QARKORE E LRSHJ-së NË 2 VJETORIN E THEMELIMIT TË SAJ, (SHKURT 1982 – SHKURT 1984)

Q A R K O R E (*)

Më 17 shkurt të vitit 1984, po bëhen dy vite nga formimi i LËVIZJES PËR REPUBLIKËN SHQIPTARE NË JUGOSLLAVI. Dy vite lufte në frontin e bashkuar, ku gjetëm veten të gjitha forcat patriotike-revolucionare në ballë të popullit shqiptar, i cili ka vendosur njëherë e përgjithmonë me e zhdukur zgjedhën e shovenistëve serbomëdhenj nga qafa dhe me e formuar Republikën e vet në kuadrin e RSFJ.

U kryen shumë aksione patriotike-revolucionare, shumë demonstrata në shumë qytete të viseve tona në Jugosllavi. Demonstratat u shpërndanë në shumë qytete, shtete e kontinente të botës, ku u dëgjua zëri i tërë Kosovës, zëri i të gjithë shqiptarëve që jetojnë në trojet e veta në Jugosllavi dhe në të gjitha vendet e botës ku punojnë e jetojnë shumë shqiptarë si mërgimtarë dhe presin ditën t’ju kthehen votrave të veta të lindjes.

Militantët e LRSHJ-së, gjatë këtyre dy viteve kaluan shumë netë pa gjumë, duke kryer aksione të ndryshme pacifiste, në të cilat kërkohej e demaskohet terrori serbomadh, që zbatohet ndaj popullit liridashës shqiptar, e sidomos ndaj lules së rinisë, e cila kurrë nuk pyet për çmimin e LIRISË dhe e bën vdekjen si me lind. Kalojmë rrugëve të qyteteve e të fshatrave, kahdo që shkojmë, shohim dëshirën e vullnetin e popullit; rrugët e muret e ndërtesave janë plot parulla të fshira nga milicia, të thara e freskëta të cilave ende nuk iu është tharë ngjyra, që do thotë, janë shkruar gjatë natës e gjatë ditës, shihen dhe lexohen nga populli i shumëvuajtur, i cili nuk e lajmëron milicinë. Punët e tilla nuk kryhen vetëm natën.

Kemi rast kur në mesditë kalojmë në një rrugë, kurse pas dy orësh nëse kthehemi në të njëjtën rrugë, pos parullave të shkruara në rrugë e në mure, shohim edhe shumë njerëz, të ri e të rritur të grumbulluar para ndonjë shtylle elektrike dhe lexojnë Traktin, të cilën e vënë militantët në mes të ditës. Qytetarët e lexojnë dhe largohen me buzë në gas, i harrojnë brengat që ua kanë rënduar jetën, ju ringjallen shpresat se po afrohen ditët e fitores definitive. Lexohet Trakti me orë të tëra e askush nga qytetarët nuk e lajmëron milicinë e tërbuar, e kur aty-pari kalon ndonjë patrullë e milicisë, ata me forcë e me dhunë e shpërndajnë popullin e njëherit e zbresin Traktin nga shtylla që t’ua dërgojnë padronëve të tyre.

“Zëri i Kosovës” shpërndahet dorë pas dore, ndodh që një ekzemplar të lexohet nga qindra individë. Ky Organ i LRSHJ-së është bërë i dashur për çdo shqiptar e shqiptare, kurse materialet e LRSHJ-së, lexohen, shumëzohen dhe shpërndahen me intensitet e vrull vërtetë rinor.

Populli shqiptar luftën e vazhdon që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore, por me formimin e LRSHJ-së, lufta mori dimensione të reja. Ajo që u mboll gjatë decenieve të tëra, po e jep frytin e vet. Dilemat u zhdukën një herë e përgjithmonë. Tani, çdo zemër shqiptare thërret: KOSOVA – REPUBLIKË. Serbomëdhenjtë dhe veglat e tyre çirren deri në kupë të qiellit, se: “parulla më e rrezikshme është – Kosova Republikë”.

Vihet pyetja: pse na qenka kjo parullë aq e rrezikshme?

Përgjigja është e thjeshtë: Kjo parullë flen në zemrat e tërë popullit shqiptar në Jugosllavi, që nga voglushi, i cili po sa ka filluar të shqiptojë fjalët e para – dëgjohet: “Plot’ Kosova djem e çika – për hajr t’koftë Republika”, e deri te plaka që u numron ditët e fundit të jetës, por ja, edhe ajo shprehet: “mos më daltë shpirti pa e pa Kosovën Republikë”.

Gjëja që po i tmerron edhe më tepër serbomëdhenjtë, është përkrahja që po i bën kësaj kërkese pjesa dërmuese e popujve të RSFJ-së (tani më shumë persona kalben burgjeve të Jugosllavisë vetëm pse e përkrahën këtë kërkesë të drejtë të shqiptarëve, sidomos popujt në republikën e Bosnjes e Hercegovinës). Por përkrahja e opinionit botëror që po ua luan mendët serbomëdhenjëve, (ku deri më sot askush në botë nuk doli kundër kësaj kërkese të drejtë të popullit shqiptar në Jugosllavi), është fakti më i mirë që e bind çdo mendje të shëndoshë se po afrohet dita e kësaj fitoreje të populit shqiptar.

Gjatë këtyre dy viteve – lufte, shumë luftëtarë të Lirisë përfunduan në burgje. Qëndrimi i tyre heroik para hetuesve xhelatë, para gjyqeve e gjyqtarëve injorantë, gjatë vuajtjes së dënimeve në qelitë e errëta e në kazerma si ato të mesjetës, i bindën serbomëdhenjtë se ky popull është i pathyeshëm dhe se nuk ka fuqi që e pengon në realizimin e aspiratave të rij për Liri.

Pas demonstratave heroike, serbomëdhenjtë dhe veglat e tyre u çorrën deri në kupë të qiellit, se armikun e shkatërruan, ia thyen kurrizin, e zhdukën një herë e përgjithmonë…

Sot na dalin po ata serbomëdhenjë, po ato vegla të tyre dhe thonë: Armiku është tërhequr në ilegalitet të thellë.

Edhe ky fakt tregon se serbomëdhenjtë janë bindur se LRSHJ-ja është konsoliduar, ka përfituar nga gabimet e mëparshme që janë bërë në grupet e organizatat me përvojë jo të duhur dhe të gjitha ato gabime e pësime janë shndërruar në mësime e përvojë e cila sot po iu shërben Luftëtarëve të Lirisë, që u shtuan e po shtohen radhët e tyre me kuadro e forca të reja.

Pa u bërë plot një vit nga ngjarjet e mëdha të vitit 1981, kur populli shqiptar u gjakos, i mbuluar në tanke e helikopterë, i mbuluar në tym e flakë, kur dhuna e terrori i milicisë speciale bënin ligjin, kur serbomëdhenjtë menduan se, grushti kaq i fortë që iu dha popullit shqiptar që jeton në trojet e veta në RSFJ do t’i pashitë – asgjësojë për vite me radhë Bijtë e këtij populli.

Një natë pa hënë, natë e errët, ashtu si është e errët edhe jeta e vetë shqiptarëvet që jetojnë në trojet e veta në RSFJ, u mblodhën bijtë më të mirë të këtij populli në unitet të plotë mendimi dhe morën vendime historike për formimin e LËVIZJES PËR REPUBLIKËN SHQIPTARE NË JUGOSLLAVI.

KOMUNIKATA me të cilën shpallej bashkimi i ish-organizatave dhe formimi i LRSHJ-së, jehoi në të gjitha viset shqiptare dhe vetëm brenda një muaji u përhap Kushtrimi, i cili thërret për në luftë, për në aksione të reja, për fitore të reja, i mobilizoj të gjitha forcat potenciale, i ringjalli dëshirat e popullit shqipar për ditë më të mira, dëshira që kurrë nuk u shuan dhe nuk do të shuhen deri në fitoren përfundimtare.

Shokë e shoqe, vëllezër e motra, punëtorë e patriotë të dashur, me anën e kësaj Qarkoreje Ju bëjmë me dije, se dy vjetori i formimit të LRSHJ-së dhe trevjetori i demonstratave patriotike-revolucionare do të kremtohen e do të përkujtohen ashtu si e meritojnë.

Dyvjetori i rënjes së Tre heronjve të mërgimit; JUSUFIT, KADRIUT dhe BARDHOSHIT, do të shënohet jo vetëm te varrezat e tyre, të cilat janë bërë vend i shenjtë për mërgimtarët tanë, por në të gjitha viset shqiptare në RSFJ dhe në të gjitha komunitetet e shqiptarëve të ndershëm në botë.

Shënimet e këtyre përvjetorëve nuk do të jenë tubime me shtruarje gostish, por aksione konkrete patriotike-revolucionare, njëlloj si në viset shqiptare në RSFJ, ashtu edhe në të gjitha anët e botës ku militojnë pjestarët e LRSHJ-së.

RROFTË LËVIZJA PËR REPUBLIKËN SHQIPTARE NË RSFJ!

RROFTË REPUBLIKA SHQIPTARE NË RSFJ!

RROFSHIN POPUJT E RSFJ!

KOMITETI QENDROR I LRSHJ

SHUMËZOJE, SHPËRNDAJE

(*) Kjo qarkore është dërguar nga Sabri Novosella (është pa datë)

ANËTARËVE TË KQ NË BJ (Botën e Jashtme)

12. 3. 84

————

Burimi: Faridin Tafallari: Terror, dhimbje, qëndresë 1996 f.233 – 235

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura