(Pashtriku.org, 21. 05. 2012) – Rreth orës 10.30 minuta, filloi fluturimi i aeroplanëve të NATO-së, të cilët sillen rreth e rrotull mbi objektet e burgut. A thua ku do të qëllojnë? Pyesim njëri-tjetrin, gjithnjë në ankth. Aeroplanët fillojnë të hedhin raketa mbi disa objekte të burgut. Goditën disa objekte më larg, jashtë mureve të burgut. Sulmohen të gjitha objektet jashtë mureve të burgut dhe shkatërrohen me radhë nga bombardimet.
DITA E TRETË MË 21 MAJ 1999
Filloi fluturimi i aeroplanëve të NATO-s mbi hapësirën e burgut të Dubravës. Të gjithë dalim jashtë pavijoneve, në hapësirën e rrethojës së Burgut. Gardianët urdhërojnë të ulemi në natyrë jashtë pavijoneve dhe atë në një hapësirë mes kuzhinës dhe shtëpisë së kulturës. Këtu na urdhëruan:
-Mos lëvizni!
Ashtu si na urdhëronin ishim të detyruar të vepronim. E tërë kjo bëhej nën trysninë e tytave të automatikëve. Gardianëve për mbajtjen e rendit iu ndihmonin edhe të burgosurit serbë, që në koka kishin vënë nga një kapelë të zezë, me vrima te sytë, te hunda e te goja. Kush mund t’i njifte ata, pos atyre që kishin qenë më herët në këtë burg. Njiheshin sipas zërit dhe tatuazheve, që kishin harrua të i fshihnin.
Krimineli Sinisha Petroviq – ZENICA !
___________________________________________
Gardianët të ndihmuar nga ordinerë (të burgosur serbë) si; Krimineli Sinisha Petroviq – ZENICA nga Zenica e Bosnjes i burgosur për krime gjatë Luftës në Kroaci dhe Bosne si dhe shumë të burgosur serb tjerë të cilët kishin përvojë në Luftat e Bosnjes dhe Kroacisë, i morën nga Pavijoni si të burgosur, i tërheqen nga Pavijoni “C” dhe i armatosën, kundër të burgosurve shqipëtarë. Gjatë masakrës Zenica arrin t’i udhëheqë gardianët për realizimin e Skenarit të Masakrës. Milosh Gjuriq nga Burimi, poashtu i burgosur për krime në Bosnje e Kroaci; Aca Peroviq nga Podgorica; Dejan Mladenoviq (serb-rom) nga Krushevci; Ilija Mishkoviq nga Nikshiqi i Malit zi; Aca i vogël nga Burimi, zv. Komandant, pjestar i gardës së Arkanit; Milovan Milosheviq-Tale nga lagja Ulpiana Prishtinë; Simiq nga Shpinadija e Prizrenit; Igor Gerkoviq ish polic nga Peja; Todori i ashtuquajtur-TASHO; Miroslavi nga Gjilani; Hranislav Kukurekoviq nga Gushterica, Lipjan; Miga Llaleviq nga Mali i zi; Mitri, komandir nga Peja etj.
_____________________________________
Komandira (gardian) që rrahnin e maltretonin të burgosur shqiptarë në Pavijonin “C” siç dëshmojnë të burgosurit e këtij pavijoni ishin: Mbikqyrësi i Pavijonit “C” Bellosheviq, udhëheqësi i ndërrimit Dragan, komandirët: Mitri nga Istogu, Mance, Nikiq, Llukiq, Lubisha, Zvonki dhe i ashtuquajturi Tarzan.
Koha ishte e nxehtë.
Kohë e muajit Maj.
Rreth orës 10.30 minuta, filloi fluturimi i aeroplanëve të NATO-së, të cilët sillen rreth e rrotull mbi objektet e burgut. A thua ku do të qëllojnë? Pyesim njëri-tjetrin, gjithnjë në ankth.
Aeroplanët fillojnë të hedhin raketa mbi disa objekte të burgut. Goditën disa objekte më larg, jashtë mureve të burgut. Sulmohen të gjitha objektet jashtë mureve të burgut dhe shkatërrohen me radhë nga bombardimet.
Për atraksion, vërejmë kur hidhet raketa në objektin e ngrohtores, objekt jashtë mureve. Dëgjoheshin fjalë nga të burgosurit, që i kishin sjellur në këtë burg disa ditë para nesh, se në këtë objekt (ngrohtore) ka të vendosur (fshehur) për maskim – tanke e makineri tjera luftarake. Qëllohet me raketa mbi ngrohtore. Shafitet i tërë objekti. Mbetet vetëm oxhaku (tymtari) i saj. Pas pak minutave hidhet raketa tjetër po në atë vend (objekt të shkatërruar). Çka të shohësh? Me hedhjen e raketës së dytë në këtë objekt filloi të ngrihet në ajër i gjithë materiali, që ishte shkatërruar, thërmiat dhe pluhuri i saj, ngriheshin aq lartë dhe filloi të shtrihet në hapësirë aq të gjerë, sa që i gjithë ky pluhur e thërmia gjithfarëshe, filluan të bijnë mbi tërë hapësirën edhe të brendisë së mureve të burgut. Secili prej nesh mbulohej me rrobat e veta në mënyrë që të mbrohej nga ciflat. Binin lloj-lloj copëza, copëza tullash, betoni etj. Shikonim njëri tjetrin dhe pyesnim se kujt, çfarë cifle ra mbi trupin e tij.
Pavijoni ‘C’….
______________________________________________
Pasi silleshin aeroplanët, vërejmë se njëri prej tyre nuk e bëri fluturimin rreth e rrotull, por rrathëve të tymosura në ajër, nga një aeroplan paraprak. Aeroplani vijues i bie për gjysmë rrethit të tymosur dhe gjatë këtij fluturimi jep shenja me sinjale të kuqe dhe të gjelbër, – me të kuqe sinjalizon anën jugore, ndërsa me të gjelbër anën veriore të hapësirës kah fluturonte.
Pas pak nga një aeroplan, ndoshta i njëjti, i cili drejtohet në drejtim të të burgosurve – gardianët ishin arratisur. Aeroplani që u drejtua në drejtim nga ishim ne, pamë se e hodhi një raketë. Të gjithë u shtrimë për tokë, ku do të qëllojë ? Të gjithë ulim kokat dhe pamë se do të binte afër nesh.
Kush e kishte ngritur kokën për të parë se ku do të binte, nuk kishte parë më kurrë asgjë. Disa që vetëm mbulonim kokat me duar e kush kishte ndodhur më afër e kishin pësuar. Mbetën disa të vrarë e disa tjerë të plagosur. Britma e ulërima. Zhurmë e madhe. Tmerr! Çka të ndërmerret më parë? Kë ta ndihmosh apo të shohësh vetë vetën se si je? Apo a i ke gjymtyrët tua pa u lënduar? Nuk kishe çka të shohësh pos currila gjaku, gjymtyrë të coptuara. Edhe atë që e njihje, apo që e kishe shumë afër vetit nuk dije, se ç’do të ndërmerrje për të.
Currilat e gjakut nga kafka e ndarë e Gazmend Kolgecit të bënte që të humbësh vetëdijen.
Nga kjo situatë, më vonë, pamë se kishte njerëz që kishin varur vetëvetën. Rastin që vetë e kam parë ishte një i burgosur, kuptova se quhej: Rrahim S. Murseli nga Gremja e Ferizajt, një djalosh shtatëlartë, apo kështu më dukej se ishte shumë i gjatë, ngase e gjetëm të varur në Pavijonin “B-1” dhe kështu më dukej shumë i gjatë dhe si të tillë, të varur e shihja gjatë tërë ditës së 23 majit. Nuk kishim kohë edhe që ta tërhiqnim nga grilat ku ishte i varur. Ngase këtë ditë gardianët të ndihmuar nga të burgosur serbë, policë e paramilitarë tjerë kërkonin në çdo skutë për të gjetur të burgosur shqiptarë, që nuk kishin shkuar në sallën e sporteve dhe ata që i gjenin menjëherë i likuidonin. Kështu gjatë tërë kësaj kohe qëndruam si shumë tjerë të fshehur, tre të burgosur mbi pllakë të zyrës së gardianëve të këtij pavijoni, derisa edhe dolën të gjithë të burgosurit nga salla.
Milaim Matoshi nga Vraniqi i Therandës, pasi kishte parë Gazmendin e shumë të tjerë në këtë situatë, kishte shkuar në dhomën e tij dhe të gjithë apaurinët që i kishte pasur me vete i kishte gëlltitur, në mënyrë që të mos dinte se ç’po ndodhë, ky person deri në fund të masakrës kishte mbetur i alivanosur, pa vetëdije.
Sinjalet e aeroplanit të tregonin hapësirën kah të ikësh, në cilën hapësirë mes mureve të burgut. Mësyjmë kah fusha e sportit, duke tërhequr zvarrë të plagosurit, me gjymtyrë të këputura e shumica me plagë më të vogla merreshin me veten.
Tani nevoja për barëra veç kishte kaluar kufijtë.
Për një moment pashë një person, që e quanin Xhevat Daciqi. Ai ishte nga Rozhaja. E njoha në këtë burg, kur i thërret grupin e Unionit të studentëve të Prizrenit, duke u thënë: “Ejani pas meje!” Xhevati mbante në dorë një shufër hekuri. Pas tij vrapuan: Nijaziu, Haqifi, Sherifi, Dëfrimi, Sejdiu e Bilbili. Ata mësyjnë spitalin e burgut dhe këtë e bënë duke i thyejnë xhamat e dyerve. Këtë moment thotë: Sherif Hamza – Vriten dy të burgosur nga snajperistët dhe sërish aksioni vazhdon, thyhen dyert e ambulancës dhe hyjmë brenda.
Dhomat e përgjakura në Burgun e Dubravës!
_______________________________________
I kishin mbushur thasët me barëra. Defi (Defrim Rifaj) mbante ndër duar dy thasë me barëra.
– Urdhëro më thotë, merre njërin thes. Jepju barëra atyre që kanë nevojë.
Me thesin e mbushur përplot me barëra, u bëra si të isha farmacist.
Me këtë thes në dorë ç’të bëja, pos të shpërndaja barërat sipas nevojave që kërkonin të burgosurit. Afër meje ishte Zejnullah Elshani, nga Bainca e Drenasit, i plagosur rëndë në këmbë, kishte të këputur këmbën nën gju. Defrimi i dha në kofshë disa ampula apaurini, por kot dhimbjet nuk i pushonin. Vinin të burgosur që e njihnin, e zbulonin dhe sërish e mbulonin duke i uruar shërim. Po çfarë mjekimi kur njeriu përballej me jetën apo vdekjen. Baci Nezë (Nezir Zogaj nga Divjaka) ishte i shtrirë. Këmbën e kishte në gips deri në kërdhokëll. Nga rrahjet në burgun e Nishit gardianët ia kishin nxjerrë këmbën me shqelm, nga kërdhoklla. Nuk mund të lëvizte e bartnim në batanije bashkë me Enver Berishën nga Prizreni dhe Jahir Kryeziun nga Malisheva.
Thërriste baca Nezir:
O ndihmoni djem Zenës (Zejnullah Shalës) se unë nuk kam dhimtë. Por kot pas pak kohe edhe Zena ndërroi jetë.
Pas pak kohe e pashë Avni Klinakun. E dija se nga një radio, të cilën e kishte gjetur në zyrën e gardianëve të arratisur nga frika. Avniu i përcillte lajmet.
E pyeta:
Çka ka të re prej lajmeve ?
Avniu përgjigjet shkurt.
Asgjë!
Pos një lajmi që Bill Klinton i kërkoi falje Hashim Thaçit për gabimin e sulmit në burgun e Dubravës dhe i shprehë keqardhje. Kështu kuptuam se dikush tani është në dijeni për këtë Masakër.
Dolëm në fushë të sportit që të shohim Nexhat Kokollarin që ishte plagosur rëndë. E kishte qëlluar copëza e raketës në sup dhe ia kishte shkatërruar tërë krahun, nga i cili rridhte gjaku pa ndërprerje. Askush nuk kishte mundësi t’ia ndalte gjakun. Të gjithë i afroheshim por më kot. I afrohet Xhevat Daciqi, (thotë Ramadan Kokollari, vëllai i Nexhatit, i mbijetuar i kësaj Masakre) kishte pyetur kush ishte ky person. I tregojnë për për Nexhatin. Xhevati kishte ndërmarrë akcionin për thyerjen e ambulancës dhe e kishte realizuar. Dyert e Ambulantës që ishin prej xhami i kishte thyer Sherif Ilazi. Kështu ishin hapur dyert për furnizim me barëra.
Ndërsa për mungesë të ushqimit kujdeseshin më të shkathëtit, kështu shkathtësi për sigurimin e ushqimit kishte treguar nga të parët Visar Ballovci i cili kishte thyer kuzhinën dhe i solli Nexhatit disa keksë me eurokrem . Për herë të fundit, Nexhati mori ushqim para se të vdiste.
Kështu e shihnim se edhe jeta e Nexhatit po përfundonte.
Pas disa orësh Nexhati filloi të kotët në gjumë, nuk e lenim të flinte duke biseduar me të. –Vetëdijen e kishte, por kërkonte ta linim të qetë, të flejë. Nga kjo kërkesë e tij për gjumë, pamë se Nexhati filloi gjumin e përjetshëm. Pas pak kohe e mbuluam me batanije.
Kufomat….
____________________________________________
Kufomat renditeshin në një pjesë të fushës së sportit. Aty afër tyre, hiç më larg se 10-15 metra, çlodheshim e qanim hallet për kohën në vijim.
Pavijoni “C” ishte bërë spital i improvizuar. Në ambientin e improvizuar mjekonin Bislim Zogaj, Haqif e Sherif Ilazi, Defrim Rifaj e shumë të tjerë (kërkoj falje që nuk i di t’i cekë emrat e të gjithëve). Një numër shumë i madh i të burgosurëve filluan të improvizojnë strehimin për natën, që po vije. Improvizoheshin pusetat, numri i të burgosurve që vendoseshin në to varej nga hapësira e pusetave.
Problem ishte maskimi i pusetave, ngase herë-herë hynin brenda mureve të burgut edhe grupe paramilitarësh të dirigjuar nga gardianët dhe nga të burgosurit serbë. Kërkonin të burgosur për t’i vrarë. E ku t’i vritnin, nëpër bodrume e në puseta, të varrosur nga vetvetja për së gjalli. Në puseta vetëm kërkonin kapakët, e, posa i gjenin, i hapnin ata dhe në puseta, me dorë i hidhnin granatat apo bombat. Në atë çast, pos krismës së granatës apo bombave, pasonte britma e të burgosurve, që e pësonin aty. Pusetat detyroheshim t’i maskonim me barëra duke i vënë mbi këta kapakë në mënyrë që të mos mundë të hetohen nga paramilitarët, të shoqëruar me gardianë e të burgosur serbë, që dinin më mirë t’i gjenin vendet e mundshme për strehim.
Në podrumin e sallës së kulturës, ku ngrohej uji për pastrim, kishte një numër të madh të burgosurish të fshehur. Në drejtim të këtij podrumi mësyjnë paramilitarët e ushtarët.
Ata drejtohen kah dritaret e bodrumit, i thyejnë ato me shqelma e me automatikë dhe pastaj hedhin brenda disa granata. Nga lartë dëgjohet britmë e ulërimë. Ishin britmat e atyre, që përjetuan ato çaste tragjike. Pati të tillë, që i mbijetuan.
Njëri nga ta ishte Xhavit Mala.
Ai tregon:
Isha mbi fuçitë (rezervuarët) e ujit me disa të burgosur, që kishim mundur të fshiheshim aty. Një numër i madh të burgosurish ishin fshehur pas fuçive e skutave të podrumit. Erdhën forcat kriminele dhe i hedhen granatat. Me fjalë nuk mund të rrëfehet për tragjedinë.
TMERR!
Nuk mund as të imagjinohet këso situate. U mbush podrumi me gjak. Gjymtyrët e copëtuara të njerëzve me muskuj që u dridheshin, me gjymtyrë të copëtuara! – thotë Xhaviti.
Ata që kërkonin t’i gjenin të afërmit, mos ndonjëri kishte pësua në atë podrum, nuk mundë të rrëfenin tjetër pos fjalët: – Tmerr! Tmerr!
Kaluam edhe një natë. Shumë të burgosur rrinin në hapësirën e fushës së sportit, afër kufomave, shumë të tjerë u ndihmonin të plagosurëve, por edhe shumë kishin mbetur nëpër puseta. Natën e kalova së bashku me disa të burgosur në një pusetë. Këmbimi i informacioneve në puseta bëhej si me telefon, përmes gypave që lidhnin pusetat njëra me tjetrën. Gypa që ishin planifikuar rezervë për instalime të ujit, rrymës etj.
22 maj 1999, data më e veçantë e Masakrës
Në mëngjesin e 22 majit, disa nga të burgosurit na lajmrojnë që të dilnim të gjithë të burgosurit e të rreshtoheshim në fushën e sportit. Urdhëri ishte se gjoja do të rreshtoheshim për transferim. Rreshtimi kërkohej të bëhej sa më afër murit dhe atë në rresht për katër. Filloi rreshtimi. Ҫdokush shprehte mendimin e vet për atë se çka do të ndodhte. Dikush thoshte se gjoja paskan thënë se do të na transferojnë diku, e të tilla mendime. Disa e kishin parandie, por dikush nuk e kishte pritur këtë lloj të keqe.
______________________________________
Gjatë kohës që na rreshtuan, Gani Iballi më kërkoi një çantë. Dalim prapa rreshtave për t’ia dhënë çantën Ganiut. Derisa unë me të shpejtë isha duke i futur plaçkat në çantë, Ganiu e mori çantën dhe u fut në rresht.
Aty për aty u vu re vetëm kur gardianët të mbështetur nga të burgosur sebë e paramilitarë dolën nga karakollët mbi mure, disa me tromblone e me zolla, disa tjerë me snajperë e me mitraloz në duar në drejtim të burgosurve të rreshtuar.
Bajrush Xhemajli si shumë të mbijetuar tjerë dëshmon se “Shkrepëtima e parë me trombllon nga karakolli i rrethojës së burgut është bërë nga i burgosuri: (Dritan Martini) tani Sfetlan Martinoviq nga Vrraka e Shkodrës”.
Vrrakasi, ishte shqiptarë ortodoks tani ishte serbizuar. Ky kishte ndërruar kombin dhe ruajtur ritin fetar, nga ortodoks shqiptar në Ortodoks serb, për të gëzuar privilegje tek okupatori serb, i duhej të ndrrojnë kombin e ta ruajnë ritin fetar ortodoks, këtij tani i duhej për të dëshmuar se vërtetë është transferuar në ortodoks serb dhe të dallohej si servil ndaj komandantit, Kryekriminelit Miroljub Vidiq-MIKI, gjatë tërë skenarit të masakrës. Kështu edhe kishim urdhëra nga lartë, për t’u shpërblyer menjëherë pas krimit gjoja me pushim 15-20 ditësh, për të mos u kthyer më kurrë ne vendin e vuajtjes së denimit.
Në momentin e shkrepjes, nga prapa mureve, hidheshin bomba e granata të pa numërta nga e tërë hapësira e prapa murit të fushës sportive, në drejtim të t’burgosurve të rreshtuar detyrimisht. Nga e gjithë hapësira fluturonin, hidheshin bomba e granata dhe fishekë zjarre si edhe nga vrimat e përgatitura në mur, për pushkë mitraloz dhe snajperë që shkrepnin, pa ndërprerje. Të tmerronte britma e ulërima e njerëzve. U alarmuam. S’dinim se ç’po ndodhte. Pluhuri u ngrit deri në qiell. Nuk dihej se ç’bëhej. Disa thoshin që të tërhiqemi.
Ku të tërhiqemi?
Nga të shkojmë?
Ku të shkojmë?
Të gjithë në labirinth.
Veprimi i mendimit aty për atu, bëhej nga të mbijetuarit.
Pati shumë të vrarë .
Të vrarët, që në atë moment ishin afër meje janë këta:
-Fazli Kabashi nga Mohlani,
-Kadri Morina nga Reshtani,
-Besim Kabashi nga Opterusha.
Por nuk dihej numri i të vrarëve dhe plagosurve. Disa thërrisnin për ndihmë. Disa të tjerë thërrisnin:
Ooo! Ejani të tërhiqemi nga ky vend!
Pritej të ngrihet pluhuri në mënyrë që të mos shohin kriminelët se nga po shkojmë e ku po shkojmë të fshihemi. Në çastin, kur doja të ngrihesha, këmbët më ishin ngatërruar nëpër të vrarët. Vetëm gjysma e trupit më kishte mbetur pa u mbuluar me të vrarët, që gjendeshin mbi mua. Jepja të ngrihem, por nuk mundë të ngrihesha. I plagosur nuk isha. Por trupi më ishte mbuluar me trupat e të varëve, për të cilët mendoja se nga frika nuk ngriheshin. Por shpejtë e kuptova se ata ishin të vrarë e të plagosur. Prandaj s’ngriheshin dot. E tërhoqa këmbën e djathtë, por këpuca më u zbath, më mbeti nën të vrarët, ngase këmba e djathtë më kishte mbetur më thellë nën të vrarë. Fillova si shumë të tjerë të tërhiqem me vrap deri në mbarim të fushës së sportit. U hodha prapa trapit të fushës se ngritur (mbushur) me dhe, diku afër 70-80 cm. Ky ishte akti i parë i shpëtimit të përkohshëm. Kërkonim shpëtim deri edhe në puseta.
Dëshmia e Kolonelit Radovan PAPONJAK
Koloneli i policisë Paponjak i cili gjatë intervenimit të MUP-it serb dhe Armatës jugosllave në Kosovë më, 1999 ishte Kryeshef i policisë në Pejë, ka dhënë dëshmi për të burgosurit e vrarë në Burgun e Dubravës, në dëshmitë e tija të ilustruara me video incizime në Gjyq, për shkaqet e bombardimit në këtë burg. (Lexoni ketu: www.hrt.hr/arhiv/2005/05/06/HAG.html (përshtatja dhe përkthimi në shqip nga kjo dëshmi që është scanuar nga interneti) Në Aktakuzë ngarkon personelin e burgut se më, 22 maj 1999 të burgosurit shqiptarë janë thirrur që me mjete personale që posedonin, të rreshtohen në terenin sportiv me qëllim gjoja të numrimit për transferim në burgun e Nishit. Kur disa qindra të burgosur janë rreshtuar në poligonin e sporteve, afër karakollit, nga karakolli i rojave është shkrepur në të burgosur me, pushkomitraloz dhe mjete tjera shkrepje zjarri, ku shumë nga këta të burgosur janë vrarë e plagosur (për të vrarit jep numrin 50). Ish Kryetari Millosheviq këtë Aktakuzë e quan absurde, duke cekur se Burgu i Dubravës ka qenë i bombarduar disa ditë nga NATO, ku gjatë këtij bombardimi janë rrënuar 7 pavijone, nga këto rrënoja janë nxjerrur trupat e 93 të vrarëve. (Njëhere qanë kokën për rrënojat e tani për të vrarit). Dëshmitari Paponjak vërteton me autenticitet të dhënat e video incizimeve, duke cekur se më 24 Maj ka vizituar rrënojat e burgut. Përshkruan se edhe vet ky dëshmitar më, 24 Maj është plagosur nga eksplodimet e bombave të NATO-s.
___________________________________________
Lexoni kopjen…
____________________________________________________
Akuzuesi Geoffrey Nice thotë se aktakuza nuk e anashkalon bombardimin e NATO-s në Burg, por edhe më tej qëndron tek rrjedha e pushkatimeve (masakrës). Kah çon kjo hetuesi (marrje në pyetje). Çka dëshironi të prezentoni, pyesin Milosheviqin akuzuesi Nice dhe Gjyqtari Patrick Robinson, jo – jo ky nuk deshi të pengonte prezantimet e fajeve të NATO-s.
(Më tej dalin në shesh kunderthëniet që thirret në të dhënat e dëshmive të MUP-it në Pejë, ku Komandanti i policisë rajonale në Pejë – Paponjak, akuzon Milosheviqin për Krimin e organizuar).
____________________________________________
Puseta, në të cilën ishim fshehur, kishte edhe vrima tjera ndihmëse, që për çdo rast të ndonjë sulmi tjetër eventual mund të bëhej vend edhe në këto vrima.
Ku më tej? Pos për së gjalli të varroset njeriu. Strehimi në këto puseta nuk ishte tjetër pos varrim për së gjalli. Te kjo pusetë pash Ganiun që ngutej të zinte radhën në rresht, që ishte lënduar në gjoks.
Në kërkim të njerëzve që mund t’i njihte e t’i identifikonte, ishte angazhuar me të madhe Hamit Buzhala dhe Sherif Hamza. Ata në çastin kur më panë se isha gjallë më pyesin :
-Ku ishe deri tash? Na ke shashtisur, duke të kërkuar në mesin e të vrarëve në fushën e sportit. Ku është Xhavit Mala ?
-Nuk di – u përgjigjem.
Pas pak u gjet edhe Xhaviti, por i tmerruar. Kishte mbijetuar, por kishte përjetuar tmerrin nga kjo masakër që ndodhi në podrumin e ngrohtores.
Ndërkohë, disa që ishin më të shkathtë, ktheheshin e u ndihmonin të plagosurve edhe pse rrezikoheshin nga snajperistët çetnikë. Ndihma që u bëhej, së pari, ishte vetëm tërheqja barkas e deri sa silleshin në korridorin e pavijonit “C”. Ky pavijon ishte shndërruar në spital të improvizuar. Po ashtu Spital i improvizuar ishte edhe ambulanca e burgut.
Foto 1) Një i maskaruar. Foto2) Ambulanca e burgut e mbushur me të vrarë të mbledhur nga Boban Bashqareviq për fotografim. Në këtë objekt nuk ka pasur bombardime. Kjo shihet edhe nga fotografia qartë se nuk ka as gjë të demoluar, pos kufomave të përgjakura të shqiptarëve të vrarë. Foto3) Të burgosurit Përparim Efendiu nga Gjakova pa flokë (i duket tërë trupi), Halil Guta pa flokë (i duket vetëm koka), bartë vëllain (të vrarin): Napoleon Guta dhe Kolë Berisha nga Peja me flokë të zeza. Nën trysninë e Kriminelit – Boban Bashqareviq nga Nikshiqi (me revole), pasi i bartin kufomat më pastaj i vrasin edhe këta të tre…
_____________________________________________
Shumë nga të burgosurit shkonin në vendin e krimit për ti gjetur shokët, që mund t’u kenë shpëtuar plumbave – të armikut shekullor. Ata, për t’i hetuar, u thoshin që të jepnin shenjë me lëvizje dore. Kështu, sapo kuptonin se ndonjëri nga të plagosurit ishte gjallë, e tërhiqnin zvarrë nga ai vend i mallkuar.
Shumë nga të burgosurit mbetën të vrarë. Dikush ndoshta kishte vdekur pas plagëve të marrur, se nuk kishte mundur të tërhiqej nga ky vend.
Disa mjekoheshin nga teknikët e mjekësisë, që ishin të burgosur e ndihmoheshin edhe nga shumë të tjerë. Kuptohet ndër ta veçohej: Bislim Zogaj, Haqif e Sherif Ilazi, Defrim Rifaj, por për shkathtësi si në tërheqjen e të plagosurve e si për çdo aksion tjetër, veçohen: Nijazi Kryeziu, Sherif Ilazi, Hamit Buzhala e shumë të tjerë.
FUSHA E SPORTIT U SHNDËRRUA NË “FUSHË TMERRI”!
Këtë ditë nuk mund të hyhej lirshëm në këtë fushë tmerri, por shkohej barkazi, që të shihej e vëzhgohej mos kishte ndonjë të gjallë për ta tërhequr. Por edhe në Pavijonin “C” nuk mund të hyhej lirshëm nga ndonjë gardian, ngase ashtu ishte bërë kurthi, që në rast se tentohej nga ana e paramilitarëve për të hyrë në pavijone e sidomos në Pavijonin“C”, menjëherë do ta pësonin. Në pavijonin “C” ishin bërë aq kurthe të mira, sa që ishte rrezik të hyhej edhe nga ne të burgosurit pa paralajmërim. Ky aksion – për mbrojtjen e të plagosurve, duke vënë kurthe prej xhamave të thyer e grilave – ishte bërë nga Nait Hasani, i ndihmuar nga Avdi Mehmedi , Haqif e Sherif Ilazi, Njazi Kryeziu, Sherif Hamza e shumë të tjerë.
Kaloi kjo natë, sërish ku e si, kush kishte mundur të gjendej në situatë për të mbijetuar deri të nesërmen. Këtë natë e kaluam në Pavijonin “B-1” së bashku me Ukë Ndrecën dhe Ragip Foniqin. Gjatë tërë natës vëzhgonim, që t’i njoftonim koordinatorët në mbrojtje të t’plagosurve, që mjekoheshin në Pavijonin “C” dhe për rreziqe eventuale.
Të nesërmen në mëngjes sërish “LAJM I RI”
Gardianët, eprorët ushtarakë dhe paramilitarët e kishin vërshuar oborrin e burgut. Ata ftonin e urdhëronin për të dalë nga vendet, ku ishin strehuar, të gjithë të burgosurit e gjallë. Kështu filluan nga bodrumi i kuzhinës duke kontrolluar me radhë çdo pavijon e çdo pusetë ku dinin mundësinë e strehimit. Ata që i gjenin i drejtonin për në sallën e ushtrimeve fizike. Tubuan sa tubuan, por jo të gjithë. Nga të tubuarit donin të dinin numrin e të likuiduarëve dhe disa eprorë kërkonin të dinë numrin e të burgosurve.
_______________________________________
Sa të burgosur kishin qenë në numër para se të fillonte. “Skenari i TMERRIT” ?
Përgjigjja e disa gardianëve ishte 954, kështu dëshmon Xhevat Haziri nga Vitia i cili ishte po në momentin aktual. Besnik Rexha nga Prishtina i cili punonte në kuzhinën e burgut kishte dëshmuar për 964 të burgosur. Këtë ia kishte kumtuar Ismet Paçarizit, në momentin, kur Besim Paçarizi ndërronte jetë në këtë burg.
Ҫka do të thotë.
Skenari qenka realizuar.
Aty kishte përafërsisht 350 veta, kuptohet sa qenkan likuiduar, disa nga të burgosurit ishin përshëndetur e bërë hallall njëri tjetrit se ndoshta do të na likuidojnë të gjithëve.
Në pavijonin “C”, ku kishte të plagosur e kujdestarë për mjekimin e tyre si dhe kujdestarë për sigurimin e tyre nga ndonjë rrezik i serishëm, ishte një numër goxha i madh i të burgosurve, por kishte të strehuar edhe në vende, që nuk i ishin bindur kësaj thirrjeje. Andaj numri i mundshëm i konstatuar nga këta eprorë, nuk përkonte me të vërtetën. Nga konstatimi për realizimin e skenarit, eprorët ushtarakë kishin thënë se nga dita e sotme e deri të nesërmen mund të lëviznim lirshëm nëpër tërë hapësirën e oborrit të burgut, por na tërhoqën vërejtjen që të mos u ofroheshim mureve të rrethojës së burgut dhe të gjendeshim si të mundnim për çështje ushqimi e strehimi. Po ashtu na thanë se të nesërmen do të na transferonin nga ky vend.
Pas kumtesës së eprorëve ushtarakë, të gjithë pjesëmarrësit në sallë, dolën jashtë dhe filluan një jetë të përkohshme, për ekzistencë, deri nesër.
Dikush përgatiste ushqim, dikush mjekonte të plagosur e dikush merrej me identifikimin e të vrarëve. Shumë nga të burgosurit kishin pësuar trauma dhe kishin mbetur shtrirë apo endeshin si pa kokë. Edhe kjo natë kaloi në ankth dhe sërish me roje nga të burgosurit gjatë tërë natës.
Më 24 maj 1999, në mëngjes erdhën dhe thirrën që të dalim te hapësira afër hyrje-daljes dhe që të rreshtoheshim në grupe prej nga 80 veta, në mënyrë që të dihet, se çdo grup prej 80 vetash do të hyjnë në një autobus. Kështu në ankth se çka mund të ndodhte – rreshtoheshim nga 80 të burgosur. Një nga Grupi i gjakovarve thërret gjakovarët për t’u ndarë duke thënë, “ejani ne të pa fajshmit ndahemi veç”. Harron që shumë nga këta të “pafajshëm” kishin pësuar si shumë të tjerë.
_______________________________________
U bëmë shumë grupe por më shumë se sa kishin menduar e planifikuar skenaristët. Ata kishin planifikuar autobusë për 350 veta. Ky kishte qenë konstatimi i eprorëve të burgut, që gjoja kishin ndërprerë masakrën kinse qenkan likuiduar rreth 600 të burgosur. Tani ishim më shumë të burgosur. Prandaj kërkuan që të sigurohen, pos autobusëve, edhe kamionë. Por kush mbeti për të hipur në kamionë? Mbetën të plagosurit, të cilët siç dihet, kishin kaluar më së keqi. Autobusin, ku isha unë me 80 veta dhe të gjithë autobusët tjerë i ndalën në hyrje të Burimit (Istogut). Në secilin Autobus hynin persona civil e policë dhe kërkonin identitetin e secilit të burgosur, që ishte prezent. Gjatë evidentimit nga secili i burgosur kërkonin: Emrin , emrin e prindit dhe mbiemrin, vendbanimin, vendlindjen, datëlindjen. Gjatë kësaj procedure një person civil thoshte:
Kujdes, të jetë identifikimi i saktë se “ai që nuk është këtu i evidentuar, nuk është fare më në jetë”. Kështu pritëm derisa të gjithëve na evidentuan. Po ashtu i pritnim edhe të plagosurit që, edhe këta, të vijnë në kolonë së bashku me të burgosurit tjerë. Të plagosurit barteshin me kamionë.
Vazhduam rrugën në kolonë, në dalje të Klinës. Autobusi në të cilin ishim ne, 80 të burgosurit, pati defekt. Tani duhej edhe për ne një kamionë. Gjatë pritjes erdhi një kamionetë me ushtarë, i cili ishte i maskuar për anash me dru në trashësi deri 20 cm, kur na vërejtën në autobus u gëzuan shumë. Zbritën dhe filluan të na maltretojnë me fyerje e provokime verbale, por disa persona të sigurimit nuk i lejuan të vijë deri te një më e keqe. Hipëm në një kamion tjetër. Kështu kolona vazhdoi rrugën deri në burgun e Lipjanit.
TË VRARËT DHE TË ZHDUKURIT
Nga ata që kam parë në Burgun e Dubravës dhe që kam dëgjuar nga të burgosurit, me të cilët kemi vuajtur dënimet nëpër burgjet e Serbisë, del se ka shumë të vrarë e të zhdukur edhe pse nuk kemi mundur t’i identifikojmë të gjithë të vrarët, ngase shumë prej të burgosurve të vrarë nuk i njihnim.
Ja ca nga këta:
LISTA E TË VRARËVE:
1. Gazmend Jahir Kolgeci nga Arrishta (ish Vraniqi), Therandë;
2. Ilir Halil Luzha nga Arrishta (ish Vraniqi), Therandë;
3. Nexhat Shaqir Kokollari nga Ujmiri (ish Savrova), Therandë;
4. Sahit Fejzë Krasniqi nga Ujmiri (ish Savrova), Therandë;
5. Fazli Sahit Kabashi nga Malasi (ish Mohlani), Therandë;
6. Kadri Rrahman Morina nga Rreshtani, Therandë;
7. Ali Hysen Gashi nga Shiroka, Therandë; (I plagosur, masakruar rëndë dhe i zhdukur, në Spitalin e Prishtinës);
8. Avdullah Ramadan Tahiri, nga Malisheva. Gjilan;
9. Sylejman Shaip Badallaj nga Zhuri, Prizren;
10. Lush Ndue Përlazi nga Velezha, Prizren;
11. Jonuz Mehmet Krasniqi nga Arbana, Prizren;
12.Gjon Mark Gjini, nga Prizreni;
13. Man – Karavidaj, nga Mazrreku, Prizren;
14. Afrim B. Krasniqi, nga Tusus, Prizren;
15. Mehmet – Qunaj nga Kojushi, Prizren;
16. Habib Azem Mehani nga Shkaba (ish Gllanasella), Drenas;
17. Zahir Sadik Agushi nga Thanishta, (ish Drenoc) Klinë;
18. Mujë Jashar Tafilaj nga Starza (ish Siqeva), Klinë);
19. Bajram Jonuz Berisha, nga Valijaku (ish Volljaka), Klinë,
20. Agim Ajet Duraku, nga Buroja, Klinës,
21. Gani Isufi nga Suka e Gashit, Klinë;
22. Bedri Sejdë Hasani, nga Peja;
23. Fadil Smajl Bezeraj nga Rrafshi (ish Raushiqi) i Pejës;
24. Sahit Sali Brahimaj nga Kodrina, Pejë;
25. Ali Avdyl Kelmendi nga Frashnjeti (ish Kusuriq), Pejë;
26. Avni Bajram Gashi nga Buqani, Pejë;
27. Artan Tafë Gjekaj , nga Dardana (ish Zllopeku), Pejë;
28. Iber Dinë Gërgoci , nga Frashmjeti (ish Kusuriqi), Pejë;
29. Nazmi Hysen Shala nga Peja;
30. Haki Z.Dinaj nga Rraushi, Pejë; (i liruar më 17 maj ’99. Më tej nuk dihet për fatin e tij)
31. Idriz Niman Zhutaj, nga Rausha, Pejë;
32. Osman Husein Rastoder nga Arbneshi (ish Vitomirica), Pejë;
33. Remzi Smajl Shala nga Babaj, Pejë;
34. Kolë Berisha, Pejë, i ekzekutuar nga Boban Bashqareviq,
35. Naim Rexhë Kurmehaj, nga Stralli, Deçan;
36. Dërvish Sylë Sylaj, nga Ratishi , Deçan;
37. Zekë Haxhi Hasnmataj, nga Stralli i Epërm, Deçan;
38. Gani Ibish Lekaj, nga Lumbardhi, Deçan;
39. Metë Ibish Osmanaj, nga Isniqi, Deçan;
40. Adem Idriz Jasiqi, nga Deçani;
41. Hajdar – Pepaj, nga Kodralia, Deçan;
42. Latif – Hasnmetaj, nga Stralli (Ish Strellci) Deçan;
43. Shkelzen Miftar Pepshi nga Juniku, Deçan;(U ekzekutua më 18 maj 1999)
44. Sefedin Rrahman Hoti nga Shpati (ish Sibovc), Kastriot (ish Obiliq);
45. Besim Aziz Kabashi nga Apterushi, Rahovecit;
46. Avni Behxhet Thaçi nga Retia, Rahovec;
47. Lulzim Hashim. Hajda, nga Rahoveci;
48. Qemajl Hajdar Bytyqi, nga Deja, Rahovec;
49. Gani Elez Morina, nga Deja, Rahovec; (vdiq në burgun e Lipjanit nga plagët në Masakrën e Dubravës dhe nga maltretimet e gardianit në Lipjani, Zoran Klaiq)
50. Isuf R. Berisha nga Drenaj, Rahovec;
51. Ukshin Nazif Hoti nga Krusha e Madhe, Rahovec; (u lirua më 16 maj 1999, i humbin gjurmët);
52. Xhemajl H. Eminhajzeri, nga Rahoveci;
53. Besim Hazir Paçarizi, nga Rezistenca (ish Dragubili), Malas (ish Malishevë);
54. Enver Avdyl Zogaj, nga Rrezana (ish Bellanica), Malas; (ish Malishevë);
55. Nikë Ndue Kola, nga Gjakova;
56. Hasan Miftar. Hoda, nga Gjakova;
57. Zef Isuf Kqiraj nga Zhubi, Gjakovë;
58. Bahri Myhedin Kryeziu, nga Gjakova;
59. Iber Sherif Metaj, nga Hereqi, Gjakovë;
60. Kristë Mark Përvorfi nga Dujaka, Gjakovë;
61. Hysen Avdyl Ademaj nga Mollasi (ish Mulliqi), Gjakovë;
62. Ilir Damon Damonaga , nga Gjakova;
63. Qaush Haxhi Ahmeti, nga Sheremetaj, Gjakovë;
64. Besnik Shani Kastrati, nga Gjakova;
65. Blerim Adem Hoda, nga Gjakova;
66. Xhevdet Gani Bistriva, nga Gjakova;
67. Napoleon Qemajl Guta, nga Gjakova;
68. Valentin Mark Nikollbibaj, nga Brekoci, Gjakovë;
69. Gazmend Fazli Imeraj, nga Ponosheci Gjakovë,
70. Xhokë Matej Ndreca, nga Bitishi , Gjakovë;
71. Anton Pashk Maksuti, nga Vogova, Gjakovë;
72. Bujar Adem Himaj, nga Skivjani, Gjakovë;
73. Fadil Hysen Baqiraj nga Rracaj, Gjakovë;
74. Gani Fazli Imari nga Ponosheci, Gjakovë;
75. Halit Sadri Ademaj, nga Rracaj, Gjakovë;
76. Hamdi Adem Ademaj nga Rracaj, Gjakovë;
77. Kristë Pren Nokaj nga Mokliku, Gjakovë;
78. Muhamet Ymer Shala nga Blinishti, Gjakovë;
79. Myhedin Xhelal Guta nga Gjakova;
80. Ramë Rexhep Ibrahimi nga Stublla, Gjakovë;
81. Ramiz Himë Bajrami nga Osek Hyla, Gjakovë;
82. Rasim Demë Plava nga Crmjani, Gjakovë; ( U lirua më 16 maj 1999, pas luftës u gjet i ekzekutuar);
83. Përparim – Efendiu, Gjakovë, i ekzekutuar nga Boban Bashqareviq,
84. Ali – Guta, Gjakovë, i ekzekutuar nga Boban Bashqareviq,
85. Naim Zenel Zahiti nga Suma, Vushtrri;
86. Nexhat Tahir Pllana, nga Martirat, Vushtrri;
87. Zejnullah Mujë Elshani, nga Rezistenca (ish Bajinca), Drenas;
88. Hasan Beqir Shala, nga Nënkalaja, Drenas;
89. Shani Avdyl Shala, nga Nënkalaja, Drenas;
90. Xhafer Hysen Gllareva nga Fortesa, Drenas;
91. Qamil Abaz Thaçi nga Llapushniku, Drenas;
92. Petrit Halim Kiqina, nga Rezistenca, Drenas;
93. Dan Brahim Leku, nga Rezistenca, Drenas;
94. Sahit Halit Thaçi, nga Gryka, Drenas;
95. Valdet Çerkin Sopi, nga Llapushniku, Drenas;
96. Afrim Jusuf Sahiti, nga Drenori, Drenas;
97. Bajram Miftar Kiqina, nga Rezistenca, Drenas;
98. Habib Azem Mahani nga Shkaba, Drenas;
99. Nasuf Mehmet Bylykbashi nga Qëndresa, Drenas;
100. Musa Idriz Morina nga Hodonoci, Dardanë;(ish Kamenica);
101. Enver Bajram Topalli, nga Gremja, Ferizaj;
102. Rrahim Smajl Murseli, nga Gremja, Ferizaj;
103. Ahmet Hysen Hoxha , nga Pleshina, Ferizaj;
104. Tefik Salih Spahiu nga Varoshi, Ferizaj;
105. -1. Mejdi Hajrush Dalloshi nga Sopoti, Kaqanik;
106. Danush Miftar Kurtaj nga Gabrrica, Kaqanik;
107. Tefik Bafti Raka, nga Kaqaniku;
108. Avdylgafurr M. Luma, nga Qafëshqipja (ish Glloboqica), Kaqanik;
109. Suad Isen Brava, Puset e Nikës, i vrarë,
110. Arsim Murat Rrahimi , nga Beasiana (ish Podujeva);
111. Bashkim Emin Maloku nga Dardhishta, Besianë (ish Podujevë);
112. Xhevat – Azemi nga Besiana; (ish Podujevë);
113. Shaban Bajram Qosa , (R) nga Mitrovica;
114. Fejzë Rexhë Spahija, nga Ilirioni (ish Runiku), Skenderaj;
115. Ramiz – Regjepi, nga Prishtina;
116. Gazmend Idriz Gashi, nga Prishtina;
117. Arsim – Krasniqi, nga Prishtina;
118. Ramiz Ramë Memia, nga Myhejani,Tropoja – Shqipëri;
119. Arsim Ahmet Zogijani, nga Harilaqi, F. Kosovë;
120. Isuf Qerim Hoxha nga Myzeqina, Shtime.
Shumë prej të burgosurve nuk i njohëm fare, kush ishte e nga ishte. Shumë prej tyre nuk mund t’i identifikonim ngase ishin të masakruar, në fytyrë e gjetiu. Në disa shkrime e dëshmitarë, del se numri i të varrosurve në Rakosh, në afërsi të burgut të Dubravës, të vërtetuar gjatë zhvarrosjes, kanë qenë, të varrosur 97 kufoma të kësaj Masakre.
Të vrarit në masakër, të varrosur në fshatin Rakosh.
___________________________________________________
Me mbishkrimin “KPD” që në serbisht do të thotë Kazneno Popravni Dom; Në shqip – Kompleksi i Riedukimit Penal. Këtu vërtetohet fshehja e gjurmëve të krimit, ngase ne njohim njerëz të vrarë, që nuk dalin në këtë numër të dhënë.
Deri më tani janë identifikuar 120 të vrarë.
Të burgosurit që shpëtuan gjallë, të plagosur e të traumatizuar u transferuan për në Burgun e Lipjanit. Të vrarët mbetën në vendin e krimit. Të tjerët ende kërkohen nga familjet e tyre.
(…)
– I shkëputur nga libri: Prof.Ukë Thaçi – Masakra në Burgun e Dubravës (Skenarët e Masakrës), Prishtinë 2011 – Shtypëshkronja “BERATI” Prizren.
________________________________________________
(ILUSTRIMET I PËRGATITI KRYEREDAKTORI I PASHTRIKU.ORG)