NË NJU JORK U PROMOVUAN LIBRAT: ‘SHQIPTARËT ORTODOKS NË MAQEDONI’ DHE ‘RILINDASIT SHQIPTARË’

Pashtriku.org, 13. 04. 2015 – Në Nju Jork u promovua libri “Shqiptarët Ortodoks në Maqedoni” nga autori Branisllav Sinadinovski dhe libri i bashkëshortes së tij “Rilindasit Shqiptarë”, Gordana Sinadinovska. Në një ceremoni madhështore në lokalin “Orion Palace” në Brooklyn të organizuar nga Shoqata Atdhetare “Dibra” dhe sponsorizuar nga biznesmeni dhe veprimtari i njohur dibran Ylber Pilku, mysafirët e pranishëm patën rastin që të njihen nga afër me këtë vepër kapitale që zbardh të vërtetën e shqiptarëve ortodoks në Maqedoni, por të nxis debate edhe në mesin e komunitetit.  Gazetari Beqir Sina në hapjen e kësaj ceremonie theksoi se është nder i veçantë që në mesin e komunitetit shqiptar në SHBA është profesori i nderuar shqiptarë Sinadinovski, i cili sjellë veprën e tij kolosale “Shqiptarët Ortodoks në Maqedoni”. Ai foli për përmbajtjen e këtij libri që zbardh të vërtetën e këtij komuniteti të harruar dhe persekutuar shqiptarë gjatë gjithë dekadave të golgotës shqiptare, me synimin dhe zhbërjen dhe asimilimin total të tyre.

– Kryetari i Shoqatës “Dibra”, Musa Paçuku, Gordana dhe Branisllav Sinadinovski-

Në këtë ceremoni ishin edhe veprimtarë dhe personalitete të tjera siç janë: përfaqësuesit diplomatik të Shqipërisë dhe Kosovës në Nju Jork, përfaqësues të shoqatave të diasporës, veprimtarë të dalluar, si kryetari i Shoqatës “Vatra”, prof.dr Gjon Buçaj, kryetari i Akademisë Shqiptaro – Amerikane, Skender Kodra, Shpend Koleci, Fanol Cami, veprimtari nga shteti Illionis Nazim Memeti, avokati i njohur Stiv Kaufman dhe profesor Paulo Polombo, Sali Bollati nga shoqata “Çamëria”, aktori Xhevat Limani, etj dhe shumë personalitete dhe veprimtarë të tjerë të komunitetit shqiptaro – amerikan të ardhur nga Nju Jorku, Nju Xhersi dhe qytetet e tjera.
Kryetari i Shoqatës Atdhetare “Dibra”, Musa Paçuku në fjalën e tij theksoi se është një nder i veçantë që profesori Sinadinovski ka sjellë këtë faqe të re të historisë shqiptare në Maqedoni.
“Duke përshëndetur këtë promovim kaq të rëndësishëm dhe kaq të veçantë, dëshiroj që në fillim të përgëzojë Branisllav Sinadinovskin dhe bashkëshorten e tij Gordana Sinadinovska për interesimin dhe guximin, sa shkencor po aq edhe njerëzor për t’iu qasë dhe për të trajtuar një temë dhe një çështje e cila tanimë mëse një shekull ka qenë sa objekt studimi, po aq edhe debatimi në mes të shkencëtarëve, por edhe politikave ditore, për fat të keq në këto anë, të ngarkuar me shumë paragjykime dhe me inate, të cilat i tejkalojnë kufijtë e mirësjelljes e tolerancës në mes të njerëzve”, dekaroi Musa Paçuku.
Pas fjalës së tij u lexuan edhe dy kumtesa, njëra e përgatitur dhe e dërguar nga drejtuesi i agjencisë së lajmeve INA, Naser Pajaziti dhe më pas kumtesa e veprimtarit Shpend Koleci.
Autori Branisllav Sinadinovski foli rreth librit të tij duke theksuar se kjo vepër është amanet nga babai i tij profesor i ndjerë universitar, Jakim Sinadinovski, i cili kishte dhënë si amanet që kurrë të mos harrohet e vërteta e origjinës së shqiptarëve të Rekës së Gostivarit dhe të Dibrës.
Sinadinovski një intelektual i njohur në Maqedoni rrëfeu rrugëtimin dhe golgotën e jetës së tyre drejt një asimilimi monstruoz, heshtja dhe heqja dorë nga origjina dhe identiteti kombëtar dhe problemet e tjera. Por edhe për rikthimin tek identieti dhe guximi i brezave për t’u deklaruar shqiptarë etnik.
Ai shtoi se zona e Rekës së Gostivarit dhe të Dibrës është një rajon i heshtur sot dhe i populluar shumë pak nga banorë që janë shqiptarë etnik, por nga asimilimi dhe frika ata nuk duan të flasin për historinë e tyre.
Në këtë ceremoni u përmend edhe miqësia shqiptaro – amerikane dhe përkrahja e SHBA-ve që gjithmonë ka qenë pro shqiptarëve, edhe në momentet më të vështira historike.

“Shtetet e Bashkuara ka rolin dhe misionin e tyre për shqiptarët prej presidentit Wilson, Bushi i vjetër me vijën e kuqe’ në prag të Krishtëlindjeve, në 1991, deri tek roli i presidentit Klinton gjatë luftës në Kosovë, roli vendimtar i Presidentit George W. Bush në pavarësinë e Kosovës, dhe rruga që ndoqi administrate aktuale me Presidentin Obama”, theksoi gazetari Beqir Sina.
Fjalë rasti kishte avokati i njohur amerikan dhe njohësi i zhvillimeve historike shqiptare, Stiv Kaufman, por edhe profesori Paulo Polombo. Më pas edhe profesori i nderuar dhe kryetari i Shoqatës “Vatra”, Gjon Buçaj, kryetari i Akademisë Shqiptaro – Amerikane, Skender Kodra, artisti i njohur Xhevat Limani me një recital të përgatitur dhe pjesëmarrës të tjerë që u përfshin në debat rreth çështjes së shqiptarëve ortodoks në Maqedoni.
Gazetari Sina në fund theksoi se ky aktivitet është fal aktivitetit të Shoqatës Atdhetare “Dibra”, por edhe veprimtarit të njohur Ylber Pilku i cili sponsorizoi dhe punoi në organizimin e këtij promovimi bashkë me kryetarin e shoqatës dibrane Musa Paçuku. (B.Sina)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura