YLLI POLOVINA: ‘KADAL ADNAN!’, PARA MILLOSHEVIÇIT IBRAHIM RUGOVA FRENON NDIHMËSIN E TIJ ADNAN MEROVCI! (15)

Tiranë, 20 maj 2019: Ylli Polovina – Sekretar i Parë në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Romë nga 8 dhjetori 1997 deri në 3 mars 2002.
Shkrimi i pesëmbëdhjetë i ciklit me kujtime, ekskluzivisht për “Illyria” dhe portalin “Pashtriku.org”, kushtuar 20-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s dhe çlirimit të Kosovës

***
Në konferencën për shtyp të trasmentuar nga TG3 i kanalit të tretë të televizionit publik italian RAI në mbrëmjen e vonë, pothuaj në prag të mesnatës, të 31 marsit 1999, në krah të Ibrahim Rugovës ndodhej edhe ndihmësi i tij Adnan Merovci, autor i një libri të mëpasshëm kujtimesh për udhëheqësin kosovar.
Ky ndërkohë nuk shkruan asnjë rresht për këtë ngjarje, edhe pse me të drejtë tërë ditës së 31 marsit dhe të nesërmes, 1 prillit 1999, u kushton faqe të tëra mjaft të hollësishme. Merovci e admiron Ibrahim Rugovën dhe e mbron dhe e justifikon doktrinën e tij të Rugovizmit, por ka edhe ekuilibrin e një personi që ka kokën e vet dhe në tërë librin e tij prej afro pesëqind faqesh të shkruara, nuk i gjen qoftë edhe një fjalë servilizmi.
Megjithatë atë konferencë shtypi e anashkalon. Me pak fjalë, e censuron.
Në 31 mars, siç e përshkruan Adnan Merovci, ndodhi hyrja e policisë sërbe në shtëpinë e Ibrahim Rugovës në Velanie dhe në 1 prill u krye takimi i dytë Rugova-Millosheviç.
Në shkrimin e herës së shkuar ne paraqitëm pyetjen përse u anashkalua konferenca e shtypit e dhënë paraditen e 31 marsit në banesën e presidentit të Kosovës dhe nuk u zu në gojë prej tij dhe ndihmësit. Ajo konferencë nuk ishte ndodhi rutine, por shumë e rëndësishme, e organizuar posaçërisht.
Për të mundur të nënkuptojmë diçka nga kjo enigmë do të na duhet t’i paraqitim lexuesit tekstin e plotë se çfarë tha me këtë rast kanali i tretë i televizionit publik italian.
Paraditen e të nesërmes, 1 prillit, i dërguam Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë një tekst informativ më të hapët ndaj analizës, siç ishte mënyra më e mirë, duke cituar njëkohësisht edhe deklarimet më kryesore të Ibrahim Rugovës.

Tani, në prill 2019, pas dy dekadash, duke qenë se gjithçka e kemi me kohë të regjistruar dhe të ruajtur në arkivin personal, po ja trasmentojmë lexuesit atë siç u përcoll atëherë nga TG3.
Gazetarja italiane që kish marrë pjesë në konferencën e shtypit dhe me këtë rast përgatitur për TG3 telekronikën, quhej Emanuela Arabito. Ajo e komunikoi me zërin e saj të gjithë atë, pa lënë të dëgjohej qoftë edhe një grimë ai i Ibrahim Rugovës. Janë këto fjalët tekstuale të telekronikës: “Jam këtu në shtëpinë time. Ka pasur spekullime për jetën time. Rugova ka dalë për të përgënjeshtruar zërat se e kanë vrarë apo plagosur, se “shtëpia ime është djegur e shkatërruar, por për fat, siç e shihni, jam këtu. Këtu kam mbetur bashkë me familjen time, që kur tetë ditë më parë u ktheva nga Parisi. Doja të thosha vetëm këtë gjë, doja t’i qetësoja të gjithë, t’i thosha popullit tim, se jam këtu (shënimi ynë: gjithnjë flet vetëm gazetarja italiane Emanuela Arabito).
Vijon telekronika: “Ibrahim Rugova thotë se nuk dinte asgjë për fatin e Fehmi Aganit, krahut të tij të djathtë, por thekson se “që prej sot jam nën mbrojtjen e policisë sërbe”.
Më pas sërish me zërin e Emanuela Arabitos: “Duhet që të ndalet kjo gjendje, duhet të ndërpritet kjo tragjedi, që godet të gjithë ata që jetojnë në Kosovë, shqiptarët si edhe serbët”.
Sërish zëri i Arabito: “Dhe kur një gazetar i kërkon të thotë një mesazh për NATO-n, Rugova përgjigjet: “Është ky: që të mos vriten më njerëz, por të provohet një zgjidhje politike, diplomatike. Shpresoj se për këtë edhe Beogradi do të punojë, por siç e dini, dhe me këtë rast Rugova buzëqesh hidhur, pra siç e dini raportet e shqiptarëve me serbët ndonjëherë janë të turbulluara”.
Këtu u mbyll telekronika e TG3 dhe besojmë se për çdo lexues janë të qarta mesazhet që në paraditen e 31 marsit, dy-tri orë pasi në banesën e tij kishin hyrë dhunshëm trupat e ndërkryera të policisë dhe armatës serbe, Rugova i shpërndan për opinionin publik gjithkombëtar, serb dhe evropian.
Mesazhi i parë dhe, mendojmë, kryesori që ndërgjegjshëm Ibrahim Rugova përhap, është “Jam gjallë”. Për fatin e Fehmi Aganit nuk di asgjë dhe sigurisht për shkak të rrethanave të shtetrrethimit që ndodhën në mëngjesin e 31 marsit në Prishtinë, as ka dëgjuar se qarkullonin fjalë edhe për vrasjen e Rexhep Qoses.
Mesazhi i dytë i Rugovës në konferencën e shtypit të trasmentuar nga TG3 afër mesnatës së 31 marsit është: “Jam nën mbrojtjen e policisë serbe”.
Pra presidenti i Kosovës nuk thotë më të përafërtën me të vërtetën, atë që policia serbe ka hyrë me forcë në shtëpinë dhe njëkohësisht rezidencën e tij të punës dhe se nga ajo prani nuk ndihet aspak i garantuar. Ibrahim Rugova për të treguar një kujdes të justifikueshëm që të mos i irritonte policët serbë aty brenda banesës së tij, si edhe autoritetet e larta të Beogradit, përfshi Sllobodan Millosheviçin, mund ta shmangte fjalën tepër solemne “mbrojtje” dhe në vend të saj të përdorte një term tjetër, një lloj sinonimi si, për shëmbull, “në shtëpinë time ka tre apo katër orë që kanë hyrë forca të policisë serbe dhe më kanë premtuar garanci fizike”.
Ose çdo variant tjetër formulimi që të linte sadopak pezull merakun për jetën e tij. Por ai e mbyll këtë çështje, nuk do të përcjellë asnjë alarm. Vetëkonsiderohet i mbrojtur nga ajo polici që po dhunonte shqiptarët e tjerë.
Sidoqoftë duke e toleruar këtë qëndrim, sepse lënia e ndonjë nënteksti mbase do t’i egërsonte autoritetet serbe dhe kështu do ta pengonin çdo përpjekje të tij si edhe të shoqatës katolike në Romë, San Egidios, për ta nxjerrë nga territori jugosllav, Ibrahim Rugova në konferencën e shtypit shpërndan edhe një mesazh të tretë.
Ai thotë para opinionit publik ndërkombëtar se NATO duhet të ndërpresë veprimet luftarake, bombardimet, sepse po shkakton viktima njerëzore të pafajshme.
Të ishte vetëm ky mesazhi përcjellës, bashkë me të domosdoshmin “jam gjallë”, pa atë që policia serbe po e mbronte (?!), do të ish një sjellje sadopak e mirëkuptueshme. Ibrahim Rugova që kur nisi sulmi i Aleancës Atllantike nuk dëshmoi ndonjë përkrahje të saj. Ai ishte një pacifist dhe rolin e Perëndimit për të mbrojtur popullin e Kosovës dhe zgjidhur çështjen e pavarësimit të këtij territori e shihte vetëm tek përdorimi i mjeteve politike dhe diplomatike.
Ndërkaq të bashkuara të dyja: po më mbron policia serbe dhe NATO të ndërpresë veprimet ushtarake, është e tepërt. Peshon rëndë në histori dhe akoma më rëndueshëm në vetë fatin e Kosovës dhe të çështjes së saj të vetëpavarësimit.
Në këtë gjest Ibrahim Rugova ka tentativë për kolaboracionizëm.
Këtë interpretim nuk e bëj tani, ashtu e kam gjykuar edhe gjatë punës në Romë në mesnatën e 31 marsit 1999, por asnjë formulim të tillë nuk bëra në raportet e mia mediatike dërguar Tiranës. As ambasadori Leontiev Çuçi nuk firmosi.
Për fat koha do të vërtetonte se Rugova ishte një atdhetar i palëkundur, por kishte shumë iluzione prej një bashkëpunimi dialogues me Sllobodan Millosheviçin. Kur këtë të fundit e takoi për herë të dytë fizikisht në 1 prill 1999, shenjën e afrimit të tepërt e pati dhënë njëzetë e katër orë më parë në Prishtinë.
Kështu historikisht ai shtrëngim duarsh Millosheviç-Rugova, patjetër veprim i detyruar nga rrethanat, nisi në Prishtinë dhe përfundoi në Beograd. Këtë të fundit e panë të gjithë, ajo e ndodhur në kryeqytetin e Kosovës u harrua.
Duhet thënë se çfarë deklaroi Rugova në TG3 që atë mesnatë zuri vend në teletekstin e RAI-t dhe Mediaset. Në mëngjesin e të nesërmes, 1 prill, në shtypin e ditës thuhej se fjalët e presidentit të Kosovës i kishin habitur mbështetësit e tij.
Duhet thënë se ajo çfarë pati deklaruar në konferencën e tij për shtyp, shpërndarë në Itali nëpërmjet kanalit të tretë të televizionit publik RAI, binte ndesh me një realitet të ri të opinionit vendas. Italianët prej traditës së tyre si edhe ndikimit në shtresa të gjëra të tij nga Vatikani, janë pacifistë, kundër çdo lloj lufte.
Kjo prirje u vu re edhe kur NATO i nisi sulmet ndaj strukturës ushtarake të Millosheviçit.
Por brenda një jave, ndërsa fillimisht u duk sikur italianët në masën mbi shtatëdhjetë për qind do ta rritnin trysninë dekurajuese ndaj Aleancës Atllantike dhe bazave amerikane në vendin e tyre, prej ku niseshin një shumicë e madhe avionësh bombardues, prirja ndërroi kahje. Ishte shumë e papritur, tepër e habitshme, vërtet rast fort i rrallë. Sondazhet nisën të paralajmëronin se jo po ulej, por po rritej numëri i njerëzve që mbështesnin vazhdimin e ndërhyrjes ushtarake të NATO-s, madje edhe nëpërmjet futjes së trupave tokësore.
E përditshmja e madhe “Corriere della Sera” në 31 mars 1999, por më thekshëm të nesërmen, bënte të ditur se sasia e italianëve që ngulëkëmbnin për vazhdim të veprimit të NATO-s ishte ngritur në kuotën 46 për qind.
Paralel me këtë sondazh të “Corriere…”, njëkohshëm me të, në emisionin “Mobydic” të RAI-it, në 1 prill, krahas debatit, u organizua edhe një anketë telefonike. Rezultuan më shumë se tridhjetë mijë telefonata dhe italianët që kërkonin t’i shkohej gjer në fund aksionit ushtarak të NATO-s, ishin 49 për qind.
Specialistët e sondazheve pohonin gjithashtu se brenda dy ditëve, 29 dhe 30 mars, përkrahësit e alternativës së ndërhyrjes luftarake për ta zgjidhur krizën e Kosovës, qe rritur mbi 15 për qind.
Theksojmë se masa e madhe e pacifistëve me kërkesë ndërprerjen e bombardimeve, e cila përfshinte tre të katërtat e popullsisë vendase, këtë kohë kishte rënë në 51 përqind e italianëve. Edhe fare pak e do të bëhej pakicë.
Një tendencë e tillë mbështetëse në rritje për veprimet ushtarake të Aleancës Atllantike vihej re në të gjitha vendet perëndimore të Evropës së Bashkuar. Në mëngjesin e 1 prillit 1999 shtypi italian, bashkë me fotot e kryeministrave përkatës, njoftonte nëpër faqet e para se në Gjermani kishte “Shumicë solide për Shrëderin”, në Britaninë e Madhe “Pak kundërshtime për Blerin”, në Francë “Zhospen nuk ka dyshim për sulmin” dhe në Spanjë “Aznar mbështetet edhe tek Partia Socialiste e Solanës” etj.
Ja pse Ibrahim Rugova me mesazhet që u dha përparësi në konferencën e tij për shtyp në 31 mars në banesën e vet në Prishtinë, nuk qe vetëm “kundërkorrent”, në të anasjellë të prirjes së vendeve me demokraci të zhvilluar, por edhe një lloj zjarrfikësi.
Të gjitha këto Sllobodan Milloshviçi i dinte, madje me stilin e tij të dhunshëm të kërcënimit fizik ndaj Ibrahim Rugovës dhe familjes së tij të mbyllur e mbajtur peng në Prishtinë, në këtë rezultat dëshironte të dilte. Tani ishte rasti më i shkëlqyer për ta futur dhe depërtuar këtë (sipas tij, “kal troje”), Ibrahim Rugovën, në mes të Perëndimit.
Prandaj në vijim të asaj që presidenti i Kosovës pati bërë publike në konferencën e shtypit të 31 marsit në Prishtinë, organizoi ditën e nesërme në Beograd.
Për ta risjellë deri tek lexuesi i sotëm këtë ngjarje është shumë i dobishëm libri i Adnan Merovcit “Në hap me Rugovën”. Prandaj le të vijojmë faqen 295 të tij, ku e kemi lënë citimin që prej shkrimit pararendës.
Shkruan Merovci: “Rreth orës 11.00, ditë e enjte, datë 1 prill 1999, pas rreth katër orë vozitjeje, arritëm në “Beli Dvor” (“Pallati i Bardhë”), ku për ta takuar “Gandin e Ballkanit” po priste një ballkanas tjetër, por ky “kasap”.
Më pas: “Ishte “Dita e rrenave”, 1 prilli. E vërtetë ishte vetëm fakti se po takoheshin “Gandi me kasapin”. I vërtetë ishte edhe një fakt se ky takim u realizua në rrethana të arrestit tipik shtëpiak dhe të një kërcënimi të pathënë. E vërtetë ishte se ne nuk ishim pjesë e vendimit për t’u takuar. Të tjerat, si kërkesa e RUGOVËS për ndalje të bombardimeve nga ana e tij, gjetja e një zgjidhjeje politike në mes të RUGOVËS dhe MILOSHEVIQIT etj, ishin rrena të kulluara dhe përputheshin me zbërthimin e domethënien e 1 prillit”.
Përpiqet të saktësojë Adnan Merovci: “Takimi zgjati rreth një orë. Me kërkesën e RUGOVËS, u inkuadrova në pjesën e fundit të takimit. Si hyra, Kryetari m’u drejtua me fjalët: “Kadal Adnan, të thirra unë”. (RUGOVIZËM)
Kuptova se Kryetari donte vetëm të përfitonte kohë. Në dorë kishte një letër dhe në gjuhën shqipe më tha: “Po insiston ky që të nënshkruhet kjo letër, (mendonte në MILOSHEVIQIN).
E pashë se flitej për një deklaratë në media dhe pa një pa dy i thashë Kryetarit, duke u drejtuar nga MILOSHEVIQI: “Ovo je izjava za shtampu. Obiçno se ove stvari ne potpisuju” (Kjo është një deklaratë për shtyp. Zakonisht këto gjëra nuk nënshkruhen).
Ai insistonte, duke ditur se opinioni sidomos ai ndërkombëtar mund të mos i besonte takimit. I ndodhur në këtë situatë presioni dhe tensioni, Kryetari kërkoi që në tekst të hiqej fjala “Metohi” dhe nënshkroi këtë letër, e cila nuk kishte kurrfarë peshe.
Pastaj MILOSHEVIQI m’u drejtua me pyetjen “Jeli vi gospodin, kako opisujete napuishtanje zemlje od strane allbanaca prouzrokovana od bombardovanja NATO-a” (Ju zotëri, si e përshkruani lëshimin e vendit nga shqiptarët të shkaktuar nga bombardimet e NATO-s).
M’u rrotullua rreth vetes çdo gjë. M’u reproduktua në kokë me shpejtësi supersonike historia jonë dhe mendja më tha: “E ke rastin, Adnan”.
Mendova që sikur të kisha një revole do t’ja kaloja Avni RUSTEMIT, por shumë shpejt u qetësova, duke u ngushëlluar me faktin se për një gjë të tillë duhet të lindësh, shumë vështirë të krijohesh. Edhe pse për një gjë të tillë ishte e pamundur, por mendja dhe zemra nuk kanë kufi dhe barriera, je i lirë të mendosh çdo gjë në çdo rrethanë.
“Shqiptarët nuk po e lëshojnë Kosovën me vetëdëshirë, por të detyruar nga ekspeditat ushtarake policore dhe paramilitare të orkestruara dhe të planifikuara lagje për lagje, shtëpi më shtëpi”, iu përgjigja MILOSHEVIQIT.
Ai si i befasuar nga kjo përgjigje u nervozua dhe më tha:
“Ti druzhe izgleda nemash informacije” (Ti, shok, me sa duket nuk paske informata). “Izbeglicezu prouzrokovame od NATO-a (Të ikurit po detyrohen nga NATO), më tha.
Isha pak i ashpër në takim, sepse kisha fuqinë e Kryetarit, të cilin e kisha afër.
“Nëse NATO-ja po e shkaktuaka shpërnguljen, pse nga Vojvodina dhe Mali i Zi nuk ka shpërngulje edhe pse edhe atje po bombardohet”, ishte reagimi im i dytë.
Kryetari mbante kokën poshtë dhe më pëshpëriste:
“Kadal Adnan, mjaft Adnan!” (RUGOVIZËM).
(VIJON)
Ylli Polovina
Tiranë më 15 prill 2019
__________________
YLLI POLOVINA: IBRAHIM RUGOVA – ‘ PREJ SOT JAM NËN MBROJTJEN E POLICISË SERBE’ – PRISHTINË, 31 MARS 1999, FOTO – VIDEO (14)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8742

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura