RAMIZ CERNICA – SIMBOL I BASHKIMIT KOMBËTAR

RAMIZ CERNICA – SIMBOL I BASHKIMIT KOMBËTAR

Nga Prof.Mehmet HALIMI

“Më mirë i vdekur e faqebardhë, sesa i gjallë e tradhtar” – Ramiz Cernica (1903 – 1945)

GJILANI kurrë nuk ishte më i bukur, më i gjallë, më ballëlartë e më krenar sesa atë ditë festive, që po festonte tre përvjetorë, tri festa e tre gëzime: 28 NËNTORIN-DITËN E FLAMURIT, përkatësisht 111 VJETORIN e PVARËSISË SË SHQIPËRISË; PËRURIMIN E SHTATOTORES MADHËSHTORE në qendër të qytetit të Gjilanit, në shenjë nderimi e përjetësimi të personalitetit historik, të tribunit popullor dhe mbrojtësit të vegjëlisë – RAMIZ CERNICËS dhe 120 VJETORIN e lindjes së Tij, duke ia bërë të gjitha nderimet këtij kolosi legjendar, stoik e heroik, një prijës i urtë e largpamës, një qytetar e pushtetar i drejtë serioz e dinjitoz, një atdhedashës e arsimdashës, një misionar i flaktë i bamirësisë, njeri demokrat, jo vetëm në letër, por edhe në vepër, i cili tërë jetën ishte në shërbim të popullit e Atdheut të vet. Duke sakrifikuar në çdo çast e rast vendimtar, që kërkonte bashkimi kombëtar, ai duke dëshmuar trimërinë e guximin, ishte i gatshëm të rezistojë të gjitha baticat e zbaticat politike, kaloi nëpër rrugica e shtigje shkëmbore dhe nëpër prita e kurthe të inskenuara armiqësore, ishte i   gatshëm të sakrifikojë gjënë më të shenjtë e më të shtrenjtë – JETËN E TIJ. Ndaj, në këtë drejtim ai u bë model apo “vek për yrrnek”– siç thotë populli, e misionar i trimërisë e sakrificës për një SHQIPËRI    ETNIKE, ai shprehu qëndrimin e tij stoik e heroik, guximshëm e fjalëprerë si me shpatë të Damokleut: “JO – me Serbinë; PO – me Shipninë!”, që e tha si uragan buçitës në KUVENDIN famëkeq e kobzi të PRIZRENIT më 8-10 korrik 1945.

Ja si e përshkruan Rexhep Bunjaku këtë qëndrim heroik: “JO – ja e Ramiz Cernicës përplasur në surrat të Titos, më 1945 kundër bashkimit (aneksimit) të Kosovës me Serbinë. e ka pasur, e ka dhe do ta ketë peshën dhe rëndësinë historike kombëtare e botërore; ka qenë, është dhe do të jetë, simbol i trimërisë dhe i guximit në analet e historisë, në të kaluarën e në të tashmen si një patriot, duhet t’i mbrojë interesat kombëtare e t’i kundërshtojë tendencat shfarosëse të armikut” (Shih, Kosova, besa dhe tradhtia, Prishtinë 2017, f. 69).

Fjalimi i Ramiz Cernicës, në Kuvendin ndjellakeq, grabitqar e aneksues të Prizrenit, siç shkruan poeti ynë atdhetar i njohur, Zeqir Gërvalla, u bë program dhe platformë ideore e patriotëve shqiptarë, gjatë tërë sistemit monist pansllavist:

“Nga JO e madhe e Tij,

U çmendën korbat e zinj.

Nga PO e madhe e Tij,

Kurrë s’u shua DRITA për LIRI . . . ”

(Shih, botuar në Ibrahim Kadriu, RAMIZ CERNICA – SIMBOL I BASHKIMIT KOMBËTAR, Prishtinë, 2011, fq. 362).

Prandaj, mund të themi, “Ndonëse jeta është e shkurtër, lavdia mund të jetë e përjetëshme”(Ciceroni)

Pra, Ramiz Cernica pas një veprimtarie jetësore, zenitin kulmor të trimërisë e arriti kur shpirti dominoi mbi trupin, ideali mbi interesin, bashkimi kombëtar mbi karrierën politike për poste e kolltuqe, lindi heroizmi i Ramiz Cernicës, i cili zuri vend të merituar në përjetësinë historike, i simbolizuar edhe në shtatoren madhështore në qendër të Gjilanit.

Si i këtillë tribuni dhe patrioti, Ramiz Cernica, në kujtesën e popullit të vet do të mbetet i pashlyeshëm dhe i pvdekshëm si një flakadan i lirisë dhe i trimërisë. Ai ishte njeri i vlerave dhe i pajisur e stolisur me virtyte të larta, i lidhur si mishi me kockën për qëndrimet e parimet dhe idealet e veta. Ramiz Cernica nuk pati asnjë çast dhe asnjë rast shmangie nga synimet e qëllimet e veta jetësore, por si shkëmb graniti i stërvitur dhe i kalitur në furtuna e stuhi të jetës, i guximshëm dhe besnik ndaj bindjeve e parimeve të tij themelore, si veprimtar e luftëtar i përhershëm i bashkimit kombëtar, personaliteti i tij patriotik e historik, do të mebetet përmendore e kujtesës gjithëpopullore dhe gjithëkombëtare. Ai ishte një luftëtar i paepur në rrugëtimin dhe përpjekjet e vazhdueshme për bashkimin e trojeve shqiptare. Shih për këtë arsye, atij iu dha epiteti kuptimplotë e historik i nderit të kombit: SIMBOL I BASHKIMIT KOMBËTAR. Ai ishte si një lis, që bënte hije për një fis, si një lis shekullor me rrënjë e me gëdhenj të fortë i ndërlidhur për tabanain tradicional familjar, me shumë pasardhës e llastarë, të ngulitur për trualli autokton e stërgjyshor. Sepse siç thoshte Faik Konica: “Jeta e njeriut ka kuptim e vlerë të vërtetë kur rron e punon në vend të vet”.

Përkundër anatemimit e tabuizimit pesëdhjetëvjeçar nga komunistët serbo-çetnikë, përbaltimet, njollosjet e shpifjet, në popull për Ramiz Cernicën u tha e u fol me admirim e nderim, me simpati e dashamirësi të veçantë. Vijimisht u treguan e u ritreguan me kureshtje e respekt për ngjarjet e ndodhitë, për bëmat e sakrificat dhe për përpjekjet e Tij titanike në mbrojtje të interesave të vegjëlisë, për të drejtat e popullit të vet. Ramiz Cernica nuk heshti kurrë para padrejtësive që i bëheshin popullit shqiptar nga shovenistët serbë. Ai ra në konflikt me Bozho Maksimoviçin – zbatues i Reformës Agrare dhe me Banin e Banovinës së Vardarit të Shkupit, por kulminacioni rezistues dhe sakrifikues i tij, siç e zumë ngoje edhe më pare, ishte KUVENDI I PRIZRENIT. Ndonëse nuk pati jetë të gjatë, por pati jetë të bujshme, me plotë sakrifica, duke fituar nderë e lavdi të përjetshme. Këtë fakt e dëshmon SHTATORJA MADHËSHTORE, që po e përurojmë e po e shpalojmë sot, më 28 NËNTOR 2023, ndaj heroizmi, burrëria dhe trimëria nuk vdesin me heroin, ato jetojnë më gjatë. Madhështia e patriotit, Ramiz Cernica, ishte thjeshtësia e tij sa fisnike po aq edhe njerëzore, sepse ai nuk lejoi t’i këndohet kënga për së gjalli, duke thënë se: “Është vështirë me qitë burrninën teri n’ skej”. Dhe në poemën epike kushtuar Ramiz Cernicës:

“Çka po thotë ky Ramiz Cernica

Kur ja knojshin kangën Rainca

Amanet po ua la tanëve

 për së gjalli kuj mos ia knoni

se s’ka ma keq n’dynja

Kangën e vet trimi me vra.

 (M. Halimi, poemë epike kushtuar Ramiz Cernicës).

Ndaj tërë jetën ai iu përmbajtë kësaj maksime, kësaj porosie, këtij parimi e këtij qëndrimi, duke përfunduar jetën ballëlartë, krenar e faqebardhë, i pastër si loti e uji kristalor i gurrave të bjeshkëve tona. Kjo ishte vlera madhore shpirtërore e kombëtare e Tij. Ndaj asgjë, në asnjë periudhë kohore, nuk mund ta dëmtojë, ta devalvojë e ta zhvlerësojë veprimtarinë patriotike të një atdhetari të vendosur, as në jetë as pas vdekjes. E mira si vlerë kombëtare e njerëzore eshtë e pavdekshme, Ajo jeton me shekuj dhe se: Bota vuan, jo për shkak të dhunës së njerëzve të këqinj, por për shkak të heshtjes së njerëzve të mirë” (N. Bonaparta). Pra, Ramiz Cernica si njeri i mirë, i sinqertë, i ndershëm, i drejtë dhe guximtar kurrë, nuk heshti para padrejtësive, pavarësisht nga pasojat që do t’i pësonte në jetë. Sepse ai udhëhiqej nga parimi i tij i thënë publikisht me qindra here; “Ma mirë i vdekur e faqebardhë, sesa i gjallë e tradhtar”, që përputhet me mendimin filozofik: “Më mirë të vuajsh nga e vërteta sesa të shpërblehesh nga gënjeshtra“ (Leonardo Davinçi).

PERSONALITETIN HISTORIK TË RAMIZ CERNICËS E STOLISNIN

Edukata e shëndoshë familjare, fisnike e patriotike, që është buka e shpirtit, thjeshtësia njerëzore, trimëria e vendosmëria, gatishmëria për sakrifica e flijime në shërbim të Atdheut, drejtësia dhe besnikëria, urtësia e durimi si art i të shpresuarit, sinqeriteti e bujaria, optimizmi dhe bindja e besimi për një të ardhme më të mirë. Ai ishte njeri i urtë dhe këshilltar e pajtimtar i mirë, u jepte njerëzve shpirt e zemër dhe durim, që ishte ilaç për të burgosurit që të mos vuajnë shumë, Edhe në liri, edhe në burg, kudo që gjendej, Ramiz Cernica luante rolin, obligimin dhe detyrimet e tij atdhetare. Pikërisht në vetminë më të madhe, Ramiz Cernica nuk e ndjente veten të vetmuar. Ai e ndjente veten të lirë, sepse jetonte me bindje, shpresë dhe besim se idealet e tij do të realizohen herdokurdo. Ai kishte në personalitetin e tij diç profetike, sepse profetizonte të mirën, të drejtën, shpresën për liri dhe bashkim kombëtar, ndaj të gjithë ata që e njihnin apo jetonin në shoqëri me Të, e nderonin si njeri të mbërrimë e të urtë dhe si atdhetar të veçantë e të jashtëzakonshëm.

EDUKATA FAMILJARE E RAMIZ CERNICËS            

Ramiz Cernica pasoi rrugën e babait të tij, Mulla Halim Ahmetit, bashkëluftëtar vullnetar i kreshnikut të Karadakut-Idriz Seferit, që ndikoi në formimin e personalitetit të Ramiz Cernicës si njeri, si patriot e si tribun popullor. Periudha historike në të cilën jetoi, punoi e veproi Ramiz Cernica, ndërmjet dy luftërave botërore dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe pas saj. Periudhë kjo kyçe, e gjendur në udhëkryqin e ngjarjeve vendimtare për fatin e popullit shqiptar dhe mënyra, aftësia e zhdërvjelltësia se si u gjend në këto rrethana, si veproi e si u soll Ramiz Cernica në këtë periudhë të nderë politike, i cili me kritere e qëndrime parimore, duke qenë gjithmonë e gjithkund në shërbim të popullit e të atdheut, krijoi një vazhdimësi të traditës patriotike e familjare. Pra, duke pasur parasysh shembullin: “Shiko sojin nga ka ardhur, dardha pike nën dardhë” (Fj. u.), ai u bë shembull dhe frymëzim edhe për pasardhësit e tjerë të familjes HALIMI e HOXHA. Ndaj mund të themi me plotë të drejtë se formimi i Ramiz Cernicës si veprimtar e atdhetar besnik ndaj atdheut, ishte rezultat i natyrshëm i traditës patriotike dhe luftarake familjare, duke filluar nga babai i Ramizit: MULLA HALIM AHMETI, i cili luftoi kundër robërisë së Perandorisë Osmane, më 1910, në Betejën e Kaçanaikut, në Drenogllavë, ku u plagos, u zu rob dhe u dënua me 8 vjet burg dhe i rrethanave historike, nëpër të cilat u rrit, u selit e u edukua , u frymëzua për vepra madhore në interes të kombit, rrugë të cilën e vazhduan edhe pasardhësit e tij, siç ishin, biri i tij-Raifi, mandej nipat e tij (djemtë e vëllait), Kadri Hailimi, etnolog i shquar e ideolog i Organizatës ilegale për bashkim kombëtar, e vëllai i tij, Ramadan Hoxha, e shumë të tjerë me radhë. Ramiz Cernica kundërshtoi rreptë e trimërisht Banin e Banovinës së Vardarit të Shkupit, i cili urdhëronte për vrasjen e një koloni serb nga një kaçak shqiptar- Tafë Kabashi, që ose të zihet kaçaku ose të vriteshin njëqind shqiptarë për një serb. ’ “Hero është ai njeri, i cili në çastin vendimtar bënë atë që duhet bërë për të mirën e njerëzimit”(Fuçiku) dhe në shërbim të popullit e të atdheut. sepse atdheu nuk përfundon te pragu i shtëpisë. Ndaj në këtë drejtim Ramiz Cernica gjithnjë u kacafyt dhe gjithmonë i kundërshtoi padrejtësitë e Jugosllavisë Monarkiste dhe Jugosllavisë Komuniste. Kështu Ramiz Cernicës edhe pas vuajtjes së burgut i takoi të kundërshtonte Aksionin e Grumbullimit të Armëve dhe shpërnguljen e shqiptarëve për Turqi, që ishte pasojë e Reformës Agrare dhe Aksionit të Armëve, si masa shtrënguese dhe terror i egër dhe i paparë shtetëror. Ramizi duke e bindur masën me shembullin e vet qoftë me fjalë, qoftë me heshtje, por me vullnet e veprim personal, porosiste dhe këshillonte: “Shihni siç veproj unë, veproni edhe Ju” (Siç veproi edhe Ramë Bllaca në kohën e vet 1937); duke vepruar shpesh edhe si pajtimtar e këshilltar, demokrat i drejtë, tolerant, human e paqësor, ai kishte ndikim të madh në popull, gëzonte autoritet në masa, madje edhe te raja serbe, sepse shquhej për drejtësi e ligjshmëri, duke iu përmbajtur parimit: “Bëhu besnik ndaj miqve, zemërgjerë ndaj armiqve, armikun, i cili ka rënë për tokë, mos e shkelmo!

Amplituda zenitore dhe pika kulmore e madhështisë së shkëlqimit të heroizmit, të trimërisë, të vendosmërisë dhe të sakrifices, u shpërfaq në mënyrë burrërore e dinjitoze, ndërgjegjshëm dhe përgjegjshëm për pasojat e fjalimit të tij në KUVENDIN E PRIZRENIT.  Ky ishte kundërshtari më i zëshëm i aneksimit të Kosovës me Serbinë, duke thënë tekstualisht: “Nuk dua që brezat e rinj të më mallkojnë për jetë, prandaj po them: “JO-me Serbinë, PO-me Shipninë!” JO-ja e Ramiz Cernicës, nuk është një fjalë e thënë rastësisht apo një artikulim i pamatur dhe i papeshuar, ndonëse në kontekstin e forcave regresive, diktatoriale moniste, kur kemi parasysh raportet forcë – drjetësi, kur e drejta juridike dhe morale ishte shkelur e nëpërkëmbur, gjason të jetë si e tillë. Mirëpo, Ramiz Cernica me JO-në e vet shpreh një vigjilencë largpamëse, si një vizionar legjendar, të cilit nuk mund t’ia shesish “egjrin për grurë e sapunin për djath”, ai shpreh jo vetëm dëshirën, vullnetin, dashurinë emocionale për mosndarje nga tërësia e etnosit dhe trungut autokton stërgjyshor iliro-arbëror-shqiptar, por ai shpreh diç të natyrshme dhe juridikisht të drejtë kur thotë :“Ku keni parë Ju, që fëmija t’ia kthej shpinën nënës e ta përqafojë njerkën?”Prandaj mohimi i njerkës (i Serbisë ) para nënës (Shqipërisë), ishte edhe i natyrshëm edhe i logjikshëm edhe juridikisht i drejtë. Ramiz Cernica ishte i vetëdijshëm se aktualisht, në kohën e rrethanat politike kur e tha këtë mendin e këtë kundërshtim, kur e shprehu këtë qëllim, duke ditur situatën aktuale e historike dhe rreshtimin e politikës shqiptare të lidhur e të zënë peng për qerren e bllokut të lindjes ortodoksiste pansllaviste, ishte i parealizueshëm, ndaj ishte plotësisht i vetëdijshëm edhe për pasojat e qëndrimit të tij kategorik e heroik dhe të vendosur para armiqve të vjetër e të rrezikshëm, që do ta hanin aty për aty si bisha gjahun, nga njëra anë, por ai ishte i ndërgjegjshëm e largpamës se në një të ardhme kjo dëshirë, ky synim e ky qëllim patjetër do të realizohet, qoftë me të, qoftë pa të, nga ana tjetër. Nga kjo rezulton se Ramiz Cernica nuk luftoi për interesa personale, as për poste, as për kolltuqe e as për karrierë politike. Ai luftoi për popull e Atdhe, u përpoq për lirinë e për bashkimin e brezave të ardhshëm, për një Shqipëri Etnike. Ndaj si tribun i popullit, ai u bë Simbol i Bashkimit Kombëtar. Prandaj, JO-ja e madhe e historike e Ramiz Cernicës, e dalë nga shpirti e zemra, e menduar dhe e bluar në logjikën e një patrioti dhe diplomati të vendosur e largpamës, që “nuk iu lag baruti kurrë”as nuk u tremb kurrë nga kërcënimet e armiqëve, sepse ai thoshte: ”Trimi një herë lindë e një herë vdes, frikacaku vdes tri herë në ditë”. Pra kundërshtimi i tij ishte një vendim, një sakrificë vetëflijuese e kuptimplote, jehona e të cilit do të përhapet e do të jehojë nëpër dekada, nëpër kohë historike dhe nëpër hapësirë gjeografike të të gjitha trojeve shqiptare. Prandaj, “JO-ja dhe PO-ja e Ramiz Cernicës u bë program dhe platformë ideore e patriotëve shqiptarë, gjatë tërë sistemit monist pansllavist. Dhe ja sot RRUGA E KOMBIT është sinjalizim dhe paralajmërim i Bashkimit Kombëtar, realizim e solemnizim i dëshirës së Ramiz Cernicës dhe kuptimsim i natyrshëm, logjik e politik i JO-së së Ramiz Cernicës. Fjalë kjo, që po përsëritet me frekuencë të madhe në shtrirje gjeografike ballkanike, evropiane e botërore. Sepse sot edhe KS-ja edhe OKB-ja, po e thonë hapur e shkoqur: “KOSOVA KURRË MË ME SERBINË”, dhe se edhe kryetari i SHBA-ve, Bill Klinton i tha troç e pa paj Serbisë, se Kosova s’është e saj dhe akademiku anglez Noel Malcolm e tha me gojë e me shkrim se “Bashkimi i Shqipërisë me Kosovën është legjitim”, nga njëra anë, por Ramiz Cernica i shkuptimsoi dhe i zhvlerësoi fjalët demagogjike të një politike ekspansioniste të hegjemonizmit pansllavist në Ballkan. Ndaj si i këtillë Ramiz Cernica përfaqëson një figurë brilante stoike e heroike, në momente vendimtare, që i shëmbllen figurës së Hasan Prishtinës, nga ana tjetër, i cili dijti kur të flasë e kur të hesht, por kur e kërkon nevoja dhe e lyp Atdheu edhe të bëhet kurban për Të, pa iu trembur syri fare.  Edhe kjo JO, që ishte një shkreptimë e bubullimë me rrebeshe breshëri, shi, furtunë e stuhi, e cila Ramiz Cernicës i kushtoi me 20 vjet burg të rëndë politik, kurse të birit- Raifit dënim me vdekje, i shndërruar në 20 vjet, kurse familjes së gjerë me rreth 100 vjet, nga njëra anë, ndërsa regjimi Titist e Rankoviçist zbatoi ndaj familjes së Ramiz Cernicës, izolimin e leçitjeve, inskenimet e spiunimet, shpifjet e trillimet, njollosjet e përbaltimet dhe presionin ekonomik me prapavijë politike, duke ngarkuar këtë familje me “teprica”e tagra të larta e deri te konfiskimi i pasurisë me qëllim varfërimi e poshtërimi, si dhe ndjekjet dhe arrestimet, torturat e dënimet drakonike e deri te likuidimet fizike, kur shovenisttët e paramilitarët serbë, më 18 prill 1999 masakruan djalin e dytë të Ramizit –Fehmiun me gjithë bashkëshorten Hyrishahen dhe dogjën 6 shtëpi të djemëve e nipave të Ramiz Cernicës, nga ana tjetër. Ishte kjo një hakmarrje monstruoze e shtazore e inskenuar dhe e planifikuar kundër pasardhësve të tribunit popullor – Ramiz Cernicës. Mirëpo, përkundër këtyre masave të egra ndëshkuese, armiku kur nuk arriti as ta thyej, as ta gjunjëzojë e përulë moralisht e as fizikisht këtë familje. Ajo doli gjithnjë e kudo e qiti shtegu e ortegu jetësor e familjar, politik e patriotik, më e fortë, më e dinjitetshme e faqebardhë. Pushtuesi serb, armiku i egër e barbar serboçetnik, gjatë një periudhe një shekullore shigjetoi si gjahun në rezervate, zbatoi ndjekjen e shtrigave në familjen e gjerë HALIMI e HOXHA, të korifeut e ideologut – Ramiz CERNICA.

RAMIZ CERNICA ATDHETAR DHE HUMANIST

Ramiz Cernica doli nga gjiri i popullit e që vijimisht me tërë qenien e tij fizike, mendore e shpirtërore luftonte për të drejtat e popullit. Ai ishte i mbrujtur me ndjenja atdhedashurie, jo vetëm ndaj kombit të vet, por ndaj mbarë njerëzimit, Sepse ai kultivonte një sjellje dhe kulturë mbarënjerëzore. Gjatë tërë jetës së tij, ai ishte në shërbim të popullit e Atdheut, në shërbim të drejtësisë, të demokracisë dhe humanizmit. Në aksionet e tij, në qëndrimet e parimet e tij jetësore, te Ramiz Cernica u shquan mendjemprehtësia, parashikimet vizionare dhe profetike, që dëshmohen me JO-në e tij të madhe, atëbotë kur u tha ishte paradoksale dhe e paimagjinueshme, por sot pas 78 vjetësh, po thuaj pas tetë dekadash, u bë aktuale dhe e realizueshme dhe botërisht e pranueshme. Sepse sot, Kosova e Shqipëria si dy shtete motra kanë një zhvillim të përbashkët vëllazëror, arsimor e kulturor, ekonomik e politik drejt bashkimit kombëtar. Ndaj, siç shihet nga veprimet e tij, Ramiz Cernica kishte një vullnet të forte, një vullnet, i cili ishte arma e fuqisë së rezistencës së paluhatshme e të pathyeshme. Ai në veprimtarinë e tij të palodhshme atdhetare, u përpoq të kultivojë e të zbatojë: drejtësi e paqe dhe humanizëm ndërmjet njerëzve e popujve me përkatësi të ndryshme kombëtare e fetare, por mbi të gjitha luftoi për liri e pavarësi, për çlirim e bashkim kombëtar – PËR NJË SHQIPËRI ETNIKE, në shtrirjen e saj gjeografiko-etnografike e demografiko – historike të populluara me banorë rrënjës e autokton deri në çdo cep e shkrep, ku bukës i thonë – b u k ë, e ujit – u j ë, e ku flitet gjuha iliro-arbëroro-shqipe, është e drejta jonë historike dhe tapia faktike e juridike ndër shekuj, në këto troje, ku gjëllinj edhe sot shqiptarët si popull shumicë.

EDUKATA FAMILJARE E KOMBËTARE E RAMIZ CERNICËS

Ramiz Cernica, si bir i Mullla Halim Ahmetit, mori edukatën e shëndosh familjare, fisnike e patriotike. “Edukata është buka e shpirtit” (De Amicis). Shpirti ushqehet me edukatë, ndaj edukata e shëndosh familjare është taban i virtyteve njerëzore. Ramiz Cernica pati fatin të jetë një anëtar i denjë i familjes së Mulla Halim Ahmetit, një personalitet i denjë kombëtar dhe fetar i hisorisë sonë kombëtare. Ndaj Ramiz Cernica që nga rinia e tij e hershme u bë prijatar i shqiptarizmit. Ai mësimet e shqiptarizmit dhe atdhetarizmit i kishte marrë nga babai i vet dhe bashkë me qumshtin e nënës dashurinë për Shqipërinë Etnike. Pra, Ramiz Cernicës dhe një familjeje të tërë HALIMI e HOXHA nuk iu kishte munguar shkolla e shqiptarizmit, e cila tradicionalisht e vazhdoi rezistencën kundër armiqve pushtues të egër e barbar: turq, serbë e bullgarë, duke luftuar për liri e pavarësi, pasuroi traditat e veta të atdhedashurisë. Mulla Halim Ahmetit, i cili mori pjesë në luftën e Kaçanikuit më 1910, kurse vëllezërit e Mulla Halimit: Zejnullahu, Bajrami e Hyseni, ishin luftëtarë vullnetarë në Luftën e Kumanovës më 1912, në mbrojtje të kufirit, ku Zejnullahu ra dëshmor, kurse Bajrami u plagos, ndërsa Hyseni, djemtë e të cilit luftuan kundër serboçetnikëve më 1944, ku Rasimi ra dëshmor, kurse Hasimi u shqua për trimëri e heroizëm luftarak. Edhe nipi i Mulla Halimit (djali i vëllait), Shyqri Ahmeti bashkë me axhën e tij (Mulla Halimin), mori pjesë në luftën e 1910, i cili u zu rob dhe u torturua buzëvdekjes. Pisha e atdhetarizmit, në familjen e Mulla Halim Ahmetit, e cila nuk u shua kurrë, Ramiz Cernica me pasardhës të tij e shndërroi në flakadan të ndezur, që e pasuan djali i tij Raifi, nipat Kadri Halimi e Ramadan Hoxha, Shemsedin Hoxha, Arban Hoxha, Imer Halimi e djali i kusheririt të Ramiz Cerncës – Nazmi Hoxha dhe Zija B. Hoxha. Flakadan ky që shndriti me dekada brenda një shekulli, duke përhapur dritën dhe rrezet e lirisë, ndriçoi shtegun e shenjtë kombëtar, duke pasur si synim e qëllim, çlirimin e Kosovës nga Perandoria Osmane dhe nga çizmja pansllaviste serbe e pansllaviste komuniste dhe bashkimin e saj me Shqipërinë, që në krye me korifeun e Atdhedashurisë – Ramiz Cernicën – Simbolin e Bashkimit Kombëtar, përbëjnë një shtyllë dhe një bazament të forte të kështjellës së shtetit të ardhshëm shqiptar të SHQIPËRISË ETNIKE.

Ramiz Cernica krijoi vlera njerëzore e burrërore edhe vetë u bë një vlerë e shquar kombëtare, duke u bërë shembull dhe frymëzim e udhërrëfyes edhe për të tjerët, për brezat që vijnë pas tij. Sepse “ata që sillen me mospërfillje ndaj së kaluarës, e kaluara do t’u përsëritet në të ardhmen” (G. Sante). Dhe se “Gënjeshtra krijohet, kurse e vërteta ekziston”. Derisa të tjerët, armiqtë e kombit tonë dhe armiqtë e Ramiz Cernicës, përpiqeshin të mbronin gënjeshtrat, ndërsa Ramiz Cernica mbronte të vërtetën, mbronte të drejtën dhe tërë jetën ia kushtoi drejtësisë, për të u angazhua dhe për të vuajti tërë jetën, por sa më shumë që vuajti aq më tepër iu shtua vlera si njeri dhe si patriot dhe si tribun i popullit, sepse vlera e njeriut qëndron në sprovat e sakrificat e tij, të cilat Ramiz Cernica i përjetoi dhe i mbijetoi dhe i tejkaloi me sukses, duke përfunduar jetën e tij me nderë e faqebardh para popullit, para atdheut e para historisë, siç thoshte vetë: “Është vështirë me qitë burrninë në skej”, por ai duke iu përmbajtur këtij parimi, burrërisht e faqebardhë, ballëlartë e krenar e përfundoi veprimtarinë e vet atdhetare e jetësore. Ramiz Cernica ia mori hallallin Nënëlokes Hajrie për t’ia falë jetën Kosovës. I la nam e nderë Shqiptarisë, faqebardhë Shqipërisë Etnike.

Meritë e veçantë për ngritjen e shtatores së Ramiz Cernicës në qendër të Gjilanit i takon Kryetarit të Kuvendit Komunal të Gjilanit – zotëri, Alban Hysenit me deputetët e Kuvendit; Shkrimtarit të shquar, zotëri Ibrahim Kadriut, i cili shkroi monografinë për Ramiz Cernicën dhe skulptorit të vyeshëm, mjeshtër i artit të skulpturës, zotëri Sabri Shaqirit, gjithashtu merita ka edhe nipi Ismet Sylejmani, i cili u angazhua maksimalisht për ngritjen e shtatores së Ramiz Cernicës, të cilët i përgëzojmë dhe i urojmë nga zemra, shëndet, jetë të gjatë e të lumtur dhe suksese në punën e tyre dhe përherë u jemi mirënjohës dhe falënderues të përzemërt.

Prishtinë, më 7 dhjetor 2023       

Total
0
Shares
1 comments
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura