Pashtriku.org, 21. 10. 2015: Porsa vdiq Noli, Qeverija e Tiranës pa humbë kohë aspak u mundue me të gjitha mjetet, jo vetëm me e sjellë kufomën e tij në Shqipni, por edhe me gjetë në shkrimet e fjalimet e tij ndonji gja e ndonji fjali, që të ndihmonte klikën e Enver Hoxhës për të fitue popullaritet në Shqipni. Kemi lexue në gazetat e revistat e Tiranës fjali si: “Fan Noli asht i yni. Fan Noli qe i së majtës” e fjali të cilat pot të lexohen në paragraf ku i ka shkrue auktori kanë nji kuptim krejt të ndryshëm prej atij që pretendojnë sekretarët e Enver Hoxhës.
Në nji mbledhje solemne organizua nga Universiteti i Tiranës dhe Lidhja e Shkrimtarëve Shqiptar, në fjalimin kryesor mbajtun nga apologjisti dhe shërbëtori i komunizmit Dhimitër S. Shuteriqi dhe botue në revistën Nëndori, Maj 1965, faqe 136-149, tri gjana i bijnë në sy lexuesit: 1. Shuteriqi na thotë se Fan Noli: “Duke u veshur me rroben e priftërisë, ndonse ai nuk besonte –Perendisë që nuk i besoi i ardhtë keq’ “(nxjerrë nga nji letër shkrue nga Fan Noli dhe dërgue Thanas Tashko n’Egjypt me 9 Gusht 1909). Shuteriqi na citon vetëm, “Perendisë që nuk i besoi i ardhtë keq”, por nuk na ep të gjithë letrën. Këtu shifet poshtërsija, mbasi Noli ka vdek dhe nuk mund të pëgjigjet.
Fan S.Noli (1882 – 1965)
Fan Noli nuk qe hipokrit dhe po të mos kishte besue nuk do t’a kishte kalue të gjithë jetën i mshefun nën rroben e priftnisë. Ai qe nji njeri poliedrik me zotësi të madhe në histori, në letërsi, muzikë, gjuhësi dhe teologji, prandej mund të nepte mësim në çdo universitet që të dishronte dhe mund të jetonte materialisht shumë ma mirë se ai Kryepeshkop i Kishës Ortodokse Shqiptare n’Amerikë. Pra të thuhet se Fan Noli nuk besonte në Perendinë, sidomos kur ai nuk asht në kët jetë të përgjigjet me gojën e tij, asht aq qesharake sa nuk meriton as që të përmendet. Qëllimi I këtij artikulli ashr t’u tregojë atyne, që ende besojnë se qeveritarëve të Tiranës u ka mbetë nji pikë burrnjie, që o janë me komunistat kryekëput ose u ka humb logjika e gjykimt krejtsisht e nuk dijnë të dallojnë në mes të së mirës e së keqes. Kur perdoren te vdekunit si Luigj Gurakuqi, Dom Ndre Mjeda e Fan Noli për propagandë poshtërsija e ka mbrrrijtë kulmin.
2. Në të njëjtin fjalim Shuteriqi citon nji deklaratë që Noli i paska pas ba korrespondentit të gazetës Pravda me 4 Nanduer 1927, në rastin e pjesëmarrjes së tij në Kongresin e Miqve të Bashkimt Sovjetik. Citimi që ban Shuteriqi si zakonisht, asht i cunguem dhe i përshtatun në nji mënyrë t’atillë që t’i shërbej Qeverisë së Tiranës. Artikullin në fjalë e lexova asnji fjalë që cekë ndjenjat e Fan Nolit. Qëllimi i Shuteriqit asht që t’a paraqesi Nolin si mik e simpatizues të komunizmit. Nuk duhet të harrojmë se n’at Kongres në Moskë morën pjesë gjithafarë njerzish, nji ndër ta qe edhe Albert Einsteini.
Prandaj pjesëmarrja e Nolit në atë Kongres nuk mund të konsiderohet si pranim nga ana e tij e idevet të komunizmit. Einsteini kur iku nga Gjermania për t’i shpëtuar nazizmit, nuk shkoi në Rusi, por shkoi në Amerikë, në vendin e lirisë e të njerzëvet të lirë. Po të ishte Fan Noli ashtu siç na e paraqet Shuteriqi, ai do të shkonte në Rusi ashtu sib bani Sejfullah Malëshova e të tjerë që ishin me të vërtetë komunista. Në qoftë se ndonjiherë gjatë jetës së tij Fan Noli asht tregue mik i Bashkimit Sovjetik për arsye politike, ai vetë kurrë nuk na e tha kët gja. Nga ana tjetër, gjatë jetës së tyne miq të Bashkimit Sovjetik janë tregue deri Hitleri, Churchilli, Roosvelti e sa e sa tjerë, por nuk mund të thomi kurrë se këta njerëz qenë komunista e simpatizues të komunizmit.
3. Në fjalimin e tij, Shuteriqi, citon deklarata, shkrime, predikime e thash e thana që mund të tingllojnë si përpjekje të Qeverisë së Tiranës dhe të krimeve të saj. Gjithëkushi e di se gjatë Luftës së Dytë Botënore në Shqipni mbretnoi nji kaos i papërshkrueshëm. Parti të ndryshme, personalitete të ndryshme, dy shtete të huaja, Italija dhe Gjermanija, luftuen në tokën shqiptare. Pra me nji fjalë popullore, nuk e njihte qeni të zotin. Shqipnia qe në rrezik të madh që t’a humbte pamvarësinë edhe t’asaj Shqipnisë së vogël, që doli e pamvarun në vjetin 1912. Shqiptarët e mërgimit me arsye të plotë deshirojshin dhe punojshin që Shqipnija mos t’a humbte pamvarësinë. N’atë kohë shqiptarët e mergimit nuk e dijshin dhe ndoshta nuk u interesonte t’a dijshin se çka bajshin shqiptarët me me njani tjetrin; qëllimi i tyne ishte që Shqipnia mos t’u zaptonte nga të huajt. Kjo asht periudha në të cilën Noli e shumë shqiptarë të mërgimit folën dhe nxitën të gjithë shqiptarët e Amerikës t’u ndihmojshin atyne që prtendojshin se ishin tue luftue për të shpëtue Shqipninë nga kethetrat e të huajve. Kësaj periudhe të turbulltë, kur grekët në konferenca ndërkombëtare kërkojshin me skllavërue gjysmën e Shqipnisë, i përkasin disa deklarata të Nolit dhe dedikimi i Albumit që Shuteriqi e paraqet si provë të miqësisë e simpatisë së Nolit për Qeverinë e Tiranës. Noli si historian dhe njeri i kulturës të gjanë ka mendue tue u bazua në histori. Me përkrahjen që ka Shqipnija, një pushtim i huaj donte me thanë mbarimi i Shqipnisë, sidomos në qoftë se ky pushtim vinte nga fqijt që kishin e kanë pretendime tokësore, kundrejt vendit tonë që prandej kush do ta qeveriste Shqipninë do të kishte qenë ma mirë se nji zaptim i fqijve. Qeveritë shkojnë e vijnë, njerëzit vdesin, dhe historia na mëson se diktaturat mund të zgjasin por nuk janë të përhershme. Shpirti i lirisë do të triumfojë o heret o vonë e kujtimi i diktatorëve do të mbetet ashtu siç ka mbetë ai i Neronit, Hitlerit e Stalinit.
S’ka dyshim se Fan Noli qe liberal e humanitar n’idetë e tija politike. Ai qe në politikë çka mund të quhet sot nji Kristian demokrat i së majtës në Gjermani e Itali. Pra orvatjet e Qeverisë së Tiranës me përdorë eshtnat e Luigj Gurakuqit, të Bajram Currit, e të Dom Ndre Mjedës e të Fan Nolit për të përjetësua tiraninë e komunizmit mbi kurrizin e popullit shqiptar janë të kota e nuk pijnë ujë kurrkund, se aty ku bajoneta, litari, pushkatimi, burgjet e fushat e përqëndrimit janë mjetet e mendmbushjes.
Po e mbarojë këtë artikull tue mendue çka do t’i kishte ndodhë Fan Nolit sikur të kishte shkue të jetonte në Shqipni. Pa tjetër shumica e shqiptarëve që nuk janë komunista do ta kishin dash e nderue; komunistat do t’ishin mundue t’a përdorshin dhe ta bajshin vegël të tyne. Fan Noli qe liridashës e mbrojtës i vegjëlisë dhe komunistët patjetër do t’ia kishin marrë shpirtin ashti si kanë ba me Profesor Gjergj Kokoshin, Profesor Kolë Prelën e sa e sa tjerë.
***
SHËNIM: Ky artikull i Prefosor Mhill Markut ishte botuar fillimisht në gazetën “Shqiptari i Lirë” në New York. Ndërsa gazeta “Dielli” e kishte ribotuar në Tetor të vitit 1965.Profesor Marku shkëmbente letra me Imzot Nolin, bile në disa shkrime i është shumë mirënjohës Nolit për këshilla miqësore. Profesor Mhill Marku merrte pjesë në konferenca të rëndësishme ndërkombëtare për Shqipërinë. Në Boston kishte lidhje të ngushta me udhëheqjen e Vatrës dhe editorin e Diellit (Gjekë Gjonlekaj).
===============================
Zbulohet në Uashington një audio e rrallë e Fan Nolit
Fan Noli,fjalim 1963 audio regjistrim (1-2)