ZONA OPERATIVE E SHALËS NË SHTYPIN E KOSOVËS DHE SHQIPËRISË (1998-1999)

ZONA OPERATIVE E SHALËS NË SHTYPIN E KOSOVËS DHE SHQIPËRISË (1998-1999)

Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte e shtrirë në gjithë Kosovën. Struktura e UÇK-së përbëhej nga Shtabi i Përgjithshëm dhe 7 zona operative.1 Zona Operative e Shalës, e formuar më 28 qershor 1998, ishte njëra nga zonat operative. Komandant i saj ka qenë Rrahman Rama. Shtrihej në Komunat e Mitrovicës, Vushtrrisë, Leposaviçit dhe Zubin Potokut. Kufizohej me Zonën Operative të Drenicës dhe Zonën Operative të Llapit. Përbëhej nga dy brigada: Brigada 141 “Mehë Uka” dhe Brigada 142. Brigada 141 përbëhej nga katër batalione, Njësia Speciale dhe Njësia për Intervenime të Shpejta, kurse Brigada 142 kishte dy batalione dhe Njësinë Speciale. ZOSH-i ishte e strukturuar në brigada, batalione, kompani, togje, skuadra deri në grup. Kishte rreth 2500 ushtarë. Luftimet, betejat më të ashpra janë zhvilluar kryesisht në fshatrat Pantinë, Ashlan dhe në fshatrat tjera rrëzë Qyqavicës, por edhe në Mazhiq, Melenicë, Kaçanoll, Pasomë…etj. Veprimet e saj luftarake kanë zënë një hapësirë të konsiderueshme në shtypin e kohës: Kosovë, Shqipëri, Serbi, Mali i Zi, Gjermani, Britani, SHBA etj. Në fokus të këtij punimi janë veprimet luftarake të UÇK-së kundër forcave të policisë dhe ushtrisë jugosllave dhe mënyra se si ato veprime janë paraqitur në shtypin shqiptar në Kosovë dhe Shqipëri.

Nga Miftar Kurti

Për luftën e UÇK-së në Zonën Operative të Shalës janë shkruar dhe botuar qindra artikuj nëpër gazeta dhe revista në gjuhën shqipe. Për veprimtarinë e saj kanë shkruar këto gazeta e revista: Bujku, Kosova sot, Koha ditore, Rilindja, Bota e re, Kombi, Gazeta shqiptare, Ushtria, Revista ushtarake, Zëri i popullit, Rilindja demokratike etj. Janë botuar lajme, kronika, reportazhe, kumtesa, raporte të këshillave, organizatave, institucioneve vendore dhe të huaja; intervista, opinione, deklarata; analiza, komente etj. Për aq sa kemi ne informata veprimet luftarake të ZOSH-it, janë të pranishme në shtypin shqiptar nga muaji qershor i vitit 1998 deri në përfundim të luftës në qershor 1999 dhe janë botuar diku rreth 300 artikuj në faqet e këtyre gazetave dhe revistave.

Epopeja e UÇK-së në Prekaz (5-7 mars 1998), në Gllogjan (22 mars 1998), pastaj Beteja e Bardhit (Bellaqevcit) etj., u kanë paraprirë shumë aksioneve, sulmeve, betejave dhe veprimeve tjera luftarake të UÇK-së në gjithë Kosovën, pra edhe në ZOSH. Beteja e Bardhit ka zënë hapësirë të konsiderueshme në shtypin shqiptar të kohës, kurse jehona e saj kishte kaluar kufijtë e Kosovës. Në vazhdim po shkëpusim fragmente nga artikujt e botuar në shtypin e kohës.

Më 23.06.1998, në një mëngjes të hershëm kur njerëzit dolën për të shkuar në punë e kush për obligime të tjera, u pa tërë mrekullia e asaj që njerëzit shushurisnin ditë më parë e që ishte një gjë e pamundur për të gjithë banorët e kësaj ane. Mrekullia e kësaj ëndrre u pa në realitet me të lindur dielli i ditës 23 qershorit, ku njësitet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kishin vendosur postbllokun e tyre vetëm disa dhjetëra metra larg kazermës ushtarake jugosllave në Sllatinë, që supozohet të jetë njëra ndër kazermat më të mëdha në Kosovë. Ata kishin vënë nën kontroll Mihjen sipërfaqësore “Kosova” të Bardhit të Madh dhe disa fshatra përreth Fushë-Kosovës. Marrja e kësaj ane ishte bërë vetëm brenda një nate dhe atë pa rezistencën më të vogël të policisë ushtarake serbe2… Tri ditë më pas, qysh në orën 6 të mëngjesit, zinxhirët e mbi 100 tankeve, autoblindave, mjeteve të tjera motorike zgjuan nga gjumi banorët e fshatrave të Fushë-Kosovës, të cilat u vendosën në pishat e Sllatinës së Madhe dhe bënë një përforcim në kazermën ushtarake të Pomozotinit.3

Nga artikujt e tjerë të gazetave që flasin për këtë betejë kuptojmë se forcat jugosllave vetëm brenda një dite kishin futur në lëvizje kundër UÇK-së 74 tanke, 72 automjete transportuese, 2 ambulanca, 8 autobusë përplot ushtarë. Gjatë luftimeve numri i forcave jugosllave do të arrijë diku 5000 ushtarë, kurse vija e frontit ishte e gjatë diku rreth 20km. Me këtë betejë praktikisht UÇK iu kishte afruar Prishtinës, kryeqytetit të Kosovës diku 7-8 km. Forcat jugosllave kishin pësuar humbje të konsiderueshme, ndryshe nga ato të UÇK-së që nuk kishin pasur asnjë të vrarë as të plagosur.4 Një nga të veçantat e kësaj beteje, sipas shtypit, ishte fakti se UÇK me këtë synonte ta detyronte faktorin ndërkombëtar të lëvizë, ta kthejë kokën e të shohë çfarë po ndodh në Kosovë. Sepse lufta në Kosovë ishte e pashmangshme, se luftimet ndërmjet UÇK-së dhe forcave të okupatorit po zhvilloheshin vetëm pak kilometra larg kryeqytetit.5 UÇK me këtë rast duket se e kishte arritur qëllimin, ngase ajo betejë pati bërë bujë të madhe edhe në media të huaja. Nuk ishte e rastit, prandaj, se me të do të merret edhe Agjencia REUTERS. Korrespodenti i kësaj Agjencie prestigjioze, Kurt Schrok, nga vendi i ngjarjes raportonte kështu:

Kryengritësit etnikë shqiptarë kanë futur në dorë Mihjen sipërfaqësore në perëndim të kryeqytetit të Kosovës, Prishtinës, ndërsa janë duke u kryer patrullime ditore me armë në duar m’u në pjesën nga i cili vend syri mund të shoh qartë kryeqendrën. Kontrollin e minierës dhe fshatrave Bellaqevc, Grabovc dhe Hade e ka marrë UÇK-ja të hënën.6

Kur flasim për këtë betejë nuk mund të thuhet se kjo betejë u zhvillua vetëm në zonën e përgjegjësisë të një zone operative, sepse atëherë ende nuk ishin përcaktuar as “kufijtë” e nënzonave dhe zonave operative. Mirëpo, kjo i parapriu edhe betejave të tjera të ZOSH-it.

Një betejë tjetër e zhvilluar në qershor në zonën e përgjegjësisë të Nënzonës Operative të Shalës (NZOSH) është edhe Beteja e Pantinës. Beteja në fjalë ishte imponuar si rezultat i provokimeve dhe tentimeve të forcave serbe që të hynin në fshatin shqiptar në Pantinë. Fshatarët e Pantinës, në bashkëpunim me forcat e UÇK-së ishin mobilizuar për t’iu kundërvënë forcave serbe, të cilat ishin s’mbrapsur. Në këtë ballafaqim ishin plagosur dy shqiptarë.7 Fshatrat shqiptare (Pantinë e Okrashticë-M.K.) ishin sulmuar me autoblinda dhe tanke nga tri drejtime: afërsi e fshatit Pantinë, fshatit Liqej dhe nga hyrja e Akrashticës.8 Granatimet e këtyre dy fshatrave do të vazhdojnë disa ditë nga forcat jugosllave nga dy drejtime: Frashëri dhe Taraxha.9 Në gazeta të ndryshme të kohës janë botuar edhe artikuj të tjerë ku raportohej për “luftime në Kosovë që nga brezi kufitar e deri në Shalë të Bajgorës;10 për rezistencë të fortë të luftëtarëve të UÇK-së për rreth Minierës “Trepça” në Stantërg, te Ura e Fazlisë, në fshatin Mazhiq, në Trepçali; për vendosje të postblloqeve në Tunelin e Parë dhe në Trepçë, por edhe për zhvendosje të popullatës nga lagjet dhe fshatrat për rreth Minierës “Trepça” si pasojë e luftimeve; për sulme kundër njësiteve të UÇK-së dhe popullatës shqiptare me artileri të forcave jugosllave nga Kazerma Ushtarake në Kutllovc, nga Kodra e Zherovnicës dhe nga Baza Ushtarake në Bajskësi dhe për përforcime të vazhdueshme të forcave ushtarake e policore me njësite dhe armatim etj.11

Krahas luftimeve (në muajin korrik) rreth Minierës “Trepça” (në fshatrat Mazhiq, Melenicë etj.) përgjatë muajit gusht 1998 luftimet kthehen edhe në fshatin Pantinë. Beteja e Pantinës është dëshmi se luftimet shkojnë duke u zgjeruar dhe intensifikuar. Sepse, që nga mëngjesi i 6 gushtit 1998, forca të mëdha ushtarake dhe policore lëviznin nga dy drejtime (nga fshati Frashër dhe Vushtrria) duke sulmuar njësitet e UÇK-së atje. Pantina, do të granatohet me shumë predha nga topa të kalibrit 155mm dhe me mitraloza të rëndë. Për pasojë do të vritet Jeton Tërrstena dhe do të plagosen Ferki Aliu dhe Basri Sejdiu, Xhemajl Mehmeti e Xhevat Mehmetiqë ishin pjesë e Njësiteve të UÇK-së të NZOSH.12 Artikujt e gazetave njoftojnë edhe për luftime tjera gjatë muajit gusht edhe në fshatrat e rajonit të Shalës së Bajgorës, me këtë rast gazetat britanike “Dejli Telegraf” dhe “The Indipendent” shkruajnë se “Kryengritja në Kosovë ishte gjallë”.13

Ndërkohë që gazeta “Rilindja”, 22 gusht 1998, duke ju referuar gazetës serbe “Blic”, qysh në muajin gusht, do të paralajmëroi një ofensivë shfarosëse në rajonin e Shalës dhe Qyqavicës, e cila ndodhi në muajin shtator për të cilën të janë botuar dhjetëra artikuj.14 Artikujt ofrojnë të dhëna edhe për “Ofensivën” e forcave jugosllave në pjesën e dytë të muajit shtator 1998 kundër njësiteve të UÇK-së dhe popullsisë shqiptare në fshatrat e Shalës së Bajgorës dhe Llapit; për sulme të pareshtura me tanke mbi fshatrat: Kutllovc, Mazhiq, Melenicë, Rahovë, Rashan, Tërrstenë, Bare, Zjaçë; për vazhdimin e luftimeve në trekëndëshin Mitrovicë-Vushtrri-Podujevë; për djegie brenda një dite të dhjetëra fshatrave në këtë rajon dhe për dhjetëra policë dhe ushtarë serbë të vrarë etj.15 Gazetat raportojnë edhe për faktin se si nga Dobratini (Llapi-M.K.) granatohej Shala; se si çdo gjë i nënshtrohej tymit e flakës dhe se çdo gjë rrafshohej me tokë; se si për një pasdite shumë shtëpi ishin shndërruar në gërmadha; se si forcat serbe kishin shkatërruar fshatra të tëra,16 etj. Kësaj ofensive të policisë dhe ushtrisë serbo-malaziase me mijëra trupa dhe artileri të rëndë po i kundërpërgjigjej me të gjitha forcat UÇK me njësitet e saj. Dëshmi për këtë është Komunikata nr.54 e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, botuar te “Bota e re”. Në atë komunikatë ndër të tjera thuhet: Ushtria Çlirimtare e Kosovës në nënzonat e Shalës dhe Llapit, prej 15 deri më 18 shtator është përballur me ofensivën e armikut, përbërë nga mijëra ushtarë e policë serbë, por edhe nga mercenarë rusë e rumunë, me mbi 250 tanke e mjete të tjera të armatosura dhe artileri të rëndë.17 Kurse, sipas Komunikatës nr.55 të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, lufta e popullit tonë po futej në fazën e sigurt të ballafaqimit përfundimtar me armikun shekullor.18

Në rajonin e Shalës së Bajgorës armiku kishte angazhuar një korpus ushtarësh e mercenarësh të ndryshëm rusë, rumunë etj.19 Megjithatë, ushtarët e efektivit të Mazhiqit me muaj të tërë para kësaj ofensive, stoikisht ishin përballur me sulmet e pandërprera të armikut, duke qëndruar përherë nën predhat e granatahedhësve, tankeve e të artilerisë nga pozicionet serbe. Ashtu ishte edhe në vijat e tjera të frontit si në Melenicë, Rahovë, Pasomë e sektorët e tjerë. Rajoni i Shalës ishte i rrethuar dhe sulmuar nga Mitrovica, Podujeva, Vushtrria, Zherovnica etj. Në këtë ofensivë ishin angazhuar mbi 420 automjete të blinduara, mbi 180 tanke, si dhe mjete të tjera, si autoblinda, praga etj. Është parë që armiku kishte ngarkuar dy kamionë me ushtarët e tyre të vrarë. Humbje kanë pasur edhe në Kaçanoll, ku është rezistuar në bashkëveprim me njësitet e Zonës së Llapit. Njësitet e UÇK-së kanë arritur ta evakuojnë e të ruajnë edhe popullatën civile, megjithatë armiku, duke përdorur arsenalin e madh të armatimit, kishte shkatërruar fshatra të tëra. Armiku ishte përpjekur ta fshinte nga faqja e dheut UÇK-në, mirëpo këtë nuk e kishte arritur.20

Gjatë Ofensivës së 15-18 Shtatorit në Shalë të Bajgorës, sipas shtypit, ishin vrarë 11 ushtarë dhe civilë shqiptarë, 3 ishin plagosur dhe 3 ishin zhdukur; 19 mijë banorë ishin zhvendosur nga shtëpia e tyre, 4 shkolla ishin shkatërruar, fshatra të tëra ishin djegur etj.21 Megjithatë, numri i të vrarëve dhe të plagosurve civilë e ushtarë ishte më i madh se sa raportohet në shtypin e kohës.22

Një ofensivë e përmasave të njëjta si në Shalën e Bajgorës ishte ndërmarrë edhe në rajonin e Qyqavicës që nga 22 shtatori, e cila zgjatidisa ditë dhe për të cilën raportohet në të përditshmet shqiptare.23 “Djegie të fshatrave Vërnicë, Vaganicë, Pirç dhe Ashlan”, “Tragjedi njerëzore në fshatrat rreth Qyqavicës”, etj. janë vetëm disa nga titujt e gazetave të kohës.  Nëse i referohemi shtypit, si pasojë e kësaj ofensive në rajonin e Qyqavicës do të mbesin të vrarë 12 shqiptarë dhe 8 tjerë do të plagosen, shumë të vdekur kishin mbetur brigjeve të Sitnicës. Vetëm në Komunën e Vushtrrisë, në ofensivë ishin përfshirë 62 për qind e fshatrave, 37 fshatra ishin boshatisur nga popullata, e cila ishte përndjekur nga ofensiva e forcave jugosllave. Ishin granatuar 18 fshatra, kurse ishin djegur pothuajse tërësisht fshatrat: Gllavotin, Zhilivodë, Bivolak, Beçuk, Pantinë, Pasomë, Dubovc, Gurabardh, Taraxhë, Liqej, Balincë, Okrashticë dhe Shtitaricë. Komesarja e Lartë e OKB-së, Sodaka Ogata, pas një vizite që kishte bërë kishte folur për një tragjedi njerëzore në fshatrat për rreth Qyqavicës.24

Forcat jugosllave në këtë ofensivë kishin vrarë dhjetëra shqiptarë, kurse rreth 350 civilë ishin burgosur, diku 30 mijë civilë ishin zhvendosur nga fshatrat e Vushtrrisë dhe Qyqavicës, etj.25 Thjesht, kishim të bënim me një ofensivë të organizuar të ushtrisë serbe dhe të shumë mercenarëve në radhët e saj; ofensivë në të cilën morën pjesë diku 400 tanke, rreth 250 transportierë, autoblinda, praga etj., si dhe një korpus ushtarësh.26 Mirëpo, ishim të organizuar ushtarakisht dhe të stërvitur, kështu që ia dolëm të bëjmë një rezistencë të paparë, duke i shkaktuar dëme të mëdha armikut si në teknikë ashtu edhe në njerëz dhe ta evakuojmë popullatën e Shalës dhe Qyqavicës duke e grumbulluar në një vend dhe duke i krijuar vetës hapësirë që të përballemi me armikun dhe të luftojmë me të fyt për fyt.27

Rezistencë e madhe ishte bërë në anën e Zhilivodës, Beçukut dhe nga ana e Oshlanit në rajonin e Qyqavicës.28 Ofensiva (në Qyqavicë-M.K.) kishte zgjatur tri ditë e tri net. Shkiet granatonin edhe natën. Luftimet ishin zhvilluar në afërsi 100-150 metra, prandaj armikut iu pamundësua edhe përdorimi i dikurshëm i artilerisë së rëndë kundër UÇK-së”.29 Vukovari (Kroaci-M.K.) ishte lojë fëmijësh karshi asaj që u pa në Shalën e Bajgorës.30

Se barbarizmi i forcave jugosllave kundër civilëve shqiptarë gjatë Ofensivës së shtatorit ishte i papërshkrueshëm më së miri flet kjo dëshmi (deklaratë) e një gruaje shqiptare nga fshati Kçanoll, e cila kishte mbijetuar gjatë ofensivës në Shalën e Bajgorës: “…Unë ia vura re babait mirë litarin në dorë. Atëherë e kam vënë re aty afër një gisht të vogël të dorës së babait… Ata gjatë gjithë natës se lume e kishin pas masakruar kufomën e tij. Dorën e djathtë prej bërrylit e poshtë nuk e kishte fare, ndërsa edhe tjetrës ia kishin prerë pëllëmbën. Egërsisht”.31

Pas luftimeve që zhvillonte aso kohe UÇK-ja në Kosovë, pra edhe në zonën e përgjegjësisë të ZOSH, shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare, në një intervistë dhënë shtypit të kohës, duke folur për Kosovën flet edhe për UÇK-në dhe veprimet e saj, do të shprehet: “Shfaqja e UÇK-së nuk është shenjë e flijimit të Kosovës, por të rilindjes së saj”.32 Kurse poeti dhe profesori Agim Vinca, duke folur për rolin dhe rëndësinë e Protestës së 1 tetorit 1997, për UÇK-në dhe luftën e saj do të shprehet:

UÇK e ringjalli moralin dhe krenarinë e nëpërkëmbur të popullit dhe rinisë liridashëse të Kosovës, e zhveshi në masë të madhe, por jo përfundimisht, farsën tragjikomike të një klani mashtrues e manipulues politik dhe angazhimin e tij fals për kinse pavarësinë e Kosovës dhe, së fundi (e që mund të jetë me rëndësi të dorës së parë), e ktheu vëmendjen e bashkësisë ndërkombëtare dhe të opinionit demokratik botëror kah Kosova dhe çështja e saj e pazgjidhur, e cila tani, në këta muajt e fundit, falë rezistencës së armatosur të bijve të denjë të Kosovës dhe sakrificave të shumta të popullit të saj, ka arritur shkallën më të lartë të ndërkombëtarizimit, duke iu afruar kështu zgjidhjes së saj përfundimtare.33

Të gjitha djegiet masive, krimet dhe masakrat e ndryshme, forcat serbe i kryen në interes të arritjes të të vetmit qëllim të tyre strategjik – asgjësimin e UÇK-së, duke lënë atë pa prapavijë (logjistikë). Mirëpo, serbët i bënë hesapet pa hanxhiun, do të shprehet aso kohe analisti dhe ushtaraku shqiptar, Shpëtim Golemi (Dilaver Goxhai), në Revistën ushtarake nr.2, tetor 1998.34 Ushtaraku Golemi vjen në përfundim se gjatë ofensivës korrik-shtator 1998, Forcat e Armatosura të Serbisë, policia e saj dhe forcat paramilitare mundën që t’i impononin UÇK-së vullnetin e vet në formën e luftimeve, por jo ta asgjësonin atë, pavarësisht se Serbia i përdori të gjitha llojet e armëve me forcë e sasi të madhe.35 Veprimet luftarake në zonën e përgjegjësisë të ZOSH janë të pranishme në faqet e shtypit edhe në vitin 1999, madje duke filluar nga ditët e para të javës së parë të muajit janar. Aty ka zënë hapësirë edhe vrasja në pritë në fshatin Smrekonicë (Komuna e Vushtrrisë), më 3 janar 1999, e ndihmëskomandantit për Logjistikë në Zonën Operative të Shalës, Xhevat Jusufi dhe plagosja e Zymer Halimit-zëvendëskomandant i Brigadës 141 “Mehë Uka” të ZOSH.36

Një ngjarje tjetër që ka zënë hapësirë të konsiderueshme, duke u shndërruar madje në top lajm në faqet e shtypit në Kosovë e Shqipëri, është ajo që ka të bëjë me zënien rob të 8 ushtarakëve të UJ-së nga njësitet e UÇK-së të ZOSH, më datë 8 janar 1999, dhe arritja e marrëveshjes (13 janar 1999) për shkëmbimin e robërve të luftës. Me këtë rast qenë shkëmbyer 9 ushtarë të UÇK-së me 8 ushtarakë serbo-malazias. Se sa është shkruar e thënë në media të shkruara për ngjarjen kemi folur më gjerësisht në kapitullin Lufta e drejtë dhe e pastër e UÇK-së-shkëmbimi i robërve të luftës37 dhe Këmbimi i robërve të luftës në ZOSH sipas shtypit të kohës.38 Megjithatë, mendoj se është me interes të dihet se për zënien rob dhe arritjen e marrëveshjes mes UÇK-së dhe UJ-së me ndërmjetësimin e OSBE-së kanë shkruar “Koha ditore”, “Kosova sot”, ”Rilindja”, “Bota e re”, “Kosova Press”, “Zëri i popullit”, “Ushtria”, etj. Vetëm për këtë ngjarje janë shkruar diku rreth 60 artikuj në shtypin shqiptar në Kosovë dhe Shqipëri.39 Natyrisht nuk kanë mbetur pa u përmendur dhe regjistruar edhe luftimet te “Ura e Gjakut” dhe te Xhamia në Shipole njësiteve të kësaj zone operative në njërën anë dhe forcave jugosllave në anën tjetër; luftimet në Vaganicën e Poshtme dhe Vaganicën e Epërme, por edhe në Vërnicë, sepse forcat serbe kishin atakuar çdo gjë shqiptare.40

***

Edhe gazetat e muajve shkurt e mars shkruajnë për luftime të intensitetit të lartë. Ato njoftojnë (në muajin shkurt) edhe për një “Plan sekret të forcave serbe”. Në këtë Plan sekret, siç thuhej, parashihej ndër të tjera edhe spastrim i tërësishëm të rrafshinës në lindje të lumit Sitnica, pastaj që t’i shkaktoheshin humbje sa më të mëdha forcave të UÇK-së. Për këtë gjë në Mitrovicë ishte vendosur edhe Brigada 80 e motorizuar nga Kragujevci.41 Me synimin për të zbatuar planin në fjalë, më 22 shkurt, në orën 9:45 forcat e shumta serbe, me tanke, autoblinda e pizgauerë kishin tentuar t’i thyejnë pozicionet e mbrojtjes të zonës që e mbulonte Batalioni i Dytë i Brigadës 142 të ZOSH. Po ashtu, luftimet do të shpërthejnë edhe në Pantinë dhe Akrashticë. Si rezultat i një lufte të rreptë, forcat jugosllave kishin pësuar humbje, duke lënë të vrarë dhe të plagosur. Kështu, rreth orës 10:00, ishte bllokuar spitali i Mitrovicës, dhe aty ishin parë duke u vendosur ushtarë serbë të plagosur.42 Fshatrat e Komunës së Mitrovicës dhe Vushtrrisë: Shtitaricë, Bukosh, Liqej, Dolak, Pantinë, Akrashticë, Balincë, Vaganicë, Pirç, Vërnicë, Mihaliq, Sallç, Druar, Kçiq i Madh, Zhilivodë, Beçuk, Strofc, Melenicë, Preten, Vidishiq, Mazhiqetj,43 do të shndërrohen në arenë luftimesh ku do të mbesin shumë të vrarë dhe të plagosur nga të dy palët. Ngase humbjet e forcave jugosllave po shtoheshin përditë, më 13 mars 1999, do t’u sulen civilëve shqiptarë në Tregun e Mitrovicës, me ç’rast do të bëjnë një masakër ku mbesin të vdekur 7 e 58 plagosen.44 Se intensiteti i luftimeve dhe vija e frontit po zgjeroheshin, dëshmon fakti se forcat jugosllave do të ndërmarrin ofensivën e radhës në Shalë. Kështu, sipas shtypit, që nga ora 6:00, e datës 21 mars 1999, te shkolla e Breznicës, ishte përqendruar një konvoj i UJ-së në përbërje prej 26 tankesh, 7 pragash dhe 16 kamionësh me ushtarë. Nga ora 06:30, një tren transportues kishte ardhur nga drejtimi i Rashkës, në të cilin ishin ngarkuar 24 tanke. Kishin ardhur në Mitrovicë dhe kishin vazhduar rrugën në drejtim të Vushtrrisë. Po ashtu, rreth orës 08:30, 19 automjete të forcave serbe, ndër to 3 tanke e 4 autoblinda kishin ardhur nga drejtimi i Rashkës në Mitrovicë dhe prej aty kishin vazhduar rrugën në drejtim të Stantërgut. Rreth orës 10:30, një konvoj me 40 automjete ushtarako-policore serbe kishte ardhur nga drejtimi i Rashkës në Mitrovicë dhe kishte vazhduar rrugës për në Vushtrri.45  Pikërisht më 21 mars 1999 kishte filluar një ofensivë e re kundër fshatrave të rajonit të Shalës së Bajgorës, në zonën e përgjegjësisë të Brigadës 141 “Mehë Uka” të ZOSH. Burimet nga terreni njoftonin se ditën e martë, më 21 mars, këmbësoria e forcave ushtarako-policore serbe kishte tentuar që të hynte në fshatrat Melenicë, Vidishiq, Mazhiq, mirëpo njësitet e Brigadës 141 “Mehë Uka” të ZOSH me sukses kishte zmbrapsur forcat serbe. Në mesditë luftimet ishin përhapur edhe në afërsi të Stantërgut. Njoftohej për humbje ndër forcat ushtarake serbe. Një helikopter disa here kishte aterruar në kazermën ushtarake në Mitrovicë dhe nga autoambulancat kishin sjellë të plagosur në Spitalin e Mitrovicës.46

Nga data 24 mars 1999 e tutje, me fillimin e bombardimeve të NATO-s, shtypi në Kosovë, për aq sa kemi arritur të hulumtojmë nuk botohet për shkak të rrethanave të krijuara. Kjo përbën një hendikep të madh. Prandaj, një nga burimet e vetme, në mos vetmi, mbetët Agjencia “Kosova Press” dhe Radio Kosova e lirë, mirëpo aty-këtu disa shkrime, disa artikuj i gjejmë në gazetat e Shqipërisë, Serbisë, SHBA-së etj. Luftës së UÇK-së në ZOSH i kanë dhënë hapësirë të konsiderueshme edhe në gazetat shqiptare në Shqipëri, siç janë: Zëri i Popullit, Rilindja, Rilindja Demokratike, Gazeta Shqiptare, Ushtria, Revista Ushtarake etj., që e kanë pasqyruar veprimtarinë luftarake të ZOSH. Se ka qenë kështu mjafton t’i përmendim me këtë rast disa nga titujt e artikujve të gazetave dhe revistave, siç janë: “Aspekte të veprimeve ushtarake në Kosovë”, “Pse UÇK-ja humbi kontrollin në shumë territore të saj”,47 “Luftime rreth minierës “Trepça” në Staritërg”, “Barbarët nuk ndalen”, “Vritet Xhavit (Xhevat-M.K.) Jusufi”, “Tiranë: Kosova zgjidhje afatgjate”, “Ka një ligj për robërit e luftës”,“Alarm për 8 serbë të zënë rob”,“Lirohen tetë robërit serbë”, “UÇK djeg skenarin kriminal serb”, “Shmanget një masakër”, “A do të lirohen 9 “pengje” shqiptare”?,“Fundi i Millosheviqit”, “Ku mund të jesh më sigurt se në UÇK”, “Filluan bombardimet serbe”, “UÇK në mbrojtje të popullit”, “Spastrimi etnik në veri të Kosovës”, “Vrasjet nuk kanë të ndalur”, “Beogradi, shkelës i marrëveshjeve”, “Përforcime serbe në Kosovë”,“Vazhdojnë luftimet rreth malit të Qyqavicës”, “Ky është akti i fundit i barbarisë serbe”,48“Vritet komandanti i një reparti të UÇK-së”, “Kundërsulm i suksesshëm në Llap dhe Bajgorë”, “Luftime në Gumnishtë e Bozhlan (Shala e Bajgorës-M.K.)49 etj. Këta dhe artikuj të tjerë janë botuar në shtypin shqiptar të kohës gjatë periudhës kohore korrik-shtator 1998 dhe janar-mars 1999, kurse në muajit prill-maj 1999, janë të paktë artikujt për shkak të fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe-malaziase.50

Sa i përket qasjes që ka pasur shtypi shqiptar në Shqipëri për UÇK-në, po e huazojmë mendimin e studiueses Afërdita Sokoli, sipas të cilës media e majtë e bëri veprimtarinë e UÇK pjesë të rëndësishme të hapësirës së saj. Ajo u rrek të tregonte se rruga e rezistencës paqësore në Kosovë nuk kishte justifikuar pritshmërinë, pavarësisht disa rezultateve dhe nuk kishte realizuar vullnetin e shqiptarëve. Qasja e medias së djathtë ndaj UÇK-së ndoqi fillimisht rrugën e denigrimit, në vijim të indiferentizmit ndaj afirmimit të saj, duke e finalizuar atë me pikëpamjen e vënies së UÇK nën kontrollin e Rugovës. Megjithatë, këto qasje nuk përjashtuan publikimet edhe në kundërshtim me linjën politike përfaqësuese, apo artikujt objektivë, veçanërisht të gazetarëve të huaj për çështjen në fjalë.51 Zona Operative e Shalës pati konsideratë ndaj gazetarëve. Kësisoj mbante kontakte me gazetarët e gazetave të Kosovës: “Bujku”, “Bota e re”, “Kosova sot”, “Koha ditore” etj., por edhe me ata të gazetës “Kombi” etj.52 Për konsideratën dhe bashkëpunimin e treguar ZOSH, më 27 nëntor 1998, në fshatin Bajgorë, me rastin e shënimit të Ditës së Flamurit Kombëtar, UÇK u ka dhënë mirënjohje korrespodentëve të gazetave të kohës.53  Mirëpo, fillimi i bombardimeve të NATO-s, djegia e çdo gjëje në Kosovë dhe fillimi i deportimit të madh si dhe spastrimit etnik të Kosovës nga gjithçka shqiptare, kishte ndikuar edhe te mediat. Të gjitha, pa përjashtim, ose ishin djegur, ose ishin detyruar të mbyllën dhe të marrin rrugën e “deportimit të madh”. Prandaj, 2-3 muajt e fundit, nëse nuk kemi shumë artikuj të botuar në shtypin e kohës, nuk do të thotë se nuk kishte luftime të ashpra. Bile luftimet më të ashpra dhe më të përgjakshme kanë ndodhur përgjatë muajve prill-maj, mirëpo, ato, fatkeqësisht nuk ishte e mundur të pasqyroheshin në media. Njëra nga arsyet ishte edhe fakti fillimi i bombardimeve të NATO-s mbi caqet jugosllave. Kësisoj, luftimet e UÇK-së kundër forcave jugosllave mbetën (në rrafshin mediatik) nën hijen e bombardimeve mbi caqet ushtarake e policore jugosllave. Prandaj, edhe numri i artikujve nëpër gazeta dhe revista është i reduktuar maksimalisht. Megjithatë, ishte Agjencia Kosova Press, organ i UÇK-së, ajo që mbulonte këto ngjarje dhe raportonte pothuajse për të gjitha betejat që bënin Njësitet e UÇK-së në Kosovë,54 pra edhe në Zonën Operative të Shalës. Një nga artikujt e paktë dhe të fundit që është botuar në gazetat shqiptare, për aq sa dimë ne, që shkruan për veprimtarinë luftarake të ZOSH ishte ai i datës 29 maj 1999, botuar te gazeta Ushtria (Tiranë, 29 maj1999).55 Artikulli në fjalë paraqet luftimet mes njësiteve të Brigadës 141 të ZOSH dhe forcave jugosllave në fshatrat Gumnishtë dhe Bozhlan.

Në fund të këtij punimi duhet them se ZOSH-i kishte bashkëpunim të mirë me shtypin e kohës, prandaj nuk është e rastit që për veprimtarinë e saj janë botuar mbi 300 artikuj. Nga kjo shumësi shkrimesh, artikujsh të botuar nëpër gazeta e revista, vërehet se shumë prej atyre artikujve janë shkruar me profesionalizëm dhe kompetencë, mirëpo ka të tillë që nuk i plotësojnë kriteret elementare profesionale për t’u botuar në ndonjë gazetë a revistë, pavarësisht natyrës së shkrimit, gjinisë apo zhanrit, pavarësisht qëllimit dhe synimit. Mosverifikimi i burimeve, ngatërrimi i datave, i emrave të njerëzve dhe të vendeve, betejave e ngjarjeve; cilësimet: luftë, konflikt, kryengritje, vetëmbrojtje popullore; ngatërrimi i dëshmorit me viktimën, i ushtarit me civilin etj., përbëjnë një problematikë më vete, që mbetët të trajtohet në të ardhmen, sepse këto të dhëna të gabuara, këto lëshime, këto gabime po përsëriten edhe në fushat e pretendimeve shkencore. Sido që të jetë, gjatë shfletimit të shtypit të bien në sy edhe shumë fakte të tjera me rëndësi.56

_____________

Referencat:

1Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Vëllimi 3, Toena, Tiranë, 2009, f.2829.

2 Mrikë Krasniqi, Marrja e kësaj ane ishte bërë vetëm Brenda një nate dhe pa rezistencën më të vogël të policisë ushtarake serbe, Gazeta shqiptare, 30 qershor 1998, f. 16

3 Vjollca…, As paqe, as luftë!, Bota e re, 21 korrik 1998, f. 12.

4 Bujku, 24, 26, 29 dhe 30 qershor 1998; Haqif Mulliqi, Njeriu nuk u lind për vete, por për Atdheun, Reportazh, Kombi, 21 dhjetor 1998, f.14, 15; Koha ditore, 24, 26 qershor 1998.

5 Koha ditore, 24, 26 qershor 1998.

6 Po aty.

7 Bujku, 26 qershor 1998.

8 Bujku, 26, 27 qershor 1998.

9 Kombi, 25 nëntor 1998; Bujku, 29 qershor 1998.

10 Bujku, 13 korrik 1998.

11 Ushtria, 15, 22 korrik 1998; Bujku, 13, 14, 15, 16, 17, 18, 21, 22, 23, 28, 29 dhe 30 korrik 1998.

12 Bujku, 7 gusht 1998; Gazeta shqiptare, 8 shtator 1998.

13 Bujku, 6, 12 dhe 19 gusht 1998.

14 Rilindja, 22 gusht 1998.

15 Koha ditore, 6, 9, 10, 11, 12, 15, 16, 17, 18 dhe 19 shtator 1998; Gazeta shqiptare, 3 nëntor 1998; Bota e re, 23 shtator dhe 1 tetor 1998.

16 Kosova sot, 11, 14, 15, 16, 17, 18, 19 dhe 21 shtator 1998.

17 Kosova sot, 22 shtator 1998.

18 Bota e re, 1 tetor 1998.

19 Izedin Krasninq, Është thirrja e atdheut që duhet të jetë mbi të gjitha (Intervistë me Zymer Halimin (Komandant Besin), zëvendëskomandant i Brigadës 141 “Mehë Uka” të ZOSH, Kombi, 21 dhjetor 1988, f. 30.

20 Izedin Krasninq, Është thirrja e atdheut që duhet të jetë mbi të gjitha (Intervistë me Zymer Halimin (Komandant Besin), zëvendëskomandant i Brigadës 141 “Mehë Uka” të ZOSH, Kombi, 21 dhjetor 1988, f. 30.

21 Kosova sot, 22 shtator 1998.

22 Miftar Kurti, Brigada 141 “Mehë Uka” e ZOSH, Punim Masteri, Universiteti i Prishtinës, 2013.

23 Kosova sot, 23 shtator 1998.

24 Kosova sot, 23, 24, 26, 28 shtator 1998.

25 Koha ditore, 23, 24, 25, 26, 27, 28, 29 dhe 30 shtator 1998.

26 Haqif Mulliqi, Unë jetoj për Zotin dhe për t’i vrarë armiqtë e shqiptarëve (Intervistë me Mensur Kosumin-zëvendëskomandant i ZOSH, Kombi, 28 tetor 1998, f. 38

27 Haqif Mulliqi, Unë jetoj për Zotin dhe për t’i vrarë armiqtë e shqiptarëve (Intervistë me Mensur Kosumin-zëvendëskomandant i ZOSH, Kombi, 28 tetor 1998, f. 38

28 Haqif Mulliqi, Unë jetoj për Zotin dhe për t’i vrarë armiqtë e shqiptarëve…, f. 38

29 Haqif Mulliqi, O prite, prite, se asnjë të gjallë s’do ta lëshojmë, Bisedë me luftëtaren e lirisë, Dritë Simnica, Kombi, 25 nëntor 1998.

30 Haqif Mulliqi, Shumë shkie mbetën të vrarë, ndërsa të tjerët ia mbathën si të pa kokë, Reportazh nga Llapi dhe Shala e Bajgorës, Kombi, 27 shtator 1998, f. 10; Izedin Krasniqi, Asgjë nuk mund ta shuajë qëndresën shqiptare, Reportazh nëpër fshatrat e Shalës së Bajgorës, Kombi, 28 tetor 1998, f.35.

31 Safet Zeneli, Terrori serb mbi shqiptarët, Rrëfim, Kombi, 25 nëntor 198, f.29.

32 Gazeta shqiptare, 8 shtator 1998.

33 Bota e re, 1 tetor 1998.

34 Shpëtim Golemi, Rruga më çoi në radhët e UÇK-së…, f.128.

35 Revista ushtarake, nr.2, tetor 1998.

36 Kosova sot”, 5 janar 1999; “Koha ditore”, 5 janar1999; “ Zëri i popullit”, 5 janar 1999; ‘Ushtria”, 6 janar 1999; Pobjeda, 5. Januar 1999.

37 Miftar Kurti, Vrojtime historike, Faik Konica, Prishtinë, 2017.

38 Miftar Kurti, Këmbimi i robërve të luftës në ZOSH sipas shtypit të kohës Punim seminari, Studimet e Doktoratës, mars 2018.

39 Koha ditore, 9, 10, 11, 12, 13, 14, 15, 24 dhe 25 janar 1999; Kosova sot, 9, 10, 11, 12, 13, 14, 15, 16 dhe 26 janar 1999; Zëri i popullit, 10, 12, 13, 14, 15 16 dhe 24 janar 1999; Bota e re, 16 dhe 31 janar 1999.

40 Kosova sot, 16 janar 1999; Kosova sot, 21, 22 dhe 24 janar 1999; Koha ditore, 23 janar 1999; Izedin Krasniqi, Lufta më vendimtare mund të bartet në pjesën veriore të Kosovës, por padyshim armikut nuk do t’i lëmë asnjë pëllëmbë toke të Atdheut (Intervistë me Bekim Shytin-komandant i Njësisë Speciale të ZOSH), Kombi, 17 shkurt 1999, f.7; Kosova sot, 29 janar 1999.

41 Kosova sot, 21 shkurt 1999, f.5.

42 Kosova sot, 21, 22 dhe 23 shkurt 1999.

43 Sabit Gashi, Njësia Specia e Zonës Operative të Shalës, 19 dhe 30 korrik, 10 dhe 17 gusht 1999, Çlirimi, Prishtinë, 1999, f.11; Rilindja…..; Kosova sot, 20-28 shkurt dhe 1-16 mars 1999; Koha ditore, 23, 24 dhe 27 shkurt, por edhe 12, 14, 15, 16, 17, 18, 19, 21 dhe 24 mars 1999; Rilindja.

44 Koha ditore, 14 mars 1999; Halit Barani, Tmerri i dokumentuar, Viprint, Mitrovicë, 2009.

45 Koha ditore, 21 mars 1999

46 Koha ditore, 24 mars 1999.

47 Revista ushtarake, shtator-tetor 1998

48 Zëri i popullit, 15, 22 korrik 1998; Zëri i popullit,  5, 10, 12, 13, 14, 15, 16, 24 janar 1999; Zëri i popullit, 26, 27 shkurt 1999; Zëri i popullit, 4, 17, 18 mars; Zëri i popullit, 21 prill 1999.

49 Ushtria, 6 janar, 1 dhe 29 maj 1999

50 Ushtria, 1 dhe 29 maj 1999.

51 Afërdita SOKOLAJ, Çështja e Kosovës dhe media shqiptare (1981 – 2000), Disertacion, Universiteti i Tiranës, Tiranë, 2014, f. 13, 137, 169.

52 Ushtria Çlirimtare e Kosovës-Brigada 141 “Mehë Uka”, FALËNDERIM, Dokumenti nr. 1/130, datë: 27. 11. 1998, Arkivi i Brigadës 141.

53 Arkivi i Brigadës 141

54 Instituti i Historisë-Prishtinë, Arkivi i luftës I-IV, Kosova Press, Prishtinë, 2016.

55 Ushtria, 29 maj 1999.

56 Miftar Kurti, Vrojtime historike, Faik Konica, Prishtinë, 2019, f.60.

 © Pashtriku.org

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura