MEHMET HAJRIZI: VITI 1912 ËSHTË KURORËZIM I TË GJITHA BETEJAVE SHEKULLORE KUNDËR PUSHTUESVE (FOTO+VIDEO)

Pashtriku.org, 07. 04. 2016: (Fjalë e mbajtur me rastin e Ditës së Flamurit dhe të Pavarësisë së Shqipërisë – Përlepnicë e Gjilanit, më 26 nëntor 1990) –
Motra të dashura
Vëllezër të dashur
Ju përshëndes nga zemra të gjithëve!
Në këtë ditë e me këtë rast le të përshëndesim me përulje flamurin tonë kombëtar!
Flamurin e Gjergjit tonë legjendar;
Flamurin e Abdyl Frashërit e të plakut të urtë, Ismail Qemalit;
Flamurin e Isë Boletinit e Çerçiz Topullit;
Flamurin e Bajram Currit e të Hasan Prishtinës;
Flamurin e Ali Kelmendit e të Emin Durakut;
Flamurin e Rexhep Malës e të Kadri Zekës;

Flamurin e Nuhi Berishës e të Zija Shemsiut;
Flamurin e mijëra dëshmorëve që ranë në përpjekjet e historisë sonë të re dhe që e pasuruan atë histori.
Me këtë flamur populli ynë e ka çarë rrugën e historisë së tij me shpatë në dorë. Viti 1912 është kurorëzim i të gjitha betejave shekullore kundër pushtuesve të shumtë e të egër, kundër gjithë shtypësve të perandorive, kundër hordhive osmane e të tjera. Në ditën e lavdishme, më 28 nëntor 1912 u ngrit flamuri ynë fitimtar. Vetëm edhe dy vite, mbushen plot 80 vjet të shtetit tonë të pavarur dhe të lirë.

Mehmet Hajrizi, më 28 nëntor 1990, Përlepnicë e Gjilanit.

Motra dhe vëllezër
Siç e dini nga historia, megjithëse 28 nëntori i vitit 1912 ishte një e arritur dhe festë e madhe e popullit tonë, kur ai kishte fituar shtetin e vet, për të cilin ishte derdhur gjaku lumë nëpër shekuj, detyrat ndaj kombit nuk kishin mbaruar, prandaj përpjekjet kanë vazhduar me të njëjtin intensitet, me të njëjtin heroizëm dhe kanë vazhduar me këtë flamur deri në ditët tona.
Gjaku i kohëve më të reja që u derdh këtu në Kosovë tregon për shpirtin luftarak të popullit tonë, për forcën e pamposhtur të tij, për vitalitetin e tij, për heroizmin masiv të tij dhe për vendosmërinë që të fitojë përfundimisht mbi të gjithë armiqtë. Të rralla janë rastet në historinë e popujve të jetë ulur toka në gjak, në djersë e në lot sikur kjo e Kosovës. Një tokë e tillë e meriton lirinë. Edhe në qoftë se të tjerët nuk kanë mirëkuptim, ajo do ta fitojë atë patjetër.
Është një mrekulli të shohësh sot popullin shqiptar në Kosovë, të ngritur i tëri në këmbë, i shtrënguar fort në radhë të palëkundshme rreth një qëllimi të përbashkët, i ngritur politikisht në një nivel të lartë dhe me ndërgjegje kombëtare në piedestal. Popujt e Evropës kanë çka të marrin nga populli shqiptar i Kosovës, kanë çka të mësojnë nga populli shqiptar i Kosovës, sepse nuk ka asnjë dyshim se është populli më vital në Evropë, jo vetëm për atdhetarinë e tij, jo vetëm për moshën aq të re të kombit, por në radhë të parë për guximin, vetëmohimin dhe vendosmërinë që të fitojë e drejta në trojet e tij, me çdo kusht.
Aktualisht ne shohim përpjekje të çmendura dhe përpëlitjet e fundit të armiqve tanë për të na mposhtur, pa zgjedhur asnjë mjet dhe asnjë metodë dhune. Por aspiratat, qëllimet dhe objektivat që do të arrijë populli ynë, nuk mposhten. Po përdoren edhe mjetet më të ndyra që ka njohur historia, por edhe ato që do të futen për herë të parë në analet e historisë, sepse kanë qenë të panjohura deri më sot. Por, populli ynë nuk është përkulur kurrë në histori para asnjë dhune, para asnjë rrebeshi, përpara asnjë shantazhi, prandaj edhe dhuna e sotme mbi popullin tonë, të jemi të sigurt që do të dështojë me turp. Arma e urisë që po përdorë sot armiku kundër nesh është tepër e dobët sa ta mposhtë e ta mundë popullin tonë.
Një popull që di t’i falë gjakun vëllai – vëllait, do të jetë në gjendje edhe të ndajë kafshatën në dhjetë. Shumëkush nga jashtë e ndonjë edhe brenda, pyesin me habi, prej nga gjithë kjo ndjenjë filantropie e popullit shqiptar që të japë gjithçka nga vetja e tij për tjetrin. Ata nuk e kanë kuptuar thelbin e çështjes. Këtu nuk kemi të bëjmë me kurrfarë filantropie e me kurrfarë lëmoshe në kuptimin vulgar të kësaj fjale.
Populli shqiptar ka qenë bujar gjithmonë dhe kjo është një nga tiparet dalluese që e karakterizon atë në familjen e popujve botërorë. Por, këtu nuk është fjala as vetëm thjeshtë për një bujari, por është fjala për një bujari të ngritur në nivelin e patriotizmit të kohës, me qëllim që t’i kundërvihet masave të armikut dhe të mposhtet me masat tona, me kundërbllokadën tonë. Prandaj, le të mos i frikësohemi as kësaj arme, sepse s’mund të na mposhtë dhe të mos i frikësohemi asnjë plani, asnjë memorandumi e asnjë strategjie të armikut, sepse ne jemi njëqind herë më të fortë, njëqind herë më të vendosur.
Betejën do ta fitojë vetëm ai që ka vendosur të fitojë e populli shqiptar ka vendosur të fitojë.
Ju uroj gëzuar Festën e madhe të Flamurit e të Pavarësisë dhe mirupafshim përsëri në festa të tjera.
Gëzuar të gjithëve!
(Fjalë e mbajtur me rastin e Ditës së Flamurit dhe të Pavarësisë së Shqipërisë – Përlepnicë e Gjilanit, më 26 nëntor 1990.)

………………………………………………..

AA Vision-Agim Sylejmani: Intervistë ekskluzive me Mehmet Hajrizin – Pjesa e I-rë

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura