Prishtinë, 23. 06. 2015 – Heroizmi i gruas shqiptare është një histori e gjatë, e bujshme dhe një rrugë plot vështirësi. Roli dhe kontributi i saj në periudha të ndryshme historike ofron mjaft të dhëna për të cilat ka se çka të shkruhet dhe të flitet. Është fakti i pamohueshëm se gruaja shqiptare zë një vend të rëndësishëm në historinë kombëtare të popullit tonë, duke filluar që nga periudha ilire e këndej.
Veç autorëve shqiptar që shkruan për heroizmin e trimërinë e gruas shqiptare, për të shkruan edhe shumë autor të huaj, të cilët kishin arritur në përfundime se gruaja shqiptare është një nga gratë më trime dhe më besnike në Ballkan, madje ndonjë prej këtyre udhëtarëve shkencëtarë i quante gratë shqiptare si “femrat ndoshta më të guximshme të “Turqisë Perëndimore”.
Pra, sipas burimeve historike, qëndresa dhe sakrifica e gruas shqiptare, si formë e rezistencës së saj, dëshmohet si vazhdimësi. Nga shumica e femrave shqiptare, të cilat qëndruan dhe vepruan në rrethana ngulfatëse të kohëve të ndryshme dolën heroina të shquara, trimëritë e të cilave i tejkaluan kufijtë gjinorë dhe kombëtarë.
Laskarina Bubulina (1771 – 1825) heroina shqiptare (arvanitase)
në Revolucionin e Greqisë – 1821.
Kjo grua, gjatë gjithë historisë, me dinjitet e fisnikëri të lart, do të jetë e zonja që gjithmonë të mbaj lart flamurin e qëndresës dhe të familjes. Gruaja e jonë, epokë pas epoke, luftë pas lufte, marshoi krenare s’bashku me burrin, djalin, vëllain, prindin ashtu e pa përkulur nëpër shekuj e mijëvjeçar, e erdhi krenare deri këtu, por e vetëdijshme se edhe më tutje, rrugën duhet vazhduar. Gjatë gjithë kësaj periudhe të gjatë të historisë, falë asaj-gruas sonë, populli i ynë arriti që të shpëtoj nga asimilimi, duke ruajtur në të njëjtën kohë gjuhën, historinë, traditën, kulturën dhe përkatësinë tonë kombëtare.
Ajo, në rrethanat më të përshtatshme historike inkuadrohet në rrjedhat që i imponoheshin nga vetë faktori kohë. Burrat trima lindin dhe rriten vetëm nga nëna trimëresha, thotë një fjalë e popullit. Gruaja shqiptare e ka përbuzur kurdoherë frikacakun, ajo e ka përbuzur dhe e ka mallkuar edhe birin e saj kur plogështohej përpara vdekjes.
Duke shfletuar faqet e historisë, gratë shqiptare i gjejmë pjesëmarrëse aktive në luftërat e vrullshme të kryetrimit Skënderbe. Gjatë rrethimit të parë të Krujës, në vitin 1450, kur në Shqipëri erdhi mbarë ushtria otomane me në krye sulltan Muratin II, Skënderbeu urdhëroi të zbrazej plotësisht qyteti nga gratë, fëmijët dhe pleqtë dhe të mbeteshin vetëm luftëtarët, që duhej të mbronin kështjellën deri në vdekje. Për këtë ngjarje humanisti i njohur Marin Barleti shkruan: “kur dhembja u ul pakëz e ngopur prej lotëve, nënat u kthyen nga djemtë e tyre… dhe me fjalë të përsëdytura iu epnin porosi krenare”, ndërsa kronisti venedikas i asaj periudhe legjendare, A. Sabellico, më 1478 shkruante: “në mes të zjarrit të luftës, kur çdo gjë shungullonte nga armët e barbarëve, në ato qytete ku Skënderbeu kishte mbretëruar, grupe vajzash e kishin zakon që në çdo tetë ditë të mblidheshin e të këndonin lavditë e princit të vdekur, ashtu siç bënin të moçmit për heronjtë e mëdhenj”.
Nga kjo, mund të përfundojmë se gruaja shqiptare ishte aktive edhe atëherë, kur nuk dilte në fushën e betejës, por në një mënyrë tjetër e luftonte armikun – me armën e kurajos që u jepte luftëtarëve.
Shekulli XV, theksohet si shekull i kthesave të mëdha për gruan shqiptare, duke pasur parasysh normat morale e juridike të vendosura gjatë shekujve mesjetarë.
Gruan shqiptare edhe më aktive e gjejmë në shekullin XIX gjatë Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Në këtë periudhë ajo me armë në dorë merr pjesë në luftërat për liri e pavarësi dhe me këtë dëshmoi se nuk ishte vetëm nënë e bashkëshorte e mirë, por mbi supet e saja të forta e krenare para armiqve të shumtë njësoj bartte tempullin e shenjtë dhe të fortë – çështjen e atdheut.
Aty, nga mesi i shekullit XIX një nga njohësit e mirë të Shqipërisë Veriore, Jasint Hekard (Hyasint Hecquard), shkruante: “Gruaja shqiptare, qoftë myslimane, qoftë e krishterë, edhe pse është e nënshtruar ndaj burrit, ai këshillohet me të jo vetëm për punët e familjes, por edhe për çështjet e vendit”. “Gratë shqiptare”, vazhdon Hekardi, dinë t’i mbajnë lotët e dhembjes edhe kur janë përpara njerëzve të tyre më të shtrenjtë të shtrirë për dhe, shpeshherë duke mbajtur nëpër duar kufomat e tyre i kanë shpënë, ato në mes të luftëtarëve për t’i nxitur që të hakmerren kundër armikut”.
Tringë Smajl Martini Ivezaj – Tringa e Grudës (1880-1917) burrnesha shqiptare.
Më poshtë vazhdon: “Më kanë treguar nëna që nuk i kanë pranuar në shtëpi fëmijët e tyre, të cilët kanë lënë nga frika luftën duke i shpënë ato vetë përsëri në fushën e betejës, ose nuse që janë ndarë nga burrat e tyre vetëm pse këta janë larguar në një çast nga zjarri i luftës”. Këta shembuj, të pakët i cekëm për të ilustruar trimërinë e tyre të pamohueshme që treguan për lirinë e vendit.
Gruaja shqiptare ishte pjesëmarrëse aktive sidomos në kryengritjet e mëdha të viteve 1910-1912, në luftërat për çlirim kombëtar të atdheut. Me qindra gra ndihmuan kryengritjet me mjete e me strehim, me informata e kurajo. Në ato vite revolucionare gruaja nuk qëndroi vetëm në prapavijë. Me një guxim të rrallë ajo kaloi edhe në vijën e zjarrit. Gratë kosovare dolën me armë në dorë në Grykën e Kaçanikut, ballëpërballë armikut. Shembullin e tyre e ndoqën edhe gratë e Malësisë së Mbi – Shkodrës e të Dibrës. Gratë dolën në luftë anekënd Shqipërisë, aty ku kishte nevojë dhe ku buçiste lufta. Gazeta “Sabah” që delte në Turqi, shkruante më 16 prill 1911: “Ndërmjet kryengritësve shqiptarë kishte edhe gra. Në luftimet që u bënë në rrethet e Tuzit kishte edhe gra të veshura me rroba burrash…bile disa nga këto gra kanë treguar edhe trimërinë e tyre, aq sa të kalojnë në radhët e para të luftës”.
Edit Durhami ishte çuditur kur i kishin tregua se si një grua mirëditore kishte vrarë burrin dhe dy fëmijët e saj, për shkak se burri kishte tradhtua tek turqit, kur vëllezërit e saj ishin bërë rrezik për ta. “Sigurisht se kjo ishte një tragjedi e dhembshme”, thotë Edit Durham, “por kjo grua me krenarin shqiptare nuk e ka durua tradhtinë dhe pabesin ndaj atdheut, për tradhtarin vdekja është hak”, shkruan Edit Durhami
Virtytet e Gruas Shqiptare ishin frymëzim për shumë këndë që vizitonte viset tona. Njëri ndër ta ishte edhe Xhorxh Williams, i cili para, më shumë se 100 vitesh konstaton se “gruaja tek shqiptarët trajtohet me respektin më të lartë. Ajo vërtetë punonte në shtëpi, por zinte një vend të nderuar në shoqëri dhe se jeta e saj fisnikërohej me të qenit nënë. Është e vërtetë se ajo vlerësonte dhe vlerëson edhe sot shumë lartë të qenit nënë dhe bashkëshorte. Gjithë jeta e saj ndërtohet në këto dy shtylla kryesore, por edhe jo rrallëherë ajo ka dëshmuar se që të dyja i sakrifikon për liri” gjë që e ngritë atë në piedestalin e barazisë me heronjtë.
Në punimin “Krah për krah me burrin në luftën për liri”, autori Ligor Mile, shkruante se një shkencëtar i huaj kishte thënë për gruan shqiptare se gratë që nxjerrin në dritë burra të pamposhtur dhe trupmëdhenj dallohen gjithashtu për forcën e organizimit të tyre edhe për thjeshtësinë e zakoneve të tyre… Ato ndajnë me burrat punët, udhëtimet dhe rreziqet e tyre”.
Gjatë lëvizjes kryengritëse, që shpërtheu në vitet 1844-1845 në verilindje të Shqipërisë, në Kosovë dhe në Dibër, dokumentacioni arkivor na dëshmon se në malësitë e lira “gra dhe fëmijë bënin pjesë në radhët e luftëtarëve”, se “gratë qenë të ngjeshura me armë, të veshura ushtarakisht, duhet dalluar, sidomos gratë, në Shqipërinë e Sipërme”.
Duhet cekur se gruaja shqiptare në asnjë periudhë kur ishte vendi në rrezik nuk qëndroi duarkryq. Shembujt e pjesëmarrjes së gruas në luftërat për liri janë të shumta, sidomos duhet përmendur luftërat që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit e këndej. Ky patriotizëm i njohur i gruas shqiptare, këto cilësi të rralla morale të saj, morën një përmbajtje të re dhe u shfaqën me forcë në ato gra e vajza të popullit që ngjeshën amët dhe luftuan krah për krah me burrat gjatë LDB.
Edhe pse kishte përfunduar Lufta e Dytë Botërore, burrat e gratë e Kosovës nuk u kënaqën me gjendjen ekzistuese. Ata gjetën forma e mënyra që ti kundërvihen okupuesit të “ri”. Gratë shqiptare në Kosovë dhe viset tjera shqiptare në ish-Jugosllavi, krah për krah me burrat u ndodhën në krye të detyrës duke organizuar fillimisht grupe e organizata ilegale e më vonë morën pjesë në demonstratat gjithë popullore të vitit 1968, 1981, 1989. Por, me formimin e UÇK-së, dolën edhe në male duke u bërë pjesë e denjë e luftës për liri.
Burrat dhe gratë shqiptare përballuan me stoicizëm promethiane tufanin e egërsuar shovinist pan-sllav. Me gjithë plagët dhe dëmet e mëdha që i shkaktuan truallit tonë, ajo përsëri ngadhënjeu mbi egërsinë e armiqve pushtues. I hodhi si të pavlera planet shkombëtarizuese e sllavizuese të Karagjorgjeviqëve, Pashiqëve, Andriqëve, Rankoviqëve, e mbi të gjitha, e mundi babanë e Elaboratit shkombëtarizues e shfarosës ndaj shqiptarëve- Vasa Çubrilloviqin, kur kjo nënë, e detyroi atë, që të pranojë haptas, para vdekjes, një të vërtet se “megjithatë luftën në Kosovë e fitoi nëna shqiptare”.
Edhe pse ky popull mori plagë e ri-plagë, Kosova edhe më tutje eci, ecën dhe do të ecën gjithmonë përpara në rrugën e mundimshme, ama të ndritshme të lirisë kombëtare. Kjo rrugë e pavarësisë, është një e drejt objektive, të cilën nuk ka forcë që mund ta ndal, sepse Kosovës ngadalë por sigurt, po i hapën shtigjet e lirisë dhe të ardhmërisë.
(Kumtesë shkencore e mbajtur në ‘Java e albanologjisë”, me 17 qershor 2015, Instituti Albanologjik, Prishtinë)