PROF.DR.VEBI XHEMAILI: PROGRAMI POLITIK I ORGANIZATËS STUDENTORE ‘BESA’, PËR ÇLIRIM E BASHKIM KOMBËTAR

Tetovë, 16. 07. 2015 – (Me rastin e 80 vjetorit të themelimit të Organizatës Studentore “Besa”) – 1. Përhapja e propagandës midis myslimanëve, se ata kurrsesi nuk mund të jenë turq, por janë shqiptarë. 2. Çdo anëtar e kishte për detyrë që të përhapte idenë për Shqipërinë Etnike dhe të luftonte për bashkimin e shqiptarëve; në Kosovë, Preshevë, Bujanovc dhe luginën e Vardarit. 3. Ti jepet rëndësi mësimit të gjuhës shqipe, historisë dhe kulturës shqiptare. 4. Kërkohej një regjistrim i plotë i popullatës shqiptare, që struktura e saj të jetë më bindëse para diplomacisë evropiane. 5. Kërkohej që turqit të deklaroheshin shqiptarë dhe të mësonin shkrim dhe lexim në gjuhën shqipe.
LUFTA E ORGANIZATËS STUDENTORE “BESA” PËR ÇLIRIMIN E SHQIPTARËVE NË ISH JUGOSLLAVI (1935-1945)
Organizata studentore politike “Besa”, u themelua në mars të vitit 1935, me ndërmjetësimin e Legatës Shqiptare në Beograd. Këtë organizatë në fillim të vitit 1935, e formoi Sekretari i Parë i Legatës Shqiptare në Beograd Sheremet Gjergjyli. Me ndihmën e tij filloi së vepruari kjo organizatë nacionaliste me seli në Beograd. Ky diplomat shqiptar në fillim arriti të anëtarësojë 12 studentë nga Kosova dhe Shqipëria Lindore. Sheremet Gjergjyli organizatën “Besa” e organizoi pastër në baza nacionale, ku kishin për detyrë ngritjen e vetëdijes kombëtare të popullatës shqiptare, në luftë për çlirim nacional, kundër regjimit të egër Jugosllav. Koordinator i parë i kësaj lëvizje ka qenë Abdulla Saqipi nga Presheva. Ky njihet edhe si Kryetar i i Parë Këshillit Iniciativë i kësaj organizate nacionaliste studentore shqiptare para themelimit. Aktiviteti i Abdullah Saqipit, në këtë vijë është ndër të parët organizatorë të studentëve shqiptarë të organizatës “Besa”, njëherit edhe kundërshtar i përbetuar i regjimit serb. Sipas dëshmive që na ofrojnë dëshmitarët e organizatës “Besa”, Abdulla Saqipi ka qenë një ndër studentët e parë shqiptar në Beograd. Atij nga Ambasada Shqiptare në Beograd iu ngarkua detyra e propagandës dhe e organizimit të studentëve shqiptarë në një kupolë. Abdullahu punoi shumë për përhapjen e idesë të kauzës kombëtare. Ky bëri lëvizje në shumë vende shqiptare të Banovinës së Vardrait, nga Presheva deri në Dibër e Tetovë. Ky punoi me të madhe kundër nacional-shovinizmit serb në mbrojtje të çështjes kombëtare, e cila në këtë kohë ishte e rrezikuar shumë nga shovinizmi i borgjezisë serbomadhe. Abdullahu para se të themelohej organizata “Besa”, kishte marrëdhënie të mira me konsullin e njohur shqiptar në Beograd, Rauf Ficon. Ka qenë kryesori që ka mbrojt fuqishëm djathtizmin në organizatën “Besa”., nuk lejonte të futeshin në organizatë studentët shqiptarë me bindje komuniste. Ky kërkonte me çdo kusht që Kosova dhe trevat tjera lindore t’i bashkoheshin Shqipërisë, pa marrë parasysh se çfarë regjimi kishte Shqipëria e Ahmet Zogut. Po ashtu ishte kundër bashkëpunimit të studentëve shqiptarë me komunistët, qofshin ato edhe shqiptarë, në veçanti me organizatën studentore “Kosmet”, ku bënin pjesë edhe disa shqipfolës si; Meto Bajraktari, Ali Shukriu e disa të tjerë. Si student prej vitit 1935 deri më 1938, ka marrë pjesë aktive në Lëvizjen studentore. I kishte takuar grupit “Studentët popullor”. Bashkë me Hivzi Sylejmanin (tash komisar (i besueshëm) i industrisë për Kosmet, me Esad Mekulin (nga Peja), dhe të ndjerin Aziz Sylejmanin kishte qenë përfaqësues i rinisë përparimtare shqiptare nga Kosmeti dhe Banovina e Vardarit-Maqedonia e sotme. Prej muajit gusht 1938 kishte kaluar në terenin Preshevë-Kumanovë ku kishte mbetur deri më 6 prill 1941 si udhëheqës i LNÇ-së (Koço Popoviq, Gojçe Stevkovski, Jahja Osmani, të gjithë nga Kumanova, ndërsa nga Presheva ishin: Selim Selimi, sekretar i Frontit Popullor në Preshevë, i ndjeri Abdullah Alija, Xhemush Bina, etj.

KONTRIBUTI I SHTETIT SHQIPTAR DHËNË ORGANIZATËS “BESA”
Këtë organizatë politike, me mjete financiare e ka ndihmuar shteti shqiptar i Zogut. Në veçanti ndihmë të madhe ka ofruar, Sekretari i Parë i Legatës Shqiptare në Beograd, Sheremet Gjergjyli. Ky ka marrë pjesë aktive në mbledhje me anëtarët e shoqatës “Besa” në “Koshtunjak”, një para lagje e Beogradit, duke u dhënë detyra konkrete anëtarëve të organizatës. Detyra e parë ishte grumbullimi i të dhënave statistikore për popullsinë shqiptare në Kosovë dhe trojet tjera lindore shqiptare të aneksuara nga regjimi jugosllav.
Në fillim kjo organizatë përbëhej nga studentë të trojeve të Shqipërisë Verilindore, që studionin në Universitetin e Beogradit. Por ka pasur student edhe nga Shqipëria politike që kanë studiuar në Beograd si studentët; Abdyl Selfo Sejko, i cili pas studimeve u punësua në në Jug të Shqipërisë, në Filat. Ndërsa studenti tjetër nga Shkodra, Ilia Banushi, pas kthimit në Shqipëri, punoi si profesor në gjimnazin e Tiranës. Pastaj u transferua si dhespot në Gjirokastër, u burgos në vitin 1945, nga pushteti i Enver Hoxhës si nacionalist-djathtistë. Ndërsa shumica e këtyre studentëve tjerë ishin nga qytetet e “Banovinës së Varadarit”, pra, nga Kosova, Presheva, Kumanova, Tetova, Gostivari, dhe Struga. Të gjithë këta studentë më parë kishin mbaruar medresenë në Shkup. Koordinator i të gjitha lëvizjeve me karakter progresiv ishte studenti dhe komunisti, Shaip Mustafa nga Presheva. Ky me ardhjen e bullgarëve në Shkup, ka organizuar demonstrata kundër tyre duke kërkuar që Shkupi ti bashkohet Shqipërisë, e jo Bullgarisë, për këtë veprim kombëtar internohet nga pushteti fashist bullgar, bashkë me Jahja Osmanin për 6 muaj në Tetven të Bullgarisë. Këta dy lirohen me intervenimin e konsullatës italo-shqiptare në Shkup, duke paguar edhe para për lirimin e tyre të mbledhur nga populli, Pas lirimit nga internimi vendosen në Shkup. Por pasi ishin të përndjekur nga regjimi bullgarë këmba-këmbës, ata pas një kohe kanë qenë të detyruar që të iknin natën në tokat e liruara shqiptare dhe të kalojnë te kufiri në Grupçin, duke paguar kufitarët bullgarë dhe të futen në territorin e lirë shqiptarë që në këtë kohë ishte bashkuar me shtetin amë. Këta dy shokë vazhduan rrugën nga Tetova Kërçova dhe Struga, për Tiranë..
Shaipi pas në vizite që i bëri Mustafë Krujës në Tiranë me Jahja Osmanin, kthehet dhe vendoset në Tetovë, ku me ndihmën e Shaip Kamberit dhe Nënprefektit të Tetovës atdhetarit të njohur doktor Xhafer Sulejmanit, punësohen si gjykatës në Tetovë, ku ishte martuar me shoqen Lubica Anteska dhe ishte bërë banor i përhershëm i qytetit Tetovë.
Shaip Mustafa ka qenë gjykatës i rrethit në Tetovë prej prillit 1942 deri më 17 nëntor 1943, pastaj shpërngulet në Kërçovë, kur e morën pushtetin komunistët, pastaj kthehet në Tetovë, dhe nga Tetova internohet në Prishtinë. (E jo si tentojnë ta paraqesin disa komunist shqiptarë dhe sllav se ato i punësoi aktivi i PKM në krye me Kuzman Josifovskin) në Tetovë kur dihet se në atë kohë në Tetovë deri në vitin 1943, nuk ka pasur asnjë komunist as shqiptarë as maqedonas).(V.Xh).
DISA KOMUNISTË SHQIPTARË MË SHUMË U BESONIN KOMUNISTËVE JUGOSLLAV SE SA VETË SHQIPTARËVE
Edhe pse Shaipi me Mustafën kanë qenë shokë studimesh në Beograd ata kanë pasur qëndrime antagoniste në lidhje me platformën komuniste. Por kjo nuk i pengonte fare Shaip Kamberit ta strehonte në këtë situatë të vështirë në Tetovë, Pasi Presheva dhe Shkupi ishin nën sundimin e egër bullgar. Edhe pse Shaipi e dinte që nga Beogradi se Mustafa (apo Marko me pseudonimin siç e kishin pagëzuar komunistët)..
Ky edhe në Tetovë takohej me disa aktivistë komunistë jugosllav dhe me direktivat e tyre i punonte pas shpine Shaipit dhe Kryetarit të Komunës doktor Xhafer Sulejmanit, për përhapjen e ideve komuniste dhe nuk e njihte shtetin e bashkuar shqiptar të shpallur nga Mustafë Kruja dhe Emanueli i III.-të, më 12 gusht 1941, pra, bashkimin e tokave të liruara nga regjimi italian më 12 gusht 1941. Me këtë rast historiografia Jugosllave për herë të parë do të shënojë në librin “Balisti” se shqiptarët për herë të parë arritën të realizojnë platformën Lidhjes së Parë të Prizrenit të vitit 1878, të trasuar nga Abdyl Frashëri në Kuvendin e Lidhjes së Parë në Prizren.
AKUZAT TEMPOS KUNDREJT KOMUNISTËVE SHQIPTARË
Me ardhjen për herë të parë të Tempos në Tetovë në mars të vitit 1943, fillojnë peripecitë e Shaip Mustafës me komunistët jugosllav, në veçanti Shaipi u luftua si heretik, nga antishqiptari i njohur Tempo, . Komunistët jugosllav ishin tejet të indinjuar sepse Shaipi në Tetovë më së shumti bashkëpunonte me mësuesit dhe aktivin komunistë shqiptarë të ardhur nga Shqipëria, se sa me komunistët sllavo-maqedonas që tani kishin filluar me aktivitetet e tyre në mënyrë ilegale. Shaip Mustafa si jurist i njohur, aty ka fundi i vitit 1944, ai ftohet në Prishtinë me kërkesë të Fadil Hoxhës për të arrestuar Xhafer Devën, pasi ai kishte urdhëruar vrasjen e komunistit dhe sekretarit të PKJ për Prishtinën, Murat Pecin.
Temo e ka akuzuar Shaipin si antijugosllav, antimaqedonas dhe shovinist. Shaip Mustafa i kundërvihet me oratorinë e tij të njohur, deklaron mësuesi dhe pjesëmarrësi në këtë mbledhje Ahmet Pere në memoaret e tij. Tempo, në fund dha urdhër që Shaipi të përjashtohet nga Partia Komuniste Jugosllave. Pas luftës Shaipi burgoset nga OZN-a jugosllave me urdhër të vetë Tempos. Me akuzë, se “ka kërkuar bashkim të komunistëve shqiptarë me PKSH”.
VEPRIMTARIA POLITIKE E ORGANIZATZËS BESA
Organizata “Besa”, në fillim ka vepruar ilegalisht, në plan të parë ka pasur për objektiv përhapjen e idesë për çlirimin e Shqipërisë Lindore dhe bashkimin e saj me Mbretërinë Shqiptare të Mbretit Zog. Këta studentë, kudo që shkonin propagandonin idenë, që në momentin e dhënë shqiptarët të bashkohen me Shqipërinë. Në platformën e tyre për bashkim kombëtar u dalluan studentët: Ibrahimi Lutfiu nga Prizreni, Qazim Bllaca nga fshati Bllacë i Malishevës, Imer Esat Berisha nga Gjilani, Nexhip Deva nga Mitrovica, Abdulla Saqipi nga Presheva, Tahiri Ismaili nga Matejçi i Kumanovës, Shaip Mustafa nga Presheva, me Jahja Osmanin nga Kumanova, të dy anonin kah e djathta. Të bindur në parullën komuniste se pas luftës shqiptarët do të bashkohen ma Shqipërinë. (Parulla Tito-Hoxha), këta dy vepronin së bashku, deri në ardhje e regjimit bullgarë në Shkup me rrethinë. Gjatë vitit 1942 u vendosën në Tetovë. (V.Xh).
Xhevdet Pallaska dhe Sokol Dobroshi nga Gjakova. Sokol Dobroshi pas kthimit në vendlindje shkon në Gostivar te Kadri Saliu, ku ka punuar si stazhit te senatori dhe avokati i njohur i nacionalizmës shqiptare në Gostivar. Në këtë organizatë nga Tetova, më i njohuri ishte Shaip Kamberi Ikona e nacionalizmës shqiptare nga fshati Gajre i Tetovë. Ky nga viti 1943 u emërua kryetar komune në Tetovë. Ndërsa nga viti 1944 nxori edhe gazetën “Zani i Sharrit”. Nga Struga më i njohuri ishte Esat Doko. Ky, në fund të luftës, gjatë muajt tetor-nëntor 1944, kalon nga forcat partizane.
Pas themelimit të Organizatës “Besa” me iniciativën e Legatës Shqiptare, ajo në fillim veproi si e bashkuar, por më vonë ajo ndahet në dy rryma politike: në majtistë dhe djathtistë. Në krahun e majtistë më i njohuri ishte preshevari Shaip Mustafa nga Presheva dhe Jahja Osmani nga Kumanova që vepronin në Shkup. Ndërsa këtij krahu i takonin edhe Abdulla Saipi dhe Xhevdet Pallaska.
Ndërsa si djathtistë më të njohur në organizatën politike “Besa” ishin: Ibrahim Lutfiu nga Suha Reka, Sokol Dobroshi nga Gjakova, Shaip Kamberi nga Tetova. Këta nuk i besonin platformës komuniste për barazi ndëretnike dhe çlirim nacional. Këta ishin kundër bashkëpunimit me komunistët shqiptarë dhe malazez që kishin erdh në Kosovë si kolonistë dhe vepronin nën platformën e Partisë Komuniste të Jugosllavisë. Më vonë kësaj organizate iu bashkëngjit edhe Ferhat Draga, i cili ka marrë pjesë si mediator midis ambasadës italiane dhe organizatës “Besa” të Beogradit.
Programi themelor i kësaj organizate ishte, çlirimi i trojeve shqiptare me Kosovë, Preshevë, Shkup deri në Veles dhe bashkimi i tyre me shtetin amë. Anëtarët e organizatës “Besa”, kanë pasur për detyrë sipas programit të tyre kombëtar që në kontaktet me qytetarë të përhapin platformën për bashkimin e trojeve shqiptare të aneksuara me dhunë nga pushteti Jugosllav, ti bashkëngjiten Shqipërisë.
Me formimin e kësaj organizate të fshehtë politike me karakter mbarëkombëtar, nëpërmes një telegrami u informua edhe Mbreti Zog. Organizata “Besa” ka mbajtur kontakte të pa ndërprera me Legatën shqiptare në Beograd dhe Shkup. Në manifestimin e ditës së Flamurit më 28 nëntor 1936, diplomati shqiptar në Beograd Rauf Fico, në përshëndetjen e tij me rastin e ditës së flamurit ndër të tjera tha: “Bijtë e mijë, ju jeni të lumtur. Ju keni një atdhe të lirë, ju një Mbret të Madh e të mençur. Shqipëria është e juaja, Mbreti është i juaji. Keni mbret gjenial. Ai rri zgjuar për fatin e kombit”.
Në Beograd, kundër veprimtarisë nacionaliste “Besa”, vepronte organizata studentore “Kosmet”, e themeluar poashtu në Beograd, ku shumica nga këta studentë ishin kolonistë malazez, që ishin vendosur në Kosovë nëpërmes reformës agrare. Kjo organizatë studentore e ashtuquajtur “Kosmet”, pas vitit 1937, ka qenë shumë e fuqishme edhe ndër studentët shqiptarë që studionin në Beograd dhe qytete tjera të Jugosllavisë. Kjo organizatë për të përfituar shqiptarët në anën e tyre, u tregua shumë e vendosur në veçanti kundër grabitjes së pronësisë ndaj shqiptarëve. Ajo publikisht doli kundër vendimit të Qeverisë Serbe për marrëveshjen që kishte lidhur ajo me Qeverinë Turke, në lidhje me shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi.
Me këtë platformë të ideologjisë komuniste jugosllave vepronin edhe disa studentë shqiptarë që studionin në Universitetin e Beogradit: si Ali Shkriu, Meto Bajraktari, Zejnel Ajdini, Rashid Dedoviqi, Hivzi dhe Azis Selejmani, Shaip Mustafa, Selim Selimi, Mexhid Saliu, Abdulla Presheva, Abduraman Hajdar Pasha e tjerë. Ndërsa takimet i mbanin në klubin “Kosova” në Beograd.
Për pozitën e vështirë ekonomike dhe politike të shqiptarëve nën sundimin Jugosllav, kanë pasur njohuri edhe shtet e evropiane. Në veçanti shërbimi informativ italian i cili ka pasur lidhje me disa organizata shqiptare dhe krerë të saj, pasi ajo ishte shumë e interesuar për gjendjen e shqiptarëve nën Jugosllavi. Në veçanti diplomacia konsullore mbante lidhje të ngushta, me organizatën studentore “Besa” të Beogradit.
Me këtë rast duhet theksuar se demonstratat e shqiptarëve në Shkup, të organizuara më 10 maj 1941 kundër sunduesve bullgarë i kanë organizuar anëtarët e organizatës studentore “Besa” të Beogradit. Parulla e tyre ishte: “Shkupi e Kumanova me Preshevë t’i bashkohen Shqipërisë”. Po ashtu kjo organizatë ka organizuar një manifestim edhe në Tetovë, po me të njëjtën kërkesë.
Qazim Bllaca ka qenë student i drejtësisë në Beograd. Gjatë luftës së Dytë Botërore ishte kryetar komune në Prizren. Ky para luftës ishte anëtar i Organizatës “Besa”. Sipas të dhënave që disponojmë, ai u bë anëtar i organizatës nga fundi i vitit 1935, në fillim të vitit 1936. Ky ishte rreshtuar në krahun e Ibrahim Lutfiut. Te ky si kryetar komune erdhën një grup veprimtarësh, si Jahja Osmani, Shaip Mustafa, Xhevdet Pallaska, Sokol Dobroshi, ku së bashku i shkruan një qarkore, Kryetarit të Qeverisë Shqiptare, Rexhep Mitrovicës, në të cilën kërkohej: “Ne studentët shqiptarë nuk pajtohemi me politikën e ndarjes së një pjese të Kosovës, nga Shqipëria, që duan ta zbatojnë forcat bullgare dhe pushteti italian”.
Poashtu duhet cekur aktivitetin e dendur të Esat Imer Berishës nga Gjilani. Ky si student i drejtësisë në Beograd nga viti 1934, ka qenë shumë aktiv në ngritjen e vetëdijes kombëtare. Në organizatën “Besa” ka mbajtur krahun e Kryetarit Ibrahim Lutfiu. Gjatë luftës ka qenë funksionar politik i degës së Partisë Fashiste në Gjilan, mbante postin e Sekretarit të partisë. Gjatë kësaj kohe ka punuar në gjyqin e Gjilanit. Me këtë shoqërohej Aqif Tetova dhe nënprefekti Rakip Raça, nga Shqipëria, ky më vonë përcaktohet me detyrë në Gostivar. Rakipi pasi vendoset në Gostivar, arrin sëbashku me Xhevat Kallajxhiun të bindin Xhemë Hasën, që të kthehet në Gostivar, që të veprojë në anën e forcave nacionaliste, në mbrojtje të Shqipërisë Etnike, nga depërtimi komunist jugosllav.
Anëtarët e Besës u bënin apel studentëve shqiptarë të mos bien pre e propagandës komuniste. Në këtë veprimtari kombëtare është dalluar Sokol Dobroshi nga Gjakova, njëri ndër më aktivët në këtë organizatë.
Sokol Dobroshi, ka marr pjesë në Kuvendin themelues të organizatës “Besa”, të mbajtur në mars të vitit 1935. Ai ka propozuar që emri i organizatës të ishte “Liria”, ose “Besa”, u pranua “Besa”, thotë një ndër themeluesit, Abdulla Saqipi. Sokoli i ka takuar krahut me bindje të fuqishme djathtiste, ka luftuar për shkëputjen e Kosovës dhe bashkimin e saj me Shqipërinë. Ka qenë mediator që organizata të lidhet sa më ngushtë me konsullatën shqiptare në Beograd. Sokoli ka punuar në fillim si ndihmës te avokati i njohur Kadri Saliu në Gostivar. Sokoli ka merita për formimin e degëve të “Besës” në Gostivar, Strugë, Tetovë, Gjilan dhe Prizren.
Lidhjet e organizatës me Kosovën i mbante Sadik Tafarishi nga Gjakova. Ai ka sjellë letra dhe raporte nga Kosova për Rexhep Stabllevën në Shkup, “për brendinë e letrave i tregonte vetëm Nevzat Maksutit”.
Politika e shtetit shqiptar, në krye me Mbretin Zog, në atë kohë ishte shumë e interesuar që përmes organizatës “Besa”, të frymëzohej rinia shqiptare që jetonte nën sundimin jugosllav për organizimin e rezistencës kundër shpërnguljes dhe ngritjen e vetëdijes kombëtare për çlirimin e trojeve shqiptare nga sundimi jugosllav. Në atë kohë shteti shqiptar u ndante edhe para veprimtarëve të organizatës “Besa”, përmes diplomatit Ymer Rashidi, i cili në vitin 1938 u emërua konsull në Shkup.
Në atë kohë diplomacia shqiptare ishte shumë e interesuar për të bashkuar shqiptarët në rrafshin politik. Kjo ishte arsyeja që Rexhep Stablleva dhe Shaip Presheva biseduan për rrethanat politike në Jugosllavi dhe pozitën tejet të vështirë të shqiptarëve në Kosovë dhe Banovinën e Vardarit. Biseda u fokusua në të mirë të veprimit të përbashkët të parisë shqiptare kudo që vepronte. Prandaj konsulli shqiptar në Shkup, Ymer Rashidi, e luti Shaip Musatafën që të koordinonte veprimet politike me Ferat bej Dragën. Por Shaipi, i mbushur përplot me ide komuniste, në fillim nuk pranoi bashkëpunim me Ferat Dragën.
TAKIMI I UDËHEQËSVE TË BESËS NË PARIS ME KOMITETIN E KOSOVËS
Për rëndësinë politike të organizatës “Besa” fletë edhe takimi që kanë pasur udhëheqësit e organizatës “Besa”, Lutfiu dhe Shaipi në Paris, me udhëheqësit e Komitetit të Kosovës, ku bënë këmbimin e informatave dhe i caktuan detyrat për zhvillimin e mëtejshëm të organizimit të popullit drejt bashkimit me Shqipërinë.
Propaganda komuniste për dështimin e politikës jugosllave akuzonte anëtarët e organizatës “Besa”. Ajo publikisht deklaronte: “se përçarje më të mëdha midis serbëve, malazezëve dhe shqiptarëve ka futur organizata “Besa”. Pas 28 prillit të vitit 1941 në trojet shqiptare të Maqedonisë Perëndimore vendoset ushtria italiane. Ata kudo në krahinën e Maqedonisë Perëndimore u pritën si çlirues, me lule dhe shumë manifestime në të gjitha trojet shqiptare që u aneksuan nga regjimi jugosllav, me vendimin e Konferencës së Bukureshtit që nga 29 korriku i vitit 1913.
Në vitin 1938 në Tetovë, me iniciativën e Shaip Kamberit në bashkëpunim me Nexhbedin Besimin, Selim Shehapin dhe Idris Cërcërin, në shtëpinë e Selman Shehapit, të vëllait të Selim Shehapit u themelua Dega e “Besës”, në praninë e 16 anëtarëve, ku për kryetar u emërua Ibrahim Ibrahimi-Cërcëri.
ÇFARË I THA AQIF TETOVA – FADIL HOXHËS
Atdhetari Aqif Tetova është i njohur për veprimtarinë e tij kombëtare në mbrojtje të Shqipërisë Etnike. Ai ka vepruar gjatë luftës së Dytë Botërore në Gjilan me rrethinë, pasi ka qenë edhe Sekretarë i Nënprefekturës së Gjilanit. Ky në takimin që pati me Fadil Hoxhëne kundërshtoi Fadilin fuqishëm, në një tubim që patën në Livoç, Aqifi i thotë; “ Fadil mos u beso komunistëve sllavë, se atyre nuk besohet, ata përsëri do të na mashtrojnë”.
Gjilani në këtë kohë i takonte Prefekturës së Prishtinës e cila kishte në kuadër të saj edhe nënprefekturën e Ferizajt, me gjithsejtë 21 komuna dhe tri bashki. Pushteti italian deri në gusht të vitit 1941 kishte formuar vetëm tri Prefektura në tokat e liruara: Dibrës, Prizrenit dhe Prishtinës. Esat Berisha, gjatë studimeve në Beograd, ka marrë ndihma financiare nga Drejtoria e Vakëfeve në Shkup, ndërsa më vonë ka marrë ndihma edhe si aktivist i organizatës “Besa”, nga Legata Shqiptare në Beograd.
KOMUNISTËT E PARË QË VEPRUAN NË KOSOVË
Studentët komunistë shqiptarë që studionin në Beograd e forcuan propagandën komuniste me kthimin e Fadil Hoxhës në Kosovë. Ky kishte mbaruar shkollimin në Tiranë, atje ishin nxënësit shqiptarë ishin frymëzuar me literaturë marksiste-leniniste, që u printe Asim Vokshi, i cili ishte bë i njohur me pjesëmarrjen e tij në rezistencën e Fierit në vitin 1935, pastaj edhe u burgos për disa muaj nga regjimi i Amet Zogut. Asimi duke shpërndarë literaturë marksiste-leniniste, i porosiste nxënësit shqiptarë që të lexojnë veprën e Maksim Gorkit “Nëna”, por më e lexuara ndër nxënësit kosovarë ishte “Rruga e një bolsheviku”. Ky arriti të përvetësonte edhe shumë mësues tjerë që shkolloheshin në atë kohë në Tiranë dhe qendra tjera. Shumica nga këta nxënës, me fillimin e luftës u kthyen në Kosovë dhe filluan propagandën e idealeve komuniste, internacionaliste që propagandonin “vëllazërim bashkimin” me të gjithë komunistët, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre nacionale.
Ndër veprimtarët më të njohur të ideve komuniste që u kthyen në Kosovë ishin: Emin Duraku, Hajdar Dushi, Xheladin Hana, Qemal Bakija, Xhevdet Hamza, Ymer Pula, Mazllum Këpuska, Veli Deva, Ismet Mula, Hysen Shita, Ismet Shqiri, Xhavit Nimani, Ramadan Çitaku, Sadik Stavileci, Mehmet Hoxha e shumë të tjerë.
TEMPO VIZITON SHQIPËRINË
Mehmet Hoxha gjatë sundimit italian ka qenë nëpunës në Elbasan, pastaj emërohet Prefekt i Dibrës, por këtu ka bashkëpunuar fuqishëm me lëvizjen komuniste, duke i bërë dëme të mëdha së pari Prefekturës së Dibrës, ku bënin pjesë; Tetova, Dibra, Kërçova, Struga. Këto qytet shqiptare u bashkuan me trungun e vet. Njëherrit ajo rrezatohej edhe kundër institucioneve të shtetit bashkuar shqiptar, pas copëtimit arbitrar të Shqipërisë në Konferencën e Londrës më 22 mars 1913.
Me lejen e Mehmet Hoxhës, (ky ishte me prejardhje nga Gjakova), Organizata e Partisë Komuniste në Dibër, i nxjerr Tempos dhe shoqes së tij letër njoftimi, duke e bërë qytetar të Dibrës, për të lëvizur lirshëm nëpër qytete shqiptare. Pasi Tempo bëhet banor i Dibrës, kah Struga shkon në Elbasan, ku takohet me Enver Hoxhën dhe koordinatorin e PKSH, Milladin Popoviqin.
PROPAGANDA ITALIANE SHKONTE NË FAVOR TË KAUZËS KOMBËTARE-SHQIPTARE
Okupatori fashist ishte i njohur mirë me rrethanat politike dhe ekonomike të shqiptarëve nën sundimin e Mbretërisë Jugosllave. Në anën tjetër edhe Lëvizja Kombëtare në territorin shqiptar ishte forcuar fuqishëm në prag të luftës së Dytë Botërore. Propaganda shqiptare dhe aspiratat e saja për çlirim nacional në krahinën e Maqedonisë e sidomos në viset përgjatë luginës së Vardarit dhe Kosovës ishin permanente në zgjidhje të çështjes shqiptare. Në këto rrethana të vështira politike, ekonomike ku shqiptarët kërkonin shpëtim dhe drejtësi.
Diplomacia italiane doli me platformën për të korrigjuar gabimet e së kaluarës, duke u premtuar shqiptarëve bashkimin kombëtar. Pasi këto territore u pushtuan pas luftës së Parë Ballkanike në vitin 1912, dhe me Paqen e Bukureshtit në vitin 1913, i mori dhuratë Serbia. Kërkesat e shqiptarëve midis dy luftërave botërore politika ditore sllave e karakterizoi si kërkesë separatiste për krijimin e Shqipërisë Etnike, në dëm të Jugosllavisë.
Kjo ishte arsyeja që forcat nacionaliste përkrahnin fuqishëm premtimin e forcave të boshtit qendror dhe ishin të “bindur”, se fashizmi u ofron më shumë të drejta në aspektin nacional, që deri atëherë nën sundimin jugosllav ishin të sanksionuara me ligj: si arsimi, gjuha, kultura dhe simbolet kombëtare. Shqiptarët para organeve zyrtare serbe nuk kishin të drejtë të deklaronin përkatësinë e vetë nacionale dhe i detyronin me forcë të paraqiten si turq. Klasa sunduese serbe i kishte verbuar shtetet Evropiane dhe forcat demokratike deri në skajshmëri. Klasa sunduese serbe haptazi deklaronin: “Se më mirë ne të jemi sundues të tyre, se ata, pasi ne jemi më të kulturuar dhe dimë të udhëheqim”.
KËRKESAT E NACIONALIZMËS KOMBËTARE SHQIPTARE PËR SHQIPËRINË ETNIKE (1941-1945)
Pas Paqes së Shën Stefanit, Bullgaria me përkrahjen e Rusisë gjithmonë ka qenë prezentë në Ballkan, e në veçanti politika e saj hegjemoniste, kundrejt Shqipërisë Etnike. Në prag të Luftës së Dytë Botërore, aspiratat e saj u ringjallën si gjatë luftës së Parë Botërore, kur ajo e pushtoi një pjesë të Kosovës, tërë luginën e Vardarit deri në Dibër. Në atë kohë, në krye të saj ishte qeveria e Filovit e cila pretendonte jo vetëm krahinën e Maqedonisë të banuar me shqiptarë, por kërkonte zgjerimin e saj deri në Pogradec. Interesi i politikës gjermane ishte për të pasur Bullgarinë në boshtin e saj për të dominuar mbi Ballkanin. Ajo propagandonte: “Duhej rregulluar padrejtësitë e bëra ndaj Bullgarisë pas mbarimit të luftës së Parë Botërore. Hitleri publikisht i deklaroi Duçes: “Se duhet kënaqur aspiratat e shtetit bullgar”. Kjo deklaratë i erdhi për shati Car Borisit dhe qeverisë bullgare në krye me Fillovin. Këto aspirata hegjemoniste e shtyn Bullgarinë që për së treti herë të hy në këto lojëra katastrofale në dëm të shteteve fqinje. Në radhë të parë ajo donte të zgjerohej në dëm të Shqipërisë Lindore, duke pushtuar territore shqiptare që kurrë nuk i kanë takuar Maqedonisë, siç pretendojnë ta paraqesin sot bullgarët dhe maqedonasit.
Historikisht nga periudha ilire ato kanë qenë dhe janë me tapi toka të Shqipërisë Lindore, duke filluar nga Tetova, Shkupi, Kumanova deri në Preshevë e Bujanovc, ka dominuar gjithmonë elementi etnik shqiptar.
Nacionalizma shqiptare e udhëhequr nga Komiteti i Kosovës dhe shumë nacionalistë tjerë kurrë nuk u mashtruan me këto plane të fashizmit, që ishin premtime gjysmake, ku në radhë të parë vinin interesat e tyre strategjike.
Prandaj nacionalizma shqiptare kërkonte Shqipërinë e vërtetë, por jo dhuratë nga fashizmi. Kjo shihet më së miri në bisedat që pati Hasan Prishtina me diplomatin italian: “se në rast lufte kundër Jugosllavisë ai ishte i gatshëm të mobilizojë mbi 100 mijë shqiptarë”. Kjo u vërtetua kur forcat nacionaliste iu kundërvunë ndarjes së re të shqiptarëve sipas projektit gjerman, që Tetova, Gostivari, Struga dhe Dibra ti takojnë Bullgarisë fashiste. Kësaj ndarje të re iu kundërvunë Forcat nacionaliste shqiptare, në krye të lëvizjes ishte Organizata Besa”.
Me ardhjen e Italisë një pjesë e Maqedonisë s; sotme Perëndimore, iu bashkua Shqipërisë politike, pasi historikisht këto ishin territore shqiptare të grabitura nga pushteti serb, që ajo i trajtonte si koloni të veta që nga viti 1912-1913. Në atë kohë Fuqitë e Mëdha në Konferencën e Londrës, në mënyrë arbitrare, i dhuruan Mbretërisë Serbe, tërë Vilajetin e Kosovës, me disa qytete të vilajetit të Manastirit si: Kërçovën, Strugën, Velesin, Manastirin Prilepin dhe Ohrin. Pra, u realizua ëndrra serbe, për krijimin e Serbisë së Madhe në dëm të tokave etnike shqiptare.
Pas kapitullimit të Jugosllavisë në fillim të vitit 1941, u bë deri diku korrigjimi i drejtësisë ndaj trojeve të okupuara shqiptare. Me copëtimin e Jugosllavisë një pjesë e tokave etnike përsëri iu bashkua trungut të vetë Shqipërisë. Kjo ishte arsyeja pse luftonin forcat nacionaliste, “që Tetova me Kosovë të mbetet pjesë integrale e saj.“
Jugosllavia kapitulloi vetëm për 12 ditë; shkaqet ishin të shumta; lufta sociale, pozita e vështirë ekonomike, mungesa e barazisë, dhe e drejta për vetëvendosje të kombeve, si formë më demokratike për një popull të ekzistoj i lirë. Kjo është e mundur vetëm në kufijtë etnik të saj që mos të vij deri te eksplodimi i brendshëm i kufijve artificial, si shembull më eklatant mund të merret rasti me Jugosllavinë e Versait. V.Xh).
(Fusnotat janë hequr)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura