NGA SULEJMAN ABAZI (Komandanti i Divizionit të Tiranës – ’98 – ‘99 – Kujtime)
PSIKOLOGJIA E LUFTËS KUNDËR LUFTËS
(LIBRI 2)
TIRANË 2003
Ti ke brengë / Unë zjarr / Vuajmë që të dy një hall…!
Në kontekstin e përgjithshëm të analizës së ngjarjeve të ndodhura në fundshekullin që lam pas, mora inisiativën për të botuar librin “Psikologjia e luftës kundër luftës”, duke synuar që nëpërmjet analizave dhe refleksioneve të mund të lidhja realitetet midis asaj që ndodh në botë dhe mjedisit shqiptar. Është koha e angazhimeve serioze të mendimit politik të mjaft personaliteteve të politikës botërore dhe të forcave më moderne të kohës në fushën ushtarake. Është koha e sfidave dhe vënies në provë të arsyes njerëzore, politikës, diplomacisë dhe të forcës ushtarake.
Referencat ndaj hulumtimeve dhe vlerësimeve të kësaj periudhe nga personalitete të politikës, diplomacisë, shkencave sociale, kulturës dhe inteligjencës ushtarake botërore, duke qënë dhe vet pjesmarrës në ngjarje të tilla para, gjatë dhe pas përfundimit të luftës në Kosovë, duke ndjekur me ineteres zhvillimet në luftrat e mëvonshme, me nxitën që të realizoj këtë botim duke u orientuar nga lufta por tashmë nga psikologjia e luftës kundër luftës.
Nëpërmjet materialit jetësor të përfshirë në botim, protagonistët dhe pjesmarrësit në veprimtaritë operacionale në Ushtrinë Shqiptare, flasin me gjuhën e tyre. Ata përpiqen të vlerësojnë angazhimin dhe kontributin e strukturave ushtarake shqiptare gjatë luftës në Kosovë, të vlerësojnë bashkëpunimin me të gjithë elementët veprues të Aleancës në terren dhe nëpërmjet trajtimit në tërësi të kësaj panorame lufte, të gjithë ne përpiqemi të bindim veten se, një instrument ushtarak, në emër të jetës, lirisë, paqes dhe të demokracisë, vepron dhe duhet të veprojë edhe në të ardhmen. Psikologjia e luftës kundër luftës duhet të respektohet dhe të trajtohet.
Trojet shqiptare në përgjithësi dhe Kosova në veçanti, fituan gjatë shekujve rëndësi të jashtëzakonëshme për mbretërit e sulltanët, për perandoritë dhe shtetet e fuqishme të Evropës, të cilët dëshironin të dominonin dhe të ruanin influencën e tyre në gadishullin Ballkanik dhe më gjërë. Ata e kuptonin dhe vlerësonin se kushdo që zotëronte Vilajetin e Kosovës do të kishte kontrollin mbi të gjithë Evropën Lindore.
Duke hedhur vështrimin prapa në histori dëbimet me dhunë të shqiptarëve nga trojet e tyre, masakrat dhe spastrimet etnike, historikisht janë bërë në mënyrë të organizuar dhe janë vepër e ideologëve të ndryshëm serbë. Albanologjia trajton fakte historike tronditëse dhe do të flaës edhe në të ardhmen për këtë.
Ashtu si ai bari i keq, që befas mbin dhe fillon të rritet, ashtu filluan të lulëzojnë teoritë e persekutimit dhe kolonizimit të shqiptarëve. Po kush e mbjell barin e keq, ai nuk mbin vet dhe nëse mbin, kush e lë të rritet? Si një bar i keq u lind dhe filozofia serbe e ç’kombëtarizimit të shqiptarëve. Këtë e vërtetojnë të gjitha memorandumet e elaboratet e tyre. Më në zë mund të përmëndim që nga “Naçertania” e Grashaninit (1844), duke vazhduar me teorinë e Çubriloviçit (1937-1944), të Ivo Andriçit (1939) e deri në memorandumin e Akademisë së Shkencave të Serbisë në vitin 1986.
Në referatet e tij të viteve 30-40 Çubrilloviq theksonte: “…. Shqiptarët është i pamundur t’i asgjësojmë vetëm me kolonizim, ani pse ua morëm tokat më pjellore… Lypset shpërngulja e tyre në masë…. Kolonistëve serbë do t’u japim armë…. Turqia është e gatshme të pranojë mbi 300 mijë shqiptarë…” dhe më tej ai shton se: “…pushteti shtetëror kur të dojë të ndërhyjë në favor të elementit të vet në luftën rreth tokës, mund të arrijë suksese vetëm atëhere, nëse vepron brutalisht“. Këto janë publikime, në esencë tepër shoviniste, me filozofinë e tyre bazë dhunën, të cilat nuk duan komente. Në këtë periudhë të ekzistencës dhe të veprimit të këtyre teorive famëkeqe, sipas burimeve historike, nga trojet shqiptare janë shpërngulur më se 3 milion shqiptarë, në shumë vende të botës.
Në vitin 1974, kushtetuta e Jugosllavisë e ktheu Kosovën në një “krahinë autonome“, por kjo formalisht, sepse ajo mbeti pjesë territoriale e Serbisë. Në marsin e vitit 1981, studentët shqiptarë filluan demostrata të fuqishme me kërkesa për statusin e republikës së Kosovës. Demostratat u shtypën me dhunë ushtarake dhe politike. Që nga kjo kohë, protagonistët e këtyre ngjarjeve nuk i rreshtën përpjekjet e tyre për t’i kthyer këto shkëndija të luftës për liri, në flakë përvëluese, që do të digjte përfundimisht teoritë famëkeqe të kolonializmit serb dhe pjellat e tyre.
Uragani kishte kohë që kishte filluar të akumulonte forcën dhe energjitë e tij, por nga ana tjetër dhe kolonizatori ushtronte dhunë politiko – psikologjike e ushtarake për të parapërgatitur masakra më të rënda. Marsi i viti 1989 pason me ngjarje të tjera edhe më të rënda për çështjen shqiptare. Në kushtet e një gjendjeje të rënduar politike, sociale dhe ekonomike, Milosheviçi ia hoqi përfundimisht autonominë Kosovës, duke rritur praninë ushtarake. Përsëri populli protestoi dhe këto protesta u mbytën me gjak. Në korrik 1989, Milosheviç zgjidhet president i Serbisë dhe në shkurt 1990, pas protestave të fuqishme të shqiptarëve, ai e shpërndan qeverinë e Kosovës dhe instalon atje pushtetin policor dhe ushtrinë.
Ndërkaq, shqiptarët nuk i ndaluan veprimet e tyre politike. Më 2 korrik 1990, deputetët shqiptar të parlamentit krahinor shpallën “Deklaratën Kushtetuese“, ku deklarohet Kosova si njësi e pavarur brenda Federatës Jugosllave. Më 7 shtator 1990, po ky parlament fshehurazi, në qytetin e Kaçanikut, e shpall Kosovën Republikë.
Pas vitit 1992, në rrjedhën e ngjarjeve, duke mos qënë në gjëndje të ndalonte funksionimin e strukturave paralele shqiptare, Beogradi rriti së tepërmi praninë ushtarake dhe policore në krahinë, shtoi dhunën dhe represionin mbi popullsinë shqiptare, filloi spastrimet nga administrata, mbyti dhunshëm lirinë e mendimit e të shtypit, mbylli shkollat fillore e të mesme, Universitetin dhe bibliotekën e tij, mbylli radion dhe televizionin në gjuhën shqipe, Akademinë e Shkencave, Institutin Albanologjik, Arkivin dhe Entin e Botimeve, duke flakur në rrugë mbi 100 mijë shqiptarë. Është koha kur kolonistë serbë fillojnë të vendosen në masë në Kosovë.
Politika e një rezistence aktive paqësore dhe në krahun tjetër rritja e dhunës dhe represionit, krijuan kushte që situata të acarohej më tej dhe ishin të gjitha mundësitë e një shpërthimi të dhunshëm. Ky faktor eksploziv perceptoi në vite, në masa e qëndrime ekstreme të të dy palëve.
Në vitin 1996, kemi reagimet e para të armatosura me atentate dhe në vitin 1997, për herë të parë, shfaqen publikisht tre antarët e parë të UÇK-së, e cila më parë kishte marrë përsipër atentatet kundër postave të policisë serbe.
Në mars 1998, kemi një përshkallëzim të ngjarjeve dhe të veprimtarisë ushtarake, e fiksuar kjo në konfliktin e armatosur të Prekazit, në zonën e Drenicës. Është masakra e parë, që denoncohet në opinionin ndërkombëtar me tërë përmasat e tij. Kam qënë disa herë në Prekaz të Skënderajt, në Drenicë, dhe kam përjetuar përmasat e masakrës, gjurmët e të cilave janë të gjalla dhe sot si simboli i bashkimit e të qëndresës. Prekazi është aktakuza më e rëndë për bishën serbe.
Pas kësaj periudhe, konflikti i armatosur midis UÇK-së dhe makinerisë ushtarake serbe, përhapet në të gjithë Kosovën dhe pranvera e këtij viti e gjen UÇK-në me rreth 40 % të territoreve të Kosovës nën kontrollin e saj. Kjo situatë u shndërrua në një faktor dominues e të përgjithshëm politiko – ushtarak, e cila u vlerësua seriozisht nga udhëheqja politike dhe shtatmadhoria jugosllave, e cila, në po këto muaj, filloi një kundërofensivë me të gjitha strukturat e saj ushtarake, duke zbatuar masat e planit të parapërgatitur “Operacioni Patkoi“.
Ishte koha, kur në rrethin e Tropojës kalojnë për herë të parë kufirin 20 mijë shqiptarë të përzënë nga trojet e tyre. Ishte koha, kur këtë tragjedi që sapo kishte filluar të shfaqej hapur e me pasoja të drejtëpërdrejta, shqiptarët po e përjetonin me shumë dhimbje e tronditje. Ishte koha, kur po vlerësohej me shqetësim gjëndja e po konsolidohej mendimi se, masat e reagimit politiko – ushtarak të shtetit zyrtar shqiptar, ishin evidente, të mundëshme, e pse jo dhe të paevitueshme.
Ditët në vazhdim, janë për protagonistët e ngjarjeve, një tablo e trishtueshme dhe e dhimbshme e asaj që po ndodhte në Kosovë dhe në anën jugore të kufirit; momente këto, që do të trondisnin tërë botën moderne dhe do ta detyronin atë të mbante qëndrim të prerë ndaj një regjimi të tipit fashist, siç ishte regjimi i Beogradit. Bota do të ndiqte me tmerr e ankth krimet, dhunën, terrorin dhe shpërnguljet masive, tërë sfondin e tragjedisë kosovare.
Ishte koha, kur bota do të përballej me një qëndrim tjetër krejt të kundërt. Veprimet ushtarake serbe në Kosovë ishin niveli më i lartë i diskriminimit që ata dëshironin t’u bënin shqiptarëve, një diskriminim ekstrem me pasoja të rënda. Ndonëse shqiptarët përbënin mbi 95% të popullsisë në Kosovë, ky lloj diskriminimi i shndërroi në qytetarë të dorës së dytë. Por, duke mbyllur sytë përpara kësaj të vërtete, e keqja e një pjese të opinionit dhe të politikanëve “të moderuar”, qëndronte pikërisht në faktin, se veprimet serbe shikoheshin si një qëndrim dhe veprim i justifikuar, duke fshehur pikpamjet e tyre të vërteta dhe tepër negative për kohën. Ata, të verbuar prej interesave të tjera, nuk e kuptonin se agresori serb nuk e njihte dhe nuk e konceptonte dot “autostradën e paqes botërore“. Ai nuk dëshironte dhe nuk kishte vullnet të futej në këtë rrugë. Koha e vërtetoi këtë.
Shqipëria dhe tragjedia në Kosovë – Drejt psikologjisë së luftës
Shteti shqiptar u angazhua tërësisht në publikimin e fakteve dhe ngjarjeve rrënqethëse, në pritjen dhe akomodimin e qindra mijra të shpërngulurve, duke kontribuar nëpërmjet komunikatave zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Rendit Publik, për atë që po ndodhte përditë në terren. Publikimi i të dhënave krijontë ndjesinë e përhapjes së veprimeve ushtarake në drejtim të Shqipërisë, fakt ky që tërhiqte fort vëmendjen e autoriteteve zyrtare shqiptare për t’i dalë përpara me masa parandaluese një fatkeqësie me përmasa shumë të mëdha. Makineria ushtarake serbe ishte hedhur në veprim dhe kërkonte të shtynte qëllimisht konfliktin në jug, pa e vrarë mendjen se ç’mund të ndodhte përreth.
Shtatmadhoria shqiptare ndiqte me vëmendje zhvillimet e situatës dhe në këtë kuadër realizoi një sërë masash të karakterit ushtarak, të cilat kënë qënë të mirëpritura në opinionin e brendshëm e të jashtëm. Një agresion i pritshëm serb në drejtim të kufijve veriorë shtetëror të Shqipërisë, ishte i mundshëm dhe kjo e komplikonte më shumë situatën. Ndoshta është e arsyeshme që të rikthehemi për një moment në vite e dekada më parë, për të dhënë një panoramë historike, e cila na jep të kuptojmë se, shteti shqiptar në vorbullën e ndikimeve dhe luhatjeve politike, ka ndjerë detyrimin dhe ka pranuar koston që i la historia në çështjen kombëtare, në veçanti për të ardhmen e Kosovës.
Është kjo një çështje, e cila në vite ka qënë e mbyllur, në kuadrin e veprimeve të cikluara si “emërtesë e udhëheqjes së lartë të shtetit shqiptar”. Qëndrimi dhe veprimtaritë e karakterit politiko – ushtarak të asaj periudhe, duke qenë në axhendën e lidershipit të lartë, u shoqëruan me veprime pa shumë bujë e publicitet. Është ky një aspekt i rëndësishëm, që tregon seriozitetin e qëndrimit zyrtar për të parashikuar e përballuar veprimtari, deri ekstreme të karakterit ushtarak.
Gjithësesi, pas kësaj “heshtje” të shtetit zyrtar shqiptar, filozofia e sigurimit kombëtar ka ekzistuar në ato linja dhe detyrime, që shtronte platforma e çështjes kombëtare shqiptare. Kjo filozofi buronte dhe e kishte bazën e vet, në të drejtën e kombeve për të vetvendosur, sipas parimeve të legjislacionit ndërkombëtar dhe Kartës së OKB-së. Historia vërtetoi se shqiptarët, në të gjitha trevat, ku bukës i thonë bukë dhe ujit i thonë ujë, kanë pasur dhe kanë të drejtë të projektojnë dhe realizojnë të ardhmen e tyre.
Situata politiko ushtarake
Në kushtet e izolimit politiko – ushtarak, Shqipëria është gjendur e rrethuar nga presionet e vazhdueshme midis Lindjes dhe Perëndimit, e në veçanti nga represioni i përhershëm i shtetit jugosllav. Qeveria e Beogradit, duke e parë dhe vlerësuar problemin shqiptar të njëanshëm dhe duke e paragjykuar rëndë atë, e ka konsideruar rrezik të përhershëm prezencën dhe fuqizimin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë. Ajo ka ndjekur në vite të gjitha ndryshimet strukturore dhe përgatitjen e komandave, shtabeve dhe trupave shqiptare, duke u përpjekur në çdo kohë, jo vetëm të vendoste dhe të mbante ekuilibrin, por edhe supermacinë në favor të saj, në forca e mjete, veçanërisht në territoret e Kosovës.
Në thelb, populli i Kosovës kërkonte të drejtat e veta në të njëjtën kohë, kur të dy regjimet, në Shqipëri dhe në Jugosllavi, ishin përfaqësues të ideologjisë komuniste. Jugosllavia titiste e mbarsur me ekstremizmin politik, ekonomik e ushtarak, veçanërisht me një nacionalizëm ekstrem, nëpërmjet etiketimit ideologjik mundohej të përligjte brutalitetin dhe represionin ndaj shqiptarëve. Midis dy shteteve ishte Kosova, e cila për dekada përjetonte kolonizimin serb dhe aspironte për liri dhe pavarësi.
Në këtë konteks, dallojmë një veçori të kohës: Rinia shqiptare e Kosovës dhe inteligjenca ngrihen në lëvizje të fuqishme për të sfiduar regjimin komunist të Beogradit. Këto shtresa, nuk menduan ndonjëherë se në Shqipëri ishte i instaluar pikërisht një regjim i tillë. Ata shikonin tek Shqipëria, shtetin amë, i cili nuk mund të pajtohej me një kolonializim të tillë të Kosovës, ai nuk mund të qëndronte indiferent, kur vëllezërit e një gjaku masakroheshin, sepse kërkonin të drejtat dhe lirinë e tyre. Në këto kushte, Kosova shikonte me shpresë e dhimbje nga shteti shqiptar dhe akumulonte vetëm urrejtje e qëndresë përballë represionit serb.
Situata, nga të dy palët, impononte qëndrime ekstreme, deri në një konfrontim të mundshëm ushtarak. Ideja e këtij konfrontimi ka ekzistuar përherë midis dy shteteve e shtatmadhorive, duke u imponuar atyre në çdo kohë masa të veçanta të karakterit politik, veçanërisht ushtarak. Fuqizimi i Forcave të Armatosura Shqiptare në vitet 1978-të, kohë kjo kur ato njihnin kulmin e modernizimit dhe të fuqisë së tyre ushtarake, e bënte shtetin fqinj të reflektonte në masa të tjera për rritjen e kapaciteteve ushtarake, veçanërisht të prezencës në rajonin e Kosovës.
Fakti, që pas viteve 1978-të e në vazhdim, Armata Jugosllave dispononte Brigada të llojeve të këmbësorisë, të këmbësorisë së mekanizuar, tankiste, artilerie, xhenjere, trupa aerodesante parashutiste, batalione kufitare, forca speciale etj., konfirmonte parapërgatitjen e tyre jo vetëm për superioritet në Ballkan, por për të përballuar lëvizjen e mundëshme për liri e pavarësi në Kosovë.
Lidershipi ushtarak shqiptar ndiqte me vëmëndje organizimin dhe disllokimin e forcave jugosllave, veçanërisht në drejtimin me Kosovën. Nga vitet 1978 deri në vitin 1981, Armata Jugosllave përbëhej nga forcat tokësore, forcat ajrore dhe forcat detare, me një efektiv rreth 260 mijë vetash. Ajo përfshinte në strukturë gjithashtu forcat partizane, ndihmëse të ushtrisë, në të gjithë territorin në forcat e mbrojtjes popullore dhe rininë shkollore të armatosur, në një efektiv të përgjithshëm prej 4.5 milion njerëz. Forcat Operative përbëheshin nga 193 mijë veta të forcave tokësore, 40 mijë veta të forcave ajrore, 27 mijë veta të forcave detare dhe 16 mijë veta të forcave të mbrojtjes së kufirit. Forcat tokësore të kohës së paqes, të organizuara në 7 Zona Ushtarake dhe një rreth autonom, përbëheshin nga 9 DK, 20 BrK, 2 BrK Mek, 11 BrT dhe 9 Br Kufitare.
Interes në këtë kohë përbënte për shtatmadhorinë shqiptare, Z2U, me qëndër dhe shtabin e saj në Nish. Ky drejtim, ishte drejtimi Kosovë – Shqipëri. Forcat kryesore përbëheshin nga D2K në Nish, Br5K në Prishtinë, Br23K në Zajeçar, Br135K në Vranjë, Br211T në Nish, BrK Malore në Pejë dhe Br229 Kufitare në Knjezhevaç. Të gjitha këto forca, ishin të kompletuara në masën 70%. Një fluks të madh përbënte sasia e njësive të ushtrisë jugosllave në drejtimin Kosovë – Shqipëri.
Forcat rezerviste llogariteshin në 600 mijë veta. Në Tetovë dhe Gostivar, (Zona e III-të Ushtarake) në pjesën shqiptare në Maqedoni, ekzistonin shtabet e 2 BrK me kompletim rezervist. Forcat e gatshme të ushtrisë jugosllave, në vitet 1980-1981, zinin 1.2 % të popullsisë së përgjithëshme (atëhere Jugosllavia numëronte 22.5 milion banorë). Forcat e kohës së luftës, përbënin 15% të numrit të popullsisë, deri në 3.65 milion vetë. Në zonën kufitare me Shqipërinë, deri në një thellësi 150 km (aq sa është shtrirja e Kosovës në veri), ushtria jugosllave dispononte 14 njësi luftarake. Deri në distancën 25-70 km, 7 njësi luftarake nga të cilat 1BrKMek dhe 1BrK në Kosovë.
Elementi shqiptar, në strukturat ushtarake jugosllave, ka përbërë përherë një veçori problematike të kësaj armate. Kosova kishte popullsinë me moshën më të re në Jugosllavi dhe në Evropë. Fakti që në shumë reparte dhe nënreparte, shqiptarët zinin rreth 30%, e në disa raste deri në 50 % të efektivave, ishte një arsye më shumë, për t’i parë e vlerësuar ata me sy tjetër. Janë këto një pjesë e të dhënave, që janë deklaruar nga vetë ish SHSHP të ushtrisë jugosllave, Viktor Bubanj, në një takim të zhvilluar në Akademinë Ushtarake në Beograd. Jo vetëm kaq, por synimi i tyre ishte që në rast të një konfrontimi të mundshëm, të vendosnin në skalionet e para, përballë trupave shqiptare, pikërisht këto kontigjente.
Kjo veçori, ndiqej asaj kohe me seriozitet të veçantë nga lidershipi politiko – ushtarak i Tiranës, i cili tërhiqte vëmëndjen shtatmadhorisë dhe komandave e shtabeve të njësive të mëdha se “…konfrontimi me ushtrinë jugosllave do të jetë një operacion shumë delikat e me përgjegjësi”. Në hartën e Drejtorisë së Zbulimit të Shtatmadhorisë Shqiptare mbi disllokimin e forcave ushtarake në drejtimin Kosovë – Shqipëri, pasqyroheshin ekzaktësisht Br5K me vendodhje në Prishtinë, BrAT në Golesh, R5K në Gjakovë, BrK Mek në Pejë dhe bk po në Pejë. Në Nish, qëndër e Z2U ishin të vendosura, Krahu i dytë Ajror, D2K, Br211T, Br135K në Vranjë dhe forca të desantit ajror. Në Rashkë ndodhej Br53K, në Kralevë Br312T dhe forcat e një BrDA. Në kufirin juglindor të Kosovës ishin të disllokuara një sasi e madhe forcash të Z3U me qendër në Shkup, të cilat ishin rrezik real në të dy drejtimet.
Në arkivin e Drejtorisë së Zbulimit të ushtrisë Shqiptare ekziston harta me Nr. 927 datë 29/12/1980, e cila përfshinte krahinën e Kosovës, e shkallës 1 me 200 mijë, në të cilën parashikoheshin 27 pika dhe rajone të paracaktuara për depërtim dhe veprimtari në prapavijë të armikut, të koduara sipas rregullit ushtarak. Kjo hartë u ndje e nevojshme për t’u formuluar në kohën e prag-ngjarjeve dhe gjatë ngjarjeve të 81-shit në Kosovë, të cilat kishin karakter të theksuar popullor.
Ndërkaq, qeveria e Beogradit dhe institucionet e saj ushtarake, kanë ndjekur përherë me vëmendje zhvillimet politike dhe ushtarake në Shqipëri. Kjo është një nga arsyet, që përreth kufijve të Shqipërisë, kanë qënë të dislokuara një sasi kaq e madhe forcash ushtarake në nivelin operativ dhe strategjik. Ky dispozitiv ushtarak është vlerësuar si një grupim i fuqishëm mësymës për disa drejtime kryesore, që synonin kapjen e Tiranës. Planifikimi dhe përgatitja e shtabeve të Armatës Jugosllave, nuk mund të mbetej jashtë vëmendjes e të mos vlerësohej nga Shtatmadhoria Shqiptare, sepse në çdo rast në këtë “konfrontim në dukje hartash e mendimesh” qëndronte çështja e Kosovës dhe një armiqësi e vjetër, me bazë në të shkuarën.
Në mars – prill 1981, në shumë qytete të Kosovës, si në Prishtinë, Ferizaj, Podujevë, Mitrovicë etj., si rezultat i shkëndijës studentore, shpërthyen demostrata të fuqishme popullore. Njohja e “statusit” të Republikës ishte një nga kërkesat kryesore, që e bëri të tronditej shtetin sllav. Demostruesit u shtypën egërsisht nga dhjetra mijra ushtarë, milicë dhe njësi të posaçme të ushtrisë jugosllave, të cilët përdorën tanket e deri aeroplanë luftarakë.
Faktori ushtarak jugosllav, në atë periudhë, po i përgjigjej dy sfidave: shtypjes së lëvizjes paqësore të rinisë shqiptare kosovare dhe rritjes së domosdoshme të kapaciteteve ushtarake në kufijtë me Shqipërinë. Pikërisht në kuadrin e këtyre masave represive, ashpërsohet së tepërmi qëndrimi i shtetit jugosllav ndaj Shqipërisë. Përreth kufijve shtetëror, nga të dy krahët, fillon të forcohet qëndrimi politik dhe ushtarak.
Shtatmadhoria Jugosllave në mënyrë të rrufeshme filloi ridisllokimin e forcave të reja në Kosovë dhe afrimin e reparteve të nivelit taktik më pranë kufirit shqiptar. Kjo situatë luftarake ndiqej me angazhime maksimale nga organet dhe strukturat përkatëse të Tiranës. Trupat shqiptare e kishin të qartë misionin e tyre. Ato kishin një motivim të lartë të karakterit moral dhe psikologjik. Ushtarakët shqiptarë, duke vigjëluar në buzë të kufirit, e përjetonin shpirtërisht dhe moralisht atë që po ndodhte në Kosovë.
E njëjta situatë, madje në një sfond më aktiv, u përjetua pas dy dekadash, kur u përsërit e njëjta dramë, por tashmë më e dhunshme se e para. E kemi ndjerë dhe e ndjejmë veten krenar për luftëtarët e lirisë, për komandantët dhe drejtuesit e formacioneve çlirimtare, protagonistët kryesor të ngjarjeve të 81-shit në Kosovë.
Përgatitja morale e psikologjike e trupave shqiptare synonte përballjen qysh në atë kohë me forcat paramilitare, të cilat konceptoheshin me qëllime të qarta nga kundërshtari. Këto forca, nga ana e Shtatmadhorisë Shqiptare baraspeshoheshin me repartet e rregullta të ushtrisë jugosllave, madje më të rrezikshme dhe kriminale për misionin që u ishte ngarkuar. Këto struktura, nuk ishin gjë tjetër, veçse skalione të zeza të krimit dhe dhunës pa kufij, gjë të cilën e vërtetoi lufta së fundi në Kosovë.
Lidershipi ushtarak jugosllav vlerësonte krijimin e vështirësive të paramenduara, të cilat do të zbatoheshin nga shtabet e tyre. Në kushtet e planizimit të tyre, ishte parashikuar që forcat shqiptare të viheshin para faktit të skalioneve me civilë shqiptarë, qysh në momentet e para të përhapjes së tyre. Është fakt tashmë, që në vitin 1981, shteti jugosllav evakuoi nga afërsitë e kufirit me Shqipërinë familjet me kombësi sllave. Në këto kushte, operacioni i mundshëm i ushtrisë shqiptare, ishte shumë delikat dhe mjaft i vështirë.
Hapi i parë i Shtatmadhorisë Shqiptare, konceptohej përgatitja e lartë morale psikologjike dhe ushtarake e Forcave të Armatosura në Republikën e Shqipërisë, si hap i dytë, në kuadrin e detyrimeve të sigurimit kombëtar, realizimi i masave të plota të karakterit ushtarak, për një veprim të mundshëm ekstrem. Ideja e këtyre masave, në raport me zhvillimet ndërkombëtare, ishte përgatitja dhe gatishmëria e lartë për të realizuar në çdo kohë një mbështetje të fuqishme, e deri ndërhyrje për çështjen shqiptare në Kosovë.
Sipas deklaratës së ish Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare në vitin 1981, Veli Llakaj, vlerësohet; “….kapacitetet e ushtrisë shqiptare u përgatitën, jo vetëm për të pritur shqiptarë që do të shpërnguleshin nga Kosova, jo vetëm për të siguruar integritetin territorial të shtetit shqiptar, por dhe për të qënë plotësisht të aftë për të ndërmarrë veprime ushtarake mësymëse të suksesëshme, madje të tilla që do të mund të korrigjonin edhe padrejtësitë historike”. Populli dhe ushtria shqiptare ishin të përfshirë në një veprimtari të gjërë në kuadrin e përgatitjes së mbrojtjes së përgjithëshme. Në vitet 70-83, në drejtimin verilindor ishin të disllokuara 3 Korpuse gjitharmëshe, disa Brigada Sulmuese, disa batalione kufiri, tanke dhe një potencial i fuqishëm i artilerisë së kalibrave të ndryshëm.
Kundërshtari tradicional vlerësohej si një fatkeqësi në kufi, jo vetëm për faktin se mbante nën presion politik, ekonomik dhe ushtarak shtetin shqiptar, por dhe për faktin se të njëjtin qëndrim, madje shumë më ekstrem ai ushtronte realisht mbi popullsinë shqiptare të Kosovës.
Ky motivim i dyanshëm shtronte për kohën dhe opsionet e veta. Qeveria dhe shteti shqiptar, në Politikën e Sigurimit Kombëtar, zbatonte masa konkrete të karakterit edukativ, organizativ, strukturor, ekonomik dhe kishte një platformë të plotë rritjes së treguesve të profesionalizmit ushtarak, për të krijuar dhe mbajtur kurdoherë në strukturat ushtarake një gjëndje të lartë moral psikologjike, gatishmërie, duke parashikuar dhe vlerësuar deri situata ekstreme të një konfrontimi të drejtëpërdrejtë me Armatën Jugosllave. Përballja me të, mendohej se nuk do të ishte një veprim i lehtë. Në shërbim të formimit të vlerave morale dhe psikologjike e ushtarake për t’u përballur në një rast eventual me një kundërshtar të egër ishte vënë gjithë mekanizmi i shtetit.
Me përparësi u përpunuan çështjet dhe drejtimet e reagimit ushtarak. Realizimi i stërvitjeve komando shtabi në nivelet operative, deri dhe strategjike, si “Kështjella”, “Drini”, “Shebeniku”, “Taraboshi”, “A-81” etj., duke mbajtur përballë kundërshtarin tradicional ishte një veçori e këtij reagimi. Këto veprimtari të karakterit ushtarak nuk shkonin pa lënë gjurmë në regimet matanë kufirit shtetëror. Planizimi i veprimeve të mundëshme luftarake me objekt Prishtinën dhe më larg, është një realitet domethënës, që konfirmon jo vetëm shkallën e përjetimit të situatave të rënda, por dhe synimet strategjike të këtyre strukturave.
Parashikimi në doktrinën ushtarake të kohës i elementëve të luftës partizane, që realizoheshin nga trupat sulmuese dhe ato të zbulimit për veprime në prapavijë të armikut, vlerësoheshin maksimalisht, si çështje ushtarake të paramenduara e të planizuara, në kushtet e gjendjes politiko – ushtarake dhe të relievit të Kosovës. Në detyrat kryesore të K5K në vitin 1980, ishte mbrojtja e objekteve të rëndësishme në brezin kufitar dhe në thellësi, si fusha e Cërrnicës, Helshani, fusha e Kukësit, Kroi i Bardhë, qyteti i Bajram Currit, qyteti i Kukësit, mali i Dhinës, mali i Dobreit etj. Repartet e vijës së kufirit tentonin të realizonin kohën e kompletimit 50-60 minuta, një nivel shumë i lartë dhe tregues cilësor i gatishmërisë luftarake.
Në të tre Korpuset e veriut, të cilët mbulonin drejtimet me shtetin jugosllav, tërhiqte vëmëndjen K5K me qëndër në Pukë. Zona e mbrojtjes së K5K, që mbulonte drejtimet operativo – strategjike të rëndësishme, ishte objekt me përparësi i Shtatmadhorisë Shqiptare. Ajo dispononte 7760 QZ për mitroloza, 546 QZ për topat KT, 41 PZ të artilerisë, 135 km transhe e hendeklidhje. Vetëm në drejtimin Morinë – Kukës ishte realizuar ndërtimi dhe funksionimi i 3769 QZ për mitroloza. Korpusi dispononte 12 Grupe të artilerisë dhe 3 bateri të lartësive, 19 kompani mortajash, 15 bateri KT me një sasi 360 gryka zjarri të AT dhe 104 topa KT. Në gatishmëri të përherëshme luftarake ishin 8 grupe të artilerisë, 3 bateri lartësie, 5 bateri të batalioneve artmitralierë, pra 40% e artilerisë së përgjithëshme.
Në vitin 1980, realizohen 5 prova kushtrimi me njësitë dhe shtabin e K5K dhe në shkallë ushtrie 43 të tilla (6 në korpusin e Shkodrës, 3 në korpusin e Burrelit) pra 14 të tilla vetëm në frontin verilindor. Në vitin 1981, përballë presionit jugosllav, ushtria shqiptare shikonte prespektivat e mundëshme të veprimeve të ardhëshme. Kështu do të marrim si shembull planifikimin dhe realizimin pjesërisht të planit me emrin kodik “A-81” me idenë:
- Të realizohej, në kushte të situatës së veçantë, një organizim i ri luftarak i forcave në drejtimin lindor dhe verilindor, duke pasur si qëllim kryesor idenë e lëvizjes dhe përqëndrimit të trupave sipas një plani të ri rigrupimi të paracaktuara qysh më parë.
- Të krijohej ideja e një riorganizimi të ri në sistemin e ndërlidhjes e të komandim drejtimit sipas organizimit të ri të forcave dhe të mjeteve.
- Të përforcohej ideja e një riorganizimi të ri të forcave dhe mjeteve të ushtrisë në kushte dhe situata të paparashikuara. Kjo stërvitje u realizua me disa komanda dhe shtabe të nivelit operativ, me mjete ndërlidhje dhe pjesmarrje e çvendosje të pjesëshme e të kufizuar trupash, teknike luftarake përfshi këtu dhe tanket.
Studimi i hartës së planit të koduar “A-81“, jep të kuptojmë se realisht, lidershipi ushtarak shqiptar vlerësonte një veprim të mundshëm të Armatës Jugosllave dhe përgatitej për një riorganizim të ri në kushtet të reja, në veçanti për përdorimin e rezervave të Komandës së Përgjithëshme. Një plan metodik i tillë, na çon në idenë e planifikimit dhe realizimit të një kundërmësymjeje të përgjithëshme në drejtim të kufirit me Jugosllavinë. Shkalla e këtij mobilizimi nuk lidhej thjeshtë me ruajtjen e kufirit shtetëror, por me një kundërmësymje aktive, nëse do ta impononte situata.
Në vitin 1981, ka ndërhyrje të lidershipit ushtarak shqiptar për të fuqizuar me forca e mjete njësitë ushtarake në drejtimin e Tropojës dhe të Kukësit, me forca mitraliere, artileri 76 mm, mortaja 120 e 160 mm për të rritur prezencën e K5K në brezin e sigurimit.
Element i rëndësishëm ka qënë vlerësimi i fortifikimit në zonën ndarëse me shtetin jugosllav. Deri në vitet 1976 ky drejtim kapte 28% të fortifikimit të përgjithshëm, në vitet 1980-81 arriti në masën 37% dhe pas viteve 1981, ky fortifikim kapi shifrat e 51% të fortifikimit të përgjithshëm në Shqipëri. Parashikimet e përfundimit të këtij fortifikimi që ishte i veçantë në llojin e vet arrinin në 44 % të sasisë së përgjithëshme në shkallë vendi. Vetëm në K5K Pukë ishin parashikuar dhe funksiononin 78 rajone mbrojtje batalioni këmbësorie, këto të fortifikuara.
Stërvitja komando shtabi “Drini”, e parashikuar të realizohej më pas me pjesmarrje të madhe trupash, deri në 40 mijë të tillë me korpusin e veriut, vuri në lëvizje mekanizmat e shtetit. Kjo shkaktonte reagim nga shteti fqinj. “Në të kaluarën ne nuk kemi praktikuar ndonjëherë që t’u bëjmë atyre (jugosllavëve, shën autorit) lajmërime për stërvitjet tona, prandaj mendoj se nuk është nevoja as kësaj radhe t’ua bëjmë“. (material i E. Hoxhës, f 7 viti 71, vënë në dispozicion të MM në 21/04/82). Korrektesa e ushtarakëve shqiptarë në veprimtari të tilla madhore përballë kundërshtarit, e vinte atë në pozitë të vështirë me lidershipin e vet politik.
Në vitin 1981, në drejtimin e K5K Pukë realizohet rikonicioni nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare, me idenë e përsosjes së elementëve të rendimit të luftimit, rritjen cilësore të kapaciteteve luftarake dhe manovrueshmërisë së forcave në interes të veprimeve luftarake kundërmësymëse. Vlerat e këtij rikonicioni na paraqiten në dokumentet arkivore të shumëfishta në raport me situatën që ekzistonte në Kosovë. (mat. Nr 611 dt. 21/07/81).
Stërvitja komando – shtabi “Kështjella” me K5K, por dhe me njësi të tjera të ushtrisë shqiptare, ishte një stërvitje me ide luftarake dhe planizim domethënëse. Veçojmë konceptimet e situatave ushtarake të zgjidhura nga shtabet e njësive: “…si rezultat i vazhdimit të mësymjes së forcave tona, armiku pësoi humbje të mëdha dhe tërhiqet në thellësi të territorit të tij” (situata f 24). Trajtimi i problemeve të stërvitjes dhe tendenca e zgjerimit të hapsirave të mendimit dhe vlerësimit të komandave e shtabeve të njësive në konceptin ushtarak e kishin bazën në vlerësimin politiko ushtarak të situatës.
Stërvitjet komando – shtabi dhe ato me trupa të nivelit taktik, kanë qenë më të shpeshta. Në vitin 1994, ish shefi i zbulimit të Z3U në armatën jugosllave të Maqedonisë do të pohonte me gojën e vet se, “…ata (jugosllavët, shën im) mund të kalonin në regjimin e zakonshëm të gatishmërisë së reparteve të tyre përballë, vetëm atëherë kur siguroheshin se me përfundimin e stërvitjeve të reparteve dhe njësive shqiptare, ishin bërë konkluzionet dhe gjërat kishin shkuar në vendet e tyre”.
Kërcënimi jugosllav ka qënë prezent në çdo rast, por ky kërcënim kishte ndikimin e vet në të shumtën e kohës më tepër mbi vetë komandat dhe shtabet jugosllave. Rasti i ndeshjes së futbollit dhe skualifikimit të “Partizanit” të Beogradit në vitin 1988, kalimi i njësive të vijës së kufirit me Kosovën të ushtrisë jugosllave në gatishmëri luftarake të lartë, tregon se Jugosllavia në krizë të thellë politike vlerësonte çdo situatë që ndodhte në Shqipëri. Fitorja futbollistike në Shqipëri dhe Kosovë, u vlerësua dhe u shndërrua në fitore politike dhe pikërisht kjo i trembte jugosllavët. Ky qëndrim, nuk është gjë tjetër, veçse rrjedhojë e përgatitjes së lartë morale dhe psikologjike e tërë popullit shqiptar në të dy anët e kufirit, një gjëndje tensioni që shkonte përherë në rritje.
Në dhjetor 1981, janar të vitit 1982, realizohet një lëvizje masive e reparteve dhe nënreparteve të ushtrisë shqiptare drejt kufirit verilindor. Njësi dhe reparte me rreth 42 mijë trupa aktive, me komanda dhe shtabe, me mbështetje të fuqishme logjistike, u çvendosën në një kohë relativisht të shkurtër. Misioni i këtyre trupave ishte, së pari, një test për situatën, dhe së dyti, pjesmarrja e tyre për fortifikimin masiv në terrenin shkëmbor të vijës së kufirit shtetëror.
Publikimi dhe trajtimi serioz i ngjarjeve të 81-shit në Kosovë në shtypin zyrtar të kohës, krijoi një situatë luftarake në Shqipëri. Tirana zyrtare, reagonte me forcë ndaj genocidit jugosllav në Kosovë dhe kërkonte të rriste presionin politik mbi qeverinë jugosllave nëprmjet sensibilizimit të faktorit ndërkombëtar.
Në vitin 1983, në strukturën strategjike ushtarake tentohet dhe krijohen tre grupe drejtimi, në bazë të propozimit për krijimin e shtabeve të Armatave në ushtrinë Shqiptare. Në frontin verilindor u përfshinë Divizionet e Shkodrës, Bajram Currit, Kukësit, Peshkopisë, Laçit, Bulqizës dhe Librazhdit. Masat e veçanta me karakter ushtarak në këtë periudhë, i shtoheshin veprimtarisë së dendur politike dhe diplomatike, duke hedhur hapa konkrete në terren. Zbulimi dhe kundërzbulimi shqiptar ofronte të dhëna reale rrënqethesë për gjëndjen dhe situatën e rëndë në Kosovë.
Vitet rrodhën të mbushura me shqetësime e privacione të rrezikshme, që do të na kushtonin shumë ne shqiptarëve dhe do t’a kuptonim njëkohësisht, se ishte e nevojshme dhe ndihma, mbështetja dhe ndërhyrja e faktorit ndërkombëtar për të arritur synimet dhe për të dalë nga rrethi vicioz, në të cilin ishte mbyllur çështja jonë kombëtare.
* * *
Aktualisht, pas viteve 1992, rrjedhojë e ndryshimeve në sistemin politiko – social në Shqipëri, janë përjetuar e po përjetohen realitete të reja në zgjidhjen e mjaft problemeve të çështjes sonë kombëtare. Tashmë, rajoni ynë, aq i përfolur tradicionalisht, i cilësuar si “fuçi baroti”, po bën përpjekje të “ç’bunkerizohet”, duke lënë prapa “memorien famëkeqe historike” e po shkon drejt integrimit në Evropë. Në këtë tranzicion të brishtë, faktori shqiptar, dita ditës po reflekton mesazhe prezantimi në sy të botës si një faktor që kërkon të gjenerojë siguri e paqe. Pas përfundimit të luftës në Kosovë dhe konfliktit të armatosur në Kosovën Lindore dhe në Maqedoni, miratimit dhe zbatimit hap pas hapi i marrveshjeve politike, situata politiko – ushtarake percepton çdo ditë e më shumë në favor të çështjes sonë kombëtare. Ky është një realitet dhe një shans më shumë për ne. Shqiptarët në vite e në shekuj kanë qënë të dëshiruar e të prirur të përfitojnë nga klima dhe situata e mirëkuptimit dhe mbështetjes së faktorit ndërkombëtar.
Në këto kushte, është detyra dhe misioni ynë, të bëhemi protagonistë të këtij zhvillimi, që mban në arkiv dinjitetin dhe krenarinë tonë kombëtare për historinë tonë të lavdishme. Momentet më të spikatura të mbasluftës së Dytë Botërore, siç janë ato të provokacioneve të gushtit të vitit 1949, të pranverës shqiptare të 81-shit, të luftës për çlirimin e Kosovës e viteve 1998-99, qëndresa, sakrificat dhe dinjiteti i kombit tonë, bëjnë apel edhe sot, për të ecur të sigurtë në rrugën tonë të bashkëpunimit dhe prosperotetit, me vështrimin përpara e përgjegjësi të reja drejt integrimit gjithëshqiptare dhe atij euroatlantik.
* * *
Këto ngjarje të rëndësishme të kësaj periudhe u bënë shkak, në pasqyrimin e disa prej momenteve më të rëndësishme të veprimtarisë së protagonistëve, të strukturave të Divizionit të Kukësit, të Tiranës dhe njësive të tjera të ushtrisë Shqiptare, përballë ngjarjeve dramatike të luftës në Kosovë. Ndoshta nuk do t’a quaj të tepërt, që përballë asaj gjëndjeje me përmasa të mëdha, ndërhyrjes vendimtare të faktorit ndërkombëtar, të arrijmë që të mos lëmë në hije disa nga vlerat më të mira që shfaqën strukturat e shtetit shqiptar, formacionet çlirimtare shqiptare kosovare dhe strukturat ushtarake shqiptare, në ditët e nxehta të tragjedisë kosovare. Këto shënime, janë një përpjekje modeste për të pasqyruar kontributin dhe veprimtarinë operacionale, për t’i radhitur ushtarakët e Forcave të Armatosura Shqiptare përkrah UÇK-së dhe koalicionit ndërkombëtar e NATO-s, për të vlerësuar sadopak mundin, sakrificat dhe privacionet që u imponoi situata e rëndë e krizës humanitare dhe e luftës.
Duke parë rrjedhën e ngjarjeve deri në realizimin hap pas hapi të ëndrrave e idealeve të Kosovës dhe popullit të saj, tashmë jemi bindur se ato muaj e vite, ishin mjaft eksplozive e të rrezikshme për gjëndjen në rajon, për popullin e Kosovës, për shtetin shqiptar, për të gjithë rajonin e Ballkanit, por mbi të gjitha, ato vite ishin vite të lavdishme, rrjedhojë e përpjekjeve titanike mbarëkombëtare, frutet e së cilës do t’i gëzojë Kosova sot dhe në të ardhmen.
Ato ishin kohë e momente tronditëse, kur “zonja e hekurt” e departamentit të shtetit amerikan takohej me Ivanovë të të gjitha ngjyrave dhe shtronte kërkesën legjitime të shqiptarëve për liri, për t’i thënë “NDAL” dhunës, terrorit e masakrës, për t’i hapur rrugën të drejtës, demokracisë dhe prosperitetit, kur NATO dhe SHBA qëndronin gati për të vepruar në emër të paqes dhe në mbështetje e ruajtje të vlerave të demokracisë. Ecejake politikanësh të tjerë, propozime për zgjidhje nga më të çuditëshmet, preferenca shtetërore e personale, pleksje interesash, por vetëm zgjidhje ende nuk kishte.
Ishin muaj e vite kur Kosova u ndodh nën një represion të paparë, të tipit nazist, kur bisha serbe bëntë kërdinë mbi një popull të vuajtur, të pafajshëm e të pambrojtur, që kërkonte flamurin, lirinë, ç’kolonizimin, demokracinë, prosperitetin dhe ekzistencën e vet.
Ndoshta larg ngjarjeve, por dhe afër tyre, Shqipëria, shteti administrativ, me Qeverinë, njerzit dhe potencialet e saj, ishin pranë Kosovës dhe së bashku me të. Ato përjetonin situatën me dhimbje e tronditje të thellë, për atë ç’ka po ndodhte. Ishte koha e provës, por dhe prova e kohës, një binom që do të sinkronizonte përpjekjet dhe sakrificat, qëndrimet dhe vullnetin e të gjithë palëve të angazhuara për zgjidhjen, e që do t’i hapte rrugën të drejtës.
Në këto kushte, nuk mjaftonte vetëm solidariteti dhe përkrahja për atë ç’ka po bënte komuniteti ndërkombëtar, por duhej një mbështetje e përgjithëshme për vëllezrit tanë, duhej mbështetje e vigjilencë, diplomaci, lëvizje të studjuara politike, mbështetje morale dhe materiale për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, mbështetje dhe ngrohtësi për një popull të traumatizuar, të persekutuar në ekstrem e të shpërngulur me dhunë nga trojet e veta, përpjekje titanike për të përballuar një dhimbje të përbashkët njerëzore e mbarëkombëtare. Koha na donte më të bashkuar se kurrë.
Kishte muaj të tërë që Kosova ishte kthyer në një “ferr” për njerëzit e saj. Ishte koha kur masakrat kishin marrë dhenë, vrasje, masakrime, djegje e shkatërrime në themel, përdhunime e diskriminim total, varre masive me të gjallë e të vdekur, ishte koha e një agresioni të përmasave të mëdha e me synime strategjike të megallomanisë serbomadhe, ishte koha për të marrë me mençuri, fisnikëri e trimëri një vendim. Dhe tashmë duhej mbështetur një vendim. Vendimin, kishte kohë që e kishin marrë djemtë dhe vajzat e Kosovës dhe ata ishin pozicionuar përballë lubisë ushtarake, me një reagim agresiv të vetëdijes kombëtare për të mbijetuar në një realitet të zymtë, duke luftuar për jetë a vdekje me okupatorin. Ata ishin të bindur, të sigurtë dhe mbi të gjitha të vendosur, se jeta nuk mund të kishte vlera e nuk mund të çmohej pa lirinë dhe liria duhej të fitonte.
Në atë periudhë kryeja detyrën e komandantit të Divizionit të Tiranës dhe sapo kishim dalë nga faza e ringritjes së strukturave tona ushtarake. Përpiqeshim të bënim shumë, sepse vetë situata ishte mjaft e ndërlikuar dhe kishte vetëm një emër, praglufte dhe luftë. Shpërthimi në këtë periudhë i luftës në Kosovë dhe gjëndja e ushtrisë Shqiptare pas ngjarjeve të Marsit 97-të, përherë ka qënë një shqetësim në gjykimin tonë, ende mbetet një enigmë, që ndoshta koha do t’i japë një përgjigje logjike e të saktë mbi një të vërtetë të fshehur. Lëvizja çlirimtare në Kosovë kishte kohë që ishte projektuar. Përse ajo duhet të shpërthente në një kohë që strukturat ushtarake shqiptare morën një goditje me pasoja të rënda? Kujt i interesonte që shteti administrativ shqiptar në prag të një shpërthimi të tillë, të ishte i dobët ekonomikisht dhe ushtarakisht? Në këtë kontekst, mund të shtrohen mjaft pyetje të tjera, të cilat përherë do të mundojnë opinionin shqiptar e do të kërkojnë përgjigje.
Ndiqnim me shqetësim situatën dhe vërenim, se çdo ditë e më shumë, problemi po ndërkombëtarizohej dhe kishim shpresë se një ditë kësaj lufte do t’i vinte fundi. Parashikonim në shtabin e Divizionit, se një ditë strukturat tona do të ishin të pranishme në kufijtë shtetëror, për t’i bërë ballë një agresioni të pritshëm serb, ndoshta kundër Shqipërisë. Kjo na mobilizonte më shumë energjitë, për të bërë gjithçka që do të na duhej e do të na kërkohej për një rast të tillë.
Ditët e mia në Kukës përball tragjedisë kosovare, i kam përjetuar thellë së bashku me shokët e mi, me shumë dhimbje e emocione, me të gjitha peripecitë e një situate të dhimbshme, mjaft të rrezikshme me nuanca shpërthimi. Ishte një moment, i cili kërkonte që të bënim detyrën ndaj atdheut dhe kombit tonë. Ishte një moment, që kërkonte të rrinim zgjuar, të merrnim masa të plota organizative ushtarake, për të përballuar çdo të papritur. Shteti shqiptar dhe Forcat e Armatosura të tij po lëviznin në drejtimin e duhur.
Përgatiteshim për luftë dhe të gjithë e dinim dhe e kuptonim, se nuk ishte e lehtë të përballeshe me luftën. Oficerët, ushtarët dhe populli në zonën e mbrojtjes të Divizionit të Kukësit, kishin mëse 17 muaj që qëndronin përballë situatës së rëndë e tepër provokative që ekzistonte në kufirin shtetëror, por ata e dinin dhe ishin të sigurtë se nuk ishin vetëm. Pas tyre ishte qeveria, populli dhe ushtria, me një mbështetje të fuqishme morale dhe ushtarake për t’i dalë zot vendit dhe detyrës.
Këto shënime ia kushtoj përpjekjeve të mëdha të popullit tim për përballimin e situatës; ia kushtoj shokëve të mi ushtarakë që sakrifikuan e dhanë jetën, që u lënduan gjatë luftës në Kosovë; ia kushtoj komandantëve dhe luftëtarëve heroikë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që me luftën, gjakun dhe sakrificat e tyre shkulën nga vendi një diktaturë dhe një diktator fashist, për ta çuar atë para drejtësisë dhe tronditën një perandori, atyre që u bënë një faktor i rëndësishëm politik në terren dhe e detyruan botën të kthente sytë nga tragjedia një populli që kërkonte jetë e liri; luftëtarëve çlirimtarë që falën jetën dhe derdhën gjakun e tyre në themelet e lirisë së Kosovës.
Ndonëse shënime modeste, le të kontribojnë ato sadopak në njohjen e të vërtetës dhe vlerave të një periudhe historike, që do të ekzistojë në memorien tonë kombëtare, do të mbahet mend gjatë dhe do t’u kujtojë brezave, se përherë për ineresat e çështjes sonë kombëtare, duhet vigjilencë, prosperitet, bashkim gjithëshqiptar, tolerancë e mirëkuptim, mbështetje tek njëri – tjetri, për t’u integruar sa më shpejt në botën demokratike. Kjo është rruga dhe vizioni i së ardhmes…
(VIJON)
© Pashtriku.org
———————————
PSIKOLOGJIA E LUFTËS KUNDËR LUFTËS / KOSOVA DHE LIRIA (2)
NGA SULEJMAN ABAZI (Komandanti i Divizionit të Tiranës – ’98 – ‘99 – Kujtime)
https://pashtriku.org/psikologjia-e-luftes-kunder-luftes-kosova-dhe-liria-2/