Berlin, 15 Maj 2020:
1.
Arena e Prishtinës kthehet gjurmëve të vjetra. Shumë më të vjetra se liria e saj që ende i ngjan një fatamorgane tek josh, lëbyr e mashtron…
Presidenti risjellë me afsh në trafikun e gjuhës politike nocionin “grup”. Kështu, grup, do i cilësojë ai Kurtin, Sfeçlën e Vitinë, pjesën qeveritare jashtë korit të kontrolluar partiak.
Dhe më kujtoi terminologjinë tipike të tiranëve ndër vite. Kronikat nuk harrojnë grupin e Demaçit, fjala vjen. Ose “katërshin” e famshëm në Kinën e Maos, në mesvitet 70-të.
Natyrisht, paralelja është rastësore. Sepse, ndërsa i pari ishte sinonim i lirisë, i dyti, ndërkaq, përfaqësonte falangën brutale të revolucoinit kulturor kinez.
Por hakmarrja e diktaturës kundër tyre (që në Kosovë pati dhe dimensionin e pushtimit) kishte amzë, mjete e justifikim të njëjtë.
Grupi, fillimisht, shpallet armik i popullit e shtetit. Por merr shpesh dhe nofkën figurative “bandë” politike. E, meqë Tirani është njëjtësim absolut i tyre, aherë grupi rrjedhon armik i tij për jetë a vdekje!
Historia e fundeve të tyre është gjithandej e njohur: burgje, internime, leçitje, likuidime, ndalim i emrit, shuarje…
Po çështja është: ç’shtysë të brendshme do ndjente Presidenti që të akomodojë leksikun e tillë?
Është, me gjasë, inercia e shkollës, vokacioni fillestar dhe paaftësia e fshehjes së tyre.
Mirëpo është, vallë, kohë tjetër, apo gjithnjë kohë e tij?
2.
Autobusi gjarpëronte diku në zona të largëta rurale. Pikturë Dukagjini. Magji Dhéu…
Dhe, pas një frenimi të detyruar, merr sërish shpejtësinë e papritur. Tranden të gjithë. Madje, hallakaten e shfryjnë dhe ca gra burrnore me strajcat plot pazar vjeshte.
Por dikush nga udhëtarët , për të qetësuar zërat, thotë solemnisht: ishte inercioni shokë! Papritmas, një milic që u ndodh mes tyre, me të dëgjuar këtë, briti: ku është, kapeni!
Rrfenjëza sikur jep disi tabllonë e përafërt. Dërgon rudimentin, passhenjat e saj njohëse. Ndaj pra, Motin e ri me protagonistët politikë: shpejtësinë dhe milicin që ndjekë inercien, fajtorin e tronditjes së tij.
3.
Megjithatë, ndonjëherë ndodh që Koha e Mjerani të nyjëtohen fatkeqësisht. Frytëzohen ndërsjelltas derisa të konsumohet cikli i tyre. I lig, por njëj ligjshmërie asdurde të historisë…
Autori i Princit, Niccolo, shkruante se Papa Xhulio ishte aq i mbrapshtë dhe koha aq e përshtatshme për të, saqë mund të bënte gjithë prapsitë e botës…
Qindra vjet më vonë, një reinkarnim i tij shfaqet në Ballkan. Në tokën më të vuajtur të tij. Tashmë në formën e binomit, njëri me frymëzimin e Maos, e tjetri të Serbosllavisë dhe, të dy bashkë, me vigjilencën e mprehtë të milicit që desh të arrestonte Inercien e gjorë.
A nuk bën, prandaj, posi Xhulio i fantaksur, dhe Mjerani i dyzuar Thaçi-Mustafa gjithë ç’bluan e keqja e fantazisë?
Dhe Koha akoma i parzmon, duke i mbajtur në qendërpikën e zjarrtë të saj…
Deri kur?
Këtë, kufijtë e tyre, do të duhej t’i vijëzonte i ashtuquajturi popull. Por ai, me ç’duket, nuk merr pjesë në fatin e vet.
Postime të Lidhura
SHQIPTAR OSEKU: TË LUTEM SI NJERI, KUPTO NUMRIN 46!
Oslo, 28. 03. 2014 – Dua të mendosh për numrin 46 – është goxha shifër. Po të shkulja…
BEJTULLAH KRASNIQI: AVOKATI I DJALLIT
Prizren, 17 dhjetor 2019: Ditëve të fundit, fokusin e interesimit të qytetarëve, nga bisedimet e dy partive fituese…
RUZHDI GASHI: ATDHETARIZMI DHE KRIMINALIZIMI I POLITIKANËVE TANË!
Therandë, 09. 02. 2016: Politikanët tanë, gjatë angazhimit të tyre për çlirimin e Kosovës dhe Shpalljen e Pavarësisë…
DR.JAKUP KRASNIQI: DEGRADIMI I SHTETIT NGA KOALICIONI QEVERISËS!
Prishtinë, 15. 12. 2015: Kur njeriu i përcjell zhvillimet politike në Kosovë, sidomos në gjysmën e dytë të…