PSIKOLOGJIA E LUFTËS KUNDËR LUFTËS / LUFTЁS PO I VJEN FUNDI (7)
NGA SULEJMAN ABAZI (Komandanti i Divizionit të Tiranës – ’98 – ‘99 – Kujtime
Luftës po i vjen fundi
Qyteti i Kukësit duket si në pëllëmbë të dorës. Ndodhemi rreth 8-të kilometra larg tij. Ndërthurja e këtyre momenteve që kam trajtuar më sipër janë shpresëdhënëse dhe ato i japin siguri e frymëmarrje vetë besimit që duhet të kemi se do të vijë një ditë që ushtria jonë do të marrë atë fizionomi që dëshirojmë ne dhe miqtë tanë.
Shembull tipik të një orientimi të tillë drejt rrugës së mbarë do të veçoja gjithë punën e madhe që u krye në njësitë dhe repartet e Forcave të Armatosura në vitet 98-të dhe 99-të për ringritjen, vite këto që mbartën mbi vete përballimin e pasojave të luftës në Kosovë. Duke vlerësuar këtë situatë të mbarsur me mjaft probleme, duhet pranuar se koha impononte masa të ngutshme të cilat në një farë mase do të prishnin atë “rregull” të imponuar që po e mpinte gradualisht strukturën ushtarake. Kjo ndodhi me strukturën rezerviste. Në Brigadën e Këmbësorisë në Yzberisht në Tiranë, për herë të parë pas 9-të vitesh u arrit të thirreshin në stërvitje 7-të nënreparte me kontigjente rezervistë, deri në 900-të të tillë, të cilët u përgatitën në kuadrin e masave të shtetit tonë për të përballuar krizën në Kosovë. Thyerja e “akullit” në këtë drejtim, tregoi se populli iu përgjigj detyrimeve të tij për të përballuar situata të jashtzakonshme.

Kjo ndodhi edhe me struturat aktive. Është e vërtetë që u kemi qëndruar afër dhe çdo ditë e më shumë u bindëm se ata tashmë me mjaft përkushtim realizonin detyrat e tyre dhe ishin gati të sakrifikonin. Ishin kryesisht djem nga Shqipëria e Mesme, nga qytetet e Elbasanit, Cërrikut, Peqinit, Kavajës, Durrësit, Gramshit dhe Librazhdit, njerëz të mirë e fjalpakë. Më kujtohet në prag të stërvitjes “Drini i Bardhë – 99” një episod i shkurtër me komandantin e Brigadës së Tankeve, kolonel Budjonin. Kishte vendosur që qitjet e tankeve të realizoheshin në ecje. Pyetja e parë që i bëra ishte pikërisht meraku se “a janë në gjëndje ushtarët të veprojnë në këtë mënyrë”?
E dija fort mirë vështirësinë e këtij veprimi. Ai kërkonte përgatitje të lartë profesionale, kërkonte kujdes të veçantë dhe zbatim korrekt të rregullave të sigurimit teknik. Kishim përgjegjësi të dyfishtë në këtë situatë për ata djem të mirë që n’a shikonin në çdo çast “në dritë të syrit”. Kur i shikoja në këto kushte, duke përballuar ngarkesën e detyrave të tyre, shpesh i bëja pyetjen vetes: “ku janë tani shokët e tyre”? Shpesh kam pasur në vetvete momente të dobësisë njerëzore, larg kërkesave dhe natyres së profesionit dhe në një farë mase, më vinte edhe keq për ta.
Çfarë i mban këta djem këtu në Kukës, në majë të malit, kur e dinë se në çdo çast janë të kërcënuar dhe mund të goditen nga artileria sërbe? Ndoshta dikujt fati mund t’ja sillte që edhe mund të sakrifikohej, kur sot shumë të rinj, për hir të së vërtetës, duhet thënë se i janë shmangur shërbimit ushtarak, për turpin e tyre e të familjeve të tyre. Ushtarët kanë kohë që janë bindur dhe e kanë ndjerë veten të sigurtë, se sëbashku me t’a kemi qënë edhe ne, oficerët, që nuk u ndahmë prej tyre në asnjë çast, dhe po të vinte momenti të gjithë mund t’i përballonim pasojat njësoj. Megjithatë, ata vazhdonin kokëulur të kryenin detyrat e tyre.
Tashmë jam bindur se, nuk ka ndonjë teori të saktë për të hedhur bazat e moralit dhe në çdo rast ne t’i referohemi asaj. Në kushte të tilla morali i ka rrënjët tjetërkund, larg moralizimeve të programuara që në ndonjë rast rëndom përsëriten nga ushtarakët. Ai i ka rrënjët në popull, tek tradita, në familje dhe shumë pak mund të themi se është rezultat i punës edukative.
Edhe lufta ka moral. Morali në luftë, krahas tradicionalizmit që ka çdo forcë e armatosur, zë vend e forcohet në kushtet dhe rrethanat e ambjentimit që të krijohet, të veprimit në masë që të imponohet, për të pranuar e përballuar qoftë dhe në mënyrë “vullnetare” të gjitha pasojat e saj. Momentet e para janë tronditëse për shumë arësye, por përshtatja me kushtet dhe rrethanat që të imponohen është e pashmangshme. Heronjtë asnjëherë nuk deklarohen dhe lavdinë gjeneralët asnjëherë nuk e marrin nga të qënurit të tillë. Ata i nxjerr dhe i afirmon lufta, fushëbeteja, sakrifica dhe fitorja.
Dëgjoja shumë shpesh në “Aselsan” raportimet e djemve të Kukësit, Hasit dhe Tropojës nga pikat e zbulimit në vijën e kufirit në kontakt të drejtëpërdrejtë më armikun. Në këto raportime nuk kishte orë fikse, sepse nuk kishte edhe gjum. Ky është morali i luftës, këta janë ushtarët, djemtë tanë. Është shumë e sigurtë se do të kem mundësi dhe kohë që t’i përgëzoj dhe t’i falënderoj ushtarët e mi me gjithë zëmër.
Ruaju prej ujkut kur i vjen ngordhja…
Në mbrëmje morëm vesh në media se ishte nënshkruar marrveshja midis gjeneralëve të NATO-s dhe përfaqësuesve të ushtrisë serbe në Kumanovë, një fshat në kufi me Maqedoninë. Dëgjojmë shumë të shtëna me artileri. Janë të shumta incidentet e sërbëve në vijën e kufirit. Në këto kushte vërejmë reagime të pazakonta të tyre. E njëjta situatë kur ata duhet të zbatonin kushtet e bisedimeve në Rambuje.
Nga ky moment ata vepruan për të fituar kohë në terren. Nuk kemi pse të çuditemi, në fund të fundit kjo është “fytyra” e tyre. Sot u informuam se serbët në doganën e Morinit, në largim e sipër kishin qëlluar mbi gazetarët që po filmonin. Një gazetar kilian ishte goditur për vdekje. Këta njerëz kanë brënda vetes kënaqësinë që janë në gjëndje të urrejnë, të shkatërrojnë dhe të vrasin.
Ata nuk ishin në gjëndje të arrinin në vetkontroll për t’i shpëtuar disfatës dhe ky ishte fundi i tyre. Shkërrmoqja morale e psikologjike tashmë po i çonte drejt “lavdisë“. Me sa duket urdhëri për t’u larguar po u merrte dhe atë pak mëndje që u kishte mbetur. Kriminelët mbeten të tillë deri në vdekje…
Informohem se trupat gjermane të KFOR-it këto ditë do të vijnë në Kukës për të hyrë, sipas marrëveshjes, nga Morini në Prizren. Vërehen lëvizje të shumta njerëzish. Duket se vetë qyteti i Kukësit do të fillojë së shpejti të marrë frymë lirisht, tashmë jo për të pritur por për të përcjellë të ardhurit nga Kosova.
Ditari i luftës akuzon
Ushtria serbe i shton një borxh të madh vetes…
Gjendja e luftës i detyroi strukturat shtetërore dhe ato ndërkombëtare që të merrnin shumë masa për përballimin e efekteve dhe pasojave të operacioneve ushtarake të ushtrisë Jugosllave. Tashmë shteti shqiptar vlerësonte se në kufijtë shtetëror ishte realizuar një përqëndrimi i madh trupash dhe mjetesh, të cilat përbënin një rrezik serioz.
Ky rrezik duhej përballuar me të gjithë mundësitë dhe potencialet ekzistuese. Në përplasjen në terren gjëndja diktonte shtimin e radhëve të UÇK-së, duke parashikuar kohë dhe varjante shumë më të vështira. Komuniteti ndërkombëtar ishte në prag të një ndërveprimi operacional të përmasave specifike ushtarake, për ta gjunjëzuar agresorin.
Në kushtet e këtij kundërveprimi të përgjithshëm politiko – ushtarak dhe ekonomik, ushtria serbe do të kompesonte inferioritetin e saj me veprime të dhunëshme brenda territorit të Kosovës dhe me krijimin e një “brezi agresiv dhe të pakapërcyeshëm” në kufirin shtetëror, për të shkëputur lidhjet në të dy anët e kufirit. Mbajtja në një gjendje tensioni ushtarak e psikologjik, me bazë kërcënimin për “përgjegjësitë shtetërore” në rast të shtrirjes së konfliktit, krijoi në brezin kufitar prej 187 km dhe në një thellësi deri në 20-25 km, një situatë të ndezur, e cila u shoqërua me provokacione dhe veprime ushtarake me pasoja të rënda për këto zona.
Mbështetur mbi studimin e dokumentave të kohës, jemi në gjendje të kuptojmë dhe vlerësojmë se çfarë ka ndodhur në periudhën më të nxehtë të konfliktit dhe cila ka qënë fizionomia e veprimit të strukturave ushtarake Jugosllave përballë qëndresës shqiptare, në të dy anët e kufirit shtetëror. Faktet nuk flasin për “ngacmime” në kuadrin e një operacioni psikologjik të paramenduar, por të një veprimtarie operacionale tepër agresive e me pasoja dhe të një shkërmoqjeje psikologjike të të gjithë strukturave të saj përball presionit dhe kundërveprimit ndërkombëtar.
“Shkërrmoqja” psikologjike ….. fund i pashmangshëm
Çdo njeri me një farë informacioni, e që e njeh historinë e zhvillimit të luftrave, filloi të kuptonte fort mirë, se Europa në përgjithësi dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk do ta toleronin Serbinë për agresionin e dytë që po i shkaktonin rajonit të Ballkanit. Në një farë mënyre, drejtimet e kundërvënies do të ishin të shumllojëshme dhe në radhë të parë ato do të synonin faktorin ushtarak të shtetit agresor. Ëndrra e vjetër e lobit serb për “hapsira jetësore” në Ballkan, është realizuar shkallë shkallë nëpërmjet dhunës.
Në vitet e pasluftës së Dytë Botërore u duk qartë se nuk mund të aplikoheshin më marrëveshje të reja dhe udhëheqja jugosllave e përfshiu përfundimisht Kosovën në veprimin e saj administrativ. Instalimi i pushtetit politiko ushtarak në Kosovë dhe rritja e ritmeve të zbatimit të reformës agrare kolonizuese, e fshiu përfundimisht të drejtën për “vetvendosje“.
Në këtë kontekst, çdo tentativë për të kërkuar liritë dhe të drejtat do të shtypej vetëm me dhunë. Fakti që kjo ka ndodhur disa herë në format e genoncideve dhe masakrave, tregon qartë se instrumentet ushtarake të Serbisë ishin në qëndër të vëmëndjes dhe të kujdesit të liderit të tyre. Ato fituan përvojë në terrorin psikologjik dhe në shtypjen me forcë të revoltave, duke i bërë shërbime të çmuara strukturave politike Jugosllave.
Vet përbërja e strukturave ushtarake Jugosllave dhe diskriminimi i shtresave shqiptare brenda dhe jashtë saj, kishin në filozofinë bazë të tyre, dhunën dhe agresivitetin. Ato ishin struturat ushtarake të edukuara me një ndjenjë talljeje dhe përbuzjeje për qytetërimin. Ky është një atribut i njohur i banditëve dhe kriminelëve, kur janë të hipur mbi tanke dhe autoblinda, kur e kanë thikën e krimit ndër dhëmbë.
Ky atribut i tyre është njëkohësisht një ushqim shpirtëror në çdo kohë, deri në ekstazë, për ta çuar krimin më tej, deri në kufijtë e të paimagjinueshmes. Pompoziteti i fuqisë dhe pathyeshmërisë së ushtrisë Jugosllave përball kërkesave të shqiptarëve dhe qëndrimit të komunitetit ndërkombëtar e të vet shtetit shqiptar, nuk ishte vetëm një propogandë, por dhe veprim praktik kriminal në terren. Mali me krime ishte mesazh për shqiptarët, për të mbjell tmerrin e për të realizuar më lehtë synimet e tyre. Kjo fasadë, në thelb tepër shoviniste, do ta shoqëronte çështjen tonë kombëtare deri në ditët e shpërthimit të konfliktit dhe do t’a vinte atë përballë kësaj makine ushtarake, për t’u ndeshur e ballafaquar me të.
E nësë në këtë periudhë, vërejmë një mobilizim total të faktorit shqiptar për tu ballafaquar në terren me këtë kundërshtar të egër, në krahun tjetër vërejmë një degjenerim të misionit dhe qëllimit të struturave ushtarake Jugosllave, të paktën në aparencë, për mbështetjen e slloganeve dhe deklaratave të lidershipit politik. Por tashmë, këto struktura po tregonin se ishin përfshirë në një batak moral dhe psikologjik, nga i cili nuk mund të dilnin më.
Një gjëndje krejt tjetër na del përpara brenda strukturave ushtarake të kundërshtarit. Rinia dhe njerzit e mobilizuar, “të çoroditur” dhe më pikpamje për ndryshime radikale në Serbi, u bënë pikënisja e kësaj “shkërrmoqjeje” psikologjike, e cila kishte vetëm një fund, dështimin dhe kapitullimin përball forcës dhe mobilizimit të komunitetit ndërkombëtar. Por kjo nuk ishte e tëra, kjo nuk mund të realizohej vetëm me deklarata, pa ja gjetur rrënjët së keqes dhe pa e goditur pikërisht atje.
Këto ditë të qëndrimit në Kukës, rashë në kontakt me disa publikime të deponimeve të robërve serbe, të rënë në duart e luftëtarëve të lirisë. Faktet që konstatonim të degjuara nga goja e tyre për mënyrën e veprimit dhe krimet që kishin kryer ishin shumë tronditëse, por në krahun tjetër dallojmë qartë ngërçin dhe shkërrmoqjen psikologjike të radhëve të tyre, dekompozimin moral dhe profesional të një ushtrie që ka dalë jashtë natyrës njerëzore, jashtë moralit, tashmë e kthyer në një turmë që vetëm vret dhe masakron në emër të nacionalizmit ekstrem.
Por është më mirë që të flasim me gjuhën e tyre, ashtu sikundër janë shfaqur: “Kriza është e rëndë. Paniku gjithashtu çdo ditë ka bilance të shumta me ushtarë të vrarë në front, por edhe me ushtarë të vrarë nga komandantët e tyre, pse kundërshtojnë urdhërat. Dezertorë ka përditë. Të ndëshkuarit “disiplinarisht”, që i shkëpusin eprorët nga fronti dhe i çojnë kushedi në çfarë ferri, numërohen me dhjetra në çdo repart. Ka ndërkaq edhe të “vetvrarë”….”!!. Pra të vrarë, të vetvrarë, të hequr nga vija e frontit dhe të dënuar, dezertorë që nuk duan të lënë lëkurën në luftë ose që nuk duan të luftojnë.
Kodi moral (antimoral) i ushtrisë sërbe kishte kohë që jepte efektet e veta në kundërshtim me dëshirën e eprorëve të saj. Historia botërore dhe jeta në përgjithësi janë të mbushura me shumë raste të mospëlqimeve dhe të urrejtjeve pa shkak. Kështu ndodhi edhe me ushtarakët serb. Bindja ndaj autoritetit ka një kufi dhe ky rob lufte e kupton mirë këtë. E kundërta e çon atë në krim dhe para drejtësisë.
Në Luftën e Dytë Botërore, ushtria naziste gjermane vrau dhe zhduku miliona hebrej, çekë, polake, rom dhe kundërshtar politik. Ndërkohë kur liderët ushtarakë gjermanë dolën para gjyqit ndërkombëtar u mbrojtën me shprehjen standarte “Unë zbatova vetëm urdhërin”. Në të njëjtën natyrë është pozicionuar edhe ky epror serb që predikon urrejtje dhe rrugë krimi tek vartësit e tij. Jam i bindur se kështu do t’i ndodhë edhe këtij eprori serb. Ky rrëfim na jep të kuptojmë se përplasja në terren është kthyer tashmë në një luftë për jetë a vdekje. Këmëngulja për arritjen e qëllimit dhe synimeve nga shtabet, i bën ata të mos ndalen para fenomeneve që po u lulëzojnë çdo ditë në radhët e tyre. Janë pikërisht këto momente që parapërgatisin humbjen dhe kapitullimin. Radhët e tyre janë tashmë të kthyera në ferr për vet ata.
Ja çfarë thuhet më poshtë: “70% e shokëve të mi, protestojnë të zbatojnë urdhërat dhe kërkojnë të kthehen pranë familjeve. Sytë e tyre kanë parë mizori të tmerrshme jo vetëm ndaj shqiptarëve, por edhe ndaj shokëve të tyre. Janë vrarë shumë në front. Janë asgjësuar pas shpine shumë “rebelë”. Për ata që dyshohet, u kërkohet kartë besnikërie që të nisen në fshatrat shqiptare e tu sjellin koka fëmijësh. Nëna ime çkanë parë sytë tanë. Ç’të rrëfejë më parë”…. Por mosbindja përherë duhet të ndikohet nga morali. Dhe kjo duhet të shfaqet tek njerzit e pabindur, por kjo shfaqet tek ata njerëz që kanë moral.
Këtë kishin filluar ta kuptonin shumë prej tyre. Pa këta elementë nuk do të arrihej lehtë “shkërrmoqja psikologjike”, morale dhe pse jo dhe ushtarake e agresorit serb…Kjo gjëndje na imponon të kuptojmë, se propoganda nuk ka më efekt dhe tashmë operacioni psikologjik në radhët e vet ushtrisë serbe, nuk ka më efekte mbi ushtarët dhe oficerët e saj.
Tashmë, ata po kuptojnë me tmerr se kjo është një rrugë pa krye. Rritja në masë e “kundërshtarëve” i detyron oficerët që karta e besnikërisë të vërtetohet me koka fëmijësh, me krim. Kush mund të jetë ai që jep urdhëra të tillë?
Kush mund të arrijë në kufijtë ekstrem të mosarësyes njerëzore? Këta njerëz të nënshtruar plotësisht ndaj eprorëve të tyre tepër autoritarë, shfaqen me një agresivitet ekstrem ndaj vartësve për t’i shtyrë ata plotësisht në rrugën e krimit. Kush i detyron këta njerëz të bëhen viktimë e këtij brutaliteti me bazë nacionalizmin ekstrem?
Ata ende dhe sot nuk e kuptojnë që akoma dhe sot janë viktimë e këtij lloj nacionalizmi. Por kriminelët kanë vetëm një fund; atë të ndëshkimit…..
Kush mund të flejë i qetë pas këtyre veprimeve kriminale, kë mund të zejë gjumi “rehat”? Këta oficerë të çfarosjes në masë, çdo gjë mund të jenë por vetëm njerëz JO. Urrejtia etnike i ka nxjerrë ata përfundimisht “nga binarët e jetës“. Jo vetëm gjëndja në front, por dhe efektet e operacionit psikologjik të perëndimit mbi vet komunitetin serb dha efektet e veta. Rrugë tjetër nuk kishte.
Kjo çka dëshmon Tahiroviçi 23 vjeçar, është vetëm një pjesëz e asaj çka ndodhte në radhët e ushtrisë sërbe, e cila ishte e kryqëzuar dyfish, nga ajri me bombardimet e NATO-s dhe nga toka me goditjet e njëpasnjëshme të njësive të UÇK-së. Rrëfimi i tij, ashtu sikundër edhe dëshmitë e dhjetra robërve të tjerë që u kapën ditët e fundit në front, hedhin dritë mbi ferrin që makina ushtarako fashiste serbe, mundohej me çdo kusht e me çdo mjet, ta mbante të mbuluar. Por gjithësesi, robërit janë “spiunët” e parë, të traumatizuar, që sjellin lajmet e para të këtij ferri të madh.
“Morali i shokëve të mi, ushtarë e rezervistë të vjetër, por të mobilizuar rishtaz nën armë, është shumë i ulët. Është, si me thënë, një gjëndje depresive që ka mbërthyer tërë efektivin që ndodhet në front. Edhe pse mundohen ta fshehin veten, të tillë paraqiten edhe eprorët tanë më të ulët. Por gjithësesi më e dukëshme e më e shfaqëshme kjo gjëndje “shoku” shfaqet tek ushtarët”.
Por, për çfarë morali do të pretendonte ky serb i veshur me uniformë ushtarakë, që nuk i shkulen dot nga sytë skenat e masakrimit të njërzve të pafajshëm, por që në të njëjtën kohe është thellësisht i tromaksur për rrezikun që i rri mbi kokë prej eleminimit “nga të vetët”? Gjëndja depresive në të shumtat e rasteve të çon në vetvrasje dhe vetsakrifikim. Morali i shkatërruar nga streset dhe tmerret e luftës në kushte të tilla janë me fekte të pashmangëshme. Nuk besoj se eprorët e tyre nuk e kanë ditur këtë, por gjithësesi ata kanë qënë të pafuqishëm për ta ndryshuar këtë gjëndje. Në kushtet e një rënimi të tillë kjo është një situatë që nuk gjen shërim.
Më tej rrëfimi vazhdon: “Komandanti i kompanisë time e ka emrin Liskoviç. Humbjet e fundit e kanë bërë si të tërbuar fare. I gjithë efektivi i kompanisë i ka kërkuar pardje të linte frontin e kësaj lufte të çmendur. Na kërcënoi hapur me vrasje. Provojeni, tha, por askush ska me mbetë gjallë. Biles do të keni rast të provoni vdekje, jo si ato të zakonëshmet….”. Si lojtarët e lojrave të fatit, të cilët nuk heqin dorë nga humbjet e vazhdueshme, të ndikuar nga iluzionet e sigurisë së kontrollit mbi veten, ata vazhdonin të besonin se do të fitonin kështu ndodhi edhe me serbët….
Po cilat mund të ishin vdekje “të jashtëzakonëshme“, sipas këtij oficeri të papërgjegjshëm serb? Përvoja e këtij oficeri, kuptojmë, se tashmë është e “pasur“, me ato ç’ka kanë eksperimentuar në kurriz të shqiptarëve. Këtë vdekje “në modë“, tashmë ata ua rezervojnë dhe vartësve të tyre. Presioni psikologjik i imponimit të nënshtrimit ndaj gjëndjes, e detyron oficerin të kërcënojë vartësit me ekzekutim, biles jo me vdekje të zakonëshme…!!! Zoti ju ndihmoftë të pastroni shpirtin tuaj nëse jeni ende gjallë….!!!
Më tej rrëfimi vazhdon: “Këtu vrasjet, sidomos të eprorëve, mbahen sekret i madh, jo vetëm për ne ushtarët, por edhe për eprorët e tjerë. Çdo lloj informacioni për të vërtetën, për humbjet, sekretohet rreptë”.
Kasta e lartë e oficerëve ndjen vështirësi përball realitetit të luftës. Po a mund të mbulohet dielli me shoshë, a mund të mbulohet krimi, a mund të mbulohen humbjet, a mund të mbulohen vetë amullia dhe pështjellimi në radhët e ushtarëve dhe të vet eprorëve, a mund të mbash në këmbë një ushtri me moral të rënë, që nuk ka më besim në “fitoren” ndaj kundërshtarit? Kriza e besimit e shfaqur në masë, në kufijtë e saj ekstrem e detyron kastën ushtarake të aplikojë një terr informativ mbi strukturat e veta..!!!!
A do të vijë një kohë e mundëshme që edhe në Serbi të mendohet me mendje të kthjellët e me gjak të ftohtë, për atë që ka ndodhur në dekadën e fundit në shtetin e tyre, për fatkeqësitë që ata i shkaktuan popujve në Ballkan?
A do të kenë kurajon civile e qytetare teoricienët ushtarakë jugosllavë të mendojnë dhe analizojnë në të ardhmen dukuritë e luftrave të fundit agresive që zhvilluan strukturat e tyre?
A do të mundin ata të gjykojnë me gjakftohtësi për “hiret” e ushtrisë së tyre, për bëmat dhe fytyrën e krimit, për dallimin esencial që ajo ka në formimin e saj ekstrem ideopolitik dhe psikologjik në shërbim të teorive dhe interesave famëkeqe të lobit të tyre dhe në fund të fundit a do ta pranojnë ata se ideologjia e tyre sunduese humbi?

A do të mundin ata të reflektojnë mbi bazën e morisë së krimeve që kanë kryer dhe a do të krijojnë shanset e një ndryshimi të orientuar drejt standarteve demokratike?
Megjithatë kjo është punë e tyre.
Të vazhdojmë me analizën e fakteve në fytyrën e krimit e të dhunës. Sipas të dhënave në datën 18/04/1999 armata Jugosllave ka të disllokuara në Kosovë 400 tanke, 300 transportues të blinduar dhe 400 njësi artilerie. Ky dispozitiv i fuqishëm ushtarak meritonte vlerësim dhe vëmëndje, sepse aktualisht vepronte mbi bazën e një plani të paracaktuar dhe objektivat e tyre mund të shkonin shumë larg.
Në datën 10/04/1999 regjistrohen incidente në kufirin shtetëror, në vijën Padesh Kamenice. Lidershipi politiko ushtarak jugosllav paralajmëron Shqipërinë, pas këtyre luftimeve në kufi, se mund të bëhet përgjegjëse për një shtrirje të konfliktit dhe për përhapjen e një lufte ballkanike.
Në datën 11/04/1999 kryhen provokime të rënda në kufi nga ushtria serbe. Nga ora 11.50 e në vazhdim, artileria sërbe me mortaja godet në drejtim të pikave kufitare të Padeshit, Zogajt e Kamenicës si dhe në Tropojën e Vjetër, deri në 15 km në thellësi të kufirit shqiptar.
Si mund t’i justifikojnë shtabet jugosllave goditje në tilla të shtetit shqiptar?
Në datën 12/04/1999 vazhdon agresioni ushtarak sërb ndaj veriut të Shqipërisë. Nga bombardimet është goditur rrethi i Hasit. Evidentohen të vrarë 4 civilë dhe të plagosur 14 të tjerë, duke e çuar në 7 numrin e të vrarëve dhe 23 të të plagosurve. Në anën tjetër të Morinit sërbët përqëndrojnë forca të shumta ushtarake dhe kanë vendosur në lartësi snajper dhe artileri të kalibrit nga 82-155 mm.
Në datën 13/04/1999 vazhdon agresioni i armatosur sërb ndaj Shqipërisë. Mbi 100 ushtarë sërb të mbështetur nga mjete të blinduara, kanë pushtuar postën kufitare të Kamenicës dhe më pas atë të Padeshit në Tropojë, rreth 2 km në thellësi të territorit shqiptar. Rreth 4000 banorë të këtyre rretheve janë shpërngulur në thellësi.
Cili është objektivi i shtabeve jugosllave që kryejnë operacione të tilla ushtarake në territorin administrativ shqiptar?
Çdo të thotë të penetrosh 2 km në thellësi të territorit të shtetit shqiptar dhe të pushtosh pastat kufitare të një vendi tjetër?
Në datën 14/04/1999 forcat sërbe goditën me 2 predha rreth 400 metra brënda territorit shqiptar në afërsi të fshatit kufitar Vllahen në Kukës.
Në datën 15/04/1999 një grup ushtarësh sërb rreth orës 08.00 kanë hapur zjarr në drejtim të fshatit Dobrunë në rrethin e Hasit pranë kufirit. Në afërsi të fshatit Myç në Has u hodhën 4 predha artilerie, 8 km larg qytetit të Kukësit. Është goditur fshati Vërnicë me artileri, fshatrat Koldede, Kamenicë, Kasajt dhe Tropoja e Vjetër.
Çdo të thotë të kërcënosh me goditje artilerie një nga qëndrat më të mëdha të banuara të veriut?
Në datën 16/04/1999 ka vazhduar goditja me artileri në zonën e Kamenicës, Tropojës së Vjetër, Papaj rreth 6 km në brëndësi të territorit. Në këtë datë dy kompani me ushtarë sërb janë futur në thellësi të territorit shqiptar në drejtim të fshatit Zherkë dhe ka pasur për disa orë shkëmbime zjarri me forcat shqiptare. Me artileri janë goditur dhe fshatrat Rrapaj e Padesh.
Në po këtë datë qeveria serbe njofton zyrtarisht se ka ndërprerë mërrshëniet diplomatike me Republikën e Shqipërisë. Veprimtaritë agresive ushtarake të paramenduara shoqërohen me qëndrime ekstreme politiko – diplomatike.
Kush mund ta bëjë këtë përveç se një shteti agresor?
Në datën 20/04/1999 trupat serbe hapin zjarr kundër fshatit Dobrunë dhe për 15 minuta bëhet shkëmbim zjarri midis tyre dhe kufitarëve shqiptarë. Për rreth 20 minuta goditen më artileri fshatrat Kamenicë, Padesh dhe Zherkë në Tropojë. Në pikën e kalimit të Morinit një predhë e rëndë mortaje shpërtheu pranë vargut të refugjatëve duke vrarë një dhe duke plagosur 22 prej tyre.
Aventurizmi ushtarak nuk paska kufij për shtabet jugosllave.
Në datën 21/04/1999 rreth orës 10.30 forca të shumta serbe të mbështetura me artileri sulmuan territorin shqiptar në Has në një vijë disa kilometërshe. Luftimet midis tyre dhe forcave tona vazhduan për 8 orë dhe më pas serbet u tërhoqën. Në këtë kohë është bombarduar me artileri fshati Papaj. Nga të dhënat është minuar tërësisht kufiri Kosovë Shqipëri. Në orën 12.15 ushtarët serb ndërmorën një sulm për rreth një orë me armë automatike në drejtim të pikës kufitare në Zogaj.
Mos vallë e kanë të domosdoshme serbët ballafaqimin ushtarak me forcat tona?
Nuk besojmë se duhet të jetë kështu. Tjetërkund synojnë shtabet jugosllave, por ata nuk do të arrijnë kurrë të shkëpusin lidhjet shpirtërore midis luftatarëve të lirisë në të dy anët e kufirit shtetëror.
Në datën 22/04/1999 vazhduan provokimet e ushtrisë serbe në kufi. Qëllohet me armë automatike posta kufitare e Dobrunës në Has ku plagoset një nënoficer. Serbët sipas vrojtimeve vazhdojnë të fortifikojnë vijat e tyre të mbrojtjes në kufirin shtetëror. Realizohet masivisht vendosja e fushave të minuara.
Minat e vendosura apo të hedhura nga distanca, janë mjete të vdekura, të cilat nuk janë në gjëndje të dallojnë hapin e një ushtari nga hapi i një fëmije.
Në çdo rast, kur mbi to shkelet, ato lëndojnë dhe gjymtojnë, marrin jetë njerzish. E megjithatë agresoret nuk ndalen as përballë këtij konstatimi, por ata vazhdojnë t’i përdorin këto mjete të shëmtuara në rastin më të parë kur futen në një rreshtim ushtarak.
Ata vazhdojnë të zbatojnë urdhërat e eprorëve të tyre edhe kur pasojat janë mbi gratë, fëmijët, të moshuarit dhe mbi njerzit e pafajshëm.
Më datën 25/04/1999 serbët përsëri hapin zjarr me armë automatike në drejtim të pikës kufitare të Zogajt në rrethin e Tropojës.
Në datën 26/04/1999 rreth orës 22.00 një grup ushtarësh serb hyjnë në thellësi të territorit shqiptar me synimin për të minuar zonën e Qafës së Prushit. Për 6 orë është bërë shkëmbim zjarri në një vijë prej 3 km. Forcat serbe përdorën artilerinë dhe mortajat. Goditen me artileri tanket e Brigadës së Krumës, të cilët shkojnë në përforcim të forcave tona në vijën e kufirit shtetëror.
Në datën 29/04/1999 forcat serbe godasin me 7 predha fshatin Vlahen 6 km larg qytetit të Krukës. Po sot goditet me artileri fshati Cahan, dëmtohet fshati Tropojë e Vjetër. Në fshatin Zherkë vazhdon minimi në anën e kufirit tonë.
Në datën 01/05/1999 në fshatin Zapod kanë rënë 20 predha artilerie. Në vendin e quajtur Qafa e Arushit në rrethin e Hasit një grup komandosh serbe prej 20 vetësh kanë djegur postën kufitare. Vazhdojnë granatimet mbi fshatrat Letaj e Dobrunë, Golaj e Zahishtë.
Përse kryejnë veprime ushtarake në befasi dhe mandej tërhiqen në strofullën e tyre?
Në datën 02/05/1999 janë granatuar fshatrat Mariç, dhe Pogaj të rrethit të Hasit. Me 20 predha janë goditur fshatrat Bele, Zapot dhe Broje të rrethit të Kukësit. Në fshatrat Golaj dhe Zarishtë serbët kanë minuar zona të tëra me mina tip “kasetë“. Goditen me artileri fshatrat Zogaj, Dobrunë e Zylfaj në Tropojë. Artileria serbe godet antenën e televizionit Shqiptar që shpërndante transmetimet në Kosovë. Forcat serbe shkatërrojnë postën kufitare të Qaf Prushit, të Dobrunës dhe Krushevës. Goditen me 7 predha artilerie fshati Mëhallë në Has.
Datë 06/05/1999 forcat serbe vazhdojnë granatimet mbi fshatin Perollaj rreth 10 km në brëndësi të kufirit, e po kështu dhe në fshatin Pogaj.
Në datën 09/05/1999 forcat serbe sulmuan me artileri të rëndë postën kufitare të Koshares në Tropojë. Paralelisht me artileri janë goditur fshatrat kufitare Kamenicë, Padesh, Lugu i Zi po në Tropojë.
Në zonën e Hasit pikat e vrojtimit në kufi të majës së Podgurit, majës së Zezë dhe majës së Krajlicës janë okupuar nga forcat serbe. Në pikën e Podgurit janë kryer dhe minime.
Në datën 13/05/1999 një numër i madh ushtarësh serb kanë hyrë rreth 2 km në brëndësi të territorit shqiptar. Më 19 predha është goditur fshati Padesh. Nga bombardimet me artileri të fshatit Sallah të Kamenicës vriten 2 civilë dhe plagosen 15 të tjerë. Goditet gjithashtu qafa e Prushit në rrethin e Hasit.
A është menduar ndonjëherë se rritja e numrit të viktimave në radhët e civilëve në anën jugore të kufirit forcon më tej mendimin mbi natyrën dhe fytyrën e krimit të ushtrisë jugosllave?
Datë 15/05/1999 goditet me disa predha artileri fshati Golaj. Goditet fshati Dobrunë dhe një numër ushtarësh serb penetrojnë rreth 600 metra brënda kufirit shqiptar. Në ujrat e liqenit të Shkodrës pranë fshatit Shegan është plagosur me armë zjarri një i ri 28 vjeçar.
Në datën 16/05/1999 artileria serbe godet me predha mortajash të kalibrit të rëndë në Tropojën e Vjetër dhe segmentin rrugor që e lidh atë me qytetin e B. Currit.
Në datën 17/05/1999 forcat serbë granatojnë me artileri fshatin Letaj, Dobrunë dhe Pogaj në zonën e Hasit. Disa predha artilerie kanë rënë afër përsëritësit televiziv të RT Shqiptar.
Datë 18/05/1999 artileria serbe godet fshatin Zogaj në Tropojë dhe fshatin Vllahen në Has. Në këtë të fundit ka pasur për disa orë shkëmbime zjarri midis kufitarëve shqiptarë dhe forcave serbe të cilat tentuan të futen në brëndësi të territorit shqiptar.
Datë 19/05/1999 reparte të ushtrisë serbe hapën zjarr për rreth 60 minuta ne drejtim të fshatit Zherkë në Tropojë.
Datë 21/05/1999, fshati Dobrunë goditet nga armët e ushtrisë serbe. Gjurmë të shumta plumbash në shtëpitë e fshatit, të cilat janë braktisur nga banorët.
Datë 24/05/1999 kanë rrifilluar bombardimet serbe me artilerinë zonën e Hasit. Në fshatin Vllahen hidhen 6 predha. Në orët e vona të natës bombardohen fshatrat Letaj e Pogaj.
Datë 26/05/1999, predha artileri në thellësi të tokës sonë në drejtimin e Qafës së Prushit. Shkëmbime zjarri me armë automatike në Dobrunë. Në zonën e Kamenicës bien 12 predha artilerie dhe dëmtohen shumë shtëpi. Goditet edhe zona e Padeshit. Në drejtim të Zherkës dështon një tentativë e forcave serbe për të depërtuar në thellësi.
Datë 27/05/1999, në pikën kufitare të Morinit ka pasur shkëmbime zjarri me armë automatike, ndërkaq në territorin matanë sipas të dhënave të të shpërngulurve vërehen përqëndrime të shumta në forca dhe mjete të ushtrisë serbe. Ndërkohë goditen me artileri fshatrat Cahan dhe maja e Pashtrikut.
Përqëndrimi i trupave shqiptare në grykën e Morinit dhe qitjet e artilerisë dhe të tankeve i vënë në gjëndje alarmi shtabet jugosllave.
Në datën 28/05/1999, bombardimet e artilerisë serbe kanë shkatërruar shtëpi të lagjes Mariç në Pogaj të Hasit. Është goditur dhe fshati Kishaj, Vllahen dhe kryhet minim me mina tip “kasetë”. Kjo kryhet dhe në fshatin Bardhoc. Në Dobrunë shkatërrohet posta kufitare dhe plagoset një polic. Gjatë gjithë natës janë kryer goditje me artileri dhe mitralime në drejtim të kufirit në rrethin e Hasit, veçanërisht në faqen verilindore të malit të Pashtrikut.

Në datën 30/05/1999, 4 predha artilerie ranë në fshatin Zherkë të rrethit të Tropojës rreth 800 metra në brëndësi të kufirit shqiptar. Afër mesnatës ushtarët serbë kanë goditur me pushkë snajper dhe breshëri mitrolozi në drejtim të fshatit Pogaj. Artileria sërbe ka granatuar fshatin Cahan me rreth 30 predha dhe vazhdon bombardimin e zonës së Gorozhupit reth 1 km në brëndësi të kufirit shqiptar. Dy avionë serbë kanë shkelur hapsirën ajrore duke fluturuar mbi fshatrat Pogaj, Kishaj e Domaj dhe më pas largohen në drejtimin e Kosovës.
Përshkallëzimi i veprimeve ushtarake nga ajri me angazhim të avionëve gjuejtës bombardues, tregojnë se shtabet jugosllave nuk e kanë më në dorë situatën.
A e kishin menduar ndonjëherë se do të përballeshin me potencialin politiko ushtarak të Aleancës?
Datë 31/05/1999, gjashtë predha të artilerisë serbe kanë goditur qytetin e Krumës, 150 metra larg spitalit civil. Mendohet se në atë spital janë të shtruar të lënduarit nga luftëtarët e UÇK-së.
Kush ua jep të drejtën të godasin mbi qëndrat e banuara?
Datë 01/06/1999, artileria serbe godet fshatin Morinë në Kukës duke shkatërruar rrjetin elektrik dhe doganën e Morinit, godet fshatrat Bardhoc dhe Pogaj. Artileria serbe i ka shtrirë bombardimet tashme gjatë gjithë kufirit Kosovë Shqipëri. Në mbrëmje vonë, për disa minuta rresht, është goditur nga ushtarët serbë pika kufitare e Zherkës në Tropojë. Çfarë synojnë shtabet jugosllave duke e mbajtur tërë vijën e kufirit shtetëror nën goditjet e artilerisë?
Ata nuk do të mundnin kurrë të izolonin UÇK-në dhe as të frikësonin shtetin shqiptar. Tashmë kundër tyre ishte gjithë bota.
Datë 03/06/1999, goditet me granata e predha tymuese fshati Kishaj i rrethit të Hasit për më shumë se 30 minuta.
Datë 04/06/1999, artileria serbe bombardon në orët e para të mëngjezit fshatrat Letaj dhe Dobrunë. Në shënjestër ka qënë dhe përforcuesi i RTSH në Oplas. Si pasojë e bombardimeve në zonën e Pogajt është dëmtuar dhe antena televizive e TV Kukësit, sinjali i të cilit transmetohej edhe në drejtim të Kosovës. Për herë të tretë është zbrapsur një tentativë e forcave serbe për të hyrë në brëndësi të territorit tonë në afërsi të fshatit Zherkë ku ka pasur shkëmbime zjarri me armë automatike dhe artileri për më se 2 orë. Në rrethin e Hasit në fshatin Kishaj janë hedhur 34 predha dhe në fshatin Vlahen 8 predha artilerie. Është hera e katërt që goditen objektet e difuzionit televiziv.
Publikimi i të vërtetës i trëmb agresorët.
Datë 05/06/1999, artileria serbe bombadon teritorin e Pashtrikut, lagjen Mariç të Pogajt si dhe fshatrat Golaj, Vllahen, Helshan, Perollaj, Dobrunë, Peraj dhe Kishaj. Bombardohen me artileri fshatrat Kamenicë dhe Padesh në Tropojën e Vjetër.
Datë 06/06/1999, nga granatimet serbe banorët e Morinit dhe të Bardhocit në Kukës pjesërisht janë larguar nga shtëpitë e tyre. Po kështu dhe nga komuna e Golajt në rrethin e Hasit.
Datë 07/06/1999, bombardimet serbe kanë vazhduar nga piramida C3 në Padesh, në Tropojë të Vjetër, në Gegaj dhe Kamenicë. Goditet Qafa e Prushit me 4 predha dhe plagoset një ushtar shqiptar. Fshati Pogaj goditet me 10 predha artilerie.
Datë 08/06/1999, fshati Llugaj pranë qytetit të “Bajram Currit“, afërsisht 25 km në thellësi të territorit shqiptar goditet me 7 predha artilerie. Për herë të katërt forcat serbe tentojnë të hyjnë në brëndësi të territorit shqiptar por ato sbrapsen nga forcat tona në drejtimin e qafës së Morinit Tropojë.
Kundërveprimi energjik i artilerisë dhe tankeve të ushtrisë Shqiptare ju kujton serbëve se dhe ky vend ka zot. Nga predhat e artilerisë serbe është rrafshuar më shumë se gjysma e shtëpive të fshatit Pogaj në rrethin e Hasit.
Datë 09/06/1999, deri tani sipas të dhënave nga granatimet e pandërprera serbe janë larguar nga fshatrat e rretheve Tropojë, Has dhe Kukës mbi 15 mijë shqiptarë të cilët janë kthyer në refugjat brënda vendit tonë. Fshatrat Letaj, Dobrunë dhe lagja Xhebecije në Golaj goditen me 10 predha artilerie. Një lagje e qytetit të Krumës goditet me 4 predha artilerie duke ndërprerë për herë të dytë energjinë elektrike.
Datë 10/06/1999, ka vazhduar goditja me artileri mortajë e fshatit Vlahen për më shumë se 30 minuta. Është goditur dhe fshati Zogaj në rrethin e Tropojës.
Edhe në ditët e fundit të agonisë së tyre morale e ushtarake serbët nuk reshtën së provokuari dhe goditur tokën shqiptare me artilerinë e tyre nga prapa kufirit. Turp……
Në të gjithë ballafaqimet me forcat tona në terren ata janë tërhequr, duke lënë pas edhe materiale luftarake. Populli ynë e di shumë mirë se nga distanca dhe “prapa gardhit” të vret kushdo.
Të tillë janë edhe serbët. Edhe një herë TURP.
(VIJON)
© Pashtriku.org
———————————
PSIKOLOGJIA E LUFTËS KUNDËR LUFTËS / NЁ PЁRMBYLLJE – FLASIN PROTAGONISTЁT (8)
NGA SULEJMAN ABAZI (Komandanti i Divizionit të Tiranës – ’98 – ‘99 – Kujtime