DR.SKËNDER DEMALIAJ: SHABAN HAXHI (DEMALIAJ) DHE KONFERENCA E BUJANIT – (31.12.1943 – 1/2.01.1944)

Tiranë, 26. 01. 2014 – (Fakte të reja të pabotuara deri më sot, për Konferencën e Bujanit, mbajtur më 31 dhjetor 1943 dhe 1 e 2 janar 1944) – Konferenca e Bujanit ka qenë e vijon të jetë gjithnjë e më shumë sa një forum politik lufte, po aq edhe nderi për pjesëmarrësit e saj. Prandaj edhe në rastin e saj ka ndodhur që dikush të rrahë gjoksin për vete e t’u vërë bërrylat të tjerëve. Në kujtimet e tij, Beqir Ndou thotë se në Konferencën e Bujanit nga Tropoja ishin Veli Nimani, Sadik Bekteshi, unë, Mehmet Mulosmani, Din Bajraktari e plot të tjerë (Beqir Ndou, Tiranë, Grand Print, 2011, fq.168).
Tek “plot të tjerë”, që nuk i “kujtohet”, është Komandanti Shaban Haxhia, i cili ndryshe nga delegatët e tjerë të Konferencës së Bujanit nga Malësia e Gjakovës, është përfaqësues i formacionit të vetëm luftarak, i batalionit “Bajram Curri” në Malësinë e Gjakovës në këtë kohë.
Në Presidiumin e nderit të Konferencës janë edhe emrat e batalioneve “Bajram Curri”, dhe “Perlat Rexhepi”, (Arkivi i Institutit të Historisë Tiranë, A-V-15, fq. 224-225). Po të kishte formacione të tjera luftarake do të ishin edhe ato në Presidiumin e Mbledhjes. Fadil Hoxha, Komandant i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë NacionalÇlirimtare të Kosmetit, më datë 2 shkurt 1944 i dërgon një informacion Misionit Ushtarak Anglez “Mbi situatën ushtarako-politike në OBLLAST”, ku theksoi: “Kemi çetën e Lumës, çetën e Hasit (Ismail Poga me 30 partizanë aktivë- kjo çetë është formuar kohët e fundit). Tani është në procesin e formimit çeta e Drenicës. Të gjitha këto çeta, me përjashtim të asaj të Lumës dhe të Hasit janë të përzjera dhe përbëhen nga serbë, shqiptarë dhe malazezë. Kemi edhe repartin “Curri-Rexhepi”, të përbërë nga dy batalione, si dhe çetën shoqëruese të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë NacionalÇlirimtare dhe Reparteve Partizane të Kosovës dhe Dukagjinit, (Arkivi i Institutit të Historisë, Tiranë, A-V-15, fq.445)

Beqir Ndou në Konferencën e Bujanit nuk është zgjedhur si përfaqësues i terrenit. Nuk mund të ishte se nuk kishte asnjë funksion të rëndësishëm as në formacionet luftarake, as në terren, as në parti.
Shpend Dega, themeluesi dhe drejtuesi i organizatës së partisë për terrenin në Malësinë e Gjakovës në raportin e 11 nëntorit 1943 për Komitetin Krahinor të Partisë së Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit thotë se Beqir Ndou është anëtar i thjeshtë në batalionin partizan “Bajram Curri”.
Zgjedhja e Beqir Ndout në Konferencën e Bujanit si delegat është bërë nga Pavllo Joviçeviçi me justifikimin se duhej në Konferencë edhe pjesëmarrja e ndonjë katoliku (Letër e tij për Ismet Shaqirin, më 5.12.1943, Qarkori i Dukagjinit, k. nr.12/48, Dokument nr. 644 dhe k. nr. 12/19, dokument nr. 725). Edhe Veli Nimani nuk kishte funksione as partie, as ushtarake. Siç thotë Ismet Shaqiri “Shpresë të madhe kishim te Veli Nimani, oficer, të cilit, siç kishim biseduar me Fadilin edhe i propozuam vendin e komandantit në Shtabin e Zonës Operative për Rrafshin e Dukagjinit, por nuk pranoi kurrsesi, duke u justifikuar se është i dobët nga shëndeti (Libri “Më kujtohet” vëllimi 2, fq. 413-414). Po kështu në njoftimin e Tahir Hoxhës, Kapiten i parë dhe zëvednësnënprefekt për Tropojën për Ministrinë e Punëve të Brendshme, më 23.7.1943 thuhet se Shaban Haxhia e Ram Muja janë në mal, kurse Veli Nimani, Maxhun Nimani (vëllai i tij), Jah Salih Bajraktari nuk bëjnë pjesë në ndonjë çetë dhe rrinë në shtëpi (Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Dosja 258, viti 1943).
As shtëpia e Sali Manit, as shtëpia e Veli Nimanit nuk luftuan kundër pushtuesit italian. Bile edhe vetë fisi i Krasniqes është pasiv, ndryshe nga ai i Bytyçit dhe i Gashit, përjashto Mal Sadikun, Ali Ukshinin dhe Mushak Kadrinë e ndonjë tjetër. Në dallim me Sali Manin, Veli Nimani e kishte mbështetur LANÇ-in me fjalë, por pa qënë pjesë e aksioneve luftarake të çetave partizane kundër pushtuesit italian. Me intuitën e tij politike e kuptoi se kishte ardhur koha të luftohej me armë pushtuesi nazist gjerman edhe nga ai, edhe nga familja e tij, edhe nga Sali Mani, edhe nga fisi i tij, Krasniqja. Nuk kishte rrugë tjetër, në të kundërt do të kishin fatin e bashkëpunëtorëve me fashizmin. Më mirë vonë se kurrë…
Komendatori i Fashios, Xhiro i dha në zyrën e tij Sali Manit, në prani edhe të Kolë Bib Mirakës 1500 franga letër (“Shqipëria e viteve 1912-1964” në kujtimet e Spiro Kosovës, Tiranë, 2009, fq.92). Ai dhe nipi i tij, Avdia u bënë anëtarë të Partisë Fashiste sapo u krijua (Gazeta “Fashizmi”, 19.11.1939, fq.1 dhe 26.11.1939, fq.1). Djali i tij Jaha u emërua Kryetar i komunës së Zhurit, më 15.9.1942 (Fletorja Zyrtare, Nr. 115, 5 tetor 1942, fq.6).
Nipi i tij, Mehmet Bajraktari (Mulosmani) është i regjistruar në Legjionet e Milicisë Fashiste në Tiranë (Gazeta “Fashizmi”, 10 dhjetor 1939, fq.4). Dekorohet me medalje tunxhi si pjesëtar i Milicisë Fashiste në dy vjetorin e krijimit të saj (Gazeta “Tomorri”, 18 shtator 1941, fq. 2). Emërohet nga kryetar i komunës së Homeshit në Istok sekretar i dytë, me funksionet e nënprefektit, me pagë 225 franga shqiptare, më datë 6.8.1943 (Fletorja Zyrtare Nr. 92, 26 gusht 1943).
Ministria e Punëve të Brendshme njofton se ka marrë nga Prefektura e Kukësit telegramin se “populli i Malësisë së Gjakovës me anën e parisë së tij e përbërë nga Z. Selim Gashi, Sali Mani, Avdyl Qerimi, Brah Alia e të tjerë shfaq ndjenjat e besnikërisë së tij ndaj Qeverisë Mbretnore, tue u tregue gjithmonë në dispozicionin e saj” (Gazeta “Tomorri”, 28 mars 1942, fq.2). E për këtë mbështetje marrin shpërblime, rrogë mujore jetike nga fashizmi:
– Sali Man Mulosmani (Bujan) – 150 franga shqiptare,
– familja e Bajram Man Mulosmanit, e shoqja, Grisha – 60 franga shqiptare,
– Ali Niman Doçi – Syla (Tpla) – 80 franga shqiptare,
– vëllai i tij, Maxhuni – 100 franga shqiptare (Fletorja Zyrtare, Nr. 127, 10 nënduer 1942, fq.7,9,10).
Është e firmosur nga Jakomani, Mustafa Kruja (Kryeministër kuisling), Shuk Gurakuqi (Ministër i Financave). Komisioni për rrogat jetike u ngrit, më 19 dhjetor 1939 dhe përbëhej nga Mëkëmbësi Mretëror, Kryeministri, i ngarkuari i Partisë Fashiste, Sekretarët e Përgjithshëm të Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme.
E nuk vonon telegrami tjetër për Mustafa Krujën, firmosur nga Ali Nimani (Doçi), Brah Alia, Sali Mani, Isuf Çuji, Hoxhë Dusha, Bajram Haziri, Tahir Hoxha e tjerë: “Mirënjohje Sovranit dhe Duçes” (Gazeta “Tomorri”, 29.12.1942, fq. 1).
Si përfundim mund të themi se as Veli Nimani, as Maxhun Nimani, as Mehmet Bajraktari, as Jah Bajraktari nuk janë zgjedhur delegatë për kontributin e tyre në LANÇ deri në këtë periudhë.
Po, si u zgjodhën dhe kush i zgjodhi?…
Konferenca ishte vendosur të mbahej në Drenicë, por për arsye sigurie u vendos që të mbahej në Malësinë e Gjakovës? Fillimisht ishte mendimi që të mbahej në shtëpinë e Shaban Haxhisë, por mund të rrezikohej, pasi kishte shumë forca gjermane në Gjakovë dhe shtëpia e tij ishte afër me Gjakovën. Pastaj Ismet Shaqiri bisedoi me disa persona për të gjetur vendin e sigurtë për mbajtjen e Konferencës, ndër të cilët edhe Veli Nimanin, pasi ky kishte lidhje miqësore me Sali Manin, i cili ishte baxhanak me vëllain e tij, Aliun. Edhe vetë Veliu ishte pjesë e parisë së Malësisë së Gjakovës, e cila nuk kishte luftuar pushtuesin fashist italian. Udhëheqja politike dhe ushtarake e Kosovës mendonte se duke hyrë në luftë kundër pushtuesit gjerman familja e Sali Manit do të ngrihej në luftë edhe fisi i Krasniqes. Prandaj edhe pranuan që Konferenca të mbahej në kullën e Sali Manit.
Ismet Shaqiri, në letrën e tij, dërguar Komitetit Krahinor të PKJ-së për Kosovën e Dukagjinin, më 15 nëntor 1943 shkruan: “… Veli Nimani ra dakord që të na sigurojë bazën, ku kemi mundësi ta mbajmë Konferencën. Situata e krijuar kërkon që Blini (Fadil Hoxha) të kthehet sa më parë këtu. Jemi të mendimit që ai të përgatisë shpejt njerëzit për Konferencën dhe të takimit me shokët”. (Arkivi i Komitetit Krahinor të LK të Serbisë në Prishtinë, K.7, nr. regj. 208 ose Arkivi i Institutit të Historisë, Tiranë, A-V-15, fq. 208).
Pra Veliu u vetëzgjodh delegat, pasi caktoi shtëpinë e Sali Manit, vetëzgjodhi dhe vëllain e tij, Maxhunin. Po kështu edhe Jah Bajraktari edhe Mehmet Bajraktari u caktuan si pjesëtarë të familjes së Sali Manit. Din Bajraktari është propozuar delegat nga Paria e Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit, pasi kishte krijuar lidhje me ta kur punoi në strukturat fashiste italiane e gjermane në Gjakovë e Ferizaj.
Fadil Hoxha, Mehmet Hoxha (si përfaqësues të parisë), Pavllo Joviçeviçi, i cili dinte lidhjet e vjetra të Parisë së Malësisë së Gjakovës me pushtetin serb, para vitit 1941 – donin ta bënin faktor Parinë. Luftën deri në këtë kohë e kishte bërë vegjëlia dhe përfaqësuesi i saj ishte Shaban Haxhia. Ram Muja u nda në pranverë të vitit 1943 nga LANÇ. Kjo e ka bërë shumë xheloze Parinë dhe që nga ky moment e deri në ditët e sotme luftoi e lufton totalisht e me të gjitha mjetet për të defaktorizuar rolin e Shaban Haxhisë e të familjes së tij në LANÇ.

Fadil Hoxha i ka treguar Shabanit se Sali Mani i kishte thënë atij që të vinte në shtëpinë e tij me cilin të donte, por të mos e merrte Shaban Haxhinë, por është kundërshtuar kategorikisht prej tij dhe Sali Mani është detyruar të tërheqë mendimin e tij.
Lind pyetja:
– Përse ky qëndrim i prerë i Fadil Hoxhës?
Pa Shaban Haxhinë e batalionin e tij nuk do të kishte LANÇ në Malësinë e Gjakovës, nuk do të kishte as batalion “Perlat Rexhepi”. (Ky batalion u detyrua të ikte nga Plava e Gucia e të mos e vazhdonte misionin e tij dhe ishte batalioni “Bajram Curri”e komandanti Shaban Haxhia që e mori në Çerem dhe e strehoi në Malësi të Gjakovës). Pa këtë batalion dhe këtë Komandant nuk do të kishte as Shtab Partizan të Kosmetit në Malësinë e Gjakovës. Nga rreziku i asgjësimit në Kosovë ky shtab kishte ardhë të strehohej në Malësinë e Gjakovës. Pa këtë batalion e këtë Komandant (Shaban Haxhinë) nuk do të ishte mbajtur Konferenca në Bujan.
Batalioni “Bajram Curri” mbajti edhe peshën kryesore në ruajtjen e delegatëve të Konferencës së Bujanit. Shabani, bashkë me Qamil Brovinën kishin vendosur patrulla në pikat kyçe: në Qafën e Lepurit, në Qafën e Luzhës, në Qafë të Morinës, në Degë, në Gri, në Bujan. Këto patrulla ishin instruktuar për të dhënë sinjalin në rast se forcat gjermane do të sulmonin për të asgjesuar delegatët. Në krye të këtyre forcave partizane ishin njerëzit më besnikë të Shabanit: Shpend Dega, vëllezërit e tij, Hasani dhe Bajrami, partizanët e vjetër e me përvojë Ram Sadiku, Mal Sadiku. Situata ushtarake dhe siguria ishin në duart e sigurta të tij. Në çdo fshat Shabani kishte njerëzit e tij të gjakut, miqtë e tij të ngushtë, njerëz me ndikim të madh, që ishin baza të luftës si: në Markaj Ram Haxhinë, në Gegysen Brahim Muzinë, në Dunishë Sut Brahimin, në Luzhë Halil Halilin, në Berbat Ram Bajramin, në Ahmataj Ram Dulën, në Lug të Zi Ukë Rrustemin, në Pac Sulejman Sadrinë, në Vlad Haxhi Avdylin e Avdyl Hamzën, në Kam Islam Shabanin, në Zogaj Isuf Musën, në Zherkë Faslli Ramën, në Berishë Elez Hoxhën, në Leniq Zog Nezën.
Fadil Hoxha në kujtimet e tij që u botuan, më 2010 thotë se Mbledhja përgatitore është mbajtur në fshatin Gri, në shtëpinë e Mal Sadikut… Deri në drekë i kam lexuar materialet, ndërsa pasdite kemi filluar të debatojmë për to, pastaj në darkë kam shkuar te kulla e Sali Manit. (Libri “Fadil Hoxha në vetën e tretë” Koha, Prishtinë, 2010, fq.193).
Ai sjell edhe një element të ri: “në Konferencë kanë përshëndetur komandantët e batalioneve “Baram Curri” e “Perlat Rexhepi”, Shaban Haxhia e Sadik Bekteshi (Po aty, fq.195).
Deri tani është thënë në të gjitha studimet se ka përshëndetur vetëm Sadik Bekteshi dhe është lënë në harresë, me qëllim Komandanti i batalionit “Bajram Curri” Shaban Haxhia.
Ndër të parët që e priti si delegat Xhevdet Dodën ishte Shaban Haxhia. Xhevdet Doda i kujtonte me respekt nënat partizane të Malësisë së Gjakovës. Në kullën e Shaban Haxhisë, ku qëndroi për disa ditë, ai e quajti Nënë Havën (Nënën e Shaban Haxhisë) “grua burrneshë”, “burrë e shkuar burrave” (Libri i Shaban Brahës “Xhevdet Doda – Dëshmor e Hero”, Tiranë, 2002, fq. 209, 223).
Edhe pas përfundimit të Konferencës, Shaban Haxhia ka biseduar me Xhevdet Dodën e Rifat Berishën për probleme të rëndësishme që lidheshin me të ardhmen e Kosovës. Bisedat kanë qenë tepër intime, miqësore dhe janë mbajtur sekret. (Libri i Shaban Brahës “Rifat Berisha” Tiranë , 1998, fq.137).
Shabani ka patur komunikime të shpeshta me Zekeria Rexhën, Rifat Berishën, Hajdar Dushin, Xhevdet Dodën, Qamil Brovinën dhe ka qenë pjesë e debatit (në dhomën ngjitur me atë të miqve, ku po zhvillohej Konferenca), kur u diskutua për të drejtën e vetëvendosjes dhe i mbështeti propozimet e tyre. Fadili dhe Pavlli u detyruan ta pranonin vetëvendosjen nga këmbëngulja e këtyre. Këtë Shaban Haxhia ua ka thënë vëllezërve të tij, Hasanit dhe Bajramit vite më vonë, pas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë, kur Kosova mbeti pjesë e Serbisë.
Marrëdhënie të shkëlqyera Hajdar Dushi ka pasur me Shaban Haxhinë dhe Shpend Degën e jo me Sadik Bekteshin e Beqir Ndoun, siç shkruhet në librin për Hajdar Dushin nga nipi i tij, Minir Dushi. Kjo për shumë arsye: Shaban Haxhia ishte figura Numër 1 e LANÇ në Malësinë e Gjakovës, atdhetar i flaktë, nacionalist (nga Pavlli e drejtues të tjerë serbë, ai u quajt “shovinist” në disa raste, veçanërisht në Mbledhjen e Arvejes). Në këto cilësi Hajdari gjente veten e tij. Shabani i kishte krijuar një mjedis të ngrohtë dhe e kishte mbështetur Hajdarin, veçanërisht pas shkarkimit nga zëvendëskomisar i batalionit “Perlat Rexhepi”. Shabani kishte një humor të veçantë, i cili ishte i domosdoshëm për t’u relaksuar në ditët e stuhishme që po kalonin këta luftëtarë të lirisë në Malësinë e Gjakovës. Me Shpend Degën, Hajdar Dushi kishte qenë shok gjimnazi në Shkodër, kishte punuar me të edhe në Durrës me LANÇ dhe vlerësonte cilësitë dhe karakterin e tij. Me Beqir Ndoun kontaktet e tij ishin të pakta, sepse ai nuk kishte asnjë funksion dhe pozitë në parti dhe në formacionet partizane dhe ishte njeri pa ndikim, jo vetëm në Malësinë e Gjakovës, por edhe në zonën e tij Nikaj-Mërtur (e thotë vetë në librin e tij me kujtime). Ndryshe ishte Shaban Haxhia, i cili vinte nga shtëpia e burrit të njohur, Haxhi Mehmeti (Bytyçi), me rreth të gjerë familjar, me 6 vëllezër, të gjithë të lidhur me Luftën Nacional Çlirimtare, me pasuri të madhe, të cilën e vuri në dispozicion të Luftës. Po kështu ishte pjesë e fisit të Bytyçit (Malësia e Gjakovës). Me Sadik Bekteshin marrëdhëniet e Hajdarit nuk ishin miqësore. Hajdari e kishte kuptuar hilen e tij e të kunatit të tij, Rexhep Haka, të cilët në cilësitë e komisarit e të komandantit të batalionit “Perlat Rexhepi” i kishin propozuar Shtabit të Përgjithshëm të LANÇ të Shqipërisë shkarkimin e tij si zëvendëskomisar “Propozojmë që zëvendëskomisari i batalionit Hajdar Dushi të zëvendësohet me Qazim Kapisyzin, pasi ky ka treguar aftësi politike dhe ushtarake”. Firmosur nga Sadik Bekteshi (komisar) dhe Rexhep Haka (komandant), më 27.10. 1943 (AQ i Partisë, Fondi 41, viti 1943, Dosja 25, fq.3). Sadik Bekteshi nuk ishte i sinqertë me shokët, ai i godiste prapa krahëve, duke u hequr si shok, si mik. Këtë zanat ai e ka vazhduar edhe pas Çlirimit. Në këtë pikë bashkohet edhe me Fadil Hoxhën e Beqir Ndoun. Për postet, për pushtetin këta nuk e kishin problem pabesinë. Të godisnin mbrapa krahëve dhe të gënjenin.
Shabani mbrojti me vendosmëri vendimet e Konferencës së Bujanit. Pikërisht për këtë, ai u godit edhe në Shqipëri, edhe në Jugosllavi. U goditën dhe u eliminuan edhe shokët e tij të ngushtë Hajdar Dushi, Xhevdet Doda, Rifat Berisha, Qamil Brovina, Zekeria Rexha. Në studimin e tij, për Kosovën, shkruar më 11 shkurt 1949 ai thotë: “Në lidhje me aspiratën e shqiptarëve të Kosovës për t’u bashkuar me Shqipërinë dua të theksoj: Këtë aspiratë, dëshirë e ka në shpirt çdo shqiptar. Është dëshira më e madhe e tyre, dëshirë që vlon në zemrat e shpirtin e tyre. Nuk është një dëshirë që ka dalë pas Rezolucionit të Byrosë Informative, por ka qenë shumë kohë përpara, është sot e nesër…. do ta ruajë çdo shqiptar në shpirt deri në vdekje. Bashkimin me Shqipërinë e quan si gjënë më të shtrenjtë dhe e pret me padurim. Ndonëse nuk mundet të flasë, të shprehet hapur nga frika, e ka në shpirt sot e përgjithmonë. Shumica e popullit shqiptar në Kosovë është i gatshëm të luftojë për t’u bashkuar me Shqipërinë”. (Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Dosja 202, viti 1949, fq. 40).

– Kontakti me autorin: [email protected]

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura