PROF.XHEMALEDIN SALIHU: LOKALITETE DHE VENDBANIME ARKEOLOGJIKE NË PRESHEVË (I)

Preshevë, 9 gusht 2020: “Ata që nuk e njohin të kaluarën janë si foshnja – nuk dinë gjë!” (Lucrecius Car).
“Popujt, si dhe foshnja, kanë rritën e vet dhe kjo rritë bazohet në njohuritë dhe përvojat e fituara nga e kaluara, nga rrënjët individuale e kolektive. Këto rrënjë gjenden në trashëgiminë kulturore, të krijuar nga njerëzit dhe për njerëzit.”
“Ne nuk e kuptojmë se ka popuj që janë zhdukur nga ky rruzull tokësor dhe jo pse s’kanë pasë politikanë të mirë, por sepse kanë qenë mospërfillës ndaj kulturës së vet”
“Popujt radhiten në botë sipas trashëgimisë së kulturës”

Hyrje
Komuna e Preshevës zenë vendin qendror në Luginë të Preshevës, në anën perëndimore kufizohet me malin e Karadakut, ndërsa në lindje me malin e Rujanit dhe shtrihet përgjatë lumit Moravicë. Ajo në veri kufizohet me Luginën e Vranjës, ndërsa në jug me Luginën e Shkupit.
Presheva banohet nga periudha e neolitit, vazhdon të banohet edhe gjatë periudhave të mëvonshme : të bronzit, të hekurit e deri në ditët e sotme, përshkak të pozitës së volitshme gjeografike, kushteve të favorshme klimatike, hidrografike.
Lugina e Moravës dhe ajo e Vardarit, kryesisht ishin të banuara nga fisi Ilir- Dardan, pra Presheva shtrihej në pjesën qendrore të Mbretërisë Dardane. Këtë e dëshmojnë të dhënat arkeologjike, antropologjike, kulturore-historike, gjuhësore, etnologjike, e të tjera.
Edhepse u gërshetuan shumë lëvizje të popullatave dhe kulturave, popullata autoktone shqiptare e Preshevës arriti ta ruajë materialin arkeologjik, i cili vërteton autoktoninë e saj shumë shekullore dhe vjetërsinë e saj.
Gjeturinat arkeologjike, lokalitetet, objektet dhe vlerat arkeologjike në Preshevë janë gjetur të kohës parahistorike, të kohës antike, të mesjetës, por edhe më vonë.
“Gjurmët më të vjetra të kulturës lëndore në territorin e komunës së Preshevës datojnë qysh nga periudha e neolitit të vjetër. Mirëpo, është e mundshme që kjo trevë (për shkak të pozitës gjeografike shumë të rëndësishme dhe kushteve natyrore të përshtatshme) të jetë banuar edhe në periudhën e paleolitit, por ende nuk kemi zbulime lëndore të kësaj periudhe, që do të dëshmonte këtë mundësi”, shkruan Dr. Jahi Staneci.” (1)
Gjendja e tanishme e Trashëgimisë kulturore
Presheva, gjatë historisë së saj të bujshme dhe të pasur pati periudha të ndryshme të progresit kulturor. Andaj edhe trashëgimia e saj është e pasur dhe e bollshme nëpër periudha të ndryshme kohore. Secila prej këtyre periudhave në vete ka pasuri të bollshme të trashëgimisë kulturore, të trashëgimisë natyrore dhe asaj shpirtërore. Asnjë prej këtyre periudhave, gjegjësisht trashëgimia e tyre kulturore, natyrore dhe ajo shpirtërore nuk është hulumtuar, studjuar, identifikuar, regjistruar, ruajtur dhe mbrojtur sa duhet. Kështu, sot kemi shumë lokaliteti, objekte dhe gjësende të trashëgimisë kulturore dhe natyrore, sidomos asaj shqiptare të rrezikuar, të prishur, të huazuar dhe aspak të ruajtur, aspak të mbrojtur dhe nën përkujdesjen e shtetit.Pra, gjendja edhe pozita e trashëgimisë kulturore në Preshevë është e vështirë, me tendencë të shkatërrimit total të saj.
Ato, në emër të ndërtimeve moderne, gërmimeve jo zyrtare arkeologjike, dorës së njeriut të paditur dhe për një interes personal apo kolektiv përfitimi, lokalitetet, objektet dhe vlerat të trashëgimisë kulturore, aspak nuk kursehen, rrezikohen deri në shfarrosjen e tyre. Andaj popullata, institucionet, organet shtetërore, shoqëria civile, Shoqata për Trashëgimi kulturore në Preshevë, me fanatizëm të madh duhet t’i ruajë dhe t’i mbrojë edhe ato pak objekte që kanë mbetur në komunën e Preshevës.
Në të kaluarën, jo të largët të këtyre ndërtimeve moderne, ndodhën katastrofa të mëdha dhe nuk u kursyen lokalitetete, objekte dhe vlera të Trashëgimisë kulturore. Kështu u prish Hamami i Vjetër i Preshevës, për tu ndërtuar një ndërtesë moderne, disa katshe në Preshevë.
Përmbi qytetin e Preshëvës së Vjetër dhe Varrezave të Vjetra të Preshevës, në të majtë dhe në të djathtë të rrugës rajonale Preshevë-Gjilan, te vendi i njohur „20 Mullinjtë“ u ndërtuan shtëpi private, e tërë një Mëhallë e Kurbalive.
Livadhi i Shehut, një park natyror për pushime, rekreacione dhe pikniqe u dëmtua aq shumë, sidomos me ndërtimin e një kazerme ushtarake.
Në fshatin Tërrnavë ndertimi i një ndërtese ndërmjet xhamisë së fshatit dhe Teqesë, po rrezikohet shkatërrimi i Teqesë qindvjevare e vjetër.Edhepse Inspektorati komunal ka dhënë udhëzime nëpërmjet të proçesverbalit të shkruar ne vendin e ngjarjes, që Teqeja të adaptohet apo meremetohet, prapseprap, Bashkësia lokale dhe Këshilli i xhamisë nuk marrin ndonjë nismë tër ta shpëtuar teqenë nga shkatërrimi.
Poashtu në fshatin Bukuroc, me ndërtimin e rrugicës nëpërmjet Vorrezave te Krushqëve, ato janë rrezikuar, bile nga kompleksi i Vorrezave të Krushqëve është ndarë Varri i Nuses unikat për këtë krahinë. Varri është mbuluar me dhe, faktikisht është shkatërruar dhe me nuk shihet në hapësirë. Megjithë intervenimet tona, të Shoqatës për Trashëgimi dhe krijimtari kulturore dhe Inspektoratit komunal që vorrezat të rrethehen dhe nga Varri i Nuses të hiqet dheu, prapseprap ka mbetur gjendja e patolerueshme dhe i kanoset rreziku i shkatërrimit të Varrezave të Krushqëve.
Poashtu me gërmimet e egra të hulumtuesve të egër në për levërdi të parave dhe stolive, rrezikohet Kalaja e Preshevës, Muri i saj, por edhe shumë objekte dhe vende arkeologjike e objekte e vende të trashëgimisë kulturore në Preshevë. Këtë situatë të shkatërrimit ia kemi paraqitur Entit për Mbrojtjen e Monumenteve Historike në Nish dhe komunës së Preshevës, bile edhe kryetarit të Komunës që të ndërmerrë masa urgjente për ndalimin e shkatrrimit të vlerave, objekteve dhe vendeve të trashegimisë kulturore.
Ndoshta është koha e fundit që të vendosen tabela emertuese-informuese edhe për vendbanimet, rrugët dhe objektet, vendet e vlerat e trashëgimisë kulturore, që t’ia bejne me dije qytetarit tonë të Preshevës, por edhe të komunave të tjera, sidomos „arkeologëve“ të egër edhe të komunave jashtë Preshevës, që mos t’i prekin dhe shkatërrojnë këto vlera.
Shpella e Ilincës, Shpella e Arushës, Guri i Shpuem, Kalaja e Preshevës e objekte të tjera Trashëgimie janë lanë në mëshirën e natyrës, por edhe të prishjes nga dora e njeriut.
Sidomos janë rrezikuar shumë lokalitete me ndërtimin e Autoudhës E-75, në drejtim Bujanoc-Preshevë-Kumanovë.
Ju është e njohur puna në Korridorin 10, në Autostradën Nish-Preshevë-Shkup e tutje. Derisa autoritetet serbe, institucionet përkatëse të shtetit serb reaguan në pjesët tjera të Autostradës, ku gjetën lokalitete të vjetra, në Autostradën Preshevë-Kumanovë, te vendi Banjkë e Miratocit, u zbulua një lokalitet i vjetër dhe vorreza të vjetra iliro-dardane, institucionet përkatëse vetëm reaguan, por nuk ndërrmorën kurgjë në hulumtimin e këtij lokaliteti dhe mbrojtjen dhe ruajtjen e tij. Reaguan disa profesorë të gjeografisë(Sami Agushi) dhe të historisë si dhe reagoi Shoqata për Trashëgimi, por ende kurgje nuk ka në drejtim të hulumtimit të lëtij lokaliteti të vjetër.
Hulumtime arkeologjike në Preshevë
Hulumtime arkeologjike në komunën e Preshevës kanë ndodhur spontanisht nga individë entuziastë, vullnetarë si psh: Dr. Jahi Staneci, Sabedin Hetemi e ndonjë tjetër.
Profesori Sabedin Hetemi nga Presheva, para shumë viteve ka hulumtuar vende arkeologjike, por edhe objekte arkitektonike-ndërtimore, sikur kishat, xhamitë, etj, madje edhe shkroi për to.
Profesori Dr. Jahi Staneci hulumtoi gjatë në komunën e Preshevës vende dhe objekte arkeologjike dhe ka arritur rezultate të konsiderueshme.
Profesori Dr. Jahi Staneci mblodhi eksponata arkeologjike etjerë, të cilat me sa di unë i ka vendosur diku në fshatin Stanec, shumë me vlerë për trashëgiminë tonë dhe ka propozuar që ato të barten në Shtëpi të kulturës apo dikund tjeter, në vend të sigurtë, në mungesë të Muzeut komunal në Preshevë. Për zbulimet e tij arkeologjike dhe vendgjetjet arkeologjike ka shkruar disa herë dhe opinioni, dashamirë i kësaj lëmie është i njoftuar. Mirëpo, vlen të ceket hulumtimi dhe zbulimi i fundit, me rëndësi në mars të vitit 2008. Në realitet u zbulua një Varreze me skelete njerëzish të vjetra nga mijëvjeçari i tretë para erës së re, në Kodrën e Sheh-Halilëve, në veri të qytetit.
Hulumtime arkeologjike grupore në Preshevë kanë ndodhur më vitin 1966, 1967,1968 dhe në vitet 1977/78.Të gjitha këto hulumtime kishin të bëjnë me rekognoscim, ndërsa gërmime të vogla të pjesëshme sondazhi kanë ndodhur në Kështjellën e Bushtranit, më 1977 dhe në Kacipup të Rahovicës, më 1977/78, nga arkeologë serbë të Muzeut Popullor të Vranjës, me ndonjë angazhim të arkeologëve maqedonë nga Shkupi. Pra, kanë munguar kuadrotë shqiptare në këto ekspedita, kuadrotë shqiptare nuk janë angazhuar, kurse është më se e domosdoshme, për hir të objektivitetit që në hulumtimet e ardhshme, apo në punët pas rekogniscimit të angazhohen edhe kuadro të mirëfillta shqiptare të lëmisë së arkeologjisë dhe lëmive profesionale të tjera.
Shënimet e para mbi vjetërsitë, lokalitetet arkeologjike dhe strukturën e popullatës në Luginën e Moravës Jugore i mblodhi udhëpërshkruesi Feliks Kanici, i cili shkroi një libër mbi Serbinë dhe popullatën e saj, duke i përmendur edhe fshatrat dhe popullatën shqiptare.
Kontribut të madh arkeologjisë në rajonin e Vranjës dhe Bujanocit, në shekullin e kaluar i dha M. Jovanoviqi, kustos i Muzeut Popullor në Vranjë, i cili në këtë rajon kreu rekognoscime në hapësirat nga V.Hani deri në Preshevë.
Në gërmimet arkeologjike në Serbi, nëpërmjet Akademisë Serbe për Shkencë dhe Art, mbi vendbanimet ilire në Serbi, në të cilët morën pjesë edhe Instituti Arkeologjik dhe Ballkanik dhe Muzeu Popullor në Beograd, gjatë viteve 1977 dhe 1978 u bënë gërmimet në Priboj të Vranjës, në Kacipup të Rahovicës dhe në Bushtran dhe u vërtetua se Kacipupi është lokalitet iliro-dardan.
Në këtë rajon ndodhën gërmime arkeologjike edhe në vitin 1990, të cilat i organizoi Muzeu Popullor në Vranjë.
Gërmime arkeologjike kanë ndodhur edhe në vitin 2002, në të cilin nëpërmjet rekognoscimit në trasën prej Nishit deri në kufi me Maqedoninë, ku sistematikisht janë bë hulumtime arkeologjike edhe në vitin 2003, në Samolicë/kisha katolike/ dhe në Zhunicë/Cërkvishta dhe Bunishta/
Gjatë viteve 2006-2007, Enti për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore në Nish organizoi rekognoscimin e tërritoreve në komunat: Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.Mirëpo, deri më tash, edhepse janë premtuar materialet mbi këto hulumtime, ende askujt nuk iu kanë përcjellur rezultatet e këtyre hulumtimeve.
Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore në Preshevë ka realizuar një projekt : “Trashëgimia jonë, puna e jonë – na e njohim Trashëgiminë tonë, pasurinë tonë”, në vendbanimet e komunës së Preshevës, me të cilin është bërë : identifikimi, hulumtimi, mbledhja, përpunimi elektronik dhe formimi i evidencës elektronike, caktimi, i pozitës gjeografike të objekteve dhe vlerave të trashëgimisë, fotografimi, kartografimi, skicimi dhe pasqyrimi grafik, si dhe digitalizimi e skenimi i dokumentacionit të terenit dhe të të dhënave në hulumtim, deri në formimin e data-bazës së Trashëgimisë kulturore në komunën e Preshevës, e cila mund të vizitohet në ëeb faqen e Shoqatës për Trashëgimi/ëëë.shtkk.org/. Më vonë realizuam edhe një projekt të njëjtë, në komunën e Bujanocit me titull:”Trashëgimia kulturore e Bujanocit është edhe e jona”.

Harta e Preshevës më vlerat të trashëgimisë kulturore dhe natyrore
Vlerat e trashëgimisë kulturore në komunën e Preshevës që gëzojnë mbrojtjen ligjore dhe janë në evidencën e Entit për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore në Nish
Me realizimin e projektit: “Trashëgimia jonë, puna e jonë, pasuria e jonë…”, Shoqatës për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore ka identifikuar, ka evidentuar, ka regjistruar, ka fotografuar, ka bërë harta gjeografike, ka bërë skicime, ka bërë grafikone dhe ka bërë video inçizime për 346 vlera të trashëgimisë kulturore dhe natyrore në komunën e Preshevës. Projekti zgjati 6 muajë, që nga 01 tetor 2012 deri më 31 mars 2013.Prej 346 vlerave janë të mbrojtura me ligj vetëm 78 vlera të Trashëgimisë kulturore dhe natyrore, ndërsa 266, dy të tretat e vlerave nuk janë të mbrojtura me ligj dhe janë në mëshirën e kohës dhe dorës së njeriut. Shumica prej këtyre vlerave janë të rrezikuara.
Këtë pasqyrë të vlerave mund ta gjeni në ëeb faqen e Shoqatës për Trashëgimi nëse e klikoni: shtkk.org, pastaj arkiva Preshevë.
Enti për Mbrojtjen e Monumenteve historike në Nish ka evidentuar vetëm 78 objekte dhe lokalitete të trashëgimisë kulturore në komunën e Preshevës.
Po e japim pasqyrën e tyre:
Në Preshevë janë 80 lokalitete arkeologjike dhe 35 vendbanime:
1.Geraj-lokaliteti Kodra e Daullës, Dautit
2.Në Bërçec: Ara e Dervishit, vendbanim antik, Kisha dhe Kalaja
3.Në Buhiç: Livadhi i Shehut
4.Bukoc: Varrezat e Moçme, nekropol e Mesjetës, por banorët thonë të krishtera shqiptare dhe lokaliteti Arat e Sh. Misinit, antikë.
5.Bukuroc: Arat e Gata, nekropolë, lokaliteti Selishta, lokaliteti Gurudani, parahistorik, Koplenica,Çezma e Vjetër dhe lokaliteti afër Pompës së Benzinës, lokalitet parahistorik.
6. Bushtran : Lokalitetet Cërkvishta, Kalaja, Gradina, e të tjerë.
7.Gare: nuk ka
8. Golemidoll : Lokaliteti Çezma, Uji i Ftohtë dhe te Molla.
9.Shoshajë e Epërme: Lokaliteti Rruza e Gatë dhe Selishta, lokalitet mesjetar, fshati i vjetër.
10. Gosponicë: Lokaliteti përskaj udhës.
11.Depcë:Nuk ka
12.Shoshajë e Poshtme: Nuk ka
13.Në Zhunicë: Lokaliteti Cërkvishtë, vendbanim me ujësjellës dhe termo banjo, Vorret , nekropolë, lokaliteti Bunjishte, parahistori, lokaliteti në fshat me aquadukt.
14.Në Ilincë : lokaliteti Erëbinë, Kisha dhe Vrella.
15.Kurbali: Lokaliteti Çezma e Idrizit, lokaliteti Prona e Idrizit, në Mëhallën e Nurojëve, Vorret e Moçme, te Ara e Sadikut dhe Lokaliteti Cërkvishta, Proni i Kishës.
16.Në Lanik : lokaliteti Ridi i Lanikut, vendbanim i vjetër, lokaliteti Tuma, cërkvishtë, kishë dhe lokaliteti Kolibet e Vjetra-shtëpitë, nekropolë
17.Në Maxhere:Nuk ka
18.Në Miratoc : Lokaliteti Te Kalldërma, Kregëza,
19. Në Norçë : lokaliteti Bezhanija e Mesme
20. Në Rahovicë : lokaliteti Dobrec, Dobreci II dhe Kacipupi.
21.Peçenë :Nuk ka
22. Preshevë : lokaliteti Cërkvishta, antikë, në perëndim nga Kisha, antikë, Kalaja e Preshevës, qyteti i Preshevës nën Kala, Guri i Shpuem, kishë dhe falltore.
23. Në Raincë : Lokaliteti Kodra e Bakanit, lokaliteti Biganoci, Kroi i Ftohte-Uji i Ftohtë dhe Udha e Shtrembët.
24.Në Ranatoc : lokaliteti Vendi i Artë.
25.Leran : lokaliteti Baltina-lumi i Leranit, Butini.
26.Në Svinjishtë: lokaliteti Cuka-Gradinë, parahistori, ndërtesë hallshtate, Stublina, lokalitet parahistorik, Mëhalla e Marçanëve, vendbanim antik.
27.Në Sefer : Nuk ka
28. Në Bugarinë : lokaliteti Cërkvishta, lokalitet antik.
29. Në Stanec : Lokaliteti Kulla dhe Rroga e Nezës, nekropolë.
30.Strezoc : lokaliteti Mëhalla e Ashanëve-Gjereni.
31.Tërrnavë : Ara e Spasës, Manastirishtja dhe Lumi i tërrnavës.
32. Ceravajkë: Nuk ka
33.Corroticë : Konopishta, lokalitet antik
34.Çukarkë: Te reka, lokalitet antik.
Lokalitete dhe vendbanime arkeologjike
1.Kalaja e Preshevës
Kalaja e Preshevës gjendet në majën e Kodrës, e cila gjendet në mes të lumit të Kurbalisë, në të majtë të rrjedhës së tij dhe udhës rajonale Preshevë-Gjilan, në të majtë të saj, ku në lumin e Kurbalisë derdhen dy përroska e që nga këtu vazhdon si lumi i Preshevës,.
Në rrënzë të kodrës, gjegjësisht të Kalasë së Preshevës ndodhet Qyteti i Vjetër i Preshevës, ku është vendosur një lagje e Kurbalisë së Preshevës.
Pra, mund të themi lirisht se u shkatërrua një lokalitet i vjetër antik në favor të një lagjeje dhe humbën shumë artefakte nga lokaliteti i përmendur.

Kalaja e Preshevës

Në të djathtë të udhës rajonale Preshevë-Gjilan gjenden përskaj udhës vorrezat e qytetit të vjetër të Preshevës, të cilat shtrihen deri te lokaliteti Përzhar, ku gjendet një nekropole me varre ilire.
Kalaja e Preshevës gjendet në perëndim të qytetit të Preshevës, dikund 1,5- 2 kilometra.
Kalaja e Preshevës gjendet në gjërësinë gjeografike 0551713, në gjatësinë gjeografike 4684826 dhe në lartësinë mbidetare 743 m.
Kompleksi i qytetit të Vjetër të Preshevës, rrëzë Kalasë, ku u ndërtua Mëhalla e Kurbalive, në të djathtë janë Varrezat e Qytetit të Vjetër dhe krejt poshtë gjendeshin Mullinjtë e Vjetër të Preshevës.
Në rrëzë të Kalasë së Preshevës, në kohën antike gjendej Qyteti i Vjetër i Preshevës, i cili kishte funkcionin e vendbanimit të qytezës apo qytetit, sipas Xhevabi Hoxha. Në këtë vendbanim u gjetën maja të shigjetave, gjylpëra, sopata dhe monedha të kohës antike dhe bizantine, sidomos të kohës së Justinianit dhe ato ruhen në Muzeun e Vranjës.
Qyteti i vjetër i Preshevës gjendet në gjërësinë gjeografike 0552093, në gjatësinë gjeografike 4684720 dhe në lartësinë mbidetare 577 m.
Lokaliteti Kalaja e Preshevës, ku janë gjetur gjetje arkeologjike me rëndësi dhe material nga koha e vonshme antike, tregon se ekzistonte një qendër e rëndësishme në rajonin e Preshevës.Pra, janë gjetur blloka të gurit, shkallë, shtylla me bazë dhe kapitela.Poashtu janë gjetur në sipërfaqe tulla antike.Këtu, poashtu janë gjetur 3 pitosa të mëdhenj, të cilët tashti gjenden në oborrin e Muzeut në Vranjë.
Nga inventari lëvizës, të trashëgimisë kulturore materiale të luajtshme është gjetur gjëlpëra e bronzit, me kryet e shpendit të vogël, të cilën fibulë e kemi logo të Shoqatës për trashëgimi dhe krijimtari kulturore , një kreshtë fragmentare të broncit me stilizim të gjarprit, një spatë të hekurt, monedha të broncit të Justinijanit e tjerë.
Për të arritur në Kala është vështirë, sepse në anën jugore të saj rruga është e rrëpishme, ashtu edhe në veri dhe në jug, ndoshta është më lehtë të arrihet deri në Kala nga perëndimi, nëse shkohet nga Livadhi i Shehut dhe lokalitetit Valë.
Në anën perëndimore të Kalasë gjendet një mur guri, sigurisht një kullë, me gjatësi 6, lartësi 5 m dhe të trashësisë 2 m. Në mur, poashtu mund të shihet edhe ndonjë tullë antike e vendosur në mur.
Krej muri, konstrukcioni i tij është i lidhur me horosan gëlqeror.
Në lindje të murit, kullës gjendet pusi, në formë të katrorit, i cili ka shërbyer si rezervoar uji të pijshëm për banorët e këtij lokaliteti.

Kalaja e Preshevës ka rëndësi të madhe strategjike për rajonin, sepse nga kalaja shihen shumë qartë hapësirat e rajonit të Preshevës dhe shumë vështirë për ta pushtuar Kalanë, përshkak të rrëpishmërisë së saj dhe konstrukcioneve mbrojtëse të mureve-bedeneve.
Një vizitë në Qendrën e Trashëgimisë kulturore Rajonale në Gjilan, e cila është e Ministrisë së Kulturës e Republikës së Kosovës dhe në bisedë me ekspertët e kësaj Qendreje na thanë se Kalaja e Preshevës, Kalaja e Pogragjës, Kalaja e Bërçecit në Preshevë janë ndërtuar në një kohë dhe kanë strukturë të përafërtë ndërtimore.
Ndërsa,Skender Anamali, në Kosova dhe trevat etnike në hapësirat e ish-Jugosllavisë në Mesjetën e hershme, Kosova, nr. 4/1994, f. 9 shkruan : “Prokopi i Cesaresë, një autor i shek. VI, në veprën e tij “Mbi ndërtime” shkruan se perandori bizantin, Justinian me prejardhje ilire, vetëm në Dardani ndërtoi 8 kështjella dhe rindërtoi 61 të tjera.”, çka përfundojmë se edhe Kalaja e Preshevës u ndërtua me të tjerat, që i përmendëm më lartë.
“ Kështjella legjendare dhe rrënojat e vendbanimit të zhvilluar antik, të cilat gjenden në skajin perëndimor të Preshevës, rrëzë kodrinës së kështjellës janë sinonime të lashtësisë dhe civilizimit antik të këtij qyteti. Ky vendbanim antik tashmë ka zbritur në fushë, është zgjëruar…
Supozohet se në këtë vend, Presheva të ketë ekzistuar edhe në fillim të periudhës bizantine. Nga kjo kohë e deri afër mbarimit të mesjetës, periudhë prej afër dhjetë shekuj(1000 vjet) nuk është lënë asnjë gjurmë e ekzistimit të këtij vendbanimi. Mungonte civilizimi…Për shkaqet dhe kohën e zhvendosjes së vendbanimit të Preshevës antike, nuk kemi kurrfarë të dhënash”./dr Jahi Staneci, Presheva në fotografi dhe fjalë(monografi), Prishtinë, 2010, f.42
Kalaja e Preshevës është objekti më i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore materiale e pa luajtëshme në trevën e Preshevës, e ndërtuar në antikë, e rindërtuar edhe disa herë në mesjetë e më vonë, paraqet kalanë antike të fisit ilir-dardan dhe një ndër monumentet më të rëndësishme kulturore dhe historike në rajonin e Preshevës.
”Vendbanimi antik i Preshevës shtrihet në pjesën bregore pranë lumit të sotëm të Kurbalisë, gjegjësisht lumit të Preshevës. Ai gjendet rrëzë malit të sotëm të Karadakut diku afër 1.500 m në jugperëndim nga fillimi i vendbanimit të sotëm, në vendin e njohur nga vendasit “KALAJA E PRESHEVËS”, shkruan Burbuqe A. Agushi, Presheva me rrethinë në zhvillimin arkitektonik urbanistik/monografi/ Preshevë, 2009, f. 33.
Kalaja e Preshevës daton nga koha ilire-dardane. “Kështjella e Preshevës së pari u themelua nga Dardanët në shek.IV para erës së re. Me ardhjen e romakëve në këtë trevë, ata në shek. I të erës së re ndërtuan udhët të shtruara me gurë sipas standardeve ndërtimore të tyre, rindërtuan kështjellën mbi themelet e kështjellës së lashtë ilire, përkatësisht dardane si dhe vendbanimin dardan poshtë kështjellës” shkruan Dr. Jahi Murati-Staneci dhe vazhdon : “ Kështjella legjendare dhe rrënojat e vendbanimit të zhvilluar antik, të cilat gjenden në skajin perëndimor të Preshevës, rrëzë Kodrinës së Kështjellës janë sinonime të lashtësisë dhe civilizimit antik të këtij qyteti. Ky vendbanim antik tashmë ka zbritur në fushë, është zgjëruar…Supozohet se në këtë vend, Presheva të ketë ekzistuar edhe në fillim të periudhës bizantine. Nga kjo kohë e deri afër mbarimit të mesjetës, periudhë prej afër dhjetë shekuj(1000 vjet) nuk është lënë asnjë gjurmë e ekzistimit të këtij vendbanimi. Mungonte civilizimi…Për shkaqet dhe kohën e zhvendosjes së vendbanimit të Preshevës antike, nuk kemi kurrfarë të dhënash”.

Më vitin 2013, Këshilli komunal i Preshevës kishte miratuar Planin Gjeneral Rregullativ të Komunës së Preshevës dhe me atë rast aty përmendet edhe emërtimi i Kalasë së Preshevës. Kështu aprovohet një konkludim që në Planin Gjeneral Rregullativ në gjuhën serbe të mbetet emërtimi “MARKOVO KALE”, ndërsa në Planin rregullativ në gjuhën shqipe emërtimi të jetë “KALAJA E PRESHEVËS”
Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore reagon dhe është e mendimit që emërtimi në Planin Gjeneral Rregullativ të komunës së Preshevës edhe në gjuhën shqipe po edhe në gjuhën serbe të qëndrojë “ KALAJA E PRESHEVËS’, sepse e gjithë popullata e komunës së Preshevës, por edhe më gjërë e quan, e njeh, e emërton, e fol, e shkruan : KALAJA E PRESHEVËS. Pastaj shumë studiues dhe arkeologë shqiptarë e serbë e quajnë Kalaja e Preshevës. Bile edhe në takimin e arkeologëve të ish-Jugosllavisë, më vitin 2013, me titull Kampi Rajonal Arkeologjik “Ulpiana 20130”, të gjithë arkeologët serbë e shqiptarë u pajtuan se ajo kala quhet Kalaja e Preshevës.
VIJON …

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura