PROF.DR.AGIM ZOGAJ: AGRESIONI SERB ME FOTOGRAFI!

Prishtinë, 2 Maj 2020: Përtej provokimit
Njëzetë vjet pas çlirimit të Kosovës nga sundimi serb, Serbia vazhdon të ndërhyjë në zhvillimet brendshme në shtetin e Kosovës. Njëzet vjet pas çlirimit, Serbia nuk jep asnjë shembull se, ka vullnet politik, të heq dorë nga pretendimet për ta destabilizuar Kosovën, për të nxitur situata, të përkeqësimit të marrëdhënieve midis dy shteteve të pavarura. Serbia, është ajo e cila, madje, edhe përmes futjes së dy maunëve, në të cilët i vendosi fotot e Putinit dhe të Karaxhiqit, po dëshmon se, fare nuk brengoset për, provokime të tilla, të hapura, midis territorit të Kosovës. Fotografitë e Putinit dhe të kriminelit serb, Karaxhiq, janë simbolikë, por, në rastin konkret simbolikë e agresionit diplomatik, të hapur dhe të qëllimshëm që vjen nga Serbia fqinje! Gjithsesi, janë më tepër se simbolikë, pra, ai veprim i dy shtetasve serbë, të cilët, në maunët vendosën fotografitë e Putinit dhe të Karaxhiqit ka shumë kuptime, domethënie, qëllime, jo vetëm propagandistike! Njëzetë vjet pas çlirimit të Kosovës, derisa nëpër malet, fushat, lumenjtë e Serbisë, ende gjenden të fshehura, mbetjet e mbi 1700 shqiptarëve të vrarë nga lufta pushtuese e Serbisë në Kosovë, serbomëdhenjtë, të veshur me ideologjinë e fashizmit modern sllav, kanë guximin të bëjnë një provokim tejet të rrezikshëm!

Përse, jo? Sepse, Serbia e vlerëson që, kur ajo të dojë, ka aq liri, aq pushtet, aq guxim që, ta provokojë popullin e Kosovës edhe përmes fotografive të Putinit dhe të kriminelit Karaxhiq. I pari, pra, Putini, është simbol i mbrojtës ruse për Serbinë, i përkrahjes së Rusisë për Serbinë, simbol i aleancës serbo – ruse, në fakt i aleancës sllave, siç e ka ideuar, ideologu i sllavizmit bashkëkohor, Aleksandar Dugin. I dyti, pra, Karaxhiqi, është i shpallur dhe i dënuar në Hagë për krime lufte kundër njerëzimit, për gjenocid kundër njerëzimit, përkatësisht, kundër myslimanëve, boshnjakëve në Bosnjë e Hercegovinë. Do të ishte, madje, provokim serioz, në rast se një maun, ose mjete tjetër transporti, me fotografinë e Karaxhiqit të lëvizte në Bosnjë e Hercegovinë, prej nga është ai. Pra, e njëjta gjë vlen edhe për Kosovën.

A nuk është, pra, provokim i hapur dhe i rrezikshëm, që, fotot e Putinit dhe të Karaxhiqit të vendosën hapur në maunët dhe, brenda ditës të arrijnë, pa asnjë pengesë deri në Pejë? A është kjo dëshmi se, Serbia, nuk ndryshon qëndrimin ndaj Kosovës, as pas presioneve të diplomacisë ndërkombëtare? Çfarë rrethana politike, diplomatike kanë ndodhur dhe po zhvillohen që, Serbia, ta ndjej veten shumë komode, për të nxitur veprime të vazhdueshme provokuese ndaj paqes në Kosovë? Me cilën Serbi, pra, mendohet të arrihet marrëveshje historike, paqeje në cilin do takim në nivel ndërkombëtar. A ndjehet, edhe më tej, Serbia e përkëdhelura e diplomacisë evropiane, derisa, nxit, shkakton veprime të këtilla, si kjo me fotografitë e Putinit dhe të Karaxhiqit. Apo, përkundrazi, Serbia, meqë, për gjenocidin në Kosovë, nuk mori kurrfarë ndëshkimi ndërkombëtar, po trimërohet, për ta atakuar, jo vetëm me diplomaci të nëndheshme e të hapur, ditë e për ditë , Kosovën, shtetin tonë të pavarur? Përse, lidhur me cenimin e hapur të rendit publik në Kosovë, nga ana e dy shtetasve serbë, në fakt nga Serbia, nuk kemi asnjë reagim zyrtar të ndonjërit nga diplomatët e BE-së ?
Pretendimet territoriale
Çfarë, nëse, do të kishte ndodhur ndonjë incident, konflikt, siç e ka pretenduar dhe qëllimisht synuar Serbia? Kush do të mbante përgjegjësi dhe, a mos Serbia, qëllimisht e ka organizuar këtë provokim, për të përshkallëzuar situatën e sigurisë në Kosovë, në vendin tonë, i cili, edhe ashtu është në sprovë dhe në mjegullnajë të thellë politike? Edhe, vogëlushët e kopshteve të Kosovës e dinë se, Serbia, përmes shërbimit të saj sekret, i cili, vepron jo vetëm në Veri të Kosovës, ka prani veprimi në Kosovë, është aktive, sa herë që, i krijon rrethanat, apo, sa herë që, ne jemi të “përgjumur”, të pa vëmendshëm, sikur në rastin e 1 majit 2020!?
Serbia, jo vetëm në rastin e mësipërm, të shkeljes së rendit publik, të dy shtetasve serbë, më 1 maj 2020, po dëshmon se, në politikën e saj, në raport me shtetin e Kosovës, nuk ka ndryshime. Serbia, edhe njëzetë vjet çlirimit të Kosovës, ka pretendime territoriale ndaj Kosovës, dhe, ky fakt, pra, ky pretendim i saj është shumë i rrezikshëm. I rrezikshëm për arsye se, shpreh, synimet e Serbisë për ndarjen e Kosovës, për shkëputjen e një pjese të territorit të Kosovës, reflekton, pra, politikën e konfliktit të përhershëm, të hapur në raport me shtetin tonë. Nuk është e tepërt të përmendim, deklaratën më të fundit të presidentit serb, Vuçiç, i cili, tha hapur se, sipas tij, askush nuk guxon të pretendoj që, Liqeni i Ujmanit të mos i takojë Serbisë! Kjo, pra, është Serbia me të cilën, diplomacia evro-perëndimore na kërkon, bisedime, negociata, marrëveshje…?
Prandaj, provokimi me fotografinë e Putinit dhe të Karaxhiqit, ishte agresion politik, përmes fotografive. Të kalosh, aq shumë kilometra nëpër rrugët e Kosovës, me fotografinë e Putinit dhe të kriminelit, gjakpirësit Karaxhiq është veprim tejet i rrezikshëm. Veprim, i cili argumenton se, shërbimi sekret serb vepron, jo vetëm në Veriun e okupuar të Kosovës, por, edhe në enklavat tjera serbe. Ndaj, gjithsesi, shërbimi sekret serb, mund të ketë pasur plan që, përmes këtij agresioni me fotografi të niste ndonjë situatë konflikti, pse, jo edhe fizik dhe pastaj ta alarmonte faktorin ndërkombëtar?
Ndërkohë, heshtje dhe mos reagim zyrtar nga BE-ja, pra, edhe nga diplomati Lajçak, i cili me aq pompozitet, flet dhe bën presion për rinisjen e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, ndërkohë që, nuk ka fuqi politike ta bind udhëheqjen e shtetit të vetë, për ta njohur shtetin e Kosovës?

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura