QERIM LITA: BASHKËPUNIMI MIDIS UNIVERSITETIT TË TIRANËS DHE UNIVERSITETIT ‘KIRILI E METODI’ TË SHKUPIT (1971-1981)

Shkup, 06. 04. 2014 – Gjatë vitit 1971 në Tiranë u nënshkrua marrëveshje bashkëpunimi midis Universitetit të Tiranës dhe Universitetit “Kirili e Metodi” të Shkupit. Bashkëpunimi i këtyre dy institucioneve të larta arsimore e shkencore u zhvillua pa ndërprerje deri në vitin 1981. Është e njohur se në fillim të viteve të shtatëdhjeta të shekullit të kaluar midis udhëheqjeve të atëhershme komuniste të RPS të Shqipërisë dhe RSF të Jugosllavisë, pas një periudhe të gjatë kohore, filloi një bashkëpunim, i cili më së shumti u shtri në sferën e tregtisë dhe të kulturës. Burimet shqiptare bëjnë të njohur se, në kuadër të bashkëpunimit kulturor, ishin nënshkruar disa marrëveshje, kryesisht midis institucioneve kulturore, arsimore e shkencore të Shqipërisë dhe të Kosovës. Mirëpo, nga këto burime kuptojmë se një marrëveshje e tillë, gjatë vitit 1971, në Tiranë u nënshkrua edhe midis Universitetit të Tiranës (në vazhdim UT) dhe Universitetit “Kirili e Metodi” të Shkupit (në vazhdim UKMSH). Bashkëpunimi i këtyre dy institucioneve të larta arsimore e shkencore u zhvillua pa ndërprerje deri në vitin 1981. Drejtuesit e dy universiteteve, në bazë të marrëveshjes së sipërpërmendur, për çdo vit shkollor nënshkruanin “Protokoll” për bashkëpunim mësimor e shkencor. Duhet theksuar se bashkëpunimi ndëruniversitar begatohej për çdo vit dhe shtrihej në disa fusha me interes për të dyja palët.
Për të parë se në çfarë përmasash zhvillohej bashkëpunimi midis UT’së dhe UKMSH’së, në vazhdim po e botojmë “Protokollin e bashkëpunimit mësimor e shkencor” të nënshkruar në Tiranë më 4 prill 1981, si dhe “Aneksin e bashkëpunimit” për vitin shkollor 1980/81.

– Universiteti i Tiranës –

 Dy dokumentet janë në gjuhën shqipe dhe gjenden në Arkivin Qendror të Shtetit (AQSH) – Tiranë, fondi 195, ndërsa për herë të parë dhe në formë origjinale po botohen këtu:
1
“PROTOKOLL I BASHKËPUNIMIT MËSIMOR E SHKENCOR MIDIS UNIVERSITETIT TË TIRANËS DHE UNIVERSITETIT TË SHKUPIT PËR VITIN SHKOLLOR 1980-1981”

Universiteti i Tiranës dhe Universiteti “Kiril e Metodij” i Shkupit, duke u nisur nga dëshira për të zhvilluar më tej marrëdhëniet e bashkëpunimit në fushën mësimore e shkencore, hartuan këtë protokoll bashkëpunimi për vitin mësimor 1980-1981.
I. Universiteti i Tiranës (në tekstin e mëtejshëm UT) dhe Universiteti “Kiril e Metodij” i Shkupit (në tekstin e mëtejshëm UKMSH), sipas mundësive dhe interesave që kanë, do të dërgojnë respektivisht kuadro mësimorë e shkencorë për të mbajtur ligjërata për tema të veçanta me studentë dhe pedagogë, për kërkime shkencore, arkivale e bibliografike, për këmbim përvoje.
II. UT shpreh gatishmërinë për të dërguar kuadro mësimorë e shkencorë për plotësimin e kërkesave eventuale të katedrës së Gjuhës shqipe të Fakultetit Filozofik, të Akademisë Pedagogjike dhe të institucioneve tjera, me kërkesën e UKMSH, për të zhvilluar kurse ligjëratash, cikle ligjëratash ose ligjërata të veçanta në fushën e albanologjisë.
III. UT është i gatshëm të sigurojë tekste universitare dhe botime shkencore e letrare që disponon në gjuhën shqipe për nevojat e UKMSH.
IV. UKMSH shpreh gatishmërinë të plotësojë kërkesat eventuale të UT në fushën e sllavistikës dhe në mënyrë të veçantë të maqedonistikës, ndërmjet dërgimit të kuadrove mësimorë-shkencorë për të zhvilluar kurse ligjëratash, cikle ligjëratash dhe ligjërata të veçanta.
V. UKMSH është i gatshëm të sigurojë tekste universitare dhe botime shkencore e letrare që disponon në fushën e sllavistikës dhe në mënyrë të veçantë të maqedonistikës për nevojat eventuale të UT.
VI. UT shprehet i gatshëm që, sipas kërkesës së UKMSH, të pranojë pranë katedrave të veta deri 5 studentë për konsultime të diplomave në fushën e albanologjisë.
VII. UT e UKMSH do të përkrahin organizimin e vizitave reciproke dhe ekskursioneve mësimore të grupeve të studentëve.
VIII. UT shpreh gatishmërinë për të pritur kuadro të katedrës së Gjuhës e të Letërsisë Shqipe të UKMSH, të Akademisë Pedagogjike të Shkupit dhe kuadro të tjerë për përgatitjen e temave të magjistraturës e doktoraturës si dhe për konsultime për studime të veçanta në fushën e shkencave albanologjike.
IX. UKMSH shpreh gatishmërinë për të pritur kuadro të UT për hulumtime shkencore në fushën e maqedonistikës, si dhe kuadro për studimin e perfeksionimin e gjuhës maqedonase.
X. UT e UKMSH nëpërmjet bibliotekave të tyre do të këmbejnë rregullisht literaturë shkencore, libra dhe periodike që botojnë dy Universitetet.
XI. UT e UKMSH, sipas kërkesave reciproke, do të këmbejnë plane dhe programe mësimore si dhe fotokopje e mikrofilma, materiale arkivale etj. të destinuara për qëllime shkencore.
XII. UT e UKMSH, sipas rastit do të ftojnë përfaqësues të njëri-tjetrit në konferenca, simpoziume, sesione shkencore të rëndësishme dhe në veprimtari të tjera, në të cilat UT e UKMSH paraqiten si organizatore ose bashkëorganizatore.
XIII. UT e UKMSH do të marrin përsipër të ndërmjetësojnë përkatësisht për realizimin e programeve të ligjëratave, të kurseve të perfeksionimit dhe të kërkimeve shkencore të kuadrove në institucionet mësimore e shkencore të RPS të Shqipërisë dhe të RS të Maqedonisë që nuk varen prej tyre.
XIV. Zbatimi i këtij protokolli do të bëhet në këto kushte financiare:
Shpenzimet e udhëtimit për vajtje dhe kthim si dhe paret e xhepit i merr përsipër Universiteti që dërgon kuadrin, ndërsa Universiteti pritës siguron fjetjen, ushqimin, shpenzimet e transportit të brendshëm, në bazë të dispozitave financiare të Universitetit ose të vendit pritës.
XV. Zbatimi i këtij protokolli do të bëhet nëpërmjet Rektorateve të të dy Universiteteve. Korrespodenca do të zhvillohet në gjuhën amtare të secilës palë.
Për realizimin me sukses të programit të qëndrimit të pedagogëve dhe të punonjësve shkencorë, Universiteti që i dërgon të njoftojë Universitetin tjetër të paktën 15 ditë më parë për zhvillimin e ligjëratave dhe 30 ditë për kërkimet.
XVI. Ky protokoll u hartua në katër kopje me përmbajtje dhe vlerë të njëjtë në gjuhën shqipe dhe maqedonishte.
XVII. Protokolli hyn në fuqi menjëherë.

PËR UNIVERSITETIN ‘KIRIL E METODIJ’ TË SHKUPIT REKTORI 

PËR UNIVERSITETIN E TIRANËS REKTORI
2
“A N E K S
I PROTOKOLLIT TË BASHKËPUNIMIT MËSIMOR E SHKENCOR MIDIS UNIVERSITETIT TË TIRANËS DHE UNIVERSITETIT TË SHKUPIT PËR VITIN SHKOLLOR 1980-1981

A. Universiteti i Tiranës do të dërgojë pranë Universitetit “Kirili e Metodij” të Shkupit:
I. Për ligjërata me tema të veçanta (sipas pikës I të protokollit)
– Rezultatet e hulumtimit të deritanishëm të florës; përmirësimet ujore në vendin tonë; rezultatet e studimeve pedologjike në vendin tonë; zhvillimi i vreshtave në RPSSH; mbi disa probleme të agrokimisë mbi pjellshmërinë e tokës; mbi disa probleme të ushqyerit të kafshëve shtëpiake; hepatitet eksperimentale dhe mjekimi i tyre me kortizonikë dhe imunodepresive; rezultatet e arritura në mjekimin e ekinokokoses;
– rezultatet e arritura në luftën kundër tuberkulozit; përvoja e jonë në trajtimin e prolapsit gjenital; tektonika e gjuhës së flishit dhe problemet e pozicionit paleogjeografik të saj; probleme të historisë së gramatologjisë shqiptare; shkollat e para kombëtare shqipe; arritjet arkeologjike shqiptare; rregullimi i brendshëm i Shqipërisë në vitet 1912-1921.
II. Për cikle ligjëratash në fushën e albanologjisë (sipas pikës II të protokollit.)
a) Historia e gjuhës shqipe (dhe dialektologjia)
– Raportet e gjuhës shqipe me gjuhët ballkanike (veçoritë me gjuhët sllave); mbi historinë e sistemit të foljeve në gjuhën shqipe; disa paralelizma të sistemit normal të gjuhës shqipe dhe gjuhëve të tjera ideoevropiane; faktorët që kushtëzuan ndarjen e gjuhës shqipe në dialekte dhe nëndialekte; karakteristikat kryesore të gjuhës së arbëreshëve të Kalabrisë e të Sicilisë; raportet midis gjuhës së shkruar dhe të folur; kryqëzimet funksionale në disa fjali të varura në gjuhën shqipe; sintagma dhe fjalia në gjuhën shqipe; mbi disa fjalë të diskutueshme dhe çështje të klasifikimit të formave të fjalëve; çështje të intonacionit dhe të melodisë së gjuhës së sotme shqipe; disa nga sukseset më të reja në fushën e leksikologjisë shqipe; karakteristikat e gjuhës së sotme letrare shqipe.
b) Historia e letërsisë shqipe
– Disa çështje të poezisë dhe prozës popullore legjendare shqiptare; romani në letërsinë e sotme shqiptare; figura letrare e N. Frashërit dhe A. Z. Çajupit sipas kërkimeve shkencore më të reja; karakteristika të stilistikës së letërsisë së sotme shqiptare; metrika në poezinë e sotme shqiptare; idetë romantike në poezinë e arbëreshëve të Kalabrisë e të Sicilisë; kontributi i rilindasve në krijimin e gjuhës letrare shqipe; lufta për alfabetin e unifikuar dhe Kongresi i Manastirit i vitit 1908.
III. UT do të dërgoj në UKMSH dy pedagogë për të mbajtur cikle ligjëratash me studentët e Akademisë pedagogjike të Shkupit në fushën e albanologjisë.
IV. Për hulumtime në fushën shkencore (sipas pikës VIII dhe IX të protokollit) UT shpreh gatishmërinë për të pritur deri në 4 studiues nga katedra e Gjuhës e Letërsisë shqipe dhe nga Akademia Pedagogjike për hulumtime e konsultime në përgatitjen e temave të magjistraturës dhe të doktoraturës në fushën e albanologjisë.
V. Për kërkime arkivale e bibliografike (sipas pikës I të protokollit).
1. Në fushën e historisë 2 persona nga 2 javë
VI. Për këmbim përvoje (sipas pikës I të protokollit).
– Në fushën e restaurimit të monumenteve të kulturës, 2 persona nga 2 javë
– Në fushën e banesave popullore 2 persona nga 2 javë
B. Universiteti “Kiril e Metodij” i Shkupit do të dërgoj pranë Universitetit të Tiranës: (do të plotësohet nga UKMSH)”

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura