REXHEP KASUMAJ: GJAKU I TEPRUAR!

Berlin, 11. 01. 2016: 1. Milici drejtësindarës! – Derdhje e lumit njerëzor drejt Prishtinës, tribuna dhe kuvendimi i opozitarëve pastaj, në një çast, shpërthimi i mëllefit impulsiv rinor dhe reaksioni i Milicisë plot et për represalje – janë, tashmë, tabllo rituale të rebelimit të organizuar opozitar. Por, kësaj here, pati një shpalesë të re, që bënte indin ekzemplar të fytyrës regjimore: foli Baki Kelani! Asgjë e parëndomtë, sikur ai të raportonte informativisht ngjarjen dhe rrjedhën e saj. Por, jo! Ai foli politikisht dhe tha: “Policia ia njeh të drejtën gjithkujt për protestë…”!
Kur do të vdiste Aleksandër Rankoviqi i urryer, serbët e vajtuan me njëmi palë lot. E ish-Prefekti spirituoz i Belgradit, i mrekullueshmi Bogdan Bogdanoviq (që thoshte se ka ardhur koha të ndahemi miqësisht me shqiptarët), pat shkruar gjithë pezm: mjerë ai popull, rinia e të cilit qan me kujë kolektive mbi varrin e një milici!
Mirëpo tani, së paku si emblemë, është kohë tjetër. Një polic mund të gëzojë shansin e patriotizmit kushtetues. Por protagonisti ynë do t’kujdeset për ti dhënë pamje tjetër atij: merr përsipër të bëj vetëgjyqësinë dhe, si kostumprerës madhnor, njeh ose mohon të drejta njeriu!
Ndaj dhe ky fragment gjithçkathënës kur milici drejton e pilitika milicëron, shpërlan në dritë dielli dy prirje të liga: përceptimin despotik e primitiv të shtetit dhe kultin e institucionuar të dhunës që t’kujton trishtëm atë rendin e kohën e errtë kur përzitej Prefekti i ndjerë belgradas!
2. Kolona e pestë!
Historia e përbetimeve të botës është e bujshme sa vetë orvatja e vështirshme për të dalë nga qerthulli kafshimor i tyre…Veçse ato, për ti rënë në gjurmë viktimës, do të kenë dhe vegëlerinë e tyre ndihmtare: kolonën e pestë! Kudo ndër fronte, kanceleri prijësish, shtatmadhori armatash, rebelime popullore e lëvizje çlirimtare, hidheshin mercenarë që: ose spiunonin tinëzisht ose diskreditonin publikisht programet dhe idealet e tyre…

Që këtej, megjithë vullnetin për të drejkuptuar mëllefin real dhe për të justifikuar të gjitha mjetet që do të përmbysnin pushtetin kriminal – prapë sikur nuk shmanget dot përshtypja se gurin e parë kundër policisë do ta ketë hedhur një Van der Lubbe i hashimisëve…Njësoj si kallja e hershme e Rajhstagut (1933), apo vrasja e mëvonshme e të rinjëve serbë në Pejë (1998), dhe kallja e Kishave ortodokse në Kosovë (2004)…Është e njëjta enë që, në versionin e këtejshëm bizantin, është absolvuar qyshkur nga Isaja dhe, si mësohet përditë, ndiqet përulshëm nga Hashimi i Brojës – ky kursant i rryer i shërbesave të huaja…
Nëse dora do të dilte hapur, qëllimi dhe mentorët duhej të mbeteshin të mbuluar: është dyshja poshtnore dhe ngasja e saj deshpëruese për tu promovuar si e vetmja alternativë e besueshme politike për Praninë ndërkombëtare në Kosovë..!
3.Gjaku i tepruar!

“Se Kosova e ka adet nga nji luftë me ba çdo vjet!” Kështu vargnon rapsodia popullore, por nëse jo çdo vjet – aherë, së paku, çdo dhjetëvjetësh ajo ka rimun tokën e vet. Nuk ka ndodhur akoma që t’ia ndërrojnë të tjerët apo të përpiqej vetë të ndërronte Zot e Mot – pa derdhur gjak. Thuase në trupin e lodhur ka një cikël të çuditshëm teprice të këtij lëngu jetik që, për të çliruar energjitë, duhet të rrjedh e ujit dhéun për zili të qiejve dhe shiut…Është tragjike ta mendosh se dhe klika e kësokohshme, këtë ritual dramatik ndjekë: përnxitë e pret rrëkenë së tij…Urtia e fjala, ankesa e loti, nuk e prek ndërgjegjen dhe nuk lëkund dot fronin e tyre! Ndërkaq, sado mitike dhe zemëratë erinish të ngjasojë, orën e tij e bën vetë njeriu. Njeriu i keq i pushtetuar…Dhe më të këqijë se këta që kanë shaluar sot fatet nacionale, nuk ka parë kurrë ky truall…
“Fort ma e rândë âsht thémra e shkjaut kokëtrashë, se guri i vorrit m’krye”, këlthet Fishta.
Rrjedhimisht, duke u bërë pjesë e kësa themre rrezikzezë, a nuk rëndojnë ata pikërisht si “gurë vorri m’krye” të Kosovës dhe bijëve të saj?

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura
Read More

SAMI BABA!

SAMI BABA! Nga Sheradin Berisha, Pashtriku 28 tetor 2021 Derisa kemi këso SAMI BABASH në politikë shteti shkon…