QYTETËRIMI PELLAZG I EPIRIT DHE RILINDJA EUROPIANE (II)

Veshje nga vilajeti i Janinës dhe Selanikut 1873 Geschichte des kostüms in chronologischer Band 5 entwicklung (Auguste Racinet)

QYTETËRIMI PELLAZG I EPIRIT DHE RILINDJA EUROPIANE (II)

Nga Besnik Imeri, Vlorë 13 shtator 2021

Këtë kulturë pellazge të Epirit e trashëguan pasardhësit e pellazgëve që banonin të ngulur historikisht në këtë trevë; Arbërit (Arbëreshët, Arbanitasit), të cilët gradualisht nga mesjeta e vonë dhe këndej filluan ta quajnë veten shqiptarë.

Kjo kulturë pasqyrohet fuqishëm në etnografinë e banorëve autoktonë të tij prej mijëra vjeshtësh. Kjo kulturë vështrohet qartazi në këngët dhe vallet epirote (Thesproto-Kaono-Mollose). I ashtuquajturi “jambi mollos”, ose “vallja pirrike”, vinte që nga mugëtirat e kohrave, dhe sot kërcehet nga pasardhësit e tyre, lebrit dhe çamët. Shpesh herë duhet ngulur këmbë se mitet dhe legjendat paraqesin një realitet të vërtetë dhe të jetuar; Por që në ditët tona, ky realitet ka ardhur i mjegullt, i ndryshuar dhe i modifikuar gjatë shekujve. Ky fakt, që “jambi mollos”, ose “vallja pirrike”, kërcehen sot nga lebrit dhe çamët, të cilët janë pasardhësit e Kaonëve dhe Thesprotëve të lashtë;  vërteton legjendën, e cila na thotë , se këtë valle e kanë kërcyer Dioskurët, Polydeuku dhe  Kastori, paraardhësit e Kaonëve dhe Thesprotëve. Ja si ruhet tradita për mijëra e mijëra vjet.

Dhimitër Pilika në veprën e vet “Pellazgët, origjina jonë e mohuar” thotë: Sipas Pindarit, vallen pirrike e kanë krijuar dhe kërcyer të parët Dioskurët, të bijtë e Ledës dhe të Zeusit, Polydeuku dhe Kastori, të cilët janë shoqëruar me fyell nga vetë Athinaja.

 Por edhe vallja e grave të toskërisë është një mrekulli e papërsëritshme. Dallgëzimi i lehtë si një valë deti, apo si përkulja e bimësisë në pranverë kur fryn era, e bëjnë këtë valle sa origjinale dhe të papërsëritshme. Hijeshia dhe harmonia e lëvizjeve femërore, e ngjashme vetëm me lëvizjet e valleve të nimfave, sfidon çdo lloj valleje femërore, popullore apo moderne, që praktikojnë popujt e sotshëm nga lindja deri në perëndim. Për këtë Aristidh Kolia thotë, se vallja më e bukur e Greqisë së sotme (shekulli i XX) është vallja çame.[1] Kur vajzat e toskërisë kërcejnë në këto valle, duket sikur vetë perënditë pellazge të antikitetit, Afërdita, Athinaja, Artemida, Persefoni etj, kanë dalë në valle për t’i treguar botës mbarë, se këto valle mund t’i kërcejnë vetëm perënditë dhe bijat e tyre.

Një nga vlerat e veçanta të kësaj etnografie të fuqishme është kënga shumëzëshe (polifonia), e cila për origjinalitetin, lashtësinë, dhe të qënit perlë në artin burimor muzikor qysh nga parahistoria, është marrë në mbrojtje dhe ruajtje nga UNESKO

Nëqoftëse do të kthehemi prapa në histori dhe vemi në muret e Trojës, në mbrëmjet pas betejave djemtë e Akilit dhe Odiseut me siguri do t’i gjejmë duke kërcyer “jambin mollos”, ose “vallen pirrike”, si dhe vetë Akilin e Odiseun, me qylafin në kokë, dukje ja marë këngës “labçe”. Ndërsa në kampin kundërshtar, Hektori me trimat e tij, duke kërcyer “vallen e shpatave”, vallen pellazgjike të Kretasve të lashtë që vinin në gjumë Zeusin foshnje kur qante; vallen e kercyer nga Umbrianët pellazgë të Italisë; (simotra e jambit mollos) e duke kënduar me lahutë këngët e trimave, si dhe për heronjtë e rënë në beteja.

Të kënduarit shumëzërash është një mënyrë  tipike e të kënduarit të banorëve të  Epirit, pasi këta këndojnë vetëm në këtë mënyrë, ndërkohë që shqiptarët e krahinave të tjera krahas shumëzërëshit kanë edhe mënyra të tjera të kënduari. Këtë problematikë, nga pikëpamja muzikore, e kanë trajtuar profesionalisht mjaft autorë, përfshirë edhe Ramadan Sokolin. Por nga pikëpamja historike e trajton Nelson Çabej, i cili thotë:

“Shqipëria e Jugut është unike lidhur me të këndurit shumëzërësh sepse;

  1. Të kënduarit shumëzërësh në këtë rajon (Epiri i lashtë) është forma mbizotëruese e të kënduarit popullor.
  2. Prania e të kënduarit tre-zërash (në Toskëri-ose Epir), dhe në Labëri     katërzërash, nuk ndeshet në vende të tjera të Ballkanit dhe të Europës.

Të kënduarit tre-zërash është përhapur anembanë trojeve shqipfolëse (Toskëri, Labëri dhe Çamëri) kurse të kënduarit katër-zërash dëgjohet vetëm në rajonin e Labërisë, që përputhet thuajse saktësisht me territorin e fisit Epirot të Kaonëve të dy mijëvjeçarëve më parë.”[2]

Dallohet veçanërisht në këtë drejtim Dukati dhe Himara. Por kapetane e kësaj kënge është kënga himariote, ku zërat hyjnor, me një kombinim që i afrohet aq shumë përsosmërisë, ku atribut i së cilës mund të jetë vetëm dora e zotit. Këngët e Nase Benit dhe Neço Mukës duket sikur nuk i këndojnë frymë njerëzore por vetë hyjnitë, duket sikur vetë Zeusi pellazg ka zbritur nga Akrokeraunet e stërlashta bashkë me 12 të tijtë, dhe po këndon “labçe”. Kjo është një argument i fuqishëm që himariotët nuk janë grekë.

Qytetërimi, kultura shprehet fuqishëm në veshjet e një kombi dhe të një etnie. Pasardhësit e epirotëve, toskët, si dhe gjithë shqiptarët, i kanë mahnitur të huajt me veshjet e tyre, kur ata i kanë parë. Mbase nuk ka dokumente të mjaftueshme se si janë veshur epirotët (tesprotët, molosët, kaonët etj, megjithë punën e jashtëzakonshme dhe të shkelqyer të realizuar nga ish Instituti i Etnografisë me përfaqësuesen e nderuar të saj zj.Andromaqi Gjergji etj); por këto 300 vjetët e fundit, pasardhësit e tyre, toskët kanë kanë çuditur botën me veshjet e tyre.

Një të dhënë indirekte nga lashtësia për këtë problematikë na e sjell Virgjili, kur Andromaka e ndodhur ne Butrint i dhuron Askanit, djalit të Eneut, një veshje të jashtëzakonshme: Andromaka e zymtë, për lamtumirën  e fundit i sjell ca stofra të qëndisura me ar edhe një klamidë.[3] Nisur nga fakti, që qëndisja e veshjeve me ar ka qënë një traditë e vazhdueshme në të gjitha kohrat në Epir, siç do ta tregojmë edhe më poshtë, fare mirë mund të hamendsojmë se Andromakës qëndisjet me ar ja kanë bërë, ose ja kanë mësuar, epirotet e  Kaonisë në Butrint.

 Fustanella

 Një eshje mijëravjeçare është edhe fustanella e veshur nga burrat e territoreve pellazge, apo e popullsive me origjinë pellazgjike, që nga prehistoria, në antikitet, mesjetë, dhe tek shqiptarët, deri në ditët e sotme nga veriu në jug. Por edhe tek keltët skocezë, të cilët sot e kësaj dite, fundin me pala dhe ngjyra e kanë si veshje kombëtare. Në një mozaik, ku  paraqitet Aleksandri i Maqedonisë në kalë, dallohet qartë fustanella e shkurtër që ai mban veshur.         

Fustanella është një veshje pellazge, të cilën e kanë veshur edhe hyjnitë pellazge. Moikom Zeqo na jep të dhëna interesante lidhur me përdorimin e fustanellës qysh nga prehistoria nga popullsitë dhe hyjnitë pellazgjike: “Një terakotë e Durrësit e tregon hyjneshën Artemis me fustanellë dhe është e shek. IV p.erës sonë. Një tjetër terakotë e gjetur në Kliçevaç në Ilirinë e Veriut është akoma më e skajshme, i takon mijëvjeçarit të dytë para erës sonë

Shembujt janë të shumtë, sidomos po të kemi parasysh monumentet arkeologjikë, të zbuluar në territorin e ish Jugosllavisë, në atë që quhet Iliria e Sipërme. Fjala vjen skulptura e një burri me fustanellë, që është gjetur në Malibor të Sllovenisë është e shek. V para erës sonë…

Edhe në Shqipëri janë gjetur monumente të tilla. Një monument është gjetur në Mesaplik të Vlorës dhe tregon një burrë me fustanellë, është i shekujve III-IV të erës sonë.” [4]        

Veshjet e Toskërisë të qëndisura në ar, me një harmoni dhe kombinim perfekt ngjyrash gati gati natyrore, biologjike, sikur i ka bërë vetë zoti, nuk tregojnë gjë tjetër, veçse një shkallë sipërore qytetërimi, dhe të paarritshme nga kombe të tjerë. Veshjet e vajzave dhe grave të Korçës, Kolonjës, Gjirokastrës,  etj,  duke veçuar ato të Lunxhërisë dhe sidomos ato të Çamërisë, që të marrin sytë me ngjyrat e tyre, i tregon gratë dhe vajzat toske si perri. Por jo vetëm kaq, në veshjet e Lunxhit, ashtu si tek Xhubleta, janë fiksuar me qëndisje dhe endje kode të stërlashta prehistorike.

Kontesha angleze Amili Befort gjatë udhëtimit të saj në Shqipërinë e Jugut, Toskëri, në librin e saj “Brigjet lindore të Adriatikut më 1863”, thotë se: Në Pargë ajo ka parë veshjet më të bukura, me ngjyra të çelëta dhe të gëzuara.[5] Kështu mund të vishen vetëm shtojzovallet. Saktësisht vetë Artemida me nimfat e saj. Gjejmë rastin për të thënë, që në të gjitha veshjet e popullit shqiptar ka të stilizuara kode të stërlashta prehistorike, pellazgjike; madje mund të shtyhem më tej, deri në fillesat e njerëzimit. Mendoj se në to ka kode hyjnore, të cilat një ditë do të dekriptohen.

Nisiativa e televizionit kombëtar “Top-Chanel” në programin e tij “E diella Shqiptare”, ku me një frymë të fuqishme kombëtare paraqiti kulturën identitare etnografike të mbarë trevave shqipfolëse në Ballkan, dhe midis tyre, dhe ato të Toskërisë, meriton një përgëzim të veçantë për këtë punë të shkëlqyer. Vazhdojmë më  tej.

Gjej rastin këtu të tregoj për Epitafin e Gllavenicës, një vepër e rrallë arti me frymëzim fetar e qëndisur me argjend dhe flori dhe me ngjyra të jashtëzakonshme të tekstilit. Një kryevepër arti, siç thonë specialistët, e dyta në Europë. Kam të drejtë të shprehem, se nuk është rastësi që kjo kryevepër është realizuar në Toskëri dhe nga toskët, pasardhës të denjë të qytetërimit epirot. Një vepër e realizuar në shekullin e XIV me frymëzimin dhe përpjekjen e gjyshit të Gjergj Arianit Komnen, legjendarit. Atij Gjergji tosk që tronditi themelet e perandorisë osmane dhe habiti Europën e lemerisur nga fiset aziatike. Pas këtij Gjergji tosk do të vinte një Gjergj tjetër, geg, Gjergj Kastrioti më një zulmë akoma më të madhe. Dy Gjergjët si vëllezër binjakë, ashtu si dy kokat në flamurin kombëtar, ishin kryesuesit e Lidhjes së Lezhës.

Një vlerë të jashtëzakonshme ka vargu popullor i toskërisë, ku inteligjenca dhe aftësia poetike në thurrjen e tij, gjetjen e fjalëve të goditura, të cilat lenë pas edhe poetët më të mirë; tregojnë se këta thurrës vargu popullor janë trashëgimtarët e denjë të thurrësve të vargjeve të Iliadës dhe Odisesë. Nga këta poetë popullorë janë mëkuar poetët më të mirë tosk, arbanitas dhe arbëreshë këto shekujt e fundit, si dhe gjithë letërsia e dialektit tosk, të cilën duhet t’a shikojmë si  trashëgimtare të vërtetë të qytetërimit superior pellazg të Epirit.

Në vazhdim të kësaj llogjike, mund të themi se kjo letërsi, krahas gjithë letërsisë shqiptare, ka ndikuar fuqishëm në krijimin e gjuhës letrare shqipe, proces i filluar nga rilindasit (perfshirë dhe arbëreshët), me flamurtar dhe bilbilin e gjuhës shqipe (siç thotë populli në këngët e tij) Naim Frashërin dhe Jeronim De Radën, ka vazhduar me të tjerë si Andon Zakon (Çajupi), Ali Asllanin, Fan Nolin, Dritëro Agollin, Fatos Arapin etj, etj dhe që sot, së fundmi vazhdues shkëlqimtar i saj është Ismail Kadare. Kjo gjuhë letrare është një nga arritjet më të mëdha të kombit shqiptar këto dy shekujt e fundit, sidomos pas rikrijimit të shtetit shqiptar në vitin 1912. Pra, për mendimin tim, gjuha letrare shqipe e sanksionuar nga Kuvendi i vitit 1972, është rrjedhojë, midis të tjerash, (pa përjashtuar ndikimin e fuqishëm dhe të jashtezakonshëm te penave te fuqishme te dialektit gegë si Pashko Vasa, Ndre Mjeda, Gjergj Fishta, Martin Camaj etj etj, përfshirë edhe shkrimtarët nga Kosova deri tek Rexhep Qosja) edhe shprehje adekuate e këtij qytetërimi pellazg të Epirit.

 Në lidhje me këtë, studiuesi italian Gaetano Petrotta, midis të tjerash, është shprehur: “Duke kufizuar kërkimet për Epirin dhe duke mbledhur me kujdes e me durim pak shënime nga ato që historianët, gjeografët, etnografët, gjuhëtarët, kanë thënë rreth popullsive dhe gjuhës së kësaj krahine të rëndësishme të Shqipërisë, besojmë se na del e qartë: Që Epiri, në një farë mënyre, mund të konsiderohet si djepi i letërsisë shqipe”[6]

Nëqoftëse do të më lejohej, do të citoja studjuesin pellazg D’Anzhely, i cili vinte shenjën e barazimit midis Toskëve të Epirit në Shqipëri dhe Toskëve të Italisë (Etruskëve). D’Anzhelu shprehet:

Nuk është rastësi që gjuha letrare (ose standarte) italiane rrjedh nga gjuha e Toskanës, e cila mbahet si qëndra e kulturës italiane dhe nga e cila kanë dalë korifejtë e Rilindjes Italiane. Pasi Toskana është edhe krahina që kanë zotëruar në antikitet pellazgët e Italisë, Etruskët.

Po kështu, vazhdon ai edhe gjuha e Toskëve të Shqipërisë është baza e gjuhës Standarte shqipe; pasi toskët e Shqipërisë janë trashëgimtarët e pellazgëve të Epirit, të Dodonës famëmadhe. Ka një lidhje të pakuptueshme, vazhdon D’Anzhely, midis Toskëve të Italisë dhe Toskëve të Shqipërisë.    

-Nuk është një rastësi që gjenia e mendimit filozofik, politik, social dhe letrar e Rilindjes Kombëtare pati një bërthamë të fuqishme tek vëllezërit Frashëri, këta pasardhës të denjë të pellazgëve të ditur mollosë të Epirit, dhe të atij qytetërimi ndriçues në mijëvjeçarë.

     -Nuk është një rastësi që rektori i parë i universitetit të Stambollit ishte Hasan Tahsini, një pasardhës i denjë i thesprotasve të lashtë.

     -Nuk është një rastësi që shqipëruesi gjenial i kryeveprave të letërsisë botërore, lëvrues i madh i gjuhës shqipe të Toskërisë, poeti dhe prozatori, mendimtari, politikani dhe eruditi i shquar Fan Noli, ishte tosk.

Pikërisht, për këtë arësye, meqënëse gjuha letrare shqipe; si një nga arritjet më madhore të kombit shqiptar, pas alfabetit latin dhe shpalljes së pavaresisë; ku përveç kontributit të jashtëzakonshëm të mendimtarëve dhe shkrimtarëve katolikëve eruditë shkëlqimtarë të veriut të Shqipërisë, pasardhës të denjë të pellazgëve; është edhe një protuberancë shkëlqimtare e qytetërimit pellazg të Epirit; prandaj ajo është kthyer në një objekt ku kanë drejtuar fuqishëm sulmet dhe goditjet armiqtë e kombit tonë, të cilët me këtë synojnë rrënimin e kombit shqiptar.

Por kultura dhe qytetërimi i Epirotasve (ashtu si dhe tek Ilirët, Paionët dhe Dardanët) shprehet fuqishëm edhe tek vendi dhe roli që ata i kanë dhënë gruas në sistemin e tyre ekonomiko-shoqëror. Kujtojmë këtu Olimbinë epirotase, gruan e burrit të shtetit, Filipit të Maqedonisë, nënës së gjeneralit më të madh dhe erudit që ka njohur historia, Aleksandrit të Madh; e cila në mungesë të burrit, dhe me pas të djalit, si një grua me cilësi të jashtëzakonshme, qeverisi Maqedoninë.

Gjithashtu, qytetërimi epirot në dallim nga e gjithë bota e qytetëruar “moderne” e kohës, i njihte gruas me ligj të drejtën e trashëgimit të pronës. Ka shumë autorë, vendas dhe të huaj, që qëndrimin ndaj gruas dhe barazisë së saj me burrin tek paraardhësit e shqiptarëve, e vlerësojnë si një prapambetje të shoqërisë, si një atavizëm të kohës së matriarkatit. Nuk është e vërtetë. Kjo shpreh në mënyrë absolute qytetërimin e të parëve të racës tonë. Atë qytetërim, që shoqëria e sotme perëndimore moderne, po përpiqet që ta arrijë dhe nuk po e arrin dot.

Një shprehje tjetër shkëlqimtare e këtij qytetërimi, si tek te gjithë shqiptarët, dhe tek pasardhërsit e epirotasve, është toleranca fetare, një virtut i paarritshëm nder kombe të tjerë. Tolerancë, e cila vjen qysh nga besimi mendimtar pagan tek perënditë pellazge te Dodonës dhe deri në ditët e sotme; ku pasardhësit e tyre, të mësuar nga të parët e tyre më shumë perëndi, ku prej tyre zgjidhnin dhe nderonin atë që preferonin; edhe në kohët moderne ata zgjedhin dhe ndërojnë fenë që preferojnë me shumë, pa anatemuar besimtarët e të tjerave. Por rrënja e vërtetë e kësaj tolerance fetare tek shqiptarët, ka vetëm një arësye dhe vetëm një, qytetërimin e stërlashtë të racës tonë. Vetëm një racë e civilizuar dhe për më tepër me një civilizim të stërlashtë; ku në kohën që ajo e kish, të tjerët jo vetëm nuk e kishin, por mbase edhe nuk ekzistonin; mund të jetë indiferente ndaj besimeve fetare të krijuara dhe sponsorizuara nga racat e tjera gjatë erës sonë.

Për ta ilustruar këtë po permend vetëm një fakt, i cili për nga rëndësia dhe veçanësia, është rasti i vetëm në botë që vërteton tolerancën, madje dhe bashkëpunimin fetar; ku dy kisha janë të shkrira në një, dhe kjo është Kisha e Shënkollit në Mesopotam të Delvinës. Ndërkohë që pas Skizmës (çkitjes, krisjes) së vitit 1054 ka vetëm dy kisha të ndara veç e veç edhe përsa i përket objekteve të kultit, katolike dhe ortodokse; ekziston një kishë në Europë, ku të dyja kishat janë të shkrira në një kishë, në një objekt kulti të përbashkët. Kishë e cila nga pikëpamja ndërtimore është me dy absida, të cilat përfaqësojnë dy kishat, atë perëndimore dhe atë lindore; katoliçizmin dhe ortodoksinë.

Për të qënë më bindës në lidhje me këtë çështje, tolerancës fetare të lidhur ngushtë me civilizimin shqiptar, po i referohem një dokumenti të Lidhjes së Kombeve, të pasqyruar saktë nga Jozef Suare, i cili citon pjesë nga Raporti i Përgjithshëm (O.J.,qershor 1922,572,82) të 12 majit 1922, ku komisionarët e Lidhjes së Kombeve shkruajnë si më poshtë:

“Shqiptarët janë të bashkuar nga zakone dhe tradita shekullore, si dhe nga një gjuhë e përbashkët, ndërkohë që dallimet ndërmjet gjuhëve gege dhe toske,  në thelb, nuk janë asgjë më tepër se dallimet dialektore…Ndonëse dallimet në fe herë pas here kanë njëfarë ndikimi mbi politikën e brendshme të vendit, shfaqjet e fanatizmit, kaq të shpeshta në vendet e tjera që janë të ndara në fe, janë shumë të rralla në Shqipëri. Përkundrazi, rregulli përgjithshëm është një tolerancë e spikatur; sepse besimtarët e feve të ndryshme shpesh janë të lidhur ngushtë nga lidhjet e gjakut, nga traditat, madje dhe nga festa të përbashkëta kombëtare dhe fetare…

…Nga ana tjetër, nëqoftëse lejohet të zhvillohet ndjenja kombëtare, janë të gjitha arësyet për të besuar që cilësitë e racës shqiptare, traditat e saj, inteligjenca e saj e lartë dhe shija e saj artistike do ta bëjnë këtë popull të vogël të kontribuojë në mënyrë të dobishme, dhe jo pas shumë kohe, për kulturën botërore…”[7]

Dhe e fundit, por jo nga rëndësia, siç u tha edhe me lart, shprehja brilante e këtij qytetërimi, është gjuha shqipe e toskërisë. Gjuha epirote, “Epirotika lingua”, e cila, e folur nga orakujt e Dodonës dhe të Persefonës në Paramithi, e folur nga Akili, Odiseu, Aleksandri i Madh dhe Pirro Burri, është pasuria më e madhe e atyre që e flasin sot atë. Kjo gjuhë sipas Milan Shuflait…e folur në Epir, Akarnani dhe Etoli…, të cilën Tuqididi e tregon fare të pakuptueshme dhe të cilën shkenca e sotme nuk e numuron në ilirishten e vërtetë[8]

Humbja e kësaj pasurie të çmuar nga ish shqipfolësit e Epirit, arbanitasit, është edhe humbja më e madhe e ish bartësve të saj; të cilët me humbjen e saj kanë humbur mjaft cilësi dhe virtyte të vyera, duke u kthyer edhe deri në renegatë gjakprishur dhe vrastarë të racës së tyre.

Gjuha shqipe, vazhduese e drejtëpërdrejtë e pellazgjishtes (sidomos ajo epirote), që i ka rezistuar kataklizmave botërore, dhunës së popujve barbarë dhe pushtimeve të egra të perandorive, që kanë zaptuar trojet tona, si një smerald dhe margaritar verbues, e cila i ka hedhur tutje me përbuzje skorjet dhe baltovinat që i janë hedhur sipër nga rrebeshet dhe ligatinat e historisë për mijëra vjet nga etni dhe kultura inferiore kundrejt saj, duke u vetpastruar dhe vetmbrojtur nga to, duke krijuar nje imunitet të brendshëm hyjnor dhe si një zanë mali e larë me ujin hyjnor e me një ndriçim verbues, si një dhuratë e zotave për një popull të veçantë: pellazgët (të cilët historia i njeh për një popull hyjnor); Gjuha Shqipe ka ardhur e ruajtur nga shqiptarët, bir pas ati, si një amanet i dhënë nga zotat para dhjetra mijëra vjetësh më parë, dhe, që ka mbetur e tillë, zanafillore, deri në ditët e sotme, një fosile e gjallë parahistorike, e cila më shumë u ka dhënë, se sa u ka marrë gjuhëve botërore të racës së bardhë.

 Lidhur me gjuhën shqipe Sami Frashëri na ka lënë një “Porosi të Madhe”:

Shqiptarët flasin një nga më të vjetrat’ e më të bukurat gjuhë të dheut…Shqipja, gjuha jonë, q’është m’e vjetërë nga ato (gjuhët e vdekura: greqishtja, latinishtja, sanskritishtja) ësht’ e gjallë e flitetë edhe sot si në kohë të pelazgëvet…Kemi shumë shënja e dëftime, të cilat dëftejnë faqeza që ata pelazgë, që na dukenë si përrallë nga vjetëri e tepërt e tyre (kujtojmë këtu se çfarë thoshte Platoni për gjuhën pellazge dhe vjetërsinë e saj…na duket barbare nga vjetërsia e saj…), kanë folurë këtë gjuhë, që flasim na sot…pelazgëtë kanë folurë kaq mijë vjet më parë këtë gjuhë që flasim na sot, pothuaj pa ndryshime a me aq pak ndryshim, sa mundtte të delte sot një pelazg, do të muntimë të flasimë me të si fletë një gegë me një toskë…”[9]

Për të qënë pak bindës, rikujtojmë një referencë nga fillimi i këtij libri; Niko Stillo në hulumtimet e tij ka gjetur të dhëna interesante për përdorimin e alfabetit dhe të shkrimit në Thesproti deri 7000 vjet përpara; gjetjet arkeologjike vërtetojnë shkrime të lashta si në Dispilo të Kastoriasë 5200 p.e.s.…në kishat dhe manastiret në T(h)esproti apo Çamëri mbishkrime të tilla gjejmë të periudhës së shkruajtjes së tyre 5508 p.e.s.[10]  Pra, në Epir është shkruajtur 7000 vjet më parë, kuptohet që ky shkrim, ka pasë qënë i shkruar në gjuhën pellazge të Epirit, saktësisht të Thesprotasve të stërlashtë, paraardhësve të çamëve të sotëm, apo siç quhet zakonisht “lingua epirotika”. Pra, unë them 5000 vjet qytetërim pellazg i Epirit, por me këtë zbulim, automatikisht, themi 7000 vjet qytetërim pellazg i Epirit.

Në këtë kuptim, si një gjuhë zanafillore dhe si një fosile, që gjallon sot e kësaj dite, si një shpirt parahistorik, në trupat e shqiptarëve të sotëm, duhet të merret në mbrojtje nga UNESKO, si një nga vlerat e rralla të krijuar nga njerëzimi. Ajo duhet të përvetësohet nga njerzit eruditë sot në botë, si një vegël e domosdoshme për zhbirimin e të fshehtave të gjuhësisë botërore, por edhe si një çelës për futjen në misteret e diturisë njerëzore, dhe të jetë shkallë pasqyruese e erudicionit të tyre.

Nuk jam vetëm unë që e sugjeroj këtë. Para njëqind vjetësh e ka thënë edhe Xhorxh Fred Uilliams: “Kur bota diturore të ketë mësuar shqip dhe të ketë nxjerrë nga toka reliket e  saj, atëhere do të rishikohen njohuritë Homerike.” [11]

Kjo gjuhë, e përvetësuar nga gjuhëtarët dhe historianët perëndimorë do t’u heqë atyre nga sytë mjegullën mijëravjeçare dhe të habitur, ata për herë të parë, do të sodisin historinë dhe gjuhët e popujve nën dritën e qartë të diellit. Atëhere kanë për t’u vënë në vend padrejtësitë historike, mashtrimet, manipulimet dhe devijimet e qëllimshme të historisë botërore.

Në  këtë kumt jam përpjekur që, duke evokuar cilesitë, virtutet, kulturën dhe qytetërimin shkëlqimtar verbues të të parëve tanë, pellazgëve hyjnorë; të tregoj se këto cilësi, ky qytetërim brilant ndihet real tek ne, pasardhësit e pellazgëve; që pellazgët mos t’i shikojmë thjesht si një popull që i takon historisë dhe qe ka jetuar në parahistori dhe antikitet; por që jetojnë sot e kësaj dite tek ne, pasardhësit e tyre, ata janë në mishin dhe gjakun tonë me të gjitha cilësitë, virtutet, kulturën dhe qytetërimin brilant, pa asnjë ndryshim. Dhe këtë fakt duhet t’ia tregojmë botës së qytetëruar sot, vetë ne shqiptarët, nëqoftëse ata nuk arrijnë ta shikojnë, ne t’ua nxjerrim para syve. Kjo nuk është mburrje, është thjesht e vërteta, pasi kanë mbi dymijë vjet, që na marrin nëpërkëmbë. T’u tregojmë se kush jemi dhe me kë kanë të bëjnë. Kjo është e mirë ta dinë: armiqtë, por edhe miqtë.

  • VIJON –

__________________

Besnik Imeri  (marrë nga libri  “Epiri Pellazgjik”)

***

QYTETËRIMI PELLAZG I EPIRIT DHE RILINDJA EUROPIANE ( I )


[1]Aristidh Kola,“Arvanitasit dhe Prejardhja e grekëve”,Bot.”55”-2002, Përkth.Greq.Aldior Algora f. 343

[2] Nelson R.Çabej, “Epirotët:Shqiptarë të Lashtësisë”,Bot.F.Noli, Tiranë-2019, f. 266

[3] Publ Virgjil Maroni,“Eneida”,Bot.TOENA-1996,Përkth.Lat.H.Lacaj,Red.M.Xhaxhiu f. 100

[4] Moikom Zeqo, “Grishje e etnokulturës Iliro-Shqiptare”, Pashtriku.org dt.21.07.2014

[5] Zylyftar Hoxha, “Dallëndyshja e parë e udhëtareve femra në Shqipëri”, Gazeta “Dita”, dt.13 maj 2018.

[6] Gaetano Petrotta, “Vijimësia dhe ruajtja e gjuhës shqipe në Epir”, Reale Academia D’Italia.Roma-1941; Bot.shqip.ICEBERG.P.H-2013, Përkth.It.Anila Omari, f, 40

[7] Joseph Suare,”Shqipëria, ngritja e një mbretërie”,Bot.Uilliams & Norgate Ltd, Londër-1929, Bot.Shqip,DITURIA-2005, Përkth.Angl.Kujtim Ymeri, f.30

[8] Milan Shuflaj,“Serbët dhe Shqiptarët”,Bot.TOENA-2004,Përkth.Kroat,Hasan Çipuri,f.92

[9] Sami Frashëri, “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është dhe ç’do të bëhet”në kreun e VI  artikulli  “Kombëri’ e gjuh’ e shqiptarëvet”, Kostandinopojë -1899, Shtë.Bot.”Falcon”-Tiranë, f, 24-25

[10] Niko Stillos, Estrukishte-Toskërishte, Bot.Uest Print-2010, Përkth.Greq.Llambro Ruci,  f, 185

[11] George Fred Uilljams,“Shqiptarët”,Bot.ARGETA-LMG-2004,Përk.Angl.Akil Bubësi, Red.Xhevat Lloshi, f. 13

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura