BEHXHET Sh.SHALA – BAJGORA: LUFTA E FTOHTË NË KOSOVËN E PËRVËLUAR!

Prishtinë, 19. 08. 2014: A do t’i hyjë pyka LAN’it: U ktheva nga pushimi për të cilin i pata paralajmëruar lexuesit dhe disa që po bëjnë përpjekje t’i kacavirren majave politike e që kanë treguar interesim për vendndodhjen time. Kam thënë se do të shkoj në Sarandë ku në fakt edhe isha dhe ku kam shkuar rregullisht. Në një mënyrë kam kontribuar në forcimin e turizmit të Shqipërisë e sidomos kemi kontribuar që Beni, pronar i hotelit Iliria në Sarandë t’i marr këmbët duke i përmirësuar kushtet dhe shërbimet në hotelin e tij pasi ishet kthyer nga Greqia ku i ishte rrezikuar identiteti kombëtar dhe njerëzor. Sikur shumicës së shqiptarëve që ndjeheshin të poshtëruar dhe të fyer. Që nga viti 2002 kur kemi shkuar për herë të parë, gjithmonë kemi qëndruar te Benin dërkaq që plazhin e kemi bërë kryesisht te Sandri që e ka një mjedis të mrekullueshëm por jo të shfrytëzuar sa duhet dhe si duhet. Vetëm një herë kemi qenë në Turqi për të mos shkuar kurrë më! Këto detaje , për shkaqe të sigurisë sepse frika është njerëzore dhe jeta është e ëmbël , nuk do t’ua tregoja para se të nisesha për pushim por tash, pasi u ktheve mund të flas lirisht për rrugëtimin tim. Të shkosh në Sarandë e të mos vizitosh Vlorën , Parkun Kombëtar të Llogarasë, Himarën, Jalën, Borshin, Qeparon, Lukovën dhe vendet tjera, nuk ke bërë asgjë. Nuk e përmenda Dhërminë shkaku se e lashë si delikatesë. Në radhë të parë për shkak të atraktivitetit dhe namit që e ka dhe në radhë të dytë si detyrim moral për të pirë një pije në DarBar ku kishe përshtypjen se ishte e tërë Prishtina. Shpresoja ta takoja Dardanin që t’i vë “haraç” një pije por u detyrova t’i thaja lekët. Ky ka qenë pushimi më i mirë imi deri më tani shkaku se e kam bërë në kushte të një ilegaliteti të thellë duke i ndërruar vendet çdo ditë. Një herë në Ksamil , pastaj te Plazhi i Pasqyrave, vizitë e pashmangshme në Butrint , te Sandri për të përfunduar ditën e fundit në Plazhin e mrekullueshëm të Bunecit ku dora e njeriut ende nuk arritur ta prishë bukurinë e natyrës . E që sigurisht do të ndodhë më vonë. Telefonat i kam pasur jashtë rrjeti dhe i vetmi njeri që i jam lajmëruar ka qenë Llapqini. E kam lexuar Kohën Ditore , Zërin dhe Kosova Sot që e kishin çmimin sikur të New York Times apo Le Monde. Kam pasur mundësi të përcjell KTV dhe RT21 por e kam shfrytëzuar në minimum. I vetmi njeri që i kam hyrë në hak ka qenë Berat Buzhala i cili vetëm sa nuk më preku duke notuar dhe të cilin nuk pata mundësi ta përshëndes sepse notonte shpejt dhe nuk shihte asgjë afër. Shqipëria është vendi që ka përparuar më së shumti në Ballkan nëse krahasohet me vitet e 90–ta. Ka përparuar bindshëm në aspektin e krijimit të kushteve fizike për një jetë më të mirë ndërsa ka një prapakthim të madh në aspektin e ruajtjes dhe afirmimit të identitetit kombëtar. Turizmin shqiptar e mirëmbajnë shqiptarët e Kosovës, të Maqedonisë dhe ata të diasporës ndërsa më së shumti përfitojnë turistët maqedonas , të Serbisë , të Rusisë etj. Është rast i ngjashëm me Kosovën ku shqiptari nuk e respekton shqiptarin apo të vetin ndërsa lëvyret para të huajve edhe në raste kur ata nuk ua duan të mirën. Besoj të jetë kjo kalimtare. Ishte inkurajuas fakti se ishte rritur numri i vizitorëve të Butrintit dhe kalasë së Gjirokastrës e sidomos kishte shumë vizitorë që bënin selfije para bustit të Qerqiz Topullit. Këta ishin kryesisht të rinjë prandaj te këta e mbështes shpresën për një bashkim kombëtar sepse gjeneratat pa hipoteka nga e kaluara dhe të liruara nga patriotizmi folklorik janë në gjendje ta bëjnë këtë. Patriotizmi pa dije është vlerë e përgjysmuar dhe nëse kjo ka qenë e domosdoshme për një të kaluar, u tregua se nuk mjafton për sot dhe është i dëmshëm për të ardhmën! Sa isha në pushima në Kosovë ishte një heshtje politike ndërsa u arrestuan si fushatë 40 të dyshuar për radikalizëm islamikë e që në shumë medie, pa përfunduar hetimet dhe pa një vendim gjykate u shpallën terroristë. Reagimet e vonuara gjithmonë prodhojnë radikalizëm tjetër. Këta që janë arrestuar tash (një numër i tyre) veprojnë që nga viti 1999 dhe nuk janë penguar nga askush. Nga përvoja që e kam jam i sigurt se këto arrestime në mënyrën si janë bërë, në kohën që janë bërë dhe për arsyet që janë bërë më shumë do të kontribuojnë në forcimin e radikalizmit se në dobësimin e tij! moti ështtë dashur të veprohet. Dhe, nuk është normale që 40 vetave t’u shqiptohet masa e arrestit në mënyrë lineare kur ka masa të tjera alternative të veçimit. Sikur që ishte rasti i dy imamëve të cilëve iu shqiptua masa e arrestit shtëpiak. Panevojshëm po krijohet një situatë euforie . Edhe ndërkombëtarët nuk mund të lirohen nga përgjegjësia për forcimin e rrymave islamike në përpjekje që këto rryma mund të veprojnë në Kosovë e mos të shkojnë dhe veprojnë në shtetet e tyre! Fejsbuku është bërë i rrezikshëm dhe në raste të caktuara po e zëvendëson prokurorin dhe hetuesit. Të presim kur të kalojë edhe kjo fortunë por do të kenë problem t’i mbajnë në burgje 40 të arrestuar plus edhe disa dhjetra të tjerë që pritet të arrestohen. A po krijojmë vetë përshtypje me këto arrestime masive se Kosova është vendstrehim dhe vendveprim i radikalistëve islamikë? Kur janë edhe 100 mijë probleme tjera! Kur na presin edhe po aq të tjera. Për mua është tronditëse kur një 16 vjeçar shqiptar e ndërron emrin nga Çlirimtar (emër shumë i bukur dhe me dinjitet) në Ebu Bekër! Këtu është problemi dhe duhet luftuar kjo dukuri sepse pastaj as arrestimet nuk kryejnë punë!

Pyka dhe LAN-i
Ka dashuri antologjike por duket se ka edhe urrejtje antologjike e që ne i themi urrejtje patologjike . Dashuria antologjike është ajo midis Romeos dhe Gjuljetës ndërsa urrejtja patologjike duket se është ajo midis koalicionit të LAN –it dhe koalicionit të PDK-së. Romeo e Gjuljeta , në mbrojtje të dashurisë së tyre e kanë pirë helmin ndërsa LAN dhe PDK në mbrojtje të urrejtjes nuk janë në gjendje të pijnë as një kafe të vetme. Ndërkaq, të dyja palët janë në gjendje , për të ruajtur apo marrë pushtetin të pijnë shlivovicë me Jabllanoviqin, deputet në Skupshtinën e Serbisë dhe Lista Srpska “ Ivica Daçiq“. E pabesueshme se ku të shpie lufta dhe etja për pushtet. Po të isha në vend të LAN-it midis kushteve që i parashtron Lista Srpska e që janë shantazh destabilizimi dhe kërkesës që e ka kolaicioni LVV – FERR nuk do të mendoja as dy sekonda; do t’i pranoja kërkesat e koalicionit LVV – FERR. Enver Hasani duket se e ka fuqinë e Rasputinit. Të gjithë po i kanë frikën , të gjithë po i futen nën bisht, të gjithë po e shajnë, të gjithë po kërkojnë objektivitet nga Baba, në rast të vendimit që u pëlqen e ngrejnë në qiell, nëse nuk u pëlqen e quajnë hajn, kriminel , matrapaz etj. Realisht sot në Kosovë, nuk është njeriu më i fuqishëm as Enver Baba e as Hashim Thaçi por është Zonja Presidente, Atifete Jahjaga! Ajo do të vendosë nëse do të shkohet në zgjedhje të reja dhe ajo i di emrat e “shehitëve“ të parë të Gjykatës Speciale që do të formohet ( padrejtësisht) në fillim të vitit 2015. Kështu tha edhe Babë ki Muni. Ajo dinte për arrestimin e “terroristëve “radikalë islamikë në Kosovë! Dhe për shumë gjëra të tjera. Zgjedhjet e reja do të ishin zgjidhje për Kosovën ndonëse ndërkombëtarët nuk po pajtohen. Si Ian Klif që nga fillimi ka vepruar si të ishte anëtar i LAN-it. LAN-i nuk i do zgjedhjet sepse nuk do të ndahej mirë në to. Do të ndahej shumë keq. Prandaj është e përbetuar kundër zgjedhjeve. Prandaj e përdor psikologjinë e turmës duke menduar se sa të jenë bashkë do të jenë të fuqishëm dhe se çdo bisedim me armikun (koalicionin PDK ) është pykë për unitetin e tyre. Në fakt nuk do të jetë as siç thotë PDK e as siç thotë LAN-i. Do të zgjidhet nyja duke e prerë ate dikund jashtë Kosovës! Ma merr mendja se prerja ka filluar. Shumë shpejt nuk do të kemi më nyje ! Koalicioni LDK–PDK mund të ketë mandat 4 vjeçar ndërsa çdo koalicion tjetër maksimalisht do të mbijetojë mandatin 2 vjeçar dhe do të ishte koalicion i emergjencës. Në disejnimin e koalicioneve qeverisëse si dhe ndarjen e posteve vota përcaktuese do të jetë ajo e Gjykatës Speciale që ende nuk është formuar. Kjo gjykatë do të prodhojë efekte të menjëhershme dhe dëme kolaterale ! E keqja në Kosovë është se të gjithë duan të jenë pozitë dhe se nuk ka opozitë të respektueshme. Por, definitivisht shtatori është muaji që e nxjerr Kosovën nga kjo letargji politike , qoftë si zgjidhje e menjëhershme , qoftë në caktimin e vijave të qarta kah do të shkohet. Ta presim së pari vendimin e Ghykatës Kushtetuese të cilin të gjithë duhet ta pranojmë sido që të jetë ai por vëmendjen kryesore duhet ta drejtojmë ka Zonja Presidente , Atifete Jahjaga sepse ajo , për momentin është lojtari nr.1 në Kosovë. Mund të mos pajtoheni me këtë mendim por shpejt do të bindeni. Apo do të bindem unë nëse e kam pasur gabim! Por jam shumë i sigurt se do të ketë një koalicion tjetër!
Behxhet Sh.SHALA – BAJGORA, Prishtinë 19 gusht 2014

***
DERI KUR NË KOSOVË ME QEVERI TË KUSHTËZUAR?!

A është lufta për pushtet vetëm pasion apo interes: Milovan Gjilas ishte një intelektual i cili atëbotë e përktheu Parajsën e Miltonit dhe kishte prejardhje nga një familje borxheze . Mirëpo, gjatë luftës së dytë botërore iu bashkangjit luftës kundër nacizmit duke u bërë edhe udhëheqës i luftës. U bë partizan që vepronte i udhëhequr nga ideali dhe jo nga interesi material. Në kujtimet që i la pas vetes , tregonte se kur aradhat partizane hynë në Beograd , shtëpitë e të pasurve ishin objekt i “vizitave” dhe plaçkitjeve nga çlirimtarët e atëhershëm. Në fakt , ai tregonte se disa partizanë halabakë , nga shtëpitë e të pasurve vidhnin tepihë, pjata dhe orendi të ndryshme ndërsa nuk i preknin pikturat apo veprat shumë të vlefshme artistike sepse nuk ua dinin vlerën. Qysh atëherë kishte shprehur rezerva ndaj “pushtetit popullor” ndonëse edhe vet u bë pjesë e pushtetit duke u larguar nga linja intelektuale. Më vonë , kur “ pushtetit popullor “ i doli boja u shndërrua në opozitë të Titos duke u angazhuar për pluralizëm partiak apo pushtet dypartiak. Titoja, si absolutist që ishte nuk dëshironte ta ndante pushtetin me askend prandaj e eliminoi Gjilasin . Po krejt kjo hyrje nuk është se kam pasur vlerësim për Gjilasin i cili ishte malazez por u deklarua si serb dhe vdiq si serb por për një thënie që e ka lënë pas se:”pushteti ( e jo shteti ) është pasioni më i madh dhe kush një herë e provon nuk ndahet me vullnet nga pushteti…” Duket se kjo thënie do të jetojë për aq kohë sa do të ketë pushtete . Pasioni për pushtet kryesisht e mbanë vulën e pushteteve diktatoriale, monarkive , shteteve të ish kampit socialist dhe komunist dhe shteteve që janë në transicion e që karakterizohen me një brishtësi dhe jofunksionalitet. Edhe Kosova pa as një dyshim bënë pjesë në këto shtete dhe lufta për pushtet është shenjë identifikuese që nga koha kur nuk kishte fare shtet ( nga viti 1999 deri në vitin 2008 ) por edhe tani kur ende nuk jemi shtet në kuptimin e plotë të fjalës sepse jemi duke luftuar për të mbijetuar si shtet në kohën kur funksionaliteti i shtetit seriozisht sfidohet edhe nga jashtë por edhe nga brenda. Nga ata që na kanë mbajtur nën robëri mbi 100 vjet por edhe nga ata që na kanë çliruar (vendorët dhe ndërkombëtarët ). Lufta për pushtet në Kosovë është shndërruar në luftë brenda llojit prandaj është shumë e rrezikshme . Buburrecat e kuq luftën më të madhe nuk e bëjnë me insekte të llojit tjetër por kundër njëri–tjetrit. Ata nuk luftojnë vetëm për fitore por luftojnë ta asgjësojnë kundërshatrin ( buburrecat e kuq të tjerë ) deri në vdekje duke mos e lënë të gjallë edhe një buburrec të vetëm. A jemi shndërruar edhe ne në buburreca të kuq ?! A duam , jo ta mundim kundërsharin politik që e konsiderojmë si armik por edhe ta asgjësojmë ate deri në shkatërrim ?! Ndryshe , si të arsyetohen këto kërcënime që shpërndahen në të katër anët si fjalët e Papës në enciklikat e tij të dieleve në sheshin e shën Pjetrit , me burgosje, gjykime dhe dënime etj. Tash është bërë pjesë e fjalorit parazgjedhor e politikanëve të Kosovës gjeografia përkatësisht vendet ekzotike si Burgu i Dubravës apo Burgu për Siguri të Lartë në Dyz të cilat u prenotohen armiqve të tyre politikë ndonëse edhe vet janë kandidatë shumë serioz për aso aranzhmanesh . Të gjitha këto kërcënime bëhen ekskluzivisht për marrje të pushtetit përmes kapjes së shtetit. Ka qenë mbase si rregull që në vendet ku ka sunduar diktatura ( e djathta apo e majta, pa dallim ) udhëhësit, në” emër të popullit “ kanë qëndruar në pushtet për aq sa ka qenë vullneti i Zotit (deri në vdekje ) ndërsa në raste të rralla janë përmbysur nga pushteti nga ndonjë kundërshtar që ka qenë më tarak se ai vet por vullnetarisht nuk kanë pranuar të largohen. Shtetet e Ballkanit janë të njohura për këtë. Dhe vazhdon të jetë ashtu edhe sot , për fat të keq për demokracinë dhe qytetarët që vuajnë nën këtë demokraci!
A kanë problem shqiptarët me gjuhën apo me mendjen
Sigurisht se për shkak të robërisë shekullore shqiptarët kanë qenë të ndrydhur dhe të shtrydhur prandaj, si pjesë të identitetit e kanë pasur edhe ndjenjën e inferioritetit ndaj pushtuesve . Inferioritetit intelektual , ushtarak, historik, strategjik dhe politik! Prandaj ka pasur edhe aq shumë dallime dhe përçarje në çastet me rëndësi strategjike, që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit deri te lufta e fundit e udhëhequr nga Ushtria e Lavdishme Çlirimtare e Kosovës me Komandantin Legjendar , Adem Jashari . Këto dallime dhe përçarje i kemi edhe sot . Jo vetëm në Kosovë po gjithandej ku jetojnë shqiptarët! Në Shqipëri ishte një konflikt i shndërruar në armiqësi midis Nanos dhe Berishës tash midis Berishës dhe Ramës. Për t’i bërë bashkë dhe për të biseduar në praninë e përkthyesve i dërguan në Strasbur ( Francë) Ramën dhe Berishën. Ali Ahmetin dhe Menduh Thaçin në Maqedoni i bën bashkë vetëm Nikolla Gruevski i cili nuk flet shqip ndërsa këta të dy gjuhën shqipe e kanë gjuhë të nënës por nuk merren vesh! Një grusht shqiptarësh që po bëjnë përpjekje të mbijetojnë në Mal të Zi bisedojnë në tavolinë vetëm kur e kanë aty Gjukanoviqin. Edhe këta gjuhën shqipe e kanë gjuhë të nënës por nuk merren vesh midis tyre. Në Luginën e Preshevës duhet të jetë i pranishëm Vuçiqi apo Daçiqi për t’i bërë bashkë shqiptarët që e kanë gjuhë amtare gjuhën shqipe por kuptojnë vetëm kur të flasin serbisht! Situata duket të jetë më e rënda në Kosovë ku i kemi dy blloqe ( si në kohërat e Luftës së Ftohtë ) të cilat fare nuk komunikojnë midis tyre ndonëse gjuhë amtare e kanë gjuhën shqipe. Që të dyja palët . më me dëshirë dhe me pasion komunikojnë në gjuhën serbe ndonëse me përjashtim të një grushti deputetësh në LDK dhe PDK, nuk kanë njohuri elemetare nga kjo gjuhë. Mosnjohjen e gjuhës serbe e kompensojnë me gjestikulime , buzëqeshje të vërteta dhe të rreme, vardisje dhe lëvyrje të skajshme sipas parimit të Gjilasit se pushteti është pasioni më i madh . Edhe për këta që janë në pushtet por edhe për ata që duan të bëhen pushtet ! Ndryshe, si mund të arsyetohet vardisja aq e madhe që i bëhet Lista Srpska “ Ivica Daçiq” , edhe nga pozita , edhe nga opozita ! Sipas parimit :” të gjithë rreth Listës Srpska të përbashkuar , me një dëshirë , me një qëllim, jo për shtet por për pushtet të amshuar … që duket se është i vetmi synim….”. Lexues të nderuar , besoj se nuk e keni vështirë ta vëreni se sa shumë janë shëndoshur daputetët e kësaj liste nga drekat dhe darkat e shumta që për nderë ( vota ) të tyre rregullisht ua shtrojnë pozita dhe opozita! E sidomos udhëheqësi i kësaj liste , ndryshe deputet në Kuvendin e Serbisë , gospodin Aleksandar Jabllanoviq i cili u bë rrumbullak nga drekat dhe darkat e pozitës dhe opozitës! Në ditën konstituive të Kuvendit të Kosovës që përfundoi për faqe të zezë , deputeti i Skupshtinës së Serbisë , gospodin Aleksandar Jabllanoviq sillej më komod se të ishte në dhomën e tij të fjetjes. Sikur të ishte Zoti vet! Paramendojeni situatën kur ndonjëri nga deputetët e Kuvendit të Kosovës si Arsim Bajrami , Ismet Beqiri , Donika Kada , Visar Imeri apo dikush nga NISMA do të shkonte në Kuvendin e Serbisë dhe t’i organizonte deputetët shqiptarë se si duhet të votojnë dhe për kë duhet të votojnë! Kjo as që mund të paramendohet ! E pse Jabllanoviqi ka të drejtë të ladrojë në Kuvendin e Kosovës sikur të ishte në livadhet e Shumadisë ndërsa Ibrahim Makollin e kthyen nga kufiri duke mos e lejuar ta vizitojë Luginën e Preshevës ?! Madje, vetëm mbeti t’i fusin një shkelm prapa. Pse standarde të dyfishta dhe të trefishta ?! Sepse nuk e respektojmë as veten prandaj nuk e respektojmë as shtetin! Tash , për këtë arsye Jabllanoviqi u bë boshti rreth të cilit sillen edhe ata që duan të mbesin në pushtet sikur edhe ata që e duan fort pushtetin.
Nuk mbahet shteti me një bosht (Lista Srpska “Ivica Daçiq“)
Lufta në Kosovë po bëhet midis dy koalicioneve ; atij parazgjedhor dhe këtij paszgjedhor. Për mbajtje të pushtetit dhe marrje të pushtetit! Realisht koalicioni parazgjedhor ka shumë probleme me numra. Ka ngelur te numri 37. Adem Grabovcit mbase për shkak të dioptrisë po i dalin 67 vota për formimin e qeverisë. Unë nuk po i shoh ata numra! Mirëpo koalicioni parazgjedhor ka përparësi nëse i referohemi Kushtetutës. Sidomos për postin e të parit të Kuvendit që koalicioni paszgjedhor , si në Bahqe të Babës ia ka ndarë Isa Mustafës! Dhe këtu është bllokuar puna sepse nëse Isai mbetet pa këtë post ( e me gjasë në mungesë të një marrëveshjeje politike do të mbetet ) atëherë mund të lindin problemet për koalicionin i cili është aq i përbetuar kundër Thaçit sa që as që duan të takohen me te. Problemi është i natyrës psikologjike. I frikës se çka do të ndodhë pas një takimi eventual me Thaçin. Pse nuk mund të takohen dhe të ndahen me qëndrime që i kanë pasur edhe më herët! Pse aq miqësor me Jabllanoviqin e aq armiqësor me Thaçin ? E pakuptueshme për mua dhe aspak normale ! Po të ishin aq të vendosur disa nga këta të koalicionit paszgjedhor në luftë kundër Serbisë , Isa Mustafa nuk do të konsiderohej muhaxher por do të kthehej në trojet e të parëve ndërsa më nuk do të flisnim fare për Mollën e Kuqe . Edhe Jakup Krasniqi do ta rishkruante historinë kombëtare dhe shtetërore. Në situatën në të cilën jemi, Jabllanoviqi po ha molla nga Molla e Kuqe ndërsa neve po na mpihen dhëmbët duke hëngër dardha kakiqke ! Si gjithmonë!
E provuam se si ( nuk ) funksionon qeveria nëse mbështetet vetëm në Jabllanoviqin. Pse ta bëjmë të njëjtin gabim edhe në të ardhmën ? Pse mos ta bëjmë një shumicë vendosëse shqiptare ndërkaq Jabllanoviqët t’i trajtojmë në përputhje me Kushtetutën e vendit dhe dokumentet relevante ndërkombëtare për trajtimin e pakicave kombëtare ?! As më pak e as më shumë! Sikur të gjitha vendet demokratike në botë e që eksportojnë demokraci sikur te ne e që nuk ka lidhje me demokracinë si i ashtuquajturi diskriminimi pozitiv! Shpresoj se nga e kaluara duhet të nxirret një mësim . Po duket se ne nuk do të mësojmë ende për aq kohë sa na duhet t’i thyejmë kokën njëri–tjetrit! Koalicioni paszgjedhor ka numra por nuk siguron stabilitet. Lista Srpska “ Ivica Daçiq “ i rri mbi kokë si shpata e Demokleut . Çdo koalicion që e mbështet perspektivën qeverisëse në Listën Srpska “ Ivica Daçiq “ në fakt e ka futur kokën nën gijotinë . Dhe fati dihet ! Është shumë më e arsyeshme të pranohen kushtet e LVV – FERR se të kësaj liste. Edhe me LVV – FERR formati i bisedimeve nuk do të ndryshojë fare. Vetëm do të vazhdojë. Ndërprerjen e privatizimit po e kundërshtojnë Lista dhe LVV – FERR. Ndërkaq hetimin e privatizimit e kundërshtojnë PDK , AAK , LDK dhe NISMA. Sigurisht për shkaqe parimore ( !!! ). E dinë pse ?!
Në një mungesë të një marrëveshjeje politike për sigurimin e shumicës së votës shqiptare e vetmja zgjidhje mbeten zgjedhjet e jashtëzakonshme . Nuk shoh mundësi tjetër ! Nëse nuk konstituohet Kuvendi i Kosovës me të gjitha organet ( të brendshme dhe të jashtme ) atëherë Presidentja e Kosovës duhet ta zbatojë detyrimin kushtetues duke e shpërbërë një Kuvend jofunksional. Nëse koalicioni paszgjedhor beson se e i ka shumicën e votave atëherë nuk ka as një arsye t’i kundërshtojë këto zgjedhje. Madje, ka interes t’i provokojë zgjedhjet e jashtëzakonshme! Unë mendoj ndryshe . Në zgjedhjet eventuale të jashtëzakonshme , koalicioni paszgjedhor do të pësonte bukur shumë! Duket se edhe në koalicionin paszgjedhor ka të tillë që e ndajnë mendimin me mua. Prandaj edhe po i kundërshtojnë këto zgjedhje eventuale! Për shkak të mungesës së marrëveshjes politike apo kokëfortësisë , lehtë mund të ndodhë që ata që duan tërë pushtetin , si të pozitës ashtu edhe të opozitës, do të mbesin pa asgjë ! Si shpresë e fundit mbesin edhe 67 votat e Adem Grabovcit , që si magjistar i ka mëshehur dikund dhe në seancën e radhës mund t’i nxjerr nga doreza e dorës së majt! Le të shpresojmë ! Po të ishte 1 Prilli!
Njoftim : Njoftohen të gjithë ata që më kanë përcjellur se nga data 8 gusht deri më 18 gusht nuk do të jem këtu. Gjithashtu, edhe telefonat nuk keni nevojë t’i përgjoni sepse nuk do të kenë qasje! Ju falenderoj shumë për mirëkuptim.
Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA – Prishtinë, 6 gusht 2014

***
NJË GJYKATË SA PËR TË THËNË DHE PËR NJË VEND PUNE !

Shtrati i Prokrustit dhe plafi i del Pontes : Prokurori amerikan Klint Uliamson doli me një deklaratë, në vend të një raporti të paralajmëruar, si përfundim i një hetimi trevjeçar me ç’rast edhe e përmbylli mandatin e prokurorit të një Task Force Speciale për hetimin e raportit të Dik Martit i cili u shndërrua në raport të Këshillit të Evropës për t’i vërtetuar apo mohuar pretendimet se struktura më e lartë e ish UÇK-së kishte bërë krime lufte , krime kundër njerëzimit dhe, si akuzë më e fortë që shpërtheu si bombë në atë kohë ishte nxjerrja e organeve dhe tregtimi me to që do t’i rrinin si shpata e Demokleut mbi kokën e UÇK-së dhe shqiptarëve. Në fakt, ishte ky mashtrim i mashtruesve ordinerë sikur që ishin Karla del Ponte dhe një urryes patologjik i shqiptarëve dhe benjamin i serbëve, rusëve, Serbisë dhe Rusisë, senatori zviceran në Këshillin e Evropës, Dik Marti. Mbi këtë infrastrukturë të këtyre dy mashtruesve u formua kjo Taskë Forcë për Hetime Speciale e që në fakt më shumë ishte përpjekje që Kosovës dhe shqiptarëve që ishin në radhët e UÇK-së apo që e përkrahën luftën t’u ngritej një akuzë monstruoze e cila do të ishte një barrë e dëmshme strategjike për gjeneratat e ardhshme, duke ju bërë dëme të pariparueshme sepse nxjerrja e organeve për qëllime të trafikimit me to do të identifikohej si mjet që e paska përdorur UÇK në luftën e saj çlirimtare. Deri më tani nuk është e njohur apo e pranuar se një ushtri në botë ka përdorur trafikimin me organe të robërve të luftës si mjet lufte andaj edhe akuza e supozuar e dy mashtruesve ordinerë qoftë vetëm edhe si dyshim ishte tepër e rëndë aq më parë që kushtet në të cilat bëri luftë UÇK nuk krijonin as mundësi elementare për këtë krim siç ishte nxjerrja e organeve dhe trafikimi me to! Shtëpia e Katuqëve në një fshat afër Burrelit në Shqipëri ,që më shumë ngjante me një stallë për bagëti në atë kohë u caktua nga del Ponte dhe Dik Marti të jetë “ klinika “ për transplantimin e organeve dhe e cila u shndërrua në vend pelegrinazhi për mediet e Beogradit dhe disa të Prishtinës në përpjekje të materializimit të këtyre rrenave të domenit të fantastikës shkencore. U prodhuan me dhjetëra e dhjetëra emisione për këtë temë për t’u bërë më bindës dhe thuaja e shitën si fakt të kryer. Kundërshtarët e luftës në Prishtinë afërmendësh e pritën si bingo këtë trillim të dy mashtruesve ordinerë të kryeprokurores dhe senatorit dhe u shndërruan në akuzuues më të mëdhenj se vet Del Ponte dhe Dik Marti! Nëse e keni parë edhe në foto këtë Shtëpinë e Verdhë në Burrel atëherë lehtë jeni bindur se aty nuk ka pasur kushte elementare për një syneti të thjeshtë apo nxjerrje dhëmbësh e lëre më për nxjerrje të organeve dhe trafikimi me to. Këtë e pati pohuar edhe një ekspert i përmasave ndërkombëtare në këtë lëmi nga Akademia Mjekësore Ushtarake në Beograd duke mohuar çdo mundësi që në Burrel apo gjetiu në Shqipëri apo Kosovë ka pasur kushte dhe kapacitete profesionale për këtë llojë krimi. Ndërkaq VMA ( Vojno Medicinska Akademia ) në Beograd ka pasur të gjitha kushtet logjistike e sidomos ka pasur kuadër profesional për nxjerrje të organeve si dhe transplantimin e tyre. Në mungesë të fakteve do të ishte e pamoralshme dhe joprofesionale që ky institut shëndetësor ushtarak në Beograd të akuzohet për këtë veprimtari kriminale ndonëse me mijëra shqiptarë nga Kosova janë transferuar në Serbi dhe nuk dihet ende asgjë për fatin e tyre.
Si nisi e tëra kjo : Ish kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës, pasi nuk u rizgjodhë edhe për një mandat, e shkroi një libër – pamflet duke e portretizuar UÇK-në si organizatë kriminale e cila luftën e paska bërë e ndihmuar nga tregtia me narkotikë dhe nxjerrje dhe trafikim me organe. Ka shkruar se këto fakte i ka ditur edhe gjatë mandatit të saj si kryeprokurore mirëpo se paska heshtur ( nuk ka treguar arsyet ) dhe librin e ka shkruar pasi e ka humbur postin e kryeprokurores. Kjo ka qenë edhe pikënisje dhe pikësynim i senatorit Marti për një raport që shërbeu si bazë për hetimin e prokurorit Uliamson. Karla del Ponte shkruan se si fëmijë ka qenë e pasionuar në kapjen e gjarpërinjve andaj u hodhë në gjueti për kapjen e Gjarprit të UÇK-së! Përmes një dyshimi tendencioz të shndërruar në akuzë konkrete kurrë të dëshmuar me edhe një rast të vetëm e nxjerrjes së organeve dhe tregtimit me to. Prandaj, për mua nuk ishte aspak befasues fakti se Karla del Ponte , pas “ raportit “ të prokurorit Uliamson derdhi lotë duke vajtuar se ky prokuror nuk paska gjetur fakte për trafikim me organe nga UÇK sa ishte “ befasi “ zhgënjimi i disa medieve dhe “ analistëve “ kosovarë për mungesë të fakteve në deklaratën për shtyp të prokurorit Uliamson se nuk ka fakte bindëse për trafikim me organe për të ngritur një aktakuzë. Merreni me mend deri ku ka shkuar urrejtja ndaj vendit ku jetojmë dhe ndaj atyre që dikur e kanë udhëhequr luftën! Dhe se sa fort u dëshpëruan që nuk u arrestuan at që e bënë luftën dhe sidomos ata që e udhëheqën këtë luftë për t’ua lëshuar pushtetin atyre që asgjë nuk bënë për këtë popull e këtë vend , nga katragjyshërit, gjyshërit dhe baballarët e tyre e deri te ata vetë!
Si do të zhvillohen gjërat pasi të ngritet aktakuza

Jam i sigurt se kurrë nuk do të sigurohen dëshmi për nxjerrje të organeve dhe tregti me ato organe sepse thjesht nuk ka pasur këso aktivitete kriminale. Mjegullën që e ka lënë pas vete prokurori Ulliamson është në fakt përpjekje për të pastruar pa- fytyrësitë e Karla del Pontes dhe Dik Martit të cilët këmbëngulnin se ka pasur trafikim me organe ndonëse tash Dik Marti pohon se tregtia me organe ka qenë pika kryesore e hetimit të tij. Edhe këtu nuk po tregohet i sinqertë sepse trafikimi me organe ka qenë pika goditëse kryesore e raportit të tij. Me të cilën ka dashur ta komprometojë Kosovën dhe luftën e UÇK-së duke i siguruar favore Serbisë dhe aleatëve të saj në Kosovë! Shqiptarë dhe kosovarë! Është tepër joserioze dhe joprofesionale të pohosh se jeni i sigurt se ka pasur nxjerrje të organeve në së paku 10 –të raste por se nuk keni siguruar prova të mjaftueshme për ngritje të aktakuzës. Kjo mjegullnajë apo “ bombë tymi “ e prokurorit Ulliamson është “ kartë dalëse “ nga situata për Karla del Ponten, Dik Martin dhe Këshillin e Evropës. Asgjë më tepër sepse asgjë nuk do të dalë nga ky trillium ! Ju kujtohet lexues të nderuar se u patën arrestuar dy serbë të Kosovës ( njëri polic i Kosovës ) dhe një serb nga Novi Sadi i Vojvodinës të cilët bënin përpjekje që me një çmim prej 50.000- 150.000 euro të siguronin “dëshmitarë” në Kosovë se gjoja atyre u janë nxjerrë organet nga UÇK-ë. Patën qëndruar disa muaj në paraburgim në Kosovë dhe pastaj janë liruar dhe për ta nuk është dëgjuar më! Kjo tregon se çështja e trafikimit me organe ka qenë e sinkronizuar dhe me para e mbuluar nga Serbia. Çfarë roli kanë pasur në këto zhvillime Karla del Ponte dhe Dik Marti do të tregojë koha !
Akuza për spastrim etnik në deklaratën e prokurorit Ulliamson po del të ketë qenë një akt i kryer pas vitit 1999 në Kosovë dhe se ka qenë e drejtuar vetëm kundër serbëve dhe romëve. Është e vërtetë se pas përfundimit të luftës një numër i serbëve dhe romëve që kanë bashkëpunuar me forcat serbe duke kryer krime ndaj shqiptarëve janë tërhequr së bashku me forcat ushtarake , policore dhe paramilitare serbe . Kanë qenë në kolonë me këto forca dhe ata janë tërhequr më pasurinë që ua kanë vjedhur fqinjve të tyre shqiptarë dhe gjatë tërheqjes kanë vrarë civilë shqiptarë dhe ua kanë futur flakën fshatrave dhe shtëpive të shqiptarëve! Kështu, patën vrarë edhe katër të rinjë shqiptarë në lagjen Kodra e Diellit pas hyrjes së forcave të NATO-së. Është e vërtetë se pas hyrjes së forcave të KFOR-it , ndaj serbëve të mbetur si dhe romëve është ushtruar dhunë me qëllim, kryesisht të përvetësimit të pronave të tyre duke i nxjerrë dhunshëm nga banesat dhe shtëpitë e tyre. Motive ka qenë kryesisht i natyrës kriminale dhe jo i asaj politike. Në një anarki institucionale kanë dështuar në mbrojtje të jetëve dhe pronave të serbëve dhe romëve pikërisht ndërkombëtarët si KFOR dhe policia e UNMIK-ut prandaj as ata nuk duhet dhe nuk mund të përjashtohen nga përgjegjësia për këto krime që tash po cilësohen si krime kundër njerëzimit . Edhe ata duhet të jenë pjesë e akuzës. Për aq sa kam njohuri dhe përvojë , Gjykata Speciale do ta ketë shumë vështirë mkos ta them të pamundur ta vërtetojë se këto krime janë kryer nga një qendër e vendosjes politike dhe se motivi ka qenë kryesisht etnik dhe politik! pas luftës nuk ka pasur institucione të konsoliduara kosovare me përjashtim të UNMIK–ut si strukturë politike dhe policore dhe kFOR-it si strukturë ushtarake. Në vend të spastrimit etnik më e përshtatshme do të ishte cilësimi si shpërngulje për shkak të pasigurisë dhe dhunës . Apo si zhvendosje e popullsisë brenda vendit sepse ka pasur shpërngulje ( për shkak të pasigurisë dhe dhunës ) të serbëve dhe romëve nga qendrat urbane në ato rurale. Dhe këtu formohen enklavat serbe në Kosovë! Spastrim etnik është term shumë i fortë dhe spatrimet etnike i bëjnë shtetet e organizuara për qëllime politike apo ekonomike dhe etnike. Për të bërë spastrime etnike duhet të keni struktura të organizuara ushtarake , policore dhe paraushtarake e të tjera që Kosova në vitin 1999 -2000 nuk i ka pasur. Spastri etnik tipik është rasti i shkurtit të vitit 2000 kur strukturat paraushtarake dhe policore të Serbisë brenda një nate kanë vrarë 11 shqiptarë dhe boshnjak duke shpërngulur mbi 13,860 qytetarë shqiptarë dhe boshnjak , në prani të forcave të KFOR-it francez duke u dhënë 30 minuta afat t’i lëshojnë shtëpitë e tyre. Kjo dhunë ka qenë e organizuar dhe orkestruar nga një qendër , nga Beogradi. Por edhe nëse cilësohet si spastrim etnik e që do ta kenë shumë vështirë ta dëshmojnë atëherë përgjegjësi për këtë duhet të mbajnë edhe UNMIK dhe KFOR sepse kanë qenë të mandatuara për sigurinë dhe jetën e të gjhithë qytetarëve të Kosovës pavarësisht përkatësisë së tyre etnike, fetare , bindjeve politike dhe statusit social. Definitivisht, të gjithë duhet të përgjigjen për krimet në rast se u dëshmohen ato.
Fati i Gjykatës Speciale

Nëse kjo Gjykatë mjaftohet për gjykimin e vetëm 6-10 udhëheqësve të lartë të UÇK-së do të ishte dhunim i drejtësisë dhe shpenzim i panevojshëm i 300 milionë eurove. Me këto para mund të ndërtohen 30 fabrika në Kosovë dhe do të zbutej në masë të madhe papunësia dhe varfëria! Nëse kjo gjykatë nuk merret edhe me përgjegjësinë konkrete të UNMIK–ut dhe KFOR-it , drejtësia do të mbetej e papërmbushur! Nëse kjo gjykatë nuk do të merrej me rastin e shkurtit të vitit 2000 me ç’rast janë vrarë 11 shqiptarë dhe boshnjak dhe dhunshëm janë shpërngulur 13,860 shqiptarë dhe joserbë atëherë nuk ka bërë asgjë. Nëse kjo gjykatë nuk i heton dhe gjykon rastet e vrasjeve të motivuara politikisht dhe etnikisht atëherë gjë nuk do të dalë nga kjo punë! Kjo gjykatë nuk e ndihmon aspak forcimin e gjyqësorit kosovar sepse edhe hetuesit , prokurorët si dhe gjyqtarët do të jenë të huaj. Madje edhe guardianët që do t’i ruajnë të dënuarit eventual. Nëse besohet se gjykatësitë ndërkombëtarë do të marrin vendime të drejta atëherë duhet të hetohen edhe prokurorët dhe gjyqtarët ndërkombëtarë në Tribunalin e Hagës dhe këtu në Kosovë shkaku se shumë here kanë marrë vendime të çuditshme nën presione politike apo për shkaqe politike dhe pse jo edhe se janë shpërblyer shumë mire materialisht për vendimet e tyre që nënkupton se as për ta korrupcioni nuk është diçka e panjohur ! Po presim se çfarë do të ndoshë por jam i sigurt se nuk do të ketë aktakuza për njerëzit që u lakohen emrat çdo ditë. Ma merr mendja se kjo gjykatë do të merret me më shumë se 100 të akuzuar e assesi për 6 apo 8 ntë akuzuar. Nëse bëhet vetëm për 8 të akuzuar atëherë do të jetë karikaturë e Gjykatës dhe do të hapet vetëm për të siguruar një vend pune për ata që do të punojnë aty. Sepse 8 të akuzuar kanë mundur lirisht të gjykohen në ambientet e Burgut për Siguri të Lartë në Gërdoc dhe aty ta mbajnë dënimin. Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA – Prishtinë, 4 gusht 2014

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura