PROF.MURAT GECAJ: AKADEMIKU ALFRED UÇI, PERSONALITET I SHQUAR I ARSIMIT, KULTURËS DHE SHKENCËS SONË MBARËKOMBËTARE

Tiranë, 16. 12. 2015: – Në 85-vjetorin e lindjes – (“Akademiku i nderuar Prof. Alfred Uçi, në ditët e sotme, përfaqëson një nga emblemat më të çmuara të kulturës shqiptare. I edukuar që fëmijë me idealet atdhetare të gjyshit të tij, Petro Nini Luarasi dhe korifenjve të tjerë të Rilindjes sonë Kombëtare, i përfshirë në Lëvizjen antifashiste që në moshen 14-vjeçare, dha ndihmesën e tij të pakursyer, me mish e shpirt, për ndërtimin e një Shqipërie demokratike dhe të emancipuar. Me veprën e tij madhore, që po e pasuron vazhdimisht me kryevepra të reja, ai nderon kulturën e vendit tonë të vogël, në vatrën e kulturës botërore. Nga zemra urojmë: Jetë të gjatë dhe krijimtari të mbarë, i nderuar Prof. Alfred Uçi!” – Petro Skënder Luarasi)
1.
Në mjediset e Hotelit “Tirana” të kryeqytetit tonë, sot pasadite u organizua festa e 85-vjetorit të lindjes së prof.Alfred Uçit-Akademik, personalitet i shquar i arsimit, kulturës dhe shkencës mbarëkombëtare shqiptare. Kishin ardhur familjarë të tij, studentë e pedagogë, punonjës të artit e kulturës, letersisë e shkencës, profesorë e akademikë, përfaqësues të shoqatave të ndryshme, si Shoqatës së Arsimtarëve të Shqipërisë e Shoqatës “Devolli”,nga media e shkruar dhe ajo elektronike etj. Ishte i pranishëm edhe ish-Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu.
Fjalën e rastit e mbajti Përparim Kabo, i cili u ndal në disa nga meritat e shumta të jetës dhe punës së përkushtuar të Akademikut Alfred Uçi. Në vazhdim, folën Erion Kristo e Moikom Zeqo. Gjithashtu, u lexua përshëndetja, që kishin dërguar me këtë rast,Dritëro e Sadije Agolli. Ndërsa prof.A.Uçi e bashkëshortja, Rozeta, i falënderuan përzemërsisht folësit dhe gjithë pjesëmarrësit, në këtë ditë të shënuar e domethënëse për familjen e tyre. Pastaj, të ftuarit në këtë festë morën pjesë në koktejin e shtruar nga familja dhe bënë mjaft fotografi me prof.Alfred Uçin, të cilat do të mbeten kujtim i paharruar për të gjithë.
2.
Vitet rrodhën si pa u ndjerë dhe prof.Alfred Uçi mbushi 85 vjet. Është një jetë e mbushur me mësime e studime, me punë të përkushtuar në detyra të ndryshme dhe me botime të shumta, në fushat e arsimit, kulturës dhe shkencës sonë mbarëkombëtare. Mësimet e mesme i mori në Korçë, Tiranë e Shkodër dhe të lartat për estetikë e filozofi, gjatë viteve 1949-1954, në Universitetin “Lomonosov” të Moskës. Detyrën e pedagogut e nisi në Institutin e Lartë Ekonomik të Tiranës. Me krijimin e Univesitetit të parë shqiptar, në Tiranë, lexoi leksione për lëndët e estetikës e të filozofisë në disa fakultete të tij. Ne vitin 1970 iu dha titulli “Profesor” e më pas “Akademik”, kur u krijua Akademia e Shkencave të Republikës së Shqipërisë. Gjithashtu, prof. A.Uçi ka kryer detyra të rëndësishme shtetërore: drejtor i Institutit të Kulturës Popullore (1979-1987) dhe kryetar i Komitetit të Kulturës e Arteve (1987-1990). Për meritat e tij, në vitin 2005, u nderua nga Presidenti i Republikës, me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”.


Nga e majta: Prof. Alfred Uçi e Murat Gecaj

Gjatë jetës së tij, përveç veprimtarive kombëtare e ndërkombëtare në Tiranë, ka marrë pjesë e ka referuar në kongrese, konferenca e simpoziume shkencore jashtë vendit, si në Prishtinë, Shkup e Ulqin, në Sofje, Athinë, Ankara, Beograd, Prishtinë, Vjenë, Itali, Suedi, Francë etj. Ka shkruar shumë artikuj, referate e kumtesa, me tematikë nga fushat e filozofisë, sociologjisë, estetikës, etnografisë, folkloristikës, kritikës letrare etj.
3.
Duke përgjithësuar përvojën e punës dhe të kërkimeve të tij, prof. Alfred Uçi ka shkruar e publikuar mjaft vepra të rëndësishme. Ndër to, përmendim: “Estetika, jeta, arti” (1970), “Probleme të estetikës” (1976 e 1980), “Labirintet e modernizmit (1978), “Mitologjia, folklori, letërsia” (1982), “Çështje teorike të estetikës dhe të cultures” (1986),”Estetika” – Vëllimi I, II, III (vitet 1987-1988), “Shekspiri në botën shqipare” (1996), “Dostojevski në kohën tone” (1997), “Ferrparajsa Danteske” (1998), “Prometeu dhe Hamleti” (greqisht, në Athinë, 1998), “Grotesku kadarean”(1999), “Estetika e groteskut – Teoria dhe historia” (2001), “Estetika në folklor dhe në letërsinë shqipe” (2001), “Paradigma të ndërgjegjes shoqërore – estetikë filozofike e politike” (2001), “Estetika e groteskut”-në tre vëllime dhe libri i ri i tij është “Filozofia e donkishotizmit. Ka botuar edhe libra të tjerë, me përmbajtje letrare e atdhetare, si për Migjenin e Petro Nini Luarasin etj. Libri më i ri i tij është ai me titullin “Ese dhe etyde filozofike-estetike”(Tiranë, 2015).
Pa u zgjatur në këtë shkrim modest, dëshiroj të shënoj këtu fjalët mjaft domethënëse, që ka shkruar për prof. Alfred Uçin, studiuesi ynë Petro Skënder Luarasi:
“Akademiku i nderuar Prof. Alfred Uçi, në ditët e sotme, përfaqëson një nga emblemat më të çmuara të kulturës shqiptare. I edukuar që fëmijë me idealet atdhetare të gjyshit të tij, Petro Nini Luarasi dhe korifenjve të tjerë të Rilindjes sonë Kombëtare, i përfshirë në Lëvizjen antifashiste që në moshen 14-vjeçare, dha ndihmesën e tij të pakursyer, me mish e shpirt, për ndërtimin e një Shqipërie demokratike dhe të emancipuar. Me veprën e tij madhore, që po e pasuron vazhdimisht me kryevepra të reja, ai nderon kulturën e vendit tonë të vogël, në vatrën e kulturës botërore. Nga zemra urojmë: Jetë të gjatë dhe krijimtari të mbarë, i nderuar Prof. Alfred Uçi!”

Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues-Tiranë, 16 dhjetor 2015.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura