HALIL HAXHOSAJ: 50 VJET TË MITINGUT TË POEZISË

Prishtinë, 02. 05. 2014 – Manifestimi më i rëndësishëm dhe më me peshë në aktivitetin e Klubit letrar “Gjon Nikollë Kazazi’’ është organizimi dhe mbajtja e Mitingut të Poezisë. Ky miting për herë të parë u organizua dhe u mbajt nga letrarët e Gjakovës. Në fillim kishte karakter lokal. Gjegjësisht komunal deri në vitin 1967, kur vendoset që të merrë karakter më të gjerë, pra krahinor, gjegjësisht kosovar. Poashtu në këtë vit Mitingu i Poezisë mbahet nën patronatin e Fadil Hoxhës, çka fiton seriozitet dhe shtrirje më të madhe.
Mitingu i parë i poezisë u mbajt në vitin 1964. Sipas dëshmive të poetit Din Mehmeti, organizatorit dhe themeluesit të tij, Mitingu i parë u mbajt në Parkun e qytetit të Gjakovës, në 20 vjetorin e mbajtjes së Mbledhjes së Parë të BURAJ-t. Mitingu i parë i Poezisë në Gjakovë është mbajtur në vitin 1964 në Parkun e qytetit. Sipas poetit Din Mehmeti, ky organizimi u bë në marrëveshje të krijuesve të Gjakovës, të cilët u akorduan që në ditën e kremtimit të 22 vjetorit të BURAJ-it, në Parkun e qytetit të mbahet një orë letrare e cila do të udhëhiqej nga ai ku vargjet e tyre i lexuan kryesisht poetët nga Gjakova si: Enver Gjerqeku, Din Mehmeti, Ali Olloni, Ganimete Nura, Masar Kupa, Hasan Hasani dhe Nusrete Vula. Në hapje, poeti Din Mehmeti lexoi një referat për aktivitetin e letrarëve të Gjakovës.

Edhe Mitingu i dytë i Poezisë u mbajt në Gjakovë, por tash para bustit të heroit të popullit Emin Duraku, i cili gjendet para Hotel “Pashtriku”. Ky manifestim u mbajt në orët e para të mbrëmjes në kohën kur edhe në Gjakovë si në shumë qytete të tjera të Kosovës organizohej shëtitja e mbrëmjes që quhej “Korzo”. Në këtë korzo kishte shumë njerëz, sidomos të rinj dhe të reja, të cilat në grupe të vogla shëtitnin duke biseduar, duke ecur, por edhe duke u përshëndetur njëri me tjetrin. Kësaj radhe vargjet e tyre i lexuan: Din Mehmeti, Besim Bokshi, Enver Gjerqeku, Rexhep Hoxha, Nusrete Vula, Ali Musaj, Hasan Hasani, Jusuf Buxhovi, Bujar Rexha, Ali Olloni, Ganimete Nura, Masar Kupa e të tjerë. Ky manifestim i këtij lloji zgjoi interesim shumë të madh sa që edhe kishte bërë bujë të madhe në të gjitha qarqet kulturore e sidomos letrare jo vetëm në Gjakovë, por edhe në Kosovë. Andaj, prej këtij momenti, duke e parë rëndësinë dhe interesimin e madh për fjalën poetike, kryesia e Klubit letrar vendosi që ky manifestim të bëhet tradicional me emërtimin “Mitingu i Poezisë” dhe të ketë karakter krahinor.
Në mbledhjen e datës 20.04.1967 të kryesisë së Klubit letrar të Gjakovës u morën disa përfundime të rëndësishme dhe historike për krijimtarinë poetike dhe letrare në përgjithësi, si:
1. Mitingu i Poezisë duhet të bëhet tradicional,
2. Mitingu të mbahet për çdo vit më 9 Maj,
3. Gjatë kësaj kohe, do të thotë para mbajtjes së Mitingut, Klubi të ketë emrin e vet të përhershëm,
4. Për nder të mysafirëve, në ditën e dytë të Mitingut, të mbahet një program kulturo-argëtues nga SHM “Hajdar Dushi”, ndërsa në pauzat në mes të këngëve të prezantohen me krijimet e veta letrarët e rinj të Gjakovës.
5. Të lajmërohet dhe ftohet TV i Beogradit për një reportazh nga Mitingu i Poezisë.
6. Te thirret nga një përfaqësues i grupeve letrare të studentëve tanë në Beograd, Zagreb e Sarajevë, (“Përpjekja”, “Shkëndija”, “Lulzimi”)
Kryesinë e Klubit letrar, në të cilën u përcaktuan saktësisht çështjet e organizimit të Mitingut dhe u propozua që Mitingu i Poezisë të mbahet nën patronatin e Fadil Hoxhës, i cili e pranoi me dëshirë këtë propozim. Kështu prej këtij viti çdo Miting i Poezisë në Gjakovë u mbajt nën patronatin e tij. Meqë BKA e Gjakovës nuk kishte mjete të mjaftueshme materiale, u vendos që prej këtij viti Mitingun e Poezisë në Gjakovë ta financojë BKA e Krahinës.
Në mbledhjen e Klubit letrar të Gjakovës të mbajtur më 3 Maj 1968 u vendos që Mitingu i Poezisë, në këtë vit, të mos mbahet në ditën e caktuar më 9 Maj, për shkak të kremtimit të 500 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, por të mbahet të mbahet më 22 maj 1968 në këtë përvjetor. Ky Miting qe mjaft i suksesshëm dhe bëri jehonë duke u shënuar nga të gjitha mjetet e informimit. Edhe në periudhën prej vitit 1970 e deri më 1974 u mbajt Mitingu i Poezisë në stadiumin e qytetit “Shani Nushi”.
Në Mitingun e Poezisë të vitit 1976 mbahet biseda me temën “Si e zbërthejmë veprën letrare”. Hyrjen për këtë temë e përgatiti Ibrahim Rugova, ndërsa për të folën e diskutuan edhe kritikë, studiues dhe krijues të njohur si: Azem Shkreli, Rexhep Qosja, Hasan Mekuli, Isak Shema, Ali Aliu, Nazmi Rrhamani, Ramiz Kelmendi, Rexhep Hoxha, Enver Gjerqeku., etj. Zgjerimi dhe format e tjera në Mitingun e Poezisë do të thellohen edhe më tutje. Kështu për disa vite me radhë Mitingu do të zgjerohet duke u mbajtur për dy ditë me radhë, pra më 9 dhe 10 maj. Kjo ilustrohet me Mitingun e vitit 1978 dhe në këtë manifestim poetik morën pjesë edhe poetët nga Shqipëria, Fatos Arapi dhe Sulejman Mato. Në mbrëmje të ditës së parë sikurse edhe viteve të kaluara edhe sonte u mbajt Ora letrare tradicionale në Junik. Edhe në vitet e shtatëdhjeta dhe të tetëdhjeta të shekullit XX, Mitingu i Poezisë u mbajt edhe Në Junik. Bile mbajtja e Orës letrare në sallën e Pallatit të Kulturës në Junik mbahej në natën e parë të Mitingut të Poezisë derisa ai mbahej për dy ditë. Pas reduktimit të mbajtjes si Mitingut vetëm në një ditë, atëherë edhe mbajtja e Orës letrare në Junik nuk u bë më ngase ishte e pamundur.
Mitingu i Poezisë së vitit 1989 nuk u mbajt në kohën e caktuar, më 9 dhe 10 maj. Në një njoftim të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës botuar në gazetën “Rilindja” të datës 10 maj 1989 thuhet: “Mitingu i Poezisë ’89, i cili tradicionalisht mbahet në Gjakovë, për arsye të rrethanave të tashme në Krahinë dhe të urdhëresës në fuqi për ndalimin e organizimit të tubimeve publike dhe kulturore, nuk do të organizohet sipas traditës më 9 e 10 maj, Ai do të shtyhet për fillim tetori të këtij viti. Lidhur me datën e saktë të organizimit të Mitingut të Poezisë ’89, anëtarët dhe të interesuarit e tjerë do të njoftohen me kohë”. Sipas një shkrimi të gazetës “Rilindja”, dëshmohet së Mitingu i Poezisë ’89 nuk është mbajtur fare sepse ai i vitit 1988 ishte i 25-ti me radhë.
Mitingu i Poezisë ’90 u mbajt vetëm një ditë, më datën 9 maj të vitit 1990 e jo dy sikur deri tash. Arsyetimin e mbajtjes së tij vetëm një ditë, sekretari i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, Milazim Krasniqi, e arsyeton si ndryshim të programit të sivjetmë të Mitingut për shkak të mungesës së mjeteve materiale.
Mitingu i vitit 1990 pati një ndryshim në organizim dhe kohëzgjatje. Meqë deri tash ky manifestim zgjaste dy ditë, për mungesë mjetesh materiale, kësaj radhe zgjati vetëm një ditë.
Edhe në vitin 1991 Mitingu i Poezisë u mbajt vetëm një ditë Kushtet e sigurisë dhe sidomos ato politike tashmë ishin tejet të rrezikuara. Pushteti serb kishte shtrirë sundimin e tij antishqiptar në të gjitha poret e jetës. Kishte filluar një diferencim i egër i udhëheqësve dhe kuadrove shqiptare. Edhe në kulturë kishte trysni dhe pastrim etnik nga pushteti serb. Por edhe në këto kushte në këtë vit në Gjakovë u mbajt Mitingu i Poezisë. Madje ai u mbajt në sallën universale të Pallatit të kulturës “Asim Vokshi” në Gjakovë. Edhe Mitingu i Poezisë i vitit 1992 mbahet në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi” në Gjakovë, por prej vitit 1992 ai patjetër duhej ose të shuhej ose të mbahej diku tjetër.
Kryesia e Klubit letrar bashkë me Kryesinë e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës vendosin që Mitingu i Poezisë të mbahet përsëri dhe të mos ndërpritet për asnjë vit. Mbajtja e Mitingut u vendos të bëhej në Prishtinë, në lokalet e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, e cila ishte edhe selia kryesore e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kjo ishte shumë gjë e mirë, madje edhe e qëlluar, ngase Dr. Ibrahim Rugova ishte edhe kryetari i LDK-së si dhe kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Prandaj Mitingu i Poezisë së vitit 1993, 1994 dhe ai i vitit 1995 u mbajtën në Prishtinë në lokalet e LDK-së, gjegjësisht të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.
Në vitin 1996 Mitingu i Poezisë u kthye prapë në Gjakovë. U vendos që Mitingu të mbahet në muajin maj të vitit 1996 në lokalet e Degës së LDK-së, e cila gjendej në Qarshinë e Madhe të Gjakovës. Edhe në vitin 1997 Mitingu i Poezisë u mbajt në Gjakovë, në të njëjtin vend nga të njëjtit organizator, pra nga Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës, Klubi letrar “Gjon Nikollë Kazazi” i Gjakovës. Në vitin 1998 nuk është mbajtur Mitingu i Poezisë për shkak të gjendjes së luftës.
Mitingu i Poezisë në vitin 1999 mbahet përsëri dhe menjëherë pas çlirimit, por në muajin shtator në Gjakovë, pas çlirimit të Kosovës nga luftëtarët e UÇK-së, në sallën Universale të Pallatit të kulturës “Asim Vokshi” me një pjesëmarrje solide dhe me një manifestim madhështor për të vazhduar dhe për të mos u ndalur më.
Edhe Mitingu i vitit 2000 u mbajt në bashkëorganizim të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, Klubit letrar dhe strukturave të udhëheqjes lokale të pushtit të ri të Gjakovës. Edhe ku Miting u mbajt në Pallatin e kulturës “Asim Vokshi” me të gjitha pikat e programit të paraparë nga Këshilli i Mitingut. Në Miting u mbajtën orë letrare në disa shkolla të mesme dhe fillore të Gjakovës dhe në Junik. Ora letrare në Junik nuk u mbajt në mbrëmje, por paradite në shkollën fillore të Junikut. Kjo u bë për arsye se Mitingu i Poezisë edhe sivjet u organizua të mbahet dhe të zgjasë vetëm një ditë e jo dy siç mbahej dikur. Me këtë formë dhe në këtë mënyrë Mitingu mbahet deri sivjet, pra deri në 50 vjetorin e tij.
Mitingu i Poezisë i vitit 2006 u mbajt në mënyrë tejet madhështore në qytetin e Gjakovës. Organizatori i Mitingut, Klubi letrar “Gjon Nikollë Kazazi” kishte bërë përgatitje për këtë Miting, ngase ai përkonte edhe më 40 vjetorin e konstituimit të këtij klubi. Në këtë Miting pati disa risi në programin e zhvillimit të tij. Tash poetët pas Tribunës letrare shkuan në Orën letrare për fëmijë që u mbajt para bustit të Nënë Terezës në Parkun e qytetit, mu në vendin ku edhe është mbajtur simbolikisht Mitingu i Parë i Poezisë në Gjakovë. Në këtë Orë letrare që u quajt për fëmijë morën pjesë shumë nxënës, mësues, arsimtarë dhe të tjerë dhe vargjet e tyre i lexuan shkrimtarët më të njohur të Karvanit për fëmijë. Ndërkaq, më vonë poetët u nisën në këmbë nëpër Çarshinë e Vjetër të Gjakovës dhe u ndalën në lokalin karakteristik “Hani i Haraqisë” ku mbajtën Orë të Madhe letrare.
Mitingu i Poezisë në vitin 2006 u mbajt në dy qytete dhe në dy data. Një Miting e mbajti Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës në Institutin Albanologjik në Prishtinë më datën 9 Maj 2006, ndërsa Mitingun e Poezisë aty ku kishte lindur, ku ishte rritur dhe ku ishte bërë tashmë tradicional, e organizoi pas tri ditësh dhe e mbajti më 13 Maj 2006 në Gjakovë Klubi letar “Gjon Nikollë Kazazi”. Deri te kjo gjë erdhi sepse Kryesia e Lidhjes së Shkrimtarëve nuk kishte pranuar ta mbajë Mitingun e Poezisë sepse në Ministrinë e Kulturës kishte fituar projekti i Klubit letrar të Gjakovës për organizimin e tij.
Në vitin 2007 dhe 2008 u mbajtën takime të kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, të Klubit letrar “Gjon Nikollë Kazazi” të Gjakovës dhe të përfaqësuesve të Ministrisë së Kulturës dhe të Drejtorisë për kulturë të Gjakovës dhe u vendos që Mitingu i Poezisë të mbahet së bashku dhe të kthehet përsëri në Gjakovë. Prandaj Mitingu i Poezisë së vitit 2007 u mbajt në Gjakovë me program tashmë të ri.
Mitingu i Poezisë 2010 u mbajt në Gjakovë, tash në organizim të Klubit letrar “Gjon Nikollë Kazazi” të Gjakovës dhe strukturave kulturore të këtij qyteti, sepse
Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës sivjet nuk mori pjesë në organizimin e Mitingut të Poezisë, madje doli me lajmërime se më nuk mbahet ky Miting. Por nuk ndodhi ashtu shkrimtarë, krijues e sidomos poetë nga Gjakovë dhe kryesia e Klubit letrar vendosen se Mitingun e Poezisë nuk do ta ndërprejnë. Andaj për të shtri aktivitetin e vet duke i dhënë reputacion mbarëkombëtarë, këshilli i Mitingut 2010 vendosi që prej sivjet të mbahet edhe në qytetin Bajram Curri. Këtë e pranoi me kënaqësi Bashkia e këtij qyteti dhe anëtarët e Klubit letrar “Tropoja”.
Java e Mitingut të Poezisë
Mitingu i Poezisë në programin e vet gjithmonë pasurohet dhe zhvillohet me forma të reja që ishin dhe janë shumë efikase dhe të frytshme. Përveç disa orëve letrare që organizoheshin para mbajtjes së tij me grupet letrare të shkollave fillore dhe të mesme të Gjakovës, kryesia e Klubit në bashkëpunim me Këshillin e Mitingut vendosi që ta përfshijë në programin e Mitingut të Poezisë edhe një manifestim të quajtur “Java e Mitingut”. Ky manifestim zhvillohet 3-5 ditë para Mitingut të Poezisë. Viteve të tjera, duke filluar nga viti 2009, 2010 dhe 2011 “Java e Mitingut” u pasurua me përurime të veprave letrare të anëtarëve të klubit letrar, por edhe më gjerë.
ÇMIMET DHE SHPËBLIMET E MITINGUT TË POEZISË
Në Mitingun e Poezisë që u organizua dhe u mbajt për 47 vjet me radhë kishte, përveç të tjerash edhe shpërblime apo çmime, të cilat jepeshin për librat poetikë, poezi, por edhe për vepra jetësore.
Çmimi, shpërblimi i parë dhe më i shtrirë i Mitingut të Poezisë është “Shpërblimi për veprën më të mirë poetike të botuar brenda dy mitingjeve”. Ky shpërblim prej Mitingut të Poezisë 2011 quhet “Din Mehmeti”.
Shpërblimi tjetër që kishte dhe ka shtrirje më të gjerë në Mitingun e Poezisë në Gjakovë është edhe “Pena e artë” që ndahej nga një juri e revistës për art, letërsi dhe kulturë “Fjala”.
Klubi letrar “Gjon Nikollë Kazazi” i Gjakovës si themelues dhe bashkorganizator i Mitingut të Poezisë, në mbledhjen e vet të vitit 1983 vendosi që në Orën e Madhe poetike që mbahet në çdo Miting në ora 19,30, vendosi që ta themelojë Shpërblimin e vet tradicional “Poezia më e mirë” e lexuar në Orën e Madhe poetike. Ky shpërblim tash quhet “Ali Podrimja”, të cilin e kanë marrë më se 30 poetë.
Edhe Shpërblimi që e ndante revista javore për të rinj “Zëri i Rinisë” pati një jehonë në Mitingun e Poezisë në Gjakovë. Ky shpërblim jepej për veprën me poezi më të suksesshme për poetët e rinj. Duhet theksuar se ky shpërblim nuk pati jetë të gjatë dhe nuk dihen shkaqet e ndërprerjes së tij. Në disa shkrime raportuese për Mitingun e Poezisë thuhet së shpërblimi quhej “Hivzi Sulejmani”.
Klubit letrar “Gjon Nikollë Kazazi” i Gjakovës, ndan edhe çmimin “Yllka Domi”, i cili filloi të ndahej pas luftës çlirimtare dhe çlirimit të Kosovës nga Serbia. Yllka Domi ishte nxënëse e Gjimnazit të Gjakovës, e cila merrej me krijime letrare e sidomos me poezi. Ajo kishte marrë pjesë si luftëtare e UÇK-së dhe ishte vrarë në Betejën e Çabratit. Ky shpërblim i ndahet poeteshës femër për poezinë më të suksesshme të lexuar në Orën e Madhe të Poezisë dhe tashmë është bërë tradicional.
Poeti Agim Byci, poet e menaxher i Shtëpisë Botuese “Fan Noli” e themeloi Shpërblimin me këtë emër para disa vjetësh. Shpërblimin ua ndanë shkrimtarëve dhe poetëve të dalluar për vepër jetësore.
Në Mitingun e Poezisë në Gjakovë që nga themelimi i tij e deri tash kanë marrë pjesë shumë poetë edhe nga shtetet e ndryshme të Ballkanit, Evropës dhe me gjerë. Edhe shkrimtarë nga Shqipëria kanë marrë pjesë në Mitingun e Poezisë prej viteve 1970 e tutje.
Në këtë 0 vjetor, në këtë gjysmëshekulli të Mitingut të Poezisë duhej të shkëlqente çdo gjë, madje ta shndriste Gjakovën me figura e metafora, por … Mbase vitet e ardhshme do t’i hapin sytë dhe do të lexojnë, botojnë e pasurojnë poezinë tonë. Atëherë hapet dritarja poetike e Mitngut dhe shkëlqen jo vetëm në Gjakovë, por edhe në Kosovë, Shqiptari, Ballkan, Evropë, e besa e zotit, edhe në mbarë Globin. Ashtu qoftë dhe u bëftë!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura