetësim të thellë dhe të përgjithshëm në Shqipëri. Nga të katër anët e vendit pati protesta dhe u shpreh vendosmëria për të kundërshtuar me të gjitha mjetet zbatimin e këtij Traktati. U krijuan gjithashtu besëlidhje krahinore për mbrojtjen nga copëtimi. Ndërkohë Traktati i Shën Stefanit kundërshtohej edhe nga fuqitë e tjera të mëdha, të cilat kërkuan rishikimin e tij në një kongres ndërkombëtar që u vendos të mbahej në Berlin, në qershor të vitit 1878.
KUVENDI I PRIZRENIT DHE FORMIMI I LIDHJES SHQIPTARE
Thirrja e Kuvendit të Përgjithshëm në Prizren
Pezullimi i zbatimit të Traktatit të Shën Stefanit deri në mbajtjen e Kongresit të Berlinit, u jepte patriotëve shqiptarë një kohë shumë të çmueshme për ta organizuar më mirë qëndresën politike e ushtarake dhe për t’u përgatitur që t’i bënin ballë rrezikut të copëtimit të atdheut. Situata e re kërkonte mobilizimin e të gjitha forcave njerëzore dhe materiale, si dhe krijimin brenda vendit të një qendre të vetme drejtuese. Në këto rrethana u përhap në mbarë shqiptarët ideja për të formuar një lidhje të përgjithshme kombëtare, në të cilën do të përfshiheshin të gjithë shqiptarët, pavarësisht nga krahina, feja dhe gjendja e tyre shoqërore.
Më këtë ide bashkoheshin edhe dy rrymat politike që ekzistonin atëherë në Lëvizjen Kombëtare, megjithëse ato kishin ndryshime ndërmjet tyre për mënyrën se si duheshin siguruar kërkesat kombëtare: rryma radikale ishte për realizimin e tyre edhe me luftë, kurse rryma e moderuar vetëm me pëlqimin e sulltanit. Për të formuar një organizatë të tillë mbarëshqiptare u mendua të thirrej një kuvend kombëtar, ku do të përfaqësoheshin të gjitha krahinat e vendit. Përpjekjet në këtë drejtim u shpejtuan në gjysmën e dytë të majit, kur u përhap lajmi se Kongresi i Berlinit do të mblidhej më 13 qershor 1878. Patriotët shqiptarë, dhe veçanërisht Komiteti i Stambollit, fillimisht u përpoqën ta bindnin Portën e Lartë që të lejonte formimin e një lidhjeje shqiptare, por ajo nuk pranoi. Meqenëse nuk qe në gjendje të ndalonte mbajtjen e kuvendit shqiptar, ajo u përpoq me anën e agjentëve dhe të përkrahësve të saj që kuvendi të formonte jo një lidhje shqiptare, por një lidhje islamike proturke, e cila do të vepronte sipas orientimeve dhe interesave të sulltanit. Në këtë lidhje duhej të merrnin pjesë të gjitha popullsitë myslimane të Gadishullit të Ballkanit, pavarësisht nga kombësia e tyre, pra shqiptarë, turq, boshnjakë etj. Në kundërshtim me këto synime sulltaniste, patriotët shqiptarë vazhduan përgatitjet për kuvendin e përgjithshëm kombëtar. Barrën e thirrjes dhe të organizimit të tij e mori përsipër një komision i posaçëm, shumica e anëtarëve të të cilit ishin nga Prizreni dhe Gjakova, si Ymer Prizreni, Ahmet Koronica etj.

______________________________________

LIDHJES SHQIPTARE E PRIZRENIT DHE COPËTIMI I SHQIPËRISË

_____________________________

Formimi i Lidhjes Shqiptare
Punimet e Kuvendit të Përgjithshëm u hapën më 10 qershor 1878. Për shkak të kohës së shkurtër dhe të vështirësive që nxorën autoritetet osmane, në Prizren nuk kishin arritur të gjithë delegatët e krahinave shqiptare. Delegatët e vilajetit të Shkodrës, p.sh., nuk ishin nisur ende sepse pengoheshin nga valiu, Hysen Pasha. Kuvendin e Përgjithshëm e drejtoi Iljaz Pashë Dibra, një veteran i luftërave që kishin zhvilluar shqiptarët kundër reformave centralizuese të Stambollit dhe kundër synimeve shoviniste të shteteve fqinje. Qysh ditën e parë Kuvendi vendosi të formonte një lidhje me karakter politik dhe ushtarak, duke e quajtur në fillim thjeshtë Lidhja e Prizrenit. Po më 10 qershor, ai vendosi të njoftonte Kongresin e Berlinit, që do të mblidhej më 13 qershor, të mos i jepte asnjë pëllëmbë toke nga atdheu i shqiptarëve ndonjë shteti të huaj, përndryshe shqiptarët do të luftonin deri te njeriu i fundit. Kuvendi vendosi gjithashtu që Lidhja e Prizrenit të organizonte forcat e saj të armatosura, të pavarura nga Porta e Lartë. Këto do të ishin forca të armatosura vullnetare dhe do të përdoreshin për të mbrojtur vendin nga rreziku i copëtimit. Vendim tjetër i rëndësishëm i Kuvendit të Prizrenit ishte shpallja, sipas zakonit tradicional, e një bese të përgjithshme, me anë të së cilës të gjithë shqiptarët do të pajtoheshin, duke ndërprerë gjakmarrjet dhe mëritë që kishin ndërmjet tyre, deri sa të kalonte rreziku i jashtëm për atdheun. Pas formimit të Lidhjes së Prizrenit u zgjodhën organet e saj të larta: Këshilli i Përgjithshëm me kryetar Iljaz Pashë Dibrën për funksionet legjislative, dhe Komiteti Qendror në të cilin bënin pjesë Abdyl Frashëri, Sulejman Vokshi, Haxhi Shabani etj. për funksionet ekzekutive.
Kararnameja dhe Kanuni i Ri
Pas vendimeve të para më të ngutshme, Kuvendi i Përgjithshëm i vazhdoi punimet për të hartuar dhe për të miratuar programin e Lidhjes. Mirëpo rreth programit pati mjaft debate. Delegatët patriotë kërkuan që Lidhja të ishte një organizatë me karakter kombëtar, e cila do të luftonte jo vetëm kundër rrezikut të copëtimit, por edhe për të siguruar të drejtat kombëtare për Shqipërinë. Kurse delegatët me prirje turkomane, së bashku me disa delegatë myslimanë, turq e boshnjakë, që ishin ftuar në Kuvend, kërkuan që Lidhja të kthehej në një organizatë islamike ballkanike dhe të kundërshtonte si copëtimin e viseve shqiptare, ashtu edhe aneksimin e Bosnjës e të Hercegovinës nga Austro-Hungaria, pra t’i shërbente interesave të Portës së Lartë. Pas një javë debatesh, më 17 qershor 1878, projektprogrami i paraqitur nga delegatët turkomanë, i njohur me emrin Kararname (turqisht – libri i vendimeve) u konsiderua i miratuar, ndonëse nuk mori shumicën e votave. Me gjithë ndryshimet që iu bënë, Kararnameja shprehte besnikërinë ndaj sulltanit dhe përshkohej nga fryma islamike.
Formimi i Lidhjes së Prizrenit pati jehonë pozitive dhe ngjalli shpresa në të katër anët e vendit. Por Kararnameja u prit ftohtë nga pjesa më e madhe e shqiptarëve. Në këto rrethana, kur arritën delegatët e pothuajse të gjitha krahinave shqiptare, u mblodh rishtas në Prizren, më 1 korrik 1878, Kuvendi i Përgjithshëm, i cili më 2 korrik miratoi Kanunin e Ri. Në të thuhej shprehimisht se Lidhja Shqiptare, e formuar në Prizren, do të luftonte për të drejtat kombëtare të Shqipërisë dhe se veprimtarinë e saj do ta shtrinte vetëm në trojet shqiptare. Përveç kësaj, Kanuni i Ri i jepte të drejtë Lidhjes të kishte degët në qendrat e ndryshme të Shqipërisë, të shpallte mobilizimin ushtarak të të gjithë burrave të aftë për armë, të mblidhte për nevojat e veta buxhetore një sërë taksash të ndryshme, të kishte gjyqe të veçanta etj. Me këto të drejta që përcaktonte Kanuni i Ri, Lidhja e Prizrenit fitonte funksione pushtetore të veçanta nga ato të shtetit osman dhe krijohej mundësia për të ngritur shkallë-shkallë një shtet autonom shqiptar. Miratimi i Kanunit të Ri tregonte se në Lidhje kishte triumfuar platforma kombëtare.
Vendimet e Kongresit të Berlinit për copëtimin e Shqipërisë
Tri ditë pasi u themelua Lidhja e Prizrenit, më 13 qershor 1878, filloi punimet Kongresi i Berlinit. Në të morën pjesë përfaqësuesit e gjashtë fuqive të mëdha: të Gjermanisë, të Anglisë, të Francës, të Rusisë, të Austro-Hungarisë dhe të Italisë. Shtetet ballkanike u ftuan vetëm për të parashtruar kërkesat e tyre. Ndonëse në Berlin do të diskutohej edhe për fatin e popullit shqiptar, delegacionin që dërgoi Lidhja e Prizrenit me nismën e vet, nuk e pranuan të fliste në Kongres. Pas një muaj punimesh të Kongresit dhe pas një lufte të ashpër diplomatike, më 13 korrik 1878 u nënshkrua Traktati i Berlinit. Sipas këtij Traktati, përfitimet politike dhe territoriale të Rusisë dhe të shteteve sllave të Ballkanit u pakësuan. Kufijtë e Bullgarisë autonome u zvogëluan tri herë. Krahinat shqiptare, që traktati i Shën Stefanit ia jepte Bullgarisë, do të mbeteshin nën sundimin osman. Serbia nuk zgjerohej në drejtim të Mitrovicës dhe të Prishtinës, por iu dhanë krahinat e Pirotit, të Trenit, të Vranjës dhe të Nishit që i qenë premtuar Bullgarisë. Malit të Zi i jepeshin krahinat e Tivarit, të Podgoricës, të Plavës, të Gucisë, të Rugovës dhe të Kolashinit.Kongresi mori në shqyrtim edhe kërkesat e Greqisë që nuk kishte marrë pjesë në luftë kundër Perandorisë Osmane dhe vendosi që kufiri i ri në Tesali dhe në Shqipërinë e Poshtme të caktohej nga një komision turko-grek. Si vijë kufiri rekomandohej vija që formonin lumenjtë Kalamas dhe Selemvria, duke i dhënë kështu Greqisë, përveç tokave greke që i takonin, edhe trevën shqiptare të Çamërisë.
Në këtë mënyrë Kongresi i Berlinit e trajtoi Shqipërinë si plaçkë tregu dhe e bëri objekt copëtimi në favor të shteteve fqinje ballkanike. Këto vendime cënonin rëndë të drejtat dhe interesat kombëtare të popullit shqiptar. Prandaj ato e shtuan edhe më tepër zemërimin e shqiptarëve. Nga të katër anët e vendit pati protesta kundër copëtimit të trojeve shqiptare.
PËRPJEKJET E LIDHJES SË PRIZRENIT PËR FORMIMIN E SHTETIT SHQIPTAR (1878 – 1879)
Platforma e Lidhjes së Prizrenit për autonomi
Në fillim të Krizës Lindore patriotët rilindas ishin të mendimit se populli shqiptar, ashtu si popujt e tjerë, duhej të çlirohej nga sundimi osman me anën e kryengritjes së armatosur dhe të krijonte shtetin e tij të pavarur. Mirëpo acarimi i mëtejshëm i Krizës Lindore nxori në shesh jo vetëm mundësinë e shembjes së Perandorisë Osmane, por edhe rrezikun e madh të copëtimit të tokave shqiptare ndërmjet monarkive fqinje. Në rrethant e reja, patriotët shqiptarë, pa hequr dorë nga synimi për pavarësi kombëtare, nxorën në plan të parë luftën për mbrojtjen e atdheut nga copëtimi dhe për sigurimin e të drejtave për autonomi në kuadrin e Perandorisë Osmane. Madje edhe kërkesat për autonomi nuk u paraqitën të plota që në Kuvendin e parë të Prizrenit. Krahas fuqizimit të Lidhjes së Prizrenit dhe të luftës së saj mbrojtëse, u plotësua dhe u ngrit më tej platforma për autonomi. Në kërkesat e para për autonomi përfshihej krijimi i vilajetit të Shqipërisë, d.m.th. bashkimi i të gjitha tokave shqiptare, që atëherë ishin të ndara në katër vilajete, në njësi të vetme administrative. Brenda këtij vilajeti, shqiptarëve do t’u njiheshin disa të drejta me karakter politik, ekonomik dhe kulturor. Kërkesat për autonomi janë paraqitur gjatë viteve të Lidhjes nga shumë kuvende krahinore e mbarëshqiptare si dhe nga personalitete të shquara shqiptare të asaj kohe.Acarimi i marrëdhënieve të Lidhjes me Portën e Lartë
Pas Kongresit të Berlinit, shqiptarët shprehën gatishmërinë për të mos lëshuar asnjë pëllëmbë të tokës së tyre. Menjëherë filluan përgatitjet për të kundërshtuar copëtimin e atdheut, duke regjistruar vullnetarë për në luftën mbrojtëse, duke dhënë ndihma në të holla, drithë, bagëti etj. Një mobilizim i veçantë përfshiu Kosovën dhe sidomos banorët e Plavës e të Gucisë, ku rreziku ishte më i madh. Për të shmangur konfliktin e armatosur, i cili nuk dihej se si mund të përfundonte, knjaz Nikolla i Malit të Zi kërkoi ndërhyrjen e fuqive të mëdha. Porta e Lartë, e ndodhur nën presionin e fuqive, veçanërisht të Rusisë, shpejtoi veprimet për t’i dorëzuar Malit të Zi Plavën e Gucinë. Për këtë qëllim, në gusht 1878, ajo dërgoi në Shqipëri mareshalin Mehmet Ali Pasha, si komisar me fuqi të jashtëzakonshme dhe me detyrë që t’i bindte shqiptarët që të mos kundërshtonin dorëzimin e Plavës dhe të Gucisë.
Më 25 gusht Mehmet Ali Pasha arriti në Prizren, ku ndeshi në kundërshtimin e organeve qendrore të Lidhjes. Ai bëri për vete vetëm disa pashallarë turkomanë. Megjithatë mareshali vazhdoi rrugën e vet për në kufirin e Malit të Zi dhe më 1 shtator 1878 arriti në Gjakovë. Këtu ai hasi në një kundërshtim edhe më të vendosur. Komiteti i Lidhjes për Gjakovën, i udhëhequr nga patriotët Sulejman Vokshi dhe Ahmet Koronica, i kërkoi mareshalit të ndërpriste udhëtimin drejt kufirit malazez dhe të kthehej në Stamboll. Meqenëse ai nuk e pranoi këtë kërkesë, forcat vullnetare të Lidhjes rrethuan sarajet e Abdullah Pashë Drenit, ku ishte strehuar Mehmet Ali Pasha dhe më 3 shtator filluan sulmin kundër tij.
Luftimet e ashpra që vazhduan deri më 6 shtator, përfunduan me fitoren e forcave të Lidhjes Shqiptare. Edhe vetë Mehmet Ali Pasha me Abdullah Pashë Drenin mbetën të vrarë. Ngjarjet e Gjakovës patën jehonë të madhe brenda e jashtë vendit.
Kuvendi i Dibrës (Nëntor 1878)
Me ngjarjet e Gjakovës iu dha një goditje e rëndë Portës së Lartë. Përveç kësaj, çështja e dorëzimit të Plavës e të Gucisë u shty për më vonë. Në këto kushte, rrethet patriotike menduan se të drejtat për autonomi mund të arriheshin pa qenë nevoja për një kryengritje të armatosur, por duke ia kërkuar Portës së Lartë. Prandaj patriotët, dhe veçanërisht Komiteti i Stambollit, përpunuan një projektprogram i cili parashikonte formimin e një vilajeti autonom shqiptar. Çështja e autonomisë u shqyrtua gjerësisht në Kuvendin e Lidhjes së Prizrenit, që u mbajt në Dibër më 1 nëntor 1878, nën kryesinë e Iljaz Pashë Dibrës. Në përfundim të punimeve, Kuvendi i Dibrës miratoi një program të përbërë prej pesë kërkesash: 1) formimi i vilajetit të Shqipërisë, i cili do të përfshinte të gjitha krahinat shqiptare; 2) njohja e gjuhës shqipe nga nëpunësit e këtij vilajeti; 3) zhvillimi i arsimit dhe futja edhe e gjuhës shqipe në shkolla; 4) krijimi i një kuvendi të madh që do të zbatonte reforma në Shqipëri; 5) përdorimi i një pjese të buxhetit të këtij vilajeti për arsimin dhe ndërtimet botore në Shqipëri.
Kuvendi ngarkoi një delegacion prej 14 vetash, me në krye Iljaz Pashë Dibrën e Abdyl Frashërin, i cili do t’ia paraqiste këto kërkesa Portës së Lartë. Mirëpo Porta e Lartë ishte e vendosur për të mos bërë asnjë lëshim në këtë drejtim. Megjithatë ajo, pa i kundërshtuar hapur, e zvarriste përgjigjen ndaj kërkesave për autonomi.
Kuvendi i Prevezës (janar 1879)
Gjatë kohës që vëmendja e shqiptarëve ishte përqëndruar kryesisht në çështjen e kufirit me Malin e Zi dhe në kërkesat për autonominë e Shqipërisë, qeveria e Athinës i bënte presion të vazhdueshëm Portës së Lartë për të zbatuar Protokollin nr. 13 të Kongresit të Berlinit, sipas të cilit Çamëria duhej të aneksohej nga Greqia. Më në fund, të dy palët vendosën që nga fundi i janarit 1879 të organizonin në Prevezë një konferencë, ku do të diskutohej dhe të vendosej për këtë çështje. Lajmi për këto bisedime turko-greke vuri menjëherë në lëvizje patriotët shqiptarë, të cilët vendosën të organizonin në Prevezë një kuvend të jashtëzakonshëm dhe të shprehnin botërisht qëndrimin e Lidhjes Shqiptare. Kuvendi i Prevezës filloi më 11 janar 1879 me pjesëmarrjen e qindra delegatëve. Ai nuk ishte kundër që Greqisë t’i jepej Tesalia, siç preferonte Kongresi i Berlinit, por kundërshtoi në mënyrë të vendosur kalimin e krahinave shqiptare brenda kufijve të Mbretërisë Greke.
Kuvendi i Prevezës formoi tri komisione: njëri për të pritur punimet dhe vendimet e konferencës turko-greke, tjetri për të organizuar forcat e nevojshme luftarake të Lidhjes, dhe i treti për t’i bërë presion Portës së Lartë që të mos bënte lëshime në dëm të tokave shqiptare. Qëndrimi i vendosur i shqiptarëve ndikoi te Porta e Lartë. Përfaqësuesit e saj në Prevezë i zgjatën bisedimet me palën greke dhe i ndërprenë ato pa arritur ndonjë rezultat. Për të mbrojtur kërkesat e Lidhjes Shqiptare përpara fuqive të mëdha dhe për t’i bërë ato të njohura për opinionin publik ndërkombëtar, në pranverë 1879 u dërgua një delegacion i përbërë nga Abdyl Frashëri dhe Mehmet Ali Vrioni në Europë. Delegacioni i vizitoi kryeqytetet e Italisë, Francës, Anglisë, Gjermanisë, Austro-Hungarisë e më në fund edhe Stambollin. Si në takimet që bëri, ashtu edhe me anën e memorandumit që u paraqiti ministrave të jashtëm të atyre vendeve, delegacioni dënoi vendimet e padrejta të Kongresit të Berlinit për copëtimin e Shqipërisë, shprehu vendosmërinë e shqiptarëve për të mbrojtur vendin e tyre dhe për të siguruar autonominë.
VIJON…

Total
0
Shares
1 comments
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura