PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: GAZETA “ZËRI I KOSOVËS” DHE ROLI I SAJ PATRIOTIK (II)

Prishtinë, 01. 10. 2015: Punëtorët që shkonin në punë, në botën e jashtme, pas vetës, në atdhe linin familjet e tyre me shumë anëtarë, të cilët me pagat e tyre duhej ti mbanin.” Gjatë tetë muajve të vitit 1970, nga territori i Pejës shkuan në punë në botën e jashtme 1.140 veta. Nga këta 1.063 ishin të martuar dhe prej këtyre, 146 nuk kanë pasur fëmijë. Nga një fëmijë e kanë pasur 189 veta, nga dy fëmijë, kanë pasur 193 veta, nga tre fëmijë i kanë pasur 173 veta, nga katër fëmijë – 122 veta, nga pesë fëmijë-111 veta, nga gjashtë fëmijë – 64 veta, nga shtatë e më shumë fëmijë – 66 veta. Këtu duhet llogaritur edhe prindërit, vëllezërit, motrat e farefisin tjetër që e mbajnë shumica prej tyre. Shqetësohej autori me plotë arsye, ngase fshatrat e Kosovës filluan të zbrazën e të shkretohen, duke i grabitur kurbeti familjet e tëra. Dhe ndodhte shpesh që familje të tëra ia kthejnë shpinën Kosovës duke ikur përgjithmonë nga këtu.” . Në shkrim epen të dhëna se çfarë punëtorësh pranonte perëndimi:
1. Në rendë të parë ata duhet të jenë të shëndosh fizikisht dhe psiqikisht. Bile ata ishin shumë rigoroz kur bëjnë kontrollimin e punëtorëve tanë, e sidomos ishin shumë të ashpër kur ishin në pyetje aspekti fizikë e psikik i punëtorit.
2. Punëtorët duhet ti përkisnin moshës 20-35 vjeçare, kur ata jepnin edhe kontributin më të madhe prej punëtori.
3. Ishte e obligueshme që ata duhet të kryenin ndonjë kurs, së paku për të ditur ti kryejnë punët mirë dhe shpejt. Këto që u cekën më lartë janë kushtet elementare të cilat duhet plotësuar njerëzit tanë, ndërsa për pasoja të mos flasim. Nga e tërë kjo që thuhej autori arrin që pasojat nga kjo, ti klasifikojë në pesë pika:
E para, ata janë të shitur nga vet ana e shtetit te kapitalisti. Shfrytëzimi që bënë ai për të nxjerr profitin dihet fortë mirë, prandaj as që do koment kjo çështje. Megjithatë, këtu janë dy çështje të rëndësishme: Njëra është që punëtorët tanë kryejnë punët më të vështira në këto vende duke u ushqyer shumë dobët nga një anë, dhe nga ana tjetër duke pasur strehimin shumë të dobët në baraka dhe dhoma shumë të vogla e të ndyra, ku mungojnë kushtet minimale higjienike.
E dyta, mosnjohja e dispozitave të ndryshme në vendet ku punojnë dhe mosnjohja e gjuhës së atij vendi, sjellin dëme dhe humbje të shumëfishta te punëtorët tanë jashtë vendit. Kështu, këta punojnë jashtë orarit të punës – kohë kjo për të cilën ata paguhen shumë pakë, apo nuk paguhen fare. U merren tatime të ndryshme dhe nuk shfrytëzojnë në të shumtën e rasteve edhe ato benefite që u takojnë, duke mos ditur se a kanë të drejtë apo jo, etj.
E treta, ata i ekspozohen shpeshherë politikës reaksionare të emigrantëve politik, dhe kështu shndërrohen në vegla qorre të ndikimeve të ndryshme politike nga ana e shtetit- Jugosllavi. Jo rrallë, edhe nën presionin e dhunës së agjentëve që depërtojnë në perëndim, pranojnë të bashkëpunojnë me ta.
E katërta, si u tha edhe më lartë, punëtorët e inkuadruar në botën e jashtme, janë kryesisht të rinj që kryesisht i përkasin moshës 20-35 vjeçare. Pjesa dërmuese e këtyre të rinjve janë fshatarë që s’kanë të mbaruar as shkollën fillore. Kështu , pjesa dërmuese e këtyre të rinjve shfaqin ambicie e lakmi të ndryshme për jetën e perëndimit. Bile, disa nga ata, kthehen në propagandues të rrezikshme të kulturës se prishur.
E pesta, fëmijët e këtyre punëtorëve që kanë shkuar bashkë me familjet në kurbet, ndërprenë shkollimin për të mos e vazhduar më, ose nuk shkollohen fare. Mësimi plotësues është organizuar vetëm në katër-pesë shtete siç janë: Gjermania, Franca, Zvicra, Suedia dhe Belgjika.
Veç problemeve tematike që shqyrtohen në këtë numër, në këtë revistë jepen edhe vështrime e recensione të ndryshme për librat e caktuar.

Mehmet Hajrizi – Kryetar i dytë i GRK – OMLK (1974-1982)

Në faqen e 19, të revistës bëhet vlerësimi i librit “Shqipnia e sotme” nga M. Miliq, që e kishte botuar sipërmarrja gazetare-botuese “Rilindja” më 1962. Shkrimi ishte i hartuar nga autori “Bashkim Gollaku” (Kadri Osmani). Pas një debati që bënte autori në këtë vështrim , ai bënte prezantimin e disa të dhënave për shkollimin e femrave në RP të Shqipërisë : “Në ditët e para pas çlirimit të vendit 94% e grave ishin analfabete, sot jo vetëm nuk bëhet fjalë për gra analfabete, por luftohet për marrjen e arsimit 8 vjeçar, të mesëm dhe të lartë. Bijat dhe shoqet e atyre ish analfabeteve janë sot më shumë se 2500 gra dhe vajza që kanë marrë mësim të lartë. Janë arsimtare dhe inxhiniere, mjeke dhe agronome të Shqipërisë. Pa llogaritur gratë dhe vajzat që ndjekin shkollat me shkëputje, në shkollat pa shkëputje nga puna sot mësojnë rreth 50.000 gra. Universiteti Shtetëror i Tiranës dhe degët e tij numërojnë 5.677 gra e vajza që ndjekin studimet e larta pa shkëputje nga puna” na bënë me dije autori i shkrimit..
Ndërsa për ndihmën që i ep PKJ-ja formimit të PKSH-së, autori thotë se “Në të vërtet ata: Velimir Stojniqi, Petar Bullatoviqi, Dushan Mugosha, Bllazho Jovanoviqi, Svetozar Vukmanoviq- Tempo etj “kontribuan” aq sa u shkoi dore që Shqipërinë ta bëjnë republikë të shtatë të Jugosllavisë. Por, ata ia arritën të përvetësonin vetëm Koçi Xoxën me ndonjë tradhtar tjetër, që të gjithë s bashku morën grushtin dërmues…” , përfundon autori i shkrimit.
Në disa faqe të revistës rëndësi e veçan i jepet edhe vjershave që janë të shkruara nga autor me pseudonime të ndryshme. Vlen të përmendën poezitë, siç janë: “Heronjtë e Qelisë” (Shokëve që dergjen burgjeve jugosllave), me autor “Selman Karadakun” (Xhafer Shatri). Vjersha iu kushtohet të burgosurve që kohën më të mirë të jetës e kalojnë në biruca të arrta, të ftohta, të mbërthyera me grila, të burgjeve jugosllave dhe veç të ftohtit e ankthit, asgjë tjetër nuk ka në to. Por, autori këndon se mbi të gjitha është ideali i tyre, dashuria ndaj atdheut dhe ndaj lirisë të cilën asnjëherë nuk e shijuan: “Gjakun tuaj plotë dëlirësi/ po e shkruani fjalën e madhe –LIRI”, për të vazhduar më tej se : “ ndaj prangat e grilat e metalta / natën e errët e njerëzit e zi / muret e mëdha e qelitë e ftohta/ ne s ’bashku do t’i thyejmë shpejtë / do sendërtojmë idealet tona të larta!” , përfundon duke dhënë kushtrimin se qëllimi i tyre do të realizohet herdokur.
Në vjershën “Festa e kuqe” “Bashkim Gollaku” (Kadri Osmani), autori i këndon lirisë, luftës dhe fitores për të cilën supozon se nuk është shumë larg dhe së shpejti do ta shijojmë: “O festa e kuqe që na erdhe në prag, / Dhe gjakun e ngrirë ndër dej për ta shkri, / Na bëre vigjilentë të shohim më larg,/ Ta ndjejmë afshin e ngrohtë të fjalës-Liri”, për të vazhduar më tej:” Ti- ngrite lart e më lartë kazmën e pushkën/ Se luftën e kem basë për traditë/ Gjyshërit na e lanë trashëgim-hutën/ Qëlloje në ballë armikun në pritë” . “Bashkim Gollaku” i këndon edhe kohës se si kemi qenë të hutuar dhe nuk kemi pasur shpresa, por dielli që ka filluar të ngrohë papritmas e ka grisë cipën e hollë në sy, dhe tani shohim e dimë qartë se si fitohet liria.
“Fitim Drenica” (Feriz Seferaj), në këtë numër na prezantohet me vjershën “Betimi” e cila është i ndarë në katër pjesë, në të cilën përfshin ngritjen e njeriut luftëtar, që flijohet për atdheun dhe për lirin e tij: “Edhe nëse nëntëdhjetë e nëntë herë rrëzohem për tokë/ Të një qindtën herë do ta puthë këtë mu në ballë/ Edhe nëse nëntëdhjetë e nëntë herë do të vdes/ Atdheun tim për kocka nuk e shes”. Nëpër mes këtyre vargjeve autori e mallkon tradhtarin e sahanlëpirësin, ku thotë se edhe me mija herë do të lind megjithatë jeta asnjëherë nuk do ti dhimbsej për tu sakrifikuar për atdheun, dhe përsëri do ta falë jetën.
Revista numër I, “Zëri i Kosovës” përmbyllet me poezinë e “Bashkim Gollakut” (Kadri Osmani), që e kishte titulluar “Fitorja jonë”, edhe kjo, si vjersha e më parme është e ndarë në tetë strofë, dhe secila prej këtyre pjesëve fletë për fatin e popullit, sakrificat e tij, dashurin për atdheun dhe luftën e pandërprerë për lirinë. Fletë për stoicizmin, guximin dhe krenarinë e popullit të robëruar, dhe në fund porosit : “Edhe nëntëdhjetë e nëntë herë të na zhdukin/ do të luftojmë!/ O, edhe nëntëdhjete nëntë herë të na korrin/ Do të fitojmë”.
Revista “ Zëri i Kosovës “, është njëra ndër revistat që në faqet e saja vend meritor i dha dhe i kushtoi situatës politike e shoqërore në vend, por nuk mbesin anash as trajtimet për problemet e arsimit, të kulturës, të shëndetësisë, të administratës dhe të jetës së rëndë e të përditshme të shqiptarëve që kishin ngelur nën okupim. Për këtë tematikë e problematik, si dhe për organizimin profesional të artikullshkruesve, të shkruar në të 32 ( tridhjetë e dy faqet) e kësaj gazete dëshmojnë ndër të tjera , edhe rubrikat e përhershme e të përkohshme si: “Fjala hyrëse”, “ Çështje organizative “, “ Plagët tona “, “ Këndi i poezisë” dhe “ Vështrime” për librat e ndryshëm që botoheshin në atë kohë. Autorët që shkruanin për revistën, kryesisht ishin njerëz që drejtonin gazetën dhe në tërë shkrimet që prezantohen, në fund të tyre mungojnë emrat e plotë të tyre.
Shkrimet kryesisht janë dhënë me pseudonime si “Gjin Dukagjini” (Binak Ulaj), “ Selman Karadaku “ (Xhafer Shatri), “ Lekë Kraja” (Mehmet Hajrizi), “Bashkim Gollaku” (Kadri Osmani), “Fitim Drenica “ (Feriz Seferaj) etj që sot kemi arritur ti identifikojmë. Gazeta “ Zëri i Kosovës” nuk u pajtua kurrë me padrejtësinë e madhe që i bënë kombit shqiptar Fuqitë e Mëdha të Evropës, që e copëtuan atë duke kënaqur lakmitë e qeverive shoviniste të vendeve fqinje. Kjo gazetë gjatë daljes së vet u angazhua për bashkimin luftarak të shqiptarëve, duke popullarizuar e përkrahur frymën atdhetare e nacionaliste të të parëve tanë, dhe në shkrimet që prezantohen në këtë numër, qartë shihet dhe sugjerohet se me armikun e okupuesin duhet një organizim i mirëfilltë për t’i treguar se nuk durojmë dot okupimin. Dhe me rastin e kësaj reviste, karakteri dhe orientimi i saj shprehet edhe me vetë emërtimin e saj “ Zëri i Kosovës “ dhe me vetë maksimën ( moto ) që i prinë “ Liria nuk falet, por fitohet me gjak “, që ishte sentencë aktuale për kohën dhe rrethanat që ndodhej Kosova.

Vazhdon traditën gazeta “Zëri i Kosovës” , nr 2 .

Në prill të vitit 1974, doli numri i dytë i revistës “Zëri i Kosovës”. Numri i dytë, sikurse edhe numri i parë, në ballin ka një vizatim të Gani Sylajt (një kolonë luftëtarësh, të armatosur, me flamur duke marshuar). Moto e revistës është përsëri “Popuj të robëruar në të gjithë botën , ngituni në revolucion”, dhe në vizatim ishte e shkruar motoja “Liria nuk falet por fitohet me gjak”. Numri II, i revistës është më voluminoz se i pari, ngase ka 42 faqe tekst, ku trajtohen tema të ndryshme duke filluar që nga politika, ekonomia, arsimi, kultura dhe ka një mori poezish patriotike, që i shkruajnë ilegalistet me pseudonime të ndryshme.
Revista hapet me “Këndin e poezisë”, ku botohej poezia e autorit me pseudonimin “Hysë Dervenit” (Hydajet Hyseni)- “Kushtrimi i Kosovës”, ku në rreshta të shkurtër na prezantohet historia e lavdishme e Kosovës, robëria e saj ndër shekuj, luftërat e saja heroike, trimëritë e shumta, bujaria që ishte virtyte tradicional i shqiptarëve, krenaria dhe gjakimi shekullor për liri dhe unitet shqiptar. Autori i këndon me dashuri të madhe djepit të shqiptarisë dhe aludon se djepi i saj është trimëresha Kosovë. I këndon Kosovës kreshnike, Kosovës heroike, Kosovës malore, Kosovës madhështore dhe në vargje e shprehë në këtë mënyrë: “Kosovë, o vatër e trimërisë/ Kosovë o zemër e burrërisë/ Kosovë martire o Kosovë bujare/ Kosovë e jona o Lokja shqiptare/ Ngrihu lart dhe kërko dritë/ Ngrihu e lufto si e ke traditë” . Autori në pamundësi për të ndryshuar gjendjen e robërisë që kishte katandisur vendin, apelon te të gjithë, pa dallim moshe e feje, që të gjithë të ngritën dhe të luftojnë për lirinë që e gjakuam me shekuj.
1. Trajtimi i çështjeve politike
Trajtimi i situatës politike edhe në këtë numër zë një vend të rëndësishëm. Andaj “Kushtetuta dhe realiteti “ janë temë trajtimi në shkrimin e “Selman Karadakut” (Xhafer Shatri). Autori i këtij shkrimi thotë se: ”Është natyrë e çdo shtypësi dhe pushtuesi që ti ndërrojë dhe perfeksionojë mjetet dhe metodat e tij të shtypjes. Dhe ai këtë nuk e bënë nga dëshira, por vetëm e vetëm që ta zgjasë edhe ndonjë ditë jetën e tij prej padroni. Aktiviteti i okupuesit manifestohet në shumë drejtime, si në vend ashtu edhe në arenën ndërkombëtare. Kështu loja e fundit, (kuptohet gjatë vitit 1974), po luhet edhe me ndërrime kushtetuese” e cila sipas tyre na qenka nga më të përkryerat që ka pasur ndonjëherë njerëzimi! Se ajo na qenka “kushtetuta e parë punëtore” dhe “Kushtetuta e vetme ku vie në shprehje barazia dhe aspiratat e popullit”. Autori shprehet se edhe kushtetuta e më parme nuk ka qenë e keqe, por shtrohet pyetja sa u realizua ajo në praktik. “Sipas kushtetutës në fjalë, çdo qytetar ka pas të drejtë të shkollimit dhe inkuadrimit në vend. Por ne e dimë mirëfilli gjendjen e analfabetizmit dhe të papunësisë”. Për të vazhduar më tutje se “Nuk ka ligj në botë që thotë se njeriu duhet të vuaj nga uria. Por, pas neneve të ligjit fshihet dora gjakatare që vret e pret. Pas neneve të kushtetutës jugosllave fshihet regjimi policor titist. Fshihet pushteti i pakufizuar dhe absolut i ministrave dhe i drejtorëve… Cilat na qenkan aspiratat e popullit : vuajtja nën thundrën e borgjezisë jugosllave ? Dergjja nëpër burgjet famëkeqe jugosllave? Degjenerimi i rinisë dhe ç’thurja e saj totale…?” thotë autori.
Por tani, ai (autori) beson se populli më nuk dot mashtrohet, do të vërej dredhitë që i bënë pushteti gjëja se po sjellin një kushtetutë ku çdo kush do t’i gëzojë të drejtat e barabarta bile- bile, gati Kosova do të shpallej Republikë, por nuk do ta ketë vetëm emrin. Dhe gjuha e fakteve, e formulave është më e rëndësishme dhe më e fuqishme se gjuha e tulit. Andaj ne në vazhdimësi e kemi pësuar se kemi besuar së tepërmi në fjalë e jo në letra. Andaj “Populli i ynë liridashës i ka mprehë shqisat mirë e mirë. Ai do t’i veshë edhe njëherë rrobat luftarake dhe përmes perdes së zezë kushtetuare do t’i qëllojë lugetërit mu në lule të ballit duke marshuar ngadhënjimtarë” . Me këtë shkrim autori mundohej të grisë maskën e okupuesit me gjuhën e fakteve. Populli këtë gjuhë e kuptonte dhe qartë e bindshëm i pranonte mesazhet që i dërgonin veprimtarët e ilegales shqiptare.
2. Trajtimi i çështjeve organizative
Çështjet organizative, në faqet e gazetës zinin vend të veçan. Në gazetë jepeshin udhëzime, këshilla, propozime se si duhet të veprohet dhe se si duhet organizuar e vepruar në kushtet e jashtëzakonshme në ilegalitet. Anëtarët e grupit revolucionar këshillohen se si duhet të bëjnë agjitacion dhe propagandë. Në shkrimin “Çështje agjitacioni dhe propagandë”, autori “Lekë Kraja” (Mehmet Hajrizi), në pesë faqe tekst, prezantonte punën e agjitacionit dhe propagandës në grupe dhe në masë. “Lëvizja revolucionare” thotë autori, “se në Kosovë mund të themi se e hedhë hapin e parë të saj, d.m.th. organizimin e disa aktivistëve për t’i shërbyer me gjithë forcat e tyre çështjes së popullit dhe të atdheut. Dhe nëse kësaj i themi hapi i parë, andaj i dyti me siguri do të jetë zgjerimi dhe intensifikimi i veprimtarisë sonë. Nuk do të ndalim punën në çdo drejtim dhe të shfrytëzojmë të gjitha mjetet për të arritur suksesin e merituar”. Ai thotë se “me këtë nuk dot ngushtojmë radhët, por edhe më tej do ti zgjerojmë dhe kjo do të ngel si detyrë e jona e vazhdueshme”, .
Detyrë e parë ishte përfshirja e gjëra dhe lidhja e pazgjidhshme me popullin, ndërsa për aktivizimin në agjitacion e propagandë do të jenë detyra primare për anëtarët e organizatës, dhe do të jenë të pashmangshme për veprimtarin e zhvillimin sa më të suksesshëm për punën në organizatë.
Nëse organizohet mirë agjitacioni dhe propaganda me popullin, mendon autori i shkrimit, ata do të jenë një ndihmesë e madhe për lëvizjen e gjerë e të organizuar që zhvillohet në gjirin e popullit, nga njëra anë, dhe do të kontribuojnë shumë në ngritjen e tyre politike..
Në të njëjtën kohë do të forcohej akoma më shumë lidhja në mes të lëvizjes legale dhe popullit në përgjithësi. Kjo ishte edhe, një qëndrimi i patjetërsueshëm, ngase lufta e tyre nuk kishte karakter komploti, por ishte luftë e përgjithshme popullore. Ishte luftë për çlirimin e popullit e këtë mund ta bëjë dhe ta realizojë vetëm populli liridashës. Por, që të ngritët gjithë ajo forcë e popullit kundër regjimit okupues, ai pos tjerash, duhet edhe të mobilizohet politikisht, të parapërgatitët dhe të organizohet.
Duhet të bëhet punë politike, e kjo bëhej vetëm nëpër mes të agjitacionit dhe propagandës. “Poqese ne, nuk punojmë me masat, nuk lidhemi me ta, nuk vejmë kontakte të drejtpërdrejta, ata do të mbesin neutral, kështu propaganda e armikut gjënë një trup me imunitet të dobët dhe hynë (së paku në një pjesë të tij), me gjithë helmin e saj në të, kurse ne mbetemi një grusht njerëzish të destinuar për dështim” mendonte autori “ Lekë Kraja” (Mehmet Hajrizi).
“Është populli që paraqet forcën vendimtare në luftë për çlirimin e tij” , konkludon autori i shkrimit. Ishte ilegalja ajo që kishte marrë përsipër që me urtësi të bëjnë mobilizimin dhe përgatitjet e tij, të bëjnë agjitacionin dhe propagandë të pareshtur dhe të organizojnë me mjeshtëri këtë forcë në luftën e armatosur që e priste.
Anëtarët e organizatës zhvillonin një propagandë të gjithanshme dhe gjithëpërfshirëse si në mes të anëtarësisë së vet, njashtu edhe me masat e gjëra popullore. Propaganda bëhej në atë drejtim që preknin të gjitha çështjet më të rëndësishme që sqaronin bindshëm problemet e ndryshme.
Në vijim të shkrimit jepen se çfarë duhet të jetë dhe të punojë propaganduesi dhe agjitatori, dhe se si duhet të bëhet propaganda dhe agjitacioni i mirëfilltë. Për çdo agjitator propozohej të jetë i përgatitur dhe i ngritur në aspektin teorik. Propozonin që të angazhohen që të gjithë në sigurimin e teksteve të nevojshme për ngritjen politike të anëtarëve, dhe ato materiale tu shpërndahen shokëve te të cilët kishin besim, bashkë me materialet dhe literaturën tjetër konspirative që më vonë në to të punohet seriozisht në përvetësimin e tyre. Të përcillet situata politike e ekonomike në vend e në botë, të njihen detajishtë me shtypjen e egër që i bëhet popullit tonë në çdo fushë të jetës, të studiojnë të gjitha shkaqet e kësaj shtypjeje, t’i njohin luftërat e popujve të shtypur, makinacionet që kurdisin kundër tyre, të njihen me sukseset e këtyre luftërave dhe në fund të gjitha këto jenë kusht i domosdoshëm për një agjitator dhe propagandues të mirë për çështjen dhe qëllimin e popullit shqiptar.
Në pamundësi që organi “Zëri i Kosovës”, të shpërndahet lirshëm në popull, kjo gazetë fillimisht iu shpërndante vetëm aktivistëve të lëvizjes. Mirëpo, me përmirësimin e punës në radhët e organizatës, u krijuan mundësi të reja që të zgjerohet dhe të thellohet vetë përmbajtja e propagandës dhe agjitacionit në rend të parë brenda radhëve të ilegales. Autori i shkrimit llogariste shumë në ndikimin e madh që do të ketë kjo revistë si te anëtarët e organizatës, njashtu edhe tek te tjerët që do iu bie në dorë. Revista thuhej në tekst “do të bëjë përpjekje që të sqarojë sa më shumë çështje, që të ndihmojë pjesëtarët e radhëve tona në pajisjen e tyre me një kulturë të gjithanshme dhe në edukimin ideo – politik të tyre. Organi do të sqarojë gjithashtu edhe shumë çështje organizative. Kjo do të bëhet akoma edhe më e rëndësishme dhe nevoja e propagandimit të parimeve dhe të metodave të organizimit, të disiplinës dhe të teknikës konspirative del në plan të parë kur organet policore vihen me gjithë forcat e tyre për të na ndjekur dhe persekutuar” , thoshte autori.
Në shkrim u propozonte që secili anëtar fillimisht të propagandojë ndër shokët e vet, sidomos te ata, të sapo rekrutuarit në radhët e organizatës. U propozonte që më të madhe të propagandojnë idenë e nevojës së domosdoshme të një organizimi më të rreptë në vetë organizatën dhe propozonin që të propagandonin gjithashtu edhe qëndrimin burrëror të tyre përpara organeve hetuese të armikut dhe gjyqit si dhe sukseset e të tjerëve etj, por gjithnjë duke pasur parasysh kriteret e konspiracionit. Popullatës së gjerë në aspektin e propagandës dhe të agjitacionit artikullshkruesi i kushtonte vëmendje të posaçme. Propozohet që në popull të zhvillohet propagandë sistematike në çdo pjesë të vendit.. Puna e parë e ilegales ishte e dëshirueshme dhe e preferueshme që të zhvillohej në rendë të parë me punëtorët dhe rininë studentore. Është e ditur se punëtorët e studentët janë pjesa më e ndërgjegjshme dhe më e shtypur e shoqërisë si në aspektin politik njashtu edhe në atë ekonomik. Kushtet e punës e të jetës së tyre ishin të mjerueshme, të drejtat e tyre ishin të mohuara edhe si komb edhe si klasë.
Pakënaqësia e shqiptarëve ishte e madhe, por vazhdimisht u heshtte nga organet përkatëse. Ata ishin të pa organizuar në aspektin ilegal dhe vazhdimisht e shfaqnin pakënaqësinë, por e shfaqnin në mënyrë spontane. Andaj, ishte e nevojshme me punua më tepër me ta. Dhe detyra e anëtarëve të organizatës, nga e tërë kjo delte se ishte primare: “Ti ndihmojmë punëtorët në luftën e tyre ekonomike, ta lidhim ngushtë këtë luftë me luftën politike, t’i sqarojmë punëtorët për qëllimin kryesor dhe detyrat politike të lëvizjes në përgjithësi, t’i orientojmë ata, të marrinë pjesë dhe tu ndihmojmë në formulimin e kërkesave, në botimin e trakteve të agjitacionit dhe të përhapim sa më shumë literaturë të nevojshme ilegale te punëtorët. Ky agjitacion, kjo propagandë zgjon ndërgjegjen e tyre, i edukon dhe i organizon ata” , mendon autori i shkrimit.
Një punë tjetër mjaftë e rëndësishme që i priste anëtarët e saj, ishte edhe puna organizative me fshatarësinë dhe me shtresat tjera të gjëra siç ishin studentet, nxënësit e shkollave të mesme, intelektualet, zejtarët etj. Angazhimi i i anëtarëve të organizatës me fshatarët gjatë punës së tyre u tregua mase i domosdoshëm, për këtë bashkëpunim të ndërsjellë në tekst thuhej : “Se fshataret paraqesin forcën kolosale në luftë për çlirim. Ajo nuk është aspak indiferente ndaj kësaj lufte. Duhet ditur prekur plagët e fshatarit, dhe shtrohet pyetja athua fshatari i jonë a nuk ka plagë? Edhe mbi kurrizin e tij peshon shtypja dhe robëria me gjithë forcën e saj. Në çdo fshat shqiptar në Kosovë ka të mjerë, ka shtypje, ka varfëri, ka plagë kurbeti, ka mungesë të nevojave elementare të jetës, ka mungesë të shkollave, mungesë të rrugëve, mungesë të ndihmësve mjekësor etj, etj… Të njëjtën lojë e luajnë edhe ata, duke u munduar që ti përfitojnë fshataret, por ne nuk guxojmë ti lejojmë ata që të manipulohen dhe me punën tonë të vazhdueshme duhet ti demaskojmë armiqtë dhe t’iu tregojmë se kush janë ata dhe çfarë qëllimi kanë” , me këtë dëshmon autori se mobilizimi i ilegales kishte arritur rezultate të lakmueshme në mesin e popullatës..
Veprimtaria propaganduese dhe agjitacioni thoshin anëtarët e organizatës, nuk duhet zgjedhur mjete dhe vend.. Për këtë duhet të shfrytëzohet, propozonin në gazetë, edhe ndejat në oda, tubimet e ndryshme, si dhe takimet e rastit me popullatën. Por gjithmonë duke pasur kujdes ndaj provokatorëve, pasi se ata ishin të kamufluar. Gjatë bisedave u këshillonte që anëtarët e tyre, duhej të ishin të matur, dhe të flasin me gjuhën e popullit, thjeshtë, qartë, kuptueshëm dhe bindshëm, që kësaj këshille ishte obligim që ti përmbaheshin me përpikëri të gjithë anëtarët e ilegales.

Ndërsa me rinin studentore, kishin kujdes më të shtuar, këtyre iu shpërndanin kryesisht material agjitacioni politik. U angazhonin në luftën për përmirësimin e kushteve të jetës e të shkollimit, në bojkotimet që organizonin ata dhe në kërkesat e tyre që ishin të drejta etj. Dhe detyrë tjetër e ilegales ishte që çdo ditë të thellojnë format e agjitacionit dhe propagandës, të hulumtojnë format e organizimit të tyre, ti perfeksionojnë ato, të përmirësojnë cilësinë dhe ti ngrejë ato nga një agjitacion i pjesshëm me kërkesa të vogla dhe të veruara në një agjitacion për të gjitha kërkesat kombëtare në tërësi.
3. Shqetësimet e organizatës për arsimimin shqip në Kosovë
Shtypi ilegal i viteve të shtatëdhjeta i kushtonte rëndësi të madhe arsimimit të popullatës shqiptare në vend. “Zëri i Kosovës” në numrin e saj të dytë, në rubrikën të titulluar “Plagët tona”, në tri faqe A-4, në mënyrë të argumentuar shtjellon çështjet arsimore dhe të arsimit shqip në Kosovë dhe të trojeve tjera shqiptare në ish- Jugosllavi.
Autori “Çlirim Bardhi” (Mustafë Ademi), në shkrimin e tij “Arsimi në Kosovë”, paraqet të dhënat, se okupatori ishte i vetëdijshëm se arsimimi i popullit zgjon ndjenjat nacionale tek ata, dhe se kjo paraqet rrezikun primar për regjimin. Andaj, politika e krerëve të Beogradit për mbajtjen e popullit në errësirën e prapambetjes dhe analfabetizmit, si dhe shtypja e egër gjeti shprehjen e saj në kuptimin e plotë armiqësor në krahinat shqiptare nën robërinë jugosllave dhe shovinizmin serbomadh.
Gjendja arsimore e popullit të Kosovës së robëruar nga Jugosllavia e krajlëve, ndryshon fare pak nën robëruesit e rinj. Pas çlirimit, në Kosovë u hapën shumë pak shkolla në krahasim me vendet e tjera jugosllave. Edhe ato që u hapën, u bënë me një qëllim të vetëm, sa për tu mburrur para botës se ja si i gëzojnë të drejtat pakicat në Jugosllavi, dhe se si populli shqiptarë shkollohet në gjuhën amnore . Është e vërtetë se populli shqiptar kishte dëshirë që të shkollohej. Ai e donte dijen dhe donte që populli të ngrihej në një nivel më të lartë të arsimimit., andaj i dhembte ajo që shumë nga ata ngelnin pa u shkolluar për hir të kushteve shumë të dobëta që ofronte sistemi okupues. Dhe duke u nisur nga këto të dhëna, autori me një zgjuarsi, ato i klasifikonte në disa pika, siç ishin:
E para, shteti i “ri “ jugosllav hapi vetëm disa shkolla në Krahinë të cilat ishte e pamundur të përfshinin të gjithë fëmijët që paraqiteshin për tu regjistruar në to, ku mësimi kryesisht zhvillohej në oda të ngushta të fshatarëve që ishin të ndërtuara prej balte dhe drunjve të dobët që shpeshherë paraqiteshin rrezik për fëmijë, dhe kryesisht mësimi zhvillohej në dy – tre turne. Nxënësit ishin të detyruar të udhëtonin me kilometra të tëra gjerë në fshatin tjetër për të ndjekur mësimin . Andaj, kur të kihen të tëra këto para sysh, ishte krejt e natyrshme që fëmijët të ndërpriteshin shkollimin e mos të flasim për fëmijët – femra që duhej të shkolloheshin. Por, herë- herë në mos vijimin e shkollimit të femrave ndikonte edhe propaganda e organizuar nga vetë pushtetarët për gjëja se “ shkollimi e ç’nderon vajzën shqiptare”, ku një rol shumë negativ e luajti edhe kleri , një pjesë e të cilit ishte mjaftë injorante.
E dyta – fshatari kosovar duke qenë i varfër dhe i rraskapitur nga puna e tepërt dhe robëria, mezi priste që ti rritën pak të bijtë për të punuar, për të siguruar kafshatën e gojës. Për këta fshatarë, të shumtën e herës ka vetëm dy rrugë: ose ta shesë atë pakë tokë (nëse ka dhe gjënë e gjallë për të paguar shkollimin e fëmijëve të tij dhe anëtarët tjerë të familjes të ngelin edhe pa bukën e gojës, ose tua ndërpres atyre shkollimin për ti dhënë në punë, për sigurimin e bukës. Ata, me dashje o pa dashje shtrëngoheshin të zgjidhnin këtë të dytën. Kështu shumë të rinj detyrohen të ndahen nga shkolla që të shiten si argat të lirë te pasanikët e vendit , në republikat tjera të Jugosllavisë ose të marrin botën në sy.
E treta – Prapambeturija dhe konzervativizmi i fshatarit kosovar, ka ndikuar që gruaja kosovare ka ngelur e pashkolluar. Vajzat shqiptare në Kosovë, ose nuk fillonin fare shkollimin, ose të ndërpresin atë, për shkaqet e shënuara më lartë. Janë raste të pakta, ato që vijojnë shkollimin në shkolla të mesme e të larta.
E katërta – degjenerimi, është njëra ndër dukurit negative që i ka zënë shumë të rinj tanë, madje edhe të mitur, të cilët kanë qenë të ç’orientuar dhe të çoroditur. Lënë çdo ditë librat dhe shkollën për tu kthyer në rrugaçë, huligan, narkoman e prostituta, për ti mbushur burgjet delikuent e kriminelë, shqetësohen për këtë dukuri ilegalja shqiptare, duke pasur vazhdimisht kujdes që të ç’rrënjosin atë nga rinia e jonë e vyeshme.
Duke njohur këto, e shumë shkaqe tjera. Duke njohur politikën e kursin antishqiptar të Beogradit, të reaksionit të hapur dhe të shtypjes së egër, na del e evidencuar dhe shumë e njohur se numri i analfabetëve, që u priste që numri i tyre të zvogëlohej, ndodhte e kundërta, se numri i analfabetëve sa vije e rritej. Kështu, duke u mbështetur në të dhënat statistikore që e jepte shtypi zyrtar ( nëse është për ti besuar), në vitin shkollor 1955 në klasën e parë janë regjistruar 31.642 nxënës dhe prej tyre klasën e tetë në vitin 1962/63 e kanë mbaruar vetëm 9.188 veta .
Sa për shkolla të mesme, ai dihet se ishte edhe shumë herë më i vogël. Kjo është një dëshmi që fletë qartë për të gjitha ato që u thanë më lart. Këtu duhet theksuar edhe një fakt se 12% të fëmijëve të përgjithshëm, të moshës 7-14 vjeçare mbesin pa u përfshirë fare në shkollat fillore. Këta pra, edhe mund të thuhej lirshëm se ishin ushtarët e ardhshëm të analfabetizmit kosovar (numri i saktë i analfabetëve në Kosovë nuk dihet, por u konsideronte të kishte qenë analfabete gjysma e popullsisë shqiptare).
Më kot shkruanin dhe trumbetonin funksionaret e Beogradit dhe bashkëpunëtoret e tyre, kur thoshin se në Jugosllavi ka “barazi nacionale”, dhe me të madhe thoshin se “po punohej për zhdukjen e diferencave në çdo fushë në mes kombeve, në mes të kombësive, krahinave dhe republikave” etj…, por ata, prapë detyrohen ti pohojnë vetë, diferencat e mëdha që ekzistonin në çdo fushë, pra, edhe në arsim. Të dhënat statistikore të shënuara më poshtë janë të marruara nga shtypi jugosllav që dëshmojnë të kundërtën e informimit. Në vazhdim po e bëjmë prezantimin e një tabele që pasqyron të dhënat e përfshirjes së nxënësve në shkolla fillore, të mesme dhe fakultete në ish-republikën e Sllovenisë, të Malit të Zi dhe të Kosovës:
Shkolla Me sh. Fillore Me sh. të mesme Me fakultet
Vitet 1953 1971 1953 1971 1953 1971
Sllovenia 4,5% 30,8% 11,1% 23,4% 0,8% 3,2%
Mali i Zi 5,7% 15,4% 5,3% 14,0% 0,5% 2,4%
Kosova 1,9% 15,2% 2,3% 7,4% 0,1% 1,7%

Këto janë shifrat me të cilat u mburreshin pushtetarët për arsimimin e popullit kosovar. “Por, ne do tu thoshim atyre ti lënë këto shifra, të mos mburren me to se janë shumë të vogla dhe ti marrin tjerat, shifrat që flasin për efektin e degjenerimit tek të rinjtë dhe fëmijët shkollarë për të cilin revizionistët janë angazhuar më shumë dhe kanë pasur e kanë kujdesie të posaçme. Le të flasin për delinkuentët, për vjedhjet e krimet që bëjnë ata dhe le të mburren para kolegëve të tyre” informon i mllefosur me të drejtë shtypi ilegal opinionin e gjerë.
Në vitin 1966, 1101 jomadhor kryen 1856 vepra penale, kurse në vitin 1969 kjo shifër u rrit edhe më shumë, 2437 jomadhorë kryen 3561 vepra penale. Ndërkaq gjatë vitit 1971 vetëm në qytetin e Mitrovicës (Kosovë) kryen vepra penale 1029 fëmijë, dhe këto të dhëna për fëmijët tanë alarmonin kumbueshëm tek çdo shqiptar që i donte të mirën këtij populli edhe ashtu të shumëvuajtur.
Këto shifra nuk pasqyrojnë gjendjen e vërtet e reale, pasi që për çdo vit mbetet një numër i madh i veprave të pazbuluara. Zaten kjo është “kujdesia e partisë” e “shtetit komunist” jugosllavë për fëmijët, për brezin e ardhëm , për popullin shqiptar, për Kosovën.
“E klika titiste mund të bëjë për vete ca tradhtarë në Kosovë, mund ti dezorientojë e degjenerojë një pakicë të të rinjve kosovar, mund të mbajë edhe ndonjë ditë popullin shqiptarë të Kosovës në errësirë, por kurrë nuk do të mund ta shuaj shpirtin e tij revolucionar, ai do të ngitet një ditë me gjithë fuqinë e tij dhe do të shoh dritën e vërtetë, dritën e lirisë që iu grabitë me të pabesë” pohonte autori i shkrimit..

VIJON…

________________
PJESA E PARË:
PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: GAZETA “ZËRI I KOSOVËS” DHE ROLI I SAJ PATRIOTIK (I)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=4478
***
PJESA E DYTË:
PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: GAZETA “ZËRI I KOSOVËS” DHE ROLI I SAJ PATRIOTIK (II)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=4479
***
PJESA E TRETË:
PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: GAZETA “ZËRI I KOSOVËS” DHE ROLI I SAJ PATRIOTIK (III)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=4480
***
Librin në formatin PDF mund ta lexoni këtu:
PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: GAZETA “ZËRI I KOSOVËS” DHE ROLI I SAJ PATRIOTIK
https://pashtriku.org/ngarkimet/dokumentet/sabile-basha-zeri-kosoves.pdf

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura