MEHMET HAJRIZI: SHTOJCA – DOKUMENTE, LETRA DHE ARTIKUJ (65)

Pashtriku, 15 gusht 2020:
8.1.2 Letër Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë
Tiranë
Të dashur shokë
Komiteti Drejtues i Grupit Marksist-Leninist të Kosovës më ka ngarkuar që nëpërmjet kësaj letre t’ju dërgoj përshëndetjet vëllazërore të tij, të Grupit dhe të gjithë popullit shqiptar të Kosovës, juve, Partisë sonë të lavdishme të Punës, popullit vëlla të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë dhe veçanërisht, e me emocion të thellë, udhëheqësit tonë legjendar, shokut Enver Hoxha.

Populli ynë në Kosovë, i robëruar, i shtypur e i shfrytëzuar egërsisht nga revizionistët jugosllavë dhe nga një grusht tradhtarësh të vendit, kurrë nuk është pajtuar me sunduesit e tij. Ne kosovarët jo vetëm e kemi ruajtur individualitetin e dinjitetin kombëtar, por edhe traditën luftarake të popullit tonë. Luftën nuk e kemi pushuar dhe nuk do ta pushojmë gjer në fitoren e plotë. Grupi Marksist-Leninist i Kosovës është krijuar për t’iu përgjigjur aspiratave të popullit tonë të robëruar. Ai mbledh bijtë dhe bijat më të mira të Kosovës, të cilët nuk kursejnë asgjë për lirinë e popullit tonë.
Grupi ynë është i ri dhe i vogël në numër, por i fortë dhe i shëndoshë, sepse ushqehet me ideologjinë marksiste-leniniste. Kjo ideologji e ka bërë atë të pavdekshëm. Jemi të vetëdijshëm për detyrat e mëdha e të rënda, për vështirësitë e sakrificat që na dalin përpara, por besimi ynë në fitore, vullneti i çeliktë, puna e lufta e vazhdueshme, guximi e vendosmëria e patundur e të gjithë anëtarëve të Grupit, do të bëjnë me siguri që të kapërcehen të gjitha me sukses. Edhe në të kaluarën Grupi ynë ka pasur vështirësi të brendshme e të jashtme në rrugën e tij të rritjes e të forcimit, por me forcën e tij i ka mposhtur. Ne jemi goditur disa herë nga armiku për të na shkatërruar, por përpjekjet e tij, qofshin ato me kërbaç, demagogji, mashtrim apo shpifje, kanë shkuar kot. Ata janë munduar dhe bëjnë përpjekje të shumta edhe të na diskreditojnë në popull, për të na ndarë prej tij, por edhe këtu kanë pësuar disfatë. Shpifjet e tyre nuk pinë ujë dot në popullin tonë, i cili kurrë nuk qe i lidhur me armiqtë, sepse ka besim të plotë te bijtë besnikë të tij.
Uniteti ynë me masat e shtypura nuk është një lidhje mekanike; vija politike që ndjek Grupi ka bërë që ato ta duan dhe ta përkrahin atë, të vihen nën udhëheqjen e tij në luftë kundër shtypësve e shfrytëzuesve. Ky unitet, fryma revolucionare dhe ndërgjegjja komuniste e kalitur në punën e luftën e përditshme revolucionare të anëtarëve të Grupit tonë, po i tmerron armiqtë.
Kosova është krahina më e shqetësuar në mbretërinë e Titos, sepse shtypja, shfrytëzimi e varfërimi i masave, janë aty më të theksuara, por edhe viset tjera në Jugosllavi, ziejnë nga valët e urrejtjes, revoltës e luftës kundër regjimit titist. Kjo luftë, në forma të ndryshme, ku më pak e ku më shumë, sa vjen e rritet. Masat punonjëse nuk po mund ta durojnë më gjendjen tepër të rëndë të jetës, e cila gjithnjë keqësohet. Ekonomia jugosllave po përjeton aktualisht çaste të vështira dhe pa perspektivë. Një krizë e paparë ndonjëherë më parë e ka mbërthyer jo vetëm ekonominë, por gjithë sistemin e ashtuquajtur “vetadministrues” të klikës titiste. Aspekte të shumta e të shëmtuara të kësaj krize nganjëherë detyrohen t’i pohojnë edhe vetë titistët, siç janë inflacioni, deficitet, borxhet, papunësia, varfërimi i vazhdueshëm i masave punonjëse, degjenerimi dhe shthurja e jetës etj. Ndonëse në kushte shumë të vështira, lufta e klasës punëtore, fshatarësisë dhe masave tjera punonjëse në Jugosllavi po rritet dhe ndërgjegjja klasore po ngrihet vazhdimisht. Popujt e Jugosllavisë me siguri do të ngrihen me armë në dorë në luftën finale për ta përmbysur sistemin e kalbur revizionist dhe për triumfin e revolucionit, të socializmit e komunizmit.
Grupi ynë ndjek me vëmendje ngjarjet ndërkombëtare, lëvizjen marksiste-leniniste në botë dhe luftën e proletariatit ndërkombëtar e të popujve kundër shtypjes e shfrytëzimit, kundër robërimit, kolonializmit e neokolonializmit. Çështja e revolucionit, siç tha shoku Enver në Kongresin VII historik të PPSH, nuk është më vetëm një aspiratë e perspektivë, por çështje e shtruar për zgjidhje.
Lufta historike që ka bërë e po bëjnë PPSH dhe RPSSH, përkrahja e ndihma e gjithanshme që u jep partive marksiste-leniniste, proletariatit e gjithë popujve që luftojnë për liri, demokraci e socializëm, ka bërë që në gjithë botën të flitet me kaq respekt për Partinë e Punës të Shqipërisë dhe për RPSSH. Shqipëria sot është kthyer jo vetëm nga një vend krejt i prapambetur, në kopsht me lule, ku populli jeton i lumtur, por edhe një kështjellë e sigurt e socializmit në botë. Ja përse armiqtë e shikojnë shtrembër Shqipërinë socialiste. Ata e dinë mirë se ajo është kockë e fortë që i zë në fyt, ndryshe do ta sulmonin edhe ushtarakisht brenda orës. Ne kosovarët jemi krenarë për Shqipërinë tonë socialiste, për Partinë dhe për Shokun Enver që kemi. Ju betohemi se në vijë të parë do të na keni edhe neve tok, nëse dikush guxon ta prekë Atdheun tonë. Teoria e Marksit, Engelsit e Leninit, mësimet jetëdhënëse të shokut Enver dhe udhëheqja e sigurt e Partisë së Punës të Shqipërisë e ngritën në këtë lartësi Shqipërinë.
Marksizëm-Leninizmi do ta çlirojë Kosovën dhe do të vijë dita kur do të jetojmë të bashkuar e të lumtur edhe ne kosovarët e shumëvuajtur.
Rroftë populli ynë trim!
Rroftë Partia e Punës e Shqipërisë!
Rroftë shoku Enver Hoxha!
Rroftë internacionalizmi proletar!
Lavdi marksizëm-leninizmit ngadhënjimtar!
Më 29.V.1978, Sofje
Për Komitetin Drejtues të Grupit Marksist-Leninist të Kosovës
Sekretari
Mehmet Hajrizi
VIJON …
_____________
MEHMET HAJRIZI: SHTOJCA – DOKUMENTE, LETRA DHE ARTIKUJ (64)
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=10386

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Pashtriku, 13 gusht 2020:
III
Aspiratat e popullit tonë për liri, pavarësi dhe bashkim kombëtar, janë të vjetra. Lufta e popullit tonë për t’i realizuar këto aspirata përbën faqe të lavdishme të historisë së tij… Lufta e popullit tonë në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi për liri, bashkim kombëtar dhe socializëm gjatë Luftës Nacionalçlirimtare u tradhtua dhe u shtyp me gjak nga revizionistët shovinistë. Këtij populli iu grabit përsëri liria dhe iu mohua e drejta për vetëvendosje…

Aspiratat e popullit tonë për liri e bashkim kombëtar, armiqtë revizionistë e tradhtarët nuk kanë mundë t’i mbysin dhe nuk do të mund të bëjnë kurrë një gjë të tillë. Populli ynë ka luftuar, lufton dhe është i vendosur të luftojë gjer në realizimin e plotë të këtyre aspiratave.
Duke u nisur nga këto aspirata… të futemi thellë në masat, t’i bëjmë ato të ndërgjegjshme për revolucion, t’i bashkojmë, t’i organizojmë e t’i udhëheqim në revolucionin e armatosur, me të cilin populli ynë në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, do të fitojë lirinë e vërtetë kombëtare dhe të drejtën për t’u bashkuar me shtetin shqiptar. Ky revolucion do të heqë qafe njëherë e përgjithmonë robërinë shekullore të popullit tonë dhe do t’i shkatërrojë shtypësit e shfrytëzuesit…
IV
Në luftën e tij, populli ynë ka të bëjë me një armik të egër i cili nuk i lëshon me vullnet e lehtë trojet tona të okupuara. Prandaj, vetëm forca e bashkuar e klasën punëtore, fshatarësisë patriote, rinisë revolucionare, grave trime, inteligjencies përparimtare e revolucionare, e një fronti unik e të gjerë të masave të robëruara, të shtypura e të shfrytëzuara të popullit tonë, nën udhëheqjen e një pararoje revolucionare, marksiste-leniniste, do të jetë në gjendje të kryejë me sukses revolucionin e armatosur popullor mbi revizionistët robërues dhe tradhtarët e vendit…

Detyrat e kësaj partie do të jenë:
Të ketë rolin e repartit pararojë dhe të ndërgjegjshëm të klasës sonë punëtore, udhëheqëse e saj dhe e masave të gjera popullore në revolucion.
Të jetë trashëgimtare e traditave të shkëlqyera patriotike, demokratike e revolucionare të popullit tonë…
Të ketë një program të qartë të veprimit revolucionar rreth të cilit të mobi-lizohen masat.
Të përcaktojë strategjinë e përgjithshme revolucionare dhe ta kombinojë drejt atë me detyrat e ditës dhe me taktikat e zhdërvjellëta revolucionare, në shërbim të kësaj strategjie.
Të bëjë një punë të vazhdueshme e sistematike për edukimin e kalitjen revo-lucionare të radhëve të saj dhe të bëjë kombinimin e drejtë të praktikës së lu-ftës me studimin ideologjik…
Të shtrihet në të gjitha viset e Kosovës dhe në krahinat shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi.
Në zgjerimin e radhëve të zbatojë drejt kriteret marksiste – leniniste, të mos rendë pas sasisë, por të synojë në radhë të parë në cilësinë e radhëve të saj…
Të luftojë kundër koncepteve e praktikave të djathta të oportunizmit e revizionizmit, kundër reduktimit të veprimtarisë vetëm në luftën për disa rivendikime të pjesshme, duke lënë në harresë objektivin kryesor, nga një anë dhe nga ana tjetër, të luftojë edhe kundër rrezikut të qëndrimeve ekstremiste të majta, për të rendur përpara, pa marrë parasysh nivelin e ndërgjegjes e të për-gatitjes së klasës punëtore e të masave për luftë e revolucion.
Të jetë e organizuar në bazë të parimeve e të normave organizative marksiste-leniniste, të detyruara për të gjithë, siç janë kritika e autokritika, kolegjialiteti dhe përgjegjësia personale, disiplina e fortë dhe e ndërgjegjshme, konspiracioni etj…
Të karakterizohet nga një unitet mendimi e veprimi dhe të mos i ndajë fjalët nga veprat.
T’i japë rëndësi të dorës së parë aksioneve revolucionare.
Të jetë e lidhur ngushtë me masat.
Të krijojë organizata të masave nën udhëheqjen e saj dhe të krijojë e të udhë-heqë frontin, si organizatë politike të masave të gjera popullore, në themel të të cilit do të jetë aleanca e klasës punëtore me fshatarësinë, nën udhëheqjen e klasës punëtore…
Të zotërojë të gjitha format e metodat e luftës, të dijë t’i kombinojë njërën me tjetrën dhe në përshtatje me ndryshimet që ndodhin të jetë e aftë të zëvendësojë shpejt një formë lufte me një tjetër.
Revolucionin e armatosur ta konsiderojë si formë më të lartë dhe të domosdoshme të luftës.
Të kombinojë drejt organizimin e veprimtarinë legale me atë ilegale…
Vetëm një parti e këtillë mund ta udhëheqë e sigurt popullin tonë të robëruar drejt fitores.
V
Grupi ynë Marksist-Leninist, besnik ndaj interesave të larta të klasës punëtore dhe të çlirimit kombëtar të popullit tonë në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, lufton dhe do të luftojë pareshtur kundër revizionistëve robërues të popullit tonë dhe shërbëtorëve të tyre, tradhtarëve shqiptarë, që shtypin e shfrytëzojnë popullin tonë.
Grupi ynë lufton kundër borgjezisë shoviniste robëruese serbe e jugosllave, e cila mban të robëruara trojet tona, por jo kundër popujve vëllezër jugosllavë, të cilët po ashtu shtypen e shfrytëzohen nga revizionistët titistë. Populli ynë si në të kaluarën edhe sot e në të ardhmen, nuk do t’i bjerë në qafë asnjë populli, ai ka luftuar, lufton e do të luftojë për çlirimin e vet kombëtar e për të drejtat e veta. Lindja e Grupit tonë është e lidhur ngushtë me këto interesa dhe me këtë luftë të popullit tonë.
Grupi ynë Marksist-Leninist po rritet, forcohet e lartësohet çdo ditë. Në rrugën e tij të formimit, të rritjes e fuqizimit, ai ka kaluar pengesa e vështirësi të shumta. Edhe sot e në të ardhmen atij do t’i duhet të përballojë vështirësi akoma më të rënda (dhe në radhë të parë konditat e egra në të cilat vepron) që të mund t’i kryejë me sukses detyrat e mëdha që ka përpara.
Lufta e popullit tonë është e drejtë dhe me siguri do të fitojë.
VIJON …
______________

MEHMET HAJRIZI: SHTOJCA – DOKUMENTE, LETRA DHE ARTIKUJ (64)
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=10386

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura