QENDRA JUSUF GERVALLA (SKEMA E GËNJETRAVE TË IBRAHIM KELMENDIT DHE E VËRTETA NË RAPORT ME JUSUF GËRVALLËN) ( 3 )

QENDRA JUSUF GËRVALLA (SKEMA E GËNJETRAVE TË IBRAHIM KELMENDIT DHE E VËRTETA NË RAPORT ME JUSUF GËRVALLËN) ( 3 )

Nga Xhafer Durmishi, Pashtriku 25.01.2023

3. Uniteti i Jusuf Gërvallës me Ibrahim Kelmendin

3-1. Skema e gënjeshtrave

Victor Hugo: ”Little lie, innocent lie-does such a thing exist? To lie is the absolute form of evil. To lie a little is not possible: he who lies, lies the whole lie. To lie is the very face of the demon. Satan has two names; he is called Satan and Lying.”

 Për raportin e Jusuf Gërvallës me Ibrahim Kelmendin kam shkruar më gjerësisht në librin tim “Lëvizja e Jusuf Gërvallës”.

Në janar 1980 Ibrahim Kelmendi i lutet Jusufit t’i ndihmoj në revistën Bashkimi. Duke e parë gjendjen e keqe të Bashkimit, Jusufi e sheh të udhës dhe të lejueshme t’i ndihmoj dhe i përgatitë tre numra të Bashkimit. Në janar 1981 del numri i fundit i Bashkimit. Shkaku vendimtar me i ndërpre të gjitha marrëdhëniet përjetësisht me Ibrahim Kelmendin, pos tjerash, është roli i Ibrahim Kelmendit në dërgimin e Hysen Gegës në Kosovë me Sadik Blakajn, në dhjetor 1980.

Të gjitha ato që ka shkruar Ibrahim Kelmendi në librat Atentatet, Lëvizja dhe shkrime në mediume sociale, për Jusuf Gërvallën janë gënjeshtra, të cilat lehtë vërtetohen me shkrimet dhe letrat e Jusuf Gërvallës, në letrat e Ibrahim Kelmendit dhe dëshmi të tjera.

Thelbi i gënjeshtrave të Ibrahim Kelmendit është se:

-Në vitin historik 1981 Ibrahim Kelmendi është shoku më i afërt i Jusuf Gërvallës,

-Jusuf Gërvalla me Ibrahim Kelmendin i diskuton të gjitha imtësitë private të familjes së vetë dhe e pranon si ortak në edukimin e fëmijëve të vet,

-Jusuf Gërvalla i diskuton me Ibrahim Kelmendin të gjitha imtësitë e organizatës së vetë, dhe për personat e ndryshëm të saj, sidomos rreth Sabri Novosellës dhe Xhafer Durmishit,

-Jusuf Gërvalla diskuton e ka biseda pune me Ibrahim Kelmendin në shtëpinë e tij se si është gjendja e aktiviteteve në rrethin e Shtutgartit,

-Jusuf Gërvalla në kërkesën për strehim politik në Gjermani të bërë në fillim të vitit 1980, nuk merr përgjigje nga organet gjermane deri në fund të vitit 1981, vetëm në fund të vitit 1981 i jepet pasaporta, dhe rruga e tij e parë jashtë Gjermanisë prej daljes në Gjermani është udhëtimi në Zvicër në dasmën e Kadri Zekës e Saime Isufit, më 2 janar 1982.

-Çka do të thotë kjo?

-Se Jusufi gjatë dy viteve në Gjermani ka qenë i izoluar e nuk ka dalë prej derës së shtëpisë, por kur e ke një shok si Ibrahim Kelmendin kjo nuk do të thotë kurrfarë mangësie. Për këtë arsye Jusufi, pas shpërthimit të demonstratave të Kosovës në Pranverën 1981, e dërgon Ibrahim Kelmendin në Zvicër të merr kontakt me Kadri Zekën, të bisedoj me te dhe para Kadriut, Ibrahimi e përfaqëson veten dhe Jusufin. Në mënyrë analoge Jusufi e dërgon Ibrahim Kelmendin me punë në Austri në Ambasadën shqiptare të Vjenës për ta marrë mendimin e qëndrimin e shtetit shqiptar ndaj demonstratave që do të organizoheshin në Evropë. Në mënyrë të ngjashme e ka ndërmend që bashkë me Kadri Zekën ta dërgoj Ibrahim Kelmendin me mision në Turqi që të bisedoj me Sabri Novosellën e Kadri Zekën për bashkimin e organizatave. Në atë rast para Sabriut, Kadriu do ta përfaqësonte OMLK-në, ndërsa Ibrahim Kelmendi veten dhe Jusufin e Bardhoshin.

-Për shkak të të gjitha këtyre detyrave, obligimeve e udhëtimeve, Jusufi, pasi më herët e ka bërë ortak Ibrahim Kelmendin në çështjen e edukimit të fëmijëve, e bënë atë hisedar në shtëpinë e vetë, ia ndanë një dhomë në të cilën nuk guxon të hyj askush pos Ibrahim Kelmendit.

-Se gjatë demonstratave Jusufi, Kadriu e Ibrahim Kelmendi bashkarisht i koordinojnë të gjitha punët dhe përbëjnë një trekëndësh barabrinjës.

-Ibrahim Kelmendi e Jusuf Gërvalla njihen me Tezat e OMLK-së në qershor 1981, por nuk kanë kohë me u marrë me to në kulmin e organizimit të demonstratave,

-Se Ibrahim Kelmendi është i njoftuar për të gjitha punët që Jusufi i bënë për OMLK,

-Se Ibrahim Kelmendi, Jusufi e Kadriu, në gusht të vitit 1981, janë për bashkim në të gjitha detajet, por është insistimi i Jusufit që çështja e bashkimit të bëhet përmes Sabri Novosellës në Turqi,

-Pas prishjes së raporteve të Lëvizjes së Jusufit me OMLK-së në mesin e tetorit 1981, që zgjatë, sipas I. Kelmendit deri në dasmën e Kadri Zekës, Ibrahim Kelmendi është neutral, është në qendër, në mes Jusufit e Kadriut, në pritje të bashkimit të të gjithëve, i pajton Jusufin e Kadriun në dasmë dhe në dasmën e Kadri Zekës e Saime Isufit, Jusufi distancohet përfundimisht nga Sabri Novosella.

Këto gënjeshtra i kam zbërthyer e demaskuar në librin tim “Lëvizja e Jusuf Gërvallës” dhe libra tjerë.

E VËRTETA

Jusufi Gërvalla merr vendimin për njohjen e azilit politik në Gjermani më 13 prill 1981, do të thotë prej 13 prillit 1981 ka të drejtë të ketë pasaportë udhëtimi.

Jusufi nuk ka kurrfarë marrëdhëniesh me Ibrahim Kelmendin, pas daljes së numrit të fundit të Bashkimit, të janarit 1981. Nuk shkëmben asnjë letër të vetme me Ibrahim Kelmendin gjatë vitit 1981. Nuk e fton asnjëherë në shtëpi të vetë as kur e ka Kadri Zekën mysafir e as kur nuk e ka, dhe nuk ia thotë asnjë fjalë të vetme rreth angazhimit të tij në revistën Liria. Të gjitha rrethanat rreth Jusufit, pas janarit 1981, janë rrethana që i ka mësua në atë formë që mund t’ia ketë përcjellë Kadri Zeka, janë rrethana që i ka mësuar nga Faridin Tafallari, dhe nga një shkrim i imi i botuar në librin e parë të Faridin Tafallarit. Të vërtetat që i mëson nga librat e Faridinit, i vjedhë, i kopjon, i ndryshon dhe si gënjeshtra mundohet sendet e vjedhura, të shndërruara në gënjeshtra me i shitë si origjinale, si rrethana që i ka ditë më 1981 falë ”faktit se ka qenë shoku më i ngushtë” i Jusuf Gërvallës.

Jusuf Gërvalla, gjatë vitit 1981, nuk diskuton kurrë me Ibrahim Kelmendin, si person jashtë Lëvizjes së tij për Sabri Novosellën. Por, me Sabri Novosellën, si person brenda Lëvizjes së tij, i diskuton në hollësi raportet që i ka pas me Ibrahim Kelmendin, prej njohjes (janar 1980) e deri në ndërprerjen e gjitha marrëdhënieve (janar 1981). Kjo do të thotë se e vërteta e raporteve të Jusufit me Ibrahim Kelmendin, e vërteta e unitetit të tyre mund të mësohet vetëm nga letrat që Jusufi ia dërgon Sabri Novosellës.

Ibrahim Kelmendi, pas 30 apo 35 vitesh, ulëron e mallkon rreth përmbajtjes së letrave, e raporteve të stilit policor të Jusufit dërguar Sabriut. Jusufi nuk bën kurrfarë gabimi në letrat e tij për Sabriun. Ai nuk ka qenë në organizatë me Ibrahim Kelmendin, nuk ka pasur kurrfarë kontrate, marrëveshje me te, për me i marrë leje se kujt me i shkrua e kujt mos me i shkrua, kujt çka me i shkrua e kujt çka mos me i shkrua.

3-2. Jusuf Gërvalla: Të gjitha marrëdhëniet me Ibrahim Kelmendin i kam ndërprerë

Jusuf Gërvalla: ”Sa për organizatën e bashkuar rreth organit ”Bashkimi”, më duket se pak dobi mund të ketë nga iniciativa për bashkim e bashkëpunim me ta. Së paku për sa shihet te udhëheqësi i kësaj organizate në botën e jashtme, (I. Kelmendi – vërejtja ime) nuk ekziston përshtypja për organizim të mirëfilltë dhe as për ndonjë organizatë të fuqishme numerikisht. Megjithatë, po ta shihni ju të arsyeshme, ndoshta do të mund të realizohej mundësia që shokëve të Lëvizjes në Kosovë t`u jepet lidhja me përfaqësuesin e “Bashkimit” në Kosovë. Megjithëqë, për sa kam mundur të marr vesh, atje, në radhët e kësaj organizate, apo ndoshta në qendër të saj, ndodhet një njeri i dyshimtë (i UDB-së-shën ynë), njëfarë Blakaj, që punoka në Entin e Sigurimit Social në Prishtinë. Sa për mua unë njëherë për njëherë, pas numrit të fundit të “Bashkimit”, të cilin ta kam dërguar, të gjitha marrëdhëniet me përfaqësuesin e tij të këtushëm i kam ndërprerë.”(Letër Sabri Novosellës, 13 maj 1981; Faridin Tafallari, Dhimbje krenare, Tiranë 1998, faqe 115-116)

3-3. Bashkëpunimi me Ibrahim Kelmendin ka shkuar përmes Kadri Zekës

Jusuf Gërvalla: “Me përfaqësuesin e Frontit të Kuq Popullor, Ibrahim Kelmendin, jam njohur në janar të vitit 1980. Më ka sjellë për t’ia korrigjuar disa artikuj të përgatitur për gazetën “Bashkimi” dhe më ka propozuar që të shkruaj edhe unë për këtë fletushkë. Pasi e kisha lexuar numrin e saj të parë qysh në vendlindje dhe e dija se gazeta bie në duar të popullit, bile në një gjendje jo të lakmueshme e pashë të arsyeshme t’i përgjigjem pozitivisht për propozimin dhe konkretisht fillova me bashkëpunimin. … Është nip i një agjenti me zile të UDB-së, i quajtur Ramë Nikçi ose Ibërdemaj, punon në postën e Pejës. …

Shokët e Vjenës (të Ambasadës Shqiptare -shën i Xh. D.) e mbajnë larg. Bile, kur njërit prej këtyre shokëve, i cili më qortoi pse rrija me I. K., i thash se është një njeri që imponohet me këmbëngulje dhe unë, si shqiptar, nuk mund ta përzë nga shtëpie ime, ky m’u përgjegj fjalë për fjalë kështu: “Ia paske frikën, prandaj s’e përzen si qenin!”

Ka disa muaj që i kam ndërprerë marrëdhëniet me të. Kur takohemi rastësisht flasim, por punë të përbashkëta nuk kemi. Bashkëpunimi me të gjatë demonstratave të mbajtura në Perëndim ka shkuar përmes shokut të “Lirisë”.

Kështu e kam parë unë të arsyeshme të veproj, duke marrë për bazë vrojtimet e parashtruara më sipër si dhe disa anë negative në sjelljen elementare të I. K., që herë duken agjamillëk, herë djallëzi të thella.” (Raport Komitetit të Degës së LNÇKVSH “Hasan Prishtina” në Turqi, 31 korrik 1981)

***

Marrëdhëniet e ndërprera të Jusufit me Ibrahim Kelmendin, që përmenden në letrën e 13 majit 1981, ripërsëriten në raportin e 31 korrikut.

Çka do të thotë kjo? Se marrëdhëniet e ndërprera pas numrit të fundit të Bashkimit (janar 1981) vazhdojnë të jenë të ndërprera deri në fund të korrikut 1981 pa shenjë të vogël se ka gjasa të ndryshojnë. Fjalët ”Kur takohemi rastësisht flasim, por punë të përbashkëta nuk kemi. Bashkëpunimi me të gjatë demonstratave të mbajtura në Perëndim ka shkuar përmes shokut të “Lirisë”, janë shumë informative.

Gjatë organizimit të demonstratave bashkëpunimi i Jusufit me Ibrahim Kelmendin ka shkuar përmes Kadri Zekës. Kjo do të thotë se nuk kemi të bëjmë me ndonjë trekëndësh barabrinjës, por vetëm me një segment, me një vijë të drejtë, në dy skajet e së cilës janë Jusuf Gërvalla dhe Ibrahim Kelmendi, ndërsa në qendër është Kadri Zeka. Pra Jusufi, bashkëpunon e komunikon me Ibrahim Kelmendin vetëm e vetëm përmes Kadri Zekës. Nga kjo rrjedh se Jusufi ia jep Kadri Zekës rolin e qendrës, ndërmjetësuesit, dhe këtë rol që ia jep Jusufi – Kadriut, Kadri Zeka e pranon, dhe këtu nuk ka asgjë të keqe. Ky ka qenë realiteti. Por Jusufit nuk i intereson aspak raporti i Kadri Zekës me Ibrahim Kelmendin dhe kurrë një jetën e vetë nuk i kërkon ndihmë Kadri Zekës për me i ndihmua me e pajtua apo me i evitua “keqkuptimet” e tij me Ibrahim Kelmendin.

3-4. Mercenari i mercenarit

Edhe letra e mëposhtme dhe shprehjet e saj tregojnë se nuk ka kurrfarë ndryshimesh të Jusufit ndaj Ibrahim Kelmendit gjatë muajit gusht 1981.

Jusuf Gërvalla: “Tani sapo e lexova letrën tënde (e treta me radhë që morëm këto kohët e fundit pa të dhënë përgjigje) të datës 14 gusht, me të cilën arriti edhe mendimi yt lidhur me I.K. Mendimet që shfaq ti lidhur me këtë person, janë jo vetëm të urta, po edhe shumë të njerëzishme. (Një fakt e ke lanë anash në përfundimin që ke nxjerrë duke analizuar sjelljen e këtij personi nga vërejtjet e mia për të: gatishmërinë e tij që të hyj vetë dhe t’i fusë edhe shokët në shërbim të forcave më reaksionare e mercenare të Perëndimit, siç janë ballistët dhe zogistët, madje duke u bërë vetë mercenar i tyre, pra mercenar i mercenarit). Megjithatë, pas analizash edhe më të thelluara, pasi të kemi mbledhur edhe ndonjë fakt për sqarimin e punës dhe të personalitetit të tij, nëqoftëse ai e meriton edhe pas kësaj kujdesin tonë për së mbari, atëherë nuk do të ngurrojmë edhe sa i përket punës lidhur me të. Të shpresojmë se ai e meriton.” (Letër Sabri Novosellës, 20 gusht 1981; Faridin Tafallari, Terror-Dhimbje-Qëndresë, Tiranë 1997, faqe 451)

3-5. Korrigjimi i vockël i gënjeshtrës së madhe të gënjeshtarit të madh

Xhafer Durmishi: ”Shtator 1981: Dalin Tezat rreth Frontit për Republikë, të OMLK-së.” (Kronologji, maj 1992, 1997)

Ibrahim Kelmendi: ”Shfrytëzoj rastin ta falënderoj Z. Durmishi për këtë kronologji. Një korrigjim i vockël: Tezat e Frontit për Republikën e Kosovës, të hartuara nga OMLK, na janë ofruar nga Kadri Zeka qysh gjatë qershorit 1981, me shpjegim se bisedimet në Kosovë janë pamundësuar për shkak të burgosjeve të mëdha dhe gjendjes se jashtëzakonshme.” (Gjurmë e fërkeme, 2019)

Ismet Rashiti: ”Në shtator të vitit 1981, me vendim të Kadri Zekës, Hasan Mala ishte nisur për në Kosovë, ilegalisht, për ta dërguar gazetë ”Liria”, përmbledhjen e njohur ”Këngët e lirisë” dhe literaturë tjetër të ndaluar. Paraprakisht me Kadri Zekën kishin për t’u takuar me Jusuf e Bardhosh Gërvallën, të cilët si bashkudhëtar ia caktojnë veprimtarin Haxhi Berisha. ”Deri në kufirin ish-jugosllav na kanë përcjellë Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla. Pastaj unë dhe Haxhiu kemi vazhduar rrugën me tren nga Lubjana, nëpër Mal të Zi dhe kemi dalë te Kulla e Zhlebit. Me vete kishim 1400 copë të gazetës ”Liria”, ”Këngët e lirisë” dhe shumë libra. Aty na kanë dalë shokët me veturë, e kanë marrë materialin dhe ne e kemi vazhduar rrugën, ashtu siç kemi mundur e ditur. Më vonë kam mësuar se ata tre shokë, që kishin dalë për të na pritur, ishin: Nezir Myrtaj, Naim Salihu dhe Selim Hyseni. Pas këtij aksioni, që u krye me sukses, më thirri Hydajet Hyseni, i cili ma kishte përgatitur një valixhe, ku i kishte futur Tezat e Frontit Popullor për Republikën e Kosovës. Po këtë ditë kisha vendosur ta vizitoja vëllanë, Rexhepin, në Burgun e Zenicës, e pastaj ta vazhdoja rrugën për mërgim. U bë si u bë, u nisa dhe shkova te Rexha për vizitë në burg. Ky ishte takimi i fundit me të. E shikova në sy dhe zemra ma ndjeu se nuk do ta shihja më. U ndamë me zemër të pikëlluar. Shkova, e mora valixhen ku e kisha lënë dhe u ktheva në Zvicër bashkë me ”Tezat e Frontit Popullor”. Kur shkova te Kadriu, në St. Gallen, aty kishte qenë edhe Jusuf Gërvalla” – tregon për herë të parë Hasani.” (Rrëfanë lirie, Prishtinë 2010, faqe 71-72)

(VIJON …)

_______________

QENDRA JUSUF GËRVALLA (UNITETI I OMLK-së ME FRONTIN E KUQ DHE 17 SHKURTI 1982) ( 2 )

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura