Shkup. 02. 04. 2014 – (Floresha Dado, Sfida teorike të historiografisë letrare, Bota shqiptare, Tiranë, 2009: 3689 – Historia e letërsisë është disiplinë shkencore e shkencës së letërsisë, e cila studion proceset letrare (veprat, autorët, faktorët dhe mjedisin që ndikojnë në veprën letrare), si dhe procesin e lindjes dhe të ndryshimit të tyre historik. Është disiplinë relativisht e re shkencore, e formuar në shekujt 18 – 19. Konstituimin e vet shkencor ia detyron gjysmës së dytë të shekullit të 20, kur ngritet në disiplinë të pavarur shkencore me elementët përbërës të veçantë për studimin e lëndës së saj.
Të gjitha përgjigjet në pyetjet e lëndës së historisë së letërsisë, metodologjisë, marrëdhënieve dhe raporteve ndërdisiplinore si brenda disiplinave të shkencës së letërsisë, ashtu edhe me disiplinat e tjera shkencore të shkencave humanitare, parimeve të hulumtimit e të vlerësimit, personalitetin e historianit të letërsisë, mekanizmave të studimit e të interpretimit, mënyrës së segmentimit, organizimit e sistemimit, renditjes e përzgjedhjes së lëndës studimore, si dhe të kritereve të hartimit të historisë së letërsisë shqiptare gjenden në librin e akademike Floresha Dados, “Sfida teorike të historiografisë letrare”, të botuar më 2009 nga “Bota shqiptare”, në Tiranë, e të prezantuar në mediat shqiptare (18 janar 2010).
– Studiuesja Floresha Dado –
Për herë të parë në historinë e librit shkencor shqip, një libër i veçantë, krejtësisht shkencor, i vetmi i këtij lloji i përgatitur nga një autore që ka bërë punën e një ekipi të tërë studiuesish të specializuar, në mënyrë të përmbledhur e të sintetizuar prezantohen debatet, përpjekjet e sprovat e studiuesve (shqiptarë e të huaj) për probleme të shkencësisë së historisë së letërsisë në përgjithësi. Në këtë libër jepet një sintezë e studimeve të deritashme teorike historikeletrare botërore dhe një pasqyrë historike e përpjekjeve për hartimin e historisë së letërsisë shqiptare, si dhe kahet e historishkrimit shqiptar në të ardhmen. Libri është një përshkrim analitik e sintetik i gjendjes së studimeve historikeletrare në përgjithësi, përfshi edhe ato shqiptare. Është një problematizim i lëndës së studimit historikletrar në drejtimin si duhet shtruar, rrahur e studiuar lënda dhe cilat janë detyrat e cilat janë synimet e kësaj disipline shkencore. Botimi i këtij libri shënon një ndihmesë shumë të rëndësishme e shumë të çmueshme shkencore në zhvillimin e studimeve historikeletrare shqiptare e botërore.
1. Pak biografi
Floresha Dado është njëra prej studiueseve më serioze, shkencorisht më të përgatitura shqiptare për probleme të studimit teorik të letërsisë në përgjithësi e të letërsisë shqiptare në veçanti. Profesoreshë shumëvjeçare e teorisë së letërsisë në Universitetin e Tiranës, nga viti 2008 edhe anëtare e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Është autore e disa librave: A. Z. Çajupi, jeta dhe vepra (1983); Proza nëpër teknikat poetike (1997); Teoria e veprës letrare (1999); Intuitë dhe vetëdije kritike (2006). Kohë më parë, para opinionit shkencor shqiptar doli me këtë libër të ri, në të cilin ka derdhur përvojën teorike shkencore të një studiueseje të përgatitur e të mirëfilltë të studimit të letërsisë shqiptare, në dhënien e informacionit të përpiktë shkencor, korrekte në shfrytëzimin e një literature krejtësisht profesionale shkencore dhe të përkushtuar në studimin teorik të dijes së saj.
2. Struktura e librit
Libri ndahet në 16 kapituj voluminozë, që si njësi të veçanta paraqesin tërësi të plota kuptimore, nëpër të cilët me sukses shtrohen e rrihen çështje të rëndësishme të kësaj disipline shkencore. Studiuesja Floresha Dado është ndalur në ato pika për të cilat ka konsideruar se është e domosdoshme të përqendrohet vëmendja e studiuesit shqiptar të historisë së letërsisë. Libri shoqërohet me një bibliografi jashtëzakonisht të pasur teorike dhe specialistike 14 faqëshe (fq. 355 – 368), ku përfshihen veprat e studiuesve më në zë botërorë (bashkëkohës dhe të të kaluarës) për çështje teorike dhe historikeletrare botërore, përfshirë edhe studiuesit shqiptarë që janë marrë me këto çështje. Prirjet e autores për t’i trajtuar me sukses këto çështje me rëndësi themelore të shkencës së historisë së letërsisë janë dëshmuar me librat e mëlartpërmendur. Ajo, me këtë libër e ka zgjeruar fushën e interesimit shkencor për çështje specifike e të veçanta të lëndës së historisë së letërsisë.
Në çdo kapitull kontekstualizimin dhe sistemimin e lëndës së marrë në shqyrtim autorja e shoqëron me një hyrje, ku kontekstualizohet lënda dhe në vijim merret me historinë e shtruarjes e të rrahjes së problemit të saj si në hapësirat botërore, ashtu edhe në traditën shqiptare dhe në fund jepen konstatimet. Çdo kapitull është i ndarë në nënkapituj, në të cilët ndaras trajtohen çështje të veçanta të historisë së letërsisë në dy plane: (a) në njërin jepet një pasqyrë historike e studimit të çështjes në plan global, pra, botëror; dhe (b) në tjetrin debatohet për bartjen e këtyre debateve në mjedisin shqiptar. Kësaj metodologjie pune ia nënshtron gjithë lëndën e librit, në të gjithë kapitujt: si në ata ku debatohet për shkencësinë e historisë së letërsisë, marrëdhëniet e saj të ndërsjella ose të tërthorta me disiplinat e tjera shkencore, metodologjinë e punës studimore të historianit të letërsisë, ashtu edhe në ato pjesë ku diskutohet për faktorët dhe kategoritë qenësore të saj, si janë segmentimi (periodizimi), ose sistemimi (radhitja) dhe vlerësimi (përzgjedhja), si dhe në pjesën ku flitet për kriteret e hartimit të historisë së letërsisë shqiptare.
3. Pse u shkrua ky libër?
Është titullimi i shënimit hyrës. Aty arsyetohet frymëzimi, nxitja dhe qëllimi i hartimit të këtij studimi të thelluar e shterues teorik të historisë së letërsisë. Midis tjerash, si pikënisje, autorja, nënvizon shqetësimin për gjendjen e pavolitshme të studimeve historikeletrare shqiptare. Ajo pohon se, kohëve të fundit, në studimet historikeletrare shqiptare, vërehet “një lloj amatorizmi në gjykimin e problemeve të historiografisë sonë letrare”, që konsiderohet si pasojë e “atmosferës së paorganizuar të shkencës së sotme” (fq. 5) shqiptare nga ndonjëri prej institucioneve përkatëse universitare ose të akademive të shkencave. Për tejkalimin e kësaj situate të padëshiruar të historishkrimit letrar shqiptar autorja është e mendimit se është e domosdoshme të plotësohen disa kërkesa: (a) që trajtimi i këtyre problemeve të shtrohet në aspektin teorik historik (fq. 6); sepse (b) hartimi i historisë së letërsisë kombëtare “nuk është thjesht dëshirë” e vullnet i mirë i ndonjë indvidi, por detyrë dhe obligim i “specialistëve të letërsisë”; dhe (c) studiuesi që do të merret me historishkrimin shqiptar duhet të ketë “formimin e domosdoshëm shkencor” (fq. 7).
Kopertina e librit: ‘Sfida teorike të historiografisë letrare’
4. Mendimi shkencor shqiptar dhe “skemat universale”
Çështjet që ngriten, në këtë libër të parë monografik të këtij lloji për historiografinë letrare jo vetëm shqiptare, por edhe botërore, kanë të bëjnë kryesisht me sistemimin dhe organizimin e lëndës së historisë së letërsisë dhe me mënyrën e shqyrtimit e të studimit të saj shkencor. Libri hapet me një kapitull të tillë si: “A është sot studimi historik – letrar në krizë?” (fq. 18 – 21). Kjo pyetje me shumë interes për historinë e letërsisë shqiptare ka qenë objekt i debateve të shumta në vitet ‘50 – ‘60 të shekullit të 20 nga studiues e personalitete të shquara botërore të shkencës së letërsisë, përgjithësisht dhe sidomos të shkencës së historisë së letërsisë. Me pyetjet e shtruara, në debatet e zhvilluara në mjediset shkencore botërore, autorja, e përkujton mjedisin shkencor shqiptar se këto çështje të studimeve historikeletrare botërore kaherë janë vënë në ‘binarë‘ shkencorë dhe kanë marrë udhën e tyre normale.
Akademikja Floresha Dado duke parakaluar nëpër pikëpamjet e studiuesve të përkushtuar botërorë problematikën teorike historike letrare e bart nga trolli euroamerikan në trollin shqiptar, për ta përmbyllur me përkufizimin se historia e letërsisë shqiptare shkencërisht do të ishte e hartuar atëherë kur në sistemin e të menduarit të saj shkencor zbatohen “skemat universale”, të cilat botërisht janë të njohura për letërsitë e popujve” (fq. 21) të tjerë të Europës e të botës.
5. Shkencësia e historisë së letërsisë
Në katër kapitujt vijues (2, 3, 4, 5) rrihen një varg çështjesh të përgjithshme që kanë të bëjnë me shkencësinë e historisë së letërsisë si disiplinë shkencore dhe me historinë e studimeve shqiptare të kësaj fushe studimore. Si rrjedhojë e debateve të zhvilluara për rolin vlerësues të historianit të letërsisë, si është përveçimi i veprave letrare me vlera të rëndësishme artistike; për çështje të sistemimit, si është periodizimi; për çështje problematike të organizimit e të vlerësimit, siç janë radhitja dhe përzgjedhja e lëndës rezultoi se ajo nëse dëshironte të bëhej disiplinë shkencore duhej ta ndërtonte aparaturën dhe terminologjinë e vet shkencore; duhej t’i përcaktonte mënyrat vetjake të qasjes ndaj lëndës studimore dhe mënyrat vetjake të organizimit e të sistemimit të saj; duhej t’i saktësojë si fushat e studimit, ashtu edhe metodologjinë e vet të punës, bashkë me të edhe marrëdhëniet e raportet me disiplinat e tjera shkencore. Me ndriçimin dhe zdritjen e këtyre çështjeve, me të drejtë veneron akademikja Floresha Dado historia e letërsisë, e ndihmon shkencën e letërsisë të ketë dijeni për jetesën dhe funksionimin e proceseve letrare në kontekst kohor e tejkohor (mbikohor, jashtëkohor) nëpër periudha të gjata ose të shkurtëra historike të zhvillimit njerëzor. Këtë detyrë ajo do ta ketë të kryer jo me mohimin, por me avansimin e afrimimin, përshndërrimin e përpunimin e pikëpamjeve të disa disiplinave shkencore si arkeologjia, edukologjia, filozofia, historia, ideologjia (fetare a politike), psikologjia, sociologjia, të cilat historinë e letërsisë, përgjatë shekujve e konsideronin si pjesë përbërëse të disiplinave të tyre shkencore. Shkenca e historisë së letërsisë, argumenton profesoresha Dado, rezultatet e këtyre shkencave duhet t’i shfrytëzojë për shpjegimin e proceseve letrare duke i shndërruar ato në disiplina shkencore ndihmëse.
Në kontekst të ndërtimit të shkencësisë së shkencës së historisë së letërsisë flitet për mënyrën e evoluimit dhe udhët e ndërtimit të saj nga fillimet (shekulli 18) deri në ditët tona. Janë pikëpamjet (raca, ambienti dhe momenti) e themeluesit të pozitivizmit historik Hyppolite Tainet (1864, 1894), të organizimit të lëndës së historisë së letërsisë si histori e gjinive letrare të Ferdinand Brunetièret (1890) ose të Gustav Lansonit (1910), të materializmit dialektik, i përfaqësuar nga Georg Lukacs, Frederic Jameson, Lucien Goldman, Roger Garaudy, Terry Eagleton. Natyrisht janë të pranishme edhe pikëpamja e ‘shpirtit historik’ e Wilhelm Diltheyt (1910); e ‘evolucionit të formave letrare’ e Formalizmit Rus (1920); e imanencës së dukurive gjuhësore e Qarkut Strukturalist të Pragës; e kuptimit historik të fjalëve e Kritikës së Re Anglosaksone (1930); e intiuitës së Benedeto Croces (1930); e kohësisë dhe tejkohësisë së strukturalizmit francez (1960) që në vitet ’60 – ’70 të shekullit të 20 solli në pikëpyetje historikun e historisë së letërsisë (të përfaqësuar nga Roland Barthesi, Gerard Genettei, Jan Pol Sartri, Clod Levi Straussi); që të arrihet në konstatimin se historia e letërsisë ndihmon shpjegimin e proceseve letrare atëherë kur shkencorisht i përgjigjet pyetjeve “Si? Kur? Ku? Pse?” të përqafuar nga studiuesi amerikan Robert Spiller (2002).
Përkrah këtyre pikëpamjeve në fund të shekullit XX, në literaturën shkencore franceze, nga dy shtudiues: Jean Rohou (1996) dhe Eva Kushner (1989) aktualizohet çështja e dallimit të termave “histori letrare” (Jean Rohou) dhe “histori e letërsisë“ (Eva Kushner), që studiuesja jonë, me të drejtë, dallimin midis këtyre dy togfjalëshave e sheh në rrjedhat e përgjithshme të dy qasjeve të analizës dhe të interpretimit të objektit letrar (krijues dhe diskursiv), të njohura e të pranishme në shkencën e letërsisë që nga Antika.
6. Histori e fiksionit apo histori e faksionit
Botërisht është e ditur dhe e pranueshme se kuptimi për historinë e letërsisë ndryshon bashkë me ndryshimin e marrëdhënieve shoqërore, ekonomike, politike e historike, pjesë përbërëse dhe e pandarë e të cilave është edhe letërsia. Një parim të këtillë, thekson akademikja Dado, e kishin vërejtur edhe studiuesit amerikanë René Wellek & Austin Warren që në vitin e largët, më se gjysmëshekullor (1948), kur nënvizonin se: “Historia e letërsisë duhet t’i përshkruajë ngjarjet e faktet letrare dhe jo faktet e historisë së përgjithshme”.
Pas paraqitjes së pikëpamjeve të studiuesve të ndryshëm të gjysmës së parë e të dytë të shekullit XX, të cilat projektohen në libër ku me anë të parafrazimit, ku me anë të komentit e ku me anë të citimit të drejtpërdrejtë, studiuesja jonë Floresha Dado ngre konstatimin se historia e letërsisë në gjysmën e dytë të këtij shekulli (vitet ’70) duke e spostuar autorin dhe kontekstin e tij jetësor (të trashëguara nga shekujt paraprakë dhe të avancuar nga R. Barthesi më 1967) dhe duke e avansuar lexuesin me mediat (të papërfillshme më parë, e të avancuara nga H. R. Jaussi, 1967) ndërtoi pikëpamjen e plotë të shkencësisë së historisë së letërsisë, e cila në zhvillimin historik të njerëzimit paraqitet si element dinamik aktiv, si një vazhdimësi elipsoide e “një serie lineare kronologjike veprash, autorësh”, mjedisesh. Ndaj “Detyra e historisë së letërsisë kështu mbetet të konsiderohet përcaktimi i sistemit të marrëdhënieve ndërvepruese, mimetike dhe simbolike të letërsisë së epokave të ndryshme” (fq. 83).
7. Jo histori e kulturës së shkruar, por histori e letërsisë shqiptare
Në kapitullin e pestë (Tradita historiografike letrare) jepet një pasqyrë e studimeve historikeletrare shqiptare nga fillimet e deri në ditët tona. Aty shoshiten shkrimet e para me pretendime historikeletrare. Flitet si për mënyrën e përfaqësimit e të përzgjedhjes së lëndës së letërsisë shqiptare, ashtu edhe për pikëpamjet që kanë ndjekur historishkruesit. Përtheksohet se studimet e hershme historikeletrare shqiptare nuk dallojnë kufijt e historisë së letërsisë nga historia e përgjithshme dhe kështu krijohet një paqartësi në sistemimin e historisë së letërsisë, ndaj edhe studiuesja Dado kësaj çështjeje i bie më shumë, më fort e më thellë. Ky kontribut shqiptar në studimin historik të letërsisë shqiptare ndahet në dy pjesë: deri në fund të gjysmës së parë të shekullit XX dhe në gjysmën e dytë të tij. Komentohen pikëpamjet dhe kriteret e ndjekur të hartimit e të sistemimit të lëndës. Aty mësojmë se, në këtë hark kohor njëqindvjeçar, janë përdorur kritere të ndryshëm, të njohur e të panjohur për letërsitë kombëtare të popujve të tjerë, por, nënvizohet nga autorja, krahas përpjekjes së disa studiuesve për përfshirje në rrjedhat e përgjithshme të studimit historikletrar, në periudhën e dytë të fazës së studimit historikletrar shqiptar, duke e parë letërsinë shqiptare si të veçantë dhe, duke kërkuar prej saj deri në skajshmëri origjinalen janë harruar parimet e përgjithshme teorike historikeletrare dhe nëpër to ose është kaluar përciptazi ose janë mohuar krejtësisht.
Studiuesja Floresha Dado, ka të drejtë kur pohon se përpjekja dhe ndërmarrja më serioze për historinë e historisë së letërsisë shqiptare dhe për ecurinë e mendimit historik të saj mbetet vepra Shkrimtarët Shqiptarë (1941), që mbështetet në një nformacion të pasur bibliografik mbi të cilin është sistemuar lënda historikeletrare shqiptare. Ky libër shumë kohë ka shërbyer si model i prezantimit historik të prodhimit letrar, sipas kriterit informativ të paraqitjes së autorëve nëpërmjet tri pikave kryesore: jetëshkrimi, veprat, fragmente veprash.
Periudha e gjysmës së dytë të shekullit XX, tërheq vëmendjen studiuesja Dado, karakterizohet me hartimin e disa teksteve të historisë së letërsisë shqiptare nga autorë të huaj dhe nga autorë shqiptarë. Edhe në këtë periudhë, në kontekst të hartimit të teksteve të historisë së letërsisë si për nevojat shkollore (të mesme e universitare), ashtu edhe akademike përcillet përvoja e periudhës paraprake. Ajo ka një veçanësi, sepse hartohen tekste për lexues të kategorive të ndryshme: të huaj e vendës. Në këtë kapitull prezantrohen të gjitha përpjekjet e historishkrimit letrar shqiptar (individual dhe ekipor).
8. Planifikim shumë ambicioz me trajtim të pakët të letrarësisë
Veçoritë dhe mangësitë e paraqitjes së historisë së letërsisë shqipe në botimin e 1959 – ës, autorja Dado i dekodon në këto pika: (a) gërshetimin e kriterit monografik me kriterin historik të vendosjes në sfondin e jetës kulturore, filozofike të periudhave përkatëse; (b) konkretizimin e parimit historikletrar si thelbësor për konceptimin e një historie të letërsisë; (c) mbështetjen e kriterit të periodizimit në faktorin social – ekonomik, fetar dhe filozofik; (ç) trajtimin specifik sipas frymës ideore, karakterit fetar e didaskalik, vlerave për të njohur historinë e zhvillimit të gjuhës shqipe; (d) përqendrimin e vëmendjes së raportit histori – autor – letërsi në komponentin e parë; më dobët në të dytin, kurse trajtimi i letrarësisë të mbetet gjithnjë më i dobët (fq. 116).
9. Mbytja me analiza tematike dhe ideore
Një vëmendje e veçantë i kushtohet sintetizimit të ndërmarrjes së dytë të gjysmës së dytë të shekullit të 20, botimit të Historisë së Letërsisë Shqiptare (1976, si maket dhe, 1983, si libër). Autorja Floresha Dado, ndryshimet nga pararendësit, por edhe dobësitë e vlerësimit të letërsisë si art i fjalës, në këtë botim i sheh në përqendrimin e fortë dhe mbytjen me analiza tematike e ideore: (1) periodizimin e letërsisë së ‘vjetër’ të mbështetur në lëvizjet kulturore e letrare; (2) grupimin e autorëve sipas kritereve jo vetëm historike – kronologjike, por edhe të drejtimeve letrare; (3) zgjerimin e interpretimit të veprave të analizuara; (4) gërshetimin e kriterit monografik me kriterin historik – kulturor; (5) përpjekjen, që në periudhën e tretë (1912 – 1939) dhe të katërt (1940 – 1990) të zbatohet kriteri gjinor (fq. 120). Në vijim vlerësohet ndërmarrja hitorikeletrare individuale e dy historianëve më të mëdhenj, të gjallë, të historisë së letërsisë shqiptare: akademik Rexhep Qosjes dhe akademik Ali Xhikut.
10. Rikonceptim më i plotë dhe më shkencor i dukurive letrare
Në fund të këtij nënkapitulli, akademikja Floresha Dado konstaton se problematika e teksteve të deritanishme të historisë së letërsisë shqiptare mund të përmblidhet brenda këtyre dukurive: (a) reflektimit të mungesës së një koncepti të qartë e të saktë për detyrat e një historie të letërsisë; (b) rrokjes së letërsisë shqiptare në mënyrë të paplotë; (c) mbështetjes së theksuar në kriterin ideor, i cili ka dëmtuar karakterin shkencor të teksteve; (ç) paraqitjes së disharmonisë, midis analizave dhe interpretimeve të dukurive e veprave letrare dhe nivelin e pakënaqshëm të konceptimit teorik dhe të realizimit praktik (fq. 131). Kjo traditë me arritjet dhe mangësitë orienton historianët për një rikonceptim më të plotë dhe më shkencor të historisë së letërsisë shqiptare.
11. Bashkëvlerësimi i katër faktorëve të proceseve letrare
Floresha Dado, në kapitullin vijues, të gjashtë, shtron në diskutim historinë dhe kohëzgjatjen e metodologjive të studimit të lëndës dhe të hartimit të historive të letërsive (a) kombëtare, (b) të atyre rajonale, si dhe (c) të përgjithshme (ndërkombëtare, botërore). Vihet re se në aspektin e ndërtimit të historive të letërsive kombëtare prej fillimit e deri vonë ruhet pikëpamja e biografizmit: me anekdota të biografisë së shkrimtarit kërkohej të ndriçohet vepra dhe personaliteti i tij krijues.
Në nënkapitullin “Metodat e historiografisë letrare midis dy qendrimeve ekstreme”, jepet një pasqyrë e metodave më të njohura e më të avancuara dhe shpjegohen mangësitë dhe përparësitë e tyre. Pozitivizmi i shekullit XIX (ende i pranishëm te shumë studiues) kishte shënuar rezultate të lakmueshme në disa sfera të njohjes (si në filozofi, psikologji, sociologji, histori), por nuk kishte mbetur pa lënë gjurmë edhe në studimet historikeletrare. Si pasojë, u bënë sprova të pikëvështrimeve sociologjike e psikologjike të hulumtimit biografik të proceseve letrare. Në shekullin XX këtyre pikëpamjeve i shtohen edhe studimet psikanalitike.
Historia e letërsisë, shpjegon me përgjegjësi shkencore profesoresha Dado, deri në gjysmën e dytë të shekullit XX kishte trashëguar disa modele të veçanta të hulumtimit të proceseve letrare: (1) modeli aristotelian pikëvështrimin e mbështeste tek faktori artistik i krijuesit dhe i krijesës; (2) pikëpamjes aristoteliane, modeli kantian (shek. i 18), ia kishte bashkuar kategorinë estetike të të krijuarës, të pranishme edhe te krijuesi edhe te marrësi; (3) modeli pozitivist (shek. i 19), kishte afirmuar biografizmin dhe përveçonte faktorin e krijuesit, kurse kategoritë e tjera i konsideronte dytësore dhe ia nënshtronte atij; (4) Benedeto Kroçe përjetimin estetik e kërkonte në intuitën e Wilhelm Dilthayit; (5) formalistët rusë këtë e gjenin në automatizimin e ndryshimeve gjuhësore; (6) recepcionistët në ‘horizontin e pritjes’ të lexuesit. Kështu historia e letërsisë në fund të shekullit të 20 duhej të bënte hulumtimin dhe studimin e estetikës letrare të pranishme në të gjitha proceset letrare bashkarisht si te krijuesi (shkrimtari), te krijesa (vepra letrare), ashtu edhe te lexuesi dhe mediat (marrësit dhe afirmuesit e këtyre vlerave).
Fill pas trajtimit teorik të metodës dhe metodologjisë debati bartet në praktikën shqiptare: cilat metoda u aplikuan në studimin historik letrar shqiptar? Përgjigjja është e thjeshtë: “mbizotëroi metoda historiko – kulturore, metoda e zbulimit të faktorëve formues e ndikues”, e cila “pas vitit 1950 u pleks fanatikisht edhe me qëndrime të skajshme ideore – partiake” (fq. 154), që çoi drejt kuptimit statik të letërsisë.
12. Personaliteti i historianit të letërsisë
Në periudhën historike më se dyshekullore të ndërtimit të shkencësisë së historisë së letërsisë, sa shënohet kohësia e vrojtimeve shkencore historikeletrare botërore ndër çëshjet më të diskutueshme, përveç periodizimit dhe faktorëve të tjerë përbërës të komunikimit historik estetik të lëndës së historisë së letërsisë, ishte edhe personaliteti i historianit të letërsisë, përgatitja e tij teorike, aftësia e absorbimit të njohurive të dijes dhe gatishmëria e përgatitja e tij shkencore për zbatimin praktik të dijes së akumuluar në vepra të veçanta letrare. Pra, si duhet të strukturohet e të organizohet dhe si duhet të sistemohet lënda e studimit, ku duhet të përqendrohet vëmendja kryesore e ku të mos humbet kohë, ç’duhet të theksohet e ç’duhet të heshtet? Këto janë vetëm disa nga pyetjet e problematikës së historisë së letërsisë dhe detyrat e studiuesit të saj (historianit), të cilat përgjigjet kërkojnë të gjenden në argumentin, dëshminë dhe praktikën historikeletrare me përgjegjësi e ndërgjegje të lartë empirike. Mënyrën e trajtimit të të gjitha këtyre çështjeve lexuesi e gjen në këtë libër të parë, të vetmin e të veçantë të kësaj fushe në historiografinë e studimeve historikeletrare shqiptare.
Për personalitetin e historianit të letërsisë, profesoresha Dado, ngre pikëpamjen se ai duhet ta ketë të qartë dhe të kuptueshme se bën studimin e letërsisë si një sistem i veçantë i lidhur ngushtësisht me rrethanat historike – kulturore. Duke ia nënshtruar punën e tij studimore katër niveleve të mëposhtëm arrin ta ndajë punën e tij nga puna e kritikut letrar: (1) pikëvështrimi, ta dijë pozitën e vet në procesin e studimit letrar; (2) kontakti përveçimi, specifikimi dhe gërshetimi i metodave studiuese të kohës së tij me metodat e studimit të kohës së autorit; (3) mikroanaliza (stilistike dhe semantike); (4) konceptuali, paraqitja sintetike e rezultateve.
Mbështetur në pikëpamjet e Velek – Vorenit theksohet se detyrë e historianit të letërsisë është (1) ta përshkruajë këtë proces dhe (2) ta hetojë zhvillimin e veprave të përzgjedhura. Modelet që do të aplikojë duhet të jenë shkencorë, të përafërt e të njohur për letërsitë e popujve të tjerë. Radhiten në vijim kriteret e derisotme të zbatuara në letërsitë e ndryshme europiane dhe botërore, si: gjinor, sipas drejtimeve letrare, monografik, historik – kronologjik, i kombinuar.
13. Teoria e historisë së letërsisë nevojë e domosdoshme
Studiuesja Floresha Dado është e bindur se suksesi i studimit historikletrar, në radhë të parë, varet nga raporti i drejtë i historianit me teorinë e letërsisë, që do të nënkuptonte ndërthurjen dhe gërshetimin e rezultateve të teorisë me ato të historisë së letërsisë. Në këtë kapitull (i shtati) rrihen çështje që prekin raportin midis teorisë së letërsisë me historinë e letërsisë, si dy disiplina themelore të shkencës së letërsisë.
Këto çështje problematizojnë raportin e brendshëm, marrëdhëniet e ndërsjella që duhet t’i kenë midis tyre disiplinat e shkencës së letërsisë, pozitën që duhet ta mbajë dhe njohuritë që duhet t’i posedojë historiani i letërsisë në gjykimet e veta, do të thotë kur duhet të veprojë edhe si teoricien letrar, e kur si tipologjizues i procesit letrar në plan historik, në aksin diakronik vertikal. Ai, konstaton akademikja Dado, duhet të priret të gjejë në çdo vepër, apo dukuri letrare, lidhjen mes vlerave të sotme me ato të së shkuarës, duke i përgjithësuar ato në mënyrë sistematike.
Autorja është e bindur se edhe studimi historik i letërsisë shqiptare “në të gjitha fazat e lulëzimit të saj, ka nevojë, në radhë të parë, për një sistem nocionesh të sakta”, sepse “mungesa e teorisë së vërtetë, shkencore, mbi thelbin e letërsisë, si art i fjalës, apo njohuritë e cekëta, të papërpunuara në nivelet e vërteta të artit letrar, sollën një varg shmangiesh thelbësore në kuptimin dhe interpretimin e veprave apo dukurive, që u shfaqën gjatë zhvillimit historik të letërsisë sonë“ (fq. 169).
Si janë reflektuar këto marrëdhënie në studimet e derisotme historikeletrare shqiptare është titulli i nënkapitullit të fundit të kapitullit të shtatë. Sensi i historianit të letërsisë është t’i sistemojë proceset e zhvillimit historik të letërsisë shqiptare, jo thjesht dhe vetëm sipas kushtëzimeve historike – kulturore, por edhe sipas parimeve, mbi të cilët funksionon sistemi letrar, në kuptimin univerzal (që i ka munguar studimeve historikeletrare shqiptare), por edhe në pikëvështrimin e specifikave të veçanta të tij (fq. 178).
14. Përzgjedhja e lëndës kategori themelore e shkencësisë
Problemit të ndërlidhjes së historisë së letërsisë me kritikën letrare i kushtohet nënkapitulli “Dimensioni i lidhjes së historisë së letërsisë me kritikën letrare” (fq. 170 – 176). Duke iu referuar përcaktimeve studiuese të shkencës së letërsisë, akadamikja Dado përveçon se në konceptimin e deritanishëm të historisë së letërsisë shqiptare është praktikuar parimi historiografik (diakroni) – pragmatik (fq. 179). Si pasojë është e dukshme se para viteve ’50 bëhet “përzierja e mënyrave të ndryshme të qasjes së letërsisë“ dhe “mosdallimi i natyrës dhe thelbit të historisë së letërsisë nga kritika letrare” (fq. 182), si dhe nuk “njihet lidhja specifike midis historisë së letërsisë dhe teorisë dhe kritikës letrare, që është një kushtëzim thelbësor për të hartuar një histori shkencore të letërsisë“ (fq. 183).
15. Historia e letërsisë shqiptare zë i veçantë i historisë së letërsisë së përgjithshme
Njërit prej faktorëve kryesorë të shkencës së historisë së letërsisë, periodizimit, i kushtohet një kapitull më vete, kapitulli i nëntë. Pas pasqyrës hyrëse (fq. 209 – 210), ku problematizohet segmentimi i strukturës së letërsisë shqipe nga fillimet e deri në ditët tona, kalohet në kontekstualizimin e kategorisë së periodizimit, i cili rrihet në nënkapitullin “Problematika komplekse e periodizimit” (fq. 210 – 219). Aty bëhet me dije se në traditën ndërkombëtare janë përdorur tre lloje periodizimesh: (a) historik – kulturor, (b) zhanror (gjinik) dhe (c) monografik.
Në kontekst të rëndësisë së periodizimit, si një çështje më vete, njëri ndër themelorët e me rëndësi parësore të segmentimit të historisë së letërsisë së përgjithshme dhe asaj kombëtare, akademikja Dado, nënvizon se në studimet historikeletrare, në plan ndërkombëtar, në gjysmën e dytë të shekullit të 20, vetëm kësaj çështjeje i është kushtuar një vëmendje shumë e madhe, që dëshmohet me organizimin e konferencave shkencore ndërkombëtare. Prandaj, para studiuesve shqiptarë të historisë së letërsisë shtrohet nevoja e domosdoshme e bartjes së këtyre rezultateve në trollin e tyre, nëse letërsia shqiptare dëshirohet të studiohet si pjesë përbërëse dhe integrale e letërsisë së përgjithshme, një zë i veçantë i të cilës është ajo.
Si janë reflektuar pikëpamjet e përgjithshme të periodizimit në studimet historike letrare shqiptare flitet në nënkapitullin “Kritere të ndryshme periodizimesh në historiografinë shqiptare” (fq. 219 – 243). Në mënyrë sintetike aty flitet për pikëpamjet e Eqrem Çabejt e Namik Resullit, Ernest Koliqit e Filip Ndocajt, Ali Xhikut e Rexhep Qosjes, Ymer Çirakut e Stefan Çapalikut, Sabri Hamitit e Agim Vincës, Bashkim Kuçukut e Aurel Plasarit. Merren në shqyrtim e sintetizohen parimet mbi të cilat ata kanë ngritur pikëpamjet e tyre për periodizimin e letërsisë shqiptare.
16. Kriteret bazë të historishkrimit letrar
Një kapitull më vete, i teti, i kushtohet kritereve në bazë të të cilëve shkruhet historia e letërsisë. Akademikja Floresha Dado duke iu referuar studiuesve botërorë të teorisë së historisë së letërsisë mbështet pikëpamjen se kriteri themelor i historisë së letërsisë sonë është përshtatja me të shkuarën letrare dhe distancimi prej saj (fq. 188). Duke e problematizuar kriterin antropologjik, social – psikologjik – kulturor që i ngjet aspektit pozitivist (raca, ambienti dhe mjedisi) të interpretimit të letërsisë në kontekst të studimeve të sotme historikeletrare na del jo praktik dhe i tejkaluar. Nga ballafaqimi i pikëpamjeve të këtilla për historinë e letërsisë shqiptare me ato të formalistëve rusë, që janë bashkëkohës, rezulton se historia e letërsisë shqiptare është e domosdoshme të shihet “brenda kuptimit të letërsisë si një sistem specifik, që e shfaq veten në kohë historike” (fq. 190).
17. Kryqëzimi i dy planeve hulumtuese
Në kapitullin e dhjetë të librit në fjalë të titulluar “Historia e sistemit tonë letrar, në dy plane: diakronik e sinkronik” (fq. 248 – 266) objektivizohet interpretimi dyplanësh i studimit të proceseve historikeletrare: “nga njëra anë gjykimi i proceseve letrare, si zhvillime historike, nga ana tjetër përcaktimi i vlerave estetike, që shpërfaqen në një periudhë të veçantë historike” (fq. 248). Nëse shpërfillet ky parim studimi, tërheq vërejtjen studiuesja Dado, atëherë studimi i proceseve letrare nuk do të shënonte evolucionin e tyre të brendshëm. Si do të dukej historia e letërsisë kur do të kryqëzoheshin interpretimet e dy aspekteve: sinkronike dhe diakronike, përgjigjen e gjejmë në nënkapitullin e fundit “Kryqëzim midis vështrimit diakronik dhe sinkronik” (fq. 260 – 266), çka i ka munguar përpjekjeve të deritanishme të hartimit të historisë së letërsisë shqiptare.
18. Studimi i transformimit të fjalës dhe procedesë
Në kapitullin e 11 “Historia e letërsisë si evolucion i sistemit letrar” (fq. 267 – 291) objekt studimi janë çështjet e dinamikës së sistemit letrar dhe pozicionit të historianit, evolucionit letrar jashtë zhvillimit historik të letërsisë, evolucionit të formave në sfondin e traditës letrare, evolucionit letrar dhe estetikës së perceptimit, termit ‘evolucion letrar’ si burim interpretimesh! Interpretimi i këtyre çështjeve argumenton peshën e teorisë së historisë së letërsisë (për çka u fol nën pikën 13), e cila do të ndihmonte në kuptimin dhe shpjegimin e proceseve letrare “si evolucion i fomave artistike” (fq. 290). Aplikimi i këtij parimi në truallin letrar shqiptar do të nënkuptonte, studimin e sistemit të transformimit të fjalës shqipe në një vepër poetike dhe sistemin e procedesë që realizohet me anë të këtij transformimi (fq. 291).
Tri janë shtyllat themelore, konstaton akademikja Floresha Dado, të pikësynimit të sotëm të historisë së letërsisë: “a. gjeneza, b. Zhvillimi dhe tipologjia estetike e veprave (pra, zhvillimi i formave letrare), c. Vlerat para lexuesve të kohës së vet dhe tek përjetimi i pasardhësve” (fq. 292). Të përkthyera në gjuhën shkencore të teorisë së historisë së letërsisë këto tri shtylla do të përthekonin problemin themelor të historisë së letërsisë.
19. Hipoligjërimi dhe hiperligjërimi
Çështjes së tipit të gjuhës në të cilën duhet të realizohen studimet historike letrare i kushtohet kapitulli i 13, i titulluar “Ligjërimi letrar dhe ligjërimi historik – letrar” (fq. 318 – 329). Në të flitet për karakteristikat e gjuhës shkencore, e cila është një metagjuhë, prandaj edhe duhet të realizohet si një metaligjërim. Interesimi i rrahjes së çështjes në diskutim më shumë orientohet në dallimin midis meta – gjuhës së historisë së letërsisë dhe gjuhës së trillit artistik. Ky dallim, thekson me të drejtë Floresha Dado, është në funksion të kodit të cili i nënshtrohen, sepse gjuha e letërsisë është një “ligjërim konotativ”, kurse gjuha e historisë së letërsisë është “ligjërim denotativ”. Dallimet janë të fushave të ndryshme të organizimit gjuhësor (fq. 319 – 320). Pra, duhet të bëhet dallimi midis kodit letrar dhe kodit shkencor. Kemi të bëjmë, kështu, me hipoligjërimin (kodin shkencor të historisë së letërsisë) dhe hiperligjërimin (kodin artistik të letërsisë).
Gërshetimi i dy aspekteve të ligjërimit në hartimin e historisë së letërsisë do të nënkuptonte studimin e (1) “dimensionit sintagmatik të sistemit të ligjërimit”, në të cilin “do të gjente shprehje kodi i paraqitjes së epokave letrare, i drejtimeve dhe rrymave përkatëse, i paraqitjes së shkrimtarëve dhe veprave të tyre në hapësirë dhe në kohë”; (2) dimensionit paradigmatik, në të cilin “do të gjente realizim shprehja e tipareve estetike, e strukturave të brendshme të sistemit letrar shqiptar” (fq. 325 – 326). Thënë ndryshme me terminologjinë e Julija Kristevës këtu kemi të bëjmë “me raportin që një histori letërsie duhet ta ndërtojë (1) midis ligjërimit artistik, si objekt interpretimi”; dhe (2) “ligjërimit shkencor si subjekt i realizimit të këtij interpretimi” (fq. 326).
20. Kush duhet të merret me historishkrimin letrar?
Në kapitullin e 14 jepet një pasqyrë e pikëpamjeve të vrojtimeve historike letrare të studiuesve shqiptarë: Jorgo Bulos (1991), Gjergj Zhejit (1994), Rexhep Qosjes (2008), Klara Kodrës (1994), Ymer Çirakut (2002), Sabri Hamitit (1995), Enver Muhametajt (2008), Kristaq Jorgos (1994), Piro Mishës (1996), Aurel Plasarit (1995).
Në nënkapitullin “Historia e letërsisë – problem ideologjik apo profesional?” (fq. 340 – 343) shtrohet në diskutim mënyra e hartimit të historisë së letërsisë, jo vetëm si nevojë e kohës, por edhe si nevojë e tejkalimit të paragjykimeve ideologjike të periudhës paraprake. Natyrisht se historinë e letërsisë nuk mund ta hartojnë amatorët, është njëri prej problemeve të cilit më së shumti i bie studiuesja Floresha Dado, por atë duhet ta bëjnë studiuesit specialistë të historisë së letërsisë, me përgatitje e formim specifik shkencor.
21. Faza papapërgatitore e historishkrimit letrar
Në kapitullin e 15 “Parapërgatitja e historisë së letërsisë” (fq. 345 – 349) akademikja Floresha Dado shtron në diskutim punën parapërgatitore për hartimin e historisë së letërsisë. Thënë ndryshe për të ardhur deri te realizimi deskriptiv i tekstit, është e nevojshme të bëhen disa punë parapërgatitore. Midis tyre janë: (1) përpilimi i një bibliografie të plotë e shteruese “mbi krijimtarinë e shkrimtarëve të gjithë periudhave”; (2) mbledhja e dorëshkrimeve dhe e dokumentacionit nga arkivat, bibliotekat e institucionet që lidhen me jetën e autorëve; (3) njohja e kontekstit historik kulturor e periudhave; (4) ndjekja e shtypit dhe e organeve kulturore e shkencore të kohës; (5) njohja e mjedisit të formimit kulturor; (6) njohja e raporteve dhe e marrëdhënieve me letërsitë e huaja, apo me autorë vendës; (7) informimi teorik mbi probleme të kritikës së tekstit; (8) intuita shkencore dhe përgatitja profesionale në çështje të interpretimit e të shpjegimit; (9) përgatitja e botimeve kritike të veprave të autorëve; (10) formatimi dhe transformimi i veprës; (11) njohja e biografisë së autorëve; (12) marrëdhëniet e historisë së letërsisë me historinë e artit, të ideve e të qytetërimit; (13) bashkëpunimi multidisiplinar, mbi një bazë të qartë metodologjike dhe kritere shkencore.
22. Çka duhet të përmbajë historia e letërsisë shqiptare?
Në kapitullin e fundit të 16 të titulluar “Para mbylljes” (fq. 350 – 353) në mënyrë të sintetizuar jepen konkluzionet për dukjen e historisë së hartuar të letërsisë shqiptare, e cila duhet të realizohet:
1. si përgjithësim i dukurive dhe proceseve të zhvillimit letrar dhe i zbulimit të “faktorëve dhe prirjeve estetike të këtij zhvillimi”;
2. si ndërtim i “një ekuilibri shkencor midis njohjeve objektive dhe njohjeve subjektive”;
3. si “një strukturë e qartë, që reflekton periodizim korrekt”;
4. si interpretim përmes një kushtëzimi “funksional, estetik – ligjërimor dhe institucional”;
5. si parim i kuptimit të vlerave estetike të ndryshueshme;
6. “si një ndërmarrje institucionale, përmes aktivizimit të forcave më të kualifikuara” (fq. 350 – 351);
7. si paraqitje “me kritere shkencore” e “gjeografisë së përfshirjes së letërsisë shqiptare” (fq. 352).
Dhe libri përfundon me fjalinë: “Studimet e sotme letrare do të kishin nevojë për një projekt të madh, ndërakademik e ndëruniversitar, për të diskutuar dhe zbatuar praktikisht një varg çështjesh, teorike, të vlerësimit dhe rivlerësimit të letërsisë shqiptare, në procesin e zhvillimit historik të saj” (fq. 353).
23. Ndihmesë shkencore me përmasa ndërkombëtare
‘Sfida’ e akademikes Floresha Dado është libri shkencorisht më i përgatitur dhe më i arrirë i shkencës shqiptare për disiplinën shkencore të historisë së letërsisë. Aty për herë të parë jo vetëm nxiten e shtrohen, rrihen e kontekstualizohen çështje të studimit të letërsisë nga këndvështrimi i historisë së letërsisë si në plan kombëtar, ashtu edhe ndërkombëtar, por edhe jepen gjykime e vlerësime për nivelin e këtyre studimeve, si dhe jepen propozime se si duhet të ecet përpara. E veçantja e këtij libri është se në hartën e studimeve historikeletrare ndërkombëtare vendoset harta e studimeve shqiptare, nga krahasimi i të cilave fitohet njohuria për nivelin e studimeve shqiptare dhe për ecurinë e tyre në të ardhmen. Ka më se dy dekada që kam pritur të lexoj një studim të këtillë shkencërisht të qendrueshëm, me të cilin shkenca historikeletrare shqiptare të barasvlerësohet me studimet e sotme historikeletrare ndërkombëtare dhe të krenohet me aritjet e veta. Më kishte marrë malli të lexoj në shqip një studim të kësaj natyre. Botimi i këtij libri është një ngjarje me rëndësi të madhe e të jashtëzakonshme historike jo vetëm për studimet historikeletrare shqiptare, por edhe për studimet albanologjike në tërësi.
Në konceptualizimin dhe kontekstualizimin e diskursit shkencor të lëndës së historisë së letërsisë, duke u shërbyer me një literaturë të pasur botërore akademikja Floresha Dado ka formësuar modelin e vet ndërdisiplinor, shumështresor dhe të shumanshëm të interesit shkencor për këtë praktikë diskursive jo gjithaq të hulumtuar, që është motivuar edhe nga mungesa e hulumtimeve të këtilla në praktikën shkencore shqiptare.
Libri Sfida teorike të historiografisë letrare i Floresha Dados jo vetëm që ka një rëndësi pioniere për jetën tonë akademike, por hap horizonte të reja drejt formave shumështresore të dijes së historisë së letërsisë dhe njëkohësisht mundëson gradualisht t’i ndryshojmë bindjet tona për pozitën margjinale të specialistëve/specialisteve shqiptarë / shqiptare në rrjedhat botërore. Në këtë libër teoria dhe praktika e studimit historikletrar shqiptar, për herë të parë në historinë e mendimit historikletrar shqiptar janë parë në lidhje të ngushtë me mendimin historikletrar botëror.
(Autori është pedagog në Fakultetin e Filologjisë “Blazhe Koneski” në Shkup)
———————————————–
KUSH ËSHTË FLORESHA DADO