RESHAT AVDIU: KONGRESI I BERLINIT (13 QERSHOR 1878) DHE RINDARJA E TOKAVE SHQIPTARE

Preshevë, 16. 06. 2014 – Më 13 qershor të vitit 1878, i kishte filluar punimet e tij, Kongresi i Berlinit. Në të morën pjesë gjashtë fuqitë e mëdha evropiane: Anglia, Austro-Hungaria, Franca, Gjermania, Italia dhe Rusia. Ndërsa pjesëmarrësit e fuqive të mëdha nuk ishin të barabartë në përfaqësimin e tyre në këtë kuvend burrë shtetesh, përfaqësuesve të shteteve ballkanike do t’u lejohej vetëm se t’i paraqisnin qëndrimet e qeverive të atyre vendeve nga ishin deleguar. Kongresi i Berlinit punimet e tij, plenare do t’i vazhdonte një muaj rresht, ku do të merrte një varg vendimesh të rëndësishme, ku njëkohësisht do ta bënte rishikimin dhe revidimin e paqes së Shën Stefanit dhe, rregullimin e shumë çështjeve tjera devijonte në Ballkan. Porse ky kongres nuk do ta përfillte as edhe për së afërmi vetëvendosjen e popujve të këtij gadishulli dhe as kërkesën e muhaxhirëve që të ktheheshin nëpër pasuritë e tyre të patjetërsueshme atje në Shqipërinë e Vjetër Verilindore si në: Nish, Toplicë, Vidin, Tërn, Prokupje, Pirot, Luginën e Timokut, Leskoc, Masuricë, Vrajë etj. Porse qëndrimet e tij ishin të para përgatitura në mënyrë të fshehtë, qysh më parë se të fillonte ky kuvend famëkeq për ne shqiptarët si kolektivitet i etnisë sonë.
Kongresi i Berlinit, me t’i mbaruar punimet e tij me 13 korrik, Bullgarisë do t’ia njihte shtetësinë, porse ajo edhe më tutje do të mbetej nën sovranitetin dhe integritetin e Portës së Lartë të Stambollit. Territori i saj, shtrihej dhe kufizohej nga Tuna(Danubi), e gjer në vargmalet e Gadishullit Ballkanik, kurse territoret e Bullgarisë në Jug të këtyre vargmaleve do ta formonin një provincë autonome të Perandorisë Osmane, e cila do të emërtohej me emrin Rumelia Lindore. Pastaj Bullgaria e Shën Stefanit i përfshinte edhe territoret e Maqedonisë, ku edhe më tutje i mbante Perandorisë Osmane.
Ndërsa, Austro-Hungaria do të insistonte që Serbia e Millan Obrenoviqit të zgjerohej në juglindje, duke i marrë trojet e Shqipërisë së Vjetër Verilindore si: Luginën e Krushevcit, Toplicës, Nishit, Timokut, Prokupjes, Pirotit, Ternit, Leskocit, Vrajës etj. Kongresi i Berlinit duke tentuar ta rishqyrtonte Traktatin e Shën Stefanit, ato tokat të Shqipërisë sëVjetër Verilindore, ia kishte dhënë Serbisë, në këmbim me trojet e Sanxhakut të Yeni Pazarit,Mitrovicës dhe Prishtinës. Kurse Mali i Zi,ngushtohej në bazë të Traktatit të Shën Stefanit të 3 marsit të vitit 1878 dhe, se ky këmbim i territoreve shqiptare, ishte bërë për përfitime tokësore në rend të parë për Bosnjën dhe Hercegovinën dhe Sanxhakun e Yeni Pazarit. Me formimin e kësaj lugine mjaft të madhe mes Malit të Zi dhe Principatës Serbe të M. Obrenoviqit, do ta shqetësonte pamasë Austro-Hungarinë. Pastaj Kongresi i Berlinit ia kishte shkëputur dhe njohur Malit të Zi, shumë toka të Shqipërisë së Vjetër Verilindore, siç ishin: Tivari, Podgorica, Plava dhe Gucia. Malit të Zi, më pastaj do t’i njihej edhe e drejta e lundrimit të lirë nëpër lumin Bunë dhe në liqenin e Shkodrës të Oso Kukë-Shkodranit, të cilat vende shqiptare më 1862, i shndërroi në gjak e varre me serbo-malazezët okupator. Kongresi i Berlinit i Gjermanisë të Otto von Bizmarkut, Serbisë dhe Malit të Zi, për më tepër do t’ia njihte pavarësinë e plotë, pjesërisht edhe mbi tokat e shumta shqiptare.
Duke e parë këtë përkrahje të pakursyer të Kongresit të Berlinit nga delegacioni diplomatik i Anglisë dhe ai Francës edhe, Greqia kishte dalë me kërkesat e saj kondominiumiste ndaj tokave të vjetra shqiptare të Çamërisë në Jug të Shqipërisë. Ndonëse, Greqia ishte pjesëmarrëse e luftërave gjatë viteve 1875-1878 dhe m’u për këtë, ajo nuk ishte marrë në konsideratë nga traktati i paqes së Shën Stefanit të 3 marsit 1878. Porse, kongresi i Gjermanisë të Otto von Bizmarkut, e kishte lënë këtë çështje të pezulluar dhe nuk do ta zgjidhte dhe vendosi që kufiri greko-turk në një të ardhme të zgjidhej dhe të caktohej nga një komision dypalësh. Vija e demarkacionit kufitar mes Turqisë dhe Greqisë, do të ishte nga rrjedha e lumit Selemvria, pastaj do ta ndiqte tavlvagun e Thesalisë dhe atë të lumit Kalamas në Vilajetin e Janinës të Shqipërisë së Vjetër Jugore. Këtu nuk ishin përfshirë vetëm se qytetet dhe fshatrat e rrethinës së Janinës, Prevezës, Konicës, Artës etj. por aty do të përfshiheshin edhe krahinat tjera etnike shqiptare të Çamërisë. Në rast se palët e lartë përmendura nukmerreshin vesh mes veti, fuqitë e mëdha evropiane e kishin të drejtën e tyre të rezervuar që të ndërmjetësonin midis këtyre palëve antagoniste.
Austro-Hungarisë, atëbotë do t’i njihej e drejta nga Anglia dhe Gjermania ta pushtonte dhe gllabëronte Bosnjën dhe Hercegovinën, më pretekst të ruajtjes dhe mbrojtjes të“qetësisë”nëpër këto vende myslimane. Meqenëse, nga vendimet e Kongresit të Berlinit, këto regjione, njiheshin si sfera të interesit të Portës së Lartë të Sulltanit. Austro-Hungaria,do ta merrte gjithashtu edhe limanin Spic (Splitit-v.a.), që ishte inkorporuar në kornizat e Dalmacisë. Kjo bëhej, nga ana e Austro-Hungarisë me tendencë prapanike, për ta siguruar dhe përfituar gjendjen e re që ishte krijuar nëpër këto territore me popullsi shumicë myslimane dhe se ajo në të njëjtën kohë do t’i siguronte vijat e komunikacionit siç thuhej edhe në nenet e Kongresit të Berlinit. Pastaj Austro – Hungaria, gjithashtu do ta fitonte të drejtën që t’i mbante edhe garnizonet ushtarake nëpër ato regjione shqiptare, pastaj ajo e kishte edhe të drejtën për të ndërtuar rrugë tregtare dhe ushtarake nëpër tërë Sanxhakun e Yeni Pazarit dhe atë gjer në Mitrovicë. Në këtë mënyrë Austro-Hungaria, i shtrinte pozitat e saj deri te porta e Shqipërisë së Vjetër Qendrore dhe po përgatitej të depërtonte drejt jugut kah kryeqendra atëbotë e shqiptarisë Selaniku.
Sikurse neni 39, i Traktatit të Berlinit, që sanksiononte kondita juridike mbi pasuritë e patjetërsueshme të popullatës të Shqipërisë së Vjetër Verilindore të Nishit, Toplicës, Luginës së Krushevcit, Leskocit, Vrajës etj. Ashtu edhe neni 23, i këtij Traktati parashihte, disa masa për popullatën jo turke për atë shqiptare në perandorinë e saj, për të cilat masa nuk do të merreshin vendime të veçanta, d.m.th. nuk do të krijoheshin mekanizma tjerë adekuate implementuese edhe, ky nen i Traktatit të Berlinit kishte mbetur vetëm se shkronjë e vdekur në analet gllabëruese të fuqive të mëdha evropiane që i ndanin tokat e Shqipërisë së Vjetër, për t’i kënaqur apetitet e tyre të pangopura. Dhe mu për këtë Traktati i Berlinit i Gjermanisë të O. v. Bizmarkut, do ta nëpërkëmbte parimin dhe vullnetin e vetëvendosjes së kombeve të shtypura dhe okupuara nën Perandorinë Osmane me diktatin e ri të fuqive të mëdha evropiane. Dhe se në këtë mënyrë, do ta ruanin sundimin e kalbur të Perandorisë Osmane dhe status-quon në Ballkan, për kusarinë e mëtutjeshme mbi trojet Arbërore nga Anglia dhe Austro-Hungaria. M’u për këtë kusari grabitqare nga këto dy fuqi të mëdha evropiane, ishte shprehur edhe V. I. Lenini ku thotë: “fuqitë e mëdha po e grabisin Turqinë”. 1
Vendimet, e padrejta të Kongresit të Berlinit do të shfaqeshin dhe manifestoheshin dhe atë në mënyrë të një anshme në lidhje me çështjen e trojeve të Shqipërisë së Vjetër Verilindore. Pastaj, asnjëra nga fuqitë e mëdha evropiane nuk i paraqiti në këtë kongres protestat e shqiptarëve kundër politikës hegjemoniste të Serbisë që i kishte dëbuar dhunshëm dhe pa kurrfarë mëshire më tepër se 700 fshatra nga kazaja e Nishit, Toplicës, Luginës së Timokut, Leskocit, Vrajës etj. Pastaj Traktati i Kongresit të Berlinit, nuk do ta përkrahte as edhe kërkesën e shqiptarëve për shtet autonom nën juridiksionin e Portës së Lartë të Stambollit. Traktati i Kongresit të Berlinit për më tepër e mohoi tërësisht ekzistencën e çështjes shqiptare si kolektivitet nacional, duke e konsideruar siç thamë më lartë tërësinë territoriale të Shqipërisë, thjesht si një shprehje gjeografike. Kështu që këta kolonialist, trojet tona etnike shqiptare, i kishin shndërruan thjesht në plaçka tregu për kusuritjen e pazareve të tyre hegjemoniste.
Rusia, duke e parë ndikimin mbizotërues të Austro-Hungarisë, që e kishte siguruar në Ballkanin Perëndimor,kryesisht në trojet e Shqipërisë. Sepse Rusia, këtë territor shqiptarë e konsideronte si tokë rezervë të saj edhe, kjo donte t’i kënaqte apetitet e saj sikurse fuqitë tjera evropiane. Porse Austro-Hungaria, qysh në verë të vitit 1877, i kishte filluar parapërgatitjet për ta pushtuar dhe okupuar tërë Shqipërinë, kjo tendencë e Austro-Hungarisë ishte një kundërpërgjigje kundër ekspansionit dhe ndikimit të Rusisë Cariste në Ballkan. Pastaj, Anglia qysh nga beteja e Sevastopulit në Krime,gjatë viteve 1853-1856,ishte mbrojtësja e vendosur e parimit të ruajtjes së Perandorisë Osmane me çdo kusht. Ky qëndrim mbrojtës i shërbente asaj jo vetëm për ta ndalur zgjerimin e shteteve sllave në Ballkan. Porse Anglia këtë e bënte edhe për një qëllim tjetër për të përfituar nga dobësimi i mëtutjeshëm i Perandorisë Osmane, ku pastaj do ta kishte më lehtë për të depërtuar në mënyrë “paqësore”, drejt viseve shqiptare të Gadishullit Ballkanik.
Italia, gjatë viteve 1877-1878, sa kishte arritur të konsolidohej si shtet kombëtarë dhe m’u për këtë Italia, ende nuk kishte aftësi në fushën e marrëdhënieve diplomatike ndërkombëtare. Pastaj udhëheqësja e shtetit italian ishte e pakënaqur nga tendenca e zgjerimit të Austro-Hungarisë në Adriatik dhe në Ballkan në përgjithësi. Pastaj qeveria italiane nuk kishte asnjë përfitim nga oferta që më 1877,O.v.Bizmarku dhe ministri i punëve të jashtme të Anglisë Derbi, ia kishin ofruar Italisë, që ta okuponte tërë Shqipërinë. Qeveria italiane, do t’i shmangej kësaj oferte ngase ishte e vetëdijshme, se do ta fuste veten në një konflikt, jo vetëm se me Austro-Hungarinë, por edhe me popullatën etnike shqiptare. Italia, duke qenë e pa zonja do të fillonte ta bënte një politikë dualiste kundër Austro-Hungarisë. Pjesëmarrja e saj në kongres të jepte një përshtypje të vajtueshme ndaj politikës, grabitqare dhe kolonialiste të Austro-Hungarisë dhe asaj gjermane. Përpiqej, që rivales të saj t’i shkaktonte vështirësi atje në Shqipëri, ajo fshehurazi e inkurajonte dhe e përkrahte lëvizjen shqiptare për autonomi. Austro-Hungaria duke i parë interesat e Italisë ndaj Shqipërisë, ajo do ta orientonte atë që ta pushtonte bregun verior të Afrikës, gjegjësisht Tripolin dhe Tunizinë. Italia, ishte e vetëdijshme se në këtë rajon do t’i prekte interesat e Francës, e cila bëhej gati vetë t’i pushtonte këto territore. Ministri i punëve të jashtme të Francës, ia kishte drejtuar vëmendjen Italisë në drejtim të limanit të Vlorës, i cili siç do të shprehej ai vet: “do të ishte për zotëruesit e Brindisit dhe Otrantos një fitim shumë i çmueshëm”2.
E vetmja çështje e drejt dhe parimore në lidhje me Shqipërinë e Vjetër, që do të ngritët nga Kongresi i Berlinit, do të ishin “privilegjet për Mirditën”3. Dhe se kjo përkrahje ishte bërë nga Austria për interesat e saj të ngushta fetare dhe se këtë çështje të ngritur ajo do ta fshihte prapa Francës. Dhe pikërisht këto dy shtete të fuqishme evropiane atëbotë, nga kongresi do të kërkonin me ngulm që Mirditës t’i garantoheshin privilegje dhe liritë që i gëzonte deri atëherë.
Turqia duke e parë këtë përkrahje do të deklaronte se tani për tani, ajo nuk kishte ndërmend të bënte ndryshime në favor të malësisë. Nën maskën e mbrojtjes të popullatës katolike Austro-Hungaria, e siguronte përkrahjen nga popullata katolike në malësinë e veriut, të cilët do t’i përdorte përmes klerit katolik si agjent të saj për të bërë presion ndaj shteteve sllave të Ballkanit. Kjo do të ishte e pakët se Lëvizja Kombëtare Shqiptare, në shprehjen e saj globale, në krahasim me popujt tjerë të Gadishullit Ballkanik, shqiptarët luftonte për një shtet nacional me kufijtë e tij natyror që i kishte para Traktatit të Shën Stefanit të 3 marsit 1878 dhe Kongresit të Berlinit të 13 korrikut 1878. Dhe m’u për këtë ajo do të mbetej e braktisur, pa përkrahjen e askujt dhe atë në çastet më kritike të saj. Kur atëbotë kishin filluar të krijoheshin shtetet e reja nacionale dhe, popujt e këtij gadishulli çdo ditë pavarësoheshin. Ndërsa për popullatën shqiptare dhe Shqipërinë natyrale, ishte krijuar një rrethanë negative dhe mjaft tragjike.
Kongresi i Berlinit, do ta shtonte dhe acaronte edhe më tepër pakënaqësinë në mesin e etnosit të robëruar shqiptarë, ndaj fuqive të mëdha evropiane dhe Portës së Lartë të Stambollit. Kjo pakënaqësi do të manifestohej veçanërisht nëpër trojet shqiptare të atakuara drejtpërdrejt ose tërthorazi nga vendimet e një anshme të këtij kongresi siç ishin: Plava, Gucia, Shkodra, Kosova dhe popullata që ishte shpërngulur dhunshëm nga të 700, e më tepër vendbanimet e saj autoktone të Shqipërisë së Vjetër Verilindore. Pastaj kjo pakënaqësi do të manifestohej edhe në jug të Shqipërisë, kur ishte ngritur çështja kufitare me Greqinë. Kjo rrethanë e krijuar do t’i favorizonte veprimet e patriotëve dhe luftëtarëve shqiptarë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për ta kthyer lëvizjen e deri atëhershme në një lëvizje të organizuar gjithëkombëtare shqiptare edhe për vet trojet e braktisura nga dhuna e shkaut para se të përfundonte Kongresi i Berlinit dhe vendimet paraprake të Traktatit të Shën Stefanit të vitit 1878.

Pamje nga Kongresi i Berlinit-historiografia shqiptare sot duhet t’i kushtoj një vëmendje të posaçme, ngjarjeve historike lidhur me “Krizën Lindore”. Ku si pasojë, e së cilës u mblodh Kongresi i Berlinit i 13 qershorit të vitit 1878 dhe se ky tubim diplomatik atëbotë ishte imponuar nga forcat kolonialiste të Evropës. Me qëllim që t’i hartonin hartat e interesave të tyre në Gadishullin Ballkanik. Me përcaktimin e vijave të reja të demarkacioneve kufitare ku prekeshin thellësisht interesat kombëtare të shteteve të shumta Ballkanike dhe sidomos në rend të parë ato të popullatës shqiptare.
Gjermania, është shteti evropian për të cilin shqiptarët gjithmonë e kanë pasur një simpati jashtëzakonisht të madhe, ashtu siç e kanë sot për SH B A. Porse në kohërat më vendimtare kërkesat tona kombëtare, pikërisht nga Gjermania ishin neglizhuar më së shumti. Pastaj, vetë themeluesi gjegjësisht babai i Gjermanisë O. V. Bizmarku, kujtohet ndër ne shqiptarët për dy sjellje shumë të shëmtuara. Ai i kishte thënë ideologut të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Abdyl bej Frashrit, se për të 1). “nuk ekziston kombi shqiptarë” dhe se 2). “Shqipëria është një shprehje e thjesht gjeografike”.Pastaj në njërën nga seancat e Kongresit të Berlinit, kishte deklaruar me një indiferentizëm shumë të ulët dhe përçmues: “se ai për të parën herë po dëgjonte se ekzistuaka një popull i quajtur shqiptarë, diku në jug të Gadishullit Ballkanik”.Bile, sikurse ishte tronditur kur dëgjoi për zërin, e rezistencës dhe luftës së tij për ta siguruar të drejtën e natyrshme për të qenë komb me vete dhe i barabartë me kombet tjera të Ballkanit. Dhe se ky kongres i përmasave të mëdha të diplomacisë evropiane, e shkeli në mënyrë më brutale integritetin dhe sovranitetin e atdheut tonë shqiptarë. Ku para këtij kuvendi mbar evropian, Shqipëria, i kishte hiç më pak se 130.000 kilometra katrore të brezit të saj etnik të brendshëm dhe të brezit anësor, pastaj në kohën e“Krizës Lindore”nëpër këto troje etnike jetonin rreth 1.600.000-1.700.000 banor shqiptarë. Dhe se me zgjerimin pas Kongresit të Berlinit, Serbia, do ta kishte një shtrirje sipërfaqësore prej 54. 800 kilometrash katrore dhe 1.600.000 banor; ndërsa Greqia do t’i kishte 51.300 kilometrash katrore dhe rreth 1.400.000 banor; Mali i Zi i kishte vetëm se 8.400 kilometra katrore dhe 190.000 banor; kurse Rumania i kishte 113.400 kilometrash katrore dhe rreth 5.600.000 banor. Duke ia shkelur sovranitetin tokësor Shqipërisë së Vjetër më 1878 nga Kongresi i Berlinit, asaj do t’i mbetej një shtrirje sipërfaqësore prej 58.000 kilometrash katrore. Porse kusaria ndaj tokave Arbërore nuk kishte pushuar, gjer pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore më 9 maj të vitit 1945, të cilës do t’i mbeteshin mezi 28.000 km2.
______________________

1. V. I. Lenini, “Imperializmi si fazë më e lartë e kapitalizmit”, vepra rusisht Moskë, 1936 fq. 6.
2. HISTORIA E POPULLIT SHQIPTAR, Vëll. II. Tiranë,1965. fq. 129.
3. Po aty.

– Autori është i burgosur politikë, njëherit edhe kryetar i “Shoqatës së Muhaxhirëve” për Kosovën Lindore me seli në Preshevë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura